
Alfons Grishaj/
*Analiza politike vijon nga numri i kaluar…
Në kapërcyell shekujsh, shpesh herë vota ka qenë e verbër, politika e ka përdhosur mos më keq, ndërsa vegjëlia i ka dhënë sy me pa. Po ku është vegjëlia? Në largësi, të krijohet përshtypja se shqiptarët brenda kufinjëve duket sikur vuajnë nga “apraksia konceptuale”, gjë që i pengon në zgjidhjen e duhur. Fasada dhe farsa, sharjet e fyerjet, intimidime dhe bribery janë njëra anë. Por ana tjetër, kulmon mpirja dhe falimenti në përballjen e të keqës. Kjo sëmundje e përafërt po ndodh dhe në Dardani, por me një ndryshim: atje nuk vidhen votat si në Shqipëri, ngaqë akoma mungon stili i remenishencave bolshevike, gjë që e bën elektoratin dardanas më të zhdërvjellët dhe kërkues. Megjithatë, e keqja specifike mbetet. Atje bëhen zgjedhjet, por është tëpër e vështirë që të formohet qeveria.
Çfarë tregon një papërgjegjshmëri infantile dhe amorfe, duke farkëtuar thënien anti-shqiptare: “Shqiptarët nuk janë shtet-formues.” Fatkeqësisht, dardanët duke shikuar vëllezërit e tyre në anën tjetër të kufirit po huazojnë terma dhe akuza të turpshme siç ishte dhe ajo e fundit për heroin e Kosovës: “hajdut traktorash”!
Dikur turpi ishte faqe e zezë, ndërsa tani shëtit me kollare! Po, ky është bash fjalori banal i komunistëve shqiptarë dhe ruso-serbofilëve. Gjuhë e përdorur për çdo patriot që ka derdhur djersë e gjak. Gjithë heronjtë që kanë bërë luftën, shahen?!
Një tregues kokëfortë: me largimin në amshim të Presidentit Ibrahim Rugova, Dardania po lëngon në zgjidhje dhe vendimarrje të shumta. A e meriton këtë inkompetencë populli Dardan? Kurrë!! Unë mendoj se kreu i qeverisë, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Përparim Rama, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, e shumë personalitete në atdhe e diasporë, duhet t’a rrisin ndjeshmërinë e përgjegjësisë ndaj gjakut të derdhur për të çuar imazhin e atdheut në një stad më të lartë. Do të ishte e udhës që të dalin nga guacka e Unit për një ndryshim thelbësor. Si në Shqipëri dhe Dardani, duhet të gjendet një rrugëdalje për të mundur praktikat e vjetra, të ngurta- pa bereqet. Ata duhet të dalin mbi partitë, duke krijuar një bosht bashkqevërisës për të ardhmen e përbashkët.
Sidomos, Dardania nuk e ka luksin për të qeverisur një parti. Me pjekjen e kushteve, le të ndërtojnë një besim reciprok për të krijuar një sistem të ri më efiçent: Sistem Presidencial. Mbase shqiptarët do të jenë me fat të kenë një president si, Theodore Roosvelt, i cili “korigjoi” rreptë elitën e miliarderëve: John Davison Rockefell, Andrew Carnegie, Cornelius Vanderbilt, John Pierpont Morgan. Persona që kishin shkatërruar konkurencën e lirë, dhe për interesa të ngushta, kishin kompromentuar rëndë disa herë zgjedhjet e presidentëve në Amerikë. Tycoon’s of US industry mësuan se, simbioza e votës lirë dhe burrit shtetit mbesin korrektorë të pagabueshëm në zhvillimin ekonomisë (monopoleve) dhe shtetit ligjor.
Mendimi im, çdo zhvillim ka një pikë limiti dhe çdo limit ka një rregullator. Dhe Rama, ka një shans për të dalur nga impakti që ka futur veten dhe partinë. Ai mendon se i ka fituar votat dhe i ka votuesit në dashuri sublime?! Atëherë, le t’a provojë këtë forcë të “konsuliduar votash” për të sfiduar amullinë rreth tij, duke thirrur një referandum popullor për ndryshimin e sistemit: nga republikë parlamentare në atë presidenciale. Le të jetë dhe Rama kandidati për President. Pas kësaj mundësie popullore, ndahet përgjithmonë loti dhe Zoti. Nëse ai e fiton…ta gëzojë! Kështu marrin fund qeveritë e anagramave.
Në hapësirën shqipfolëse, sistemi presidencial do fuqizonte shtetin, ekonominë dhe zhvillimin e strategjisë për të ardhmen, do rilindte shpresën e truallit të të parëve tanë, duke paralizuar përfundimisht klanet kleptokrate të partive dhe biznesmenët banditë që kanë vrarë konkurencën e lirë. Historikisht, zhvillimi i kombeve ka ardhur prej grupimeve dhe udhëheqësve mendjendritur dhe kurrë nga skeletonët e uritur të pushtetarëve mendjezi! Shikoni ndërtesat fantazma të bëra me paratë e pista paasnjë plan urban. Kaq larg ka shkuar babëzitja e tyre sa matematikisht harrojnë se shqiptarët nuk janë një popull prej 30 milionësh, por sa gjysma e një lagje në Amerikë, me një gjysmë bosh.
Mendoj se, shteti nuk ndërtohet dhe mbrohet me fjalore të huazuara, me presione, me falle shtrigash, me vjedhje votash, me premtime boshe, me betone e gradaçela, kur pjesës dërmuese të popullsisë u mungon jetesa minimale. Nuk është e udhës që shqiptarët të futen në armiqësi me njëri-tjetrin për ca kleptokratë dhe vagabondë, që nuk janë as komunistë e as demokratë! Se po të ishin komunistë…odiseja e luftës për karrige do kishte marrë fund! Sikur të ishin demokratë, do respektoheshin ligjet e demokracisë, vota dhe funksionimi i të drejtave themelore të njeriut. Simboli i politikës së sotme është thjeshtë: kleptokraci dhe prostitucion politik! Prandaj inteligjenca ka barrën finale për ndryshimin rrënjësor të këtij imazhi dëmsjellës dhe banal. Inteligjenca është ozon, ujë dhe jetë. Nëse inteligjenca mbyll valvulat e oksigjenit, çdo diktaturë vdes si metastazat kancerogjene. Dhe kur diktaturat vdesin, popujt gëzojnë e prosperojnë.
Pas këtij revolucioni, truri i kombit duhet të punojë për gjëra më të mëdha, jo si të vidhen votat e të armiqësohen shqiptarët, si të bëhen balancat e aferave, por si shqiptarët të bashkohen dhe ti tregojnë botës se janë ata që dinë të qeverisin dhe ndërtojnë, siç thoshte, Dushko Hr.Konstantinov: “Shqiptarët janë banorët më të vjetër të Gadishullit Ballkanit dhe pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan.” Pra, që shqiptarët të riciklohen si të tillë, duhet të zgjohen nga gjumi për t’i kapur të gjitha elemetet humano-shpirtërore si pararojë e ndryshimit psikologjik që ndihmon ngritjen esenciale të emancipimit shoqëror. Një gjë e tillë do ndihmojë për të shkapërcyer inatet e ndasirat e një vize shkopi në shkretëtirë që vetë e kanë vizatur. Sfida e shekullit duhet të jetë vota për bashkimin e shqiptarëve, e cila nuk e pengon dhe trondit botën e qytetëruar, por armiqtë tanë.
Pra, le ti mundim armiqtë me dashurinë ndaj njëri-tjetrit për t’u krijuar bindjen se i duam dhe ata! Alphonse de Lamartine, për popullin tonë do shkruante: “Ky komb dhe ky popull nuk mund të merret nëpër këmbë sepse është toka e heronjëve të të gjitha kohërave.”