• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË FLORIDA DHE GABIMET QË E KTHYEN SHTETIN EPIQENDËR TË COVID-19

July 20, 2020 by dgreca

DR. BERNARD TOPI FLET PËR GAZETËN “DIELLI” NGA FLORIDA/

Dr. Bernard Topi, Kardiokirurg në Florida, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gjëndjen e pandemisë globale në shtetin e Floridas dhe analizon gabimet që e kthyen këtë shtet në epiqendër të Covid-19. Me Dr. Bernard Topin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

FLORIDA PËRBALLË PANDEMISË COVID-19

Fillimisht, në kundërshtim me atë ç’ka pritej, Florida i “shpëtoi masakrës” së virusit. Për fat të keq, siguria e fituar nga numri krahasimisht i vogël i të infektuarve, u shndërrua në një bumerang. Njerëzit nxituan të shkojnë në plazh pa u kujdesur për të mbajtur distancën e nevojshme. Pushuesit ardhur prej shteteve të tjera, perfshirë New York-un, bashkë me bagazhet sollën edhe gjurmë të reja të virusit. Në përputhje me rregullat e vendosura rishtaz, baret e restorantet rifilluan punën me numër të kufizuar klientësh por kjo veçse zgjati kohën e pritjes në rradhë (me një gotë në dorë, pa distancimin e duhur) e u kthyhe gjithashtu në një faktor aktivë të shpërndarjes së virusit duke e shpëne numrin e personave të infektuar nga rreth 100,000 (Qershor) në 287,000 (Korrik). Duke filluar në 10 ditëshin e fundit të Qershorit, Florida është kthyer në epiqendër të Covid-19. Të dhënat e muajit Korrik (10,000 raste të reja në ditë) e kanë kthyer Floriden, sipas një analize të Reuteurs bazuar në 15,300 infektime të datës 12 Korrik, në një shembull famëkeq. Mesatarja e vdekjeve ditore nga Covid-19 është 81 persona; deri më tani, mbi 4,400 vetë kanë vdekur përfshirë edhe një vajze 11 vjeçare. Mosha e re e të infektuarve është një tjetër veçori e Covid-19 në Florida. Për të dhënë një shembull sqarues, mosha mesatare e personave Covid-positive në Miami-Dade County është 40 kurse në Tallahaasse është 25 vjec.

DREJTË VAKSINËS ANTI-COVID-19

Me mbi 9 milionë raste të konfirmuara në botë, kërkuesit shkencorë kanë përqendruar vëmendjen si mbi një vaksinë të mundshme ashtu edhe në menyra të tjera për të përballuar Covid-19. Sigurisht që disa nga sygjerimet e para për tu shqyrtuar janë medikamente ekzistuese të aprovuara për sëmundje të ndryshme e të testuara ndaj viruseve të njohur e studiuara më parë. Që prej muajit Maj, dy mjekime kanë marrë autorizim në raste urgjence (emergency use authorization) nga FDA: remdesivir (1) e një ilaç që përdoret për pacientët nën ventilatorë(2). Duhet përmendur gjithashtu që, në Mars, FDA autorizoi edhe përdorimin e hydroxychloroquine (anti-malarje) por më pas e tërhoqi autorizimin si të papërshtatshëm për tu fshirë në listën e mjekimeve që luftojnë coronavirus. Dy ilaçet e sipërpërmendura janë akoma në fazë testimi për të gjetur përdorimin dhe dozën e saktë. Duhet mbajtur parasysh se proçesi i krijimit të një vaksine/compound është i gjate e jo gjithmonë përfundon suksesshëm ndaj përherë e më shpesh zgjidhja (të paktën e përkohshme) po kërkohet në rradhët e kurave të njohura siç bën të ditur edhe një studim i plotë botuar në British Journal of Pharmacology ndër të cilat përfshihen Remdesivir, Arbidol, EIDD-2801, Favipiravir, Kaletra, Merimepodib (VX-497), Convalescent plasma, Immune modulators, dhe Stem cells.

COVID-19 GODITJET NË EKONOMI DHE SHËNDET MENDOR TË POPULLSISË

Përveç buxhetit të balancuar, Florida ka AAA bond rating e në ndryshim nga shumë shtete të tjera, rezerva monetare e situatave emergjente janë sa pothuaj 15% e revenue-s të përgjithshme. Ky lloj kujdesi financiarë lejon Floridën të shpenzojë në mënyrë strategjike fondet federale shtesë. Për më tepër, mësuar të menaxhojnë situata kritike të shpeshta (hurraganë/stuhi/fatkeqësi natyrore), mentaliteti tipikë vendas është disi më i gatshëm të mos stepet nga ndeshja me coronavirusin por të kërkoj rrugën e duhur për të dalë nga kjo situatë e paprecedent. Megjithëse është e vështirë të gjykohet efekti i masave të marra (sidomos kur Covid-19 ka marrë, për fat të keq, ngjyrime politike të pavendta), Florida mirëpriti 100 infiermjere shtesë për zonën Miami-Dade (Jackson Health) e po aq në Tampa (Bay Care) ndërkohë që spitalet do të furnizohen me 17,080 doza remdesivir shtesë. Gjithashtu me rëndesi të veçantë është sistemi arsimor në Florida. Urdhëri i situatës emergjente për vitin shkollorë 2020-2021, i mëshon faktit se nxënësit e prindërit e tyre janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimit përfundimtarë midis shkollës tradicionale, asaj online ose një sistemi hibridë. Ndonëse të marra veç e veç asnjë prej këtyre masave nuk është e mjaftueshme, të gjitha së bashku, në mos ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes, të paktën krijojnë një lloj sigurie (mëse të nevojshme) përsa i përket qytetarit të thjeshtë.

COVID-19 DHE SULMET NË ZEMËR

Shumëçka mbetet e panjohur për mënyrën se si Covid-19 ndikon mbi zemrën por një sërë studimesh përfshirë edhe Potential Effects of Coronaviruses on the Cardiovascular System botuar në JAMACardiology, i mëshojnë faktit se personat me sëmundje kardivaskulare janë më të rrezikuar nga komplikacionet e coronavirusit. Virusi mund të shkaktoj sëmundje të zemrës – inflamacion vaskular, thrombosa Vasulare, miokardi dhe aritmi kardiake; ka gjithashtu raste kur mund të shpjerë në congestive heart failure. Ndonëse studimet vazhdojnë, mjekët nuk dinë ende mjaftueshëm për të thënë nëse efekti i coronavirus-it mbi zemrën është i përkohshëm e i trajtueshëm me medikamentet e duhura apo shkakton dëme afatgjata. Ndër pacientet e mi, kam vërejtur se virusi ka shkaktuar inflamacion të muskulit të zemrës si edhe mbyllje/ngushtim të arterieve koronare. Në klinikën time e spitalin me te cilin bashkëpunoj, është praktikë e rekomandueshme bërja e EKG gjatë evaluimit fillestarë të pacientëve që vijnë me simptoma të Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Ndonëse jetoj e punoj prej 20 vjetësh në USA, ky është viti im i parë në Florida, madje përfitoj nga kjo intervistë për tu prezantuar, në një lloj mënyre, me komunitetin shqiptarë lokal. Përveç miqësive personale, gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur kontakte të shpeshta me bashkëatdhetarët, ç’ka shpresoj se do të ndryshoj sapo gjërat t’i kthehen normalitetit. Ajo c’ka këshilloj ndërkohë është të mos humb as durimi e as shpresa ndërkohë që distancimi social, izolimi vullnetar (në raste të caktuara), e sidomos përdorimi i maskës vazhdojnë të jenë të domosdoshëm. Kjo nuk do të thotë aspak qe njerëzit të privohen nga përditshmëria, puna, etj. Përkundrazi, kujdesi i sotëm, siguron të ardhmen.

KUSH ËSHTË DOKTOR BERNARD TOPI

Dr. Bernard Topi, mjek praktikantë prej shumë vitesh në NY, USA është specializuar fillimisht si kardiolog i përgjithshëm e me pas si interventional cardiologist. Dr. Topi është anëtarë i American Academy of Cardiology (member) si edhe i çertifikuar e riçertifikuar nga American Board of Internal Medicine dhe American Board of Cardiology. Duke filluar nga Shtator 2019, Dr. Topi e familja e tij janë vendosur në Tampa, Florida për një balancë më të drejtë midis jetes familjare e asaj profesionale. Dr. Topi praktikon pranë Citrus Cardiology Group e është i gatshëm të jap ndihmë/këshillë në çdo kohë për cilindo anëtarë të komunitetit tonë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Bernard Topi, florida, Sokol Paja

“PUT KOSOVO ON APPLE MAPS” PETITION

July 19, 2020 by dgreca

“PUT KOSOVO ON APPLE MAPS” PETITION
By Rafaela Prifti
A petition demanding Apple Maps to separate the borders of Kosova from Serbia has been posted online since Friday. In addition to no border markings, there is no reference of Kosova on the application. Since the circulation of the petition began, it has collected tens of thousands of signatures. Under the title “Put Kosovo on Apple Maps”, the complaint reveals that Kosova’s international borders are not marked on the application and, its map shows the independent country of Kosova to be part of Serbia. Apple Maps is a web mapping service developed by the company and released seven years ago. The template of the petition states that Apple Maps makes no reference to the country of Kosova. Pointing at the facts, the complaint points out the historic facts such as Kosova’s official declaration of independence in 2008, and the US being one of the first countries to recognize Kosova. On Sunday Albanian pop star Dua Lipa shared a post on Instagram listing reasons “Why Kosovo is not and never will be Serbia”. The purpose of the petition is to ask Apple to make the correction and add Kosova to its list of countries.
Dielli has contacted the company for comment. At the time of the posting, no response was received.
———————————————————
You may lodge a formal complaint or use the following link and the template message below: Apple Complaint URL
“Dear whom it may concern,
I’d like to inform you of a recent experience I encountered when using Apple Maps. When searching for the country of Kosovo, I was surprised and upset to find that there was no reference of it at all, which is highly offensive and factually incorrect as the Republic of Kosovo officially declared independence in 2008. Furthermore, the omission of Kosovo from the application was a surprise seeing as only recently was an announcement made to include Kosovo as an App Store region. In addition, my disappointment was fueled further seeing that Apple was founded in the USA, especially as the USA was one of the first countries to recognize Kosovo as an independent country, and the fact that the two countries still to this day have great relations.
My request is that you make the necessary changes to your application and add Kosovo to your list of countries so that you do not continue to offend an entire population.
I look forward to hearing from you.”

Filed Under: Politike Tagged With: PUT KOSOVO ON APPLE MAPS” PETITION, Rafaela Prifti

VLERAT KULTURORE SHQIPTARE NË TEHUN E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT

July 18, 2020 by dgreca

“Nuk është gënjeshtra që kalon nëpër mënd që të shkakton dhimbje, por ajo që hyn e lëshon rrënjë”- Frencis BACON (1560 – 1626), filozof, shkrimtar e burrë shteti anglez/

SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA-

Në këto ditë të trazuara të jetës shqiptare, kur dy vëndet shqipfolëse gjënden në një udhëkryq, përsa I përket s’ardhmes së kombit, I cili është para belegësh vendimtarë për ecurinë e tij, kur bëhet e domosdoshme bashkësia e shllimeve në projektimin e strategjisë kombëtare, studjuesi Auron Tare hodhi papritmas një shashkë në opininin publik, kryesisht kulturor në një portal të Shteteve të Bashkuara. Në synimin e tij ajo duhej t’ishte një “bombë” që duhej të trondiste opinionin panshqiptar, mbasi, si pasojë e “hulumtimeve” të gjata në mjediset e arkivave shqiptare dhe amerikane, do të duhej të rrëzonte “mitet e rreme”, të cilët, simbas autorit, kishin dhjetëvjeçarë që qëndronin në lartësitë e letrave shqipe me të padrejtë, sepse veprimtaria e tyre në dobi të kulturës shqiptare errësohej nga motivi moral, mbasi në disa shkresurina të ish oficerëve të Sigurimit përmëndeshin emrat e Ernest Koliqit e të Martin Camajt.
I gjithë operacioni, i projektuar në kulisa të caktuara e i sendërtuar nga Tareja, nuk është gjë tjetër veçse një rikthim në metodat më të errëta e më të fëlliqura të një mendimi politik, të përcaktuar nga kasta e  kuadrove të ish Sigurimit të shtetit e ka për qëllim të vazhdojë të hedhë vrerin e nepërkës mbi Shqipërinë kundër komuniste, t’asaj që u përpoq me të gjitha mënyrat të shmangëte fatkeqësinë e saj më të madhe historike e mbi dy nga figurat më të spikatura të jetës kulturore të saj, Martin Camajt dhe Ernest Koliqit.
“Dritëhije në histori” (Martin Camaj & Ernest Koliqi të pazbuluar) është titulli i studimit që autori përdor për të paraqitur një sërë dokumentash të ish Sigurimit e të CIA-s, në të cilët përmënden emrat e dy personaliteteve shtatlartë të letërsisë shqiptare, të rritur e të formuar kulturalisht e moralisht në kryeqendrën veriore të Shqipërisë. Jo rastësisht po përdor foljen “përmënden”, sepse në gjithë ato materiale arkivash që janë renditur në “studimin” e Tares, nuk gjëndet asnjë fakt i vërtetuar bashkëpunimi me shërbimet e fshehta të Shqipërisë apo të Vendeve të tjera. Gjindemi përballë një përpjekjeje për mashtrim të neveritshëm të atyre që nuk e njohin sa duhet të shkuarën tonë historike, nga ana e atyre që vazhdojnë t’i besojnë verbërisht “Miteve të vërteta”, një urdie xhelatësh të diktaturës që kanë mbi ndërgjegjen e tyre mijëra e dhjetra mijëra jetë të kositura shqiptarësh të pafajshëm, jetë të gjymtuara e të kaluara nëpër kampet e çfarosjes, të internimeve të përjetëshme e të punëve të detyruara që, simbas ndonjë historiani apo studjuesi ishin “kampe pushimi” ku vdisnin çdo ditë njerëz të uritur e ku gratë e burrat ishin kthyer në kafshë ngarkese, të paracaktuar për të transportuar metro kubë drush mbi shpinë, sepse kështu kishte lëçitur në arkivat e CIA-s ndonjë historian apo koleg mendimesh i z. Tare…..
Filozofia mjerane e atij synimi mashtrues e poshtërues kundrejt vlerave të vërteta të kombit shqiptar, nuk është diçka e re. Është një praktikë e vjetëruar e regjimit, por tingëllon paradoksale të ushtrohet edhe sot, mbas tridhjetë vitesh të dështimit të plotë të tij në të gjithë drejtimet. Sot, e shitur si “liri fjale e studimi”, ringjallet në të gjithë shëmtimin e tij patologjik, duke vërtetuar më së miri thënien e një burri shteti e shkrimtari anglez, Chesterfield (1694 – 1773), kur shprehej: “Thënia e gënjeshtrave është arti i vetëm i aftësisë së ulët, është streha e vetme e poshtërsisë.”
Studimi i Tares mund të quhet një kryevepër në dëshirën për t’i a arritur synimit për të përbaltur jo vetëm Ernest Koliqin e Martin Camajn, për t’i “zbritur” ata nga Panteoni ku Shqipëria i kishte vendosur, por edhe për të marrë përsipër rolin e kritizerit të “pagabueshëm” të ministrive shqiptare e kosovare të kulturës, që paskëshin kryer një “krim kulturor” në një veprimtari të përbashkët që kishte si qëllim “promovimin e lartësimin” e figurave të tyre. Kjo kryevepër donkishoteske nuk gjen tek puna e lëvruesit të “shquar” të arkivave mjetet e duhura për të bindur qoftë edhe fëmijët e fillores në synimin e tij, duke u kthyer kështu në një operacion të dështuar të një studjuesi të dështuar.
Më poshtë do të shqyrtojmë më hollësisht se cili është ky operacion, cilat janë bazat dokumentare e logjike të shtjellimit të përftimeve që autori ka dashur t’i paraqesë si të pagabueshme, duke shpërdoruar fjalën “dokument” e duke fuqizuar shpërdorimin me termin CIA. Përimtimi i z. Tare fillon me një fakt të vërtetë, me të vetmin të tillë në të gjithë punimin e tij:
“Sipas burimeve të dosjes së tij shqiptare, Camaj dyshohet për lidhje me një bandë t’arratisurish projugosllavë. Për këtë arsye arrestohet në mënyrë të fshehtë më 5 – 5 – 1948 dhe sillet në Shkodër. Më 10 – 5 – 1948 merret në pyetje në zyrën e Sigurimit të shtetit nga kapterri II, Fadil Kapisyzi.
Dosja e deklasifikuar e Camajt ka ndër dokumenta të tjera edhe një deklaratë prej disa faqesh, mbi përfshirjen e tij në ndihmesën për t’arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithshtu kundër disa prej mësuesve të tij fretër jezuitë në veçanti Pader Fausti dhe Pader Daniel Dejani, Pader Roza. Duhet thënë se Fausti e Dejani ishin dënuar me pushkatim në gjyqin e famshëm kundër klerit katolik.
Megjithëse Camaj tregoi mbi përfshirjen e tij në një rrjet t’arratisurish politikë që kishin lidhje me Jugosllavinë, ai doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës më 10 – 5 – 1948, pasi pranoi të rekrutohej si informator me pseudonimin “Bregu i kuq””.
Ky është episodi nga nis rrëfimi i autorit dhe rrugëtimi i tij nëpër botën e fantazmave të dosjeve të ish Sigurimit të shtetit. Një studjues i paanshëm do të duhej të ndalej në ligjëshmërinë e veprimit të cilin ai e merr në shqyrtim. E n’atë rast do t’i duhej të kthehej me mendim mbrapa në kohë, në majin e vitit 1948. Ishte viti i katërt i pushtetit komunist në Shqipërinë e Veriut. Kanë qënë katër vite të trazuara jo vetëm për Shtetin shqiptar në tërnimin ndërmjet varësisë së Beogradit e Moskës, por edhe për Malsitë shqiptare të Dukagjinit nga vinte mësuesi djalosh Martin Camaj, që kishte studjuar në liceun e jezuitëve në Shkodër. Dukagjini, si të gjitha Malësitë e Veriut, u vunë para një prove tepër të vështirë, n’atë të bashkëjetesës me regjimin që kishte ardhur në krye të Shqipërisë, në sajë të nënështrimit të plotë kundrejt jugosllavëve në vitet e para e të sovjetikëve më vonë, të dy palët armiqtë tradicionalë të malsorëve shqiptarë. Ato qëndruan edhe me armë në dorë vite me rradhë nëpër shpellat e maleve të tyre, duke ëndërruar Shqipërinë e lirë. Qëndruan duke shkruajtur një faqe vetmitore në gjithë Lindjen komuniste, atë të qëndresës kundër një bote që vinte të përdhoste zakonet e doket e tyre qindravjeçare e së cilës ata nuk donin t’i nënështroheshin. Kjo ishte vazhdimësi e historisë së tyre, por këtë rradhë ishte më e ndërlikuar, sepse u duhej të luftonin jo kundër turkut, sërbit apo malazezit, por kundër vëllait të gjuhës e të gjakut. Qëndruan nën drejtimin e princërve të Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj, të Pashuk Bibës e të Ndoc Mirakajt, të Muharrem Bajraktarit e dhjetra e qindra herojve të vërtetë të kësaj toke, të cilëve Shqipëria fisnike u ka borxh nderimin në kujtesën e saj historike.
N’atë kataklizëm, që u krye në trojet e tyre, malsorët shqiptarë u munduan të shpëtojnë çfarë mund të shpëtohej nga brumi mijëvjeçar me të cilin ishin gatuar, nderi dhe besa, shartet e trashëguara të karakterit. Por n’ato vite ishin përballur me tragjedinë e terrorit komunist, me mijra të vrarë me e pa gjyq në trojet e tyre, mijra djelmosha kosovarë të masakruar në Tivar e gjatë rrugës për të arritur atje, meshtarë të arrestuar e të dënuar me vdekje me padi të rreme (shëmbulli më i qartë është ai i futjes së armëve fshehurazi në kishën e fretërve në Shkodër), njerëz të nxjerrë nga shtëpijat vetëm me rroba veshur e të mbyllur në morinë e burgjeve të Shkodrës, për të marrë pastaj udhët e internimeve në krahinat e Jugut.
N’atë atmosferë terrori, Martin Camaj, një mësues i ri njëzetetre vjeç, arrestohet një ditë maji e çohet fshehtas në zyrat e Sigurimit të Shkodrës. Atje i vihet para syve një padi për lidhje me njerëzit e malit, ndoshta edhe me ndonjë emër të vërtetë të rrethit të tij familjar apo shoqëror. Është një skenar i përdorur shumë mijra herë në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Oficeri që e merr në pyetje është një katil i lindur. Studjuesi e anashkalon emrin e tij, por nëse do të ishte ndalur në të do të kishte zbuluar një kriminel gjaksor, që kishte dërguar në botën tjetër me tortura vdekjeprurëse Frano Mirakajn, njërin ndër martirët e Kishës katolike, të lumturuar nga Papa Françesku më 2016. Por kjo nuk ka rëndësi për shkrivanin vlonjat që krimin e kërkon tek viktima e tij, madje në fund të studimit ai flet për karierën e natyrshme të Kapisyzit.
Ndoshta mësuesi djalosh nuk e dinte se kush ishte ai që e merrte në pyetje, por në mëndjen e tij thurej plani i s’ardhmes, që vinte si synesë të tij të parë daljen nga ai burg e mundësinë për të kërkuar rrugëdalje të tjera, mundësisht pa përmëndur emra të tjerë. Këtu fillon loja e djaloshit në çerdhen e gjarpërijvet. Ai shtiret sikur i beson premtimeve që i jepen duke bërë levë në atdhetarizmin e tij të lindur, pranon padinë duke përmendur emra etërish, mësues të tij, që tashmë preheshin në lumturinë e Zotit, pranon të nënëshkruajë një deklaratë që i kanë përgatitur “ustallarët”, në të cilën bëhet fjalë për “bashkëpunim”, si gjithmonë, n’emër të interesave të larta të atdheut. Ky ishte stili.
Gjenerali i ardhshëm e kolegët e tij e besojnë e vendosin lirimin me kushtet e caktuara. Ata shihnin tek ai mësues i Prekalit një prè të shkëlqyer për qëllimet e tyre, që n’ato kohë të turbullta mund t’u sillte në shteg atyre shumë kundërshtarë të vërtetë të komunizmit. Ai pranon marrëveshjen me djallin, duke qënë i ndërgjegjshëm dhe i vendosur se nuk do t’i bënte keq kurrë askujt në jetën e tij, del dhe kthehet në Prekalin e tij. Provën e qëndrueshmërisë morale të vetëvetes e jep n’ata pak muaj para arratisjes, kur nuk le asnjë raport në organet e Sigurimit, por edhe me aktin e arratisjes së bashku me 37 vetë të tjerë. Nuk i padit ata por fillon shtegtimin e tij nëpër botë, një rrugëtim që do t’a çojë në bashkëpunimin me personalitete të gjuhësisë botërore, në katedra universitetesh, në drejtimin e organit më të vyer të shtypit periodik shqiptar si “Shêjzat” së bashku me bamirësin e mikun e tij të madh, Ernest Koliqin, në një veprimtari të pasur e të thellë shkencore si gjuhëtar e si letrar, si poet, novelist, dramaturg ndër më të spikaturit e botës shqiptare të kulturës. E gjithë kjo ishte fruti i studimeve të gjata e të thella, i mëndjes së tij të rrallë e i vullnetit të tij të hekurt, por edhe i lirisë vetiake që mundi t’i krijojë vetes nëpërmjet atij veprimi të zgjuar që kreu n’ato ditë maji të vitit 1948. Po të mos kishte vepruar kështu Shqipëria do të kishte patur një të dënuar me punë të detyruar më shumë, por një nga njerëzit më të vyer të kulturës më pak.
Por Martin Camaj nuk gjeti një fushë me lule para tij. Kaloi nëpër shumë vështirësi ekonomike e familjare dhe gjithë kohën ndjeu mbi vete trysninë e atyre të cilët i braktisi në të keqen e tyre. Sigurimi bëri çmos t’a mbikqyrë, t’a diskreditojë, t’a njollosë, siç ishte misioni i tij famëkeq, nuk i fali kurrë “tradhëtinë”. Afër tridhjetë vite mbas vdekjes një gjurmues arkivash merr përsipër të hakmerret për “tradhëtinë” ndaj Sigurimit e të plotësojë amanetin e hershëm për poshtërimin e figurës së tij. Me këtë synim qëmton dosjet shqiptare, nuk kuptohet me çfarë cilësie, mbasi ato duhet të jenë të mbrojtura.
“Në shtator 1948 Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë…. Megjithëse n’atë kohë nuk kishte shumë informacion mbi këtë arratisje, në dosjen e zbulimit politik shqiptar në vitin 1959  (besoj se do të jetë 1949) (shënim i të nënëshkruarit), ka një detaj interesant për daljen e Camajt drejt Jugosllavisë.” Në dokumentin që sillet si “interesant”, paraqitet me rrjeshta të fshira me vizë përmbi rrjesht pohimi: “u arratis në Jugosllavi, duke i u dhënë kështu jugosllavëve informata me karakter të ndryshëm mbi vendin tonë”. Është i habitshëm fakti që oficerët e dikurshëm, që kishin marrë raportimin, i kishin vënë vizë atij pohimi, ndërsa studjuesi Tare e ringjall atë, madje e ka në bazë të akt – padisë që ngre. Sa mund të jetë i besueshëm një veprim i tillë i a le lexuesit t’a vlerësojë….

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Isa Sigurimi I Shtetit, PJ 1, Vlerat Kulturore

AT SHTJEFËN KURTI, NJËRI PREJ 100 VIKTIMAVE MË TË NJOHURA TË KOMUNIZMIT NDËRKOMBËTAR

July 17, 2020 by dgreca

Nga Fran Shkreli /

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg”Instituti Kombëtar i Kujtesës – Komisioni për Zbulimin dhe Dënimin e Krimeve kundër Kombit Polak”, është një ent qeveritar, përgjegjës për arkivat e Polonisë dhe ç’prej vitit 2007 edhe për lustracionin dhe për zbulimin e krimeve të kryera kundër Kombit Polak.  Misioni i këtij instituti është të ndërmarrë hetime për krimet e regjimeve komuniste dhe naziste në Poloni, të kryera midis viteve 1917-1990 dhe njëherazi dokumenton zbulimet dhe ia shpërndan ato publikut.  Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Kujtesës ka publikuar një listë me emërat e viktimave më të njohura të komunizmit në botë, duke përfshirë në këtë listë edhe priftin katolik shqiptar, At Shtjefën Kurtin, viktimën e pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës, i ekzekutuar nga një skuadër pushkatimi me 20 Nëntor,1971.  Nuk jam i sigurt se çfarë kriteresh ka përdorur Instituti polak që ka seleksionuar këta 100 persona, viktima të komunizmit ndërkombëtar, por ky vendim duhet të shikohet përball faktit se, bazuar në të dhënat e veprës autoritative mbi krimet e komunizmit, “Libri i Zi i Komunizmit”, komunizmi ndërkombëtar ka vrarë 80-100 milion veta. 

Shtjefën Kurti (24 dhjetor 1898 – 20 tetor 1971) ishte një prift katolik shqiptar, i ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë një periudhe të përndjekjes komuniste kundër fesë dhe klerit, nga një regjim anti-kombëtar, i cili ishte i pari dhe i fundit në botë — të pakën deri tani — që i kishte deklaruar luftë edhe Perendisë.  Kurti shërbeu si prift gjatë një periudhe tepër të vështirë për besimet fetare në Shqipëri, një vend në të cilin shtypja komuniste kishte për objektiv përndjekjen dhe mbylljen e kishave dhe xhamive si dhe burgosjen, internimin dhe eliminimin fizik të klerikëve.  Ai, në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikve katolikë dhe të feve të tjera të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar, në botë.  

Dy biografë zyrtarë të At Shtjefën Kurtit, nipi i tij Nikolin Kurti dhe bashk-autori Nikollë Loka, në mos qofsha gabim kanë botuar dy monografi për jetën, veprimtarinë dhe për vrasjen makabër të At Shtjefën Kurit, e ku jepen hollësi të pa zbuluara deri tani për jetën, veprimtarinë dhe eliminimin e tij nga regjimi komunist enverist.  I ndjeri At Kurti,  në përgjithësi simbolizon persekutimin e qindra klerikëve katolikë dhe të tjerë të intrenuar e të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, por prej tani, ai do të njihet edhe si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar në botë, i vrarë nga një skuadër pushkatimi. 

Biografët e tij shënojnë se para komunizmit, Dom Shtjefën Kurti ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, sidomos shqiptarëve nën Jugosllavi.  Vlen të përmendet përkujtesa, “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, e përgatitur prej tij, dërguar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.  Gjithnjë sipas autorëve Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka, Dom Shtjefni është arsimuar në Itali dhe Austri, ndërsa gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm në popull, si klerik dhe atdhetar.  Viti 1945 e gjeti Dom Shtjefën Kurtin famullitar në kishën katolike në Tiranë.  Këtu, sipas tyre, fillon edhe përndjekja që nuk ndalet asnjë çast deri në eliminimin e tij.  Më konkretisht, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimit.  Lirohet nga burgu i Burrelit në vitin 1966 dhe arrestohet sërish në vitin 1971 për spiunazh, sabotazh, dhe kryerjen në fshehtësi të riteve fetare.  Madje, historia e tij e ekzekutimit, vetëm për shkak se pagëzoi një fëmijë, ka mbetur në kujtesën kolektive si një nga aktet më absurde dhe më të shëmtuara të komunistëve.  Ai u denua me vdekje dhe u ekzekutua nga një skuadër speciale pushkatimi me 20 nëntor 1971, por sot e kësaj dite nuk janë gjetur eshtrat e tij.  Me 5 Nëntor 2016, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri nga 40 klerikët që u lumënuan si “Martir” dhe u pranua shenjtor i Kishës Katolike.

Albania Is Said to Execute Priest for Baptizing Child

March 28, 1973

The New York Times Archives

VIENNA, March 27 (AP)—The Roman Catholic news agency Kathpress said today that a priest has been reported executed in Albania for secretly baptizing a child.  Albania is Communist‐ruled and religious rites are outlawed.  Kathpress said reports from residents in the Albanian‐Yugoslav border area identified the priest as the Rev. Stephen Kurti, an inmate at a labor camp.  The agency added that the clergyman was reported to have been asked by a woman to baptize her child and was seen doing it.  He was then reported to the authorities…”

 Një paraqitje retrospektive – Komuniteti shqiptaro-amerikan me të mësuar lajmin e vonuar të vrasjes së Dom Shtjefën Kurtit në Shqipëri, nga burime lajmesh amerikane dhe ndërkombëtare, siç është gazeta e njohur New York Times (si më lartë).

Lajmi për ekzekutimin barbar të Dom Shtjefën Kurtit u prit me zemërim dhe hidhërim  të thellë nga komuniteti shqiptar në Nju Jork, pa dallim feje a krahine.  U hodhëm menjëherë në lëvizje për të protestuar këtë krim shtetëror anti-njerëzor dhe organizuam shpejt e shpejt një demonstratë para Misionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (ku “diplomatët” e Enverit na gjuajtën me vezë nga dritaret e tyre) dhe para vet kryeqendrës së Organizatës botërore (OKB), me qëllim për të sensibilizuar opinion amerikan dhe ndërkombëtar për këtë akt makabër të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Morën pjesë përfaqsues nga mbarë komuniteti, i prirë nga Monsinjor Zef Oroshi dhe Imam Isa Hoxha, për të vënë në dukje para botës krimet e atij regjimi, sidomos, kundër klerikëve katolikë, por edhe të feve tjera në Shqipëri.  Ishte ky një lajm që tronditi botën perëndimore në atë kohë, por ishte edhe një zgjim për gjëndjen e mjerueshme, jo vetëm të klerikëve si Dom Shtjefën Kurti.  Vrasja e tij ishte gjithashtu edhe një lajm ilustrues i gjëndjes së mjerueshme dhe diktaturës së egër komuniste, në përgjithësi, në Shqipëri e Enver Hoxhës.  Megjithë mentalitetin prej bunkeri, kur pa se lajmi për vrasjen e Dom Shtjefnit kishte marrë dhenë, regjimi fashisto-komunist enverist u detyrua më në fund të pranonte, nepërmjet gazetës Zëri i Popullit — zëdhënses së besueshme dhe besnike të regjimit dhe të Partisë Komuniste — aktin makabër të pushkatimit të priftit katolik, ndërsa shkruante se Dom Shtjefën Kurti qe dënuar me të drejtë, sipas saj, si “spiun, bandit dhe avanturist”.  Sipas Zërit të Popullit, Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte planifikuar rrëximin e regjimit komunist.”

Përveçse ishte një koment kundër At Shtjefën Kurtit, komenti i Zërit të Popullit, reflektonte situatën në një vend që ishte në konflikt të pa shpresë me vet-veten, një shtet që ishte vet-izoluar nga bota dhe një vend që i kishte shpallë luftë jo vetëm gjithë botës, por kishte shpall edhe Perendinë armik që duhej luftuar me çdo mjete propagande, duke shpallur me ligj Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, pasojat e të cilit, fatkeqësisht shihen edhe sot, jo vetëm në jetën shoqërore në përgjithësis por sidomos në arenën jo tolerante politike. 

Është vërtetë shqetësues fakti se ndryshe nga vendet tjera ish-komuniste, Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për të gjetur dhe për të identifikuar eshtrat e viktimave të komunizmit ose vendet ku janë hedhur ato pas ekzekutimit, përfshirë edhe eshtrat e At Shtjefën Kurtit, megjithë vëmendjen vendore, ndërkombëtare dhe Vatikanit — që ka tërhequr rasti i tij tragjik gjatë viteve e deri tani, siç tregon edhe përzgjedhja e tij nga Instituti Kombëtar Polak i Kujtesës, si njëri prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit.  

Gjithashtu është shumë shqetësues fakti që eshtrat e Dom Shtjefën Kurtit – vrasjen e të cilit komuniteti shqiptaro-amerikan e protestoi para botës pothuaj 50 vjet më parë — e të cilat i kërkon familja e tij edhe sot e kësaj dite, nuk janë gjetur ende, megjithë përpjekjet private të familjes, sipas nipit të tij Nikolin Kurti, për të zbuluar vendin dhe për gjetur eshtrat e axhës së tij. 

Por siç duket, shpresa për të zbuluar të vërtetën nuk vdes kurrë, madje as në Shqipëri.  Përballë refuzimit të qeverisë shqiptare për t’i hyrë kësaj pune tepër të rëndësishme për paqën dhe pajtimin në vend, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me një thirrje që botoi para një jave, fton shoqatat, organizatat e familjeve të personave të zhdukur dhe organizatat e shoqërisë civile të paraqesin një kërkesë/aplikim për Programin Grantet e Vogla të ICMP për Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur/Organizata të Shoqërisë Civile, Shqipëri 2020-2021.  ICMP është një organizatë ndërkombëtare e pavarur, e bazuar në marrveshje ndërkombëtare, me më shumë se 20 vjet përvojë në 40 vende.  Eshtë e vetmja organizatë ndërkombëtare që ka si detyrë ekskluzive të punojë për çështjen e personave të zhdukur.  ICMP ndihmon qeveritë të ndërtojnë institucione të sundimit të ligjit që kërkojnë me sukses dhe paanshmëri personat e zhdukur dhe mbështet përpjekjet për t’iu bërë të mundur familjeve të të zhdukurve të mbrojnë të drejtat e tyre.  Programi i ICMP i Granteve të Vogla (të ICMP Albania 2020-2021), financohet nga Bashkimi Evropian.

HAPJA E THIRRJES PËR PROPOZIME PËR GRANTE TË VOGLA TË ICMP PËR SHOQATAT E FAMILJEVE TË PERSONAVE TË ZHDUKUR/ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE, SHQIPËRI (2020-2021)

Për më shumë hollësi lexuesi dhe familjet e personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, por edhe të tjerë të interesuar në këtë subjekt, mund të lexojnë më shumë hollësi në linkun më sipër ose në portalin e ICMP.

Fatkeqësisht, gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm jemi mësuar, pasi kemi mjaft arsye të themi kështu, se megjithëse e mirëpritur kjo nismë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, megjithëse e vonuar, shpresojmë që të mos jetë një përpjekje e kotë, kryesisht, për arsye të mos bashkpunimit të organeve qeveritare të Shqipërisë për të zbuluar të vërtetën se çfarë ka ndodhur me personat e zhdukuir në Shqipëri gjatë komunizmit.  Shoqëria shqiptare, por sidomos familjet e të zhdukurve të viktimave të komunizmit, kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën për të afërmit e tyre, që të vihet drejtësia në vend, si edhe të sigurohen dëmshpërblimet që të gjitha shtetet, përfshirë Shqipërinë, kanë një detyrim të respektojnë – nëqoftse duam që Shqipëria të bëhet ndonjëherë një shtet normal me standarde evropiane.  Shpresojmë në suksesin e Programit të ICMP të Granteve të Vogla (të ICMP Shqipëria 2020-2021). Shpresojmë dhe lutemi me familjet e viktimave të komunizmit anë e mbanë Shqipërisë, që presin pa shpresë për 30-vjet, për të mësuar më në fund të vërtetën mbi fatin e keq të të afërmëve të tyre, përfshirë familjen e At Shtjefën Kurtit!  Dështimi nuk është i pranueshëm.

Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973

              Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha duke folur në demonstratën e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit, para OKB-së, 1973.


                  Demonstrues me pllakarda: “Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi  që ëshët pushkatuar nga regjimi komunist” –“Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirjel të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”

Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1971

Filed Under: Politike Tagged With: 100 viktimat e komunizmit, At Shtjefen, Frank shkreli

SHPIFJET E TARES KUNDËR KOLIQIT DHE CAMAJT, VALË ANTISHQIPTARE NË INTERES TË SERBISË

July 15, 2020 by dgreca

SHKRUAN: ARBEN CAMAJ- THE NEWARK LIBERTY INTERNATIONAL AIRPORT MARRIOTT/

– Në një nga emisionet që kthehen në tellallë të këtyre sharlatanëve, Tare u pyet për prova dhe përgjigja e tij se “Po! Kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi.”

– Kur të hapen një ditë dosjet në Beograd dhe nëse del ashtu si po na thotë Tarja, atëherë i bie pyetja rrjedheuse se ku e e ka marrë Tarja atë informacion tani, pa u hapur dosjet e Beogradit? I bie që Tarja paska akses te dosjet sekrete në Beograd! Pra, qenka njeriu i Serbisë! Dhe po o luan lojën serbe të përcarjes, meqë paska  informacione që Beogradi ende i ka sekret. 

– Këto valë goditëse kanë ardhur prej këtyre personaliteteve të dyshimta në vite. Janë munduar të përndyejnë figurat kombëtare duke nisur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, dhe duke arritur derimesot tek Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Qëllimi është i qartë, duke hedhur baltë për baballarët e kombit, ne ngelemi pa heronjtë, pa shkrimtarët dhe artistët tanë kombëtarë që kanë kontribuar për kombin shqiptar kudo që kanë qenë.

***

Mesazh per Editorin: Miremengjes i nderuar editor i Diellit!

….Shpresoj që ky shkrim që po ju coj juve, i kalon standartet e gazetës suaj të nderuar dhe cmohet mjaftueshëm për botim. Shkrimi ka për qëllim ekspozimin e një vale jo-shqiptare që po lag për disa javë mediat në Tiranë dhe në Kosovë dhe viset mbarëshqiptare.

I kam lexuar me shumë vëmendje informacionet e servirura nga Auron Tare dhe mediat përkatëse, që i kanë bërë jehonë me qëllime poshtëruese akuzave të pabaza ndaj figurave shqiptare Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, si bashkpunëtorë të segmenteve të huaja antishqiptare.

***

TARE ËSHTË MUNDUAR TË  PËRNDYJË FIGURAT KOMBËTARE

Të gjitha ato që ka thënë Tarja, pa përmendur prova konkrete për Camaj-n, kanë qenë pikërisht keqdashëse dhe jopatriotike. Këto valë goditëse kanë ardhur prej këtyre personaliteteve të dyshimta në vite. Janë munduar të përndyejnë figurat kombëtare duke nisur nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Fishta, dhe duke arritur derimesot tek Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Qëllimi është i qartë, duke hedhur baltë për baballarët e kombit, ne ngelemi pa heronjtë, pa shkrimtarët dhe artistët tanë kombëtarë që kanë kontribuar për kombin shqiptar kudo që kanë qenë. Një komb ku heronjtë kombëtarë janë asgjësuar, apo vlerat e tyre janë përcudnuar, është një komb pa vlera.

Në qofte se i përmbahemi kohës së demokracisë në Shqipëri, një nga të parët që kontriboi në këtë lëvizje anti-kombëtare ka qenë Abdi Baleta. Gjergj Kastrioti u etiketua si anti-shqiptar dhe luftën kundër hordhive pushtuese otomane si e gabuar. Mbas tij numri i këtyre që kanë hedhur baltë ndaj figurave kombëtare ka qenë i vazhdueshëm. P.sh. drejtuesi i emisionit “Provokacija” (nuk gjente dot ndonjë emër tjetër për emisionin, por duhet të vinte një emrtim serb!!) shkoi deri aty që të na e nxirrte Skënderbeun, sllav.

Stili i të gjithë këtyrë që janë përfshirë në këto atentate politike ndaj figurave kombëtare ka patur gjithmonë dy elementë të përbashkët. Koha -kur hidhen këto bomba është gjithmonë kur kombi ynë është duke kaluar ndonjë rrezik, apo vështirësi; Mënyra -se si bëhen këto atentate nuk bazohen në studime të mirëfillta konkrete por thjesht me stilin “shpif, shpif se dicka do të mbetet” dhe pacavure që nuk kanë ndonjë vlerë historike.

Në një nga këto emisionet që kthehen në tellallë të këtyre sharlatanëve, Tare u pyet për prova dhe përgjigja e tij se “Po! Kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi.” të lë hapësirë të mjaftueshme ta intrepertosh përgjigjen e tij në dy variante. 

1.     Kur të hapen një ditë dosjet në Beograd dhe nëse del ashtu si po na thotë Tarja, atëherë i bie pyetja rrjedheuse se ku e e ka marrë Tarja atë informacion tani, pa u hapur dosjet e Beogradit? I bie që Tarja paska akses te dosjet sekrete në Beograd! Pra, qenka njeriu i Serbisë! Dhe po o luan lojën serbe të përcarjes, meqë paska  informacione që Beogradi ende i ka sekret. 

2.      Në qoftë se Tare nuk di asgjë se cfarë paska Beogradi në dosjet sekrete, por thjesht supozon, i bie që po shpif, duke keq-interpretuar situata dhe marëdhënie njerëzish me qëllim, që të bëjë diversion ndaj këtyre figurave kombëtare, diversion ndaj shqiptarëve, përsëri në favor të Serbisë, apo dhe të ndonjë fuqie tjetër, që nuk ju intereson progresi i shqiptarëve në rajon. Si mundet fakti që dikush ka mbaruar shkollën në Beograd, të presupozohet se paska qenë bashkëpunetor i Beogradit?! Kanë qenë shumë figura të arrira shqiptare (albanologu/shkrimtari Rexhep Qosja p.sh. ka mbaruar filologjinë atje) që edhe pse kanë studiuar në Beograd, kanë kontribuar pa rreshtur për cështjen kombëtare. Nëse I përmbahemi llogjikës së Tares, i bie që të akuzojmë dhe Qosen tani…

Pra, në të dyja rastet i bie që Auron Tare qenka i shitur. Qenka anti-kombëtar.

Tarja -me origjinë nga Vlora, prej një familje që ka marrë pjesë aktive në persekutimin e shqiptarëve gjatë diktaturës, ku e ka gjetur ai interesin të merret me Camaj-n? Pse për shembull nuk u mor me ndonjë shkrimtar tjetër, të ndonjë zone tjetër, që është ende gjallë? Që mund dhe t’i kthejë dhe përgjigje… Pse zgjodhi pikërisht albanologun dhe shkrimtarin nga veriu Camaj, që ka kohë që ka vdekur dhe nuk mund të flasë? Dhe pse pikërisht tani? Ku është qëllimi që të krijohet kjo tymnajë ndaj veriut të Shqiprisë? Kush fshihet mbrapa Tares, tani që Serbia dhe Rusia, janë investuar në rajon të destabilizojnë Kosovën dhe Shqipërinë?

Të flasësh qesim pa fakte, në një vend perëndimor ka pasoja… Ka penallti, si për atë që shpif, edhe për atë që ja jep tribunën shpifësit për të shpifur…  Të dyja palët janë bashkpunëtorë dhe duhet të penalizohen. Të gjithë ne e dimë, se e sa e sa gazeta dhe persona janë hedhur në gjygj ne perëndim për shpifje, dhe kanë falimentuar, ose i është prishur reputacioni për gjithë jetën… 

Në lidhje me mësiper,  kisha për të shkuar edhe pak më larg.  Si do t’ju dukej Mustafa Nanos se “Provokacija” (nuk besoj e keni harruar fishekzjarrin për Gjergj Kastriotin që ka dalë nga ajo studio) dhe Auron Tares, në qoftë se dikush do t’i akuzonte sot se janë të paguar nga Bezbednosno Informativna Agencija? Dhe këtë gjë mund t’ua provonim kur Beogradi do të hapë për publikun, dosjet aktuale të personave të sotshëm publikë, të jetës politike dhe mediatike shqiptare… Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë.

Faleminderit shumë për kohën e cmuar që mund t’ju kem marrë!

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Camaj, Koliqi & Camaj, Shpifjet e Tares

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 331
  • 332
  • 333
  • 334
  • 335
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT