• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTAT SI FORCË MORALE PËR TË BËRË NDRYSHIMET E NEVOJSHME

June 4, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Protestat që filluan në shtetin Minnesota pas vrasjes brutale nga policia të një afrikano-amerikani u përhapën shpejt anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe në shumë vende të botës, ndërsa vazhdojnë gjithnjë në disa qyztete të mëdha e të vogëla amerikane.  Shumica e protestave ishin paqësore, por pati edhe shumë raste ku protestat u shfrytëzuan nga huliganë dhe grupe ekstremistësh, përfaqsues të ideologjive të ndryshme esktreme, të cilëtmorën pjesë në veprime dhune, vjedhje dhe thyerje dyqanesh.  Nga ana tjetër, në një shfaqje solidariteti të pa parë më përpara në Amerikë, e në botë jo se jo, disa prej këtyre protestave paqësore në shumë qytete të Amerikës, iu bashkuan edhe oficera të policisë, në solidaritet me kërkesat e protestuesve për drejtësi dhe kundër përdorimit të dhunës nga policia, siç u pasqyrua në Minneapolis të shtetit Minnesota para një jave, një ngjarje kjo që shkaktoi reagime të ashpra anë e mbanë vendit.  Për arsye të dhunës dhe shkatërrimit nga disa individë dhe grupe ekstremiste, disa qytete janë detyruar të shpallin orarin e ndalim-qarkullimit dhe disa governatorë shtetesh mobilizuan Gardën Kombëtare për të ruajtur qetësinë dhe për të mbrojtur pronat. 

Personalitete të njohura të jetës politike dhe shoqërore kanë komentuar vdekjen e afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në duart e policisë së qytetit Minneapolis, përfshir ish-presidentët Barak Obama, Xhimi Carter, Bill Clinton e Xhorxh W. Bush, ndër të tjera perosnalitete të fushave të ndryshme të shoqërisë amerikane.  Më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht, deklarata e ish-presidentit republikan Xhorxh W Bush, i cili i shikon protestat paqësore – ndoshta jo si një kërcënim ndaj rendit e qetësisë – por edhe si një forcë morale për reflektim dhe si një shtytje të re për bërjen e ndryshimeve të nevojshme në shoqërinë amerikane, kur është fjala, sidomos, për trajtimin e afrikano-amerikanëve nga policia dhe nga forcat e rendit — – një trajtim ky që komuniteti afrikano-amerikan deri tani e ka konsideruar si të njëanshëm dhe të disfavorshëm ndaj afrikano-amerikanëve, sidomos ndaj të rinjëve të këtij komuniteti.

Megjithëse ish-Presidenti Bush dhe bashkshortja e tij Laura shprehen të pikëlluar për vrasjen brutale të Xhorxh Floyd-it dhe të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në vend si rrjedhim i kësaj vrasjeje, thonë se tani nuk është koha të japim mësime e leksione, por është koha që të dëgjojmë dhe të reflektojmë për “dështimet tona tragjike”.

“Mbetet një dështim tronditës që shumë afrikano-amerikanë, veçanërisht të rinjtë afrikano-amerikanë, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre të lindjes. Është një forcë morale”, theksoi ish-presidenti Xhorxh Bush, “kur protestuesit paqësorë, të mbrojtur nga forcat, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe përzbatimin e ligjit, marshojnë së bashku me protestuesit paqësorë, për një të ardhme më të mirë.  Kjo tragjedi – e një serie të gjatë tragjedishë të ngjashme – shtron pyetjen që është dashur të bëhej shumë më heret:  Si t’i japim fund racizmit sistemik në shoqërinë tonë?  Mënyra e vetme për të parë veten në një dritë të vërtetë për këtë çështje është të dëgjojmë zërat e aq shumë personave të lënduar dhe të pikëlluar.  Ata që mund të kenë vendosur për t’i heshtur ato zëra, nuk e kuptojnë Amerikën dhe as mënyrat se si ky vend duhet të bëhet një vend më i mirë”, për të gjithë, u shpreh Z. Bush, në reagimin e tij ndaj vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në Minesota.  

Në deklaratën e tij, ish-presidenti republikan shkruan se, “Sfida më e madhe e Amerikës, për një kohë të gjatë, ka qenë dhe është se si të bashkojë njerëz me prejardhje të ndryshme nga e gjithë bota, në një shtet të vetëm drejtësie dhe mundësishë të barabarta”, për të gjithë.  Z. Bush paralajmëron se “Doktrina dhe sjelljet e bazuara në një superioritet racial që dikur gati kishte përçarë vendin tonë – kërcënojnë gjithnjë unitetin e këtij vendi”, ka deklaruar Z. Bush.

Ish-presidenti Xhorxh Bush u shpreh se shumë njerëz, me të drejtë, kanë dyshimet e veta në sistemin e drejtësisë në vendin tonë.  Afrikano-amerikanët, shtoi ai, janë dëshmitarë të shkeljes së përsëritur të drejtave të tyre, ndërkohë që nuk shohin ndonjë përgjigje ose zgjidhje urgjente dhe adekuate nga institucionet amerikane. Por Zoti Bush thotë se beson në drejtësinë e qendrueshme në Amerikë dhe se ajo do të realizohet me mjete paqësore, duke marrë një qendrim kundër dhunës së përdorur nga grupet dhe individë ekstremë, në protestat e ditëve të fundit. “Vjedhjet nuk janë çlirim dhe shkatërrimi i pronës nuk është përparim.  Por, ne gjithashtu jemi të vetdijshëm se paqja e qëndrueshme në komunitetet tona kërkon drejtësi të barabartë.  Sundimi i ligjit, në fund të fundit, varet nga drejtësia dhe nga legjitimiteti dhe kredibiliteti i sistemit juridik.  Vendosja e drejtësisë së barabart për të gjithë, është gjithashtu detyrë e të gjithëve” theksoi Z. Bush.   Kjo, sipas ish-presidentit Xhorxh Bush do të nevojit, “Përpjekje të qëndrueshme, të guximshme dhe krijuese.  Ne u shërbejmë më mirë fqinjëve tanë kur përpiqemi të kuptojmë hallet dhe përvojën e tyre.  Ne i duam fqinjët tanë si veten kur i trajtojmë ata si të barabart me ne, duke i mbrojtur dhe duke treguar dhembëshuri ndaj tyre.  Ekziston një mënyrë më e mirë – mënyra e mirëkuptimit, e angazhimit të përbashkët dhe veprimit të guximshëm dhe në paqën e rrënjosur në drejtësi.”, nënvijoi ish-presidenti Bush.  Ndonëse në deklaratën e tij me rastin e vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia në Minnesota, Z. Bush shfaqi shqetësimet e tija në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, e të cilat rezultuan në protesta të mëdha anë e mbanë vendit—ai prapseprap shprehu besimin e tij se vendi do bëhet më i mirë nga kjo përvojë sado e hidhët, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë raste të tilla në historinë e Amerikës.  “Jam i sigurt, se së bashku, amerikanët do të zgjedhin mënyrën më të mirë”, për të zgjidhur problemet e tyre, ka përfunduar deklaratën e tij, ish-presidenti Xhorxh W. Bush, duke thënë se, “Zgjidhjet e problemeve të shoqërisë amerikane mund të realizohen më së miri duke jetuar e vepruar në bazë të idealeve themelore amerikane – në bazë, pra, të vërtetës themelore se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta dhe të paisur nga Perëndia me disa të drejta të veçanta.

Ndërkaq, për zhvillimet e fundit në Amerikë – përfshir protestat gjithëpërfshirse kundër vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia e qytetit Minneapolis u shprehen të gjithë ish-presidentët që ende jetojnë – përfshir edhe ish-Presidentin Barak Obama — i pari president i Amerikës me origjinë afrikano-amerikane.  Në reagimin e tij, Z. Obama tha se ka ardhur koha që të nxirren në pah problemet raciale të shoqërisë dhe për të venë, njëkohësisht, “njerëzit në pushtet në një pozitë të pakëndshme”, përsa u përket këtyre sfidave shoqërore.  Ish-presidenti demokrat u bëri thirrje protestuesve që të kenë “Shpresë edhe pse ndiheni të zemëruar…se ndryshimi po vjen…ndryshime epike në vendin tonë”, që sipas tij, “do të jenë po aq të rëndësishme sa ato që kam parë në jetën time”.  Z. Obama e mbylli mesazhin e tij  duke thenë se këto protesta masive sot dallohen nga lëvizjet për të drejtat civile të 1960-ave, sepse sipas tij, kësaj radhe,“Këtu ka diçka ndryshe”, duke shtuar se ata që protestojnë e marshojnë sot, përbëjnë një përfaqësim shumë më të madh të Amerikës sesa 50 vjet më parë. 

Fuqia e të pafuqishmëve, do ta cilësonte ish-disidenti, aktivisti i të drejtave të njeriut dhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, per ndryshimin, protestat, si force moralie

ABDULLAH HOTI, ZYRTARISHT NE KRYE TE QEVERISE

June 4, 2020 by dgreca

Kryeministri Hoti zyrtarisht merr drejtimin e Qeverisë së Kosovës

-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti zyrtarisht mori pozitën e kreut të Qeverisë/

PRISHTINË, 4 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i zgjedhur dje në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, sot edhe zyrtarisht e ka marrë drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Në një ceremoni shtetërore, ai ka parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila ishte rreshtuar në nderim të Kryeministrit të ri, ndërsa Orkestra e FSK-së po intononte Himnin Shtetëror të Kosovës.

Pas marrjes së detyrës, Kryeministri Hoti në një mbledhje ceremonial të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka prezantuar objektivat kryesore të Qeverisë së re.

Filed Under: Politike Tagged With: Abdullah Hoti, ne krye et qeverise, zyrtarisht

ÇMENDURI NË DEMOKRACI

June 3, 2020 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/ Në mëngjezin e 2 qershorit, pasi kisha kaluar një natë  pothuajse pa gjumë e shumë i stresuar nga rrëmujshëria e ngjarjeve në qytetet kryesore të SHBA-së, shkova në një dyqan  për të riparuar kompjurerin. Rrugës pashë grupe të vogla të rinjsh 20 – 30 vjecar italianë e shqiptarë që diskutonin me zë të lartë e të shqetësuar. Dëgjova njerin italian që u tha bashkbiseduesve se: ”ishim në stacionin e policisë për të kërkuar armë për vetmbrojtje, por nuk na dhanë. Atje na thanë, mos u shqetësoni se zona juaj është e sigurtë. Po çfarë sigurie është kjo  kur po bëhet nami kudo duke djegur, thyer e plaçkitur dyqanet në NY e gjithë Amerikën”? Tjetri ja priti, skemi rrugë tjetër veçse të vetmbrohemi me mjete të forta druri e hekuri. 

Duke dëgjuar këto copëza bisede u stresova akoma më shumë  dhe thashë me vehte  çpo ndodh në shtëpinë tonë të përbashkët që e ka emrin USA? Ndërsa arrita tek dyqani i riparimeve elektronike, ja behu  me nxitim komshija (italiane e dyqanit  përbri) e cila tha:” biznesin përbri meje e paskan thyer e plaçkitur tërësisht”, por nuk është vetëm ai, janë edhe dy të tjerë të abandonuar këtu në Morris Park, çfarë mendoni se duhet të bëjmë? Pronari i dyqanit një mesoburrë shqiptarë shumë puntor, i ndershëm e mjeshtër elektronik shumë i mirë, tha : ”në këtë dyqan kam investuar gjithë mundin e djersën e jetës time, paguaj rregullisht taksat dhe më këtë ushqej familjen, por në se shteti nuk ma mbron pasurinë time nga vandalizmi i rrugës , unë do të bëj vetmbrojtje me çdo mjet të mundshëm”. U përpoqa ta qetsoja bashkatdhetarin tim duke i thënë se jeta është gjëja më e çmuar që kemi, prandaj  duhet të vetpërmbahemi.

Rreth orës njëmbëdhjetë  të datës 3 qershor, ndërsa po prisnim jashtë të merrnim  ushqimin e porositur në restaurant, pronari na ofroi nga një kafe sa të bëhej gati ushqimi. Ndërkohë nga 186 street e Arthur avenue erdhën deri pranë nesh, dy të rinj afrikano –amerikanë (njeri i çveshur në mes e lart  me një një shufër hekuri në dorë rreth një metër të gjatë dhe tjetri me një çekiç me bisht hekuri)  duke bërtitur me zë të lartë, kërcënonin  kalimtarët e rastit, pastaj disa pronar dyqanesh dhe më pas fare pranë nesh  përsëri kërcënuan një grup tjetër grashë e fëmijësh. Ju thashë miqve të mi të pranishëm: Zef Balaj, Pjerin Lumaj e Gjergj Ivanaj, çpo ndodh kështu  o miqt e mi në vendin më demokratik, më të zhilluar e më të fuqishëm të botës? Kjo në gjykimin tim është çmenduri në demokraci.

Ishim afërsisht të të njejtit mendim se po përjetojmë kohën e përplasjes së dy filozofive udhëheqëse: asaj globaliste e socialiste të ushqyer me mendime e para nga  multimiliarderët e tipit Soros  dhe asaj konservatore republikane  e atdhetare amerikane  të  kryesuar nga Presidenti Trump.

Në se ndodhi që një polic bëri një gabim dhe nga gabimi i tij humbi jetën një qytetar afrikano-amerikan (ose i ndonjë komuniteti tjetër), polici meriton të ndëshkohet në bazë të ligjeve të shtetit ku ndodhi ose të  ligjit federal. Kjo është plotësisht e drejtë. Por pse me sebepin e kësaj ngjarje  duhet të vriten disa të tjerë,të plagosen dhjetra e qindra  policë e qytetarë të pafajshëm, të  digjen, vidhen e vandalizohen pasuria dhe biznesi i mijëra të tjerëve? Kush qëndron prapa kësaj katraure? Kush paguan për këtë vandalizëm e përplasje civile? Kush është i interesuar për të nxjerrë përfitime politike nga ky rrënim kombëtar i SHBA-së? Në gjykimin tim kjo është e papranueshme  madje e dënueshme, dhe jam tërësisht kundër kushdo qoftë ai (edhe sikur të jetë miku më i madh i Kombit tim).

Por le ta shikojmë problemin pak më gjërë  dhe mbi këtë bazë të përpiqemi  të nxjerrë disa përfundime. 

Kështu që në vitin 2016 kur Trump u zgjodh President i SHBA-së, nga kundërshtarët e tij politik, filloi një fushatë e paparë për largimin e tij nga ky post. Si fillim përpjekjet u bënë me publikimin e disa historive (sajesave)  rozë më shumë se tridhjet vjeçare, vetëm që të mund të baltëzohej figura e Trumpit si njeri e si lider. Më pas u investu në opinion një tiradë e gjatë thëniesh e “argumentash” se Trump erdhi në pushtet me ndihmën e agjenturës ruse, duke i bërë një dëm kolosal prestigjit amerikan në botë, dhe në veçanti shërbimit sekret amerikan. Pastaj u qëllu rëndë (deri në pandershmërinë më të shëmtuar) figura e një antari të Gjykatës së Lartë, (Brett Kavanaugh) vetëm se ai u propozu nga Presidenti Trump. Nuk mjaftuan këto, por kur SHBA-ja  ishte në kulmin e progresit  të saj ekonomik, dhe e përqëndruar të vinte para përgjegjesisë Kinën komuniste për vjedheje të pasurisë intelektuale amerikane, për fshehje të koronavirusit (kësaj arme biologjike që i kushtoi SHBA-së më shumë viktima se lufta në Kore, Vietnam, Irak, Afganista e Siri të marra së bashku). Në kohën që po bëheshin të gjitha përpjekjet për ta detyruar Kinën komuniste të paguante dëmin kolosal ekonomik që i shkaktoi shtetit dhe çdo qytetari amerikan, u desh agravimi i situatës aktuale vetëm që Trump të dobësohet e ti pamundësohet fitorja në nëntorin e ardhshëm. Kjo është thjeshtë e padrejtë dhe e panderëshme.

Administrata Trump (veçanërisht Departamenti i Shtetit), nuk ka qenë gjithnjë dashamirës dhe i predispozuar sa duhet për zgjidhjen e problemeve akute të Kombit Shqiptar. Unë në publikimet e mija e  kam shprehur hapur pa pajtueshmërinë time me to, duke përdorur edhe emra të përveçëm. Këtë do ta bëj edhe në të ardhmen, sepse krahas të qenit taksa pagues amerikan jam edhe shqiptarë me predispozitë të plotë për të ndihmuar Kombin tim. Por, kjo nuk më errëson shikimin për të ardhmen. Përkundrazi midis një qeverie të stërmadhe , paqësore me komunistët kinez, socialiste në përmbajtje, që shton taksat, shkurton vendet e punës , rrit parazitizmin shoqëror e emonomik, mbështet ekstremizmin në demostrata etj, do të zgjedh atë  republikane e Trump që ka si strategji “Keep America Great  again”.

Këtë do të ju a bëj me dije (do ti ftoj)  edhe gjithë bashkombasve të mi shqiptaro-amerikanë e mbi të gjitha miqve të mi vatranë. Kur Amerika është mirë  edhe Kombi Shqiptar është mirë. Ne jemi kombi më pro amerikan në botë dhe nuk do të lëvizim nga ky qëndrim. 

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, Çmenduri ne demokraci

KRYEMINISTRI HOTI: QEVERIA E RE, FUQI QË BURON NGA KUSHTETUTA E KOSOVËS

June 3, 2020 by dgreca

-Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës/

-Me 61 vota pro u zgjodh Qeveria e re e Republikës së Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin: Kjo qeveri e re, fuqi që buron nga Kushtetuta e Kosovës, duke mbrojtur kështu sovranitetin dhe integritetin e qytetarëve, si njësi këto të pandashme dhe të patjetërsueshme/

-Ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti, do të mbahet nesër/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Korrespondenti i Diellit ne Prishtine Behlul Jashari me Kryeminsitrin e ri Abdullah Hoti.

PRISHTINË, 3 Qershor 2020/ Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesën e 61 deputetëve, mbajti seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i dha besimin qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hotin.

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, i cili ishte i autorizuar për udhëheqje të kësaj seance nga kryetarja e kuvendit, dr. Vjosa Osmani, i dha fjalën kryetarit të GP të LDK-së, Arben Gashi, i cili fillimisht propozoi një minutë heshtje për dy minatorët që humbën jeten dje në minierën e Kishnicës.

Më pas, kandidati i propozuar për kryeministër nga koalicioni LDK-NISMA-AKK-Lista serbe, Avdullah Hoti, shpalosi para deputetëve ekspozenë programore të qeverisë së propozuar, duke theksuar prioritetet që do të ketë qeveria me të cilën do të udhëheqë. 

Duke falenderuar të gjithë aktorët kyç në luftën kundër pandemisë botërore Covid-19, Hoti u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave nga pandemia dhe potencoi se kjo do të jetë edhe njëra prej çështjeve kryesore me të cilat qeveria do të merret. 

Duke u rikthyer tek pika e rendit të ditës, Hoti falënderoi të gjithë ata që ia kanë dhënë besimin për të formuar Qeverinë e Kosovës dhe këtë e konsideroi si akt të vetëdijës së lartë politike. Kjo qeveri e re, sipas tij, do të ketë vetëm fuqi që buron nga Kushtetuta e Kosovës, duke mbrojtur kështu sovranitetin dhe integritetin e qytetarëve, si njësi këto të pandashme dhe të patjetërsueshme.

Lufta kundër pandemisë Covid-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas kësaj pandemie, u paraqiten si dy prioritetet e mënjëhershme, të institucionit që do të qeverisë me vendin, por pa lënë anash edhe prioritetet e tjera si forcimi i mëtutjeshëm i shtetit, luftimi i dukurive negative, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, mos lejimi i shkëmbimit të territoreve, puna drejt integrimit evropian, krijimit të atmosferës së bashkëpunimit, respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare etj. 

Po ashtu, ai paraqiti edhe synimet e qeverisë së tij për avancimin e mëtutjeshëm të fushës së shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, sigurisë dhe fushave të tjera me ndikim në jetën e qytetarëve. Ai tha gjithashtu se do të jenë mjaft të hapur për të bashkëpunuar me OJQ-të vendore dhe të huaja, asociacionet e bizneseve, shoqërinë civile në përgjithësi, si dhe mediat, të cilat, sipas tij, do të luajnë rol korrigjues në qeverisjen e ardhshme.

Po ashtu, Hoti theksoi se në qeverisjen e tij, interes jetik do të jetë dialogu me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes midis dy shteteve, në respektim të Kushtetutës. 

Në fund të fjalimit kandidat për kryeministër nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista serbe dhe minoritetet e tjera, shpalosi kabinetin e tij qeveritar, në këtë përbërje: 

Avdullah Hoti – Kryeministër
Besnik Tahiri – Zëvendëskryeministër i parë
Driton Selmanaj – Zëvendëskryeministër;
Albulena Balaj-Zëvendëskryeministre
Goran Rakiq – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal
Hykmete Bajrami – Ministre e Financave;
Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes;
Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme;
Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës
Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë;
Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimti Rural
Meliza Haradinaj – Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë,
Blerim Kuçi – Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit
Ramë Lika – Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Skender Reçica – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Vesel Krasniqi – Ministër i Tregtisë dhe Industrisë
Dalibor Jevtiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim
Enis Kervan – Ministër i Zhvillimit Rajonal.

Seanca, vazhdoi me fjalimet e përfaqësuesve nga grupet parlametare, të cilët paraqiten qëndrimet e tyre në raport me formimin e kësaj qeverie.

Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thirrjen e kësaj seance e konsideroi si tentativë e grabitjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës, andaj iu referua si të padrejtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe formimit të qeverisë së re në këtë mënyrë. Sipas tij, kjo qeveri nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe si e tillë është ilegale, joligjitime dhe shkelëse e Kushtetutës. 

“Vetëm zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja, sepse kështu do të respektohej rendi dhe Kushtetuta”, theksoi Selimi. 

Në anën tjetër, në emër të GP të LDK-së, kryetari Arben Gashi, duke vlerësuar situatën në të cilën ka kaluar Kosova kohëve të fundit, si proces të mundimshëm politik dhe kushtetues, konfirmoi përkrahjen për formimin e qeverisë së re, duke bërë thirrje për qeverisje të mirë dhe të suksesshme. 

Ai theksoi se nuk do të pranohet asnjë lloj arsyetimi nëse s’do të ketë një qeverisje të mirë dhe kërkoi bashkëpunim me të gjithë deputetët e Kuvendit për të proceduar tutje në dialogun me Serbinë.

Nga GP i PDK-së, deputeti Kadri Veseli shfaqi specifika rreth punës, sipas tij, jo të mirë të qeverisë së kaluar, duke e konsideruar një qeverisje të tillë si rrezikuese të egzistencës së Kosovës si shtet. 
Veseli e quajti qeverisjen Kurti si “dëm të pallogaritshëm politik, që i është bërë vendin nga ideologjia antiamerikane’’ dhe njëkohësisht shfaqi mosbesim edhe ndaj qeverisë Hoti, duke deklaruar që si grup parlamentar nuk do ta përkrah.

“Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet”, tha ai.

Ndërsa, Teuta Haxhiu tha se GP AAK-PSD do të përkrah formimin e qeverisë së re. Sipas saj, duke e parë më se emergjente nevojën për zhvillim më të madh ekonomik, AAK-ja është bërë pjesë e këtij koalicioni, në të cilin do të bashkëqeverisin, duke e kthyer, sipas saj, vendin në binar. Po ashtu, në pika të shkurtra prezantoi politikat mbi të cilat do të punohet si koalicion dhe u zotua në mbikëqyrje të rreptë të punës së qeverisë.

Formimi i qeverisës së re u përkrah edhe nga GP i Listës serbe. Deputeti Igor Simiq, në fjalimin e tij tregoi mbështetje të plotë për kandidatin për kryeministër dhe kabinetin qeveritar të propozuar.

Po ashtu, nga GP NISMA-AKR, Endrit Shala potencoi përkrahjen e këtij grupi për përbërjen e qeverisë së re. 

“Jemi të bindur që programi qeverisës nga partnerët e koalicionit do të zbatohet me përpikëri”, tha ndër të tjera Shala.

Pas diskutimeve, kryesuesi i seancës, Shala, hodhi në votim përbërjen e propozuar të qeverisë. 

Nga 86 deputetë të pranishëm në sallë, në votim me ngritje dore, 61 prej tyre votuan për, 24 ishin kundër, ndërsa një deputet abstenoi. 

Pas votimit të suksesshëm të qeverisë, kryeministri i zgjedhur Hoti lexoi tekstin e betimit para deputetëve të pranishëm. 

Punimet u mbyllën pas fjalimit të tij falënderues dhe mirënjohës ndaj besimit të deputetëve për të dhe qeverinë që do të drejtojë. 

***

CEREMONIA E MARRJES SË DETYRËS NGA KRYEMINISTRI AVDULLAH HOTI MBAHET NESËR

 Zyra për Komunikim Publik-
Zyra e Kryeministrit të Kosovës dergoi sot këtë  FTESË PËR MEDIE:
Njoftohen përfaqësuesit e medieve se ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti, do të mbahet nesër (E enjte, 04 qershor 2020) me fillim në ora 09:00.

 
VENDI: Ndërtesa e Qeverisë

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Forca e Qeverise, Kryeminsitri Abdullah Hoti

95 DITE PANDEMIJE DHE NJE JAVE PROTESTE NE NJU JORK

June 3, 2020 by dgreca

Nga Rafaela Prifti/

Për 95 ditë rresht, Governatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, informon publikun për situatën shëndetësore lidhur me pandeminë dhe rihapjen e shtetit në varësi të përmbushjes së shtatë pikave tëparacaktuara. Shteti, i cili ishte epiqendra e infeksionit të Coronavirusit, ka tashmë numrin më të lartëtë analizave relative me numrin e popullsisë dhe treguesit infektiv janë të gjithë në nivele shumë të ulura. Në krye të faqes zyrtare të zyrës guvernatoriale jepet njoftimi se infeksioni nga coronavirus është ende aktiv dhe banorët duhet të mbajnë maksa dhe të respektojnë distancimin prej 2 metra nga njëri-tjetri. Aty jepen të dhëna për testim falas, për sigurimin shëndetësor, për statusin e përdatësuar tësecilit rajon, për planin e detajuar të hapjes, për një hua prej 100 millionë dollarë në ndihmë tëbizneseve të vogla madje edhe publikohen numra telefoni për shërbime terapije. Përmbledhtazi, Nju Jorku ka pasur numrin më të madh të rasteve të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19. Deri tani, burimet zyrtare shtetërore kanë raportuar mbi 370,000 të infektuar, nga këta mbi 200,000 ndodhen nëqytetin e Nju Jorkut. Rastet e vdekjeve mbi 29,000 përbëjnë thuajse një të tretën e numrit të atyre qëkanë humbur jetën në kohën e pandemisë në të gjithë Amerikën. Përafërsisht një në tetë raste vdekje në botë ndodhet në popullsinë e tri-shtetëshit. Në këtë hapësirë ka edhe një numër të madh tëkomunitetit shqiptar-amerikan. Gjendja e rënduar nga pandemia, humbjet e jetëve dhe kriza ekonomike e shoqëruar me shifra papunësije që arrijnë në 40 milionë në nivel kombëtar bëhen edhe më të tensionuara në sfondin e një situate të elektrizuar politike. Në konferencat e shtypit, z. Cuomo, i cili ka deklaruar se pandemia globale nuk hyn tek detyrat e guvernatorëve të shteteve, thotë se Nju Jorku arriti të ulte efektin e krizës duke lënë mënjanë politikën dhe pasionet, por duke ndjekur këshillat e ekspertëve mjekësor. Për të ndalësuar ritmin e përhapjes së infeksionit në muajin mars Guvernatori urdhëroi mbylljen e bizneseve, shkollave, objekteve fetare, shpalli masat e izolimit nështëpi, distancimin dy metra, pezulloi për 90 ditë debimet nga pronarët të qiraxhinjve që e kanë tëpamundur të paguajnë qiranë, institucionalizoi për herë të parë një rrjet të shërbimeve spitalore për tëpërballuar mbingarkesen e sistemit shëndetsor. Për disa ditë rresht gjatë muajit prill, në Nju Jork vdisnin mbi 700 vetë për ditë, thotë z. Cuomo. Ndërkohë, që ai kërkonte të rriste numrin e analizave si edhe regjistrimin e personave të kontaktuar nga cdo i infektuar, treguesit kryesorë të rasteve tëinfektimeve, intubimeve, kujdesit intensiv dhe të vdekurve filluan të zbresin për cdo ditë. Javën e kaluar Guvenatori deklaroi se në Nju Jork bëhen 50,000 analiza në ditë, shifra më e lartë e cdo vendi tjetër krahasuar për kapita, gjë që lejoi fillimin e etapave të para të hapjes së ekonomisë. Nëkonferencën me gazetarë, ditën e fundit të majit, z. Cuomo, i cili është ‘vendali’ në Nju Jork, vuri nëdukje se gjithcka u arrit nga 19 milionë banorët e këtij shteti, të cilët treguan disiplinë dhe u përkujdesen për njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve. “Në këtë moment, ne nuk jemi nga Bruklin, Bronks a Queens, ne jemi të gjithë Amerikanë,” tha z. Cuomo. Ai ia kushtoi një pjesë të raportimit punëtorëve të nevojave imediate si personeli i spitaleve, stafi sanitar dhe shërbimeve të komunikacionit. “Ndërkohë që jepja urdhrin që asnjeri të mos dilte nga shtëpia, unë ju kërkoja atyre tëdilnin në pune për ne,” theksoi Cuomo. Ata u sakrifikuan për hir të dashurisë për njerëzimin në kohën e pandemisë së COVID-19 në Nju Jork dhe ai tha se e kishte për nder të nënshkruante projektligjin për beneficione për familjet e tyre. Në kontekstin e sistemit shëndetësor, z. Cuomo tha se kriza e zbuloi qartë pabarazinë e rrënjosur në sistemin shëndetësor. Minoritetet e varfëra si ato afrikano-amerikane dhe latine pësuan humbjet më të mëdha njerëzore në raport me komunitetet e tjera. Një pjesë të kohës Governatori ia kushtoi protestave të ditëve të fundit që shpërthyen si manifestime kundër dhunës policore vecanërisht kundrejt afrikano-amerikanëve, sic ishte rasti në 25 maj me z. George Floyd nëMineapolis. Z. Cuomo, i cili ka qenë Prokuror i Pergjithshem i Nju Jorkut ne fillim të viteve 2000, bëri analogjinë midis virusit Corona dhe racizmit, padrejtësisë dhe pabarazisë. Por dënoi aktet e vandalizmit dhe grabitjeve, të cilat janë në kundërshtim me mesazhin e protestuesve kundra diskriminimit racial. Nga ana e vet, forcat policore ushtruan akte dhune eksesive ndaj demonstruesve në disa raste. Guvernatori ka kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme Letitia James të kryejë një hetim të pavarur brenda tridhjetë ditëve sepse “publikut i duhet dhënë përgjigje”. Në pjesën e pyetjeve me gazetarët, unë e pyeta për të dhënat mjekësore për shqiptarët, si numri i infeksioneve, të shtruar nëspital, vdekjet. Guvenatori tha se do të interesohej. Z. George Cymon nga Zyra e Shtypit dhe Sophia Zayas, Përfaqësuesja e zyrës guvernatoriale për Bronksin, komunikuan me mua. Sophia Zayas vazhdon të jetë përkrah komunitetit tonë dhe banorëve të Bronksit. Ditën e hënë, në zyren e z. Cuomo në Nju Jork, ai paraqiti situatën në spitale dhe gjendjen e përgjithshme pas një nate tjetër përplasjesh tëdhunshme midis policisë dhe protestuesve. Guvernatori u përqendrua te efekti i tubimeve në aspektin mjekësor dhe social: pas tre muajve izolimi, kontaktet masive mund të rrisin numrin e infektimeve, dhe së dyti aktet e vjedhjeve dhe shkatërrimeve nga persona me motive personale nuk i shkojnëmesazhit të revoltës popullore për drejtësi. Përkundrazi, shtoi ai, i japin shkas kritikëve t’i etiketojnëdemonstruesit si “vagabondë” dhe u krijojnë shansin politikanëve ta tërheqin vëmendjen e publikut nga tema e ditës. Z. Cuomo përmendi rastet e ngjashme të dhunës së policisë së Nju Jorkut për dekada me rradhë. Për ta ilustruar këtë pikë, ai kujtoi fjalimin që mbajti babai i tij, Mario Cuomo, Guvernator i Nju Jorkut nga 1983-1994, në Kuvendin e Partisë Demokratike në 1984. Fjalimi mbahet mend për thënien se “Nuk kemi të bëjmë me një vend që vezullon në majë të kodrës por me një ndarje të thellë të dy Amerikave”. E njëjta histori shpaloset cdo herë kur vjen fjala për barazi në strehim, pagesa, shkollim, punësim etj. Për të sjellë ndryshime, protesta nuk mund të shpreh vetëm pakënaqësi, prej saj duhet të dalin kërkesa konkrete, tha Governori i Nju Jork-ut. Ai shtoi se në takimin me Kryetarin e Bashkisë Bill de Blasio do të diskutonte taktikat e policisë gjatë protestave dhe mundesinë e vendosjes së orës policore në Nju Jork për të ruajtur rendin. 

Në seacën e pyetjeve, unë kërkova të di nëse i kishin mbledhur të dhënat mjekësore për shqiptarët. Melissa DeRosa, Sekretarja pranë Guvernatorit tha se spitalet i marrin të dhënat për të bardhët, afrikano-amerikanët, latinot, aziatikët. Megjithatë, tha ajo, po interesohemi me Departamentin e Shëndetësisë për të kërkuar nga spitalet nëse mund të japin të dhëna më specifike. Governatori i Nju Jorkut vazhdon të jap konferenca shtypi për ditë. Në takim me gazetarët të tërheq vëmendjen stema e zyrës guvernatoriale, ku lexohen qartë fjalët: UNE PUNOJ PER POPULLIN! (I WORK FOR THE PEOPLE) Z. Cuomo, i cili po kryen mandatin e tretë në këtë detyrë, ka fituar respekt për lidership, maturi dhe qartësi mesazhi ne kohën e pandemisë. Zgjedhjet e ardhshme për guvernator mbahen nëvitin 2022.   

Filed Under: Politike Tagged With: 95 dite pandemie, nje jave protesta, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 358
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT