Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pranon se ka gabuar dhe paralajmëron reformë të politikave dhe organizative.
Në një fjalë të mbajtur në takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, Haradinaj u shpreh se Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
Sot zhvilluam takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, tha kreu i Aleances Haradinaj.
Aleanca nuk do të jetë më e njëjtë, duke më përfshirë edhe mua. Kam bërë gabime në politikë.
Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm. Ky ndryshim do të jetë i plotë: Reformë e politikave dhe reformë organizative.
Ne e vlerësojmë mbështetjen e qytetarëve që na është dhënë për 15 vjet me radhë. Do të angazhohemi për të ndërtuar një momentum të ri. Do të përgatitemi intensivisht për të merituar besimin të plotë dhe të fuqishëm të qytetarëve.
Do të fillojmë menjëherë me punë për të ndërtuar një forcë politike për të gjithë qytetarët e Kosovës, ngado që janë, të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve.
Do ta intensifikojmë qysh tash angazhimin për të ndërtuar ekipin e ri. Kërkoj angazhimin tuaj. Të të gjithëve. Të seciles dhe secilit që ka vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë.
Ne do të ndërtojmë Aleancën e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe të përkushtuar për jetë të mirë. Të të gjithë atyre grave e burrave të Kosovës që besojnë në demokraci, shtet ligjor dhe funksionim të shtetit.
Po ju them krejt publikisht:
– Aleanca nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit.
– Aleanca nuk ka vend për gangsterë që përfitojnë në emër tonin e të Aleancës.
– Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
– Aleanca i shpallë të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele tjera.
– Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet është kriminel dhe duhet të shkojë në burg.
Po u them sot të gjithë njerëzve të tillë publikisht:
Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!
Harrojeni, kushdo që jeni, se mund të silleni me papërgjegjësi para qytetarëve e duke u thirrë në emër të Aleancës. Kushdo, ama kushdo që sillet ashtu, nuk është Aleancë. Nuk ka qenë kurrë Aleancë dhe nuk do ta lejojmë afër nesh.
Personat e tillë duhet ta kenë vendin në burg, jo në Aleancë dhe askund nëpër parti politike. Fatkeqësia është se shteti nuk po funksion, sepse përndryshe të papërgjegjshmit dhe gangsterët do të përballeshin me ligjin!
Po ju them qartë dhe prerë:
Aleanca nuk është streha e profiterëve. Asnjëherë nuk ka qenë, por ndoshta ndokush edhe brenda strukturave të Aleancës nuk e ka kuptuar këtë!
Përkundrazi:
– Aleanca po përgatitet për të ndryshuar Kosovën, por së pari do ta ndryshojmë veten.
– Po e hapim partinë për intelektualë, për profesorë e aktivistë të shoqërisë civile.
– Po e hapim partinë për nivelin më të lartë të dijes në Kosovë.
– Po e hapim partinë për të gjithë.
Anëtari i Aleancës duhet të jetë:
– I ndershëm
– I pakorruptuar
– I sinqertë
– I arsimuar dhe kompetent
– I gatshëm për të shërbyer për popullin.
Ky është anëtari apo anëtarja e Aleancës. Dhe, të tillë Kosova ka shumë. Qytetarët e Kosovës janë të mirë, të ndershëm, punëtorë. E tillë do të jetë Aleanca e Ndryshimit. E mirë, e ndershme, punëtore.
Shehi: Opozita të hyjë në parlament, bojkoti sjell efekte anësore
Dashamir Shehu, kreu i LZHK-së, Shehi, pohoi në media se “e enjtja e ardhshme duhet t’i gjejë në Parlament deputetet e opozitës”, duke rikonfirmuar edhe pozicionin e tij/
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe deputet i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, në një prononcim për mediat sot ka pohuar se duhet të marrë fund bojkoti i Kuvendit, pasi sjell efekte ansore të pariparueshme.
Shehi është shprehur se opozita ka marrë një pozicion që po dëmton vetveten, madje e ka konsideruar bojkotin e Parlamentit dhe të zgjedhjeve lokale (që parashikohet të mbahen vitin e ardhshëm) si një paradoks të vendimmarrjes politike.
Sot, kreu i LZHK-së, Shehi, pohoi në media se “e enjtja e ardhshme duhet t’i gjejë në Parlament deputetet e opozitës”, duke rikonfirmuar edhe pozicionin e tij, madje edhe jashtë grupit të Partisë Demokratike”.(I Vata)
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës
Kuvendi i Kosovës zgjodhi me 71 vota pro Kadri Veselin në postin e Kryetarit të Kuvendit.
Gjatë seancës plenare të mbledhur sot pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së, deputetët e e Kuvendit zgjodhën me 71 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim Kadri Veselin si Kryetar të Kuvendit. Përfaqësuesi i PDK-së, Hajredin Kuçi në emër të grupit parlamentar propozoi zv/kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin për kryetar Kuvendi.
Ndërsa Xhavit Haliti nga PDK, Sabri Hamiti nga LDK dhe Glauk Konjufca nga VV u zgjodhën nënkryetarë të Kuvendit, nga partitë shqiptare. Nga komunitetet pakicë, nënkryetar i Kuvendit nga Lista Serbe u zgjodh Jasmina Zhivkovic, ndërsa nga Grupi 6+ Duda Balje, e cila do të zëvendësohet nga deputetët e tjerë të minoriteteve në periudha të caktuara.
Meta uron kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, uroi sot kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, per zgjedhjen ne kete detyre.
“Suksese z. Veseli në detyrën e re dhe urime të gjithë parlamentarëve të Kosovës gjatë kësaj legjislature”, shprehet z. Meta në urimin drejtuar homologut kosovar. Ai shpreh mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për Kuvendin e Kosovës në rrugëtimin e përbashkët evropian, si dhe gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh.
Kryeparlamentari shqiptar vlerësoi rol kyç të Kuvendit të Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike të vendit. Ndërsa e mbyll urimin e tij duke e ftuar z.Veseli për një vizitë në Tiranë, kryetari Meta thekson se Shqipëria mbështet avancimin e Kosovës drejt së ardhmes evropiane, pa humbur kohe.
KUSH ESHTE KRYEMINISTRI I KOSOVES ISA MUSTAFA
Isa Mustafa është Kryeministri i ri i Kosovës i nominuar nga koalicioni PDK-LDK, pas nënshkrimit të marrëveshjes sot në 8 dhjetor.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka një karrierë të pasur politike.
Më poshtë vijon biografia e Kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafa ;
Isa Mustafa u lind më 15 maj 1951 në Prapashticë, Komuna e Prishtinës. Ai jeton në Prishtinë, ku ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik.
Ai ka studiuar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financiar dhe ka doktoraturë në ekonomi, në fushën e Lidershipit të bizneseve. Është profesor në Universitetin e Prishtinës, në modulet e Mikroekonomisë dhe Menaxhmentit Financiar dhe në Universitetin AAB&Riinvest . Pas luftës është angazhuar kryesisht në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ai ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qëndrore të Kosovës. Mustafa ka qenë edhe Këshilltar i Lartë i Presidentit të Republikës së Kosovës.
Mustafa, ka qenë drejtues i lartë edhe gjatë kohës së regjimit komunist në ish-Jugosllavinë e atëhershme.. Ai kishte Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit prej vitit 1984-88. Më pas, ishte pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Jusuf Zejnullahu, 1989-1990. Më pas u emërua ministër i Financave në qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil. Pas luftës në Kosovë, Mustafa kishte mbajtur pozita nëpër borde të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, ai doli në skenën politike, duke qëndruar afër Fatmir Sejdiut. Ky i fundit kishte vendosur ta kandidonte për Kryetar të Prishtinës më 2007, ku kishte fituar përballë Fatmir Limajt të PDK- së.
Edhe në vitin 2009, Mustafa kishte fituar lehtësisht në raundin e parë, duke pasur kundërshtarë Astrit Salihun, e Vegim Gashin. Po në vitin 2009, Mustafa ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte fituar garën me Fatmir Sejdiun, të cilin e kishte këshilluar në cilësinë e ekspertit të ekonomisë.
Duke qenë Kryetar i LDK-së, Mustafa drejtoi edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humbi garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.
Pas kësaj humbje disa zyrtarë i kërkuan edhe dorëheqjen, por ai refuzoi duke thënë se do të fitonte Kosovën. LDK dhe Isa Mustafa pësuan edhe një humbje përballë PDK-së këtë vit. Dolën për herë të tretë pas Hashim Thaçit, i cili fitoi më 2007, më 2010 dhe tani më 2014.
Pas zgjedhjeve të 8 Qershorit Mustafa përsëri trokiti në derën e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.
Mirëpo, pas më shumë se pesë muaj, e prishi paktin me Ramush Haradinajn, të cilin fillimisht e kishte nominuar për Kryeministër. Ai mori bekimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të biseduar me të gjitha partitë, përfshirë PDK-në, për të bërë marrëveshje me kusht që atij t’i takonte pozita e Kryeministrit. Mustafa do të jetë kryeministri i Gjashtë i Kosovës, pas Hashim Thaçit, Agim Çekut, Bajram Kosumit, Ramush Haradinajt e Bajram Rexhepit.
Rama: 8 Dhjetori, një ditë historike. Por mund të kishte përfunduar si “Pranvera Arabe”
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar 8 Dhjetorin si një ditë simbol i fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të bërë histori.
Duke folur në konferencën e Asamblesë së Përgjithshme të Rinisë, Rama tha se lëvizja e dhjetorit i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe demokraci dhe se politika është ajo që ve në jetë projektet.
“Lëvizja e dhjetorit i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe demokraci ku për atë brez që ishte në diktature nuk mund te ishte asgjë në përmasë.
Është një iluzion i madh që po nuk u more ti me politikën, politika do të merret me ty. Sa me pak të merremi me poltikë aq më shumë jemi viktima të vendimeve të saj. Fal poltikës kanë lindur projektet më të admirueshme që njerëzit kanë vënë në jetë”, tha kryeministri.
Sipas tij, rënia e Perdes së Hekurt në Shqipëri, ishte një surprizë si për lindjen ashtu edhe për perëndimin.
“Rënia e perdes të hekurt edhe për Shqipërinë kapi në surprizë si lindjenn ashtu edhe Perëndimin. Ishte efketi surprizë i një shembje të paimagjinueshme që çliroi sistemet politike dhe janë mjete dhe jo pengesa në rrugën e realizimit të ëndrrave.”
Rama, duke iu referuar “Pranverës Arabe”, tha se jo gjithmonë endrat dhe shpresat realizohen.
“Ajo çfarë vjen më pas reflekton aspiratat, po nga ana tjetër jo gjithmonë e sheh hapësirën për të realizuar ëndrrat dhe shpresat.
Mjafton të shikojmë Pranverat Arabe që u shfaqën në skenat globale si fuqi transformimi, por që në më shumë se në një rast sot nuk duken pararandëse e atyre shpresave që i sollën në jetë.”/(KJ)
- « Previous Page
- 1
- …
- 435
- 436
- 437
- 438
- 439
- …
- 459
- Next Page »