• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Alfabetare e gjuhës shqipe dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II më 1879?

November 21, 2019 by dgreca

Shkruan: Jeni Myftari- Londër/*

Për librin “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” (Abetare e Gjuhës Shqipe) mësova rastësisht nga një artikull i botuar më 12 prill 2016, në faqet e Shekulli Agency, me titull “Libri që i dhurohet Sulltan Abdylhamidit II nga truprojët e tij shqiptarë”. Por, artikulli nuk ipte asnjë të dhënë për vendndodhjen e librit.

Librin e gjeta shumë kohë më vonë, në bibliotekën “Nadir Eseri Kütüphanesi”, në Stamboll, falë ndihmës së shqiptares së Arkivave Osmane, Ajten Krasiniqi-Ardel, drejtorit të bibliotekës “Yazma Eseri Kütüphanesi”, Salih Shahin dhe drejtorit të bibliotekës “Nadir Eseri Kütüphanesi”, Ebu Bekir Kaya, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën e ofruar.

Libri “AΛFABETARℇ ℇ GLÚHESE ΣQIP” është botuar nga shqiptarët e Stambollit më 1879, në Stamboll. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

Në kapakun e parmë të librit shkruhet:-

MAΔERISE TI ZOTIT MAθ Δℇ MBERETIT DAΣURE T’YNE

SULTAN ABD-YL HAMID-HANIT II

Në kapakun e pasmë të librit shkruhet i njëjti dedikim si më lart por në osmanisht duke shtuar fjalën “Arnavudlar” (shqiptarët).

Në kapakun e “Alfabetares së gjuhës shqipe” shënohet një thënie e Naum Vithekuqarit dhe viti dhe vendi i botimit të librit (Kostandinpoje 1879)

Libri ka rëndësi historike pasi ai është botuar në të njëjtin vit kur në Stamboll u themelua “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” dhe në një kohë kur Lidhja e Prizrenit ishte akoma aktive.

Libri është një abetare e gjuhës shqipe e përgatitur nga intelektualë shqiptarë të Stambollit, e cila përveç aspektit gjuhësor përfshin edhe disa të dhëna historike mbi origjinën e lashtë të shqiptarëve, njohuri mbi astronominë, krijimin e gjithësisë dhe të njeriut si dhe njohuri matematikore.

Libri fillon me alfabetin shqip dhe më pas jep një dëftonjës të shkronjave duke e përshtatur çdo shkronjë shqip me një shkronjë të alfabetit osman dhe duke dhënë shembuj për secilën.

Alfabeti me 36 shkronja, nga të cilat shtatë janë zanore dhe njëzet e nëntë bashkëtingëllore dhe, është një kombinim i alfabetit latin me disa shkronja greke.

Libri nuk ndahet në kapituj por, lehtësisht evidentohen në të shkrimet e individëve të ndryshëm, që për lehtësi studimi këtu do të referohen si kapituj ose pjesë.

Uδe ε te ϭkruarit të ſúhesε Σqip ( Udhëzues i të shkruarit të gjuhës shqipe)

Jani Vreto, praqet në libër një udhëzues për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai shpjegon përdorimin e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve në fjalëformin dhe bën dallimin në përdorimin e fjalëve në dialektet gegë dhe toskë.

Më shumë se një abetare, shpjegimi i Jani Vretos është një farë fjalori drejtshkrimor i gjuhës. Këtu emri i tij shënohet Ioan i Athanas Vrέtose nga Postenani[1]

Γuha Σqip (Gjuha shqipe)

Në këtë kapitull, Shemsedin Sami Frashëri shkruan për kombet dhe gjuhët si dhe historinë e zhvillimit të shkrimit.

Gjithashtu, ai flet për lashtësinë e kombit shqiptar dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe shkruarjes së gjuhës shqipe. Ndër të tjera, Sami Frashëri thekson:- “Sot është dita që edhe shqiptarët të zenë të shkruajnë e të këndojnë gjuhën e tyre, që të mund të ruajnë kombësinë.”

Frashëri përkrah idenë e përdorimit të alfabetit latin si alphabet të shqipes duke e argumentuar këtë me faktin se Shqipëria është vend evropian. Po kështu, ai shpjegon në detaje si u arrit të ndërtohet alfabeti me 36 shkronja i shqipes bazuar mbi alfabetin me 25 shkronja të latinishtes, të kombinuara me disa shkronja të alfabetit grek.

Më pas, Frashëri thekson se është Sultan Abdyl Hamiti II ai i cili ka mundësuar shkrimin e gjuhës shqipe.

“Të shkruarit e gjuhës shqipe u bë në kohën e mbretit dhe zotit tonë të math, Sultan Abdyl Hamitit të dytë, që Perëndia i zgjattë jetën dhe i shtoftë ditët! Kështu edhe shqiptarët zunë të ecin përpara e të ndriçohen me shkronja dhe dituri … -thotë Sami Frashëri.”

Σqypnija ε Σqyptârt   (Shqipëria dhe shqiptarët)

Pashko Vasë Shkodrani, një prej figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare, sjell në libër një kapitull të veçantë ku shkruan për historinë e shqiptarëve si pasardhës të pellazgëve. Ai flet për origjinën e pellazgëve dhe shpërnguljen e tyre të herëshme nga Azia për t’u vendur në brigjet e detit të atyre tokave që sot njihen si toka greke. Më pas, ai tregon për luftërat mes pellazgëve dhe tre fiseve të tjera të ardhura një mijë vjet më vonë nga Azia dhe për lëvizjen e pellazgëve nga bregdeti për në brendësi të fushave e maleve, duke krijuar vendbanime dhe mbretëri të reja.

Sipas Pashko Vasës, ata pellazgë që zunë vend në zonat e Janinës, Gjirokastrës, Beratit e Vlorës, e quajtën vendin dhe mbretërinë e krijuar Epir, të tjerët që u shpërngulën në zonat veriore në Mat, Dibër, Shkup etj., e quajtën mbretërinë Maqedoni, ndërsa të tjerët që u vendosën në Dukagjin e ndër malet e Shkodrës, e quajtën mbretërinë dhe vendin e tyre, Iliri.

“Shqiptarët e sotëm -ve në dukje Vasa- janë pasardhës të drejtpërdrejtë të pellazgëve që populluan fillimisht bregdetin e atyre tokave që sot njihen si toka greke.”

Në vijim, Pashko Vasa flet për Filipin e Maqedonisë dhe Aleksandrin e Madh, për ndërmarrjet ushtarake të tyre dhe zgjerimin e pushtetit deri në Persi. Po kështu, ai flet për Pirron e Epirit, për mbreterit ilirë, Genci dhe Teuta, për Skënderbeun dhe luftërat e shumta të shqiptarëve.

Vasa e mbyll shkimin e tij duke i bërë thirrje shqiptarëve të shkollojnë djemtë dhe vajzat në të mirë të zhvillimit dhe përparimit të vendit.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vasa në këtë pjesë të shkruar prej tij, vihet re ndikimi i gjuhës italiane.

ΔℇΣKROИE  (Dhe shkronjë)

Shemsedin Sami Frashëri, sjell një tjetër kapitull në libër, ku përcjell të dhëna gjeografike mbi kontinentet, qytetet, fshatërat. Ai tregon për Kristofor Klombin, i cili kreu lundrime të shumta në dete dhe zbuloi kontinente te reja. Gjithashtu, tregon ndarjen e kontinenteve, flet për shtet-qytetet, për numrin e popullsisë së këtyre vendeve etj.

Po kështu, Frashëri flet për kufijtë e Shqipërisë, për gjuhën dhe popullsinë e vendit, për ndarjen gegë e toskë dhe përmend qyetete të ndryshme shqiptare, një pjesë e të cilave sot ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë politike.

Πer Γiθeςiϭtene δε per Zόn’ ε jέtese εδε  per Иεrine, bόten’ ε vόgele.

(Për gjithëçishtenë (gjithësinë) dhe për Zotin e jetës edhe për njerinë, botën e vogël)

Kjo pjesë e librit është shkruar nga Jani Vreto. Ajo përmbledh njohuri mbi galaktikën, yjet, tokën, diellin, hënën. Ai shpjegon rrethrrotullimin e tyre dhe e lidh këtë me fuqinë e mbinatyrshme të Zotit.

Po kështu, Vreto shpjegon krijimin e njeriut nga Zoti. Ai shpjegon materien dhe shpirtëroren si dhe aftësitë që Zoti i ka dhuruar njeriut dhe që ky i fundit duhet t’i përdorë në dobi të të mirës dhe zhvillimit të njerëzimit.

Vreto gjen rastin të këshillojë njerëzit me urtësinë e të parëve kur thotë se, atë që nuk dëshiron të t’a bëjnë të tjerët ty mos ia bëj ti të tjerëve dhe e kundërta.

Në vazhdim Vreto flet për rëndësinë e besës, parë kjo në rrafshin moral dhe atë fetar.

Më pas ai shpjegon kuptimin e fjalëve “Memeδeθ” (mëmëdhe), komb, fis si dhe rëndësinë e dashurisë dhe kujdesjes për mbarëvajtjen e kombit dhe mëmëdheut.

Shkrimin e tij Vreto e mbyll duke këshilluar të rinjtë të martohen e të krijojnë familje dhe të ofrojnë dashuri e kujdes reciprok ndërmjet bashkëshortëve.

Në fund ai nënshkruan Ioan-Vretua Postelanasi.

Në shpjegimet e fjalëve të vështira që bën Vreto, vërehet ndikimi i greqishtes.

Porositë e Tovitit mbi të birë

“Porositë e Tovitit mbi të birë” është një pjesë e shkëputur nga Dhjata e Vjetër dhe e përshtatur në shqip nga ℇliniϭtja prej Koto-Anastas-Hoxhit Qestoratasit.

Numεremesoηë (Mësimi i numrave)

Jani Vreto sjell në libër një tjetër temë e cila flet për mësimin, shkrimin dhe leximin e numrave. Në këtë pjesë të librit Vreto shpjegon me shembuj veprimet matematikore të mbledhjes, zbritjes, shumëzimit dhe pjestimit.

Libri mbyllet me një pasqyrë për sqarimin e fjalëve të vështira.

Në fund të tij gjendet fleta e regjistrimit arkivor e cila shënon se në këtë bibliotekë gjendet vetëm një kopje e librit dhe se është shtypur më 1879.


[1] Postenan është një fshat i Kolonjës.

  • Shkrimi u dergua per Diellin nga Jeni Myftari, juriste, pjese e diaspores shqiptare ne Britanine e Madhe.

Filed Under: Politike Tagged With: Jeni Myftari-lfabetare e gjuhës shqipe -Sulltan Hamiti II

Domosdoshmëria e Legalitetit

November 20, 2019 by dgreca

Me rastin e 76 vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2019/

Nga Ekrem Spahiu*/

Nga pikëpamja historike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” e ka zanafillen që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, kur u rikthye legjimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923 të fituara nga Ahmet Zogu. Praktikisht, Legaliteti është një parti me një histori 95 vjeçare. Përmes Mbretërisë Shqiptare, nën drejtimin e Mbret Zog I, gjatë viteve 1928-1939 i ka dhënë shqiptarëve qeverisjen më të mirë në historinë e shtetit shqiptar. Legaliteti ka kontributin e vet të padiskutueshëm edhe në luftën kundër pushtuesëve fashistë e nazistë, në të cilën ka dëshmorët dhe heronjtë e saj. Ajo ka kundërshtuar me të gjitha mënyrat ardhjen e kumunistëve në pushtet dhe i ka rezistuar me stoicizëm për 45 vjet diktaturës më të egër në Europën komuniste. Legaliteti ka kontribuar maksimalisht në proceset demokratike në Shqipëri pas vitit 1990 dhe ka dhënë modelin më të mirë të përfaqësimit në Parlament e në këshillat vendore, si dhe në qeverisjen qëndrore e vendore, për përkushtim, aftësi, ndershmëri, qëndrushmëri politike dhe të suksesshëm.

Në kontekstin e Luftës së II Botërore dhe pushtimit të Shqipërisë nga okupatori nazi-fashist, legalistët, përveçse kanë kontribuar drejtpërdrejt në luftë, janë përpjekur me të gjitha mënyrat për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë të përbashkët kundër pushtuesit. Përfaqësuesi i zogistëve Abaz Kupi, në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, pat deklaruar përpara delegatëve se: “jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator, por në rast se do të formohen partira, unë jam mprojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 39, jam me Mbretin Zog”.

Gjithashtu, Abaz Kupi ka rol parësor edhe për thirrjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes, mbajtur më 1-2 gusht 1943, ku u vendos dhe u shpall bashkimi për shpëtimin e Shqipërisë. Udhëheqja komuniste e pranoi Marrëveshjen e Mukjes deri kur të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u njohën me përmbajtjen e saj dhe urdhëruan Enver Hoxhën që ta prishte atë. Për këtë qëllim, pas një muaji, më 4 shtator 1943, u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën jo vetëm u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, por edhe iu shpall luftë të armatosur Ballit Kombëtar, si dhe çdo rryme apo tendence tjetër politike, thënë ndryshe, u fillua përgatitja e kushteve për një përplasje mes palëve, deri në luftë civile.

Ndërkohë që mbretërorët vazhdonin të luftonin kundër fashizmit pa bujë e pa reklamë, duke qenë të suksesshëm, komunistët, jo vetem shfrytëzonin suksesin dhe emrin e mirë të krijuar nga veprimet luftarake zogiste, por fshehurazi ushtronin një propagandë sistematike kundër tyre. Zogistët, të shqetësuar për këtë sjellje të komunistëve, nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar Këshillit Nacional-Çlirimtar, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.

Në këto rrethana, dukej sheshit se udhëheqja komuniste kishte vendosur tjetër prioritet, përgatitjen e gjithanëshme për pushtetin e nesërm. Në këto kushte, forcat mbretërore, duke parë se përpjekjet për bashkimin e gjithë faktorëve politiko-ushtarakë në luftë kundër okupatorit dështuan, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e forcave nacionaliste thirrën më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike.

Në këtë mbledhje morën pjesë delegatë të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë së njohur ndërkombëtarisht, si dhe nga trevat etnike shqiptare përtej kufijve politik, duke përfshirë edhe delegatë nga çetat zogiste. Ndër më të përmendurit ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës në Durrës më 7 prillit 1939 dhe protagonist kryesor i konferencave të Pezës e Mukjes; atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës; patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, arsimtarët Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, oficeri madhor Joho Caci, Hysen Meça, Xhemal Herri, Mark Mir Gjiri etj.

Platforma që u miratua në Kongresin themelues ishte shumë e qartë: fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit; kthimi në pushtet i Mbretit Zog, pasi vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë legjitime; krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike; vendosja e shtetit ligjor; sigurimi me ligj i drejtave e lirive themelore të njeriut; reforma shoqërore për përmirësimin e jetës së popullit; etj.

Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, zogistët deklaruan formimin e partisë së tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Për drejtimin e OKLL u zgjodh kryesia me kryetar Ndoc Çoba, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh Major Abaz Kupi. U konstituan: Komiteti Qëndror, Sekretariati i Përgjithëshëm, Shtabi i Përgjithëshëm, Shërbimi Propagandistik, Rinia e Legalitetit, Shtypi, Seksioni i Ekonomatit dhe i Financës dhe Seksioni Sanitar (ky i fundit me atributet e mjekësisë gjatë kohës së luftës).

Forcat luftarake legaliste në atë kohë përbëheshin nga 5.000 deri në 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 vetë. Për më tepër, këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ku spikat qëndresa mbrojtëse e batalionit të komanduar nga A. Kupi në Durrës më 7 Prill 1939, luftimet e Matit, Liqenit të Germanit e Zallit të Germanit, Qafë Shtamës, Gurrës, Damit, Suçit, Krujës, Vorze -Shkalla Tujanit, Prezës, etj.

OKLL u shtri nëTiranë, Shkodër, Dibër, Mat, Durrës, Kavajë, Shijak, Kosovë, Vlorë, Berat, Sarandë, Korçë, etj. Shërbimi propagandistik i saj nxori deri në fund të luftës 21 numëra të gazetës “Atdheu” me një tirazh 210.000 copë. U shtypën dhe u shpërndanë 250.000 trakte. Në 6 muaj u mbajtën 24 fjalime.

Drejtuesit e OKLL, në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm duke informuar në detaje Mbretin Zog mbi situatën në Shqipëri, duke konkretizuar në këtë mënyrë ruajtjen në terren të vijimësisë politike të institucionit mbretëror. Ndërkohë, ata ndërkombëtarizuan veprimtarinë e tyre luftarake përmes letrave drejtuar Presidentit të SHBA, Franklin Delano Roosevelt dhe Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Winston Churchill me anë të të cilave jepnin pamjen reale të zhvillimeve ushtarake e politike në Shqipëri.

                        Është fakt historik dhe shumë domethënës që, pranë forcave të Abaz Kupit, ishte atashuar misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Duhet thënë se, Britania e Madhe dhe SHBA bashkëpunuan me të gjitha formacionet e rezistencës pa marrë parasysh bindjet politike, por dënonin me ashpërsi organizatat, të cilat, nën maskën e luftës për liri, synonin përgatitjen e ndryshimeve politike në vend dhe vepronin në kundërshtim me parimet e Kartës së Atlantikut. E vërteta është se, lëvizjet nacional-çlirimtare në Ballkan filluan veprimtarinë e tyre me një program nacionalist, ku kërkohej të çlirohej vendi nga pushtuesit dhe pastaj vetë popujt të zgjidhnin regjimet e tyre demokratike, sipas parimeve të Kartes së Atlantikut. Por shumë shpejt u konstatua se këto lëvizje frymëzoheshin prej politikës sovjetike dhe përpiqeshin fort për të përgatitur terrenin për marrjen e pushtetit dhe për vendosjen e qeverive komuniste pro Moskës. Me këtë frymëzim, ato praktikisht u angazhuan gjithnjë e më shumë në luftën kundër organizatave rivale të tyre nacionaliste.
Ndërkohë, që organizatat me frymëzim kombëtar kërkuan gjithnjë një marrëveshje kombëtare për luftë kundër okupatorit, udhëheqja komuniste pikërisht kësaj marrëveshjeje i trembej. Programi qartazi kombëtar i Legalitetit dhe personalitetet e spikatura që e udhëhiqnin, i shkaktonin panik Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste, të cilat llogarisnin të ardhmen si pushtet dhe jo si marrëveshje kombëtare. Prandaj ajo nisi luftë sa të nëndheshme, aq edhe të hapur për asgjësimin e Legalitetit. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Mirëpo, ky ishte një vendim absurd, partiak, i njëanshëm, e për rrjedhojë i pavlefshëm si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe këndvështrimi politik e historik. Nga pikëpamja e të drejtës publike dhe kushtetuese, është fakt i pamohueshëm se Mbreti Zog kishte qeverisur vendin legalisht, me votim të organit përfaqësues të popullit shqiptar (Asamblenë Kushtetuese). Ky legjitimitet, u fitua jo vetëm për shkak të kontributeve të spikatura të tij, të pranuara dhe të mbështetura në nivel kombëtar, por mbi të gjitha edhe përmes mjeteve të ligjshme, në përputhje me të drejtën kushtetuese, në nje shtet demokratik, sovran e të lirë. Për më tepër, Mbreti Zog nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, por për shkak të zhvillimeve që nuk vareshin nga vullneti i tij, ai pat deklaruar në Parlament se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe, me vendim të Kuvendit Kushtetues, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.

Prandaj edhe mbretërorët, krahas rezistencës në ditët e prillit 1939, përpjekjeve për bashkimin e gjithë faktorëve në luftë kundër okupatorit dhe angazhimit të tyre drejtpërdrejtë në frontin e luftës, në të njëjtën kohë bënin sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit kombëtar e ndërkombëtar për kthimin e regjimit legal të mëparshëm. Në këtë pikë vlen të përmendet fakti se realizimi i të ashtuquajturit “bashkim personal” me kurorën e familjes mbretërore italiane, i cili e vendosi formalisht Shqipërinë nën regjimin e familjes mbretërore italiane, është konsideruar gjerësisht si një vendim fiktiv, i pabazuar të drejtën ndërkombëtare publike. Në kushtet kur edhe nga historiografia komuniste, ky ndryshim i formës së qeverisjes nga italianët është cilësuar si i pabazuar, rrjedhimisht pranohet fakti se nga pikëpamja juridike, në Shqipëri vazhdonte e njëjta formë qeverisjeje si përpara pushtimit fashist. Thënë kjo, Mbreti Zog nuk mund të anashkalohej në asnjë rast, nga asnjë vendimmarrje politike, e jo më t’i ndalohej kthimi në vend.

Në këto kushte, bazuar në argumentet si më lart, Legaliteti, vijoi të mbështetej në shtyllat e qëndresës kundër okupatorit dhe të kërkesës për marrëveshje kombëtare, një marrëveshje që, nëse do të ishte arritur siç e kërkonte kjo forcë politike, Shqipëria do kishte patur tjetër rrjedhë duke u orientuar për nga Perëndimi, të cilit i përkiste. Duke parë se këto dy shtylla nuk po reflektoheshin nga forcat e tjera politike, drejtuesit e lartë të Legalitetit parashikuan shkarjen e vendit në përplasje civile dhe, për këtë arsye, riformatuan mënyra të tjera qëndrese, brenda apo jashtë vendit.

*ish-deputet & kryetar i PLL  

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu- Domosdoshmeria- Legaliteti

Gërrvërret në raportet me Kosovën

November 19, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në studiot e Tiranës ka zënë vend një gërrëvërre a një xhelozi habi në lidhje me pritjen që shqiptarët e Kosovës u rezervuan anglezëve në ndeshjen e fundit në grup. Madje ka nga ata që pohonin se u dukej e pakuptimtë e cilësonin si delir duke pretendetuar se Anglia do t’i toleronte në rezultat, mirëpo ua rrasi. Shikoni çfarë logjike, po e presim Anglinë fairplay dhe ajo na toleron?! Kjo për shqiptarët e Kosovës, apo kosovarët siç thonë ata. Logjikë e analistëve të trashur nga nginja e përnatshme, nga dalja orë e pa orë. Kurse gazetave ca të tjerë shtojnë se si nuk panë në rrugët e Prishtinës një flamur kuq e zi, por vetëm ato të Anglisë?! Dhe se ndeshjen mes Shqipërisë dhe Francës nuk e shikonin të transmetohej gjëkundi etj. Në fakt radiotelevizioni kombëtar i Kosovës e ka transmetuar drejtpërdrejtë, se aty e ndoqa edhe vet për shkak të cilësisë në transmetim në raport me atë të televizionit shqiptar. Pa u futur tek ceremonia e hapjes që qe një skandal, një shpifësirë në realizim. Dhe kjo ka domethënien se nuk ia njohim cakun hapave, jemi pjesë e asaj kulture zhurmë. Logjikisht pas ecurisë, sidomos pas humbjes në Çeki ndeshja e Kosovës me Anglinë nuk kishte asnjë vlerë veç faktit të kënaqësisë që të luash karshi atyre që shpikën futbollin. Në raport me Shqipërinë, Kosova bëri mrekullinë dhe zhvilloi një fazë për tu mbajtur mend, për më tepër kur shumë prej nesh mezi prisnin ta shihnin. Një Kosovë që shtrihej në fushë dhe aplikonte një futboll cilësor e bashkëkohor, pa shumë veprime individuale dhe me shpirt gare etj. Por jemi te gërrvërret dhe një mllef prej provincialësh që habiten për Kosova u mbulua nga flamuri i bardhë me kryqin e kuq dhe plot falënderime për Anglinë. Kosova ka në asht një mirënjohje kombëtare karshi Anglisë dhe me të drejtë. Kjo është e shkuara jo e largët, por plot 20 vjet, periudha e bombardimeve të amerikanëve dhe Natos. Ishte kryeministri anglez i kohës, Tony Blair që bëri presion mbi Amerikën dhe Naton për ndërhyrje tokësore, madje dha urdhër që forcat angleze të zbarkonin në Kosovë, sidomos pas gabimeve të njëpasnjëshme nga bombardimet, si në burgun e Dubravës më 1999. Siç u vërtetua më vonë në pretekstin e bombardimeve, ku u vranë 17 civilë, numri real ishte 99 me shumicë dërrmuese shqiptarë, por këta nga mizoritë e spastrimeve etnike. Si me thënë rrëmujë është le të vrasim sa të mundim. Ishte pikërisht ky moment kur Tony Blair apo Anglia gatiti një formacion me 50 mijë ushtarë specialë për ndyërhyrje tashmë tokësore. Fill pas kësaj edhe aleatët por edhe Amerika u shtrënguan të bëjnë të njëjtën gjë. A ka të drejtë Kosova të t’i jetë mironjëhese Anglisë, pa diskutim sepse në nga ato ditë reprezalshjen numri i të vrarëve apo të zhdukurve do të ishte më i madh. Kësisoj shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën e Zotit të t’i jenë mirënjohës Anglisë. Dhe po me të drejtën e Zotit rrugët e Prishtinës mbuluan faqet e para të webeve ndërkombëtare. Sa për dijeni në ato vite shteti amë Shqipëria ishte akoma në kaosin e 97-tës, brenda një vetvrasje civile dhe nuk kishte se si t’i kushtonte vëmendje luftës në Kosovë. Madje me depot e hapura bënin tregti me shqiptarët e Kosovës, ku bandat e zonave nuk pirdhnin për asnjë lloj amëshimi kombëtar veç xhepave. Edhe ai pak suport si nga e djathta apo e majta nxiti një luftë meritash të karakterit porvincial se kush bëri më shumë, por e vërteta ishte se Shqipëria bëri një vrimë ujë deri sa u përfshi në një luftë të ashpër brenda llojit. Një luftë që asnjë emër tjetër nuk i shkon veç ai i absurdit kolektiv. Atëhere përse gërrvërremi ne me Kosovën? Thjesht se jemi megallomanë, kurse në raport me ne shqiptarët e Kosovës janë më europianë, pavarësisht një doze otomaniste. Shqiptarët e Kosovës janë më luajal në raport me demokracinë dhe lirinë, kurse ne jemi të marrë peng. Jemi smirëzinjë se po atë mbrëmje luhej në Tiranë Shqipëri Francë. Edhe kjo një ndeshje pa interes, veç për statistika. Por inaugurohej stadiumi i ri dhe show tiranas duhej të kishte mbushur Prishtinën etj., naivitet. Show tiranas ishte për ibret kur thoshin të parët, e për më tepër në një qendër tregtare që zhduku çdo vlerë nga historia e sportit, me një kosto marramendëse. Ndërkohë kur Kosova po pritet të rehabilitoj nga themelet bash në Mitrovicë një stadium kombëtar me kapacitet 32 mijë spektator me vlerën monetare 14 milion euro. Shqiptarët harxhuan 75 për të nxjerrë një stadium me tre anë, se ana ballore duket si ato radiot Bandsuper të kohës së komunizmit, ato që vinin nga Kina e largët. Shikojeni projektin e stadiumit të Mitrovicës që të kuptoni sharmin e olimpizmit me ato tegjeve industriale të Tiranës sonë. Edhe kaq mund të mjaftojë për të dalluar diferencën mes nesh dhe sharmit të shqiptarëve të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Gërrvërret- në raportet- me Kosovën

FRIENDS OF THE JEWISH MUSEUM OF KOSOVO…

November 18, 2019 by dgreca

FRIENDS OF THE JEWISH MUSEUM OF KOSOVO in partnership with American Sephardi Federation, Embassy of Kosovo and B’nai Tzedek Congregation are hosting a film screening: “The Righteous Gypsy” with director Jakov Sedlar on NOVEMBER 17, AT 7:00 PM (Doors open at 6:30 pm)

B’NAI TZEDEK CONGREGATION 10601 S. Glen Road, Potomac, MD. 20854

“Dr. Anna Kohen, recipient of Civil Merit Medal from Albania’s President and former President of Albanian-American Women’s Organization Motrat Qiriazi, has been instrumental in putting together the event. She has been assisted by two women activist,” said to Dielli Ines Demiri, First Secretary at the Consulate General of the Republic of Kosovo in New York.  

There will be an award presentation to Gjergj Preng Uli in honor of his father’s heroism rescuing Jews during WWII. Imam Tahir Kukaj of the Albanian Islamic Cultural Center and Rabbi Robert Kaplan, Director of the Center for Community Leadership at Jewish Council Community Relations New York will be guest speakers. Following the ceremony there will be a ‘sweet’ reception with authentic Balkan and European desserts.  

On November 18 at 3 pm and 8 pm the screenings will take place at the Center for Jewish History with the Embassy of Kosovo. Director and Screenplay by Jakov & Dominik Sedlar, Pravednica Ciganka (The Righteous Gypsy, 2016, 32 min) is the story of the only Gypsy woman honored by Israel as “Righteous among the Nations”.

Center for Jewish History
15 West 16th St
New York, NY 10011

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-FRIENDS OF -THE JEWISH MUSEUM- OF KOSOVO

Kujtesë- Shtatë vite më parë, Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

November 16, 2019 by dgreca

NGA EKREM SPAHIU*/

Forcat komuniste në mëngjesin e 17 nëntorit 1944 shkatërruan mauzoleumin ku preheshin eshtrat e Nënës Mbretëreshë Sadije dhe hynë triumfalisht në Tiranë si çlirimtarë, “a thua se ai varr ishte gjermani i fundit”.

68 vjet më vonë, pikërisht më 17 nëntor 2012 me nismën e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryeministrit z. Sali Berisha, u kthyen në atdhe eshtrat e Mbretit Zog I dhe u vendosën të prehen përjetësisht në mauzoleumin e rindërtuar nga qeveria, si një replikë e modernizuar e mauzoleumit origjinal, që ishte ndërtuar në dhjetor 1935. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike.

Ky moment shumë i rëndësishëm për autoritetin e shtetit shqiptar në demokraci u përzgjodh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për shkak se shumë vite të historisë së shtetit shqiptar lidhen me figurën e Ahmet Zogut.

Me VKM të posaçme, qeveria ngriti një komision ndërministror për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I dhe organizoi një ceremoni madhështore. Për zbatimin e VKM ishin përfshirë drejtuesit më të lartë të: Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Istitutit të Monomenteve të Kulturës.

Mbreti Zog ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1961 dhe eshtrat e tij preheshin te varreza “Thiais Parisien”. Më 14 nëntor 2012 në Paris, nëpërmjet një ceremonie zyrtare dhe nderime ushtarake organizuar nga Protokolli i Presidentit të Republikës franceze, në prani të Familjes Mbretërore Shqiptare, autoriteteve të larta të qeverisë franceze, delegacionit të qeverisë shqiptare, drejtuesve të PLL dhe shumë mbretërorëve të ardhur nga Shqipëria, Franca, Belgjika, Anglia, etj, u bë zhvarrimi dhe përgatitja e eshtrave të Mbretit Zog për t’i nisur në atdheun e vet.

Mëngjesi i 16 tetorit 2012 ishte shumë i veçantë në Rinas. Në respekt të figurës madhore të Mbretit Zog kishin dalë për të pritur eshtrat e Mbretit të Shqiptarëve, mjaft personalitete të larta të shtetit si dhe mijëra qytetarë. Gjithçka ishte organizuar me përpikëri nga Protokolli i Shtetit. Arkivoli, i vendosur në makinën mortore dhe i mbuluar me flamurin shqiptar, nën marshet funebre të bandës frymore, kalon në mesin e simpatizantëve të Mbretërisë që ishin vendosur në dy anët e rrugës dhe niset në drejtim të Tiranës.

Më 17 nëntor, në Pallatin Mbretëror u zhvilluan homazhet në nderim të Mbretit Zog I. Princi Leka II, e fejuara e tij zj.Elia Zaharia dhe anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore, pritën autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe Kosovës, përfaqësues të familjeve mbretërore, Zëvendëskryeministrin e Hungarisë, gjithë drejtuesit e partive politike në Shqipëri, ambasadorë, përfaqësues të klerit, drejtuesit politik shqiptarë nga Maqedonia, Mali Zi, Lugina e Preshevës dhe mijëra vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur për të nderuar figurën e Mbretit Zog.

Pas homazheve, arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog u vendosën në shtratin e topit, për t’u përcjellë drejt mauzoleumit të Familjes Mbretërore.

Personalitetet më të larta politike të kombit, në të dy krahët  kufirit, shprehën vlerësimet maksimale për figurën e Mbretit Zog. Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, evidentoi kontributin e jashtëzakonshëm të Mbretit Zog në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit modern shqiptar:

“Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit dhe të naltmadhnisë së tij, mbretit të shqiptarëve Zog I, simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe pajtimin kombëtar. Shqipëria, nën udhëheqjen e Mbretit Zog, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe të administratës në çdo cep, me liri qytetare dhe me tolerancë fetare që ishte shembull për vendet e tjera”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, ndër të tjera tha: “Sot, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik, që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin, të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës. Ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësi për të shlyer një detyrim, jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog. Rivarrimi i tij sot, pikërisht aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton”.

Kryeministri z. Sali Berisha, theksoi se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Mbretit Zog. “Sot mbarë kombi shqiptar, nderojnë e përulen para veprës dhe kontributit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë”.(…) “Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”.

Princ Leka, në emër të Familjes Mbretërore falenderoi kryeministrin Berisha për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe dhe shprehu mirënjohje për personalitetet më të larta që vlerësuan  veprën dhe kontributin e madh të Mbretit, dhënë për Shqipërinë. Duke falenderuar pjesëmarrësit, Ai u shpreh: “Rishikimi i historisë së popullit tonë nuk fillon dhe mbaron sot. Eshtë një proces ende i gjatë dhe i vështirë për të zbuluar me objektivitet të vërtetat historike. Rindërtimi i mauzoleumit ka një rëndësi jo vetëm për Familjen Mbretërore, por për të gjithë kombin shqiptar”.

Pas fjalimeve të rastit, dy ushtarë të ceremonialit palosin flamurin kombëtar dhe ia dorëzojnë  në mënyrë ceremoniale Princ Lekës. Nën tre breshëri me armë dhe të shtëna me top, arkivoli vendoset nga ushtarët e ceremonialit në banesën e fundit dhe me këtë gjest mbyllet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I në mauzoleumin e Familjes Mbreterore.

Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani shtroi një darkë në Pallatin Mbretëror, ku edhe i akordoi Naltmadhnisë së Tij Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:

“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

*ish-deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu-Kthimi i Eshtrave- Mbreti Zog

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT