• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR LUSTRACION!

March 8, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Fund muajin që kaloi, Prania e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-së) organizoi një seminar rreth proceseve të lustracionit në Shqipëri, thuhet në një njoftim në portalin e Zyrës së  kësaj organizate ndërkombëtare në Tiranë.

Sipas njoftimit, seminari online u mbajt për të diskutuar politikat dhe proceset e lustracionit në Shqipëri që nga rënia e regjimit diktatorial komunist, 30 vjet më parë. Thuhet mëtej se, veprimtaria me titullin “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, e zhvilluar si pjesë e veprimtarisë së Prezencës në fushën e drejtësisë transitore, mblodhi bashkë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë, si dhe pedagogë e studentë të Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve private të vendit.  Pjesëmarrësit diskutuan rreth gjetjeve të studimit me të njëjtin emër si më lartë, i cili u porosit nga Zyra e OSBE-së në Tiranë për të trajtuar proceset e lustracionit në Shqipëri që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 deri më sot. 

Bëhet fjalë për studimin e posa botuar me titullin, “Lustracioni në Shqipëri, e shkuara dhe e ardhmja”, me autor, Z. Ilir Kalemaj, mbështetur nga Zyra e OSBE-së.   Në njoftimin e OSBE-së thuhet se ky studim i autorit Kalemaj u mbështet me qëllim për të pasuruar literaturën në fushën e drejtësisë tranzitore dhe zhvillimin e një debati shkencor në lidhje me këtë subjekt tepër të rëndësishëm. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i këtij studimi, Z. Kalemaj tha se lustracioni në Shqipëri ka dështuar megjith përpjekjet që janë bërë në vitin 1995, 1998 dhe në vitin 2008.  Studiuesi Kalemaj u shpreh për VOA-n-shqip se gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në Shqipëri nuk ka pasur një vullnet të sinqert politik për ta çuar deri në fund procesin e lustracionit. Studimi: “Lustracioni në Shqipëri”, nevoja urgjente për t’u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit (zeriamerikes.com)“Këtu ka munguar vullneti politik, pra nuk ka patur asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – është shprehur Z. Kalemaj, për Zërin e Amerikës.

Siç njoftohet, Seminari i OSBE-së u zhvillua në kuadrin e “Ditëve të Kujtesës”, një veprimtari e përvitshme kjo rreth përballjes me të kaluarën komuniste, organizuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer.  Duke folur në hapjen e Ditëve të Kujtesës, më 19 Shkurt 2021 në Tiranë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco ka thënë se, “E kaluara mund të kuptohet përmes një dialogu racional, të matur dhe të gjithëpranuar, përfshirë edhe përmes hulumtimeve të hollësishme rreth asaj kohe, në mënyrë që mësimet e nxjerra të integrohen në shoqërinë e tanishme, për të mos rënë në grackën e harrimit të së kaluarës”.

Unë them, shyqyr që kemi organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja, Ambasada e Gjermanisë dhe Fondacioni Adenauer në Tiranë, që përpiqen, nepërmjet seminareve të tilla due organizimeve të tjera, të hedhin sado pak dritë mbi krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe me forume si ky të ndihmojnë në sensibilizimin e politikës dhe shoqërisë shqiptare mbi nevojën për t’u përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të saj. 

Dua të jem i sinqert, se të merresh me lustracionin ose pastrimin e figurave politike dhe juridiko-gjyqësore në një shoqëri post-komuniste si ajo shqiptare nuk është lehtë, por as e pamundur nuk është siç tregon edhe përvoja e disa vendeve ish-komuniste të Evropes Lindore dhe Qendrore, përfshir rastin e Gjermanisë, që janë marrë seriozisht me këtë problem. Gjermania nuk do të ishte transformuar në shtetin e gjithfuqishëm fuqishëm që është sot, po të mos ishte përballur me të kaluarën naziste dhe komuniste dhe me përgjegjësinë individuale të njerëzve.  Nuk mund të ketë demokraci as një ekonomi të lirë, nëqoftse nuk ekziston përgjegjësia personale. Vet fakti se shumë ish-zyrtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës i janë shmangur përgjegjësisë për ato që kanë bërë gjatë atij regjimi, i ka bindur shumë prej tyre, se ata mund të ushtrojnë të njëjtën papërgjegjësi edhe në detyrat e larta që mbajnë në sistemin e sotëm post-komunist. 

Unë e kam thenë shpeshëherë se këta ish-zyrtarë janë një prej faktorëve kryesor për problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare post-komuniste, përfshir korrupsionin, krimet e ndryshme, politikën në përgjithësi dhe reformën në drejtësi, në veçanti.   Shoqëria shqiptare nuk do të bëjë kurrë përparim, në asnjë prej këtyre fushave, nëqoftse nuk vendoset se cilat ishin krimet dhe kush ishin përgjegjësit për ato krime.  Pa një lustracion të vërtetë, Shqipëria do të mbetet një shtet gjysëm i lirë, ashtu siç është cilësuar për 30-vjet postkomunizëm nga entet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, përfshir Departmentin Amerikan të Shtetit – larg dhe në mospërputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Unë nuk besoj në hakmarrje por e them këtë me dëshirën dhe shpresën që Shqipëria dhe shqiptarët, në përgjithësi, të përballen sinqerisht me të kaluarën komuniste, duke adaptuar një proces lustracioni në përputhje me rrethanat e Shqipërisë, me përvojat dhe standardet e përdorura në shtetet e tjera ish-komuniste. Sepse siç citohet nga VOA shqip, studimi i lartë përmendur i autorit Ilir Kalemaj, “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, botimi i të cilit është mbështetur nga OSBE-ja në Tiranë, “Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit shqiptar, të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema — nuk mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.”   E duam Shqipërinë vërtetë demokratike, sepse siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antoni Blinkey në një fjalim me tre mars në Departamentin e Shtetit, ku preku   vazhdimisht temën e demokracisë: “Demokracitë e forta janë më të qëndrueshme, më të hapura, partnerë më të mirë për ne, më të përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, më pak të prirur për konflikt dhe tregje më të besueshme për mallrat dhe shërbimet tona”.

Është vështirë të gjesh sot në Shqipëri ish-zyrtarë të komunizmit e që sot gëzojnë detyra të larta administrative të shtetit dhe të qeverisë — të cilit do nivel dhe cilës do fushë qofshin, përfshir drejtësinë — e që në një mënyrë ose një tjetër, të jenë distancuar gjatë këtyre 30-viteve, nga e kaluara e tyre komuniste. 

Për 50-vjet vija e partisë ishte: Partia mbi të gjitha!  Partia nuk gabon kurrë, ishin indidvidët që gabonin.  Sot na ofrohet një argument tjetër i kundërt:  na thonë se ish-komunistët si individ nuk janë përgjegjës për krimet e regjimit komunist, përgjegjës ishte sistemi.  Një shtrembërim ky i vlerave njerëzore, juridike dhe politike që, fatkeqësisht, duket se pranohet edhe nga disa përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë.  

Një fjalë e vjetër popullore thotë se për çdo gjë mund të vonohesh në jetë. “Me u koritë nuk është vonë kurrë”, thotë populli, “por kurrë nuk është vonë gjithashtu për të bërë gjënë e duhur”. Kurrë nuk është vonë as për lustracion!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lustracioni, nuk Eshte vone

Tri letra të panjohura të poetit Manush Peshkëpia

March 6, 2021 by dgreca

( ose një ese për poezinë) ….?

NGA URAN BUTKA/Pikërisht ditën e 26 shkurtit 2021, të premten, pra, ditën e përvjetorit të 70-të të pushkatimit të poetit Manush Peshkëpia më 26 shkurt 1951, zbulova në Arkivin e Shtetit tri letra të panjohura të tij, që mbajnë datat 30 qershor 1944, 31 korrik 1944 dhe 17 gusht 1944, fondi  54, dosja 67 dhe që i drejtohen Sotir Kolesë, atdhetarit dhe dijetarit të shquar.

Ishte rastësi, apo një zë i paplotësuar, i paqetë, që nuk rreshti së trokituri tek unë pikërisht atë ditë? 

Zërat e pavdirë, që vijnë nga e kaluara dhe që përbëjnë nënkrësën tonë, duhet të jemi të aftë t’i kapim, t’i dëgjojmë dhe t’i ndjejmë, për të kuptuar rrënjët  tona.

Zëri i Manush Peshkopisë na vjen sot përmes tri letrave tejet interesante, në të cilat autori shfaqet në fushë të kulturës shqiptare e më gjerë si një hulumtues, njohës dhe kritik i poetikës shqiptare në përgjithësi dhe  poetikës së Çajupit në veçanti. 

Manushi ishte edhe vetë një poet i ndjerë, përkthyes dhe studiues. 

I rritur në një mjedis familjar e shoqëror nacionalist dhe të kulturuar, në mes të librave dhe njerëzve të ditur, Manush Peshkëpia u afirmua si një personalitet fuqishëm atdhetar, por edhe si krijues. Rrugës së krijimtarisë letrare ai i ishte futur aty nga fundi i viteve ’20-të dhe u shqua në vitet ’30-40 për krijimet poetike, por edhe për përkthimet nga frëngjishtja, italishtja dhe anglishtja. Gjithashtu, u bë i njohur sidomos në rubrikën e ndërtuar bashkë me Mid’hat Frashërin “Të huajt për ne, ne për të huajt”. 

Bashkëpunimi me Midhat Frashërin ka qenë  i frutshëm  në fushën e kulturës, por edhe të idealit të përbashkët kombëtar. Po kështu edhe komunikimi me vëllain e vet nacionalist Nexhat Peshkëpinë, Vedat Kokonën,  Mitrush Kutelin etj

 Në esenë “Poemi i Shëndaumit” të Mitrush Kutelit, transmetuar më 19.04.1944 nga M.Peshkëpia në Radio Tirana, ku drejtonte emisionin letrar, ai tërhoqi vëmendjen e opinionit publik për një “shqiptar të

ri me vlerë dhe intelektual në kuptimin më të gjerë të fjalës”, për talentin e  letrave shqipe, Mitrush Kutelin.

Poezitë e M.Peshkopisë shfaqeshin tek revistat me prestizicioze të kohës, sidomos tek “Përpjekja shqiptare “ e Branko merxhanit, krahas krijuesve te  poetëve të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Nonda Bulka,  Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci, Arshi Pipa etj.

 Me këtë rast po japim per lexuesin poezinë lirike te njëzetvjeçarit Manush Peshkëpia titulluar ”Shpirt’i  ri”, botuar në revistën “Përpjekja  shqiptare”:

Nëndë muaj n’errësirë

Nëndë muaj krejt i mpirë

E zë mall’ i përvëluar.

shpirt’ i ri posa gatuar

N’errësirë s’duron dot,

Do të vijë në këtë botë

Të shoh’ dritën e kulluar.

Shpirt’ i ri posa gatuar

Lindi, ra në botën t’onë,

Po – i shkreti shpirt’ i njomë

Zu të qaj’, oh, i penduar!

Është shpirti i ri, i sapogatuar, i Manushit dhe i brezit të ri përparimtar të asaj kohe, që ëndërronin për një botë  të re, që digjeshin për një dritë të kulluar, por që ranë një botë të vrazhdë e të trishtë, zhgënjyese. “Revista letrare” shkruante atëbotë: ”Doli nga shtypi libri i M.P., por nuk gjindet asnjë kopje e këtij botimi”. I zhgënjyer autori që s’pa as dritën e botimit! 

Manushi spikati më së shumti si poet i vetvetishëm dhe i ndjerë. Atë e ka çmuar veçanërisht albanologu gjerman Maksimilian Lambertz, njohës i mirë i gjuhës, letërsisë historisë shqiptare, i cili në botimin “Antologjia e letërsisë shqiptare” (Albanishes Lesebuch, Leipsig, 1948) e përshiu edhe poetin Manush Peshkëpia, duke botuar edhe dy vjersha të tij “Nënës” dhe “Flokëvedhës”.

Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Vedat Kokona është shprehur kështu për mikun, poetin dhe njeriun Manush Peshkëpia:

“…Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj, ishe dhe ti, Manush. Askush nuk të ka njohur sa të kam njohur unë, si vëllai yt, gjashtëdhjetë vjet më parë, atëherë kur ti dhe unë gicilonim muzën dhe këndonim pranë burimit të Hipokrenit. Si duket,

Polimnia s’na deshi shumë dhe na la… Shumë njerëz kam njohurnë jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh  poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri. Pak poetë kam njohur të tillë. Mund të bësh vjersha patriotike sa të duash pa qenë as poet e as patriot, siç ka shumë, por vështirë tepër ta duash atdheun dhe gjuhën si i doje ti. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën, për fatin tënd të zi, nuk

pe, sepse re tok me shokët në një varr të përbashkët. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën ne të tjerët patëm fatin ta shohim. Për të vazhduar udhën që kishe ndërmarrë ti, neve na duhet ajo dashuri që kishe ti për vendin e shumëvuajtur dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Lum ata nga pasardhësit e tu që do të vazhdojnë udhën tënde të ndriçuar nga drita jote.”

*

Tri letrat e pabotuara më parë, që po sjellim për lexuesin,  i drejtohen dijetarit Sotir Kolea, njëherësh edhe mikut të familjes Peshkëpia. Në atë kohë Manushi punonte si redaktor në “Radio Tirana” dhe ishte atje një zë i spikatur i kulturës shqiptare. Në kohën që do të jepte nje emision radiofonik për poetin Andon Zako Çajupi, i kërkonte me përgjërim të urtit Sotir Kolea informacion për jetën dhe veprën e Çajupit, sepse po përgatiste edhe nje botim (broshurë) per krijimtarinë thuajse të panjohur të Çajupit. Sotir Kolea kishte jetuar disa vjet në Egjypt, ku banonte Çajupi dhe e njihte mirë jetën dhe veprën  e tij. 

 Shfaqet qartësisht prirja e Manushit per hulumtime dhe studime të reja ne fushë të letërsisë dhe autorëve të saj.

Ndryshe nga dy letrat e tjera, ku kërkon informacion, në letrën e dytë të datës 31 korrik,  Manush Peshkëpia shfaqet si një mendimtar evropian, drejtpeshues  paanshëm i letërsisë, gjykues pa komplekse dhe tejet original për poezinë e Çajupit, por edhe të autorëve të tjerë të letërsisë shqiptare  edhe të huaj. Madje kapërcen edhe mendimin që i shfaq Sotir Kolea ne letrën-përgjigje të tij lidhur me Çajupin, i cili e kishte stigmatizuar  dhe konfliktualizuar publikisht Dr. Adhamidin, këtë personalitet historik si edhe familjen e tij, siç bëri edhe me Midhat Frasherin tek “Klubi I Selanikut”. Ndryshe nga ç’e paraqiste Çajupi tek komedia “Pas vdekjes” si një mjek të paaftë dhe sharlatan, Dr Adhamidi, doktor në mjekësi i Universitetit të Monpelierit, ishte njëherësh edhe kryetar I shoqërisë “Bashkimi” të Egjiptit, ministër në qeverisjen e Princ Widit,, përfaqësues i parë i shtetit shqiptar në Romë, kryetar i Komitetit shqiptar në Gjenevë, që dha një ndihmesë të madhe në mbrojtjen e çështjes shqiptare nëpërmjet shkrimeve dhe përpjekjeve te tij përgjatë Konferences se Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve, si edhe me letrën drejtuar Presidentit Wilson në vitin 1918.

Ja reagimi i Manush Peshkopisë, kur merr përgjigjen e S.Kolesë: 

“Nuk përjashtoj  se jeta e poetit tonë Çajup s’ka qenë skandaloze, por ngul këmbë se vepra e tij nuk është për t’u hedhur poshtë, apo për t’u fshirë… Episdodi i poetit Çajup me familjen Adhamidi nuk ka qenë i huaj per mua, dikush më kish  bërë fjalë për të. Por ky episod, që unë bashke me ju e quaj të turpshëm, nuk ia unj vleftën  poezisë së Andon Çakos. Marr lejën   që me këtë rast t’ju kujtoj se kam lexuar në vëllimin “Poesia” të Benedetto Groces, kur ky thotë se  për të gjykuar një vepër  të një poeti,  nuk duhet ta nënvleftësojmë këtë me jetën private të autorit… Për të vleftësuar vleftën e një poeti nuk duhet ta konfondojmë këtë me jetën private të autorit, këto janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra tjetrën, thekson Manushi. 

Siç shihet,  poeti dhe studiuesi objektiv Peshkëpia, qysh në atë kohë, përshfaq forminin e tij si një mendimtar dhe kritik modern  perëndimor në gjykimin e shkrimtarisë. Këtu ai del në fushën e teorisë së letërsisë dhe i paraprin mendimit më përparimtar shqiptar, ndryshe nga mendimi zyrtar i kohës së tij, por edhe i kohës më pas, diktaturës, kur vlera e një poeti përcaktohej nga deologjia apo  elementet e biografisë së tij së tij, siç ndodh shpeh edhe sot e kësaj dite. 

Manushi gjykon me kokë të tij dhe me këmbë në tokë: 

“Unë për veten time jam i mendimit, që kur gjykojmë shkrimtarët, e sidomos poetët tanë, duhet të rrojmë brenda atmosferës sonë. S’kemi pse të matemi me shtetet e tjerë, as ballkanas, pa le pastaj evropianë. Dhe duhet të kemi paraasysh se gjuha jonë e shkruar letrare s’e ka arritur as shekullin dhe, pra, s’kemi një traditë letrare. Mund të mburremi vetem me folklorin tonë të pasur, Kështu, pra, që Çajupin mund ta cilësojmë si poet të tonit tonë popullor, ashtu se edhe të tjerë. Por, siç thosha edhe me lart, Çajupi, të paktën ka marrë nga goja e popullit dhe është munduar  ta veshë me petkun e poezisë, brenda mundësive te tij dhe në gjuhën tonë të pazhvilluar Dhe të mos harrohet sidomos që ay ka bërë poezi gjysmë shekulli më parë, ahere kur s’kishte nje alfabet të caktuar, po sikushdo shkrimtar e trillonte një abece të tijën”

Manushi mendon se çdo poet ka shtatin e vet, ndricon botën me dritën e vet të vetmjaftueshme, aq sa ka fuqi dhe shpirt. Këtë mendim ka edhe per vetveten. Bukur e përcakton Vedat Kokona: “Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh  poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri”.

Koha e ardhme do të sjellë të tjerë poetë e të tjera vlera më të mëdha, mendon Manushi. “Gjersa të kemi edhe ne një Dante, një Gëte, një Shekspir, ka për të kaluar kohë e gjatë, ndofta mund të nevojiten shekuj me radhë. Nashti për nashti kemi vetëm këta. Midis Fishtës e Shirokës, Naimit dhe Çajupit, Asdrenit dhe Lasgushi, Nexhat Hakiut dhe Vedat Kokonës, ndryshimi është shumë relativ. Një notë më e mirë, një numër më pak. Vleftë absolute nuk kemi. Sikur të marrim n’analizë veprën madhështore edhe të madhështorit Fishta, pikërisht në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” besoj se  edhe atje do të gjejmë   vargje dhe jo poezi, dhe ndofta jo tek tuk”.

Manushi ishte gjithnjë në kërkim të vetes dhe të të tjerëve. Ai nuk nginte mite, por edhe as nuk minimizonte kërkënd. Ishte kundër atyre, që disa poetë i ngrinin në qiell, ndërsa të tjerët i i ulnin në tone minore. Ai përpiqet t’i afrohet të vërtetës, ndonëse jo gjithnjë ia arrin. Se edhe ai vetë poet është. Ai shkruan: ”Çajupin, një shoku im “dottore in lettere” ma cilësoi si poet të tonit “minor”. Unë e kundërshtova dhe i thashë: Po cilët kemi ne në Shqipëri të tonit “madhor”? Ndoshta Fishtën, sepse rekllama e madhe  e ka ngritur në qiell, atje tek nuk qëndron dot. Bile dikush e ka vënë  në krah të Homerit, ashtu sikundër, këtu e tre vjet më përë, një i krisur mendsh e vuri Ethem Haxhiademin tonë kundruall Sofokliut. Por këto, i nderuar z.Kolea, janë krahasime qesharake dhe dëftejnë se nuk jemi të gatuar ende. Emrat e Homerit, Sofokliut e të tjerë janë yje që shkëlqejnë prej mijëra vjetësh, dritën e të cilëve s’kanë mundur ta errësojnë as Dantet, Hygotë dhe Shekspirët”

Eshtë me interes  të theksohet se anash letrës dërguar S.Kolesë, M.Peshkëpia shënon me shkrim dore: “Si vete puna e fjalorit tw gjuhës sonë? Akini edhe shumë për të punuar? Ai ishte i interesuar për punimet shkencore të Sotir Kolesë dhe e punëtorëve të tjerë të shqipes. Dihet se puna më e madhe, më e plotë studimore e Kolesë mbetet hartimi i pesë fjalorëve shqip grengjisht, shqip greqisht etj, ku më kryesori ishte fjalori i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund te jetës, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frenge.

Manush Peshkëpia zbuloi se n Bibliotekën Kombëtare ( drejtor i së cilës ishte Sotir Kolea në vitin 1928) ekzistonte  një pako e dërguar nga Jani Vreto, me nënshkrimin: “Të hapet në vitin 1945”, pra, pas 15 vjetësh nga koha e dërgimit. Duke qenë se Çajupi kishte vdekur në vitin 1930, dhe po plotësoheshin 15 vjet nga ajo ditë, Manushi mendonte se plikoja me dorëshkrime do të ishte e A. Z. Çajupit, dërguar në atdheun e tij. Por edhe kjo hamendësi, enigmë apo fakt, u fshi nga koha, sepse viti 1945 ishte viti i fillimit të inkuizicionit komunist në Shqipëri dhe jo i letrave, i poezisë.  

( Botuar në gazetën letrare “ExLibris”, 6 mars 2021)

Ja edhe tri letrat origjinale:

C:\Users\Uran\Desktop\F.54---67.2-208 Manush Peshkepia.jpg
C:\Users\Uran\Desktop\F.54---67.2-209 (1) M.Peshkepia.jpg
C:\Users\Uran\Desktop\F.54---67.2-210 Peshkepia.jpg
C:\Users\Uran\Desktop\F.54---67.2-211 peshkepia.jpg

Filed Under: Politike Tagged With: 3 Letrat e panjohura, Manush Peshkepia, Uran Butka

PROBLEMATIKAT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS NË KOSOVË E SHQIPËRI GJATË PANDEMISË

March 5, 2021 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI/

Pandemia COVID-19 ka vënë në vështirësi të gjitha hallkat e sistemeve shëndetësore në të  gjithë botën. Kjo pandemi ka evidentuar dobësitë dhe papërgatitjen e shumë shteteve për tu përballur me këto vështirësi. Një ndër arsyet për këtë janë dhe investimet e pakta në fushën e  shëndetësisë, duke përfshirë pajisjet, ambjentet, instrumentat dhe personelin shëndetësor. Në këtë kontekst, Shërbimit të Urgjencës i është dashur të riorganizohet për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive kujdesit dhe shërbimit ndaj popullatës. Mjekët shqiptarë kanë qënë në vijën e parë të përgjigjes jo vetëm në vendet shqip-folëse, por edhe më gjerë në Diasporë. Vështirësitë që ata kanë hasur gjatë kësaj periudhe u paraqitën në një webinar të  organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali. Gjatë këtij webinari Dr. Arben Gjata, Dr Skënder Brataj, Prof Basri Lenjani dhe Dr Esen Uysal paraqitën eksperiencën e tyre, sfidat  e hasura dhe mësimet e marra që nga fillimi i kësaj pandemie përkatësisht në Itali, Shqipëri, Kosovë  dhe Turqi.  

CILAT ISHIN SFIDAT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS?

Me fillimin e pandemisë, Shërbimi i Urgjencës u përball me sfida të mëdha, të  cilat kërkonin krijimin e një strategjie për uljen e infektimeve dhe ngadalësimin e përhapjes, hartimin e  kritereve të monitorimit të rasteve të dyshuara si nga centrali operativ edhe në territor dhe krijimin e një rrjeti emergjent territorial. Në të njëjtën kohë duhej treguar vëmendje për  pajisjen e të gjithë personelit shëndetësor me dispozitivë të mbrojtjes individuale,  koordinimin me mjekët e specialiteteve të tjera, menaxhimin dhe trajtimin në emergjencën para hospitalore për pacientët e dyshuar me COVID-19. Gjatë muajit mars të vitit 2020, mjekët e Shërbimit të Urgjencës u përballën me një shtim të numrit të thirrjeve nga ana e  popullsisë që tregon edhe për panikun e krijuar nga një sëmundje e panjohur e që po  përhapej me shpejtësi kudo në botë. Fillimisht ishte e vështirë edhe të përkufizohej një rast i dyshuar me COVID-19. Kishte një numër të kufizuar të ambulancave të pajisuara me të  gjitha instrumentat e nevojshme sikurse respirator dhe transporti i pacientëve pozitiv kritik në shërbime më të specializuara hasi në probleme. Ndërkohë kishte një mungesë komunikimi e bashkëveprimi me departamentet e tjera, si psh ai i dializës. Në valën e parë personeli i Urgjencës u gjet i vetmuar në territor, në mungesë të dispozitivave të mbrojtjes individuale duke ndikuar gjithashtu në mosfunsionim e figurës së mjekëve të familjes. Në disa raste, të vënë përballë një armiku të panjohur e të padukshëm, personeli shëndetësor ka hezituar për të shkuar te pacienti. Ndërkohë u hasën vështirësi për të bindur personat e dyshuar, të konfirmuar, apo që ktheheshin nga jashtë shteti për të qëndruar në karantinë. Një rol të rëndësishëm edhe pse jo gjithmonë pozitiv, luajti dhe media e politika. Dizinformimi që u vu re gjatë kësaj pandemie vështirësoi shpesh punën e personelit shëndetësor e vendimmarrësve, të cilët u përballën me mosbesim të thellë nga ana e popullates. Edhe pse gjatë valës së parë u pa një solidaritet i lartë me ekipet mjekësore, kjo gjë ndryshoi me përhapjen e teorive të shumta dhe shpesh u vu re mosbesim deri në fajësim ndaj personelit mjekësor dhe skepticizëm ndaj këshillave të dhëna, kryesisht mbi përdorimin e maskave, mbajtjes së distancës sociale.

SI U MENAXHUA SITUATA E VËSHTIRË E PANDEMISË?

Në mungesë të protokolleve për menaxhimin e rasteve me COVID-19,mjekët e Shërbimit të Urgjencës u mbështetën tek protokollet e vjetra të hartura për SARS, në rastet kur ishin të krijuara dhe ekzistente. Me shtimin e njohurive dhe evidencave shkencore mbi virusin dhe pandeminë, shumë shpejt u hartuan protokolle të reja kombëtare e ndërkombëtare, të cilat iu mundësuan në mënyrë të përditësuar dhe të herëpashershme personelit mjekësor. Me numrin e rasteve që shtoheshin dita ditës, një tjetër sfidë ishte trajnimi dhe edukimi i stafit mjekësor mbi SARS-CoV-2, trajtimin e pacientëve dhe përdorimin e duhur të veshjeve mbrojtjëse. Duke konsideruar infektueshmërinë dhe transmetueshmërinë e lartë të virusit, u pa e domosdoshme dizinfektimi i herëpashershëm i ambjenteve të urgjencës dhe i ambulancave. Koordinimi midis departamenteve të ndryshme dhe bashkëpunimi midis tyre lehtësoi mbingarkesën e sistemit shëndetësor, duke përfshirë dhe Shërbimin e Urgjencës. Pati një ulje të numrit të thirrjeve për patologjitë e tjera akute për shkak të frikës nga COVID-19, gjë që tregon një shtyrje të kujdesit shëndetësor deri në rrezikim të jetës së pacientëve. Kjo çoi në një mbipopullim të ED në një moment të dytë. Për t’ju gjendur sa më pranë pacientëve, personeli i urgjencës ka qënë në kontakt të vazhdueshëm me ta, duke ritelefonuar ditë pas dite ata në gjendje kritike e të dyshimtë. Mjekët kanë pasur nivele të larta stresi për shkak të turneve të gjata e të lodhshme, infektimeve të tyre e të familjarëve, humbjeve të personave të dashur e të kolegëve. Për t’i ndihmuar janë vënë në dispozicion numra të këshillimit psikologjik si dhe kurse për menaxhimin e stresit. 

BETEJA ME VIRUSIN VAZHDON…

Shërbimi i Urgjencës, ashtu si i gjithë sistemi shëndetësor ndjeu mungesën e protokolleve dhe parapërgatitjes në fazat e para të pandemisë COVID19. Me shtimin e njohurive mbi virusin dhe me kalimin e kohës u bë një riorganizim për të ofruar një shërbim efektiv e në kohën e duhur për çdo pacient. Eksperiencat e ndara gjatë këtij webinari mund të shërbejnë si mësime për të gjithë mjekët shqiptarë të shërbimit të urgjencës, jo vetëm në përballjen me pandeminë që po kalojmë, por edhe në një emergjencë sanitare në të ardhmen. Si përfundim, duhet theksuar se deri në përmirësimin e situatës epidemiologjike, beteja me virusin vazhdon dhe në asnjë moment nuk duhet të ulim vëmendjen ndaj respektimit të masave të shëndetit publik.

Filed Under: Politike Tagged With: E SHËRBIMIT, PROBLEMATIKAT, Sokol Paja, TË URGJENCËS

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu

March 4, 2021 by dgreca

PRESS RELEASE/

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu/

VATRA is concerned with the pressure tactics on the Prime Minister elect of Kosova, Albin Kurti. The congratulatory message by the Israeli PM Benjamin Netanyahu and invite to meet in Israel at the inaugural opening of the Embassy in Jerusalem which prompted fierce reactions by Turkey, Palestine and the Arab League and even European Union should not deter or intimidate Kosova, the upcoming administration, its institutions and political class. 

The young Kosova state has no time to experiment on withdrawing from the Washington agreement of September 4, 2020 procured under President Trump and the official signings of diplomatic relations between Kosova and Israel on February 1, 2021.

The European Union has had sufficient time to facilitate Kosova’s integration yet it has opted to isolate the new state by blocking the traveling of its citizens, a measure imposed on Kosova’s aggressor, Serbia – Brussels’ pet project. 

VATRA appreciates Mr. Kurti’s non-rushed approach to encounter the pressure exerted by the EU yet the delay does not benefit him, his upcoming administration nor the citizens of Kosova. While his earlier statements that the establishing of diplomatic relations between Kosova and Israel is an important and positive step towards development were promising, his announcement that he will review the issue whether Tel Aviv or Jerusalem will be the location of Kosova’s embassy at the meeting with the Turkish Ambassador in Prishtina, Çağri Sakar on March 1, 2021 sows doubts and ambiguity. These decisions do take time yet as the expression goes: Well begun is half done! Washington was clear on the opening of the Embassy in Jerusalem, where the US offices are located. The new administration has approved the move and released the funds for the US Embassy in Jerusalem. Case closed!

In considering the dilemma of listening to the Americans to set up the embassy in Jerusalem versus the threats by Europeans to settle it in Tel Aviv, Kosova should apply a balanced practical and diplomatic sense in saying “YES” to the former and “NO” to the latter. Logic and international diplomatic relations’ practices relieve Mr. Kurti of his responsibility since the decision was made by his predecessors and secondly, the location of Kosova’s embassy is determined by the host country rather than Kosova. 

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu!

Executive Board of Pan-Albanian Federation of America Vatra

President

Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Izrael, kosova, Vatra

Kosovë, mos humb kohë… Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

March 3, 2021 by dgreca

      DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA/

VATRA: KOSOVA NUK KA KOHË PËR HUMBUR PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM/

Kosova nuk ka rrugë tjetër përveçse ta hapë sa më parë ambasadën pranë asaj Amerikane në Jeruzalem…./

New York, 3 Mars 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim presionet që po i bëhen kandidatit fitues  për Kryeministër të Kosovës z. Albin Kurti. Urimi dhe Thirrja e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu: Të pres në Izrael për të inauguruar Ambasadën në Jeruzalem; përballë kundërshtimeve të ashpra të Turqisë, Palestinës,si dhe të Lidhjes Arabe, apo dhe të Bashkimit Europian, nuk kanë pse e konfuzojnë as ta frikësojnë Kosovën, qeverinë e pritshme të saj, institucionet shtetërore apo klasën politike!

Shteti i ri Kosovës nuk ka më kohë të eksperimentojë tërheqjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Washington nën kujdesin e Presidentit amerikan Donald Trump dhe të nënshkrimit të marrdhënieve diplomatike me Izraelin me 1 Shkurt 2021.

          Bashkimi Europian ka pasë mjaftushëm kohë për ta ndihmuar Kosovën në integrimin e saj, por ka zgjedhur izolimin e shtetit të ri, duke mos e lejuar as të udhëtojnë në Europë qytetarët e Kosovës, siç ka bërë me agresorin e Kosovës, Serbinë- e  përkëdhelura e Brukselit.

              “VATRA” e mirëkupton Kurtin në lëvizjet e  tij për të fituar kohë për t’u përballur me presionin e BE-së, por vonesa nuk është në favor të tij dhe qeverisë së pritshme, as të qytetarëve të Kosovës. Ishte pozitive deklarata e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës Kurti  se “… vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”, ndërsa deklarata e 1 marsit 2021 gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar, se :”.. do ta shqyrtoj çështjen se në cilin qytet do të vendoset Ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem…”, krijon dyshime e mëdyshje.Vendime të tilla, natyrisht që duan kohë për t’u peshuar, por dita e mirë duket që në mëngjes. Washingtoni ka kërkuar qartazi që ambasada duhet hapur në Jeruzalem. Atje është edhe ambasada e Shteteve të Bashkaura të Amerikës. Administrata e re amerikane e dha “vizën” dhe fondet për qëndrimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Kaq mjafton.

  Në dilemën të dëgjojë Amerikën , që i kërkon ta hapë ambasadën në Jeruzalem, përballë Europës kërcënuse: Jo në Jeruzalem, por në Tel Aviv!- Kosova duhet ta peshojë me balancën e prakticitetit dhe diplomacisë se kujt do t’i thotë ”PO” dhe kujt’JO”, por logjika dhe praktika diplomatike ndërkombëtare e shkarkon Kurtin nga përgjegjësia e PO-së sepse vendimin e kanë marrë paraardhësit e tij dhe së dyti- vendin se ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael i takon shtetit pritës dhe jo Kosovës.

Kosovë, mos humb kohë! Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

Për Krysinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës

KRYETARI

ELMI BERISHA

New York, 03/03/2021

Filed Under: Politike Tagged With: ambasada e Kosoves, ambasada ne Jeruzalem, Deklarate e vatres, Elmi Berisha, Jeruzalem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • 313
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT