• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Rezolutë për dialogun me Serbinë

December 16, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës votoi rezolutë për dialogun me Serbinë: Procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO/
1 Behlul Kuvend.JPG
 
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 15 Dhjetor 2018/ Kuvendi i Kosovës mbrëmjen e sotme në një seancë të jashtëzakonshme votoi me 59 vota pro e 2 abstenime një rezolutë për procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.

“Kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ishte pika e vetme.Në emër të propozuesit Visar Ymeri, nga PSD-ja, e prezantoi Projektrezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO. Ky dokumentacion e përkufizon qartë se Kushtetuta, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar i Kosovës, janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme”, theksoi Ymeri.Deputeti Ymeri, prezantoi emrat e anëtarëve që do të përbëjnë delegacionin.

Sipas tij, Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga NISMA-s do ta kryesojnë dialogun, ndërsa, anëtarë tjerë do të jenë: Enver Hoxhaj PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Ygcilar nga 6+, Dardan Gashi, zëvendëskryeministër, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vendet do të jenë të lira për LDK-në dhe Vetëvendosjen. Deri në plotësimin e tyre, pjesë e delegacionit do të jenë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, të dy nga PSD.Seanca vijoi, me qëndrimet e grupeve parlamentare, të pranishëm në seancë. Memli Krasniqi në emër të PDK-së, Dukagjin Gorani në emër të PSD-së, Ahmet Isufi në emër të AAK-së, Bilall Sherifi në emër të Nismës dhe Albert Kinolli nga Grupi parlamentar 6+, i dhanë mbështetje rezolutës së propozuar.

Rezoluta u përkrah edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit.

 Më parë, po sot, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën.“Konform kërkesës së deputetëve dhe praktikave të deritashme, Kryesia vendosi që seanca të mbahet sot, në orën 14:00”, thekontr njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës pas mbledhjes. Por, seanca nuk nisi në kohën e paralajmëruar në mungesë kuorumi dhe nisi pas orës 18:00, me 61 deputetë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh.

Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK e LVV nuk morën pjesë në seancë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Rezolutë, me Serbinë, për dialogun

A e kuptoni se po flisni me vete?

December 15, 2018 by dgreca

….Partia është flluskë sapuni, asgjë tjetër. Njëshat çibanë dhe shushunja. Ndaj ngrehuni e mbështesni ata djem e vajza. Nëse nuk e bëni për ata, bëjini për hallet dhe vuajtjet tuaja. Bëjini për vetveten. Bëjeni për vendin./

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/

Eshtë bërë virale në internet një video ku një mesoburrë futet në mes të protestuesve shkodranë dhe lavdëron Edi Ramën. Thotë dy fjalë e ikën duke falënderuar. Kaq kisha, ju faleminderit. Dikush aty pyet gjindjen, po ky a është shnosh?

Dhe dihet më tutje, ca të qeshura. Për më tepër kur vinë nga ai humori i këndshëm e plot filozofi i Shkodrës. Sepse ashtu është vërtetë…, duhet të jesh anormal që të shkosh mes gjindjes, në natë e të ftohtë të lavdërosh Edi Ramën.

Tani kjo pyetje i shkon kaq për shtat situatës, sa pa asnjë gajle mund t’i drejtohemi edhe shoqërisë civile. Por në sensin e kundërt. Për shkak të një tërheqje a sehirbërje kolektive? Po ju, a jeni shnosh? A jeni në rregull që nuk dilni, po jeni tulatur pas tv-ve të pastërmave firmato. Pas kalendarit dhe veprimtarive të Champions League, sikur t’u vinë rrogat a gjithçka e domosdoshme nga rezultati i ndeshjeve të Juventusit a Realit. Jeni tulatur pas serialeve turke duke shikur me kënaqësi bëmat e Mehmet Pushtuesit a flirtet brenda llojit të Shtëpiakeve të dëshpëruara a Yllit të mëngjesit. Llogje që blihen me taksat tuaja ndërkohë që në gjithë hapësirën e lirisë tuaj, nuk gjen sikur 30 minuta një emision për një fermer a një sipërmarrës shqiptar. A jeni shnosh? A i keni të gjitha në vijë? Apo jeni familjarizuar tashmë me mospasjen, rryshfetin dhe skandalet vulgare mbi kompanitë fantazmë që fitojnë milionat tuaja. Dhe që një ministër e pranon me qetësi naive se deshi Zoti dhe ai nuk lëvroi këstin e parë. I dhatë miliona euro me shumicë ca vite më parë një çapkëni nga rrethinat e Miamit, për demontimin e armëve a pajisjeve të tjera ushtarake… Një farë Diveroli, ju kujtohet. E kam fjalën për Gërdecin…, janë paratë tuaja.

Dhe puna e këtij ministri me tenderin e radhës. A jeni shnosh dhe u duket normale që gjithë investimet në infrastrukturë, shëndetësi, shkencë etj., nga paratë tuaja. Se shteti nuk është fabrikë parash, nuk prodhon para. Ua merr juve…, shkojnë në of shore. Majmin buxhetin e një klase politike shushunjë. Kurse ju, kanë si dhuratë memoratoriumet e Migjenit… s’ka drita, s’ka ujë, s’ka të holla për doktor etj.

A jeni shnosh? Duke u mbrojtur mbas ca bindjeve idiote për hatër të një force politike. Të një lideri a ngjyrimi politik. Por nuk keni faj. U ka ngecur në fyt nga e djeshmja ideollogjike, partia është herezi. Nuk dilet në shesh e goditet me gurë.

A jeni shnosh që nuk pyesni një herë veten. Me ndërgjegje se, përse iu dhëmb. Përse jeni shitur aq kollaj dhe personaliteti juaj vlen vetëm një thes miell. A nuk ju trishtojnë ato kronika laboratorësh në universitetet tona. Ca relike kineze, të kohës… kushtet e botës së tretë. A e besoni se alarmante është vjedhja, padrejtësia. Dhe a pajtoheni që paguani ato tarifa për fëmijët tuaj. Ndërkohë që bota është ku është, kurse ne në nivelet e vendeve afrikane. A jeni shnosh? A e kuptoni se po flisni me vete. Dhe se keni arritur aty sa i gëzoheni më shumë milionave të fëmijëve të njëshave, se sa ardhmërisë së fëmijëve tuaj. Biles fëmijëve tuaj, u mblidhni supet, u thoni ato të zakonshmet, po kaq kemi, kaq dimë, kaq kështu e ashtu. Partia është flluskë sapuni, asgjë tjetër. Njëshat çibanë dhe shushunja. Ndaj ngrehuni e mbështesni ata djem e vajza. Nëse nuk e bëni për ata, bëjini për hallet dhe vuajtjet tuaja. Bëjini për vetveten. Bëjeni për vendin.

Filed Under: Politike Tagged With: A jeni shnoshe, Ilir Levonja, po flisni me vete

Vështirësi tranzicioni

December 15, 2018 by dgreca

2 AstritLulushi

Nga Astrit Lulushi/

Rousseau e kishte gabim. Njeriu nuk lind i lirë, por me zinxhirë skllavërie, i paditur, i paarsyeshëm nga natyra. Një jetë e ekzaminuar kërkon për kusht lirinë, në mënyrë që njeriu të jetë në gjendje të shqyrtojë, renditë, klasifikojë, përcaktojë dijet e tij, përndryshe është i paaftë të dallojë të mirën nga e keqja, të drejtën nga djalli. Të gjitha këto nuk arrihen rastësisht, kërkohen me zell. Por si duhet të edukohet njeriu me mirësi? Dhe më ngutshëm, si mund ta bëjë këtë në një kohë të keqe?
Shkolla e vesh njeriun me kostum, qepja varet nga çmimi që ka paguar. I veshur, ai tregon pamjen e jashtme, se çfarë ka brenda e di ai vetë, askush tjetër. Sepse njeriut nuk mund t’i mësohet asgjë; ai vetëm mund të ndihmohet të mësojë ato që ka brenda vetes, ashtu si foshnja që natyrshëm qan për të ngrënë, hap gojën për të pirë; dëshira është e tij, prindi vetëm sa ndihmon për t’ia plotësuar. “Shkolla jo vetëm që nuk më mësoi, por më pengoi të mësoja, dhe kjo më zemëron kur mendoj për të gjitha ato që mund të kisha mësuar vetë në shtëpi”, thoshte George Bernard Shaw, dramaturg i gjysmës së parë të shekullit të kaluar.
Arsimi është shpirti i një shoqërie ndërsa kalon nga një brez në tjetrin. Çfarëdo që të jetë shpirti, ai do të duhet të dalë, të kalojë në një farë mënyre, me vetëdije ose jo, dhe ky tranzicion mund të quhet edukim. Ajo që na duhet është të kemi një kulturë para se ta japim atë. Me fjalë të tjera, është e vërtetë, sado e trishtueshme dhe e çuditshme, se ne nuk mund të japim atë që nuk e kemi dhe nuk mund t’u mësojmë të tjerëve atë që nuk e dijmë. Një nga misionet e shkollës, që justifikon ekzistencën e saj, është të arrihet tek e vërteta, në çdo gjë. Kjo kërkon ndershmëri intelektuale, që thuajse ka munguar për një kohë të gjatë, mungon edhe sot. Sepse ne kemi mësuar ta ngatërrojmë fjalën me realitetin që fjala kërkon të përshkruajë. Fjalori ynë, ende i politizuar, është i mbushur me kuptime të shtrembëruara dhe kundërthënëse të kontrabanduara në gjuhë. Liria nuk mund të ekzistojë në një shoqëri pa dije, ashtu siç mund të shtrembërohet e keqpërdoret në shoqëri me dije të rreme. Pa të mësuarit drejt, njerëzit nuk janë në gjendje të njohin veten, e jo pastaj të drejtat e tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, Vështirësi tranzicioni

Check in Edvin, check in!

December 12, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/ Dielli

Më thoshte ime më, mos pështy lart biro se të shëmbet fytyrës e mallkuara. Nuk e di nëse ia ka thënë edhe Edi Ramës, e tija, por edhe po t’ia ketë thënë, ka harxhuar frymën. Kjo i shkon për kokë tani, kur u lutet studentëve për dialog. E kam thënë shpesh që ne kemi memorie të vobekët, se, po t’i kthehemi kohës ky që kemi sot kryeministër vetëm dialogun nuk ka njohur. Rekordmeni i bojkotit, e faktuar, nga viti 2009 deri kur erdhi në pushtet. Dialogoi vetëm me mendjen e tij dhe strategët e shushunjizimit të vendit dhe ”reformatorët” e vjedhjes së votave, informalitetit, drogës etj. Dialogoi me kontigjentin e Fushë Krujës, Lezhës, Laçit, Kavajës, a Elbasanit. Një pjese ua bëri gropën, kurse pjesës tjetër, si atij pashait të Elbasanit a Durrësit, nuk ia doli dot. Pra katër vjet bojkot, katër vjet jo dialog e më the e të thashë. Bëjini vet llogaritë se sa ditë pune shqiptarët i kanë paguar një individi që nuk e njohu kurrë dialogun. Madje e shpërbleu duke i dhënë edhe postin e kryeministrit, sepse nuk kishte kapur shifrat me gjashtë numra nga mandati legjendar i kryebashkiakut. Kë? Një të punësuar të pa punë. Një që nuk njihte dialogun. Dhe në konferenca televizive, rrotullonte sytë, i pa rruar, me të vetmin postulat, të fala Sandrit. I vetmi kryeministër që situatës së frikshme në Vlorë, asaj të vrasjeve dhe zhdukjes së trupave, nuk ma bën zemra të them kufomave, në një tubim partie iu përvesh me zë të lartë duke thënë që kokat hëngërshin. Duan të vriten me njëri-tjetrin, le të vriten, ju çfarë keni. Eshtë kualiteti më i neveritshëm i një shtetari karshi shoqërisë të cilin nuk e meriton aspak një vend si Shqipëria. Një kualitet i tillë, i cili paralelisht po ha kokat mes vedi, po të kemi parasysh rastin Sajmir Tahiri, dorëheqjen e ish ministrit të brendshëm Xhafajt, xhuxhin e Durrësit dhe pashain e Elbasanit. E pati shumë të lehtë me ata deputetët e Pukës dhe Lezhës. Me atë të Kavajës, por i ka ngecur sharra në gozhdë me xhuxhin dhe pashain. Një kryeministër që nuk do ta kuptojë se reformat dërdëllitëse janë refuzuar kategorikisht. Një kryeministër që kujton se ka opozitë vetëm Lulin dhe Monikën. Mëndjemadh dhe populist i cili nuk po lë shiringë pa përdorur për botime librash si Kurani dhe ekspozita personale në holle që karriera nuk ia ofroi. I vetmi që në këto 5 vite, 80% të energjive të politikës së jashtëme janë fokusuar në Ankara. Një gen homogjen me traditën neokomuniste të liderit të rajonit të lindjes duke shkuar ndesh me historinë e dhimbshme të shqiptarëve .

Sot kërkon dialog…?! Një ironi e plotë e fatit! Një shuplakë…

Check in Edvin, check in… Bëji gati valixhet.

______

Dy fjalë studentëve! Kujdes me studiot televizive… qëndrojuni kërkesave tuaja dhe mos shpjegoni lart e poshtë se çfarë kërkoni. Nuk ka studio më të mirë se sa sheshi. Studiot janë po aq të shitura sa faktori politik. Një numër i tyre, i analistave shqiptarë, siç e kanë nisur, shumë shpejt do jenë imazhi i mishit pastërma. Kjo për shkak të rreshtimit, posedimit dhe bërjes palë me informalitetin. Shumë nga shqiptarët prej kohësh ishin futur në një pezmatim social, pasi nuk shikonin dhe nuk gjejnë një alternativë të besueshme tek opozitarizmi. Këtë e thonë edhe plot nga ju. Madje shumë syresh besonin në ca aleanca të mirëkalkuluara të rrotacionit tetëvjeçar të pushtetit. Ndaj protesta juaj dëshmoi rizgjmin, të kundërtën e mendjeve të fjetura, të budallepsura, të frikësuara nga pamundësia dhe rryshfeti. Ky rizgjim ju ka kthyer në lot shprese, besimi, duke ia kaluar edhe altarëve të shenjtë, ndaj natën, në të ftohtë, njerëzit u afrohen e u sjellin ushqime, batanije, zjarr. E kuptoni edhe ju sot se, ky kryeministër ishte i bindur në atë që ka opozitë vetëm Lulin dhe Monikën, pasi Metën e nxorri në pension duke e bërë president.

Ndaj mos u tërhiqni. Zbytheni…

Dhe diçka të fundit. Shumë të tjerë duan t’ju shohin si lëvizje më vete. Bëjeni… dhjetori tashmë ka një histori të mbarsur.

Bëjini se, më mirë një lëvizje e re, naive në mirësi, se sa derra të stazhionur të stanjacionit dhe shpërbërjes.

Filed Under: Politike Tagged With: Check in Edvin, check in!, Ilir Levonja

LUDMILA ALEXEEVA: NJË ZË I FUQISHËM NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT

December 12, 2018 by dgreca

Mandatory Credit: Photo by Maxim Shipenkov/EPA/REX/Shutterstock (7956701n)
Lyudmila Alexeyeva Head of the Moscow Helsinki Group Speaks During All-russia Civil Forum in Moscow Russia 23 November 2013 More Than One Thousand People Participated in a Forum Russian Federation Moscow
Russia All-russia Civil Forum - Nov 2013

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976. /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

”Ku fillojnë më në fund të drejtat universale të njeriut?  Në vende të vogëla, afër shtëpisë ku jetojmë – aq afër dhe aq të vogëla janë ato hapësira, sa që nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës.  Prandaj, nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë vlerë aty ku jetojmë dhe veprojmë, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë, askund tjetër.  Pa veprim të përbashkët të qytetarëve për t’i zbatuar ato në hapësirën dhe në vendin ku banojmë e punojmë, është e kotë të kërkojmë zbatimin e tyre në një botë më të gjërë”, ka thënë Eleanor Roosevelt, promovuesja kryesore e asaj që tani njihet si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Më 8 Dhjetor, dy ditë para Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Moskë ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, Ludmilla Milkhailovna Alexeeva, gruaja më e njohur e lëvizjes së të drejtave të njeriut në Rusi, promovuese e këtyre të drejtave jo vetëm në vendin ku jetonte dhe vepronte, por anë e mbanë botës, për më shumë se 50-vjetë.   Në vitin 1968, ajo është përjashtuar nga Partia Komuniste sovjetike dhe është pushuar nga puna, në një shtëpi botimi, si përfundim i veprimtarisë së saj në mbështetje të zbatimit të drejtave të njeriut.  Në këtë ndërkohë, ajo bashkpunonte me buletinin klandestin të lajmeve, “Kronika e Ngjarjeve Aktuale”, një botim ky që i dedikohej shkeljeve të të drejtave të njeriut anë e mbanë ish-Bashkimit Sovjetik.

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976.   Një vit më vonë ajo u detyrua nga autoritetet komuniste të largohej nga Bashkimi Sovjetik për në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi veprimtarinë e saj, në fushën e të drejtave të njeriut.  Gjatë viteve 1960-ta, Ludmila bënte pjesë në lëvizjen disidente sovjetike dhe luftonte për lirimin e disidentëve të burgosur nga regjimi komunist sovjetik.  Autoritetet komuniste nuk mund të toleronin punën e saj dhe të bashkpuntorëve të saj disidentë rusë në mbështetje të të drejtave të njeriut, kështuqë shumë prej tyre u arrestuan ose u detyruan me forcë të emigronin.  Në vitin 1977, Alexeeva detyrohet nga qeveria sovjetike që të emogronte në Shtetet e Bashkuara, ku ajo vazhdoi të promovonte të drejtat e njeriut, ndërsa punonte për shërbimin rus të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.  Pas shembjes së komunizmit, ajo është këthyer në atdhe ku ka shërbyer si kryetare e Grupit të Helsinkit, dega e Moskës, ç’prej vitit 1996 dhe konsiderohej si kritike e fortë dhe e pa frikë e politikës së Kremlinit.

Unë e kujtoj me respekt Ludmila Alexeevën, të cilën e kam njohur, falë punës së saj si kontribuese me komentet e saja, për disa vjetë pranë shërbimit rus të Zërit të Amerikës, kur shërbeja si Zëvendës- Drejtor në Drejtorinë e VOA-s për ish-Bashkimin Sovjetik, në fillim të 1990-ave.  Ishte një grua me një trup të brishtë por e vendosur në pikëpamjet e saja anti-komuniste dhe mbrojtëse e flakët e të të drejtave të njeriut, jo vetëm për bashkatdhetarët e saj në Rusi dhe në vendet e tjera të okupuara nga ish-perandoria komuniste sovjetike, përfshirë popujt e Evropës Lindore, por edhe anë e mbanë botës.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, anëtare e të cilës ishte, në njoftimin e saj për vdekjen e të ndjerës Ludmila Alexeeva, e cilësoi atë si, “Një figurë të dalluar dhe shembullore për aktivistët e të drejtave të njeriut kudo dhe përgjithmonë: si një zë moral i qartë në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.”

Human Rights Watch e njihte mirë punën e saj, pasi ishte anëtare aktive e kësaj organizate.  Ludmila Alexeeva i kushtoi gjithë energjinë dhe zemrën, shumë kauzave dhe çështjeve që kishin të bënin me të drejtat e njeriut, duke filluar nga persekutimi i pa drejtë i njerëzve të thjeshtë gjatë regjimit komunist e deri tek masakrat ruse të civilëve në luftën e Çeçenisë, përfshirë sulmet kundër shoqërisë civile nën pushtetin e Vladimir Putinit.  Për ata që e njihnin mirë, ajo fliste thjeshtë, por me një mesazh të fuqishëm, ishte gjithmonë fisnike dhe e dhimbshme, por edhe e ashpër ndaj kundërshtarëve, po të ishte nevoja.  Ajo refuzoi të sakrifikonte dinjitetin e saj para pushtetit komunist sovjetik dhe më vonë Alexeeva nuk lejoi gjithashtu as politikën aktuale autokratike të Kremlinit që t’i diktonte asaj kushtet e punës ose të veprimtarisë së saj, si aktiviste në mbështetje të të drejtave të njeriut, thuhet ndër të tjera, në njoftimin e Human Rights Watch për vdekjen e disidentes dhe mbrojtëses së të drejtave të njeriut, Ludmila Alexeeva.

Në një intervistë me Human Rights Watch disa vite më parë,   Alexeeva, e ka cilësuar punën e saj si një, “Trysni  ndaj qeverisë për të zgjidhur problemet aktuale të njerëzve.  Nëqoftse për këtë detyrohem të paguaj një çmim të lartë, atëherë unë do të paguaj një çmim të tillë.  Kjo është më e rëndësishme se sa të strukem dhe nga frika të zbatoj urdhërat e autoriteteve.”

Aktive deri në ditët e fundit të jetës së saj, Ludmila Alexeeva qëndroi kritike ndaj ritmit të zhvillimit të demokracisë në Rusi, këto vitet e fundit.  Në një intervistë dhënë radios gjermane Deutsche Welle, ajo shprehet se vitet e fundit në Rusi ka patur një, “Këthim prapa sepse vendi im, pothuaj nuk ka njohur kurrë në historinë e tij periudha lirie, megjithse periudha nga viti 1987 e deri nga mesi i viteve 2000, deri diku, mund të konsiderohet si e tillë.  Bashkimi Sovjetik u shpërbë nga brenda, ne nuk luftuam që të çliroheshim nga komunizmi. Tani jemi të detyruar që të fillojmë ato përpjekje të mundimshme drejtë sigurimit të lirisë së vërtetë, megjithse nuk pres që të shikoj Rusinë si një shtet demokratik.  Por do të ndodhë, sepse ne jemi komb evropian, gjeografikisht, historikisht, fetarisht dhe për nga kultura”, ka thënë Alexeeva për radion gjermane.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shprehu keqardhjen për vdekjen e Ludmila Alexeeva, duke e cilësuar atë si “Një prej mbrojtësve më të mëdhej të të drejtave të njeriut në botë.” Në deklaratën e DASH theksohet se, “Deri në ditët e fundit, ajo ishte një forcë në mbështetje të dinjitetit njerëzor, duke frymëzuar breza të tërë qytetarësh aktivistë në atdheun e saj.  Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë ata që punojnë për kauzën e lirisë në Rusi dhe anë e mbanë botës, në një kohë kur të drejtave të njeriut dhe burrave e grave — të cilët me vendosmëri i mbrojnë ato të drejta — po u bëhet trysni, jo vetëm në Rusi, por dhe në shumë vende të tjera.  Puna dhe veprimtaria e gjatë e Ludmila Alexeeva-s, në mbështetje të të drejtave të njeriut, janë kontribute të përhershme për një botë më të lirë dhe më në paqë”, përfundon deklarata e DASH, me rastin e vdekjes së disidentes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi dhe anë e mbanë botës.

  • Ludmila Alexeeva u varros më 11 Dhjetor në Moskë, një ditë pasi bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ludmila Alexeeva, te d rejtat e Njeriut, vdiq, ze i fuqishem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 445
  • 446
  • 447
  • 448
  • 449
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT