• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËLINDJEN E IBRAHIM RUGOVËS

December 2, 2020 by dgreca

Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë/

 Nga Frank Shkreli/

Më 2 dhjetor të vitit 1944, ka lindur Ibrahim Rugova, njëri prej themeluesve dhe ish-Kryetari për një kohë të gjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Ibrahim Rugova u rizgjodh me vota dërmuese kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb, në mars të vitit 1998.  Vdiq me 21 janar të viti 2006, u varros me nderime dhe pjesëmarrje të larta shtetërore dhe ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Sivjet po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të Kombit, jo me fjalët e mia, por me fjalët e tija: Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar me rastin e 28 Nentorit, të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së asaj kohe.  Titulli i shkrimit është, “Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968.

Për ata që mund të kenë harruar, e sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve – atëherë e sot — të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe gjithnjë nuk duan të njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të Kombit shqiptar – duhet kujtuar se viti 1968 – kur është shkruar artikulli — ishte një periudhë e rendë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme – ndoshta ndër datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.

 Ishte viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, demonstrata që fillimisht shpërtheu në Prizren me 6 Tetor, 1968, e që më vonë u përhapen anë e mbanë duke kërkuar të drejtën e përdorimit, lirisht, të flamurit kombëtar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës.  Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtetë një kryengritje popullore e shqiptarëve që shkundi nga themelet regjimin komunist jugosllav të asaj kohe, megjithse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi komunist jugosllav. Por demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në themelimin e universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të favorshme për shqiptarët, përfshir Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.

Ishte pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur Presidenti i ardhëshëm i Republikës së Kosovës shkruante artikullin “Për Pavarësinë Kombëtare” që po ju sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në Nëndor, 1968.  Më thenë të drejtën, mua nuk më habiti fare ky shkrim – pasi bazuar në aq sa e kam njohur Dr. Rugovën, ai ishte një atdhetar i pa lëkundur në mendimet e tija dhe në besimin e tij në vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar – siç kishte titulluar edhe shkrimin –çrej vitit 1968, pra.

“Viti 1912. Zgjedha otomane  zenë të hiqet.  Ketë e benë ata që me shekuj ndien peshën e saj, peshën e saj të ndyet çkombtarizuese, vëllavrasëse due coptuese. Edhe toka e Memdheut eshte e zgjuar. S’duron më kë,mbën e ndytë poshtëronjese që fikte njomsitë pa lindë fare. Bota dëgjon për ketë. Ballkani ushton. Trimat ende, në të gjitha anët…”, shkruante ndër të tjera Ibrahim Rugova në nentor të vitit 1968.

Ndonëse shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave në Kosovë është kollaj të shihet se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet “kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëherëshme të shqiptarëve nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “…nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë, që i çoi në këmbë prore shpirtrat tonë të djegur për tokën e strëgjyshorëve. S’u harrua porosia e stërgjyshëve. E shpurrëm mëtej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi ketë tokë të dashur…”

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, ka thenë Ibrahim Rugova. Ata që e kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën gjatë viteve, besoj se e dinë se Dr. Rugovës mund t’ia prisje kokën, por mendimet e tija nuk mund t’ia ndryshonin kurrrë. 

Ky shkrim më poshtë, është edhe një provë tjetër për këtë thënje. Lexim të këndërshëm.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Ditelindja e Rugoves, Frank shkreli

DEMASKIMET PUBLIKE NE GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

November 29, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA 

DEMASKIMET PUBLIKE NW GRABIAN SHPREHJE MIZORIE E REGJIMIT

Një problem i përgjithshëm në tërë këto vite të gjata internimi mbeti për ne çështja e strehimit. Nuk mbaj mend gjatë gjithë jetës sime të kem patur një shtëpi sado modeste, por të mjaftueshme. Në Grabian na kishin dhënë një dhomë e një aneks në katin e dytë, pa kuzhinë, pa banjo, pa një vënd ku mund të derdhej një pikë ujë. Gatuanim përjashta në shi e diell, ndërsa banjon e bënim në fund të shkallëve, në një korridor me lartësi pesë metra. Merren me mënd problemet e nevojshme personale të njeriut të sëmurë, të plakut, të fëmijëve, gruas me një WC që ishte në rrugë njëzetë – tridhjetë metra larg  derës së apartamentit.

Janë të paimagjinueshme për një qytetar të botës së kompjuterave kushte të tilla primitive inkomoditeti, ndofta shumëkush nuk do t’i besojë. Fatmirësisht e vërteta është e gjallë dhe kushdo mund t’i vërtetojë me sytë e tij po të marrë mundimin të vizitojë Grabianin. Këto shtëpi dykatëshe të

projektuara në Bullgari për familje bujqësore, ishin llogaritur për një familje, lart e poshtë. Por Partia e Pushteti “popullor” mendonin se hapësira e madhe në banesë mund të kultivonte individualizmin borgjez, me gjithë pasojat e tij të dëmshme në formimin e njeriut të ri. Prandaj duheshin mbajtur njerëzit sa më të shtrënguar me njëri-tjetrin, që “uniteti” rreth partisë të ishte më i madh…. Kështu që në një hyrje futeshin dy familje, me të gjitha pasojat që një pjesë e mirë, jo vetëm e të internuarve, por edhe e shumë qytetarëve të lirë i ka shijuar vetë. Në sektorin e Gradishtit, xhaxhai im për vite me radhë e kishte kthyer dritaren e vetme të dhomës së vetme në derë. Një palë shkallë nga jashtë e nga brënda shërbenin për të hyrë e për të dalë. Aty një herë natën, gjyshja e shkretë u rrëzua e theu dorën. Në këtë mënyrë plotësoheshin kërkesat e strehimit në një vend ku vilat e udhëheqësve janë proverbiale, ku harxhohen dyzetë milion dollarë për një muze e ku miliarda lekë groposen në tokë në trajtën e kupolave…

Në kushtet e mia familjare në ato vite, problemin e fjetjes e zgjidha duke ndërtuar dy shtretër prej dërrase me dy kate, ku flinin dy vajzat e vogla dhe nëna me babanë. Pra e ktheva shtëpinë në kazermë ushtarake, duke vënë në jetë parullën e famshme “I gjithë populli ushtar”. Kërkesës së përsëritur disa herë, për të ndërtuar përpara shtëpisë një kuzhinë me kallama e baltë, kryetarja e këshillit popullor, “shoqja” Nurie, një personifikim i koncentruar i së keqes njerëzore, i përgjigjej negativisht me pretekstin se prishej pamja e pallatit, ndërsa vetë “zonja” e ndërronte hyrjen sa herë që bëhej ndonjë pallat i ri. U gjend më në fund kryetarja e këshillit të bashkuar, që na njihte që në Pluk, se e kisha patur brigadiere, që dha urdhrin e shumëpritur prej vitesh, për të ndërtuar një kasolle që do të shërbente si kuzhinë e si vend gatimi dhe dhomë fjetjeje për prindërit. Kështu u zgjidh dhe problemi i strehimit në Grabjan.

Jeta në interrnim në vitet 80 ishte një torturë e vërtetë. Për çdo nevojë, që të dilte jashtë sektorit, duhej të merrje leje në Degën e Punëve të Brëndshme, madje duhej të shoqëroheshe nga polici, qoftë dhe kur do të shkoje tek mjeku. Tek xhaxhai im që banonte në sektorin e Gradishtit, një

orë e gjysëm larg nuk kam mundur të shkoj për vizitë as një herë në gjashtë vjet. Tek familja e gruas kam shkuar dy herë për vizitë, një herë kur vjehrri ishte sëmurë dhe të dytën kur vdiq. Simbas rregullores që na lexohej herë pas here, vetëm për vdekje të njerëzve të afërm ose për vizitë mjekësore tek specialisti mund të jepeshin leje. Kjo ishte “vazhdimësia” ramiziane, trampolina nga do të hidheshim drejt Evropës.

 Akoma më e rëndë se rregulloret ishte atmosfera terrorizuese, që rëndonte mbi ne për vite të tëra. Ne ishim tabela e qitjes në çfarëdo mbledhje, një gogol që mbahej më këmbë për të trembur zogjtë që të mos hanin farën. Në sytë e popullit të thjeshtë ne servireshim si njerëzit më të këqinj, armiqtë, ata që mundoheshin ta përmbysnin pushtetin popullor, ata që s’e duan Partinë dhe Enver Hoxhën, ata që mund të helmojnë depot e ujit, mund t’i vënë zjarrin stallave apo lëmit, ata që mund të sabotojnë prodhimin duke prerë bimët gjatë prashitjes së tyre, që mund të thajnë bimë nga përmbytja me ujë, që mund… e ky mund zgjatej në pafundësi duke vërtetuar “gojtarinë” e kuadrove të Partisë që i predikonin këto gjëra. Kështu tek shumica që s’mendonin me kokën e tyre, por i besonin verbërisht për një arsye apo për një tjetër propagandës partiake, krijohej urrejta që shfaqej pastaj në shumë drejtime. Ajo shprehej me izolimin e plotë, askush nuk guxonte të hynte e të dilte në shtëpi për çfarëdo rasti, fatkeqësie apo gëzimi, madje ka akoma komunistë që nuk na thonë as mirëmëngjes, megjithëse kemi mbi dhjetë vjet që banojmë në të njëjtën lagje. Madje dhe në fushë, kur uleshim për të ngrënë drekë, nuk duhet të ishim pranë njëri-tjetrit. Çdo fjalë e jona keq interpretohej dhe i raportohej operativit të Sigurimit ose sekretarit të Partisë, që nxitonin t’a përcillnin “lart”. Mbikqyrja ishte e pandërprerë, në format më të ndryshme e në çdo çast; nuk mungonin dhe provokimet e shumëllojshme nga brigadierë apo njerëz të ngarkuar me këto detyra.

Për të qenë objektivë duhet të them se jo të gjithë kuadrot e komunistët i përqafonin dhe i zbatonin me zell këto metoda e porosi. Ndershmërisë dhe korrektësisë së tyre duhet t’u japim meritën që i takon me kënaqësinë që sjell mendimi se jo të gjithë denigruan moralisht e u bënë leva të diktaturës.

Lufta e klasave dhe terrori policor merrnin tonet e tyre më të larta në të ashtuquajturat “demaskime politike”, që herë pas here, në vartësi të gjëndjes politike të Vendit organizoheshin nga komiteti i partisë së rrethit në bashkëpunim, ose më mirë të themi me orientim të Degës së Punëve të Brendshme. Në këto mbledhje demaskimi, ishin të detyruar të shkonin të gjithë. Proçedura e tyre ishte stereotipe. Në fillim e hapte mbledhjen sekretari i Partisë i sektorit dhe ia jepte fjalën të deleguarit të komitetit të Partisë së rrethit, që fillonte paraqitjen  e tij. Këto ishin çaste cfilitëse për të gjithë ne, sepse e dinim se nga një çast në tjetrin mund të na thirrej emri për të dalë përpara sallës. Ishte përshtypja sikur një shpatë e padukshme vërtitej nga duar të panjohura mbi kryet e gjithë “të deklasuarve” për të goditur njërin apo tjetrin. Kush e kishte radhën? Të gjithë me zemër të ngrirë ishim si ata lojtarët në ruletë që presin se në ç’numër do ta ndalojë fuga lëvizjen e saj.

Kjo manovër djallëzore ishte taktika e drejtuesve të mbledhjes. Mbasi fliste disa fraza mbi punën e stinës dhe “sukseset madhështore të popullit nën udhëheqjen e Partisë” i deleguari afrohej tek momenti i ankthshëm kur zbulonte se x ose y, ishin në radhët tona armiq dhe njerëz që mundoheshin “të villnin vrer apo t’i kundërviheshin atmosferës revolucionare që mbizotëronte…”.

Më vjen ndot, tani që shkruaj këto radhë, duke kujtuar ato mbledhje famëkeqe, një nga shpikjet më të ndyra e më barbare të organeve të dhunës, shkeljet më flagrante të personalitetit njerëzor e të drejtave të njeriut. Sapo i thirrej emri, njeriu i gjorë duhet të dilte para sallës plot e të qëndronte në këmbë për orë të tëra. Atëherë fillonte akt -akuza e bazuar krejtësisht mbi gënjeshtra të spiunëve ose hamendje të oficerëve të Degës. Këto servireshin me petkun partiak, mbrohej vërtetësia e tyre me frazën bajate “A gënjen Partia?”, një tjetër provokim i hapur i makinës së pushtetit karshi individit të pambrojtur. Mbasi mbaronte akt-akuza, që fillonte me biografinë stërgjyshërore e të farefisit e vinte deri në ditët e fundit me fjalët apo veprimet e të pandehurit, fillonte breshëria e diskutimeve nga populli që përfaqësohej këtu nga disa persona të ulët, pa karakter e servilë.

Është interesante se në të gjitha këto demaskime, në të cilat kam marrë pjesë pa më rënë në kokë personalisht, kam parë gjithmonë të flasin pothuajse të njejtët persona, sigurisht të trajtuar e të indoktrinuar nga padronët e tyre. Motivet e veprimeve të tyre duhen kërkuar në shumë shkaqe, përfitime materiale apo mbulim veprimtarie keqbërëse, karrierizëm pa skrupull e fanatizëm partiak, padije e sadizëm. Në fjalorin e tyre shpaloseshin të gjitha: besnikëria ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës; salla buçiste nga duartrokitjet, me to detyrohej të bashkohej dhe i pandehuri në këmbë. Vazhdonin shpifjet, talljet, mallkimet, propozimet për transferimet në zonat e thella malore, për dhënie gjyqit, për rrahje, pështyrje e deri në dënime kapitale. Por këtu ndërhynte i deleguari ose sekretari, të cilët si përfaqësues të “zemërgjerësisë” së Partisë sqaronin se vullneti i masës së popullit ishte mbi gjithçka, por se Partia nuk dashkërka të dënojë njerëz, por të “edukojë”.

I bukur edukim, ç’frazë mizore e luajtur pa turp mbi shqiptarët e thjeshtë! Ka pasur raste që është kaluar në tepri të paimagjinueshme e të pabesueshme për një qytetar të Evropës së sotme.  Familja Tase mbas një demaskimi të tillë, vetëm sepse një pjesëtar i saj nuk përlasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njerëz, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një betejë mes një turme të egërsuar e një familjeje të urtë, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që qe e pranishme në ato skena pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

Ishin këto disa nga aspektet e dhimbshme të viteve të internimit deri më 1990, kur demokratizimi e hoqi këtë praktikë, sa të shëmtuar e të panevojshme, aq edhe të padrejtë e të paligjshme në aspektin juridik.

Arbitraritet dhe dhunë, kjo qe fytyra e vërtetë që tregoi ndaj nesh Shteti socialist shqiptar për dhjetëvjeçarë të tërë… Kjo qe e shkuara që e mbajtëm mbi supet tona që sa lindëm e deri tani që flokët na u zbardhën e jeta filloi të tatëpjetën drejt fundit të pashmangshëm.

A ishte i drejtë ky qëndrim, a mban përgjegjësi kush për jetën tonë të shkatërruar, për gjymtimin tonë fizik e shpirtëror, pasojë e kësaj jete, a arrin dot ta kuptojë në tërë përmasat e saj tragjedinë tonë Evropa e qytetëruar?

Ç’mund të bëhet për ne që humbëm aq shumë në këtë luftë të pabarabartë me një makinë të përbindshme që shkeli mizorisht ëndrrat dhe iluzionet tona mbi jetën, këtë dhuratë të madhe të Krijuesit? A do të ketë ngushëllim dhe ripërtëritje  për ne që u transformuam në kufoma të gjalla, pa i pasur borxh askujt, asnjë fije floku? A do të ketë vënd për ne në një shoqëri që thuhet se po rindërtohet e në një botë që synon drejt së mirës, drejt zhdukjes së diktaturave?

Dhjetëra pyetje godasin pa mëshirë trurin e lodhur që kërkon qetësi në këtë çast bilanci e përkundet në mirazhin e së ardhmes ku hedh shtat pema e bukur e shpresës se fëmijët e mi nuk do të pësojnë në jetë ato që pësova unë.

Grabian, Qershor 1991                                                                                        

Fund

Filed Under: Politike Tagged With: Demaskimet, Eugene Merlika

Si fillon rruga e kombit?

November 26, 2020 by dgreca

Shkruan:Astrit LULUSHI/

Xhorxh Uashinton, Presidenti i Parë i ShBA-së, në Proklamatën e tij të Parë të Falënderimeve para Kongresit më 3 tetor 1789/

“” … dhe Ndërsa të dy Dhomat e Kongresit kanë kërkuar që t’u rekomandoj njerëzve të Shteteve të Bashkuara një ditë falënderimesh dhe lutjesh publike, për t’u vëzhguar duke pranuar me zemra mirënjohëse shumë sinjale favorizuese të Zotit të Plotfuqishëm, veçanërisht një formë të qeverisjes për sigurinë dhe lumturinë e tyre. Tani, pra, unë rekomandoj dhe caktoj të enjten, ditën e 26-të nëntorit, që t’i kushtohet shërbimit të asaj Qenieje të madhe dhe të lavdishme, i Cili është Autori i mirë i të gjitha të mirave që ishin, ose do të bëhen … që ne të gjithë të bashkohemi duke i dhënë Atij falënderimet tona të sinqerta dhe të përulura për kujdesin dhe mbrojtjen e Tij të mirë të njerëzve të këtij vendi para se të bëhej komb … Dhe gjithashtu që ne pastaj të bashkohemi në dhënien më me përulësi me lutjet tona Zotit të Madh dhe Sundimtarit të Kombeve, dhe t’i lutemi që të falë shkeljet tona kombëtare dhe të tjera … që t’i japë Qeverisë sonë Kombëtare një bekim për të gjithë njerëzit duke qenë vazhdimisht një qeverisje e ligjeve të mençura, të drejta dhe Kushtetuese, në mënyrë diskrete dhe me besnikëri dhe të bindur … dhe për të promovuar njohuritë dhe praktikat e fesë dhe virtytit të vërtetë, dhe rritjen e shkencës midis nesh … dhënë nën dorën time në Qytetin e Nju Jorkut, ditën e 3 të Tetorit në Vitin e Lordit Tonë 1789.”

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, dita e Falenderimeve, George Washinton

UDHËHEQËSIT QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN

November 25, 2020 by dgreca

Redaktuar dhe Përkthyer nga Rafaela Prifti/

Në historinë e Amerikës nuk ka pasur president tjetër që të refuzojë për një kohë kaq gjatë të njohë rezultatet e një zgjedhjeje ku është e qartë se ka humbur. Kur është fjala për version alternativ të realitetit, zoti Trump ka plot shokë jopresidencial. Ndërsa vendi mediton rastin e bujshëm të Donald Trumpit, presidentit që nuk pranon se e kanë nxjerrë nga puna, atë mund ta krahasojmë me një sërë personazhesh dhe individësh që nuk kanë dashur të pranojnë momente jo të mirëpritura në jetën e tyre personale dhe profesionale.  

Në vitin 1873 Guvernatori republikan i Teksasit Edmund J. Dejvis refuzoi të largohej nga zyra pas humbjes së zgjedhjeve duke thënë se mandati i tij nuk skadonte edhe për pas disa muaj. Ai ngriti një barrikadë në hyrjen e ndërtesës së parlamentit nga ku nuk donte të lëvizte. Guvenatori i zgjedhur dhe ekipi i tij vunë një palë shkallë dhe hynë nga dritaret për të filluar punën në katin e sipërm të ndërtesës. Rasti tjetër është Hiru Onoda, oficeri i lartë i Ushtrisë Perandorake Japoneze, i cili pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, qëndroi në xhungël në gatishmëri luftarake për 29 vjet derisa vajti eprori i tij tashmë i plakur dhe e anuloi urdhërin e mëhershëm për të mos u dorëzuar. Një vit më parë, në 2019 ishte rasti i qeverisë së Moldovës që vendosi të mos i hapte rrugë qeverisë së re gjë që çoi në një situatë të komplikuar, ku të dyja grupet deklaronin se ishin në krye të vendit. “Ngërçi” u tejkalua kur ish-kryeministri me inat e liroi postin i përballur me presion nga jashtë të ushtruar nga ndërkombëtarët si edhe me zemërim të popullit nga brenda vendit.    

Në Amerikë transferimi i pushtetit ka qenë një kalim paqësor i kompetencave i kryer sipas një procedure të caktuar. Por historia botërore ka plot shembuj të diktatorëve dhe tiranëve që kanë përdorur mënxyra për të ruajtur pushtetin. Historia ka shembuj të autokratëve që nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve të lira. Ka shembuj kur ata eliminojnë fare mandatet dhe rrinë në fuqi pafund. Ka shembuj kur ata burgosin, vrasin ose zhdukin kundërshtarët e tyre politik. Siç ka edhe nga ata që i praktikojnë të gjitha këto metoda së bashku.

   Zoti Trump ka folur me simpati për të paktën një prej tyre, për shembull kur tha se atij “mbase i takonte një mandat i tretë” duke u nisur nga “mënyra sesi na kanë trajtuar.” Këto ai i ka deklaruar përpara se të humbte zgjedhjet. Përdredhjet e lajmeve që dalin nga Shtëpia e Bardhë,  përngjasin me tymin e duhanit nga ku shfaqen sinjale se këshilltarët e presidentit dhe familjarët po provojnë disa forma psikologjike që Presidenti Trump ta kuptojë se është “pensionuar”, ndërkohë që sjellja e presidentit i përngjet më pak një puçi dhe më tepër një episodi të stërzgjatur hidhërimi të një fëmije të llastuar. 

Shumë anëtarë të legjislaturës republikane që e kanë neveri ta mërzisin zotin Trump, po ndihmojnë të ushqejnë iluzionin për pushtetin e tij. Por kjo ka një paralele në jetën e familjes së Trumpit. Kur babai i tij, Fredi, u sëmur me Alzheimer, familiarët thuhet se ranë dakort që ta linin patriarkun të mendonte se ishte ende drejtuesi i organizatës Trump. Revista Vanity Fair shkruan se plaku dilte për ditë në punë ku i jepnin të firmoste letra të bardha ndërsa telefonin e zyrës ia kishin lidhur vetëm me linjën e sekretares së tij. 

Disa rrjete mediatike simpatizuese të krahut të djathtë si edhe shumë nëpunës republikanë refuzojnë të pranojnë se Xhozef Biden është zgjedhur president. Miliona amerikanë duket se i besojnë thënieve të zotit Trump se këto janë zgjedhje të vjedhura dhe se epidemia e koronavirusit që tashmë është përshkallëzuar, nuk paraqet problem serioz. Përkrahësit e tij marshojnë në rrugë për të protestuar rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk dihet se në ç’rrethana Trumpi do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Gazetari dhe adhuruesi i Trumpit, Geraldo Rivera paraqiste në Twitter një krahasim të presidentit me një kampion të peshës së rëndë, që e di se ka humbur por mbahet me dhëmbë në ring duke grushtuar për një shans të largët fitoreje. Përshkrimi i tij lirik: “ai do t’i përgjigjet tingullit të këmbanës duke kërkuar nokoutin që mbetet larg në horizont.”

Autori i librit “Narcisisti i Njohur: Mburoja ndaj Narcisistit Ekstrem në Kohën kur Universi Rrotullohet rreth Vetes”, Dr. Bruno shkruan: “Kur të jenë shteruar paditë ligjore kundër zgjedhjeve, ai do ta kalojë gjithë jetën duke këmbëngulur se sistemi bëri komplot që mos e linte të fitonte. Do gjej rehati tek fajësimi i të tjerëve, vetë-keqardhja dhe tek indinjata që i takon vetëm atij për t’i pasur ato si mbështetje të vetes në mënyrë që të zbrapsi ndjenjën e poshtërimit nga humbja.” 

Shënim: Ky është version i redaktuar i shkrimit të Sarah Lyall botuar në gazetën Nju York Tajms me titullin origjinal “Kur Liderët Nuk Ikin, Mësime nga Shekspiri te Dikens te “Sajnfeld” për Moslamtumirën e Gjatë të Presidentit Trump. (When a Leader Just Won’t Go, Wisdom from Shakespeare to Dickens to ‘Seinfeld’ on President Trump’s long non-goodbye)

Filed Under: Politike Tagged With: QË NUK LËSHOJNË PUSHTETIN, Rafaela Prifti, UDHËHEQËSIT

LUFTA E UÇK E DREJTË

November 23, 2020 by dgreca

— GJYKATA SPECIALE SPEKTAKËL ME ARRESTIMET. TË HETOHET SERBIA/

Komandanti i UÇK Faton Klinaku, me detyrë Sekretar i OVL dhe aktualisht ushtrues i detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Republikën e Kosovës, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën spektakël me arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit dhe të luftës. Gjykata Speciale sipas Komandant Klinakut si fillim duhet të gjykojë masakrat dhe genocidin serb në Kosovë. 

ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS TË PAPRANUESHME

Gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën nga drejtësia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it. Nisur nga fakti se ata i janë përgjigjur çdo herë drejtësisë, arrestimet janë të papranueshme dhe i konsiderojmë vetëm spektakle mediatike të Prokurorisë. Ky është një akt i rëndë në dëm të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të shtetit tonë. Kjo është goditje ndaj luftës sonë për liri dhe pavarësi. 

EVROPA NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Natyrisht që është një padrejtësi e madhe që na bëhet si popull, për shkak se është absurde të ndiqen e gjykohen ish-luftëtarët e UÇK-së, para se të ndiqen e gjykohen krimet dhe masakrat deri në genocid, të shkaktuara nga serbët dhe Serbia pushtuese në Kosovë. Nuk është vetëm faji i Evropës këtu, por faj kanë edhe politikanët tanë, e sidomos deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 2015 kanë pranuar të miratojnë një Gjykatë Speciale një etnike. Kjo gjykatë është e papranueshme dhe ne nuk do ta njohim asnjëherë. Kosova nuk ka bërë krime në Kosovë, Serbia ka bërë një genocid dhe krime monstruoze në popullsinë e pafajshme. Ata që duhet të japin llogari janë serbët që vranë, jo ne që mbrojtën lirinë, atdheun e familjet tona. 

AKUZAT NDAJ UÇK VIJNË NGA SERBIA

Në bazë të asaj çka kemi parë në aktakuzën e ngritur nga prokuroria në Hagë, janë akuza të përkthyera nga prokuroria për krime lufte e Serbisë, janë akuza banale sepse shumica e tyre bazohen në procese gjyqësore që i ka trajtuar më herët drejtësia ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës dhe drejtësia e UNMIK-ut e EULEX-it në Kosovë. Akuzat janë të pavërteta dhe të pabazuara në prova. Këto akuza kërkojnë baltosje dhe përçarje. 

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN

Kjo që po bën Gjykata Speciale është e turpshme dhe e papranueshme. Barazimi i agresorit me viktimën, përveç që është e rëndë, lirisht mund të themi se në rastin tonë po përndjeket viktima e po harrohet agresori dhe kjo në vetvete përbën edhe krim të drejtësisë. Një drejtësi e padrejtë. Kjo është kryekëput një shëmti e ndyrë. 

REAGIMI I QYTETARËVE NDAJ ARRESTIMEVE 

Situata në Kosovë është e brishtë si në aspektin politik por edhe në atë të sigurisë, sidomos pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së. Ndaj këtyre arrestimeve, shohim shumë reagime të njerëzve që nuk pajtohen me akuzat dhe gjykimet nga Gjykata Speciale. Këto ngjarje kanë shkaktuar shumë trishtim dhe tension. Është e rëndë kjo që i ka ndodhur shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një padrejtësi e rëndë dhe ofendim ndaj luftës së pastër dhe të drejtë të UÇK.

GJYKATA SPECIALE NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve, i kemi drejtuar kërkesë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për çështjen e skadimit të mandatit të Gjykatës Speciale dhe presim nga ta që ta dërgojnë këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, sepse kështu siç po vepron është Gjykatë e jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese. Një gjykatë me mandate të skaduara do të thotë se është në shkelje të ligjit çdo veprim apo gjykim që vjen prej saj. 

Filed Under: Politike Tagged With: Faton Klinaku, Sokol Paja, uck

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 327
  • 328
  • 329
  • 330
  • 331
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT