• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët heronj e ata terroristë…!

November 4, 2020 by dgreca

– Atetantori shqiptar, viktima shqiptar…!

– Dhe ta mendosh, që shqiptari nga emigrant ekonomik kthehet në një xhihadist rruge, është me plot gojën vraje veten. Tjetri del të pijë një cigare, ti e vret në emër të Allahut. Tjetra zbret nga urbani, ti e vret në emër të Zotit…./

Nga Ilir Levonja-Dielli-

Pak para se të ndodhte akti terrorist i Vjenës, shqiptarët mbushën faqe të tëra me një mjek të suksesshëm në Amerikë. Dhe me të drejtë. Modeli i mirë gjithmonë duhet ndjekur. Për kë nuk e kanë bërë? Zgjidhet një shqiptare në parlamentin europian, megjithëse me shtetësi suedeze, rrahën gjoksin. Dalin dy këngëtare në Angli, rrahin gjoksin, menderen, çirren nga fyti. Por rrudhen si dreqi sapo ndodh e kundërta. Me të ndodhur akti i Vjenës, kanë filluar të fshehin sytë, fytyrën, duart etj. Madje po justifikohen. Përse? Sepse atentatori ishte me origjinë nga trojet shqiptare. Diku nga periferia e Tetovës, sot në juridiksionin e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Sikur ai që bëri gjëmën të mos ishte me origjinë shqiptare, do kishim mbushur faqet me solidaritetin tonë fallco, si ngahera e për t’u dukur, se solidarizohemi me Austrinë. Por na ka rënë kokës. Atetantori shqiptar, viktima shqiptar. Dhe ta mendosh, që shqiptari nga emigrant ekonomik kthehet në një xhihadist rruge, është me plot gojën vraje veten. Tjetri del të pijë një cigare, ti e vret në emër të Allahut. Tjetra zbret nga urbani, ti e vret në emër të Zotit. Dhe pikërisht për ironi të fatit të mbrapshtë të sojit nga vjen, vret një kalimtar që rezulton gjaku i yt. Ajo çfarë është e trishtueshme me ne, është loja me besimin. Jemi kaq o burra, kaq zhurmëtar sa e kemi kthyer besimin në një sfidë sociale. Dhe jo rastësisht në Shqipëri më shumë ka minare a objekte kulti se sa fabrika e kantiere. Por çfarë vret më shumë është edukata fetare që vjen nga vendet e lindjes. Dhe a e dini përse, se andej vijnë edhe paratë. Vendi ynë nuk investon në buxhetin e besimeve, për rrjedhoj nuk i kontrollon dot. Madje as nuk ka ndonjë informacion. Madje ua lejon futjen e parave qofshin këto edhe të nxira. Vetëm në shtetin e Ahmet Zogut buxheti i besimeve buronte nga taksat dhe kontrollohej. Sot në shtetin e kuadrove të nomeklaturës as që bëhet fjalë. Në fund të fundit kishën e Nolit internacionalistët e vet e lanë në mërgim. Kështu edhe me xhamitë. Besimi plot urtësi i gjyshërve patriotë, u zëvendësua me militantë të xhihadit. Një masë e gjerë që nga njëra anë predikon islamizmin, nga ana tjetër ndihet e persekutuar. Kudo ku dalin flasin për një përvuajtje a paragjykim, pavarsisht se shkaqet mund të jenë edhe naive. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, është imponimi. Mund të mos ta kesh fare mëndjen tek besimi, qoftë i tyre apo i ndonjë tjetri, ata të imponohen. Ndërkohë të shfaqin pakënaqësi pa fund me paragjykimin social. Aq sa sot tema të tilla janë gati eksplozive për një debat të hapur. Madje një besimtar mylsiman është kthyer në një internacionalist duke mohuar thelbësoren, kombësinë e vet. Sot myslimanët e Shqipërisë janë sa turq, sa arabë, sa sirianë, sa egjiptianë etj., po shqiptarë asesi. Dhe jo vetëm ata, por gjithë e kudo në trojetet e tyre. Nuk e kanë për gjë të luftojnë për ISIS-in, ashtu sikur nuk e kanë për gjë t’i kthejnë kurrizin Shqipërisë në një rast agresioni. Ndaj është e dhimbshme të zbulosh në kampet e Sirisë plot muxhaedinë internacionalistë nga trojet shqiptare. Por ne kurrë nuk e pranuam përse-në, nuk pyetëm përse arritëm deri këtu? Ashtu sikur ishte e tmerrshme ngujimi në mes të Tiranës i një familje që nuk besonte në institucionet e vendit dhe në dritën e diellit. Megjithatë trumbetuam plot pasion propogandën e një qeveritari dështak nga maja e avionit. Kësisoj mos të na vij turp që është shqiptar ky Kujtimi se, më për kokës do dëgjojmë. Jemi tashmë një problem universal.

Filed Under: Politike Tagged With: e ata terroristë, Shqiptarët heronj, Vjena

A është kjo“Vala e Dytë” e Covid-19?

November 2, 2020 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Rritja aktuale e rasteve të korona-virusit në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.) dhe në shumë vende të botës, na kujton ngritjen e shifrave gjatë muajve te verës. Shifrat në rritje flasin për një kthim prapa, dhe na kujtojnë shfaqjen e krizës globale në pranverë, gjë që shkakton pyetjen se a mos është  fjala për “valën e dytë“ të Covid-19? Por, derisa, shumica e kontinentit Evropian është mes rritjeve të konsiderueshme të infeksioneve dhe valës së tyre të dytë, në SH.B.A., jemi akoma në valën e parë. Në një farë mënyre, përhapja e korona-virusit te ne, deri më tani ka qenë më shumë si një seri shpërthimesh sesa një valë. Pandemia Covid-19 në SHBA po prek zona të ndryshme në të gjithë vendin në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme. Nga fillimi, pjesë të vendit që përjetuan shpërthime të rënda gjatë pranverës, përjetuan një rimëkëmbje. Vende të tjera nuk kanë pasur shumë raste, dhe disa shtete vetëm tani po përjetojnë një rritje të Covid-19. Edhe në zonat që kanë raportuar rënie të numrit të infeksioneve dhe vdekjeve, shpërthime të lokalizuara dhe ngjarje “super përhapëse” – në të cilat një person i infektuar transmeton virusin te shumë të tjerë, në një tubim – vazhdojnë të ndodhin. Është gjithashtu e qartë se vendet ku njerëzit jetojnë ose punojnë së bashku, apo në afërsi të njëri tjetrit, kanë pas më shumë përhapje të korona-virusit.

Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19:

Transmetimi themelor i virusit nuk ka ndryshuar. Mbetet lehtësisht i transmetueshëm dhe virusi do të depërtojë kudo që i jepet hapësirë, ​​për t’u zgjeruar, dhe do të gjejë njerëz që janë të ndjeshëm. Hulumtimet kanë treguar se njerëzit që janë të infektuar me COVID-19, janë më ngjitës 2-4 ditë para se të shfaqin simptoma, të cilat zakonisht fillojnë 4-5 pesë ditë pas ekspozimit. Me fjalë të tjera, është e sigurt të thuhet se do të ishte jashtëzakonisht e rrallë që dikush të transmetojë virusin më herët se dy ditë pas ekspozimit; megjithatë, në një moment pas kësaj, rreziku do të fillojë të rritet ndjeshëm. Përkundër 9 milion rasteve të konfirmuara në Sh.B.A, shumica e amerikanëve – deri në 90%, mbeten të prekshëm nga ky infeksion. Ne ende nuk e dimë nëse, dhe për sa kohë, njerëzit e infektuar dhe të rikuperuar nga Covid-19 do të jenë imunë ndaj një infeksioni tjetër. Tetë muaj pas pandemisë, njerëzit mund të jenë lodhur nga masat paraprake për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Duket se qëndrimet e relaksuara në lidhje me rreziqet me të cilat ende përballemi po shkaktojnë sëmurje të reja. Takimet shoqërore dhe familjare, ku njerëzit priren të harrojnë rrezikun nga kjo pandemi, kanë qenë nxitësi kryesor i rritjes aktuale të numrave. Ndërsa vazhdohet me rihapjen, njerëzit janë të etur të dalin dhe të rinisin aktivitetet e tyre, të rregullta e rutinë, qe i bënin para Covid 19. Duket se ka një vonesë midis ndryshimit të infektivitetit dhe shfaqjes së të dhënave mbi Covid-19 në një vend. Ne mund të mos shohin ndonjë efekt të tillë, si një rritje në numrin e rasteve Covid-19, ose hospitalizimeve, një javë apo edhe dy javë më vonë. Duket se do të duhet më shumë kohë, ndoshta disa javë, që efektet reale të shfaqen në të dhënat e nivelit të popullsisë. Kur një person është i ekspozuar ndaj korona-virusit, mund të duhen deri në dy javë para se të sëmuret dhe të kërkojë ndihmë nga mjeku, ku do të testohet dhe pastaj të numërohet në të dhënat aktuale. Duhet edhe më shumë kohë që njerëzit shtesë të sëmuren pasi të jenë ekspozuar ndaj atij personi, etj. Ka të ngjarë se disa cikle infeksioni mund të ndodhin para se të tregohet rritje e dukshme në të dhënat, të cila zyrtarët e shëndetit publik i përdorin për të ndjekur pandeminë.

Jemi te pozicionuar më mirë për të trajtuar valën e dytë:

Ndërsa parashikojmë vjeshtën dhe dimrin e stuhisë Covid-19, në shumë mënyra, ne jemi në një pozitë shumë më të mirë sesa ishim në shkurt dhe mars, kur u identifikuan rastet e para. Që nga ajo kohë, ne kemi mësuar shumë për korona-virusin. Ne e dimë se si përhapet virusi dhe dimë si të mbrohemi më mirë. Ne e dimë që mbajtja e maskave, praktika e mbajtjes së distancës shoqërore, dhe larja e duhur e duarve, mund të ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme në parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Ne, gjithashtu e dimë që mbrojtja e më të rrezikuarve midis nesh, të moshuarve dhe njerëzve me shëndet të komprometuar, është thelbësore për të mbajtur infeksionet nën kontroll. Për më tepër, ne kemi bërë përparime të mëdha në ngritjen e qendrave të testimit dhe krijimin e proceseve të gjurmimit të infektuarve, për të parandaluar shpërthime të reja. Përmirësimet dhe risitë në barnat terapeutike dhe ndërhyrjet mjekësore kanë ulur ndjeshëm ashpërsinë e sëmundjes dhe shkallën e vdekshmërisë. Me përmirësime të vazhdueshme në ilaçet për të luftuar infeksionet, ne do të vazhdojmë me përmirësime të dukshme.  Ndërsa vazhdojmë kërkimin tonë për një terapi më efektive dhe një vaksinë, ne mund të vazhdojmë të rihapim dhe të qëndrojmë të hapur në mënyrë të sigurt duke përdorur metodat e provuara që ndihmuan në ‘rrafshimin e kurbës’ në rajonet e goditura më herët gjatë vitit. Distanca social, shmangia e turmave, veçanërisht në ambiente të mbyllura, vazhdimi i përdorimit të maskave dhe mbulesave të fytyrës dhe larja e duarve, siç kemi bërë gjatë muajve të fundit, do të vazhdojnë të jenë siguria më e mirë për të na mbajtur të shëndetshëm-të japim kohe shkencës ne zbulimin e vaksinës, cila do të jetë fillimi i fundit për këtë pandemi-dhe kthim në normalitet për mbarë botën.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Politike Tagged With: a eshet kjo, Dr. Pashko R. Camaj, Vala e dyte e Covid-19

PO PËR HOLOKAUSTIN KOMUNIST SHQIPTAR KUR DO TË FLITET?

October 31, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli- Javën që kaloi në Shqipëri u mbajt “Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit”.  Ishte kjo një nismë shumë me vend e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkpunim me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, forum, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë ballkanikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Izraelit dhe madje edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, iu drejtua forumit virtual me një fjalim të shkurtër.  Ishin mjaft përfaqsues të vendeve pjesëmarrëse forumin virtual – përfshir edhe ata të Shqipërisë, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.  Folës të ndryshëm, përfshir zyrtarët e lartë shqiptarë, diskutuan se si vendet e Ballkanit mund të bashkpunojnë për zhdukjen e antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante për brezat e ardhëshëm.  Është kjo një thirrje shumë me vend, pasi është venë re se antisemitizmi është një fenomen që, kohët e fundit, po shtohet anë e mbanë botës.  Një fenomen që duhet të luftohet e të zhduket që në zanafillë, në cilën do shoqëri qoftë.  

Sa interesant thashë me vete, që udhëheqsit shqiptarë, në një forum ndërkombëtar, siç ishte ai që u mbajt virtualisht në Tiranë – flasin para botës për masat dhe bashkpunimin kundër antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante: “Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama.  Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i tha forumit se “Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën, duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.  

Çfarë shprehjesh thashë — gjithnjë duke folur me veten — nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët edhe botës demokratike i japin mësim për demokraci, pluralizëm, diversitet e tolerancë dhe më në fund Kryeministri shqiptar thekësoi nevojën për një, “thirrje ndaj ndërgjegjës kolektive”, për të vepruar.  Thashë me vete gjithashtu, si mund të përputhen këto shprehje të dy udhëheqsve të lartë shqiptarë në Forumin Ballkanik mbi antisemitizmin me deklaratat,  pikërisht, të këtyre dy zyrtarëve shqiptarë në Parlamentin  e Shqipërisë, mbi meritat e komunistëve dhe të komunizmit, pothuaj 50-vjeçar në Shqipëri.  Dihet se komunizmi, ashtu si edhe nazizmi — sidomos regjimi komunist i Enver Hoxhëls, nuk ishte aspak tolerant ndaj kundërshtarëve politikë dhe segmenteve të caktuar të popullësisë shqiptare që kundërshtonin regjimin e tij.  Kur dëgjova fjalët e zotërinjve Rama e Ruçi në Forumin kundër antisemitizmit në Tiranë, pyeta veten se cili është Rama i vërtetë dhe cili është Ruçi i vërtetë – ata që deklaruan se disa javë më pare se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë dhe se shqiptarët ishin ndarë që në vitin 1944 (duke justifikuar kështu të gjitha krimet e regjimit komunist në Shqipëri si dhe mos tolerancën politike ndaj njëri tjetrit, e pasqyruar këto 30-vitet e fundit) – apo ndoshta  zotërinjt Rama e Ruçi për fat të mirë të Kombi – paskan pësuar një metamorfozë të mirëseardhur më në fund, që u pasqyrua në fjalimet e tyre në forumin kundër antisemitizmit, ku folën për “tolerancë”, “demokraci” dhe “ndërgjegje kolektive”, ndaj së kaluarës.  Toleranca është një virtytë njerëzor dhe shoqëror, por disa shoqëri vuajnë, fatkeqësisht, nga toleranca ndaj së keqës. Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim i (heshtur) i së keqës, ka thenë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. (Fulton Sheen).  Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, edhe kur shumica është në rrugë të gabuar, ka thenë ai.

Prandaj është me rëndësi të dihet e vërteta, nëse udhëheqsit aktualë të Shqipërisë do të vazhdojnë të heshtin për çeshtjet e mëdha morale të Kombit – përfshirë krimet e komunizmit dhe përballjes me të kaluarën komuniste të vendit, pasi shqiptarët – sidomos ata dhjetëra e qindra mijëra që kanë vuajtur, janë vrarë ose zhdukur nga regjimi komunist, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Ata presin për 30-vjet tani – që të këthehen në veprim fjalët tolerancë, ndërgjegje kolektive, demokraci e vërtetë, zgjedhje të lira, pajtim kombëtar, kërkim faljeje për krimet ndaj njerëzve të pafajshëm, gra, pleq e fëmij – që më në fund të këto vlera të mëdha universal të këthehen në një çështje të madhe morale kombëtare për të cilën nuk mund të heshtet më. 

Nganjëherë njeriu shpreson edhe kundër shpresës. Sbpresova se diskutimet në “Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit”, t’u kenë kujtuar, të pakën për një moment udhëheqësve shqiptarë edhe holokaustin komunist shqiptar ndaj mijëra shqiptarëve kundështarë të regjimit komunist, në përgjithësi, dhe holokaustin fetar shqiptar në veçanti.  Këto mendime po më sillen në kokë, ndërkohë që Kisha Katolike Universale dhe sidomos Kisha Katolike Shqiptare — anë e mbanë trojeve arbërore — po përgatitet që me 5 Nentor, 2020 të shënojë Festën e Martirëve të Lumë shqiptarë – Vinçenc Prenushi me 37 shokët — festën pra të 38 martirëve: qendresën, virtytet e tyre njerëzore, morale, kombëtare, shpirtërore si dhe mesazhin e tyre për aktualitetin e sotëm shqiptar politik dhe moral, për shoqërinë por sidomos për udhëhqesit aktual të Shqipërisë.

Shpresojmë e shpresojmë, për zgjimin e një ndërgjeje morale mbarëkombëtare, por deri kur?  Unë nuk e di se ku e gjeni ju forcën morale – si udhëheqës të atij vendi – që haptas të vazhdoni të mbroni një regjim gjakatar siç ishte komunizmi.    Nostalgjikët e komunizmit shqiptar ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura përgjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, me të cilin ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.  

Heret ose vonë, shoqëria shqiptare do të ketë një “zgjim të ndërgjegjes kolektive”, përsa u përekt krimeve të komunizmit. Por në këtë ndërkonë, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja duke mbrojtur një regjim që nuk mund të mbrohet — ju nuk i bëni nder as vetes, as Kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë, larg Evropës ku e ka vendin e saj të denjë dhe larg vlerave perëndimore.  Ndërkohë që me deklatrata e juaja, në favor të komunizmit,viktimat e atij rgjimi po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën në mbrojtje të atij regjimi diktatorial.  Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës Katolike dhe të Kombit – të cilët do të kujtohen javën që vjen — por të gjitha viktimat e tre feve kryesore në Shqipëri, nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve shqiptarë —  tani bota e njeh pak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.
Për 30-vjetë tani, jo vetëm historia e Kombit shqiptar pret përgjigje prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve due pjesëmarrësve në këto krime   të institucioneve të dhunës komuniste. Presin përgjigje gjithashtu edhe martirët, në ditën kushtuar atyre me 5 Nentor, 2020.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit me deklaratat e papërgjegjshme të nostalgjikëve të regjimit enverist, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit e të qeverisë shqiptare? E gjithë kjo ndodhë në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO, ndërkohë që botës i japin mësime për demorkaci e tolerancë dhe bejnë thirrje botës për  gjoja, “ ndërgjegje kolektive” ndaj së kaluarës.

Vetë martirët e Kishës Katolike shqiptare në ditën e tyre me 5 Nentor, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime ndaj askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por martirët e pafajshëm u kërkojnë sot autoriteteve shqiptare, zbulimin e të vërtetës ndaj të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës – kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre në shekullin XXI – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:


“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit. Ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi?  Por nuk ka gjâ, mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut!”. (Marrë nga vepra “Çinarët” e françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, nga Radio Vatikani).


Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta propagandistike boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra, se më në fund, pas 30 vjet postkomunizëm jeni gati – personalisht, institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni, të pranoni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre” dhe siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan Shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, “Duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose pikëpamjesh politike. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve!


Kthejani pra, dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë Kombit shqiptar duke i bërë “thirrje ndërgjegjes sonë kolektive” për përgjegjësitë që mban historia e kaluar komuniste dhe udhëheqsit aktualë të shtetit shqiptar ndaj viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Unë jam i bindur se, eventualisht, edhe në Shqipëri, më në fund, “E vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”. (Vaclav Havel.)

                                   Martirët e lumtur të Shqipërisë

*Skicat më poshtë, të botuara një vit më parë, hedhin pak dritë mbi kampet e vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës.

                                       Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht kampi famëkeq në Tepelenë, është njëri prej tyre.                      

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Holokausti, Komunist shqiptar

Vehbi Skënderi-Nasho Jorgaqi dhe Kapllan Resuli

October 30, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Ishte paradite kur ra zilja e telefonit. Nga ana tjetër ishte Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i Vaçe Zelës. Mund të ketë qenë viti 2002 ose 2003. Kishim pak kohë që punonim nga shtëpia dhe nuk shkonim në redaksi. Edhe prej volumit të ngarkesës, edhe për t’i patur fëmijët përpara syve, megjithëse të dy djemtë rriteshin nën kujdesin shembullor të prindërve të mij.

Puna tek gazeta BotaSot na mbante gjithë kohën nën trysninë e ngjarjeve dhe lajmeve. Shkruanim çdo ditë kolumna, Skënderi si kryeredaktor kishte plus edhe editorialin e gazetës, kalonte të gjitha shkrimet që vinin nga autorë, ndërsa mbulonim rubrikat e tjera, përkthenim lajme, i redaktonim, ua përshtasnim titujt, që të ishin sa më shprehës. Në Kosovë luftohej, në Maqedoni luftohej, në Luginën e Preshevës luftohej. Ne ishim si gazetarë të luftës, i mbulonim konfliktet duke marrë në mbrojte shqiptarët. Por situata bëhej dramatike nga segmenti ekstremist i luftës në Kosovë që i kundërvihej me të gjitha mjetet Ibrahim Rugovës duke shfrytëzuar lidhjet me Tiranën zyrtare.

Tri vitet e para udhëtonim çdo ditë nga qyteza jonë deri në redaksinë e Bota Sot në Zürich, ku startuam në prag të agresionit të makinerisë kriminale serbe kundër familjes së Adem Jasharit. Për të fituar kohë shfrytëzonim edhe rrugën vajtje-ardhje. Gazetat dhe revistat e ditës i blinim në stacionin e trenit në Bazel dhe i shfletonim gjatë udhës me trenin që mban emrin Johanna Spyri, autorja e Heidit. Në redaksi mbërrinim rreth orës 10:00. Ishim të angazhuar deri sa përfundonte gazeta e nisej për shtyp për botimin e Europës dhe Kosovës. Në redaksi hanim edhe drekën, edhe kafetë i pinim aty që i sillnim me termus nga shtëpia. Në shtëpi ktheheshim nga mbrëmja. Mbi katër orë në ditë na shkonin udhëtimet e përditëshme në trena e trama.

Pastaj vendosëm të punonim nga shtëpia. Skënderi komunikonte gjatë gjithë ditës me botuesin Xhevdetin, ndërsa Llukman Halili, kolegu ynë i ndjerë, ishte ndërmjetësi mes nesh dhe redaksisë së Prishtinës.

Kur ra zilja e telefonit u përgjigj Skënderi. Pjetër Rodiqi i tha se kishte në shtëpi Profesor Nasho Jorgaqin, i cili dëshironte të pinte tek ne një kafe. Skënderi iu përgjigj menjëherë bujrum, mirë se të na urdhëroni. Pastaj i tregoi tim eti, Vehbi Skënderit i cili u gëzua. Tim eti i mungonte rutina e Tiranës, me miqtë, bibliotekën, kafetë. Tirana i mungonte me gjithçka, me të mirat e të këqijat e veta, mungesë që ai e plotësonte duke iu përkushtuar krijimtarisë poetike dhe publicisitike që e botonte tek Bota Sot e rritjes së dy nipave të tij.

Shtëpia e Pjetër Rodiqit dhe Vaçes në Bazel ishte një derë e hapur që gjithmonë kishte miq. Kështu e kishin edukuar edhe Irmën, vajzën e tyre të vetme. Kemi kaluar mbrëmje të bukura në shtëpinë e tyre, kur Vaçja nuk ishte sëmurur ende, por edhe pasi u sëmur. Vaçja na donte të dyve, në mënyrë të përveçme. Kishim një miqësi të krijuar prej Shqipërie, të pastër, të sinqertë, të rrallë.

Me makinë nga shtëpia e tyre deri tek apartamenti ynë ishte jo më shumë se dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta.

Nuk kaloi pak dhe ra zilia e derës. Skënderi zbriti poshtë dhe i solli në shtëpi të dy miqtë. Im atë, Vehbi Skënderi i mirëpriti në atë mënyrën e tij gjithë entuziazëm. Skënderi në mënyrën e tij malësore, edhe unë po ashtu me shumë dashamirësi. Ime më  kishte patur orar tek dentisti për protezat dhe nuk u ndodh aty.

Takimi ishte shumë i ngrohtë. Asnjëri prej ne të treve nuk kishte kujtime të trishta me Profesor Nashon. Të paktën Skënderi dhe unë. Ne të dyve na kishte dhënë Letërsinë Shqipe të Periudhës së Pavarësisë. Kuptohej lehtë që e adhuronte Lasgush Poradecin. Përveç veprës së Nolit, kishte botuar edhe një libër për Qemal Stafën, heroin e adoleshencës sime. Më vonë, pas rrëzimit të diktaturës, kur intervistova Drita Kosturin, të burgosurën politike dhe të fejuarën e Qemal Stafës, mësova me detaje se vrasja e Qemalit ishte vepër e diktatorit.

Profesor Nasho kishte botuar edhe “Mërgatën e Qyqeve” rreth mërgatës shqiptare në kohën e regjimit komunist. Me “Mërgatën…”kishte shfaqur profilin e një 007 të shërbimit të fshehtë të diktaturës, fakt që e dinin pak a shumë të gjithë. Ndërsa ishim duke i pritur të vinin, bashkë me tim atë dhe Skënderin bëmë pak humor, duke krijuar analogji të mërgatësë së atëherëshme me mërgatën e re që u krijua pas vitit 1997, pjesë e së cilës tashmë ishim edhe ne.

Pasi miqtë u rehatuan, filluan bisedën që po zhvillohej mes të treve, sepse Pjetri pothuaj nuk po përfshihej fare. Edhe unë po ashtu. U shërbeja dhe dëgjoja.

Papritmas Profesor Nasho iu kthye tim eti: “Vehbi, e ç’të lidh ty me Kapllan Resulin, një njeri të Serbisë?!”

Im atë ngriu. Sikur edhe ne. Ishte një pyetje që erdhi papritur, jashtë imagjinatës, jashtë kontekstit të bisedës, të mallit, të çmalljes. Ishte një pyetje pa asnjë lidhje. Që sillte jehonën e viteve të zeza që i detyroi rishtas shqiptarët t’i iknin Atdheut.

“Po, unë ç’ne me Kapllan Resulin???”, pyeti në mënyrë shumë të sjellëshme dhe të përmbajtur. Ishte e qartë që im atë, u gjend në befasi. Plus ishte mikpritësi. Nisur nga eksperiencat e tij personale, si Vehbi Skënderi i akuzuar si “armik i partisë të punës”, i akuzuar si “pjesmarrës” në “një grup korrupsioni”, ai u besonte pak historive me spiunë.

Vehbi Skēnderi Kapllan Resulin e kishte vlerësuar për dy arsye: si autorin e “Tradhëtisë” dhe për prejardhjen nga Kosova. Por nuk kishte patur kurrë miqësi me të. Jetonin në dy qytete të ndryshme. Im atë në Tiranë, Kapllan Resuli në Lushnje.  Pastaj miqtë e shkrimtarëve diheshin. Dritero Agolli kishte miq Dhori Qiriazin, Sotir Papulin, Niko Nikollën. Ismail Kadare Todi Lubonjën, Maks Velon, Bashkim Shehun. Miqtë e tim eti ishin Zisa Cikuli, Sterjo Spasse, Zejnulla Ballanca, Nonda Bulka, Spiro Çomora, Petro Marko, Skënder Luarasi. Im atë kishte mbajtur lidhjet me Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, me Mustafa Gërblleshin. Tek ne vinte Fiqiri Llagami, Filip Ndocaj. Fatin e Vehbi Skënderit e kishte vulosur vetë diktatori Enver Hoxha, duke e damkosur tim atë si një njeri që shoqërohej me armiqtë e partisë. Prej 1966 Vehbi Skënderin e dërguan për “edukim” si punëtor krahu në Vaun e Dejës. Dhe dënimet e ndiqnin këmba këmbës, njëri më i zi se tjetri. Një i dënuar nga partia e punës me dekada i kishte dyert e mbyllura. Por Vehbi Skënderi e dinte mirë se të gjithë ata që vinin nga Kosova, regjimi i Tiranës i etiketonte si spiunë të UDB-së.

Shpallja e pluralizmit politik, Skënderin e gjeti tek gazeta Drita dhe si shumë gazetarë të asaj kohe filluan të interesoheshin për fatin e të burgosurve politikë në Shqipëri. Për lirimin e Kapllan Resulit u interesua në mënyrë të veçantë Amnesty International dhe Komiteti shqiptar i Helsinkit. Mediat shqiptare në Prishtinë dhe në Shkup i bënë shumë jehonë lirimit të tij nga burgu. I bëri jehonë në numrat e saj të parë edhe Rilindja Demokratike, madje me titullin e bujshëm “A është tradhëtar autori i romanit “Tradhëtia?!”, ndërsa Skënderi i botoi disa proza të shkurtëra tek gazeta Drita. Ne që sapo ishim martuar nuk kishim shtëpi dhe banonim në shtëpinë e prindërve të mi. Pikërisht në këtë kohë na vizituan disa herë Kapllani me të shoqen, djalin dhe vajzën. Në këto raste Kapllan Resuli u takua me Vehbi Skënderin. Kapllani bēri 20 vite burg, ndërsa familja e tij, dy fëmijët vuajtën 20 vjet në internim, prej kur ishin të mitur.

Im atë duket i kaloi të gjitha këto nëpër mend edhe një herë. Pa u përgjigjur. Prandaj u krijua një pauzë heshtje. E çfarë mund t’i thoshte Vehbi Skënderi Nasho Jorgaqit! Nëse do të kishin qenë në rrugët e Tiranës, do të reagonte ndryshe, por kodi i mikpritjes nuk e lejonte.

Heshtjen e prishi Skënderi. “Profesor Nasho, po çfarë lidhje ka Vehbiu me Kapllan Resulin! Që kur Kapllani u largua për në Zvicër dhe gjatë gjithë këtyre viteve që ne jetojmë këtu, Vehbiu nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar asnjëherë me Kapllanin.”

Gjatë kohës që Skënderi ishte diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, Mehmet Myftiu dhe Astrit Leka e kishin marrë tim atë disa herë në telefon që të organizonin një takim me Kapllanin, por im atë nuk kishte pranuar. Kishte kokën e vet. Nuk pranonte kurrë të kurdisej nga të tjerët. Shpesh hapnim të dy bashkë diskutime të gjata me qëndrime të ndryshme. Nuk lodhej të më ndryshonte mendjen, por as pranonte të binte nën ndikim.

Kapllani në Zvicër kishte krijuar një familje të re. Me Etlevën, gruan e dytë kishin lindur edhe një djalë.

Skënderi dhe unë ishim takuar për herë të fundit me Kapllanin në tetorin e vitit 1992. Me një ekip të vogël të RTSH u nisëm me një mikrobus të TVSH nga Tirana. Për mua ishte dalja e parë në Europë. Nga Durrësi kaluam me traget gjithë Adriatikun e bregdetin dalmat deri në Trieste, pastaj qëndruam në Milano, ku natën e kaluam në mikrobus e paradite morëm vizat për Zvicër në konsullatën zvicerane, sepse nuk kishte nisur ende shërbimi në Ambasadën zvicerane në Tiranë që hapej për herë të parë. Nga pasditja vonë morëm drejtimin nga veriu i Italisë nēpēr tunelin e Mont Blank dhe hymë në Francë. Ndalesēn e parë e bëmë në Belfort, në një takim të organizuar shumë bukur nga diaspora shqiptare. Aty gjetëm Xhevahir Spahiun, Bardhyl London dhe Besnik Mustafajn që posa kishte marrë emërimin si Ambasador i RSh në Paris. Të nesërmen në mëngjes ne të dy udhëtuam me tren në Paris pasi Skënderi kishte takime në Ministrinë e Jashtme franceze, me Kanalin France International dhe firmën franceze Thomson. Besnik Mustafaj na vuri në dispozicion makinën e ambasadës. Në të njëjtin hotel me ne në Paris bujti edhe Natasha Lako aso kohe deputete e PD me Aida Shehun, që vinin nga Strasburgu. Biseda dhe shpengimi bëri të na dukej sikur ishim në një Tiranë dy hapa larg Eifelit.

Pas dy ditësh qëndrimi në Paris, u kthyem në Belfort dhe bashkë me grupin vijuam rrugëtimin drejt e në Gjenevë, ku grupin nga RTSH e prisnin takime me disa klube shqiptarësh nga Kosova. Pikerisht në tetorin e 1992 në Gjenevë Skënderi nënshkroi me Ministrin e Informacionit në mërgim Xhafer Shatrin marrëveshjen mes RTSH dhe Qeverisë të Kosovës për hapjen e kanalit satelitor, i cili do të startonte me programet për diasporën pas një viti, më 15 Nëntorin e 1993. Kanali satelitor ishte një preokupim i madh i Ibrahim Rugovës, i cili asaj kohe vinte shpesh në Tiranë dhe patjetër do të takohej me Skënderin ose do të na ftonte për darka tek Vila 31 ku qëndronin delegacionet shtetërore që vinin nga Kosova.

Sapo hymë në Gjenevë nga Franca ndalesën e parë e bëmë tek Kapllani që na priti me të shoqen. Ekipi ishte i lodhur dhe u shpërndamë në familjet e shqiptarëve nga Kosova. Ne na priti e ndejtëm si në shtëpinë tonë familja e Ymer Cacajt dhe Hasimes bashkë me shtatë fëmijët e tyre të mrekullueshem. Kapllani me Etlevën na ftuan për një drekë si grup. Kapllani kujtonte vuajtjet e burgut. 20 vjet burg jo shaka. Idriz Zeqiraj, një tjetër shqiptar i Kosovës bashkëvuajtës edhe ai në burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri, që jeton në Gjermani, tregonte se Kapllanin e kishin torturuar shumë keq në burg, duke ia përplasur kokën në mur. Fakt është se pas daljes nga burgu, autori i Tradhëtisë nuk mundi t’i kthehej kurrë më letërsisë.

Gjatë qëndrimit në Zvicër me Kapllanin dhe grupin e RTSH bëmë edhe nja dy takime me diasporën dhe pastaj u përshëndetëm. Grupi i RTSH mori rrugën e kthimit përmes Italisë, ndërsa Skënderi dhe unë u pritëm në kryesinë e LDK në Zürich, nga Shaip Latifi, Bardhyl Meta dhe Demë Jashari. Nuk kishim si të mos vizitonim redaksinë e Rilindjes në Zofingen ku u takuam me Mehmet Emrullahun, që pastaj do ta hapte Rilindjen dhe shtypshkronjën tek Rruga Myslim Shyri ne Tiranë bashkë me Ramadan Mysliun e ndjerë e kolegë të tjerë.

Prej atij tetori të vitit 1992 ne nuk u takuam më me Kapllanin.

Në tetorin e 1992 ndërsa merrnim prej Zürich-u Swissair direkt për në Tiranë, ne nuk do të imagjinonim që më 15 marsin e 1996 Skënderi do të fillonte punë si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, as që mund të ndodhte 1997, që për pak i çoi shqiptarët e shtetit amë midis tyre gati në një luftë civile dhe as veten tonë të angazhuar për dhjetë vjet tek një gazetë me emrin BotaSot e cila do të niste botimin në Zürich në qershorin e 1995.

Duhet të ketë qenë 1998, mëngjes kur ne sapo arritëm në redaksi në Zürich dhe pamë në tryezën tonë të punës një zarf të shqyer bosh ku dërguesi ishte Kapllan Resuli dhe marrësi Skënder Buçpapaj. Nuk na ra në dorë ajo çfarë kishte dërguar Kapllani dhe nuk u bëmë kureshtarë aspak. Gazetat e Shqipërisë kishin filluar të botonin lajme sikur Kapllani deklaronte lart e poshtë se nuk ishte shqiptar, se ishte malazez. Prej tetorit 1992 kur i dhamë dorën e përshëndetjes, nuk u morëm kurrë me temën e Kapllan Resulit. E shmangëm çdo kontakt me Kapllan Resulin për të evituar çdo lloj spekulimi që mund të bëhej në adresën tonë. Nga këta të llojit të Profesor Nasho Jorgaqit. Që kanë 75 vjet që e mbajnë Shqipërinë tokë të djegur.

Sot pas gati 20 vitesh prej vizitës së Profesor Nashos tek ne, jam duke i parë ende sytë e trishtë të tim eti, ndërsa Skënderi e sqaronte Profesor Nashon duke i thënë se Ambasadori i Shqipërisë në Bernë – i asaj kohe – Vladimir Thanati i kishte bërë në mënyrë mediatike vizitë në shtëpi Kapllan Resulit në Gjenevë. “Pra, qeveria juaj e majtë e ka rehabilituar Kapllan Resulin”, i tha Skënderi në fund Profesor Nashos i cili dukej se kishte ardhur nga Tirana në Zvicër t’i kërkonte llogari Vehbi Skënderit për të pa bëra vaki. Diktatura komuniste e burgosi 20 vjet Kapllan Resulin si spiun të UDB-së dhe Profesor Nasho Jorgaqi i binte fyellit në të njëjtën vrimë, por në adresën e gabuar.

Vehbi Skënderi ishte i dënuar nga diktatura komuniste si “Nacionalist” pikërisht sepse kishte shprehur hapur qëndrimin e tij në lidhje me Kosovën. Kosova ishte një dashuri e përherëshme e tim eti, që ma kishte përcjellë pa fjalë edhe mua që fëmijë. Tek poezia “I vjetër je ti Drin aq sa kjo botë” në një varg poeti shkruan se “Drini plak rrjedh nga dherat e begata të Kosovës”.

Vizita e Profesor Nashos tek ne zgjati rreth një orë e sa. Pastaj ai bashkë me Pjetër Rodiqin u ngritën. Dolën të katër bashkë. Skënderi i përcolli deri tek dera ndërsa im atë deri tek makina jashtë. Nuk e di se çfarë biseduan me tim atë. Mund të na e thotë Profesor Nasho që është gjallë se im atë prej 13 qershorit 2011 prehet në varrezat e një qyteze këtu në Zvicër.

Nga vizita e tij na solli shijen e hidhur e të helmët prej Tiranës. E pritëm si mik larg të gjitha konteksteve politike, pa e hapur as si temë bisede se Vehbi Skënderin diktatura e kish varrosur të gjallë me format më përçudnuese bashkë me familjen, çka Profesor Nasho Jorgaqi e dinte shumë mirë. Me tim atë nuk e vazhduam bisedën rreth vizitës, sepse ai ishte një shpirt delikat që thyhej lehtë si kristali, do të ishte sikur të gërvishtje në plagët e hapura.

Unë kam të drejtë ta pyes Profesor Nasho Jorgaqin kush e solli tek ne? Që t’i bënte “gjyq” Vehbi Skënderit! Me akuza fallco.

Tani kur në moshën 89 vjeçare Profesor Nasho Jorgaqin e kanë shpallur zyrtarisht si ish Spiun i Sigurimit, unë kam të drejtë të dyshoj se ajo vizitë ishte e organizuar nga Sigurimi i Shtetit i cili prej 1997 u riciklua.

Nëse gjatë kētyre 30 vjet tranzicion në Shqipëri dështoi instalimi i demokracisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës, një nga shkaqet kryesore të këtij kolapsi moral të vlerave është mos hapja e dosjeve të ish spiunëve të cilët vijojnë të jenë pjesë integrale e të gjitha qelizave të kētij shteti të kalbur.

Vehbi Skënderi nuk ka qenë spiun i Sigurimit dhe ka vuajtur kalvarin e diktaturës dhe të postdiktaturës.

Profesor Nasho Jorgaqi erdhi në shtëpinë tonë si mik dhe e akuzoi Vehbi Skënderin brutalisht, pa fakte, pa prova, njëlloj si në gjyqet që im atë i kishte provuar në diktaturë.

Përpara disa ditësh me të njëjtin stil sulmuan shkrimtarin e njohur Sadik Bejko që ka mbajtur një qendrim konstant denoncues ndaj krimeve të diktatorës. Profesor Bejkon e akuzuan për një poezi gjoja sikur ai ia kishte kushtuar Enverit. Akuzuesit ia ndryshuan vetë titullin poezisë, ndërkohë ish Spiunët e Sigurimit që kanë dalë dëshmitarë në gjyqet e diktaturës dhe kanë marrë njerëz në qafë vazhdojnë dhe i gradojnë.

Denoncimi i Prof.Nasho Jorgaqit si ish spiun i policisë të fshehtë të diktaturës komuniste është bërë tri dekada pas gjoja rrëzimit të diktaturës. Kur ai është 89 vjeçar.

Për t’i zbuluar kontigjentin e ish Spiunëve mos duhet të presim deri sa ata të mbushin moshën over 80! Kjo është një metodologji mizore në shërbim të amnezisë kolektive për të fshehur të shkuarën kriminale që bie ndesh me sistemin demokratik.

Sepse shteti i së drejtës vepron me ligjet e veta të mbështetura në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ku në mbrojtje merren viktimat, dënohen krimet e diktaturës ndērsa ish spiunëve të regjimit u zbulohen emrat dhe bëmat. Pastaj opinioni vepron sipas moralit dhe ndërgjegjes kombëtare. Demokracia dhe shteti i së drejtës ndërtohen me meritokraci dhe integritet, ndërsa shteti i kapur mbijeton nga kalbësirat e kënetës ku indiferenca dhe ndërgjegjet e ndragura janë uji i saj i ndenjur.

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, kapllan Resuli, NASHO JORGAQI, profesor, Skender Bucpapaj, VEHBI SKËNDERI

ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP: NUK KEMI LIDHJE ME KOALICIONET ORIENTALE

October 29, 2020 by dgreca



ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP
A LEGALLY REGISTERED GROUP OF DONALD J. TRUMP FOR PRESIDENT INC.
US PRESIDENTIAL ELECTIONS 2020
Michigan më 28 Tetor 2020
 
            SQARIM
 
Ne anëtarët e këtij grupimi në ombrellën e Albanian Americans for Trump, sqarojmë opinionin publik shqiptar në Amerikë dhe më gjerë në lidhje me përfshirjen e komunitetit shqiptar në listë me vendet e arabe apo të tjera Orientale, sa më poshtë vijon:
 
Solidarizohemi me ju në këtë shqetësim të përbashkët. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe janë një popull i civilizuar Evropian, ndër më të vjetrit në rajon.
 
Personi në i listuar në reklamë, z. Gjevalin Gegaj, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë anëtar i grupimit tonë. Ky person ka vepruar në mënyrë personale, të padrejtë dhe të pandershme duke u nënshkruar në grupimin e Koalicionit të Lindjes së Mesme si përfaqësues i komunitetit shqiptar. Grupimi yne i dënon këto veprime.
 
Ky incident nuk është spontan apo i rastësishëm, pasi z. Gegaj edhe më parë ka kryer akte të till ate dyzuara mbas shpinës së komunitetit tonë, here me Trump dhe herë kundër tij. Këto akte kanë dëmtuar fushatën për fitoren e Trump, kanë përçarë komunitetin shqiptar këtu dhe kanë dëmtuar imazhin tonë si komunitet i nderuar, solid dhe model per paqe të përhershme midis shqiptarëvë të të gjitha besimeve.
 
Ne i respektojmë aktivitetet e të gjitha koalicioneve, qofshin këto arabe apo të tjera në këtë fushatë me një qëllim të përbashkët, fitoren e Presidentit Trump, për sa kohë nuk abuzohet me dinjitetin dhe integritetin tonë si shqiptar.
 
Albanians Americans for Trump në bashkëpunim me institucione të tjera shoqërore dhe të kultit, po e ndjekim zyrtarisht këtë çështje, dhe shumë shpejt do të kemi një përgjigje të përbashkët.
 

Filed Under: Politike Tagged With: ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP, sqarim, Valentin Lumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 330
  • 331
  • 332
  • 333
  • 334
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT