• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO SHTOHET REZISTENCA BOTËRORE NDAJ UDHËHEQËSVE AUTOKRATË

January 22, 2019 by dgreca

1-Frank-shkreli-1 HRW-685x368

 

Nga Frank Shkreli/

Organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, “Human Rghts Watch” me qëndër në Nju Jork, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, botoi para disa ditësh në Berlin raportin e saj vjetor për 2019.  Siç dihet, kjo organizatë, si mbështetëse e të drejtave të njeriut, ka si mision të vetin ushtrimin e trysnisë ndaj qeverive, politikanëve dhe shkelësve të ndryshëm të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të prononcohen dhe të denoncojnë abuzimin e të drejtave të njeriut, kudo që ndodhë.  Po vihet re një prirje botërore, gjithnjë në rritje, për të rezistuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga ana e udhëheqësve autokratë, deklaroi organizata Human Rights Watch, duke paraqitur raportin e saj vjetor, për vititn 2019.  “Në radhët e Bashkimit Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, koalicione shtetesh, të mbështetura nga grupe civile dhe nga protesta popullore, po rezistojnë politikat e udhëheqësve populistë, të cilët ndjekin politika që nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut”.

Në raportin vjetor prej 674 faqesh të Human Rights Watch, flitet për “anën e errët” të politikave të udhëheqësve autokratë dhe mbi gjëndjen dhe praktikat e zbatimit ose jo të të drejtave të njeriut, në më shumë se 100-vende.  Kosova përmendet shkurtimisht, por Shqipëria nuk përmendet në raport, por ndërkaq theksohet se mungesa e shumë shteteve në raport nuk do të thotë se ato vende nuk kanë probleme me të drejtat e njeriut dhe me qeverisje autoritare, por thjesht, është bërë për mungesë burimesh financiare dhe personeli në vendet që nuk pasqyrohen në raportin vjetor të Human Rights Watch.

Në parathënien e raportit, Drejtori Ekzekutiv i Human Rights Watch, Z. Kenneth Ross thekson se lajmi më me rëndësi për vitin që kaloi është në të vërtetë rezistenca popullore ndaj prirjeve autoritare, duke i kundërshtuar politikat e tyre anë e mbanë botës.  Kjo rezistencë ndaj sulmeve kundër demokracisë nga udhëheqës të caktuar autokratë, sipas tij, vihet re sidomos në Evropë, në përpjekjet për të ndaluar gjakdherdhjen në Siri, në protestat për të sjellur para drejtësisë personat që po kryejnë spastrime etnike kundër myslimanëve në Myanmar, kundërshtimet e politikës saudite në Jemen, protestat kundër armëve kimike si dhe kërkesat për një hetim të gjithanshëm për vrasjen e gazerit sauidt, Jamal Khashoggi, e të tjera.

Të njëjtit udhëheqës populistë, të cilët po përhapin urrejtje dhe mos tolerancë, po nxisin një rezistencë mbarë popullore, rezistencë e cila është duke shënuar fitore kundër tyre”, u shpreh Z. Ross, duke shtuar se, “Fitorja kundër tyre (atuokratëve) nuk është siguruar ende, por sukseset e shënuara vitin që kaloi, sugjerojnë se abuzimet e qeveritarëve autoritarë, janë duke shkaktuar kundër sulme të fuqishme ndaj tyre, nga mbështetsit e të drejtave të njeriut”.   Në Evropë, për shembëll, gjatë vitit që kaloi, mbështetja për të drejtat e njeriut u shpreh në forma të ndryshme, me protesta nepër rrugë si dhe mbrenda institucioneve.  Në një demokraci perëndimore, nuk është i lehtë sundimi autoritar dhe tolerimi i tij.  Kjo u vu re në Hungari dhe në Poloni, ku populli polak dhe hungarez reaguan ndaj atyre që ata i shikuan si kufizime të lirive të tyre bazë duke protestuar politikat e Kryeminstrit hungarez, Z. Viktor Orban dhe të Presidentit polak Andrzej Duda.  Ndërsa raporti përmend si shembëll edhe zgjedhjet e nëntorit që kaloi këtu në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur fitoren e demokratëve të opozitës, të cilët tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqsuesve — si një reagim të votuesve amerikanë ndaj asaj që raporti e cilëson si politikë, “frikësimi” e Presidentit Trump, një reagim ky, sipas Z. Roth, nga poshtë lart.

Në parathënien e raportit të Human Rights Watch thuhet se Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare të saj u treguan mbështetse të forta të drejtave të njeriut, madje edhe përtej kufijve të tyre.  Kancelarja e Gjermanisë, Angel Merkel dhe ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas kanë kritikuar publikisht Presidentin e Rusisë, Z. Vladimir Putin, Presidentin kinez, Z. Xi Jinping dhe Presidentin e Turqisë, Z. Recep Tayyip Erdogan, si abuzues të të drejtave të njeriut dhe shtypës të opozitës politike, të gazetarëve dhe aktivistëve të drejtave civile, thuhet në parathënien e raportit vjetor të Human Rights Watch.   Por, megjithë sukseset e shënuara kundër autokratëve vitin që kaloi, aty thuhet se jo të gjitha prirjet ishin pozitive në fushën e të drejtave të njeriut.  Raporti thekëson se autokratët e sotëm politikë, po përpiqen të fajësojnë grupe të shoqërisë që mund të jenë kundër tyre, me qëllim për të shtuar mbështetjen popullore për ndaj tyre dhe partive politike që ata përfaqësojnë.   Këta autokratë, thuhet aty, po dobësojnë ato që në anglisht cilësohen si “checks and balances” të një shoqërie, ose balancimi dhe kontrolli i detyrave dhe i përgjegjësive midis degëve të ndryshme të qeverisjes, duke përfshirë gjykatat e pavarura, legjislativin, median e lirë dhe grupet civile.   “Autokratëve u përshtatet shkelja e të drejtave të njeriut, sepse kështu ruajnë pushtetin dhe mbushin xhepat.   Në këtë mënyrë ata shpërblejnë miqtë.  Këto janë arsyet pse qeveritë duan të shkelin të drejat e njeriut”, thekson raporti vjetor i Human Rights Watch.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Z. Roth përfundon duke thënë se, “Përpjekjet dhe terreni në mbrojtje të të drejtave të njeriut po ndryshojnë për nga forma dhe për nga pjesëmarrësit, ndërkohë që disa mbështetës të vjetër të këtyre të drejtave nuk janë më të tillë… por nga ana tjetër, koalicione të forta dhe efektive janë themeluar për të kundërshtuar qeveritë të cilat nuk janë përgjegjëse ndaj popujve të tyre dhe të cilët njëkohësisht nuk respektojnë as të drejtat e tyre bazë të njeriut.”

Sfidat ndaj respektimit të drejtave të njeriut mbeten anë e mbanë botës, megjithë sukseset e arritura vitin që kaloi, sipas raportit.  Megjithëse tani standardet ndërkombëtare për të respektimin e të drejtave të njeriut janë bërë pjesë e rëdnësishme e vlerësimit se si qeveritë trajtojnë shtetasit dhe të drejtat e tyre – të drejtat bazë të njeriut vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga politikanët autoritarë të cilët shohin gjithnjë përfitime politike dhe ekonomike për veten dhe të tjerët kur shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, thekësohet në raport.  Por u takon mbrojtësve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut që të bindin qeveritë dhe udhëheqsit autoritarë se do të paguajnë një çmim të lartë për sjelljet e tyre dhe se nuk ia vlen të ndiqet një politikë e tillë nga qeveritarët autoritarë.   Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch premton se vitin që vjen do të shtrijë hapësirën e një veprimi më energjetik në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, nga abuzimi dhe shkelja e këtyre të drejtave bazë, prej qeverive dhe udhëheqësve politikë autoritarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Rezistence boterore, Udheheqesve autokrate

Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional

January 21, 2019 by dgreca

1 Presidenti Rugova portRugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional/

Të nderuara medie, gjeni të bashkangjitura fjalimet e kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa dhe anëtarit të kryesisë, bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit Rugova Akademik Sabri Hamiti, me rastin e 13 vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.1 Rugova 1Prishtinë, 21 janar 2019

Fjalimi i Kryetarit të LDK-së Akademik Isa Mustafa

E nderuara familje Rugova,

Të nderuar familjarë të veprimtarëve të LDK-së që nuk janë në mesin tonë, të heronjve e dëshmorëve të luftës së UÇK-së,

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të LDK-së, të Këshillit  të Përgjithshëm, të Kryesisë, deputetë, kryetarë të komunave, anëtarë të Forumit të Gruas, të Forumit të Rinisë,  kryetarë të degëve, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Të nderuar përfaqësues të Korit diplomatik të akredituar në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të  institucioneve shkencore, arsimore e kulturore,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Trembëdhjetë vite më parë, Kosova në mënyrë madhështore ia dha lamtumirën e fundit Presidentit të vet, për ta pohuar edhe një herë besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë skena politike dhe institucionale e vendit.

Në janarin e ftohtë të vitit 2006, Presidenti Rugova na la kur na duhej shumë për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësisë së Kosovës. Por nuk na la vetëm. Mbetëm me veprën e tij të madhe, gurëthemelin e shtetit të pavarur; me lirinë e fituar  e me shumë miq të pavarësisë, me filozofinë e tij të humanizmit, paqes e tolerancës..

Gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, qytetarët tanë treguan nderimin dhe dashurinë e pashembullt për prijësin e madh të tyre, Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lum i pandalshëm për tu përshëndetur me te për herë të fundit.Presidenti Ibrahim Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë.Si doktor i fushës së letërsisë dhe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rugova i dhuroi Kosovës një krijimtari të çmuar letrare që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit njëzet.

Filozofia e tij politike dhe krijuese u vlerësuan lartë me shumë çmime e tituj ndërkombëtarë. Iu nda çmimi Saharov i Parlamentit Evropian, Iu dhanë çmimet për paqe nga institucione dhe fondacione në Danimarkë, Gjermani e Spanjë; u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit, Sorbonë dhe Universitetit të Tiranës; u nderua “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës” nga Komonwelthi i Pensilvanisë dhe mori shumë mirënjohje dhe nderime të tjera.

Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Zonja dhe zotërinj,

Rugova lindi dhe mbeti njeri i këtij vendi, i popullit shqiptar dhe i dheut të Kosovës. Por filozofia e tij politike dhe veprimtaria krijuese kapërceu pashmangshëm kufijtë e Ballkanit dhe u bë e pranuar dhe e admiruar nga civilizimi evropian dhe ai botëror.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike.

Ibrahim Rugova diplomoi  në Fakultetin Filozofik në Prishtinë – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi me studime në Paris. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.

Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne.Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë soc-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Vlerësohet se ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik. Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, ai u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja institucionalizuan pavarësinë e Kosovës. Pasoi Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës (shtator 1991); zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës (24 maj 1992).

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Poashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Zonja dhe zotërinj,

Rugova ishte i kalitur me vullnet njerëzor. Si njohës i shquar i kulturës shqiptare, i ndjente dhe i kuptonte më së miri aspiratat, qëllimet sikurse edhe  vuajtjet e njerëzve të tij, si në Kosovë ashtu edhe në trojet etnike shqiptare.Më ka rënë të bisedoj gjatë e të këmbej mendime me Presidentin Rugova, gjatë udhëtimeve të tij jashtë Kosovës, në Gjermani, në Zvicër, në Belgjikë, në SHBA, sa isha ministër i qeverisë në ekzil për nëntë vite dhe më vonë pasi u ktheva në Kosovë.Ai fliste me admirim për qëndresën e qytetarëve në Kosovë, për shpirtin e tyre ndërmarrës, për studentët dhe rininë që ka Kosova. Fliste për ndërtimet dhe gjallërimin, për arsimtarët që punonin në shkolla-shtëpi private, për mjekët e organizuar në Shoqatën Nënë Tereza, për solidaritetin e pashembullt që po e mbante gjallë Kosovën që ai drejtonte si President. Preokupohej  me bashkëpunimin ndërshqiptar. Ishte përherë i mbushur me besim dhe shpresë se do ia dalim ne krye.Në xhep mbante një kristal të Trepçës të mbështjellë në një letër të thjeshtë për t’ia dhënë Presidentit të SHBA-ve, Klinton, si shenjë të Kosovës. Me qetësinë dhe urtësinë e tij thoshte: në këtë vend i kemi mbjell shpresat tona, kam besimin e plotë se Amerika do të na përkrahë dhe do të  ndihmojë ta bëjmë shtetin tonë, dhe vetëm këta mund ta bëjnë. Ndodhi, ashtu siç e predikonte Rugova.

Zonja dhe zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës sot, po punon me përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj, të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.LDK i mbetet besnike fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.

LDK do të angazhohet me vendosmëri dhe konsistencë të ndjek rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, që është alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.Ne vazhdojmë të jemi besnik të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur të ruajmë shtetësinë tonë. Ta ruajmë Kosovën në kufijtë në të cilët e ka shpallur pavarësinë, ta forcojmë identitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës.

Ashtu siç preferonte Rugova, edhe përkundër dallimeve të natyrshme ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.Për këtë përvjetor, Fondacioni Ibrahim Rugova, me një përkushtim të madh të shkrimtarit Munish Hyseni dhe Akademik Kujtim Shala, ka përgatitur botimin “Kështu foli Rugova” me intervistat e Rugovës nga 1990 deri më 2 janar 2005, në 683 faqe.Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës.Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”.Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës.LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje Presidentin e saj Historik, dr. Ibrahim Rugova.

Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova! 

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

***

  • Fjalimi i Akademik Sabri Hamitit cIBRAHIM RUGOVA KRIJUES

1.Po rikujtojmë sot dy decenie të krijimtarisë letrare e të formimit intelektual të Ibrahim Rugovës (1967-1987), për të kuptuar formatin kulturor e nacional të njeriut që për dy deceniet në vazhdim (1987/8 – 2006) u bë prijësi politik i Kosovës.

2- Leonardo Da Vinçi, piktor dhe shpikës gjenial, në fund është trembur nga madhështia e natyrës, qoftë me veprën e vet të kulturës. Mbasi ka krijuar pikturat e famshme, “Mona Liza” e “Darka e fundit”, në fund të jetës ka bërë “Auto­portretin”. Çështja është ballafaqimi i fortë natyrë/kulturë. E para mban misterin e krijuesit suprem. E dyta mban drithërimën e krijuesit njeri, i cili padashur bie në mëkatin e ëndrrës të rivalizimit me krijuesin suprem. Është ëndrra e fëmijës që nuk ka fund, për t’u bërë Krijues (ai që shpik). Kurse, e matur me jetën e njeriut, mbërrin vetëm të bëhet Autor (ai që shton).

3.

Tani jemi në fushën e kulturës dhe Ibrahim Rugova shkrimin e librin i kishte dhe i bëri kult në rini. Këtë e pa empirikisht në Shkollën Normale në Pejë, duke mësuar që ka një mospajtim ndërmjet shkollës (dijes) e krijimit. Pikërisht atëherë kur Mësuesi nuk ia pranoi Krijimin, duke e parë tepër të përkryer për një Nxënës, duke e rezervuar përkryerjen për Krijuesin.

4.

Këtë mister Ibrahim Rugova u nis ta zgjidhë pas ardhjes në Prishtinë në studimet letrare, më 1967; e sidomos kur u bë Autor mbas vitit 1968, së pari te revista “Fjala” me esetë “Zenite letrare”, ku në veprën letrare kërkonte ta gjente Autorin, duke bërë të kundërtën e zotërimit të mendimit të atëhershëm. Ese që u botuan në librin “Prekje lirike” në vitin 1971. Në rrethin kulturor letrar të brezit të 68-tës në Universitet, kjo u bë vepër në shkrime, botime e bisedime për krijimin në rrethin më të ngushtë, ku ishin Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Teki Dervishi, unë, që po dëshmoj, e të tjerë. Krijuesit e rrethit i botonin punimet te gazeta “Bota e re”, te revista “Dituria” dhe librat te ky botues. Artikulimet e tyre letrare me synim rimarrjen e trashëgimisë shqipe në komunikim me modernitetin evropian, u dukën si alternativë letrare e rrafshit të përparshëm të etabluar. Kulti i ri letrar u bë libri, dalja e të cilit quhej festë, e përcjellë me diskutime. Në këtë komunikim letrar dhe kulturor, Ibrahim Rugova u shqua si lexuesi i parë publik i botimeve të reja.

5.

Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane. Për ta parë identitaren shqiptare në vallen e universalieve të letërsive të tjera bashkëkohore. Risi, shumësi metodash, pa fetishizime, nënvizonte atëherë Rugova. Pamja e kritikut u shfaq: si bibliograf, si interpretator, si teorik, madje si kronikan në vështrimin e “Kohëtores” të Faik Konicës. Po edhe duke u matur me metoda kërkuese e disiplina bashkë­kohore, si strukturalizmi e semiologjia.

 

6.

Ibrahim Rugova më 1977 shkoi për qëllim studimi në Paris, në Collège de France, ku takoi Rolan Bartin profesor, duke qenë vetë “élève libre” [nxënës i lirë]. Në parantezë: Collège de France është institucion akademik krejt i veçantë ku nuk ka studentë të rregullt; nuk ka regjistrim, mësimi është falas, institucioni nuk lëshon asfarë diplome, prania në kurse është e lirë, mund të hyjë gjithkush.  Këto nuk janë aspak kurse të vulgarizimit, por të ekselencës; profesorët duhet të paraqesin kërkimet e tyre në rrjedhë (“në çastin e të bërit”). Ata flasin çka duan, pasi nuk ka detyrime as diplomë, por kjo duhet të jetë përherë e re. Nuk ka të drejtë asnjëherë të përsëritet kursi.

Pra, Rugova nuk shkoi në Francë për të bërë një diplomë, e as që mori diplomë. Mirëpo, aty gjeti një parajsë diturie, ku shpirti hapet i lirë për të shfaqur të gjitha kapacitetet e të vërejturit dhe të filozofimit. Ky duhet të ketë qenë viti më frytdhënës në botën e tij intelektuale, kur e poq ndërgjegjen fundamentale: për mendimin e lirë dhe njeriun e lirë.

7.

Me t’u kthyer në Prishtinë Ibrahim Rugova iu kthye studimit të veprës së Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum”, studim të cilin e kurorëzoi për tri vite dhe e botoi me titullin “Vepra e Bogdanit: 1675-1685” në vitin 1982. Aty Rugova shpaloi e dëshmoi diturinë sistematike e pasionin letrar, duke zbuluar vlerat fundamentale të letërsisë filobiblike shqiptare, të lakuara në fushat e semiologjisë, të mitologjisë e të humanistikës. Libri u çmua me Shpërblimin e Dhjetorit për letërsi.

8.

Ibrahim Rugova e mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983” në Prishtinë më 1984. Libri u botua dy vite më vonë. Është kjo një histori e padeklaruar e kësaj forme letrare në letërsinë nacionale. Në vitin 1987 botoi veprën “Refuzimi estetik”, që është libri i fundit i botimeve të tij letrare. Ai aty ngrente procedurën e kontestimit të diktaturës e të totalitarizmit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë natyrën e letërsisë. Sepse ushtrimi i lirisë deri në fitoren kolektive kërkon forma të tjera të kontestimit, të gjuhës në veprim e të aktantit dhe të autoritetit. Shkurt: nga “Refuzimi estetik” kalohet në “refuzim politik” të shqiptarëve ndaj dhunës.

9.

Në gjashtë libra shfaqet profili kritik i Ibrahim Rugovës: leximi krijues te vepra “Prekje lirike” (1971), specifika e qenësia letrare te vepra “Kah teoria “ (1978), kritika e vlerësimi i poezisë te libri “Strategjia e kuptimit” (1980), filozofia e semantika letrare te “Vepra e Bogdanit” (1982), sistematizimi i kritikës shqipe te vepra “Kahe e premisa të kritikës letrare shqipe: 1504-1983” (1986), raporti i intelektualit me pushtetin te libri “Refuzimi estetik” (1987).

10.-Askush nuk shkruan pasthënie të veprave të veta. Edhe Rugova e shkroi tekstin e fundit (“Xhojsi, shqipja, Aristoteli”) si parathënie për kërkimet e veta të mundshme teorike-filozofike-letrare, që nisin nga Antikiteti. Imagjinonte se do të vijonte të kërkonte Krijuesin te vetja, por ylli i tij i tha ndryshe: do të bëhesh Krijues në një fushë tjetër, të lirisë së njeriut, të lirisë së vendit. Më 1988 Rugova u bë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ia falur zemrën dhe shpirtin artikulimit të vullnetit të popullit të vet. Më 1989 krijoi formacionin politik, demokratik e pavarësist të Kosovës (LDK), dhe u bë prijës shpirtëror dhe politik i Kosovës deri sa ndërroi jetë.

Filed Under: Politike Tagged With: LDK, pervjetori i 13, vdekja e Dr. Rugoves

Feja, gjuha, kombi, dhe porositë e librit “Me zotin flas shqip”

January 20, 2019 by dgreca

1 Lulash Palushaj

Libri Lulash PalushajjpgFeja, gjuha, kombi, dhe porositë e librit “Me zotin flas shqip”, të Lulash Palushajt/

1-rafaelNga Rafael Floqi/Pse ndodh që ne shqiptarët për një problem të caktuar fajësojmë të tjerët të huajt dhe asnjëherë veten?  Është një qëndrim me të cilin ballafaqohesh qysh në fillim, me librin e ri te Prof. Lulash Palushaj me  titull. “Me zotin flas shqip” në pamje të parë, të duket si diçka e rëndomtë. Ç’ ka më duhet mua, sesi një njeri flet me zotin, apo sesi flet Lulashi me zotin. Ai është shqiptar dhe do të flasë shqip?!.

Por kur e lexon librin e kupton, se në këtë ese, ka sa një pohim, ashtu edhe një pyetje, edhe pse pa shenjë pikëpyetje, një pyetje që kërkon e mëton të gjejë përgjigje, por jo ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët duke e drejtuar gishtin larg nga vetja për t’i gjetur fajtorët jashtë nesh, tek turku apo shkjau, por brenda vetes.

Ky libër është sa një ese, aq dhe një enciklopedi e jetës të malësorëve tanë të Malësisë së madhe. Ai është sa një kërkim aq edhe një përsiatje e një shqetësimi të madh, për zbulimin e mekanizmit të zverdhjes së shqiptarizmit, ndër malësorët dhe të kuptimit dhe luftimit me forcën e analizës, të dukurive sociale dhe etnike, që autorit, edhe të gjithëve neve na dhembin, e që shprehen me pyetjen, që çdo malësor e ka përbrenda: “Nga ku buron shkombëtarizimi i shqiptarëve të Malit të zi?”

Lulashi me anë të kësaj enciklopedie popullore, do ta quaja, sa historike aq dhe sociologjike, por pa zëra të veçantë, ka parashtruar, ashtu siç i sjell jeta, fakte dhe reagime, raporte nga takime burrash malësie, në sofra para kafes, apo gotës sa rakisë, si dhe në biseda mes grash, apo mes vëllezërve të një gjaku, por të besimeve te ndryshme mbi identitetin etnik shqiptar dhe bashkëjetesën dhe mbijetesën. Në kuvendet mes Marashit dhe Mehmetit, të vejushave Pashkës apo e Hakes, të  shqiptarëve të Malësisë me ata të Anës së Malit, mes katolikëve dhe myslimanëve, mes Shkodrës si qendër shqiptare dhe Podgoricës, autori edhe pse rrëfen histori, tenton të japë jo vetëm një tablo me kolorit të plotë lokal, por me të njëjtën kohë të shoqëruar me një gjykim, vlerësim, që këlthet pohimin përse dhe pse, nuk duhet të ketë, dasi e urrejtje mes shqiptarësh.

Kundrimi paraqitja e vetë raporteve sociale në mes shqiptarëve, në Malësinë e madhe, duke medituar mbi disa kategori antropologjike e etnike, si Zoti, Feja, Gjaku, Gjuha, Kufiri, Etnia, të vet ndjerit  shqiptar, e ka shpënë mikun tim, prof. Lulashin në këtë vepër, të qëmtojë nga brenda këto dukuri në rrafsh lokal, të zbulojë se nga buron e keqja e asimilimit të malësorëve myslimanë shqiptarë në boshnjakë, duke bërë, nga ana tjetër, në një rrafsh më të gjerë, të nënkuptojmë me nëntekst pyetjen një milion dollarësh: “Përse në Ballkan u konvertuan shqiptarët, dhe jo sllavët apo grekët?

Këtë pyetje, ia bëra paradokohe një profesori amerikan të antropologjisë dhe sociologjisë së Universitetit të Michiganit, prof. Mark Galaty, i cili pat bërë disa ekspedita antropologjike në Shqipëri, në jug në veri dhe në Kosovë, i martuar me një vajzë nga Kosova, i cili ndër shumë të tjera, ka hartuar një libër për antropologjinë e fiseve shqiptare të Shalës, “Light and Shadow: Isolation and Interaction in the Shala Valley of Northern Albania (Monumenta Archaeologica) Hardcover – April 15, 2013. Mendova se e zura ngushtë profesorin, por mora prej tij një përgjigje të shkurtër, por që më befasoi : ‘Pse ishin të zgjuar’, tha ai.

Të zgjuar, pse kishin 60 vezirë të Stambollit, mendova, por pse e shpallën të fundit Pavarësinë? Dhe pse malësorët, ata që e ngritën të parët flamurin kombëtar, me në krye Dedë Gjo Lulin, mbetën sot jashtë trojeve shqiptare, dhe në kufijtë e mbijetesës, si pakicë kombëtare. A na e ka fajin vetëm Evropa, fuqitë e mëdha , a na e ka fajin turku, shkjau. apo greku apo e kemi fajin deri diku edhe vetë?

Të parë në kuadër të mbijetesës së kombit shqiptar, përballë perandorisë osmane një popull i krishterë,  rreth një milionësh historikisht, u konvertua, por edhe nuk u konvertua në islam, u konvertua në mënyrë laramane, ose u konvertua në sekte me të hapura liberale të islamit, si ai bektashinj, dhe diti, dhe mundi ta ruante identitetin e tij kombëtar, jo nga feja, por nga gjaku, nga etnia nga varret. Por nga ana tjetër në mjedise, ku shqiptarët mbetën minoritete që pati ashtu siç është rasti që shtjellohet në libër, ka komplikacione anësore, nën presionin e të qenit minoritet, sidomos në mes popullsisë së shqiptarëve në Mal  të Zi.  Të ndodhur të shkëputur përmbi 70 vjet nga kufiri që e ndau nga trungut të vendit amë, në tre njësi, si enklava në raport me njëra tjetrën, siç janë krahinat e Plavë Gucisë, Malësisë së Madhe dhe Ulqinit.

Mithat Frashëri një libër tij “Shqiptarë dhe sllavë” përmend një dukuri që udhëtarët e huaj në Ballkan ndër to dhe Edit Durham e patën vënë re, në fillim të shekullit “ Nëse pyet një grek, çfarë je ai do të thotë ortodoks, po kështu edhe në pyet një serb apo bullgar, nëse pyet një pomak apo një boshnjak do të thotë se është turk mysliman , por nëse pyet një shqiptar, pavarësisht nga besimi, apo klani, ai të përgjigjet “ Jam shqiptar”. Pra historikisht, ndryshe nga nacionalizmat e tjera ballkanike, uniteti i shqiptarëve buron nga etnosi, gjuha, gjaku, shqipja dhe jo feja, kategori që me analizën e tij, sa të qenësishme aq dhe anësore, sa të hollësishme, aq dhe përgjithësuese, rreket ti paraqesë dhe jo vetëm si hulumtim i thjeshtë, por si përgjithësim, jo pa guxim Lulashi në libër.

Në fakt kjo dukuri antropologjike, që shërbeu si faktor mbijetese tek shqiptarët u shkaktua dhe si rezultat i ngjarjeve rajonale historike, dhe faktit që perandoria osmane nuk e njihte konceptin e popullsive brenda saj, por i quante kombet me nocionin milet që nënkupton, jo etninë apo fenë, siç e pat përgjithësuar Pashko Vasa, që “Feja e shqyptarit është shqyptaria” por që nga ana tjetër, pat ndikuar negativisht në shfaqjen e vonë të nacionalizmit shqiptar. Ndarjet klanore / fisnore ishin dominante sidomos në Veri dhe çështjet sociale u rregulloheshin sipas marrëdhënieve personale, lidhjeve ose rivaliteteve. Ndarja më e qëndrueshme rajonale dhe gjuhësore ishte ajo midis Gegëve në veri dhe Toskëve në Jug. Për arsye gjeografike dhe historike këto të fundit kanë qenë më të hapur ndaj ndikimeve të jashtme dhe prandaj janë më të prirur për ndryshime shoqërore, ndërsa të parët kanë ruajtur një kulturë të rreptë tradicionale.

Disa shkrimtarë si Kadare shkuan aq larg sa të argumentonin se Gegët, për shkak të mbylljes së tyre historike në botën e jashtme, përbënin pasardhësit shumë linearë dhe të pacenuar të ilirëve që nga koha homerike, shkruante shkrimtari i madh “Tek një dosje për Eskilin. Kështu sipas kësaj ndarje – Shqipëria Qendrore, e cila përbëhej nga sanxhaqe dhe qytetet e Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës, ku muslimanët suni formuan shumicën – përbënin një rajon të mbyllur ndaj ideve të nacionalizmit dhe ndryshimeve shoqërore. Kështu, komuniteti shqiptar i shekullit të 19-të mund të shihet edhe si i ndryshëm rajonalisht por edhe në mënyrë sociologjike. Izolimi i brendshëm, u avancua edhe për shkak të administratës osmane, që i ndau territoret shqiptare, në katër Vilajete: Kosovë, Shkodër, Manastir dhe Janinë, të cilat një malësor i madh si Sokol Baci, i pat kërkuar Perandorisë Osmane që të gjitha këto vilajete të ishin të bashkuara në një qysh për herë të parë qysh në vitin 1911.     Megjithatë, gjatë sundimit osman u bënë disa ndarje rajonale të tokave shqiptare, këto të fundit nuk u kthyen kurrë në një njësi të vetme administrative. E kjo e fundit do të bëhej një nga kërkesat qendrore të elitave nacionaliste. Kështu, mungesa e një qendre të vetme administrative, ekonomike, kulturore apo fetare, ndikoi negativisht, në formimin e një ndërgjegjeje të përbashkët të komunitetit. Historia,  Stephanie Schwandner-Sievers, Bernd Jürgen Fischer, Londër, C. Hurst & Co, 2002, f.36.

Nacionalizmi shqiptar, që konsiderohet i vonuar ose një “ardhës i vonuar” si i tillë, argumentohet se ka ndërtuar një karakter të dallueshëm, si nga ana e ithtarëve të tij ashtu edhe nga kritikët. Objektivi / detyra për të ndërtuar një komb “nga një grup i shpërndarë klanesh”, qe shtruar nga një prej etërve themelues të nacionalizmit shqiptar Mithat Frashëri (biri i nacionalistit të shquar shqiptar dhe midis udhëheqësve të Lidhjes Abdyl Frashëri) pasi shumica e shqiptarëve ishin myslimanë, përbënin strukturën kryesore strukturore të ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar. Për më tepër, mungesa e një qendre politike, mungesa e një klase borgjeze kombëtare, dhe, sidomos, mungesa e një tradite të gjuhës së shkruar, i shtonte më tej pengesat. E siç thotë Hobsbawm, përveç gjuhës, në rastin e nacionalizmit shqiptar “feja dhe me të vërtetë, pothuajse çdo gjë tjetër dukej se ishte më e përçarë se sa bashkimi”.

I përmendëm këto si parakushte sociologjike, të të gjithë paradigmës, që shtron Lulashi në libër. Atë nuk e shqetëson (por dhe e sikletos ) fakti se një pjesë e malësorëve janë konvertuar, përderisa ata e ruajnë: etnosin, gjuhën, gjakun, varret. Këtu ka deri diku një farë moralizimi, ka elementë jashtë boshtit kryesor tematik dhe ideor, që pak lidhen, por thelbi strumbullari ideor i një libri është shprehur shkoqur, siç shprehet autori, në fq. 170

 

“Edhe shqiptarët për vedin nji Zot kanë në qiell. Me e dashtë vedin vetëm fetarisht dhe aspak kombëtarisht, as Zoti nuk na ndihmon. Sepse ne, kajherë edhe pa dashje, përçajmë kotnasikoti njeni-tjetrin. Kurrë s’ka gabue asnjeni, kur asht marrë kombëtarisht. Unë s’mund të them, para çështjes kombëtare kurrë se jam katolik ose se jam musliman. Para të gjithave jam shqiptar dhe je shqiptar. Pyetja e dytë dhe përkatësia shpirtnore tek feja pas emnit shqiptar dhe shqiptari asht ndjenja fetare. Te Zoti nuk mund të jeshë ndryshe ma i pranuem se nga gjaku e gjuha dhe baba e nana që t’ka lindë. Pasi që lind, pagëzohesh me emën dhe mbiemën. E n’qofsh shqiptar, ke kombësi shqiptare dhe gjak e gjuhë shqiptare. Na lavdrohen të tjerët në këtë kuptim. Asnji komb të botës nuk krijojnë besim e fe për hatër apo leverdi të askujt. A kanë nevojë shqiptarët për nji gja të tillë? Absolutisht jo”.

 

Ky qëndrim, në fakt. është një farë refreni meditimi që shfaqet dhe e gjen në çdo faqe të esesë si shqetësim,  duke u kthyer në një kënd tjetër, në vetë objektin e shqetësimit të tij, nëpërmjet rrëfimeve të bisedave të malësorëve, burrave të mençur, miqve të ftuar, grave vejusha, të rinjve të arsimuar, por edhe direktivave që marrin formën e drejtpërdrejtë të porosive kombëtare.

 

Dy tre vjet me parë, gjatë një bisede që pata me Lulashin, ai me shprehu interes për disa shkrime te të madhit Konica mbi karakterin e të metat e shqiptarëve, që edhe si Lulashi me ketë libër shton shumë pyetje. Por pyetja kryesore, është se cila është arsyeja, që po humb shqiptaria, ndjesia e të ndjerit shqiptar, aty në zgrip të kufijve të shqipes, pyetja që e shtron çdo shqiptar e çdo malësor sot në Malësi. Dhe këtë pyetje Lulashi e analizon, e përsërit, se përsëritja është mënyra, sipas tij, rruga për të shmangur të keqen, është të evokosh të mirën, të vërtetën. Ja si shprehet autori në faqen 21- 22.

“Tuzi një qytezë në Malësi. Pjesa dërmuese e atyne banorëve para 80 vitesh tanë flisnin shqip, se janë fise shqiptarësh të Hotit dhe Grudës. Në kohën e pushtimit osman janë islamizue. As në pesë breza të gjakut nuk shkojnë ma larg që u takojnë bajrakut apo fisit të Hotit e Grudës. Kur ishin me protektoratin Shkodër para Luftës së Dytë Botnore, tanë flitshin shqip dhe veprojshin si shqiptarë. Sa u mbyll kufini, nga mosndërgjegja kombëtare, ndodhi edhe e dyta. Të islamizuem ma parë, tash dhe u sllavizuen nga gjuha. Dije sa larg janë me njeni-tjetrin në gjakun e fisit shqiptar! Nga Gruda nji familje, Rexh Brahimi, Brahim Gjoka. Te Gjoka këta të Brahimit dhe Vuçënaj. Gjysh të përbashkët. E kush ma mirë e ma dashtnisht duhet me shkue se gjaku i përbashkët shqiptar? Me atë tjetrin mundesh me shkue miqsisht për respekt të ndjenjës njerëzore, por vëllau me vëlla duhet të shkojë mirë e dashtnisht për ndjenjën e gjakun vëllaznor, për nanën shqiptare, për gjuhën shqipe që ta ka mëkue ajo ç’se ke le dhe toka Shqipni që i mban. Shikjoni femnat shqiptare tash 25 vjet e këndej. Kah shkuenë e si shkuenë?! Ç’rrugë kanë marrë? A ban kryq e shkon në kishë, a ban lutje e shkon në xhami; edhe njana edhe tjetra kanë gjakun shqiptar që asht ma i shtrenjtë se çdo gja tjetër. Pra fjala asht për troje shqiptare. Nga nji shtëpi e përbashkët janë nda vëllaznit, por kanë mbetë vëllazën se e kanë si babën si nanën të përbashkët.”

Po i kthehem edhe një herë titullit, por, duke analizuar atë më shumë nga pikëpamja teologjike. “Në çfarë gjuhe plasim me zotin. Një shkrim i shenjtë në letrën që shën Pali iu çon Korintasve 14: 2, e cila thotë: “Sepse ai që flet në gjuhë (in tangue si gjuhë e panjohur pëshpëritje) nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, sepse askush nuk e kupton; megjithatë, në shpirt, ai flet mistere. Por, duke lexuar kontekstin që është marrë ky varg, është e qartë që Pali po kritikon praktikën e të folurit në gjuhë vetëm për hir të tij. Ai tërheq një kontrast ndërmjet dy dhuratave: duke folur në gjuhë ku askush, se kupton përveç personit qe falet dhe Perëndisë. Pali shpjegoi kishës në Korint se të folurit në gjuhë ishte një dhuratë e ligjshme, por vetëm e dobishme, nëse përdoret për t’u drejtuar, diku tjetër, duke folur në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata të mund të kuptonin! Dhe këtë porosi të Shën Palit z, Palushaj e ka pjesë të lisit të tij të gjakut,  e ka çuar me tej. Pra me zotin shqiptarët flasin vetëm shqip, as latinisht as greqisht as arabisht por vetëm shqip. E për të qenë më afër bashkëvendësve te tij , malësorëve të Malësisë se Madhe e ka shkruar në gegnisht, me dialektin e tyre, me gjuhë shpirti.

Ka një pyetje aktuale që autori tenton t’i japë vetë përgjigje, si në bisedën me profesorin e tij Ylli Zajmi, ku Lulashi i pohon atij “se religjioni i tepruem nuk ka të bëjë gjë me punën e zotit, por ma fort se kush mundet, mbi atë tjetrin me dominue për përfitime”.

I gjithë libri rrjedh si shpërthimi i një pezmi, vrullshëm, ashtu si vërshimi i Cemit dhe plot shqetësim sa social aq dhe me vuajtje. Libri nuk është një letërsi artistike, fiksion, nuk është një roman me gjithë volumin, me karaktere personazhe e linja veprimi, por është një përsiatje e madhe shumë dimensionale, sa filozofike, aq dhe psikologjike, sa patriotike, aq teologjike, sa etnologjike aq edhe ekzistenciale. Ajo është sa dhimbje aq dhe shpalosje, sa  introspektive që sheh brenda vetes, aq dhe ekstrospektive që e nxjerr mendimin e vlerësim jashtë.

Ka edhe një element tjetër social, që autorit nuk i ka shpëtuar, dhe vazhdon të na porosisë Lulashi, atë thënien që siç i thonë Italianët “Donne e buoi da paesi suoi”, që do të thotë “Gratë dhe qetë zgjidhi nga vendi yt”. “Këtë porosi Lulashi e shtjellon kështu në faqen 22 .

“Mend me xanë e jo me lanë, flitshin e folën gjyshat e gjyshet tona. Kudo që je, provoje me u martue me pjesën e kombit tand se jeta kalon e sido që t’i shërbejsh atij tjetrit, kurrë s’ka me të pranue as kuptue. O, sa njerëz shqiptarë e flasin dhe e debatojnë ketë. Por fjala asht fjalë e temeli i saj asht veprimi. Ma thuej, por të vërtetën. Tash 6 shekuj kanë shkue mbi nji miljon shqiptar në Turqi nga shkaqe të ndryshme. Ç’ka asht krijue atje shqip a jetë e traditë shqiptarie? Ku janë shkollat shqipe nga këta shqiptarë. Sa i kanë dhanë shqiptarët dituni, përmes dijetarësh të ndritun, strategë e shtetarë, s’ma merr mendja se i ka dhanë komb tjetër. A mos për këtë duhet që qenkemi vëllazën me turqit?!”

Me gjithë problematikat e gjera që trajton libri është një pyetje që mbetet ende edhe pasi lexon librin, që lypset të jepej një përgjigje më shteruese.

Pse ndodh që shqiptarë të një gjaku, malësorë, muslimanë, ndjehen më afër me vëllain në fe, sesa në gjak, me boshnjakun sesa me shqiptarin? A është faji i vetëm atyre, që humbasin ndjesinë kombëtare dhe në nën presionin malazias, e sllav, dhe kjo vihet re, jo vetëm ne Mal te zi, por dhe me Ortodokset e Rrekës. Malaziasit këta shqiptarë i preferojnë me mirë boshnjakë dhe sllav sesa shqiptarë, apo të konvertuar si kuçasit më parë në sllavë ortodoks.

Por a është kjo vetëm faji i ndarjes se kufirit ? A është vallë vetëm faji i atyre, që sllavizohen, apo edhe i neve të tjerëve, që i mbajmë larg vëllezërit tanë muslimanë, të një gjaku, sa ata ndjehen më mirë rehat me të qenit boshnjak sesa shqiptar ? Dhe kjo pyetje vazhdon e mbetet…

“Perëndia krijoi çdo njeri që të ishte i lirë. Aftësia për të zgjedhur, nëse do të jetosh i lirë ose skllavëruar, i drejtë apo i gabuar, i lumtur ose i frikësuar është diçka që quhet vullneti i lirë. Çdo njeri ka lindur me vullnet të lirë. Disa njerëz e përdorin atë, dhe disa njerëz përdorin ndonjë justifikim për të mos e përdorur. Askush nuk mund të kthejë në skllav, nëse nuk u lejon atyre. Askush nuk mund t’ju bëjë të frikësuar për asgjë, nëse nuk i lejoni ata. Askush nuk mund t’ju thotë, të bëni diçka të gabuar, nëse nuk i lejoni ata. Perëndia nuk ju krijoi kurrë të jeni skllav, njeriu e bëri. Perëndia kurrë nuk krijoi ndarje ose ngriti ndonjë kufij mes vëllezërve, por njeriu e bëri. Perëndia kurrë nuk ju tha të lëndoni ose të vrisni një tjetër, njeriu e bëri”.

Ndërsa teoritë e asimilimit etnik parashikojnë konvergjencë të identitetit në të gjithë gjeneratat, diskutimet mbi përkatësinë relative, identifikimin ndërkombëtar dhe ringjalljen fetare sugjerojnë se mund të ketë një thellim ose ndryshim të identitetit të pakicës në brezin e dytë. Megjithatë, dëshmitë empirike në mbështetje të këtyre perspektivave të ndryshme nuk janë shumë bindëse.

Këto janë të gjitha porositë, që autori sipas mendimit tim, donte të thoshte me këtë libër, jo për tu shfaqur, jo për t’u mbrojtur se mund ta akuzojë dikush, e jo për t’u dukur më shumë shqiptar seç është, por për të nxjerre jashtë atë që e mundon. E gjitha kjo është shfryrja e një vullkani shpirtëror idesh, qe ai i ka bluar kaq sa  kohë brenda, e cila e gjen kuptimin në atë shfryrje shpirtërore. Posi lumi i Cemit duke turfulluar,  autori jo pa dhimbje, e pranon konvertimin fetar, si pasojë e presionit osman, por nuk mundet, nuk mund të pranojë, a të gjejë arsye dot, për konvertimin etnik.

Në teorinë e letërsisë ka një rrymë të shkruari që quhet “rryma e përroit psikik” që nënkupton të shkruarit të mendimeve ashtu si të vijnë. Vrullshëm, si ujërat e Cemit, kuq e turbullt prej shirokut, kur del jashtë nga shtrati i vet, siç e fillon autori librin, me një përshkrim mjaft domethënës të përroit. Por unë do ta quaja këtë rrjedhë, si shtratin formal të kompozimit të këtij libri. E ndoshta Lulashi me këtë libër ka krijuar, “Rrymën e përroit të Cemit”. E vlerësoj mjaft bukur këtë hyrje me Cemin, dhe përshkrimin e pakrahasueshëm të autorit dhe paralelizmin që ai i krijon, gjë që i lejon autorit  të ngërthejë pa humbur fillin: ndjesitë, meditimet e përsiatjet e tij me shtjellimin e temave, fakteve dhe  apo personat e ngjarje konkrete, që janë indi, ku shprehen porositë e tij për malësorët e tij të dashur.

Miku im prof. Lulashi që nuk harron të më kujtojë, me mesazhe në çdo rast festash, më tha para do muajsh, me një farë lehtësimi, se libri i tij i fundit kishte dalë na shtypi. Kur më pohoi këtë. Unë ndjeva se kënaqësia e tij për veprën ishte më shumë gëzim, por ishte një çlirim shpirtëror, i “Kalorësit të Urdhrit të Skënderbeut” që e kishte bërë detyrën.

Mu duk, sikur më tha: “ Ç’ kisha për të thënë e thashë dhe shpëtova shpirtin”

Filed Under: Politike

Përse po shtypet lëvizja studentore

January 19, 2019 by dgreca

  • A vutë re të mërkurën më 17 janar… i çau ekranet Mehmet pushtuesi, megjithëse kishim për detyrim të përkujtonim heroin kombëtar. Pse? Sepse vendi ynë është pronë e një kaste që sa vjen e bën më aktuale doktor Adhamudhin e Çajupit. A nuk u ndjetë të ligur kur patë plagjiaturën e diploma a doktaraturave?

Nga Ilir Levonja/

Ka një përpjekje të llahtarshme për sfumimin e lëvizjes studentore të dhjetorit nga viti i kaluar. Një përpjekje që kanë vënë në lëvizje gjithë makinerinë e pushtetit dhe opozitës bashkë. E para nxiton të meremetojë ca godina përmes kanakarit të butaforisë lali Erit, vet kryeministrit me auditorët e sforcuara dhe ndjenjën e bashkëfajtorit etj. Megjithëse studentëti kërkojnë, ribërjen e sistemit, a fshirjen e ligjit për arsimin e lartë. Eshtë një shfrymë e tërë e propagandës mbi arrestimin e një trafikanti. Një arrestim bizar sa është naivitet të mendosh se është i rastësishëm. Bizarr dhe plot negociata. Ku në një vend demokratik, vetëm negociatat a marrëveshje me kriminelët nuk ka. Megjithatë në Shqipëri ndodh, madje e deklaron me mburrje një ministër i zgjedhur me mik. Nga ana tjetër kriminelin e shoqëron me mjetin e tij, me kamera si sukses filmik nje drejtor policie të cilin ndërrmarja e shtypit ka filluar ta pompojë si një figurë të heroizmit të popullit tonë në shekuj. Këtu futet dhe makineria propogandë shtypi, shtypistat. Një përpjekje e llahtarshme për të zhvendosur vëmendjen nga auditorët. Një përpjekje me pështyma. Tashmë në Shqipërinë time nuk është e vështirë të kuptosh se deri marrëdhëniet personale midis njëri-tjetrit janë çështje kombëtare. Në këtë pikëvështrim një shtypist mund të bëhet kollaj një showman a një ”Robert Ndrenika” i kohës së rilindjes. Mjaft të llapi para një ”spektatori” nga kjo kasta shoqëri, për seksin, se sa herë prishet një burrë në shtrat. Dhe universi i Hollywood-it ka zbritur në Tiranë. Të gjitha nuk janë asgjë tjetër, por një përpjekje me shkumë e pështymë për të sfumuar studentët. Por edhe për faktin infantil, se gjithçka është e jona. Gjithçka.

Eshtë bizar dhe fushatesk. Eshtë dhe kërcënuese e gjitha. Sidomos pas lojës së luftës që ka plasur mes kryeministrit dhe presidentit. Kur personi në fjalë flitet se ka pasur post të rëndësishëm fal suportit të LSI-së. Eshtë i tillë sidomos edhe pas atyre kërcënimeve të hapura që i deklaroi publikisht në studion zonja e parë apo kryetarja e partisë së themeluar nga Ilir Meta. Megjithëse nga betejat, nga ky revansh kryeministër president, mësuam një gjë… atë që, Shqipërisë nuk i paskan munguar ligjet, por njerëzit për të vërtetuar ekzistencën e institucionit. Një keqardhje po kaq e tmerrshme për ish presidentët, ca leva të obsesionit prej gogolit kryetar partie. Megjithëse nuk është çudi, kur mbas disa viteve të kuptojmë se e gjitha është një lojë. E gjitha ishte loja. Ashtu u duhej të vepronin etj.

Çfarë t’ju them?! Një suferinë përpjekjesh për t’i përçarë. Dhe deri diku ja kanë arritur. Mjafton të shikoni ca yshtje e shtyrje për firma mbi fillimin apo jo të mësimit. Ca informime mbi këtu filloi mësimi dhe aty jo. Elbasani vijon rregullisht, Vlora po ashtu. Në Durrës, studentëve u bashkohen pedagogët etj. E gjitha kjo mos dakortësi nuk është asgjë tjetër veç fryti i përpjekjeve të llahtarshme të qeverisë dhe opozitës. 

Mirë këta, të parët, Rama e Velia se kanë të drejtë. U duhet pushteti… po opozita. Këta të dytët…

U duhet thënë fillimisht demokratëve. Hiqeni nga mendja, nuk ka më demokratë. I pari që i varrosi demokratët është ish lideri i ashtuquajtur historik. I varrosi me betejat brenda kuvendit, pasi betejat janë publike, në sheshe. Nuk ka më zgjidhje me ja thënë troç Ramës nga foltorja e parlamentit përmes kamerave të ndonjë kanakari. Është e dhimbshme të shohësh shpërbërjen e së djathëts kështu, por duket se është e pamashmangshme, për më tepër kur shikon këto farsa rikonfirmesh pa zgjedhje. Po kaq bizarre sa strategjitë e pushtetit me kriminelët. Në fund të fundit janë pjesë e përpjekjes së mbytjes së protestave të studentëve. Sot përshembull kuvendi i Shqipërisë diskuton për gjithçka, veç për popull jo. Dhe kjo është një rënie në batak, një rënie ku opozita ka pjesën e saj. Ata që e duan të djathtën për një qeverisje më të mirë për shqiptarët, janë sot minorancë. Se po të ishin aty, po të ishte ai asht aty, do i kish vërvitur ato paçavure mandati. Por dihet tashmë cilësia e rracës së kuvendit tonë. Prandaj dhe këta të dytët janë pjesë e shfrymës së përçarjes së studentëve. Pjesë e Ramës dhe e Veliajt… 

Pikërisht për këtë, këtë degradim qytetar të Shqipërisë, dhëntë Zoti që studentët të këmbëngulin. Tashmë duhet ta kenë kuptuar kalbëzimin e vendit. Domosdoshmërinë që ka vendi për frymën e tyre. Eshtë e trishtueshme se si plot njëzetë e tetë vite debatojnë dhe mbushin xhepat të njëjtit. Vendi ynë nuk është pronë e një grupi, e një kaste demode. Nuk e kuptoni, përshembull të mërkurën më 17 janar… i çau ekranet Mehmet pushtuesi, megjithëse kishim për detyrim të përkujtonim heroin kombëtar. Pse? Sepse vendi ynë është pronë e një kaste që sa vjen e bën më aktuale doktor Adhamudhin e Çajupit. A nuk u ndjetë të ligur kur patë plagjiaturën e diploma a doktaraturave?

A jeni gjallë? A jeni në këmbë… dilni e mbushini sheshet. Shqipëria e para, jo ramijtë me mikrofona, studio, e propogandë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, lëvizja studentore, Përse po shtypet

Kryeministri Rama e quajti “Zërin e Amerikës” kazan, reagon Elez Biberaj

January 17, 2019 by dgreca

Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës./

1 Elez-Biberaj

Gazetari Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha

-“Bomba” e dytë e “Zëri i Amerikës” kundër qeverisë . Publikohen përgjimet që implikojnë deputetë dhe zyrtarë të PS në afera të jashtëligjshme në punësime.

-Kryeministri akuzon si “kazan” edhe radion zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pret emërimin si ministër i jashtëm, por që duket paksa e vështirë të marrë dekret presidencial në vend të Ditmir Bushatit.

Një i investigim i “Zërit të Amerikës” për punësimet e jashtëligjshme në administratën e burgjeve vë nën akuzë ligjore dhe morale të paktën katër deputetë të Partisë Socialiste, si dhe zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Investigimi zë fill të hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko. Bisedat e zbardhura të Çukos, si deputetë dhe zyrtarë të qeverisë, tregojnë se në shumicën e rasteve emërimet në këtë institucione bëhen me ndërhyrje politike. Më flagrante në gjithë historinë e përgjimeve është se dhe një konkurs për vende të reja pune në këtë institucion rezulton të jetë një farsë e shëmtuar. Nga 270 vende të lira pune në konkurs, të gjitha aplikimet rezultojnë se janë bërë nga deputetë të PS dhe njerëz të qeverisë. Madje numri i konkurentëve ka qenë aq i madh sa seleksionimi duhet bërë mes emrave që kanë dhënë deputetët, pra jashtë kritereve, dhe jo sipas ligjit.

“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë”,- thuhet në investigimin e “Zërit të Amerikës”, e cila është radio zyrtare e SHBA.

Skandali i publikuar dje me dokumente dhe përgjime, shërben dhe si model për institucionet e tjera, sipas analistëve. Kur deputetët kanë bërë namin te Drejtoria e Burgjeve, që nuk është një institucion i lakmuar për punësime, imagjinoni çfarë ka ndodhur me drejtoritë e tjera ku radha për punësime është disa herë më e madhe. Ajo që u shfaq dje në “Zërin e Amerikës” tregon se qeveria i ka kthyer të gjitha punësimet në shpërblime politike për militantët dhe njerëzit që janë afër kryeministrit Edi Rama. Në të vertetë ka ndonjë ministri apo institucione, që konkurset i zhvillojnë korrekt me ligjin, por akuzat e “Zëri Amerikës” e komprementojnë “bashkëqerisjen” dhe konkurset, pasi në jo pak raste konkurset janë me përzgjedhje politike.

Investigimi i djeshëm, veç korrupsionit dhe ndërhyrjes qeveritare në punësime, zbuloi dhe raportin e deformuar që tashmë kryeministri Edi Rama ka me median dhe të vërtetën. Pak pasi u publikua kronika e medias amerikane, kreu i qeverisë me një gjuhë jo etike sulmoi median zyrtare të SHBA, si të bëhej fjalë për ndonjë portal anonim në Tiranë, duke e quajtur “Kazan”! “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”,- shkruan kreu i qeverisë.

Për të kuptuar qytetarët shqiptarë se cilën media ka quajtur kazan Edi Rama, mjafton të kujtojmë se “Zëri i Amerikës” financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe përcjellë qëndrimet zyrtare ose gjysmë zyrtare të qeverisë amerikane lidhur me çështje të ndryshme. Ajo që është e veçantë në programin e kësaj medie në gjuhën shqipe dhe që ka shqetësuar kreun e qeverisë, lidhet me faktin se gjatë muajve të fundit “Zëri i Amerikës” ka marrë karakterin e një media investiguese të temave të nxehta në Shqipëri, veç transmetimeve të qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa muajsh në këtë media janë thirrur gazetarë me përvojë në zbulimin e aferave dhe fakteve të korrupsionit e krimit qeveritar, të cilët kanë nisur hulumtimin e dokumenteve dhe fakteve për skandale të ndryshme.

Skandali i parë i trajtuar ishte ai për projektin e Unazës së Re dhe kompaninë që mori me letra false 30 milionë Euro. Për shkak se shumica e mediave vizive, me përjashtim të emisionit të Ylli Rakipit që zbuloi fillimisht skandalin, iu shmangën trajtimit të kësaj teme që prek shumë interesa, “Zëri Amerikës” e plasi vet bombën e korrupsionit në shqip dhe anglisht duke e detyruar qeverinë që t’i përgjigje direkt dhe të merrte masa. Sigurisht që investigimet janë mediatike, por kur dalin nga “Zëri i Amerikës” kanë kaluar dhe në filtra të tjerë që do apo nuk do kreu i qeverisë janë dhe qëndrime të politikës amerikane ndaj mënyrës sesi ai po qeverisë Shqipërinë. Pas bombës së parë me Unazën e Re, bomba e dytë e kësaj media ishte dje. Investigimi për mashtrimet me punësimet prek vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Është vetëm një drejtori e rëndësishme nga dhjetra të tjera që ka qeveria.

Dje investigimi i “Zëri të Amerikës” ndaj qeverisë Rama ishte në vazhdën e faktëve korruptive që kjo media amerikane po zbulon për publikun shqiptar. Me sa duket shërbimet intelegjente e dijnë mirë se në Shqipëri mbi 90 përqind të mediave, kryeministri i ka lidhur me interesa financiare dhe asnjëra nuk investigon, ndaj detyra e vështirë ka rënë mbi “Zëri Amerikës”.

Kur të kritikon “Zëri Amerikës”, radio me serioze dhe profesionte në botë, duhet të mendohesh mirë, pasi ditët në pushtet fillojnë e shkurtohen. Me sa duket edhe Presidenti nuk do ta dekretojë ministër të jashtëm, Edi Ramën.

Edhe për këtë sulm ndaj “Zëri të Amerikës”!

 

Filed Under: Politike Tagged With: edi Rames, Elez Biberaj, Kazan, pergjigje, zeri i amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 425
  • 426
  • 427
  • 428
  • 429
  • …
  • 655
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR VITIN E RI 2026
  • Për bij e bija të denja të kombit shqiptar!
  • Kastrioti, me firmë e me vulë
  • Qoka si zhanër letrar: Një histori “suksesi” pa lexues
  • Kartolinat festive si dëshira të shkruara
  • SHQIPTARËT DHE KRISHTENIZMI NË TROJET E TYRE – HERSHMËRIA APOSTOLIKE, DËSHMITË ARKIVORE DHE TRASHËGIMIA EVROPIANE
  • Vota e Kosovës nuk ishte kundërshti — ishte dinjitet
  • Kosova, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe beteja për sovranitet në rendin ndërkombëtar
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1963) / “NË KOHËN QË JETOJMË, PUNA E FISNIKËRON NJERIUN…” — TAKIMI ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Nëna e Isës dhe naçallniku serb
  • Fishta, orakull i shqiptarizmit në kohët moderne
  • Gezim Muhaj: “Tv Iliria, 13 vite transmetim dhe ruajtje e kulturës shqiptare në Çikago”
  • Rudyard Kipling, ky endacak tragjik dhe ëndërrtar i jetës, ai që predikoi “Në mundsh… të ruash arsyen kur bota humb fillin…”
  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT