• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AUSTRIA, MBËSHTETJE PËR KOSOVËN

November 6, 2018 by dgreca

-Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz: Zhvillimet pozitive në Kosovë dhe në tërë rajonin janë shumë me rëndësi për ne. Si kryesues i Presidencës së Bashkimit Evropian i kemi vendosur shtetet e Ballkanit Perëndimor në fokus/

1 ok Thaci-Kurz5-Haradinaj-Kurz qeveri3-Haradinaj-Kurz ok

-Presidenti Thaçi dhe kancelari Kurz: Marrëveshja Kosovë-Serbi sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet për tërë Ballkanin Perëndimor/

-Kryeministri Haradinaj: Austria mike e madhe e Kosovës dhe mbështetëse e fuqishme/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari(Me shume foto gjeni ne fb (dielli vatra)

 

PRISHTINË, 6 Nëntor 2018/  Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në vizitën sot në Kosovë u prit në takime të ndara nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, dhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kancelarin Kurz për mbështetjen që Austria po i jep Kosovës në marrëdhëniet bilaterale dhe në arenën ndërkombëtare.

“Austria është duke vazhduar udhëheqjen e BE-së si kryesuese e radhës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka bërë përpjekje për të promovuar perspektiven evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti më proevropian në rajon dhe e kemi bërë të qartë vizionin tonë për anëtarësim në BE dhe NATO. Prandaj, puna dhe angazhimi ynë për arritjen e këtyre qëllimeve mbeten konsistente. Kjo është arsyeja që ne duhet të punojmë me përkushtim për të përmbyllur reformat e brendshme, në ekonomi, të drejtësi, edukim, shëndetësi dhe në qeverisje të mirë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në kontekst të integrimeve euroatlantike, presidenti Thaçi ka thënë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kushti thelbësor.

“Kosova ka ndërtuar raporte fqinjësore të mira me të gjitha shtetet fqinje. Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Fatkeqësisht, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, kancelari austriak, Sebastian Kurz, theksoi se ka ardhur si Kancelar i Qeverisë Federale të Austrisë dhe si kryesues i Presidencës së Bashkimit Evropian për të theksuar mbështetjen për Kosovën.

“Zhvillimet pozitive në Kosovë dhe në tërë rajonin janë shumë me rëndësi për ne. Si kryesues i presidencës së BE-së i kemi vendosur shtetet e Ballkanit Perëndimor në fokus, sepse dëshirojmë që si rajon të gjitha shtetet të kenë një perspektivë evropiane dhe i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë rrugë. Që të sigurohet paqe, liri dhe siguri në mënyrë afatgjate dhe të qëndrueshme në Ballkan është i rëndësishëm një dialog i suksesshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përmbyllja e suksesshme e këtij dialogu me një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh kancelari Kurz, duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin përpjekjet e lidershipit për forcimin e paqes në rajon.(Lexoje te plote (ne Gazeten Dielli www.gazetadielli.com) specialen e pergatite nga korrespondenti yne Behlul Jashari)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Austri-Kosove, Kryeministri Haradinaj, Presidenti i Austrise Kurz, Presidenti Thaçi

SHBA DHE SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS 1919-1920

November 6, 2018 by dgreca

1 Konferenca_e_paqes_Paris_1919Fb1 konf paqes.IMG2 statistike.IMG4statistike.IMGbumci_fishta_berati_konferenca_paris_1919

Nikë Gashaj/

1 Nikë Gashaj

Menjëherë pas hyrjes së SHBA-së në luftë, në prill të vitit 1917, diplomacia amerikane ka filluar përgatitjet për marrëveshjen e paqes së pasluftës. Ideja për formimin e një trupi punues, i cili do të bënte një studim në detaje për të gjitha çështjet dhe eventualisht do të shqyrtohej, i lihej presidentit Wilson dhe këshilltarit të tij të afërm, Edvard Hauz, ndonëse gjurmat e para shpien drejt ministrisë së Punëve të Jashtme të Amerikës, Steit Departmentit dhe shefit të tij, Robert Lising. Sidoqoftë, amerikanët kanë dëshiruar që  ky trup punues të formohet sa më parë dhe, mundësisht, të mbetet në fshehtësi. Sipas propozimeve të para, kjo zyrë, siç është quajtur në fillim, është dashur të jetë e përbërë prej pesë ekspertëve, të cilët do të punonin nën mbikëqyrjen e shefit të Steit Departamentit. Zyrja, ndërkaq, gjatë një viti u transformua në një komision hulumtues i cili në  tetor të vitit 1918, ka numëruar 126 bashkëpuntorë të profileve të ndryshme.

Ky komision i ka mbaruar hulumtimet apo studimet që kanë përfshirë, pothuaj tërë botën dhe i ka përgatitur rreth 2000 raporte dhe 1000 harta të ndryshme. Presidenti Wilson është mbështetur në këto raporte, kur i ka propozuar zgjidhjet territoriale të përmbajtura në 14 pika, dhe me rastin e përpilimit të propozimeve për marrëveshje paqësore. Komisioni ka ekzistuar si trup i veçantë deri në dhjetor të vitit 1918, atëherë është kyçur në punën e delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes. Njëzet e tre anëtarë të këtij komisioni, në Konferencën e Paqes në Paris, i janë bashkuar presidentit Wilson.

Meqenëse Shqipëria ka qenë  më së paku e njohur nga të gjitha vendet e Evropës, anëtarët e Komisionit kanë qenë të detyruar që për një kohë shumë të shkurtër të  përgatisin sintezën e tërë asaj që është shkruar dhe thënë mbi shqipërinë, çka ka pasur për pasojë ndërtimin dhe nxjerrjen e konkluzave të shkallëve të ndryshme të objektivitetit, apo dallimet evidente të qëndrimeve midis anëtarëve të Komisionit, posaçërisht kur ishte fjala për zgjidhjen e përgjithshme dhe në tërësi të çëshjes shqiptare në kuadrin ballkanik dhe në suaza të sferave të interesit dhe me influencë të disa fuqive europiane.

Qëndrimet dhe pikëpamjet e ndryshme midis anëtarëve të Komisionit në lidhje me  zgjidhjen e çështjes shqiptare janë rezultat i dy qasjeve, dy rrymave, polarizimin e të cilave e ka  thelluar dhe lufta. Njëra anë e ka mbrojtur pozicionin e legalitetit, ndërsa tjetra i ka  përkrahur të ashtuquajturat të drejta natyrore. Për shembull, në raportin e parë të një autori, emri i të cilit nuk është shënua, ndër të tjerat thuhet se ndarja e Shqipërisë konsiderohet e “dëshërueshme”. Prandaj sipas tij territori i Shqipërisë duhet të jetë i ndarë, ashtu që pjesa veriore me Shkodrën t’i takojë Malit të Zi, pjesa e mesme, duke përfshirë Durrësin, Serbisë dhe pjesa jugore me Vlorën, Greqisë. Autori, në përfundimin e raportit, zotohet fuqishëm për predominimin e faktorëve ekonomikë në relacion me cilësitë nacionale të popujve ballkanikë, sepse i konsideron si  zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme vetëm ato zgjidhje që mbështeten në prosperitetin ekonomik.

Raportin e lartpërmendur e kritikoi ashpër njëri ndër udhëheqësit e Komisionit hulumtues, Xhejms Shotvel, Kryetari i Shoqërisë Gjeografike Amerikane, duke vlerësuar se  raporti në fjalë nuk ofron zgjidhje për tri çështje kryesore sot, e ato janë çëshja e Maqedonisë, Çështja e Shqipërisë dhe çështja e arqipelagut të Egjeut. Më tutje Shotveli shton: Çështja shqiptare është e dyfish e rëndësishme për SHBA-në, për arësye se zgjidhja e saj do të mund t’i besohej Amerikës, si fuqi e cila nuk është drejtpërdrejt e interesuar. Në lidhje me pohimin se është e qendrueshme vetëm ajo zgjidhje që i  merr parasysh faktorët ekonomikë, duke lënë pas dore përcaktimet nacionale, Shotveli vlerëson se ajo është kryesisht me vend, në qoftë se  niset nga pozicioni i interesave të  fuqive europiane. Mirëpo, në qoftë se merren parasysh ndjenat kombëtare të popujve ballkanikë, atëherë vlera e këtij pohimi është e dyshimtë. Kështu, pra, këtu parashtron edhe një pyetje: A do të thotë se zgjidhja e kufijve mbi baza nacionale nënkupton se çdo njësi politike, njëkohësisht, duhet të jetë edhe njësi e veçantë ekonomike? Shotveli është i  mendimit se në lidhje me këtë çështje është e nevojshme të shqyrtohet hollësisht  mundësia e institucioneve sikurse janë portet e lira, hekurudhat e ndërkombëtarizuara  dhe doganat para se të vihen në praktikë dhe të aplikohen kriteret ekonomike për caktimin e kufijve në dëm të atyre nacional.

Raportet e Komisionit i kushtojnë mjaftë hapësirë rregullimit fisnor të shoqërisë shqiptare, e sigurisht për arsye se  për një gjë të tillë ka pasur, relativisht, mjaftë shkrime.

Emri Edit Durham përmendet shpesh, dhe anëtarët e Komisionit shpesh thirren në  punimet e saj, veçanërisht kur është në pyetje tradita e shqiptarëve dhe prejardhja e tyre. Nga përfundimet, kryesisht, del se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se janë  të  shpërndarë.Veçanërisht është potencuar dallimi midis veriut dhe jugut të Shqipërisë.

                                                    Gjuha shqipe

        Ka  munguar një analizë e thelluar dhe subtile e gjuhës shqipe, sepse konkluzat për të janë  nxjerrë në mënyrë mekanike dhe, si duket, sipas inercisë së disa punimeve, të cilat lehtë janë marrë si autoritative dhe definitive. Në një raport të gjerë, i cili merret me çështjen ballkanike, qëndron se ”në Shqipëri ekziston një gjuhë e të folurit, plotësisht e pangjyrë kur të përjashtohen shprehjet turke, greke  dhe sllave”. Disa kanë shkua aq larg sa që për gjuhën shqipe kanë shkruar se është ”një lidhje e tmerrshme e thjeshtësisë dhe e parregullsisë” dhe se kjo gjuhë nuk ekziston fare…” Në këto vlerësime nuk është vështirë të hetohen idetë, gjuha dhe konstruksionet të tëra, që  janë lëshuar në qarkullim, kohë pas kohe, sipas situatës politike, nga ana  e vendeve fqinje ose e Fuqive të Mëdha, që në momentin e caktuar, kanë pasur interes për diçka të tillë.

Këto mendime u kundërshtuan edhe nga vet shqiptarët. F. Noli, në një memorandum Komisionit hulumtues thekson se gjuha shqipe është ” i vetmi shembull që mbijetoi nga gjuhët origjinale të Evropes Juglindore, e cila është folur qysh para Homerit”. Ajo, sipas mëndimit të tij, padyshim është gjuhë ariane krejtësisht e ndryshme nga gjuha greke ose ato sllave.

Zhvillimi i ngjarjeve në Konferencën e Paqes do të tregojë paraqitjen e drejtë  dhe adekuate të çështjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në rezultatet e hulimtimeve në terren, çka ka pasur një rëndësi të madhe praktike, sepse uniteti gjuhësor është lidhur drejtpërdrejt me unitetin kombëtar, si dhe me ekzistimin e tij. Ekzistimi i dy dialekteve kryesore, të veriut dhe të jugut, dhe dallimet midis tyre, në momentet vendimtare, kur është parashtruar çështja e Shqipërisë dhe e ardhmëria e saj, është përdorur si dëshmi se shqiptarët nuk  flasin një gjuhë dhe prandaj nuk  e përbëjnë një tërësi unike shtetformuese. Komisioni hulumtues, si dhe delegatët amerikanë në Konferencën e Paqes, nuk e kanë parashtruar seriozisht çështjen e gjuhës shqipe dhe të unitetit të saj, sepse të dhënat dhe faktet kanë  qenë bindëse, se ka të bëjë me një dallim normal midis dy dialekteve të një gjuhe.

Religjioni  dhe shqiptarët

Çështja e religjionit është më i ndërlikuar. Vendet ballkanike, të ngarkuara me identifikimin konfuz dhe me barazinë e kombit me fenë, duket se nuk  e kanë kuptuar raportin e shqiptarëve ndaj kishave të ndryshme në Shqipëri. Ekzistimi i tri religjioneve të ndryshme në Shqipëri, për shumicën, automatikisht, ka pasur një domethënie dhe është  nënkuptuar se atje anët e fortifikuara janë në një konflikt të përhershëm. Për shembull, Greqia tërë territorin e Epirit helen e ka themeluar dhe  mbështetur në ekzistimin e popullatës ortodokse dhe në ceremonitë greke në  zonat kontestuese. Kështu një autor thotë: “ekzistojnë tri religjione në Shqipëri dhe ato janë në një konflikt reciprok”. Megjithatë, ka pasur edhe burime në gjuhën angleze, që anëtarëve të Komisionit dhe delegatëve u kanë mundësuar shpjegime më të dokumentuara dhe më objektive, duke i kontribuar ashtu ngritjes së shkallës së informimit objektiv mbi njëmendësinë shqiptare.

Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm e ka luajtur organizata  pan-shqiptare “Vatra” në Amerikë, Shoqata Anglo-Shqiptare etj. Anëtarja më e njohur e kësaj shoqatë ka qenë Edit Durham, e cila është shquar dhe dalluar me një seri veprash mbi Shqipërinë. Po ashtu dhe koloneli Obri Herbert dhe Lord Lamintagon, në mënyrë aktive janë marrë me paraqitjen dhe prezentimin e Shqipërisë. Misionarët amerikanë, me raportet e veta, e kanë plotësuar pasqyrën mbi jetën fetare në Ballkan dhe në Shqipëri. Këtu duhet të veçohet misionari amerikan, Telford Erikson, i cili në Shqipëri ka ardhur në vitin 1913 dhe për një kohë të gjatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën publike të Shqipërisë.

Mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, me gazetat e tyre në gjuhën angleze, janë përpjekur që të tërheqin vëmendjen për të pavërtetat e përçarjes fetare të shqiptarëve. “Shqiptari është tepër fanatik për çështjen e lirisë dhe të pavarësisë për të qenë fanatik në pikëpamje religjioze”, shkruan në një artikull të një reviste në vitin 1919. Një autor shkruan, se në shqipërinë e Jugut myslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku brenda një familje, nën një kulm apo pullaz. Ndërsa në Shqipërinë e veriut mund të gjenden dhe shembujt e tillë që në krye të fisit të krishterë qëndron personi i besimit mysliman dhe anasjelltas. Kjo tolerancë fetare shkon deri në ato përmasa dhe kufij sa kalon në një gjendje indiferente ndaj çështjes fetare. Andaj, shqiptarët të besimeve të ndryshme, ndjenjat kombëtare, dashuria ndaj atdheut qendrojnë në vend të parë, përmbi gjithçka.

Në një histori të një grupi autorësh amerikanë mbi shqiptarët në Shqipëri dhe në Amerikë, vihet në përfundim se feja kurrë nuk ka qenë motiv i mosmarrëveshjes dhe  përçarjes në mes të prijësëve shqiptarë (Federal Writers Project. The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston, 19 39, fq. 42).  Raporti i përgjithshëm i Komisionit të Lidhjes së Kombëve, më 12.5. 1922, nuk i mbështetë argumentet dhe pikëpamjet e atyre që thonë se  shqiptarët, për shkak të përçarjes fetare, nuk janë të aftë  për të qeverisur me një shtet bashkëkohor. Ata, sipas atij raporti, janë ”të lidhur me zakone të përbashkëta, me traditë shekullore, madje edhe me gjuhë, sepse dallimi në mes të gegërishtes dhe toskërishtes, në të vërtetë, paraqet vetëm një dallim dialekti”. Pjesëtarët e besimit të  ndryshme, përundrazi, shpeshherë janë të lidhur me lidhje gjaku, me traditë si dhe me festa dhe kremtime të përbashkëta fetare. Janë të evidentuara rastet kur priftërinjtë apo kleri i të tri religjioneve së bashku i kanë  vizituar Xhamitë dhe Kishat.

Në anën tjetër, amerikanët nëpërmjet misionarëve të vet, ose përmes revistave të ndryshme, kanë pasur mundësi të konkludojnë se argumenti i mungesës së tolerancës fetare, me çka disa shtete kanë dalur kundër pavarësisë së Shqipërisë, në të vërtetë ka  zënë fill dhe është formuar nga përvojat, përkatësisht nga gjendja e tillë e intolerancës fetare, në vetë ato shtete.

Konstatin Çerkezi, aktivist i njohur shqiptar, shkruan se lajmet mbi intolerancën fetare janë të pavërteta. Ai konsideron se  të krishterët dhe myslimanët në Shqipëri kanë marrëdhënie shumë më të mira sesa protestanët dhe katolikët në Europën e qytetëruar. Ndërkaq, mund të supozohet se ajo ka qenë pasojë  e influencës së propagandës së madhe greke, e cila ka qenë e organizuar mirë dhe ka punuar si në Europë ashtu edhe në Amerikë.

Çështja e Shqiprisë së jugut ose Epirit

Çështja e Shqipërisë së jugut, ose e Epirit, është shtruar para diplomacisë europiane qysh në Kongresin e Berlinit më 1878. Qysh atëherë e deri te zgjidhja definitive e kësaj çështje, në vitin 1921, aneksimi i këtij territori Greqisë, ka qenë një ndër detyrat kryesore të diplomacisë greke. Problemi i Epirit është imponuar fuqishëm në periudhën ndërmjet luftarave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Si pasojë e fitores së aleatëve ballkanikë mbi Turqinë dhe pretendimeve greke ndaj trojeve shqiptare, duke e arsyetuar atë si  trashëgimi kulturore helene, me përdorimin e gjuhës greke dhe të ekzistimit të popullsisë ortodokse të krishterë, të ritit grek, në rajonin kontestues.

Në lojën rreth Epirit kanë marrë pjesë, kryesisht, Austria dhe Italia, të përkrahura nga Gjermania, në një anë, si dhe Fraca, e përkrahur nga Rusia, në anën tjetër. Krahu i parë ka qenë për pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa ana tjetër për aneksimin e Epirit Greqisë. Britania e Madhe, e ngopur me koloni, si zakonisht, ka mbajtur baraspeshën dhe është përpjekur që ta pengojë luftën, që nuk i ka konvenuar në atë moment.

Konferenca e Londrës e ka zgjidhur këtë çështje ashtu që në territoret kontestuese e ka derguar Komisionin, që  në vend, mbi baza etnografike, të caktohen kufijtë ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioni, pas shumë peripecish dhe zvarritjesh, e ka shpallur vendimin në Firencë më 20.12. 1913, sipas të cilit qytetet Korça, Gjirokatra, Delvina, Tepelena dhe të tjerët i takojnë Shqipërisë.

                  Masakrimi mbi popullsinë civile shqiptare nga ushtria greke

Qeveria greke, gjoja ka punuar për zbatimin e vendimit të Konferencës së Londrës  për evakuimin e trupave nga këto territore, por në anën tjetër e ka nxitur lëvizjen për formimin e autonomisë së Epirit. Autonomia është shpallur më 2. 3. 1914. Në krye të qeverisë autonome ka ardhur Zografos, ministër i mëparshëm në qeverinë greke. Ky manovër i qeverisë greke, e cila, zyrtarisht, ishte neutrale, nxiti dhe shkaktoi ngjarjet në të cilat e humbën jetën banorë e pafajshëm të këtyre trojeve. Më se 400 vendbanime më të vogëla e më të mëdha janë shkatërruar dhe zhdukur tërësisht.

Masakrimi i ekzekutuar mbi popullsinë civile shqiptare, nga ushtarët e njësive të rregullta greke, të ndihmuara nga kriminelët e lëshuar nga burgjet, për atë rast, nuk ka kaluar i pavërejtur. Opinioni amerikan për këto ngjarje është informuar relativisht vonë, kryesisht përmesë shtypit ditor. Revista e përmuajshme shqiptare “The Adriatic Review”, që ka  filluar të dal më 1918, i shfrytëzoi këto ngjarje për qëllime propagandistike, kur grekët paralajmëruan mundësinë e përsëritjes së djegjes, plaçkitjes dhe masakrimit, në qoftë se nuk plotësohen kërkesat e tyre. Autori i një artikulli nënvizon se me ankth në zëmër i përkujton masakrimet e tmerrshme mbi shqiptarët, në verë të vitit 1914, duke cekur se  kështu ndihet për arsye se dëgjohen lajmet për përdorimin dhe ekzekutimin edhe të një gjenocidi mbi popullatën shqiptare. Në raportin e gjeneralit De Vera, shef i misionit holandez në Shqipëri, kujdes i veçantë i është kushtuar faktit se ushtarët grekë masakrimin e kryen në mënyrë sistematike, qëllimisht dhe shumë mizorisht. Edhe raportuesit e tjerë e vërtetojnë një gjë të tillë. Koloneli Obri Herbert flet për veprat jonjerëzore të ushtarëve grekë. Një autorë tjetër shkruan se “krimet dhe vandalizmat që i bënë grekët nuk janë të atij lloji që gjuha njerëzore mund t’i përshkruajë. Ndërsa, Mehmed Konica konsideron se qëllimi i grekëve ka qenë që të djegin gjithçka, qysh prej Tepelenës e deri në Korçë, në mënyrë që më vonë, aty të vendoset popullara greke, çka ka pasur si pasojë mijëra njerëz, edhe gra e fëmijë, që kanë vdekur nga uria ose nga të ftoftit gjatë dimrit të vitit 1914. Shumica e dëshmitarëve e kanë vërtetuar se shqiptarët me kurrgjë nuk e kanë provokuar këtë kërdi. Ndër dëshmitarët e tillë ka qenë dhe Xhorxh Fred Wiliams, ambasador i SHBA-së në Athinë.

Shqiptarët në Amerikë me të gjitha mjetet që kanë pasur në dispozicion, janë përpjekur që të tërheqin vëmendjen e opinionit publik, për situatën në Shqipëri. Roli i tyre në Konferencën e Paqes në Paris ka qenë me rëndësi të madhe.                                         

Gjatë Konferencës së Paqes, me rastin e hapjes së problemit të Epirit ose Shqipërisë së Jugut, është hapur përsëri çështja e gjuhës. Qeveria greke ka bërë orvajtje që përdorimin e gjuhës greke, si dhe të gjuhës së kishës dhe të tregtisë, ta përdorë si dëshmi se  popullata e territoreve të kontestuara i përket etnisë greke.

                                               Delegacioni shqiptar

Në memorandumin e parë të cilin delegacioni shqiptar ia ka dërguar Konferencës së Paqes, është prezentuar shkurtimisht historia e Shqipërisë, dhe pastaj janë përpunuar disa pika kryesore, me ndihmën e  të cilave delegacioni shqiptar ka shpresuar se do  të ndikojë që çështja shqiptare të zgjidhet në mënyrë të volitshme. Në memorandum është theksuar se nuk mund të quhen grekë  të gjithë ata që i takojnë Kishës Ortodokse Greke. Në të njëjtin memorandum nga Konferenca Paqës kërkohet që Greqia të paguajë dëmshpërblimin për djegjen e fshatrave në Shqipërinë e jugut.

Në memorandumin e dytë, të cilin delegacioni shqiptar ia ka dërguar Këshillit të Dhjetë, më 24.2. 1919, kërkesat shqiptare janë shtruar detajisht. Përveç tjerash thuhet se  Komisionit ndërkombëtar, i cili pas Kongresit të Belinit ka qenë i dërguar në këtë rajon për t’ia bashkuar Greqisë, i është dashur të kthehet mbrapa pa kryer punë.

Memorandumi, po ashtu flet për të padrejtat që Konferenca e Londrës, e vitit 1913, ia ka bërë Shqipërisë. Ajo Greqisë ia ka dhënë jo vetëm kufirin gjatë lumit Kalamai, por edhe tërë territorin, prej Artës e deri te Stillosa, ku, para luftrave ballkanike, kanë jetuar 63.000 shqiptar (40.000 myslimanë dhe 23.000 ortodoksë). Sipas këtij memorandumi, Greqia kërkesat e veta për Shqipërinë jugore, të cilën e quan Epiri Verior, i arsyeton gjoja se në rajonin kontestues jetojnë 120.000 grekë dhe 80.000 shqiptar. Delegacioni shqiptar ka  pranuar se në trojet për të cilat bëhej fjalë jetojnë vetëm 20.000 banorë me orientim pro-grek, kryesisht ata që jetojnë në luginën Drinopojë dhe rreth Delvinës. Ata janë fshatarë, që nuk kanë tokë të vetën, por i punojnë  tokat e banorëve vendas.  Me fjalë të tjera, delegacioni shqiptar e ka ngritur zërin kundër tezave të tilla, që thonin se  shqiptarët e besimit ortodoks i përkasin nacionalitetit grek.

Me qëllim të vërtetimit të karakterit shqiptar të Shqipërisë jugore, delegatët shqiptarë në memorandum i kanë paraqitur disa mendime të vëzhguesëve neutral. Kështu, Lordi  Habhauz, i cili, në fillim të shekullit 19, ka qëndruar me Bajronin në Shqipëri, është i mendimit se vetëm shqiptarët kanë vetëdije nacionale, derisa të gjithë popujt tjerë të Perandorisë janë grupuar sipas religjionit.

Delegacioni grek kërkesat e veta i ka bazuar në disa pika kryesore, prej të cilave më e rëndësishme është ajo, se raca dhe gjuha nuk mund të jenë kritere, sipas të cilave caktohet përkatësia nacionale. Grekët nga Epiri Verior, dëshirojnë të jenë  në kuadër të “Greqisë së qytetëruar” dhe kurresesi në kornizat e Shqipërisë së pacivilizuar. Argumenteve të lartpërmendura, grekët ua kanë shtruar edhe shkaqet ekonomike dhe strategjike. Epirin nga Shqipëria e ndajnë malet, derisa në mënyrë të natyrshme është i lidhur me Greqinë. Korça, Janina, Gjirokastra dhe Saranda paraqesin një tërësi ekonomike, e cila me Manastirin dhe Selanikun e përbënë dhe mbyll një rreth të madh të prodhimtarisë dhe tregut. Më tutje delegacioni grek është shërbyer me një statistikë që atij i ka shkuar në favor. Ndërkaq, pala shqiptare, duke u shërbyer me të dhëna statistikore franceze dhe  turke, ka pohuar se në Shqipëri të jugut gjithsejt ka 290.812 banorë, e jo 231.000, siç ka pohuar Venizelas. Prej atij numri, sipas palës shqiptae, vetëm 15.000 janë grekë. Pala greke, në anën tjetër, deklaronte se në rajonin kontestues ka fare pak, ose aspak shqiptarë. Kështu që në lidhje me këtë çështje pala greke dhe ajo shqiptare kanë pasur të dhëna, arsyetime dhe përfundime të ndryshme dhe të kundërta.                    

                             Komisioni ndërkombëtat për çështje greke

Komisioni ndërkombëtar për çështje greke, për herë të parë është mbledhur më 18.2. 1919. Në kompetencën e këtij komisioni janë kaluar edhe  kërkesat e delegacionit shqiptar, ashtu që edhe në këtë rast çështja shqiptare, respektivisht çështja e Shqipërisë së jugut është shqyrtuar tërthorazi. Komisioni në fjalë ka qenë i përbërë prj 8 ekspertësh, nga dy vetë nga Franca, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA. Amerikanët i kanë përfaqësuar V. Vestemani dhe K. Deji. Në një cikël mbledhjesh prej 18.02.-06.03.1919, Komisioni është përpjekur ta zgjedhë këtë çështje, duke marrë parasysh kërkesat greke dhe shqiptare. Meqënëse anëtarët e këtij komisioni kanë përfaqësuar katër fuqi të mëdha, natyrisht se ka ardhur deri te mospajtimi, si rezultat i pikëpamjeve të ndryshme ndaj këtij problemi. Çështja e ndërlikuar dhe e koklavitur e Adriatikut e ka qitur në një hije të thellë çështjen e Shqipërisë së jugut dhe të Vlorës, veçanërisht duke e aktualizuar marrëveshjen e fshehtë të Londrës, të cilën presidenti Wilson e ka refuzuar apriori si marrëveshje që është në kundërshtim me parimet e gjithëmbarshme të zgjidhjes paqësore.

Përfaqësuesit italianë në Komision për çështje greke, kanë kërkuar që të respektohet kufiri shqiparo-grek prej vitit 1913. Franca dhe Britania e Madhe duke dëshiruar që të ndalojnë Italinë me realizimin e synimeve të saj për të depërtuar në Ballkan dhe për të siguruar një prapavijë për politikën adriatike, e kundërshtuan propozimin italian dhe propozuan një vijë e cila ka  qenë shumë më e afërt me propozimin grek, sesa me kufirin e vitit 1913. Kjo vijë kufitare do të shkonte pak nën Pogradec, duke iu lëshuar në një vijë të shtrembër ndaj Këlçyrit, e  cila mbetet në Shqipëri, pastaj duke prekur Vjosën dhe Drinin larg mbi Gjirokastër dhe  duke përfunduar në Veri të Himarës.

Gati  të gjitha bazat e Korçës dhe të Gjirokastrës, sipas këtij propozimi, kalojnë në posedimin dhe qeverisjen e Greqisë. Franca dhe Britania e Madhe e justifikojnë këtë propozim me argumentet e Venizelosit, të cilat bazohen në ndjenjat helenofile të popullsisë dhe në shkaqe ekonomike. Pra delegatët francezë dhe anglezë në këtë rast u vunë në  anë të Greqisë. Karakteristika kryesore e propozimit amerikan është përpjekja e harmonizimit dhe të kërkesës për kompromis në mes të propozimit grek dhe francezo-anglez, nga njëra anë, dhe të propozimit shqiptar të përkrahur nga italianët, nga ana tjetër, e i cili në të vërtetë e ka paraqitur kufirin nga viti 1913.

Kështu, mospajtimet e anëtarëve të Komisionit të lartpërmendur kanë rezultuar dhe janë manifestuar edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Prandaj, çështja e Shqipërisë së jugut, ose Epirit verior, në Konferencën e Paqes ka mbetur e pa zgjidhur. Vetë fakti i moszgjidhjes së çështjes së Shqipërisë së jugut tregon se ajo ka  qenë e lidhur dhe është shikuar në kontekstin e përgjithshëm të çështjes së Adriatikut dhe  njëkosisht qëndrimi i pandryshueshëm dhe i patundshëm i Italisë, ka vënë në pyetje vazhdimin e Konferencës së Paqes.

Meqenëse  Shqipëria është bërë antare e Lidhjes së Kombeve, më 19.12. 1920, çështja e  kufirit shqiptaro-greke ka kaluar në kompetencat e kësaj organizate, respektivisht të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, që ka paraqitur vazhdimin e Konferencës së Paqes. Pas një diskutimi të gjatë për çështjen e kompetencave të njërës apo të tjetrës palë, Konferenca e Ambasadoreve në Paris, më 09.11.1921, e ka marrë vendimin me  të cilin njihen dhe pranohen ata kufij të Shqipërisë, që i  ka pasë caktuar Konferenca ndërkombëtare në Firencë, në vitin 1913. Këshilli i Lidhjes së Kombeve pastaj e ka dërguar Komisionin në  territoret kontestuese. Raportet e këtij Komisioni gjatë vitit 1922, e kanë vërtetuar në mënyrë të padyshimtë karakterin shqiptar të popullatës së rajonit kontestues.

             Roli i presidentit Wilson për  çështjen e Shqipërinë në Konferencën e  Paqes në Paris

1Uilson-1

Wilsoni, në një letër sekretarit shtetëror Robert Lasing, kërkoi që ai ta marrë përsipër çështjen e Shqipërisë, respektivisht apelet e shqiptarëve. Po ashtu Wilsoni duke iu përgjigjur Adamidit, i cili kishte kërkuar intervistë, përmes sekretarit të vet e porositi atë  që para delegacionit amerikan ta prezentojë çështjen e Shqipërisë, duke shtuar, se ai tashmë ka pasur intervistë me disa përfaqësues shqiptarë dhe se “kurrsesi nuk do t’i harrojë kërkesat e tyre”.

Delegacioni shqiptar në Paris ka pasur edhe vështirësi të natyrës administrative. Delegatëve amerikanë  u është dashur që të intervenojnë në rastin e  Turtulit dhe të Mid’hat Frashërit, të cilëve nuk  u është lejuar që të  hyjnë në Francë. Me këtë  rast, delegatët amerikanë janë shprehur se italianët dhe francezët dëshirojnë të pengojnë ardhjen e tyre që kanë mendime e pikëpamje të kundërta.

Presidenti Wilson me paraqitjen e vet ka zgjuar interesimin e masave, për atë që ndodh në Konferencën e Paqes në Paris, ndonëse, në esencë, sipas dëshmisë së bashkëpuntorëve të tij më të afërt, çështjet me rëndësi thelbësore ka dëshiruar t’i zgjidhë në mënyrë sekrete dhe në nivelin më të lartë.

Ishte e vështirë të pritej që Wilsoni të penetrojë në të gjitha detajet e raporteve të ndërlikuara, të përbëra dhe të ngatërruara, midis politikanëve ballkanikë dhe aq më pak që ai të impresionohet nga qërimi i tyre publik i hesapeve.

Pjesëmarrësit e Konferencës së Paqes në Paris, pas kyçjes edhe të delegatëve amerikanë me presidentin Wilson në krye, nuk kanë arrijtur ta zgjidhin çështjen e  Shqipërisë së jugut. Këtë problem, siç e pamë, e zgjidhi Konferenca e Ambasadorëve në  Paris. Mirëpo, duhet theksuar se çështja e Shqipërisë, nga  dhjetori 1920 dhe më tutje, është zgjidhur nën rrethana plotësisht  të ndryshueshme, që me siguri kanë  qenë më të volitshme për Shqipërin.

Meritat e presidentit Wilson në këtë pikëpamje qëndrojnë aty se ai ka arritur ta pengojë implementimin e marrëveshjes së fshehtë të Londrës të vitit 1915, e cila,  praktikisht, ka paraparë zhdujen e  Shqipërisë si shtet. Ai ishte faktori vendimtar në politikë e tij ndaj  çështjes se Adriatikut dhe në lidhje me Shqipërinë në përgjithësi. Prandaj, është politika amerikane ajo që  i ka ndaluar fuqitë europiane që ta legalizojnë ndonjërën nga  zgjidhjet e ofruara, prej të cilave asnjëra nuk ishte në favor të Shqipërisë.  

Në bazë të asaj që ekspozuam më sipër, mund të përfundojmë se  presidenti Wilson, së bashku me delegacionin amerikan, në Konferencën e Paqes, në mënyrë vendimtare kanë  ndikuar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë së jugut ose të Epirit Verior.

Ashtu që, delegacioni amerikan me qendrimet e veta i ka penguar zgjidhjet definitive të parakohshme, të cilat, në rrethana ekzistuese, do të shkonin në dëm të Shqipërisë. Kjo  zvarritje ka mundësuar që kjo çështje të shtrohet para Lidhjes së Kombëve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris në momentin kur Shqipëria ishte anëtare e barabartë e Lidhjes së Kombeve dhe kur marrëdhëniet ndërkombëtare kanë imponuar zgjidhje dhe perspektiva të tjera.

Filed Under: Politike Tagged With: konferenca e Paqes, Nike Gashaj, SHBA dhe Shqiperia

Lojë shahu

November 5, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir LEVONJA/

Unë kam ato vërejtjet e mia për Ilir Metën. I kam publikuar dhe do e bëj këtë me cilin do ka pushtet në vendin tim. Megjithatë nuk hezitoj të them se është njeriu i vetëm, ai që në këto njëzetë e tetë vite demokraci, po i jep sharmin e duhur presidencës së shqiptarëve. Kjo ndofta nga përvoja politike e mosmarrëveshjeve të gjata brenda faktorit dhe nënqeshja kur interpreton librin themeltar të një shteti, si kushtetuta. Ata përpara tij kanë nuk kanë qënë as mish e as peshk kur thotë populli. Aq sa shumë herë shqiptarët pyesin veten se përse u duhet institucioni i presidentit. Gjithmonë ka qënë një krizë a një ngërç duke patur parasysh mënyrën se si është zgjedhur garanti kushtetues. Por edhe një objekt butaforik, të cilin mbaj mend një president i radhës, në mos gaboj një ushtarak si Nishani, e përmblodhi me pak fjalë, nuk e dua këtë ministër, nuk më pëlqen ky, por kushtetuta nuk më lejon. Megjithëse nuk e kishte aspak të vështirë të mos dekrentonte një poet si ambasador. Si do që të jetë nuk ia vlen, pasi në kaq e aq vite presidenca ka qënë një varkë relike lagunash në periferi. Një institucion për pensionim të parakohëshëm. Ose për revansh politik, si rasti i Sali Berishës. Ndofta mund ta imitoj edhe Ilir Meta, megjithëse na sqaron Edi Rama me tangarllëkun e tij kur thotë se politika është një lojë shahu. Mund të jetë e tillë, veç ta dini se kjo nuk është ajo që i duhet një vendi me ekonomi informale, i cili e ka buxhetin të marrë peng nga krimi dhe droga. Megjithatë në rastin konkret kushtetuta nuk paska pengesë për Metën, si dikur për Nishanin a ndonjë emër tjetër që tashmë fikur diku përgjithmonë. Por mua nuk më duhet kjo, edhe pse shoh një indinjatë karakteristike tonë, në bazë të bastioneve, ku shumatorja e të gjithave mund të përmblidhet në atë togfjalëshin parahistorik, bëj si them dhe jo si unë. Ajo që ka rëndësi, është balancimi i pushtetit. Pra ekzistenca e një institucioni i cili duhet t’i kujtoj çdo kryeministri, jo vetëm Ramës, se jo çdo firmë sjell në pushtet kë do ti dhe kush të shërben ty. Pasi në konteksin konstitucional dikasteret duan veç njeriut politik edhe atë me përgjegjësi publike. Ndaj nuk ia vlen të ngrihen gjithë këto akuza karshi mosdreketimit të presidentit, për një individ që nuk ka asnjë obsion a vërejtje për paraardhësin. Kjo ka domethënien më të ulët të inteligjencës duke na thënë se ndërrimet bëhen thjesht për qejf. Nuk mund të ngrihesh në një nivel admirimi pa u shpjeguar njerëzve minuset e paraardhësit. Tek ne këto interpretohen me një logjikë shteruese duke i përmbledhur në pyetje naive se kur do ta vrasësh babën. Një kulturë me bagazh të fundet, shteruese që mban sot një klasë politike të çibanosur. Atë të cilët kanë lexuar vetëm dy libra në gjithë jetën e përmbledhin në atë filozofinë bajate me mos ma dhit’ mua, a pse me dhjet’ mua, po ti po ma dhjet’ mua kështu. Ndofta kështu i ka thënë edhe Edi Rama, sot presidentit. Por në atë nivel social politik, politika është edhe lojë shashu edhe me ma dhjerë e të ta dhjesë. Nuk është objekt debatesh një gjeneral në pension që deklaron publikisht se u bë ministër fal miqësisë së një shkrimtari me një kryeministër. Nuk ia vlen, sinqerisht. Duhet një aksion i fortë politikë, i natyrës o fito o ik. Në këtë konteks aktiviteti opozitar me fushatat periferike. Duke u thënë atyre që po u kalben mollët se, kjo qeveri nuk ju subvencionin etj., është tashmë i dalë boje, pasi atat prapë për Edi Ramën do votojnë. Duhet një vendimmarrje politike e fortë, pa kthim. Pasi të hap barkun kur Taulant Balla ankohet për bojkotimin e kuvendit nga opozita. Kur drejtori i pemtoreve Erion Veliaj flet për bashkëpunim a dialog. Nëse vërtetë si opozitë, kërkon tu japë emër denoncimeve të veta, duhet ta vulosi përfundimisht, jo më me bojkot, por atë që e kemi thënë kaq herë, djegien e mandateve. Dhe në këtë drejtim, refuzimet e presidencës janë një farë indeksi. Ose vazhdë e asaj që kryeministri e quan lojë shahu.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Lojë shahu

TË MOHUAR NGA REGJIMI

November 3, 2018 by dgreca

BURGJET, SISTEMI I INTERNIM-DËBIMEVE DHE PUNA E DETYRUAR NË SHQIPËRI 1945-1990/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-11 Konference1 ok konf.JPG2 Konfe 23 drejtusi.jpg

Nga Frank Shkreli/

Për ata që mund t’u ketë shpëtuar lajmi, ose për ata që nuk kanë mësuar nga mediet e përditëshme shqiptare, të cilat siç duket nuk e mbuluan siç duhej dhe sa duhej, më 30-31 Tetor, 2018, në Tiranë u mbajtë Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1990”.   Për nga përmbajtja e programit si dhe për nga lista e pjesëmarrësve, vendas dhe ndërkombëtarë, duket se duhet të ketë qenë një konferencë tepër interesante, me një rëndësi të veçantë historike dhe shoqërore, kur të merret parasyshë se Shqipëria zyrtare ka qenë shumë e ngadalshme, për të mos thënë aspak active dhe as e gatëshme, këto 28-vjetë komunizëm, për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Me sa vura re, mungesa e pjesëmarrjes së përfaqsuesve të qeverisë dhe e opozitës në këtë konferencë është një shenjë e mëtejshme treguese për një mos interesim të vazhdueshëm të tyre në këtë subjekt, tepër me rëndësi, për historinë kombëtare, për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit. Siç u shpreh në fjalën e saj të hapjes së Konferencës edhe Kryetarja e Autoritetit Për Informim Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) Zonja Gnetiana Sula, “A është normale që ende sot të mbetemi kaq të përçarë? Kaq të pandjeshëm për vuajtjet e bashkëqytetarëve tanë? Kaq pak të interesuar për të vërtetat?”

Megjithëkëtë, kjo konferencë ndërkombëtare — e organizuar nga AIDSSH në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe me Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë  — duhet të konsiderohet si një hap përpara, jo vetëm drejt përballimit të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj të hidhur komuniste, por edhe si një hap drejt zbulimit të së vërtetës historike, me qëllim të zbulimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Për këtë kontribut, merita i shkon pikësëpari, “Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, ashtu si edhe sponsorizuesve dhe mbështetësve të tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë ndër të cilët, sipas Autoritetit ishin: zyra e OKB-ës, PNUD në Shqipëri, Qeveria e Italisë, në kuadër të projektit, “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS), Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS) dhe Muzeu Historik Kombëtar. Siç mund të shihet edhe nga programi ishte kjo një konferencë, e parë e këtij lloji, në nivel shkencor, akademik dhe historik, ku u paraqitën punime të studiuesve vendas dhe të huaj, të organizuar në panele të punës shkencore dhe kujtesës.  Kryetarja e AIDSSH, Zonja Sula, deklaroi në hapjen e konferencës se enti që ajo kryeson, “Me partnerë shumë të çmuar ia ka dalë ta gjejë veten duke luajtur një rol të rëndësishëm, mes një procesi të hulumtimit që synon rishqyrtimin e historisë bashkëkohore, ’44 -‘90””, ndërkohë që gjithsejt, “36 studiues, nga brenda dhe jashtë vendit, kanë vënë mundin e djersën e tyre, plus intelektin dhe formimin, me qëllim që të ndihmojnë shoqërinë tonë t’u përgjigjet pyetjeve “Pse?” dhe “Si ndodhi?”, që në një kohë aspak të largët, shqiptarët u “vunë kundër njëri-tjetrit”, siç e thotë bukur një rrëfyes”, ka thënë ajo.  Znj. Gentiana Sula, u shpreh në hapje të takimit, se “Ne e kemi provuar në lëkurë që studimi i historisë bashkëkohore ka sfida të mëdha.  Protagonistët ende jetojnë, faktet akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë; kujtimet dhe ditarët janë ende pa mbledhur e pa botuar; arkivat, përveçse janë masive, janë ende të pashfrytëzueshme, plotësisht. Vetëm një studim korrekt dhe një dialog i bazuar në dokumente e fakte mund të bëjë të mundur që historia bashkëkohore ’45 – ‘90 e periudhës që kemi në dorë, të mund të kuptohet më mirë”, ka theksuar ajo në fjalën e saj me rastin e hapjes së punimeve të konferencës.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit njofton në faqen e tij të internetit se të ftuar shqiptarë e të huaj dhe personalitete të kërkimit shkencor e institucioneve të kujtesës, hapën siparin e kësaj konference të parë që trajton, përmes studimesh cilësore, periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.  Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës, u është shtuar kontributi i ndjeshëm i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) e BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve, thuhet në njoftimin e AIDSSH-it, ku jepet një përmbeldhje e shkurtër e disa prej folësve vendas dhe të huaj.

Ndër ta Z. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë dhe anëtar i këshillit shkencor të konferencës, veç kënaqësisë për realizimin e një aktiviteti shkencor të përmasave të tilla, e vuri theksin te diskutimet e shumta që pritet të hapen pas trajtimit të temave të përzgjedhura. Ndërsa, Z. Brian Williams, përfaqësues i OKB në Shqipëri, mbështetës i veprimtarive të Autoritetit, nënvizoi rëndësinë e objektivave të Kombeve të Bashkuara, mes të cilëve është përmbushja e detyrimeve të shoqërisë për të drejtat e njeriut, sidomos për të dënuarit dhe të ndëshkuarit në diktaturë.  Z.  Bernd Borschardt, ambasador i OSBE-së në Shqipëri u tha të pranishëmve se, “Është e domosdoshme të krijohet një narrativë për të shkuarën, të qëmtohen faktet dhe të arrihet tek e vërteta. Ne e mbështesim fuqimisht këtë proces”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
Ndërkaq, në vijim të konferencës, Znja. Rafaella Campanati, përfaqësuese e Ambasadës Italiane, shpjegoi rëndësinë e posaçme që ka projekti “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, në kuadër të të cilit organizohet konferenca.  Sipas saj, “Duke e analizuar të shkuarën dhe duke u dhënë zë viktimave, do të mund ta projektojmë më mirë të ardhmen”.   Znj. Vasilika Hysi, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, anëtare e Komisionit të Ligjeve, vuri në dukje bashkëpunimin në organizimin e konferencës, mes të gjitha institucioneve zyrtare të kujtesës, në respekt të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për ta. Sipas Hysit, “përkujtimi është detyrë e shoqërisë së sotme, e cila duhet të marrë përgjegjësitë që i takon”.
Në emër të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z. Çelo Hoxha, se veç entuziazmit për përfshirjen e shumë aktorëve në organizimin e konferencës, nënvizoi se “tek e shkuara nuk duhet të përqendrohemi te dhimbja, duhet të fokusohemi te padrejtësia, kush e shkaktoi dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej kësaj”.
Në të njëjtën linjë, drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, e vuri theksin te koncepti juridik i ndëshkimit sa i përket punës së detyruar, jo dënimit si të tillë. Fëmijë i lindur, rritur dhe burrëruar në internim, i ndëshkuar që në lindje, z. Kola bëri thirrje që “të dëgjohet zëri i kësaj shtrese, e cila e rrëfen me fakte jetën e saj, përvojën e mundimshme dhe mbijetesën, përballë dokumentacionit të makinës së pushtetit”.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, bëri një paraqitje të bashkëpunimeve institucionale në kuadër të kujtesës, të cilat prej më shumë se një viti kanë synuar të ndërtojnë një paradigmë studimore, ku me konferencën shkencore arrijnë të projektojnë njëherazi kujtesën dhe lirinë.
Në emër të Fondacionit Konrad Adenauer, znj. Klaudia Zerva kërkoi që pas përvojave përkatëse të secilit institucion a organizatë në trajtimin e së shkuarës, të arrihet në ndërtimin e strategjive të përbashkëta për të pasur rezultate të qenësishme dhe kontribute të ndjeshme në të sotmen, me punën profesionale të të gjithëve.
Në vijim u shfaq filmi “Dyert memece të Ferrit”, një rrugëtim nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar në Shqipëri, i realizuar nga bashkëpunimi i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fondacionit Konrad Adenauer. (Burimi: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991)

Siç u shpreh edhe Profesori i Filozofisë Gjergj Sinani, njëri nga pjesëmarrsit në atë konferencë se, “Pa të Vërtetën nuk ka Liri”.  Prandaj, sot pothuaj 30-vjetë post-komunizëm — siç tha edhe Kryetarja e AIDSSH-ës, Zonja Gentiana Sula, “Mungesa e një procesi të mirëfilltë shkencor për studimin e historisë ka bërë që empatia dhe mirëkuptimi të mungojë sot e kësaj dite për këto privime.  Nga njëra anë është zemërimi, trishtimi, ankthi, humbja dhe të ndjerët i përjashtuar nga grupet e prekura, kurse nga ana tjetër është mohimi i krimeve, mungesa e ndjeshmërisë për vuajtjet dhe viktimat, si dhe nostalgjia për arritjet e diktaturës, siç u bë e qartë në studimin që OSBE kreu mbi perceptimet për diktaturën në vitin 2016”, ka thënë ajo.

Është konstatuar gjatë këtyre 30-vjet post-komunizëm, nga ekspertë dhe historianë nga Evropa dhe më gjërë, se shumë prej krimeve të regjimeve komuniste – bazuar në ligjet ndërkombëtare ç’prej vitit 1945 – mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit.  Le të shpresojmë se konferenca me temën: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1991”, që u mbajtë javën që kaloi në Tiranë, të frymëzojë zbulimin e mëtejshëm të së vërtetës dhe të çojë në zbardhjen e plotë të krimeve të komunizmit në Shqipëri: në hapjen e të gjitha dosjeve dhe arkivave si dhe në njohjen e vuajtjeve dhe në kujtimin e të gjitha viktimave të komunizmit në atë vend, me shpresën që totatilitarizmi të mos rikëthet më, në asnjë formë të veten.

 

Filed Under: Politike Tagged With: burgjet, Frank shkreli, sistemi i internim-debimeve, Te mohuar nga regjimi

Çibanizmi

November 1, 2018 by dgreca

  • Unë nuk do i futem shumë asaj mendësie çibaniste që djegin flamuj a thërrasin për gjak në sheshet e Athinës. Por kësaj tonës, indinjatës, a vulgaritetit karshi fqinjit. Përpjekjes për të përdhosur gjithçka me po të nëjta pretendime/

Nga Ilir Levonja/

Sa herë që ndodh diçka mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka një vërshim vulgar argumentash dhe kundër argumentash. Në fakt e gjitha është pjesë e një kulture si ajo lëkura e mbushur me çibanë të qelbosur. Futen midis me mijra argumenta, histori, ngjarje etj. Madje edhe ata që quhen njerëz të perëndisë, profesorë, shtetar…, pa e kuptuar asnjëherë se radhisin veten me të ashtuquajturit të indinjuar kokëmbushurit histerikët a patriotët e kufijve.  Sillen fakte e kundër fakte papushim. Aq sa e vërteta apo drejta humane mbetet një relike muzeu të izoluar, qoftë kjo në anën matanë a këtej telave me gjemba. Kështu edhe këtë radhë me këtë ngjarjen e Bularatit. Unë nuk do i futem shumë asaj mendësie çibaniste që djegin flamuj a thërrasin për gjak në sheshet e Athinës. Por kësaj tonës, indinjatës, a vulgaritetit karshi fqinjit. Përpjekjes për të përdhosur gjithçka me po të nëjta pretendime. Eshtë është e gjitha një përqindje e vogël, një 5% social do thosha. Si këtej, si andej. Dhe fatet e dy popujve tanë prej ekzistencës tonë hallakaten në këtë vulgaritet çibanistët. Megjithëse i kemi hapur dyert njëri-tjetrit, ky 5% çibanistësh na ka mundur si shoqëri. Na kanë mundur si këtej si andej. Kjo ka sjellur deri reprezalje e gjenocide, shkëmbime popullatash a territoresh duke vdekur për shekuj vlerat dhe cilësitë e ndërsjella. Ky 5% çibanësh na i ka varrosur ato mbrëmjet tona me këngë e ndonjë gotë përpara, na i ka varrosur dashuritë, megjithëse janë me qindra familjet me gjak të bashkuar, me qindra djemtë që veshin uniforma a i shërbejnë prosperitetit të të dy vendeve. Megjithatë, prapë ky çibanizmi 5% vlon e përmbys gjithçka njësoj si ato katrahurat e Tsunameve në ishujt e Indokinës. Po e lë menjanë çibanizmin në Athinë. Po i mëshoj këtij tonit…, këtij vrulli patriotësh që asesi nuk e gjen të tillë, me kaq pasion e vulgaritet karshi politikës. Nuk e kuptuam asnjëherë se të zgjidhin hallet tona, të forcohemi ekonomikisht, është rruga e duhur, rruga e domoshme. Dhe jo pallitjet me ta vrasim, ta djegim qenin. Nuk jemi nga ata. Po të ishim kishim djegur me kohë qentë tanë. Këta që janë më të këqij se neonazistët e Agimit të ashtuquajtur i artë ai i Greqisë. Aktualisht Shqipëria është e izoluar nga politika klanore e qenve të qeverisë. Një luftë frontale klanesh e kapur nga grupet e drogës, krimi. Një qeveri totalisht e dështuar. Sa tenderon një rrugë prej 44 klm me vlerën e një autostrade 600 klm. Kjo është një rrjepje e gjallë e klaneve. Një qeveri që detyron një xhuxh se kë të heqi e kë të vëj. Një qeveri e tredhur. Megjithatë çibanizmi, 5% vulgar merret me Greqinë. Aktualisht Shqipëria vuan se është e marrë peng nga rubrika e denoncuesit dixhital. Aq sa çibanizmi 5% hokoritej pas statutit të fundit të S Berishës, një gorillë e halloween-it me portretin E Ramës. Pra një opozitë pa alternativë. Një opozitë që bën sikur dhe aq. Të një babagjyshi dixhital në moshën e djemve të rrugës në lagjet e qytetit a fshatit. Një lojë gagarelësh që kanë akumuluar miliona në resorset of shore të botës. Kurse ju, kungujt e halloween-it, çibanizmin e patriotit karshi atij çibanizmit matanë, Agimit të Artë. Jemi thjesht dy popuj me plot të përbashkëta. Dhe e dimë mirë që kënga e dashurisë është më e bukur se ajo luftës. Jemi popuj të qejfit e haresë. Mjaft e bluajtëm njëri-tjetrin. Mjaft me urrejtje. Askush nuk i ka kënduar dashurisë më bukur se ne. Por na ka mbytur çibanizmi. Na ka vënë përtokë. Sikur të ishim kaq të ashpër edhe me ata që lëvrojnë ligjet e fondet, do kishim punë me shumicë. E për rrjedhoj aspak kohë të lirë. Se me që ra fjala, kur nuk ke kohë të lirë, kohë me shumicë, merresh me llogje. Të mbyt ai 5%, çibanizmi. Suksesi i pa punësisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Cibanizmi, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • 439
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT