• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEGALITETI NJE VLERË KOMBETARE!

November 21, 2020 by dgreca

LINDI NË LUFTË PËR TË SIGURUAR PAQE- 1943-21 Nentor-2020.

Nga Shpëtim AXHAMI-
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit/

Riorganizimi i Legalitetit, si subjekt politik i pavarur, dje në mbështetje të luftës çlirimtare e në vazhdimësi për një zhvillim me shtet të së drejtës dhe Komb të Bashkuar nën Kurorën Mbretërore.
Nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të 1924, si një domosdoshmëri historike kombetare, me 21 Nëntorë të vitit 1943 krijohet Organizata Kombêtare “Levizja e Legalitetit” (OKLL) sot PLL.
Vetë rrjedha e ngjarjeve, përgjatë Luftës së Dytë Botrore, e kërkonte krijimin e këtij formacioni politik, në shërbim të interesit kombëtar dhe në përpjekje për kthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij legjitim.
Pas pushtimit fashist, ku si rezultat ranë institucionet legjitime shtetërore dhe me vendim të qeverisë e të parlamentit, Mbreti ZOG ishte i detyruar të largohej jashtë vendit, ku prej atje do të vazhdonte veprimtarinē politike, zogistet brenda vendit nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit dhe figurave te tjera patriotike vazhduan veprimtaritë e tyre duke bashkëpunuar në luftë kundër okupatorëve.
Pas rezistences luftarake kundër pushtimit fashist, të 7 Prillit 1939 nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit, zogistët morën pjesë në Konferencën e Pezës të perfaqësuar nga vetë Abaz Kupi dhe nga figura të tjera patriotike.
Abaz Kupi do të deklaronte:”…bashkohem me ju, vetëm sa me luftu armikun dhe në rast se partitë e tjera, veprojnë në bazë programesh të tyre, ateherë unë kam me u ndarë dhe kam për me veprue në bazë të programit të organeve legjitime të Legalitetit mbretëror të para okupimit”.
Parimet e Konferencës Pezës po shkeleshin në çdo plan prej drejtuesve të PKSH-së
Në vazhdimësi, zogistët, në kontakte të vazhdushme me Mbretin Zog, vazhduan të ishin aktiv në gjithë skemen politike dhe luftarake të kohës.
Në Gusht të 1943, me ndërmjetësimin e Abaz Kupit, u thirr Konferenca e Mukjes.
Kjo konferencë kishte baza pluraliste, bashkëpunuese dhe vlera të veçanta për një Shqipëri që sot do të ishte shumë më ndryshe, duke krijuar të gjitha mundësitë për mos vendosjen e diktatures komuniste në ‘44.
Parimisht, në konferencë, ndër të tjera kërkohej:
-Luftë pa kompromis nga të gjithë.
-Vazhdimi i luftës deri në çlirimin e Kosovës dhe Çamerisë.
-Çeshtja e formës së regjimit do të vendosej pas lufte në mënyrë legjitime me vullnet të vetë popullit.
Pas saj, filluan luftime frontale të perbashkëta për çlirimin e vendit (këto të faktuara prej historisë siç ishte rasti i Qaf Shtames pak ditë pas konferences)
Misionarët jugosllav me urdher të Beogradit urdhëruan prishjen e kësaj marrëveshje ku qëllimi kryesor i kësaj prishje ishte çeshtja e Kosovës, drejtuesit e PKSH e zbatuan me fanatizëm këtë urdhër.
Me Konferencën e Labinotit të Shtatorit të ‘43, u bë prishja përfundimtare e kesaj Marrëveshjeje.
U shpall luftë e hapur nacionalizmit dhe çdo formacioni tjetër politik jashtë PKSH si ai i BK etj, lufta kunder okupatorit po shëndërrohej thellësisht në luftë vlla-vrasjeje për pushtet dhe ndarje kombi.
Prishja e kësaj marrëveshje përbën një prej akteve më kriminale komuniste me ndikim serb të kohës.
Zogistët, nuk mund të pajtoheshin me ketë çorbë që po gatuhej në guzhinat sllavo-ruse me përkrahjen e Enver Hoxhes.
Tashmë kuptohej qartë, se interesat kombëtare dhe lufta e mbeshtetur në menyrë të përgjithshme ishte tradhëtuar, ajo ishte kthyer në luftë për pushtet pa marrë parasyshë pasojat negative antikombetare.
Të gjendur përpara fakteve të tilla të rrezikshme, ishte nevoje dhe domosdoshmëri kombëtare e historike mos pajtimi me atë që po ndodhte.

Në lidhje për sa më sipër, zogistët nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar KNÇ, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës së përbashkët kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.
Atëherë me datë 20 Nëntor 1943, nën udheheqjen e Abaz Kupit në Zall-Herr të Tiranës, u thirr Kuvendi Kombetar duke shpallur me datë 21 Nentor 1943 krijimin Organizatës Kombëtare “Lëvizje e Legalitetit”, si lëvizje politik kombëtare.
Zogistët legalistët tani ishin të organizuar jo vetëm ushtarakisht por edhe politikisht.
Abaz Kupi do të deklaronte për shpalljen e Legalitetit “ Mora insiativën e shpalljes Legalitetit, vetëm atëherë kur pashë shenjat e para të vllavrasjes dhe nuk doja me ba pjesë nē njē organizatë që vret shqiptarët.
Ky formacion politiko-ushtarak kombëtar e ka zanafillën e vet me “Triumfin e Legalitetit” me 24 Dhjetor 1924 gjë e cila praktikisht e bën Partinë Lëvizja e Legalitetit, sot, një subjekt politik me histori 96-vjeçare ku në thelb të këtij subjekti mbi gjithçkaje ka qenë dhe ngelet interesin kombetarë.
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh major Abaz Kupi.
Kryetar i kryesisë u zgjodh atdhetari dhe dekegati i Kongresit të Lushnjes Ndoc Çoba.
Vlen për tu theksuar se pjesmarrës të këtij kuvendi ishin efhe shumë patriotë, intelektuale, atdhetarë, nacionalistë e diplomatë që perfaqësonin ajkën e shoqërisë aktuale të kohës.
Nga ana programore nder të tjera kerkohej;
Vazhdimin e luftës kunder okupatoreve, pa dallim dhe nga të gjithë.
Forma e regjimit nuk diskutohej, pasi de jure, ishte ajo e para 7 Prillit 1939, pasi Mbreti Zog, ishte larguar në mënyrë jolegjitime si rezultat i LDB.
Në lidhje me çeshtjen kombëtare, Legaliteti kerkonte, të luftohej deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Kosovës dhe të Çamërisë, për të bashkuar trojet shqiptare.
Në lidhje me qëndrimin ndaj aleatëve, Legaliteti ishte i bindur dhe u shpreh, se “interesat e Shqipërisë janë të mbështetura vetëm në politikēn e aleatëve të mëdhenjë perendimorë.
Të shqetësuar dhe të friksuar nga ky formacion politik, PKSH thirri Kongresin fatkeq të Permetit, i cili ndau përfundimisht shqiptarët.
Kjo ndarje, e bërë prej komunisteve, u bë me qëllim e vetëm, atë të marrjes së pushtetit dhe të eleminimit të kundershtarëve të tjerë politik.
Ky formacion politiko – luftarak udhëhoqi dhe luftoj deri ne fund të luftës në shumicën e krahinave të Shqipërisë.
Në momentin, kur Gjermania kishte humbur luftën dhe revanshi komunist kishte filluar spastrimet e kundershtarëve politik, Abaz Kupi dhe një pjesë tjetër e drejtuesve të tjerë, detyrohen të largohet nga vendi, me të vetmen arsye, shmangjen e gjakderdhjes mes shqiptarëve pasi vazhdimi i luftës në kushtet e krijuara do të krijonte patjetër këtë përplasje.
Vetë deklarata e Tij në momentin e largimit e vërteton kētë.
Veprimtaria politike e OKLL, vazhdoi edhe në mërgim, nderkohë kur vendi gjendej nēn diktaturën komuniste.
Kjo veprimtari zogiste konsistonte kryesisht, në rrëzimin e regjimit komunist të vendosur në Shqipëri, në bashkimin kombëtar të trojeve etnike, si dhe në rikthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij.
Aktivitet kanë qenë të shumta, të gjithanshme dhe në shumë forma, duke perjetuar, duke u arganizuar dhe duke percjellë kudo në botë shqetësimin, për atë që regjimi komunist po bënte në Shqipëri.
Pas pluralizmit politik të viteve 1990, aktiviteti politik i PLL kalon me qendër në Tiranë.
Aktiviteti politik i këtij subjekti, ka qenë në vazhdimësi në interes të kombit Shqiptarë, duke mos u bërë pjesë e fenomeneve negative të politikës pluraliste të pas viteve ‘90.
Pavarsisht situatave dhe turbulencave politike të kësaj periudhe të gjatë tranzicioni, PLL ka ditur të ruaj vlerat dhe virtytet e saja më të mira për vetë atë çfarë ajo përfaqson dhe ka si vijë programore të saj.

Sot PLL, e ngritur si formacion politik në 1943 nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të vitin 1924, luan rol serioz ne politiken Shqiptare, për një zhvillim të gjithanshëm brenda një shteti me rend e ligj funksional ku në thelb qëndron interesi kombetarë me bashkim të trojeve etnike nën kurorën mbretërore!
Të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që vetë përfaqëson PLL, prandaj është momonti i bashkimit rreth kësaj vlere,
ESHTE MOMENTI i bashkimit i të gjithë atyre që mendojnë dhe e kanë besimin se Kombin Shqiptarë dhe Shqipërinë e bëjnë vetë shqiptarët.

Tiranë 21 Nëntor 2020.

Filed Under: Politike Tagged With: Shpetim Axhami, Vlere Kom

Amerika që frymëzon kthehet në votrën e saj

November 19, 2020 by dgreca

NGA SAMI REPISHTI, PHD/

Ridgefield. CT.- Stuhia e rrezikshme katërvjeçare në vendin tonë kaloi! Nji ditë e re ka ague! Amerika që frymëzon botën mbarë u kthye në votrën e saj. Demokracia amerikane tregoi forcën e saj, e fitoi! Me 3 nandor 2020, u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Pjesëmarrja në votime ka thye rekordin: ma shumë se 160 milionë qytetarë amerikanë votues treguen vullnetin e tyne në nji proces të rregullt, atmosferë të lirë dhe administrim me ndershmëni. Amerika ka 330 milionë banorë.Amerika që na frymëzon, tregoi forcën e saj në mënyrë shembullore!

Mbas disa ditë votimesh u përfundue se numri ma i madh i votave të rregullta,- ma shumë se 78.6 milionë vota- u fituen nga kandidati presidencial demokrat, i nderuemi Joseph R. Biden, Jr., ish-nënpresident i Shteteve të Bashkueme (2008-2016) dhe politikan i karrierës për afër 47 vjet dhe me 6+ milionë vota ma shumë se kundërshtari i tij, Presidenti Trump, që fitoi 72.01 milionë. Kandidati Biden grumbulloi 306 vota në Kolegjin Elektoral kundrejt 232 vota për kundërshtarin Trump. “Presidenti” D.J.Trump nuk pranoi rezultatet e dhanuna dhe filloi nji seri ankimimesh ligjore pranë gjykatave federale të vendit, nji procedurë që do të zgjasë disa javë dhe që pengon “tranzicionin” e pushtetit në duert e fitimtarit.

Ky qëndrim obstruksionist ashtë i panjohun në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-ve para botës. Publiku amerikan ashtë i bindun në fitoren finale dhe e konsideron këte manovër politike nji metodë vonuese e kapriçove të shumta të ishPresidentit Trump, nji narcisist i papërmbajtun, pa lidhje me normat tradicionale të vendit. Deri tashti, ish-Presidenti Trump nuk ka paraqitë nji evidencë me mbrojtë tezën e vet. Pa nji evidencë të tillë, nuk ka gjykime. Si rrjedhim, gjykatat amerikane konsiderojnë ankimimet “without merit”!

Ky qëndrim paraqitet nga shtypi trumpist sikur “votimet nuk kanë përfundue akoma”, se ata do të përfundojnë me ankimimet ligjore, prandej nuk dorëzohet pushteti. Të tjerë flasin për zgjedhje të qeta me gjithë vështirësitë e pandemisë vrastare (250.000 viktima), pa kërcënime, pa dhunë dhe pa pengesa për makinën e demokracisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve amerikane ndërkaq, populli festoi rezultatin “Biden-Harris Victory” me flamuj, kumbonë dhe klaksone makinash. Nji popull feston!

Fletorja me renome ndërkombëtare “The New York Times”, në edicionin e saj të 8 nandorit 2020 shkruen me tituj të mëdhej: “Biden Beats Trump”, me këtë përshkrim: “Joseph Robinnette Biden Jr. u zgjodh Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkueme, të shtundën, tue premtue restaurimin e normalitetit dhe frymën e bashkimit kombëtar në përballjen e krizave shëndetësore dhe ekonomike, që tmerrojnë sot vendin…”.

Fitorja e Biden shikohet si përbuzja e Trump nga miliona votues të lodhun nga politika e tij përçarëse dhe administrata e tij kaotike, fitore që u ba e mundshme nga nji koalicion i grave, qytetarëve me ngjyrë, pleq dhe të ri, si dhe nji sasi republikanësh të lodhun nga Presidenti.

Me 13 nandor, shtypi amerikan njoftoi se zyrtarët e administrimit të votimeve, demokratë dhe republikanë, hodhën poshtë akuzat e ish-Presidentit Trump për vota “të vjedhuna” dhe “numërime jo të sakta”. Vetëm pak orë mbas votimeve, Trump përsëriti akuzat e tij tue thanë se nji sistem makinash i perdorun në votime “ka shlye 2.7 milionë vota në të gjithë vendin”; kështu ai kundërshtoi grupin e zyrtarëve federalë, të cilët lëshuen nji deklaratë të enjten, me 12 nandor, ku deklarojnë pa asnji rezervë se votimet “kanë qenë ma të sigurtat në historinë amerikane” dhe se “nuk ekziston nji evidencë” se ndonji sistem votimesh të ketë qenë komprometue.

“Që nga dita e shtunde në mëngjes, kur kandidati demokrat Biden u deklarue si fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ish-Presidenti Donald Trump ashtë mbyllë në Shtëpinë e Bardhë, refuzon ma pranue disfatën, mbledh të holla për “nji forcë për mbrojtjen e zgjedhjeve”, dhe shpik komplote të imagjinueme e teori mbi “vjedhjen” e votave të partizanëve të tij. Nuk parashikohej si do të veprojshin ndjekësit e tij në 50 shtetet e federatës. Doli në shesh se ata vepruen njilloj si kanë veprue deri tashti për katër vite të gjata me radhë: tue përkrahë ate në rrugën e gabueme. Deri në nji pikë!

Me 13 nandor, ish-Presidenti Trump mbajti nji konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aksionin anti-Covid. Ai nuk zuni me gojë votimet dhe indirekt iu referue administratës së ardhme, tue lanë me kuptue se nji tjetër fitues do të jetë President. Qartazi, pushteti po kalon qetësisht në duert e Presidentit të zgjedhun, zhvillim që edhe Z. Trump ma në fund e ka kuptue.

Rezultati i votimeve tregoi se zgjedhja e Senatorit nga California, Zonja Kamala Harris, ashtë me randësi historike: bijë e nji çifti me nanën nga India dhe babën nga Jamaica. Mbas zgjedhjes historike të ish-Presidentit Barack Obama, 2008, zgjedhja e Zonjës Kamala Harris si nënpresidente e SHBA-së ashtë fitorja e dytë madhore e demokracisë amerikane dhe nji provë e pakontestueshme e të ashtuqujtunit “exceptionalism”- Amerika vendi i oportunitetit për të gjithë. Ashtë e para herë që nji grue me ngjyrë zgjidhet nënpresidente e SHBA-së, nji hap i madh drejt nji shoqënie ma civile dhe ma demokratike. (Ashtë opinion i përgjithshëm se Biden do të udhëheqë Partinë Demokratike nga pozita ma ideologjike – nga nji qendër e majtë…).

Por Biden ka mbajt gjithherë nji pozicion afrimi, bashkimi dhe pajtimi, nji karakteristikë e posaçme e tij që në ditët e para të jetës së vet politike. “Tashti që fushata elektorale ashtë perfundue, theksoi ai, ka ardhë koha me harrue inatet tona dhe retorikën e ashpër, dhe me u bashkue si nji komb i pandamë. Ka ardhë koha për Amerikën me u bashkue dhe me shërue plagët e hapuna. Na jemi të gjithë Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Dhe nuk ka objektiv që nuk mund të marrim dhe të marrim së bashku”. (Joseph R. Biden, Jr.)

Z.Trump, në deklaratën e tij tha se “…nuk janë përfundue zgjedhjet, përkundrazi, dhe se “…do të filloj ndjekjen e objektivave tona në gjykata”. Ai nuk dha hollësina! Por me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve, Trump duket se u ban thirrje ndjekësve të tij me “vallëzue dancing” e mosmarrëveshjes dhe pa dyshim ka mjaft që do të pranojnë! Ka pasë disa incidente me dhunë nga “trumpistët” e demonstrata të zhurmëshme, deri tashti pa incidente. Shumë amerikanë shqetësohen se këto “mosmarrëveshje” nuk kanë vetëm karakter politik, por edhe personal, në relacionet ndërqytetare. Fatkeqësisht, ky orientim ka damtue edhe unitetin e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Nji humbje e madhe për të gjithë!

Partia Republikane -tashti “the Trump Party”- ka humbë shumë nga prestigji i saj si “Partia e Lincoln-it”, mbajtëse e vlerave dhe traditave amerikane, si atdhetarizmi, feja, trashëgimi patriotik, konservatizmi politik, ekonomik dhe shoqënor në mes tjerash, dhe për katër vite ajo u paraqit si nji grumbull amorf qytetarësh statikë dhe të gatshëm me avancue “tezën” trumpiste. Me humbjet në votimet e 3 nandorit 2020, PR e Amerikës asht tronditë. Zane të reja thrrasin për nji “rinovamento” të pikëpamjeve politike dhe të kuadrova për drejtim.

Nuk duhet të harrojmë se republikanët kanë fitue 72 miljonë vota, dhe 7 deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve; ata kanë humbë nji senator (në Arizona). Kjo tregon se ajo përmban nji forcë të vërtetë politike dhe ushqen shpresën e nji kthimi në fuqi në të ardhmen si nji parti e rinovueme.

Elektorati amerikan përballet me dy sfida madhore:

a) Si të veprojë për asgjasimin e influencës së “Trump Party” në publik, e sidomos racizmin e tij malinj dhe sistematik; dhe

b) Çfarë mund të bahet me pengue ardhjen e nji “Trumpi” të ri në të ardhmen?

Me gjithë gabimet e mëdha në qeverisjen e ish-Presidentit Trump, nuk mund të veprohet me frymën e hakmarrjes. “Republikanët”, përfundimisht, janë bashkatdhetarë që mendojnë ndryshe, nji qendrim që garantohet nga Kushtetuta si e drejtë e mendimit dhe veprimit të lirë. Fajtori kryesor ashtë qytetari Donald J.Trump, i cili mashtroi masat me nji propagandë populiste, negative dhe anmiqsore. Gjendja e randë që trashëgojmë sot ashtë ma e randë se “fatkeqësia Trump”. Sepse edhe humbja ka pasoja nga ata që kapen mbas premtimeve të tij.

Afërsisht 40 përqind e votuesve amerikanë dëshirojnë mbajtjen e tarifave doganore dhe murit kufitar me pengue lëvizjen e lirë të mallnave dhe personave, emigrantë ilegalë në SHBA, tue përfshi edhe deportimin e tyne. Ashtë nji reagim popullor kundër “globalizmit” dhe emigracionit.

Të tjerë elementë negativë që republikanët përqafojnë janë: dallimet racore, sidomos popullsinë zezake, nji viktimë e persekutimit sistematik që nga shekulli 16, koha kur grabiteshin, burra, gra e fëmij, nga piratët amerikanë, transportoheshin të lidhun me zinxhirë në hambarët e vaporeve pirateske ku vdisshin me qindra, e shiteshin si skllevër në tregjet e shteteve jugore të Amerikës.

Humbja e vendeve të punës, sidomos në industri, ka dermue shoqëninë amerikane e klasën punëtore, që ka qenë vazhdimisht demokrate me sindikata të fuqishme. Shumë impiante industriale u larguen dhe u vendosën në Kinë e Meksikë kryesisht. Nuk ka dyshim se ish-Presidenti Trump fitoi më 2016 me votat e këtyne të papunësuemëve.

U krijue kështu nji atmosferë shqetësuese me vdekje fëmijësh, gra pa burra, vdekje nga alkoolizmi dhe nga droga. Emigrantët që punojshin në punët ma të vështira zunë vendet e pakëta si argatë të pakualifikuem. Globalizmi për mallna dhe persona ngriti zemërimin në shumicën e popullsisë. “Tregtia e lirë dhe globalizmi, shkruente Sarah Stockman, kanë pasunue vendin, por ky pasunim ka qenë në favor të kapitalit dhe të arsimuemëve, ndërsa damet e tyne ranë mbi shpatullat e amerikanëve të papunë”.

Shumë punëtorë të pakualifikuem kanë votue për ish-Presidentin Trump. Ata “adhurojnë” personin që vuni tarifat. Por nuk kanë qenë shumë nga ata punëtorë që kuptuen se Trump nuk ka qenë në anën e tyne. Edhe në vitin 2017, zbritja e taksave ndihmoi vetëm të pasunit dhe korporatat. Tani që ish-Presidenti Trump përpiqet me eliminue ligjin për shërbime mjekësore (the Affordable Care Act) të vendosun nga ish-Presidenti Obama e që mbulon mbi 21 milionë familje amerikane, ish-përkrahësit kuptuen cili ashtë në fakt ish-Presidenti Trump dhe votuen kundër tij.

Por “goditja vdekësore” për fushatën elektorale të Trump ka qenë paaftësia e plotë e tij me udhëheqë në luftën kundër pandemisë COVID19. Ai e fshehu rrezikun që vinte nga Kina që nga nandori 2019 deri në mars 2020, kur bashkëpunëtorët e tij e paralajmëruen se sëmundja paraqet rrezikun ma të madh për administratën e tij presidenciale. Ndërkaq, pandemia bani kërdinë në popullsi dhe numri i të vdekuneve arriti në 1.000 viktima në ditë. Ish-Presidenti Trump refuzoi me marrë masa drastike -ashtu si e gjithë bota e jashtme- refuzoi këshillat mjekësorë nga ekspertët mjekësorë dhe smundja u përhap. Të zhgënjyem nga ky zhvillim fatkeq, shumë amerikanë vendosën me votue kundër dhe “me u lirue” nga ky ankth. Por asgja nuk bindi ishPresidentin Trump se ky qëndrim i padeje dhe shumë i rrezikshëm do të sillte disfatën e tij… që ai akoma refuzon me pranue…!

Shkrime alarmuese njoftojnë se ish-Presidenti Trump po përgatitet për nji “coup d’etat”. Në fakt, ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, sepse refuzoi me nxjerrë trupat ushtarake për qetësimin e turmave në demonstrata masive në shumë qytete të Amerikës dhe e zëvendësoi atë me nji element besnik të ish–Presidentit, dhe persona që ai mendon se kontrollohen. Flitet që ai mendon me pushue nga detyra edhe shefin e FBI-së dhe CIA-së dhe me i zëvendsue me “lojalistë”. Simbas analistit Masha Gessen të revistës “The New Yorker”, Trump ban përpjekje me arrijtë nji “autocratic breakthrough” (nji hyrje në autokraci) dhe me diskreditue kështu rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i japin fund qeverisjes së tij. Shanset e tij me fitue janë shumë të vogla; megjithatë ashtë me randësi me kuptue si duhet se Presidenti i SHBA-së tenton nji “coup” që do të shkatërronte demokracinë amerikane, si e njohim na në historinë 244-vjeçare.

Dezertimet nga vija politike e ish-Presidentit nga republikanët në Kongres vijnë me pak vonesë. Kongresistët heshtën kur Trumpi abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Azi e në Europë, sulmoi institucionet tona qeveritare dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull, nji gabim fatal që ndau popullin amerikan… Sot ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë përfundimin se ish-Presidenti Trump ka pësue nji humbje të plotë në zgjedhjet e 3 nandorit dhe përpiqen të distancohen nga ai. Flitet për nji fëtyrë të re republikane që nuk ashtë ajo e Trumpit dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. Gjithashtu, flitet haptas se qarqet republikane me influencë punojnë intensivisht për rindërtimin e PR-së mbas humbjes.

Edhe marrëdhëniet me botën e jashtme do të pësojnë nji ndryshim rranjësor në epokën e Presidentit Joe Biden. Në nji ese prej 30 faqesh, botue në revistën “Foreign Affairs”, Nov/Dec. 2020:

“Pse Amerika Duhet Të Udhëheqë—Ripërtëritja e Politikës së Jashtme mbas Trumpit”, ai shkruen: “Sido që të matet, kredibiliteti dhe influenca e Shteteve të Bashkueme në botë ka pësue nji zbritje mbas largimit të Presidentit Obama nga zyra presidenciale, më 20 kallndor 2017. Presidenti Donald Trump ka pakësue peshën tonë, ka damtue dhe në disa raste ka abandonue aleatët dhe partnerët tonë. Ai ka ofendue profesionistët e shërbimeve informative, diplomatëve dhe forcave të armatosuna. Ai ka forcue kundërshtarët tonë dhe ka keqpërdorue mjetet tona në sfidat e sigurimit kombëtar që vijnë nga Koreja e Veriut, Irani, nga Siria deri në Afganistan dhe Venezuela, pa pasë asgja me tregue përse. Ka shpërthye lufta tregtarE kundër miqve të Shteteve të Bashkueme si dhe të anmiqve nji lloj, që damtojnë klasën e mesme amerikane. Åi ka heq dorë nga udhëheqja amerikane në mobilizimin e aksioneve kolektive me përballue kërcënime të reja, veçanërisht të atyne që janë unikë për shekullin tonë. Åi thellësisht ka neglizhue vlerat demokratike që i japin forcë kombit tonë e na bashkojnë të gjithë si nji popull.

Ndërkaq, sfidat globale që përballojnë Shtetet e Bashkueme -që nga ndryshimet klimaterike dhe emigracionet masive deri te ndërpremjet teknologjike dhe smundjet infektive-janë ngritë në nji kompleks dhe janë ba ma urgjente me ngritjen e shpejtë të autoritarianizmit, nacionalizmit dhe antiliberalizmit që minojnë aftësinë tonë me i përballue në forma kolektive. Demokracitë – të paralizueme nga hipërpartizania, të lëkunduna nga korrupsioni, të randueme nga pesha e pabarazisë- e gjejnë shumë të vështirë me mbajtë premtimet e dhanuna popujve tyne. Frika nga Tjetri ashtë rritë. Edhe sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkueme kanë ndertue me aq kujdes po shkyhet nga forcat përçarëse. Trumpi dhe demagogët rreth e rrotull botës mbështeten në këto forca për përfitime personale dhe politike….

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkueme do të flasë para të gjithë botës në kallndor 2021, dhe do të mbledhë copat e shpërndame që do të jetë nji ndërmarje enorme. Ai do të përpiqet me nxjerrë nga pozita ku kanë ra emnin tonë të mirë, me ndertue konfidencën në udhëheqjen tonë, me mobilizue vendin tonë dhe aleatët tonë për përballimin e shpejtë të sfidave të reja. Nuk do të kemi kohë me humbë…”(ff. 1,2) “…Menjiherë, na duhet të pajisemi me (ata) forca dhe të mbledhim Botën e Lirë me përballue sfidat që na dalin para sot. U takon Shteteve të Bashkueme me udhëheq. Nuk ka komb tjetër që ashtë ndërtue mbi këte ide. Na duhet me proklamue lirinë dhe demokracinë, me rifitue krediblittin tonë, me shikue me nji optimizëm të pandërpremë dhe me vendosmëni të ardhmen tonë”.

Filed Under: Politike Tagged With: amerika, Sami Repishti PhD

Amerika i akordon Kosovës mbi 33 milionë dollarë

November 18, 2020 by dgreca

Presidentja ne detyre Dr. Vjosa Osmani nenshkruan Marreveshjen.

-U.d. e Presidentes dr.Vjosa Osmani nënshkruan marrëveshje me USAID-in, falënderon popullin Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës/

-Grant 33 milionë dollarësh për Kosovën nga  Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 18 Nëntor 2020- Gazeta DIELLI/ Ushtruesja e detyrës e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet  llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

U.d. e Presidentes Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani. Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, ka potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.

Filed Under: Politike Tagged With: 33 milione dollare, Dr.Vjosa Osmani, per Kosoven

Letër Milaimit … Energjitë t’i harxhojmë atje në Hagë!

November 17, 2020 by dgreca

– Ky patrioti ynë, gjë kaba, e hodhi edhe ne gjyq kryemistrin tuaj. U ofendua se kryeministri juaj komandant Rramushi u tha Shqiptarëve hapur për një pakt me Serbinë, për një ndarje të mundshme territoriale. Mbajeni shënim… një kryeministër shqiptar hedh në gjyq, në gjykata e huaja, po një kryeministër shqiptar. (Tetor 2019). Ky që sot flet për tradhti. Ky që as zbor nuk ka bërë se ishte i biri i babait….

– Sot, flet për tradhti. Jo, e pamundur. Ata që gjoja e duan Kosovën, nuk dëgjojnë, pasi u interesojnë xhepat, karrika, jo shqiptaria. Flet për tradhtarë, megjithëse që nga 2013-ta ka ndyrë hundët në dy nga vatrat e antishqiptarizmës, Stambollin dhe Beogradin. Eshtë dishepulli i Erdoganit dhe një pragmatist enverist që për hir të pushtetit….

Shkruan: Ilir Levonja/Florida/

I dashur Milaim, nisur nga pamja, duhet të jesh boll i lodhur nga hallet e tua. Ashtu si e shumta e shqiptarëve këtej dhe andej kufijve. Jemi vëllezër të një gjaku por të ndarë nga ca kunja shkrepseje. Ca kunja që janë dhuratë e politikës, a mosmarrëveshjeve historike të esnafit tonë. Dashje pa dashje po të përdorin edhe ty. Nuk e di se me çfarë merresh aty në Krushën e përvëluar, por nëse je bujk kushtoju arave. Nëse merresh me bagëti, kushtoju gjësë që të mban gjallë. Politika është kurvë, por për ne shqiptarët po del kryekurvë. Sidomos kur luajnë me patriotizmin. Sidomos kur bijtë e nomeklaturës flasin për tradhti kombëtare. Mbase nuk e di por deri më 1948, bijtë e nomeklaturës edhe abetaren e nxirrnin me emrat e Titos dhe Enverit. Sot nuk e kemi dot një abetar të përbashkët. Madje vetëm në Tiranë ke rreth 16 të tilla. Na tmerron përbashkësia. Kosovës ja kishin bërë në kokë, madje kishin përgatitur edhe letrat ta bënin Shqipërinë republikën e tetë të Federatës. Sot çirren për tradhti. Vrasjet në kufi ishin normale, por edhe ai që i shpëtonte plumbit të ushtarit, e arratisej. ”Vëllezërit” jugosllavë e kthenin peshqesh. E njëjta gjë ndodhte edhe me ju, shqiptarët e Kosovës, që sot ju thërrasin kosovarë, jo shqiptarë të Kosovës. E kanë për zor, ndaj u thërrasin kosovarë. Ndonjë ditë ku tadish, mbase çeçenë. Ashtu sikundër kishte dhe raste që nuk ktheheshin, por ishin nën survejim, ishit organikë e sigurimit të shtetit me preteksin si agjentë të UDB-ës. Këta që i bënin këto punë ishin baballarët, sot janë bijtë e tyre. Ndofta nuk e ke dëgjuar se kështu vepruan me një poet kuksian Havzi Nela. U arratis, erdhi tek ju, po vëllezërit jugosllavë e kthyen peshqesh. E ekzekutuan me varje në litar, bash në muzgjet e fundit të diktaturës, gusht 1988. Një nga firmëtarët është babai i atij që sot është kryeministri i Shqipërisë. Ne shqiptarët harrojmë kollaj, për më tepër nuk e njohim ndjesën publike. E bëjmë xhelatin kuvendar. Siç e ke sot krye kuvendarin e Shqipërisë, firmëtarin e ekzekutimit të djemve shkodranë më 2 prillin e vitit 1990. Eshtë zanat pa bereqet t’i afrohesh politikës, për më keq të të përdorin. Për herë të parë u fol në vitet 90-të për një rrugë që të na afronte, madje një malsor i Gjakovës tha që do shesim edhe bizhuteritë e grave. Na u mbush trupi me mornica. Nuk po diskutomin më asgjë, veç faktin që do i shkonim njëri-tjetrit për punë orësh, Tiranë Prishtinë dhe ansjelltas. Vetëm këtë rrugë kemi. Metropolet e botës kanë sa të duash, kanë edhe linjat e hekurta. Ne, megjithëse një pazar minierash nuk e kemi dot një linjë të hekurt. Këta që po të përdorin sot, nuk lanë gurë e kusur pa hedhur e thënë për këtë rrugë, madje i vunë edhe trarin. Katër vjet lehu pa pushim një shqiptar i vogël, gjithmonë i nevrikosur, sot e ke zëvëndës kryeministër. Sot ke edhe një tarifë për të ardhur në vendin amë. Megjithëse atëhere kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj hodhi idenë e një fondi buxhetor ndërqeveritar për të mirëmbajtur këtë arterie gjaku mes shqiptarëve të ndarë. Ky patrioti ynë, gjë kaba, e hodhi edhe ne gjyq kryemistrin tuaj. U ofendua se kryeministri juaj komandant Rramushi u tha Shqiptarëve hapur për një pakt me Serbinë, për një ndarje të mundshme territoriale. Mbajeni shënim… një kryeministër shqiptar hedh në gjyq, në gjykata e huaja, po një kryeministër shqiptar. (Tetor 2019). Ky që sot flet për tradhti. Ky që as zbor nuk ka bërë se ishte i biri i babait. Që nuk ja di erën barutit, flet për tradhti. Që ndofta në 1999, kur ju vriteshit, thurte plane me një kone tjetër në bodrumet e Tiranës, në ato orgjitë e tia prej djali Tirone. Sot, flet për tradhti. Jo, e pamundur. Ata që gjoja e duan Kosovën, nuk dëgjojnë, pasi u interesojnë xhepat, karrika, jo shqiptaria. Flet për tradhtarë, megjithëse që nga 2013-ta ka ndyrë hundët në dy nga vatrat e antishqiptarizmës, Stambollin dhe Beogradin. Eshtë dishepulli i Erdoganit dhe një pragmatist enverist që për hir të pushtetit nuk e ka problem të vëj poshtë bythës edhe gjithë Kosovën. Më 2013 në Shkodër nënshkroi pakt socialist me LSI dhe Ilir Metën në sy të Tadiçit. Sot e dy vjet u gërrvërret shqiptarëve se ka të bëj me një president pijanec. Shtrëngon duart lart e poshtë me Vuçiçin ndërsa hiqet patriot në lidhje me çështjen e Kosovës. Sot vëlla Milaim, Shqipëria e këtij pinjolli është për tu mëshiruar, nuk ka sikur një skuadrilje aeroplanësh, një anije bregdetare, një kundraajroj a çfarë të them. Madje deklaratave të Vuçiçit në paralelizmin me konfliktin Armen nuk i përgjigjet dot. A e di përse, sepse nuk ka sikur një depo armatim. Megjithëse vendet e rajonit janë sot në një mini garë armatimesh pas kofliktit turko-grek, ky patrioti merret me kasetën tënde, me ty, me liderin e opozitës. Ka si ushtri vetëm atë që ka mes shalëve dhe se armiku i shqiptarëve qënka lideri i opozitës. Kështu bënte edhe Enveri çdo dy a tre vjet, shpallte dhe demaskonte nga një armik. Dhe shqiptarët urra. Sot në detin e Shqipërisë, madje në kufijtë e shqiptarëve kushdo mund të demonstrojë forcë. Patrioti ynë kujton se mbrohet vendi me shallvaret e tija. U zgjata ca Milaim, por desha të them se ne shqiptarët kemi nevojë për tjetër gjë. Energjitë t’i harxhojmë atje në Hagë. Madje edhe buxhetin…, sa boll na ndanë motet e krriçat si ky. Boll na ndau propaganda, e kunjat e shkrepseve. Kemi nevojë për njëri-tjetrin, të shkojmë e të na vini, kemi nevojë për ekonomi të fortë, rrugë të afaltuara, të hekurta. Kemi nevojë për tekste të përbashkëta të paktën në gjuhën amtare. Kemi nevojë për krushqi, dasma. Kemi nevojë për shkolla fetare se jemi bërë sirianë, turq, arab, irakenë, kurd, e veç shqiptarë jo. Se na qorton poeti Esad Mekuli kur thotë, për kë u rrita o bij? Kemi nevojë për spitale e t’i gjëndemi njëri-tjetrit si më 1999. Si më 2019-ën në tërmetin fatkqe. T’i gjendemi edhe sot me ekipe mjekësh, ashtu sikur iu ofruam edhe Italisë. Dhe mbi të gjitha kemi nevojë për ushtri solide. Jo për kallamoq misri të parruar si ky e shpura e tij, që po na ndajnë me gjallje, siç na ndau Enveri. Jetë e shëndet vëlla.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Leter Milaimit

NJË FRYMË E RE ANTI-SOCIALISTE/ANTI-KOMUNISTE NË KONGRESIN E ARDHËSHËM TË SHBA

November 15, 2020 by dgreca

  Nda Frank Shkreli- Është një fenomen i ri dhe interesant i zgjedhjeve të fundit këtu në Shtetet e Bashkuara për të cilin po flitet pak ose aspak, pasi të gjithë janë përqëndruar në zgjedhjen e presidentit.  Mundt ë jem gabim, por për herë të parë në histori, në Kongresin e ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara — të dalë nga zgjedhjet që posa u mbajtën këtu në Amerikë – siç duket do të formohet një grup anti-socialist/anti-komunist kongresistësh të rinjë.  Sipas lajmeve në media, ndër kongresistët e rinjë të Partisë Republikane që fituan në zgjedhjet e 3 Nëntorit janë edhe dy anëtarë të cilët kanë lindur dhe janë rritur nën socializëm/komunizëm: Carlos Gimenez, tani përfaqsues i shtetit Florida, i lindur në Kubë dhe Victoria Sparts e lindur në Ukrainë si dhe dy kongresiste të reja republikane, me prindër të ardhur këtu, nga Kuba: Nicole Malliotakis dhe MaElvira Salazar – përfaqësuese të reja republikane në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Si shembuj të këtij fenomeni të ri politik, po paraqes për lexuesit — në profil të shkurtër — dy femra të reja, kongresistën Victoria Spartz nga shteti Indiana e lindur në Ukrainë dhe Nicole Malliotakis nga Nju Jorku, nëna e të cilës ka lindur në Kubë. Këto janë dy nga 35 femërat republikane që do të shërbejnë në sesionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, që fillon punën me 20 Janar, 2021, duke sjellur, kështu, edhe njerëz të rinjë që zgjidhen për herë të parë në Kongresin amerikan. 

Nicole Malliotakis, nëna e të cilës ka lindur në Kubë do të jetë një prej 10 anëtarëve që e konsiderojnë veten kubano-amerikanë, në Kongresin e ardhëshëm të Amerikës.  Deputetja e re tha për median amerikane se në fushatën e saj për Kongres, ajo pati mbështetjen e Senatorit Mark Rubio dhe të Kongresistit Mario Diaz-Balart, të dy kubano-amerikanë nga shteti Florida dhe se njihet due është në kontakt gjithashtu edhe me kubano-amerikanë të tjerë, të posa zgjedhur në Kongres.  Ajo u shpreh se këta anëtarë të Kongresit do të formojnë, “Grupin Kuban” të interesit, ose (Cuban Caucus). “Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh ajo, “sepse kubano-amerikanët dinë më shumë se çdo kush tjetër se çdo të thotë të jetosh nën komunizëm e socializëm dhe janë mjaft vigjilent ndaj individëve që dëshirojnë të na mohojnë liritë individuale dhe të na çojnë në rrugën drejt socializmit.  Zërat tonë do të jenë me rëndësi dhe do të formojmë një grup anti-socialist në Kongres”, për të kundërshtuar idetë e përfaqësuesve të majtës ekstreme demokrate në Kongres, ka thenë kongresistja e re republikane nga Nju Jorku, Nicole Malliotakis për rrjetin televiziv Fox. 

Ajo shtoi se ka familjarë të saj që ende jetojnë në Kubë, ndërsa thekësoi se ajo i njeh shumë mirë shtypjet (e regjimit komunist atje) nën të cilat ata jetojnë në atë vend komunist prej dekadash.  Ajo thekësoi gjithashtu se për të, si bijë e një refugjati kuban, Shtetet e Bashkuara, “Duhet të bejnë çdo gjë që të jetë e mundur për të vazhduar që Amerika të jetë gjithnjë udhëheqëse e botës së lirë, për të promovuar lirinë dhe demokracinë, kudo në botë.” 

Nicole Malliotakis

@NMalliotakis

We have quite a few Republican Members in the new class who are either children of those who escaped socialism/communism or fled themselves like 

@CarlosGimenezFL

who left Cuba 60 years ago today. We will work together to preserve freedom, opportunity & the American Dream 

”Do të punojmë së bashku për të ruajtur lirinë, mundësitë më të mira për jetesë dhe Ëndërrën Amerikane”

11:34 AM · Nov 13, 2020·Twitter for iPhone

Aktualisht, nënvijoi kongresistja e ardhëshme republikane në Kongres, është kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez me “brigadën” e saj socialiste, e quajtur “Squad”, por tani ne kemi individë me prejardhje dhe përvoja të ndryshme – shumë prej të cilëve janë arratisur nga komunizmi/socializmi, e të cilët janë ashtu si edhe unë që jam bijë e një refugjati kuban, tha ajo. Do të jemi ne, ata të cilët do të themi — bazuar në përvojën tonë ose të familjeve tona — se pse socializmi është një sistem i keq dhe, njëkohësisht, do të luftojmë për të mbrojtur liritë tona dhe për të ruajtur sistemin kapitalist i cili siguron punësime dhe mundësi të reja”, tha ajo në një intervistë pas fitores së saj.

Këta kongresistë të ri republikanë janë imigrantë nga Korea, nga Kuba dhe nga Ukraina, ndër të tjera vende, të cilët do sjellin në Kongresin amerikan përspektivat, alternativat dhe qëndrimet e tyre anti-komuniste dhe anti-socialiste, u shpreh ajo.

Disa prej antareve dhe antarëve të rinjë republikanë, që fituan në zgjedhjet e fundit, duke zvogëluar numrin e shumicës së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan

Nga kongresistet e reja republikane bie në sy sidomos, Victoria Spartz, e lindur në Ukrainë, ardhur në Amerikë para 20-vitesh, dhe e cila mishëron atë që cilësohet si “endërra amerikane”.  E lindur dhe e rritur në një vend socialist/komunist si Ukraina, ajo ka përjetuar personalisht anën e errët të socializmit. Si pasojë e asaj përvoje, ajo ka adaptuar në Amerikë një filozofi politike konservatore, sipas të cilës një qeverisje e kufizuar është gjithmonë më e mirë për qytetarët, ndërkohë që vendimet financiare, ekonomike dhe shëndetësore duhet të merren nga vet individët, në një treg të lirë dhe jo nga burokratët dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Pllakat fushate e Kongresistes së re republikane Victoria Spartz nga shteti Indiana, por e lindur në Ukrainë – “Luftë Socializmit” – me moton: E Kualifikuar, e Sprovuar, Konservatore

Gjatë punës së saj në Legjislaturën e shtetit Indiana, Kongresistja e re republikane njihej si një konservatore fiskale që mbështet kufizimet e pushteteve të qeverisë mbi qytetarët, si një grua e cila nuk ka frikë të trajtojë çështje të vështira dhe në përgjithësi të sfidojë status-quo-në.  Në profilin e saj thuhet se ajo ka luftuar për të shfuqizuar rregulloret e panevojshme qeveritare, për të reformuar kujdesin shëndetësor, për të përmirësuar rezultatet arsimore, për të mbrojtur të drejtat e pronës private dhe për të sjellë transparencën dhe llogaridhënien për qeverinë e shtetit Indiana. Victoria Spartz është aktive në komunitetin e saj lokal, ku thuhet se ka sponsorizuar, vullnetarisht, kauza të shumta bamirësie dhe ka ndihmuar shumë fushata politike të Partisë Republikane në qarkun zgjedhor ku jeton, të cilin tani do e përfaqësojë në Kongresin amerikan.

Duket se edhe në Senatin amerikan është përhapur kjo frymë anti-socialiste/anti-komuniste në vend. Kandidatja e Partisë Republikane për në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Kelly Loeffler, në portalin e saj u premton qytetarëve të shtetit jugor të Amerikës, Xhorxhia se ajo “NUK DO TË LEJOJË KURRË QË AMERIKA TË BËHET SHTET SOCIALIST”.  Zgjedhjet e posaçme për në Senat në shtetin Xhorxhia do të mbahen në janar 2021 – zgjedhje nga të cilat do të varet edhe nëse Partia Republikane fiton një shumicë të ngushtë në Senat, dhoma e epërme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.  

Mbetet për tu parë, nëse kjo frymë e re anti-socialiste/anti-komuniste e grupit të rinjë të legjislatorëve të posa zgjedhur republikanë në Kongres, do të këthehet ose jo në vepra konkrete për të luftuar prirjet socialiste të krahut të majtë ekstrem të Partisë Demokrate, të promovuara nga ish-kandidati demokrat për president, Senatori Bernie Sanders i shtetit Vermont.

Por duke pasur parasysh se zgjedhjet në Shqipëri janë caktuar të mbahen prillin që vjen, ndërkohë që zgjedhjet në Kosovë duket se janë në “hava”, nuk mund ta përmbajë veten e të mos bëj pyetjen pse jo edhe në Shqipëri e në Kosovë? Pse pas 30-vjet post-komunizëm, kemi të njëjtat parti dhe të njëjtit politikanë që po e çojnë Kombin shqiptar drejt një gremine historike, ekonomike, politike dhe kombëtare duke shkaktuar, ndër të tjera tmere nga politikat e tyre të papërgjegjëshme, që jo vetëm, prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve, por po shkaktojnë edhe zbrazjen fizike, katastrofike të trojeve shqiptare. Pas tre dekadash, PSE në trojet shqiptare nuk ka individë ose grupe individësh që të dalin me ide dhe programe ose me alternativa të reja për t’u përballur me sfidat e mëdha, për të cilat jam i sigurt se të gjithë, pa dallim, e dinë dhe i ndjejnë në palc se janë reale dhe të frikshme për të ardhmen e shqiptarëve, nëqoftse vazhdohet kështu, anë e mbanë trojeve të tyre. KU është brezi i ri i shqiptarëve (djem dhe vajza që e duan Kombin) të pas 1990-tës, që nuk angazhohen për të shpëtuar të ardhmen e vet dhe të shqiptarëve në përgjithësi?  Shikoni fytyrat e reja dhe angazhimin në politikë të rinjëve dhe shumë të rejave amerikane, nga të dy partitë kryesore politike të vendit. Merrni shembull! Atdheu ju thërret, sot më shumë se kurrë!

 Kandidatja republikane nga shteti Xhorxha, për në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Kelly Loeffler

Kelly Loeffler

@KLoeffler

US Senate candidate, GA-Special

Our campaign has gained nearly 90k followers since Election Day. Georgians are rising up to REJECT socialism & save our country. Here’s my promise to the great people of Georgia: I WILL NEVER LET AMERICA BECOME A SOCIALIST NATION.

                      About Victoria Spartz.      . See the source image

Kongresistja e re amerikane Victoria Spartz nga Ukraina dhe Nicole Malliotakis me origjinë nga Kuba, pjesë e një grupi antarësh të rinjë republikanë që siç duket po sjellin një frymë të re politike në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

               ”Skuadra” është emri i femërave kongresiste të krahut të majtë të Partisë Demokrate, të zgjedhura dy vjetë më parë në Kongresin amerikan, të frymëzuara nga ideologjia majtiste e Senatorit demokrat, Bernie Sanders

See the source image

“Skuadra socialiste” e katër femërave kongresiste të krahut të majtë ekstrem demokrat në Kongresin amerikan

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Fryme antisocialiste, Kongres SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 328
  • 329
  • 330
  • 331
  • 332
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT