
Nga Flamur Vezaj/
“Mirësevjen dhe faleminderit që e solle Fan Nolin në shtëpinë e tij.” Me këto fjalë të ngrohta dhe simbolike, Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Nikodhim, udhëheqës i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston dhe në Anglinë e Re, i drejtohej autorit Ilir Ikonomi, në ambientet historike të Katedrales “Shën Gjergji”, aty ku dikur Fan Noli themeloi jo vetëm një kishë, por një ideal.
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe reflektim, Ilir Ikonomi solli për herë të parë në Kishën e Nolit vëllimin e dytë të biografisë së titulluar “Fan S. Noli – Rebeli”. Një rikthim i pazakontë: Noli, i lexuar, i kuptuar dhe i vlerësuar, në shtëpinë e tij shpirtërore.
Eventi u organizua nga Biblioteka dhe Qendra Kulturore “Fan S. Noli”, Federata Pan-Shqiptare VATRA në Boston dhe vetë Katedralja “Shën Gjergji”. Aktiviteti u moderua me përkushtim nga znj. Rafaela Prifti, redaktore në gjuhën angleze në gazetën “Dielli” dhe një zë i konsoliduar në diasporën shqiptare.
Në hapje, znj. Prifti nënvizoi rëndësinë historike të figurës së Nolit dhe kompleksitetin e portretit që Ikonomi sjell nëpërmjet dokumenteve të rralla dhe fakteve të panjohura më parë. Ajo përmendi rolin shumëplanësh të Nolit, nga orator i zjarrtë dhe përkthyes mjeshtër, në diplomat e politikan me ndikim.
Në emër të Katedrales “Shën Gjergji”, fjalën e mori z. Dhimitër Demiri, Kryetar Laik i Kishës, i cili theksoi: “Mirë se keni ardhur në kishën tuaj, atë që e ngriti dhe e themeloi Noli. Ne po punojmë çdo ditë që ta mbajmë këtë derë hapur për çdo shqiptar, pa dallim. Ngjyra jonë e vetme është ajo kuq e zi.” z.Demiri shtoi se librat e Nolit duhet të lexohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat që vijnë, duke vënë theksin në vlerat shpirtërore dhe atdhetare që ai përçoi.
Kryetari i degës së VATRËS në Boston, z. Mentor Maksutaj, në përshëndetjen e tij falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti autorin Ikonomi dhe Peshkopin Nikodhim si dhe përfaqësuesit e organizatave si “Albanians Fighting Cancer”, “MassBesa”, “Çunat e Bostonit” dhe të tjerë. Në fjalën e tij, plot pasion kombëtar, Maksutaj tha: “Kombi duhet dashur çdo ditë, për kombin duhet punuar çdo ditë, për kombin duhet sakrifikuar çdo ditë.” Ai përkujtoi rolin e Nolit në mbrojtjen e vetëvendosjes së shqiptarëve dhe përpjekjet e tij diplomatike për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920. Maksutaj e quajti librin “Rebeli” një dritë të re mbi përpjekjet e Nolit, që nuk ngurroi të përballej me pushtetet e kohës për t’i dhënë zë kombit shqiptar.
Në vijim, Hirësia e Tij, Peshkopi Nikodhim, përveç mirënjohjes për punën kërkimore të autorit, theksoi se trashëgimia e Nolit është një thesar që duhet ruajtur dhe përcjellë me përkushtim.
Një ndër momentet më të veçanta të eventit ishte shfaqja e dokumentarit “Rebeli”, përgatitur nga vetë Ilir Ikonomi. Dokumentari, i gjatë vetëm 6 minuta, përmbante fotografi dhe dokumente që u ekspozuan për herë të parë, duke përfshirë edhe një foto të rrallë të Nolit gjatë Konferencës së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Pamjet dhe dokumentet sillnin në jetë një periudhë të artë të aktivitetit të Nolit, në vitet 1920-1924, kur ai shpaloste fuqinë e mendimit dhe diplomacisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Dokumentari tregoi gjithashtu udhëtimin arkivor të autorit në Shqipëri, Austri, Gjermani, si dhe në vetë Arkivin Fan Noli në Katedralen “Shën Gjergji”.
Pas shfaqjes, znj. Prifti moderojë një sesion pyetjesh për autorin, i cili ndau me publikun emocionet dhe përvojën e tij të rrallë. “Ky aktivitet, këtu në Kishën e Nolit, është ndër më të rëndësishmit dhe më emocionalet për mua. Është një nder i veçantë të sjellësh librin në vendin ku ai ecte, fliste, predikonte dhe i jepte zë çështjes shqiptare. Ndjej jehonën e hapave të tij. Jam në një monument historik, që duhet ta ruajmë me fanatizëm,” – tha Ikonomi, dukshëm i prekur.
Ai zbuloi se ky vëllim i dytë nuk është shkruar në stilin klasik të historianit, por mbështetet në fakte, dokumente, letra dhe korrespondencë të Nolit, shumë prej të cilave janë siguruar nga shqiptarë që jetuan pranë tij në vitet e fundit në Florida. “Më kanë dërguar letra, foto, dokumente origjinale të cilat i gjeni në libër. Janë të pasura me informacione nga vetë Noli dhe nga arkiva si ajo e gazetës ‘Dielli’, një pasuri kombëtare që ruan të dhëna të jashtëzakonshme për çështjen shqiptare.”
Një detaj i veçantë që autori ndau me publikun ishte fakti se Noli kishte dy idhuj personalë: Skënderbeun dhe Napoleonin. “Ndoshta donte të bëhej si ata, një lider me vizion të madh për kombin. Ishte një njeri tepër ambicioz, por edhe jashtëzakonisht i thjeshtë,” – tha Ikonomi.
Ai theksoi gjithashtu rolin themelor që ka pasur VATRA në ruajtjen dhe përhapjen e ideve përparimtare për Shqipërinë, përmes figurave si Noli, Dako, Kirka, Omari, Tromara e të tjerë.
Znj. Neka Doko, drejtuesja e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ndau disa dokumente të veçanta të siguruara që në vitin 1978 nga profesori Peter Prifti, të cilat pasqyrojnë rolin e Nolit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Në emër të Qendrës Kulturore dhe Bibliotekës “Fan S. Noli”, foli edhe z. Robert Tochka – bashkëorganizator i eventit, I cili premtoi vazhdimësinë e aktiviteteve të këtij niveli, përfshirë edhe Festivalin e Filmit Shqiptar “Fan Noli”.
Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin librin me autograf nga vetë autori.
Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të organizatave shqiptare, studiues, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Boston.
Mbrëmja u mbyll me mikpritjen tradicionale shqiptare: ushqime dhe ëmbëlsira të përgatitura nga “Broadway Pastry”, me pronar z. Arjan Hysenaj, një tjetër shembull i suksesit shqiptar në diasporë. Eventi u pasqyrua nga “NoliTv” dhe “UlqiniTv”. Foto: F.Vezaj.

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
FSH: Le ta fillojmë me periudhën e Kryetrimit, të Pëgjithmonshmit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – themeluesit të shtetit arbëror, bashkuesit të princave të Arbërit, ndërkombtarizuesit të çështjes kombëtare. Por edhe si bashkpunues me aleatët perëndimorë dhe papët e Romës, të kohës së tij. Mbi të gjitha, ndikimet e kohës së Skënderbeut, mbrojtësit të vlerave iliro-arbërore, shpëtimtarit të Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si “Kryqtari i fundit”, titulli i librit Gjergj Kastrioti-Skënderbe – Ditar Diplomatik, i autorit Virgjil Kule! Çdo komb tjetër, do ta çpikte një “Skenderbe” të tyre, siç kanë bërë disa kombe gjatë historisë, por për fat tonin ne e kemi Gjergj Kastriotin-Skenderbeun që do duhej të ishte alfa dhe omega e identitetit kombëtar dhe shtetndërtues – si fillimi dhe baza e historisë së shqiptarëve, ndër shekuj edhe sot dhe jo ta mbulojmë përmendoren e tij në mes Tiranës me çarçaf të bardhë a të zi, për të kënaqur vizitorë të huaj që Skenderbeun e shikojnë si armik të tyre. Ma merr mendja se thellësitë e vetdijes kombëtare ndër shqiptarë, mbijetuan ndër shekuj, si rrjedhim i ndikimit të luftërave të tij për çlirimin e trojeve arbërore nga pushtimi otoman dhe veprimtarisë së tij të palodhur dhe me mjeshtëri diplomatike. Duke siguruar sado pak mbështetjen e Evropës së atëhershme dhe ndihmën e papëve të Romës.

Kohë më parë, bashkshortja e Heroit kombëtar Agim Ramadani (Shukrije Ramadani) ka folur për dashurinë e bashkshortit të saj për Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës, duke thënë se para se të nisej për në betejat kundër forcave terroriste serbe në luftën e fundit në Kosovë, Heroi i Kombit, Agim Ramadani, sipas saj, gjithmonë merrte me vete kasetën me vjershat e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës. “Agimi, kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë, në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh. Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha: – “Shiqo. Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë”. Megjithkëtë dhe për fat të keq, njëri prej frymëzuesve më të mëdhej të mbrojtjes dhe formimit të identitetit, gjuhës dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, At Gjergj Fishta, mbetet gjithnjë, zyrtarisht, i anashkaluar, dhe i harruar nga nostalgjikët politikë dhe akademikë të komunizmit të Enver Hoxhës. Fishta “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka thënë At Daniel Gjeçaj.

FSH: Arbën Xhaferin nuk mund të them se e kam njohur si Ibrahim Rugovën por edhe ky ishte një figurë e shquar, largpamës, një mendimtar politik, më i Madhi i shqiptarëve të Maqedonisë dhe ndër më të mëdhejt e mbarë shqiptarizmit, por edhe i përmasave, përtej botës shqiptare. Si intelektual, publicist e politikan, por mbi të gjitha atdhedashës me zemër e me shpirt, i trevave. Mund të them se edhe Arbën Xhaferi ishte personi i duhur në kohën e duhur. Shqiptarëve të Maqedonisë dhe kauzave kombëtare të kohës së tij, u mungonte një personalitet si Xhaferi – qoftë nga pikëpamja politike qoftë nga interesat kombëtare. Për fat të keq të Kombit ashtu si edhe Ibrahim Rugova, edhe ky ndërroi jetë në një moshë të re, atëherë kur mendimi politik shqiptar kishte më së shumti nevojë për këtë dijetar të madh, autor i “Skicës Mbrothësi e Përbashkët” — njëfarë dekalogu për bashkpunim midis Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por duke përfshirë edhe bashkësitë shqiptare në vende të tjera: Një skicë për përparimin, mbarësinë dhe lulëzimin e Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se sa e vështirë do ishte bashkimi i shqiptarëve, sipas idesë së tij, por ishte gjithashtu i bindur se pa bashkim nuk ka rrugëdalje tjetër që mund të kontrollohen proceset që në zhvillimin e tyre po degjenerojnë kapacitet kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve – disa prej të cilat i vemë re sot anë e mbanë trojeve shqiptare. Për herë të parë e kam takuar Arbën Xhaferin në vitin 2005 gjatë një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Me qëllim për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe pastaj për të raportuar mbi gjendjen politike në trojet shqiptare — me të kthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin me çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Me Xhaferin jam takuar në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. Ishte e qartë se sëmundja kishte filluar ta rëndonte. Më dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë. Në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i kthjelltë dhe i thellë. Ndërkohë që po fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq kundër partive të tjera ose liderëve të tyre, gjatë këtij takimi, as Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikëpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë politikë shqiptarë. Jo vetëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqësues të tjerë politikë shqiptarë, sidmos në Tiranë dhe në Prishtinë, por askënd nuk ofendonte. Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë për botën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin. Ai dallohej nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, një ndër figurat më të spikatura ndër shqiptarë – një rilindas i vërtetë i kohërave moderne. Respekti për ‘të dhe reputacioni i Arbën Xhaferit, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijtë ndër-shqiptarë. Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karrierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre udhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota — atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël”. Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që kanë njohur Xhaferin dhe Rugovën, nga një udhëheqësi i huaj me reputacion. Për aq sa e njihja Arbën Xhaferi më ka mbetur në kujtesë si njëri prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar. Si një njëri prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Po e mbyll me një citim të Arbën Xhaferi “Çështja shqiptare nuk është fiksion ose romantizëm, por realitet…tani mbetet të shqyrtohet realiteti”, ka deklaruar Arbën Xhaferi në një intervistë televizive. Një porosi brezave nga Xhaferi se bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet duhet të bëhet në kontekstin e zgjidhjes së çështjes shqiptare, pa të cilën nuk mund të zgjidhen as krizat në Ballkanin Perendimor.









FSH: Po i përgjigjem kësaj pyetjeje se nga i vjen e keqja shqiptarëve, me fjalët e At Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës: At Gjergj Fishta ka bërë paralajmërimin për rrezikun e brendshëm në shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921, ku ndër të tjera ka shkruar se rreziku i përbrendshëm ishin, pikërisht, vagabondët, sallahanët, të shiturit. Ndërsa sot janë trafikantët, të korruptuarit dhe pazarxhinjtë e trojeve. “Kombi s’do rrejtë! Kombit i duhen çelë sytë! “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…” ka shkruar Fishta. “Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, ka paralajmëruar Gjergj Fishta duke pohuar se, “Elementi ma i rrezikshëm ose ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm. Që të gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pa krye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni”, sipas Gjergj Fishtës. Ndërsa sipas Faik Konicës: “Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.” Faik Konica – (Vepra 1, f. 271). “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë, lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”. (Faik Konica). Ky pra është problemi edhe sot si në kohën e Fishtës dhe të Konicës. Asgjë nuk ka ndryshuar.
FSH: U mbushën 100-ditë të mandatit të dytë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Agjenda e tij “Amerika e para”, në politikën e jashtme shikohet si një përpjekjet për të ndryshuar shumë gjëra brenda vendit por edhe në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Siç dihet gjatë dekadave të kaluara Amerika mbizotëronte, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ekspertët këtu në Amerikë thonë se agjenda e Presidentit Trump, “Amerika e para”, ndër të tjera, ka për qëllim edhe ribërjen e politikës së jashtme amerikane. Nëse do ia dalë, ndonëse është heret për tu parë, por shënjat e para tregojnë se ai është i vendosur për të bërë ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet politike dhe ushtarake në nivel ndërkombëtar, jo vetëm me Evropën por me mbarë botën. Ndër të tjera, ndër vendimet e marra deri tani në këtë drejtim janë: ulja ose prerja e plotë e ndihmave të jashtme për vendet e huaja, deklarata e tij drejtuar Kanadasë e Grinlandës, vende mike këto të SHBA-ave, çeshtja e tarifave, pikëpyetjet e vazhdimit të Amerikës si antare e NATO-s, kërcnimet për tu tërhequr nga disa organizata ndërkombëtare siç është Organizata Botërore e Shëndetsisë e tjera – vërtetë kanë shkundur shumë tregjet botëre dhe kanë konfuzuar miq dhe armiq të Amerikës. Mbyllja e disa enteve të qeverisë amerikane që janë identifikuar, në të kaluarën, me politikën e jashtme, si USAID dhe Zëri i Amerikës, sot për sot, janë të mbyllura dhe nuk u dihet fati. Për mua personalisht, vendimi për mbylljen e Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve amerikane ndërkombëtare ku kam punuar për tre dekada më është dukur si kur më ka vdekur një mik shumë i ngushtë. Në mendimin tim, një vendim i gabuar që godit rëndë lirinë e shtypit në botë. Uroj që administrata të rishqyrtojë këtë vendim dhe të bëjë reformat e nevojshme duke rihapur Zërin e Amerikës, si një zë i pazvendsueshëm të Washingtonit anë e mbanë botës. Por le të presim se ka gjasa që gjërat të ndryshojnë, pasi administrata është tërhequr tanimë nga disa prej vendimeve të njoftuara më parë, qoftë në lidhje me tarifat ndërkombëtare qoftë edhe në zhvillimin e politikës së jashtme amerikane. Unë jam optimist se, eventualisht, ajo që quhet “common sense” dhe pragmatizmi do mbizotrojnë edhe në politikën e jashtme. Se Amerika ka nevojë për aleatë sidomos në Evropë por edhe anë e mbarë botës dhe se, njëkohsisht, edhe vendet aleate demokratike në Evropë dhe në botë kanë nevojë për Amerikën. Shpresoj se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio që i përket atij krahu të Partisë Republikane që është frymëzuar nga ish-Presidenti Ronald Reagan, të paktën sipas deklaratave të tija në të kaluarën – që me kolegët e tij në Departamentin Amerikan të Shtetit, të jetë personi që do të mbaj një qendrim më të balancuar në marrëdhëniet e Amerikës me botën, sidomos me shtetet evropiane, historikisht, mike të lidhura me aleanca politike, ekonomike dhe ushtarake. Në botën e sotme, unë besoj se është e pamundur tërheqja e Amerikës nga bota. Mund të ketë ndryshime, rrokullisje, shkundje, madje edhe të aleancave të vjetra që mund të zevendësohen me diçka tjetër, pa rrezikuar rolin kryesor të Shteteve të Bashkuara në botë. Jam i mendimit se koha do e tregojë se tërheqje të plotë të Amerikës nga bota siç mund të besojnë disa brenda dhe jashtë Amerikës, nuk besoj se do të ketë. Besoj se pa marrë parasysh se kush është president në një kohë të caktuar, roli i Amerikës, si fuqi e pa kontestueshme ekonmike, politike dhe ushtarake, është tepër i rëndësishëm për botën dhe për Shtetet e Bashkuara, sot dhe në të ardhmen dhe si i tillë edhe do mbetet.
ka sot Kombi njerëzit e duhur politikë e atdhetarë për të udhëhequr një lëvizje të tillë historike? I ndjeri At Zef Pllumit, i përndjekuri dhe i burgosuri i regjimit komunist dhe autor i veprës, “Jeto për me tregue” ka shkruar me një rast se parakusht për bashkim të kombit dhe të shqiptarëve është dashuria për njeriun – mbi të gjithë, shqiptari-për-shqiptarin: “Dashuria për njëri tjetrin është progresi i kombit shqiptar. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun. Progresi duhet të jetë ekonomik, mendor, shoqëror dhe kulturor”, është shprehur Frati i Maleve. At Zef Pllumi, në përjetësi, flet me bindje e fakte të përjetuara, në kujtesë, me largpamësi dhe porosit me këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar, për idealin e bashkimit! “Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi, atëherë, “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahil-llëku ashtë shkatërrimi i Kombit, jo bashkimi. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, praktikisht, atëherë ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun”, as bashkimin, është shprehur At Zef Pllumi. Për Bashkim Kombëtar, At Zef Pllumi e ka shpresën tek intelektualët shqiptarë që, në bashkpunim me njëri tjetrin, pjesëtarët e inteligjencës shqiptare, (në mungesë të politikanëve të përgatitur për një mision të tillë), “duhet t’i prijnë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar”, nënkupto Bashkimit Kombëtar. (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993). Po ku janë sot intelektualët shqiptarë sot dhe cili është misioni i tyre në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar?








