• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBILLNI NJË PEMË NË VEND TË DEKORATAVE TË SHPËRNDARA NËPËR SHQIPËRI,KOSOVË E DIASPORË…

September 3, 2020 by dgreca

      Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”,”Kalosi i Skenderbeut”…

.Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare apo të mungesës së ftesës të familjeve të anëtarëve të Bandës?!!!

–Presidentit të Shqipërisë: zotit Ilir Meta & Presidentit të Kosovës: zotit Hashim Thaçi-
Nga Sami Mulaj-

Dhe të  gjithë institucioneve që japin dekorime e vlerësime për personalitete e figura të komunitetit e të mbarë Botës e shoqërisë shqiptare.
 Mbillni një Pemë, ju lutem!
 U njoha këto ditë me ceremoninë e dekorimit të  bandës Vatra a dhe të  dekorimit të ish presidentit të Shqipërisë Rexhep Mejdani …U bënë lajm  në media si pjesmarrja e të gjithë krahëve të politikës shqiptare si në Shqipëri dhe nga Kosova. Pa dyshim vlerësim shumë I merituar për Vatrën e Bandën e saj, vlerësim dhe për shtetarin dinjitoz ish presidentin Mejdani.
Ekrani dhe gazetat me pamje e figurë paraqesin takimet e  buzëqeshjet  e pjesmarësve në koktej dhe vetëm kaq.
 …Pas kësaj bujë rutinë çfarë mbeti?!
Edhe një emër më shumë në listën e dekorimeve, edhe një kornizë më shumë në muret e dhomave a të zyrave të të dekoruarve (!) dhe vetëm kaq.
 Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”.
Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare?!!!
 Përsëri  kjo do të vazhdojë, është e kuptueshme për kulturën tonë, e për traditën tonë. Nuk do ta tejkalojmë aq shpejt e as lehtë mentalitetin e të “madhit e të parit të oxhakut “ por duhet të përpiqemi e të mësojmë se si të tjerët e përdorin dekorimin e më të spikaturve në fushat e ndryshme të jetës.
 Shumë e thjeshtë, pa koktej e duartrokitje të mëdha, pa salla e pa përqafime “ Belulësh” e pa qefmbejtje ftesash… vendos një pemë në një park a pranë një rruge dhe thuaje me plot gojën: Pema e doktor Rexhep Mejdanit,i dekoruar me “Flamurin Kombëtar”, pema e Bandës Vatra, pema e… kështu me radhë për të gjithë dekorimet.
Ajo pemë do lëshonte lule, aromë të mirë për ambjentin e njerëzit për rreth, dhe Rexhep Mejdani do mbahej mend më gjatë nga brezat dhe….Banda e Vatrës, e Vatra e shqiptarëve  të Amerikës mbi 100 vjeçare do nguliteshin më thellë në memorien e shqiptarëve, si Krenari e vërtetë Kombëtare.
 Më shumë pemë, më shumë lule, më shumë bukuri në mjediset shqiptare do të ishin dekoratat më të mira për majat e personaliteteve shqiptare, që nuk I kanë munguar dhe nuk do ti mungojnë Kombit   tonë Shqiptar.


Filed Under: Politike Tagged With: Mbillni nje peme ne vend te Dekoratave, Sami Mulaj

E Kemi Presidentin që na duhet- DONALD TRUMP!

September 3, 2020 by dgreca

Nga Agustin Mirakaj*-

Jemi në vitet e zhvillimit të jashtëzakonshëm global ku Amerika, vendi i lirisë dhe garanti i ekuilibrit global, po sulmohet nga e keqja me emrin komunizëm. Shumë Shqiptarë në USA sot mjerisht i bashkohen të keqes (të majtës). Për këtë nuk mund të gjykoj sepse shumica e tyre erdhën në Amerikë duke gënjyer mbi të kaluarën, duke u qarë nëpër zyrat e emigracionit Amerikan si të vuajtur nga sistemi komunist.

Në të vërtetë këta individë me të kaluar të errët, ishin persekutorë të tmerrshëm. Cfarë kohe absurde, ku persekutori viktimizohet. Oficerë, pushkatarë, roje kufiri, bashkëpunëtorë të sigurimit, sigurimsa, hetues, torturues të njerëzve të pafajshëm, paturpësisht gënjyen mbi të kaluarën e tyre dhe në momentin më kyç (betimi) përpara se të merrnin pasaportën Amerikane. Dhe janë këta nostalgjikë komunistë që i bashkohen të majtës në Amerikë. Këto janë Shqiptarët që mbështesin plotësisht ideologjinë marksiste pavarësisht dështimeve dhe fatkeqësive që regjimet totalitare dhe ideologjitë komuniste u kanë sjellë popujve e kombeve. Amerika duhet të pastrohet nga njerëzit që përkrahin ideologji të tilla. Këta njerëz toksikë duhet të shkojnë nga kanë ardhur. Këta njerëz nuk e duan te mirën, këto e urrejnë të mirën dhe promovojnë regresin.

Pse vallë këto hije të liga që vijne nga vënde të errëta duan të fusin frymën e keqe e të sjellin errësirën? Sepse nga njerëz të errësirës, vetëm vepra të errësirës mund të presësh. Anarkia, dhuna dhe e keqja sdo kenë kurrë vend në Amerikë.

Sot, Presidenti Donald J. Trump ka nevojë për mbështetje dhe mbështetja duhet të vijë nga ne ( populli ) i cili e adhuron jetën, familjen, punën, Zotin, të mirën e progresin. Amerika është shteti që garanton lirinë e cila të jep mundësi të pa imagjinueshme në fusha të ndryshme të jetës. Shkollimi, formimi profesional, barazia para ligjit e bëjnë Amerikën vënd ideal për ëndrrat e cdo njeriu. Veçanërisht për popujt që kanë jetuar nën diktatur.

Vota për Donald J. Trump është e vetmja shpresë për të mos qenë të shtypur. Vota për Donald J. Trump është fitorja ndaj së keqes. Vota për Donald J. Trump është për Amerikën, për vendin ku drita kurrë nuk shuhet, për shpresën që nuk humbet kurrë. Lavdi Zotit, tashmë Amerika ka një President, të fuqishëm i cili lufton për secilin prej nesh, për të ardhmen e lavdishme dhe Atdheun e përbashkët.

Zoti e bekoftë vëndin e lirisë.

  • Kryetar i Deges se Vatres ne Manhattan, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Agustin Mirakaj, Donald Trump, E kemi Presidentin

SHQIPONJAT SJELLIN SHKENCËN NË SHQIP

September 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

25 MJEKË DHE PUNONJËS SHKENCORË SHQIPTARË BOTIM SPECIAL ANTI-COVID –

Të ndodhur përpara një periudhë të vështirë, ku projeksionet më serioze janë duke dëftuar një rritje potenciale të rasteve në muajt në vazhdim, ekipi Anti-COVID-19 i HEDA Albania , tashmë i zgjeruar me më shumë 25 anëtarë, nga më shumë se 35 institucione, spitale, organizata kërkimore shkencore, akademike, klinike dhe epidemiologjike (brenda dhe jashtë Shqipërisë), sjell për profesionistët shqipfolës të shëndetit për herë të parë një përditësim shkencor të standartit më të lartë dhe me peer-review në shqip, me mbi 50 ilustrime dhe skema sqaruese, tabela, projeksione dhe algoritme klinike, për të mbështetur profesionistët shqifolës të shëndetit. Ky botim vjen me një mesazh të dedikuar nga anëtarja e Komitetit Teknik-Shkencor Anti-COVID-19 të Qeverisë Italiane Prof. Dr. Giovannella Baggio. 

STUDIMI “PËRTEJ MUSHKËRISË”

Kjo punë është realizuar pas shqyrtimit të kërkesave që kanë ardhur në adresën tonë gjatë kësaj periudhe 3 mujore dhe pas nëj konsultimi aktiv me anëtarë të personelit shëndetësor shqipfolës. Si rrjedhojë ekipi i zgjeruar Anti-COVID i HEDA Albania, ka realizuar këtë sintetizim të më shumë se 500 hulumtimeve shkencore dhe ka botuar një ‘Përditësim shkencor me temë gjithpërmbledhëse ‘PËRTEJ MUSHKËRISË’: një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19’. Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19. Qëllimi i këtij dokumenti është përmbledhja sa më e përshtatshme dhe e saktë e evidencave të disponueshme aktualisht, në mënyrë që t’i vihet në ndihmë dhe në dispozicion profesionistëve dhe asaj pjese të publikut që është e interesuar për informacion e përditësim të detajuar shkencor të bazuar në evidenca. Këtu ofrohen ‘mjete’ praktike për epidemiologjinë, gjurmimin, terapinë, dhe evidencat më të fundit shkencore mbi menaxhimin e pacientit nga burimet më të përshtatshme dhe besueshme, si dhe nga komunikime aktive me profesionistët dhe institucionet ku një pjesë e ekipit të HEDA është duke ushtruar veprimtarinë kërkimore, epidemiologjike apo klinike. Ky dokument është realizuar pa mbështetje financiare të institucioneve nga brenda apo jashtë Shqipërisë. Të gjithë autoret nuk kanë asnjë konflikt interesi. E gjitha është realizuar nga një bashkëpunim i pashembullt i profesionistëve e shkencëtarëve Shqiptar nga e gjithë bota.

STUDIMI I RI

“Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19”. Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania sjell për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 . Për realizimin e këtij dokumenti janë sintetizuar më shumë se 500 hulumtime shkencore. Ky botim prej 112 faqesh përbëhet nga shtatë elementë  integral si vijon: Udhëzues mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19, Konsiderata sistemike patologjike për pacientët me kushte shëndetësore ekzistuese dhe COVID-19, Pasqyra praktike për praktikën epidemiologjike dhe klinike, Konsiderata të terapive aktuale, Përmbledhje të hulumtimeve që konfirmojnë manifestimet sistemike të COVID-19, Ilustrime përmbledhëse në shqip, Vizion për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.

KUSH JANË SHKENCËTARËT SHQIPTARË QË PËRGATITËN STUDIMIN

Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania që solli për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 me titull:  “Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19” janë: Erand LLANAJ, MPH, MSc, PhD (c), Denisa BACI, PhD, Aldi PUPULEKU Phd, Julia DARAGJATI PhD, Mirela KUKA PhD, Livia TEPSHI PhD,Teuta MUHOLLARI, MPH, MSc, PhD (c), Ina MEXHITAJ, PhD, Irma KUKA MSc, Aseda TENA MSc, PhD (c), Lisiena HYSENAJ MSc, PhD, Novruz CAUSHAJ MD, MSc, Edvin ZEKAJ MD, Geriolda TOPI MD, PhD (c), Ambra HYSKAJ MPH, MSc, PhD (c), Rigers GJYLI MD, , Hamëz GACAFERI, MD, DPhil (c), Drieda ZAÇE, MD, MSc, PhD (c), Ilda HOXHAJ, MD, MSc, PhD (c), Eriona HETA, MSc, PhD, Meri LUKA MD, Bledi MASATI MD, Nertil PETRO MD, Genada SINANI, PhD, dhe Gentian MUSA,PhD. 

Filed Under: Politike Tagged With: 25 Mjeke, Anti COVID, botim special, Sokol Paja

Zgjedhjet në Amerikë dhe Shqiptarët

August 31, 2020 by dgreca

Nga Alfons Grishaj*-

Zgjedhjet në SHBA kanë hyrë në një fazë të re. Demokratët  padashur janë zhvendosur nga pozicioni i tyre tradicional  drejt  frymës së  vjetër socialiste të huazuar Ruse. 

Sanders, Kortez etj.  janë autorët e një qasjeje të re politike, e cila ka sjellë një impakt aventuresk në ndërgjegjen e të paformuarve dhe  zonave që udhëhiqen nga demokratët. Dikush shfaqet me flamuj socialistë Rus, disa të tjerë, me banderola, “Black Life Matter” (sikur,  white life don’t matter, blue life don’t matter, bird’s life don’t matter etj…), të tjerë… me flamuj hitlerianë… Ca gangsterë me sloganin, ANTIFA! Egërsia e majtë ka prapa një filantrop të zi, George Soros-in, i cili njihet si armiku numër një i Republikanëve, … gjithashtu  mjeshtër i kaoseve… 

Në kohët moderne, shkatërrimi  është rezultat i instrumentit të forcës së paguar… dhe veprimi  efekt i impaktit të synuar.

Biden dhe liberalët, mundohen të mbajnë balancën në Partinë Demoktratike, e cila nuk ka më finesën, inteligjencën dhe largpamësinë e paraardhësve. Fizionomia e Partisë Demokratike tradicionale është transformuar sa zor t’i gjesh ndonjë tipar të antikomunizmit të dikurshëm për të cilin shquhej, ndërsa e ka ulur dukshëm flamurin e forcës mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Tani ajo ka në gjirin e saj të gjithë kolonët e rrymave negative, duke humbur misionin autentik. Pjesa dërmuese e medias, përjashto këtu Fox dhe disa zëra të pavarur, janë në delirium tremens. Të  gjithë zërat kundër Presidentit, dhe pse  bëhen pararojë e shkatërrimit të Amerikës, ata nuk ndalen deri sa të fundoset Titaniku. Qofsha i gabuar, por siç shihet… vetë kundërshtarët po  e ndihmojnë Trumpin të lundrojë dhe për katër vite përmes akullnajave dhe politikave “akademike” standarte pa shpirt e novacion. 

Në këtë kaos udhëkryqi pasionesh në ndërgjegjen e zgjedhësve… shqiptarët janë ndarë në dy grupime, demokratë dhe republikanë. Klasa e vjetër e ardhur në vite nga Dardania dhe viset e tjera, duke përfshirë dhe elemente të tjerë nga toka mëmë, ka dalë në krahun e demokratëve, për çka, në të vërtetë, nuk duhen gjykuar… sepse, demokratët i kanë shërbyer në vite çështjes shqiptare në përgjithësi. Ne nuk mund t’i shesim kurrë miq si Klinton, Engell, Peters e të tjerë, miq që kanë ndihmuar kauzën e kombit tonë. Një demonstrim kundër tyre do të ishte amoral. Por, politika krijon gjithnjë hapësira të reja që duhen respektuar dhe luajtur në mënyrë të ndershme dhe  efikase për vendin tonë. Një përllogaritje e keqe ndëshkon pjesën e Dardanisë dhe viset e tjera jetike të kombit tonë. 

Në grupimin e demokratëve ka dy lloj karakteresh, klasikë dhe hibritë. Klasikët janë pasionantë dhe nuk e shohin shkarjen e partisë që të gjithë e deshën!  

Grupimi  dytë  brenda demokratëve janë hibritët, të cilët  janë kolonë e pestë, duke ardhur nga familjet më të përlyera post-komuniste, apo pakicat kontraverse, të cilët kanë bërë gjithmonë  rolin e minave. 

Disa  hiqen dhe si republikanë, por në fakt janë të majtë që kur lindi “Partia”. Vlen të përmenden shkrimet e ca mjeranëve (kandidatë apo anëtarë të PP-së ) që  gjoja janë shkrimtarë, të cilët mashtruan shtetin amerikan kur mbushën formularin e pranimit të SHBA, duke bërë një krim që është i dënueshëm në bazë të ligjeve në fuqi. Këtyre kopukëve injorantë e gënjështarë që rreken për t’u bërë dikushi duke u shfaqur aty-këtu si intelektualë, të cilët kërkojnë të mbulojnë defiçencën astronomike  intelektuale, herë me grup dhe herë të vetëm si gjarpëri, po ua them dhe njëherë:  koha e  mjeranëve ka vdekur! 

Republikanët, bazuar në ndërgjegjen konservatore unifikuese,  shprehur nëpërmjet vlerave të familjes, besimit dhe patriotizmit, kërkojnë rikthimin e ndërgjegjes së cunguar amerikane, e cila po humb qëllimin dhe bekimin e formimit si shtet. 

Forcat komuniste botërore, me në krye Rusinë dhe Kinën… dhe gjoja globalistët…, po përpiqen me të gjitha mjetet që të influencojnë në kontaminimin e ndërgjegjes dyzuese amerikane për t’ia dhënë votën humbjes së Amerikës. Shumë pak kush e kupton se, këtu nuk është lufta midis Trump dhe Biden, por lufta për të dobësuar Amerikën, ndikimin pozitiv të saj në botë me kulturën, ekonominë dhe, mbi të gjitha, modelin e lirisë. Sikur njerëzit, mediat dhe politika të mendojë për një minut të vetëm, duke i thënë ndërgjegjes, “ku jemi duke shkuar?”… e gjithë çorba e gatuar do të derdhej si jashtëqitje në gjirizet  e  Amerikës, duke u dekantuar nga bartja e trazuar e dyzimit…, dhe ky komb i bërë nga Zoti do të ndriçonte botën deri në kataklizmo.  

Shqiptarët nuk kanë pse zihen me njëri-tjetrin për një kauzë e cila i përket popullit amerikan që ta zgjidhë. Ne jemi miq të Amerikës dhe do ngelemi të tillë. Rëndesi ka që shqiparët të ruajnë statusin natyral të besnikërisë ndaj shtetit që e ndihmoi për më tepër se  një shekull. Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Por gjithashtu, le të edukohemi  që  mendimin e tjetrit (pa bisht)  ta respektojmë si një e drejtë e sanksionuar  në të drejtat e njeriut  dhe rregullat e demokracisë botërore.

*Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Zgjedhjet në Amerikë

VITET E INTERNIMEVE

August 27, 2020 by dgreca

NGA Elena Gjika Merlika-Kruja-    

                Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë,  Gradisht,  Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin  dashuri e më jepnin  kurajo,  kemi kaluar një jetë të tërë.Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej. Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa  t’a quanin “t’arsyeshme” xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!

            Ishte viti 1952, kishte tre vite që ishim “mysafirë” në Tepelenë. Jetonja me vjehrrën dhe djalin tim, dukeshim një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm. Im shoq, që ishte dënuar me 15 vjet pune të detyruar si “armik i popullit”, ndiqte kalvarin e tij në kampet e tmerrshme të Maliqit, ku të burgosurit duhej të thanin kënetën me krahë e jo me mjete  mekanike. Kanale gjigandë, që duhej të çonin drejt detit ujrat e shumta të kënetës, për të liruar qindra mijra hektarë toke, ky ishte objekti i punës së “armiqve të popullit”. Për vite të tëra nuk jemi parë, ndonjëherë këmbenim pak rrjeshta, kur e lejonin, për t’u siguruar se ishim gjallë.

            Erdhi pranvera, malet u veshën me gjineshtra, shumë gjineshtra me ngjyrën e verdhë dhe me aromën e tyre. Stina e bukur duhej të na jepte pak ngushëllim e më shumë fuqi në punën tonë. Ndërsa për ne ishte fillimi i një ankthi: nisnin shpërnguljet për arsye pune. Të tjera kampe na prisnin, të tjera mundime, të tjera “plane” të regjimit komunist, për t’u sendërtuar “për të mirën e popullit”, nëpërmjet vuajtjeve dhe poshtërimeve tona.

            N’atë vit i gjithë Vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit n’ato gazerma, na katandisën në skeletër shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysëm i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me rradhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zjeja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.

            Të ftohtit po pakësohej me kalimin e ditëve, afrohej maji dhe epidemia zvogëlohej si shtrirje e si rrezikshmëri. Në një ditë të bukur me diell u zgjuam të befasuar nga një sërë kamionësh të ndritshëm, me një grup të madh policësh që i shoqëronin e që drejtoheshin nga një oficer i ri, me një sjellje më pak t’ashpër nga rojet tona të zakonshme e më i edukuar. Vinte nga Tirana dhe duhej të përfaqësonte “me dinjitet” ata që e kishin dërguar. Atë ditë nuk shkuam në punë: u bë një mbledhje e përgjithshme në fushën e gjërë të kampit, ku u lexuan shifra e të dhëna mbi realizimet e mëdha të regjimit për “të mirën dhe përparimin e popullit”, programe të tjera pune e, si përfundim, lista me emrat e atyre që brënda një ore duhej të linin kampin e Tepelenës për arsye pune e do të shpërnguleshin gjetiu, në një drejtim të panjohur deri në çastin e mbrritjes në vëndin e caktuar.

            Një heshtje e plotë nga të pranishmit dhe një pritje me dridhje: së pari nevoja për tridhjetë  puntore gra, emri im i pari në listë, “në krye të klasifikimit”, më pas 29 të tjera; pastaj burrat për dy qëllime të ndryshme, njëqind me ne gratë, njëqind gjetiu. Me të thënë e me të bërë: brenda një ore dysheku i palosur e i lidhur, një valixhe druri në dorë e të gjithë në rrjesht para kamionave që duhej të ngarkonin më parë teshat e, mbi këto, tridhjetë vetë në secilin automjet. Të kota lutjet për të më zëvendësuar me ndonjërën që nuk kishte fëmijë. Dolën shumë gra të reja që ishin gati të zinin vëndin tim, mbasi kisha një fëmijë dhe vjehrrën të moshuar e të sëmurë. I luteshin komandantit të operacionit të më linte në Tepelenë me të dashurit e mij, por nuk qe e mundur. Nuk mund të harroj kurrë atë skenë: vjehrra, pothuajse një hije, që më shihte nga dera e gazermës së madhe, djali im që kacavirrej në spondën e maqinës e më thërriste, polici që i binte duarve të tij me qytën e pushkës, ai që binte por nuk epej dhe ne që ishim shtrënguar pranë njëra tjetrës mbi dyshekët në një heshtje varri.

            Na dhanë një racion bukë e një presh, ishte e mjaftueshme për një ditë! Lotët e vjehrrës, që kishte zëvendësuar nënën të cilën nuk e shihnja prej dhjetë vitesh, nuk do të shuhen kurrë nga kujtesa ime së bashku me zërin e hollë të fëmijës time “mama, mama”. Të tjera gra e merrnin me të mirë e më thonin të ikja e qetë mbasi do të kujdeseshin ato për të, se së shpejti do të bashkoheshim përsëri… Kollona e gjatë e maqinave u nis e pak nga pak u zhdukën shembëlltyrat e të dashurve tanë dhe pamja e atij kampi të mallkuar.

            U nisa dhe Tepelenën nuk e pashë më kurrë. Kaluam në kampe të tjera vite të gjata, vënde të ndryshme, por gjithmonë me një ankth që na printe e na përcillte: e panjohura e së nesërmes. Ç’do të bëhej me neve?

  Elena Gjika Merlika-Kruja    

Filed Under: Politike Tagged With: Elena Gjika-Kruja, Vitet e Internimeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 338
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT