• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë, krimi i pa dënuar

July 19, 2024 by s p

Me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit të shovenistëve grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, me 27 qershor, Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minut heshtje në nderim të viktimave, ndërsa Fondacioni ALSAR organizoi një konferencë shkencore kushtuar 80-vjetorit të këtij gjenocidi, por, mungoi shënimi i këtij përvjetori jubilar nga Qeveria dhe institucionet shtetërore veprim qe nuk mund të arsyetohet me asgjë! Ndërsa ga partitë politike vetëm PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80- vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol.

Nail Draga

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht 80-vjetë me parë shqiptarët në krahinën e Çamërisë përjetuan terror dhe dhunë nga 27 qershori i vitit 1944 e deri në mars 1945, që me të drejt quhet gjenocid i realizuar nga forcat greke të Zervës qe rezultoi me vrasjen e vdekjen masive dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve të përkatësisë fetare islame. Ishte ky një skenar i politikës greke në bashkëpunim me aleatet për spastrim etnik të kësaj krahine etnogjeografike shqiptare, ku në nderim të viktimave shqiptare nga viti 1994, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar datën 27 qershor si Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, që përkujtohet çdo vit nga shqiptarët duke mbetur çështje e hapur, sepse krimi ende nuk është dënuar.

Çamëria krahinë shqiptare

Krahina e Çamërisë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margelliçit, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare(myslimane e ortodokse) prej me shumë së 75000 banorë(viti 1913). Në aspektin historik Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.

Përveç krahinës së Çamërisë hapësirës etnogjeografike shqiptare iu shkeputën edhe vise të tjera ku kishte numër të madh të popullsisë shqiptare, si Janina qe kishte qenë kreqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, Konica, rrethet e Kosturit, e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur dhe numrin e këtyre kazave,numri i popullsisë shqiptare në trojet qe iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë. Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1912/13, u legalizu një padrejtësi ku pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën 13 fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse nga ana e Konispolit dhe pikërisht pas këtij vendimi të kobshëm do të fillonte tragjedia për popullatën çame.

Harta e Çamërisë

Politika pushtuese greke kundër Çamërisë

Qe nga fillimi i luftërave ballkanike(1912) qe ishin pushtuese kundër popullit shqiptar ka filluar presioni i vazhdueshëm nga fqinjët tanë(sllavet dhe greket) për shpërnguljen e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike. Një politikë e tillë ekspansioniste u legalizu fatkeqësisht në sajë vendimeve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1913, qe përfundoi me pasoja, sepse gjysma e popullsisë dhe e hapësirës shqiptare mbeti jashtë Shqipërisë, me pasoja të mëdha deri në ditët tona.

Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme. Në këtë aspekt duhet cekur se më 1913 u krye masakra në përroin e Selanit (Paramithi) ku u likuiduan 72 krerë të Çamërisë dhe qindra të tjerë.

Masakrat në Shqipërinë Jugore

Por grekët nuk u ndalën me kaq sepse ata me 1913-14 kaluan kufirin jugor të Shqipërisë, duke bërë masakra të pa para duke djegur fshatra e vrarë popullsinë vendase, kryesisht ate të përkatësisë myslimane. Kemi të bëjmë me gjenocidin grek , kur ushtria dhe bandat greke masakruan me dhjetra mijra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat etj. Së paku janë djegur e rrafshuar 192 fshatra, ndërsa popullsia e shpërngulur llogaritet rreth 100.000 vetë, duke u vendosur kryesisht në Vlorë e Myzeqe dhe vendbanime tjera. Ne popull dhe në historiografi njihen: Masakra e grekëve në Panarit, Masakra e grekëve në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë etj.

Krimet e grekëve në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 kanë një emërtim e me të drejtë quhet Gjenocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile. Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha botimet e tyre, libra e gazeta është bërë fjalë për këto krime, duke informuar opinionin vendas dhe të huaj për synimet pushtuese dhe krimet e grekëve në Shqipëri.

Marrëveshja e Lozanës në këmbim të popullsisë

Se pushteti grek ndaj shqiptarëve ndiqte luftë speciale, dëshmohet se në përfundim të Luftës së Parë Botërore, më 1918, u përpilua plani i grabitjes së tokave të popullsisë çame. Ligji i të ashtuquajturës Reformë Agrare, i aplikuar vetëm në Çamëri, u rrëmbeu shqiptarëve mijëra hektarë tokë të cilët më pas u shpërngulen në Anadolli(Turqi). Por, në këtë drejtim kulmi arriti me rastin e marrëveshjes së Lozanës në mes Turqisë e Greqisë në vitin 1923, me shpërnguljen e dhunshme të çamëve të përkatësisë së fetare islame në Turqi, që ishte në favor të spastrimit etnik të shqiptarëve në Çamëri.

Ne lidhje me këtë periudhë kohore rol pozitiv luajti Qeveria e Shqipërisë e cila arriti të ndaloj përkohësisht shpërnguljen e shqiptarëve të fesë islame, se ata ishin shqiptarë e jo turq, ku me shumë sakrificë shqiptarët mbijetuan. Por, nga viti 1936, në Greqi triumfoi fashizmi, ku nga gushti këtij viti u zyrtaru diktatura fashiste, ku të parët u viktimizua popullsia çame. Sipas të dhënave popullsia shqiptare ishte në presion të vazhdueshem ne vendbanimet e tyre, madje në Paramithi shqiptarëve iu ndalua të flasin në gjuhën shqipe. Po ashtu Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvejë të krishterët ndaj myslimanëve.

Vendbanimeve shqiptare iu ndryshuan emrat

Politika qeveritare greke nuk u ndal vetëm me kaq, sepse atyre iu pengonte çdo gjë shqiptare, kështu në këtë kohë iu ndryshuan emrat shqiptarë të fshatrave Spathar, Galbaq, Picar, Varfanj, Arpicë me emra grekë, respektivisht në Trikoforos, Elea, Aetos, Parapotamos, Perdhika etj., për të eliminuar identitetin shqiptarë të tyre duke i kolonizuar me pas me popullsi greke të zhvendosur nga Turqia, në këtë mjedis, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë, e cila dominohej nga shqiptarët.

Çamët dhe lufta italo-greke

Në rrethana të njohura shoqërore e politike para se të hynte në Greqi, ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh kundër popullsisë shqiptare. Kështu dy muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste greke të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5000 burra, i burgosën dhe u dërguan në ishujt e largët të Egjeut. Një veprim i tillë racist është dëshmi autentike se çamët të përkatësisë fetare islame konsideroheshin armiq, ku nga ky konitigjent 350 veta u masakruan ndërsa 400 të tjerë vdiqen nga torturat dhe uria.Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe kundër regrutëve çamë si shtetas grek në vitet 1939-1940, që në atë kohë ndodheshin në shërbim ushtarak, por me urdhër të Korparmatës së Janinës, u vunë të thyejnë gurë dhe të ndreqin rrugë në formën e punës së detyrueshme, duke i trajtuar si robër lufte. Ishte ky një diskriminim i shqiptarëve nga ana e grekëve, të cilët vepruan në këtë mënyrë për të realizuar misionin e tyre ne këtë moment të përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë.

Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri. Megjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt.

Qeverisja shqiptare në Çamëri

Pasi forcat pushtuese italiane hynë në Greqi në prill të vitit 1941, për shqiptarët ishte moment i veçantë sepse u krijuan kushtet për vetëqeverisje dhe bashkim me shtetin amë-Shqipërinë. Por, ndonëse një veprim i tillë u zbatu në praktikë te shqiptarët në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, diçka e tillë nuk ndodhi me Çamërinë dhe në viset tjera shqiptare te aneksuara nga Greqia, që dëshmohet në sajë të hartës në Luftën e Dytë Botërore, për këtë regjion. Një veprim i tillë nuk është lejuar në sajë të marrëveshjes gjermano-greke të 8 prillit 1941, ku kufiri shtetëror ne mes Greqisë e Shqipërisë mbetej ai i caktuari në vitin 1913, ku Çamëria mbeti bredna kufirit grek.

Te ndodhur në një situatë jo të favorshme,shqiptarëve nuk iu mbeti mundësi tjetër por të vetëorganizohen në nivel krahine. Kështu në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrativ e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino. Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë, dhe si organ ekzekutiv ku kishte ingerenca në gjykatë, prokurori, polici, financa, arsim, kulturë etj. U hapën shkollat në gjuhën shqipe, dhe u vendos flamuri kombëtar shqiptar, duke menjanuar ate grek. Me këto struktura qeverisëse u vendos administrata shqiptare në Çamëri për të parën herë qe paraqet qeverisjen autonome e cila zgjati vetëm tre vite(1941-1944).

Por, qeverisja shqiptare dhe vendosja e kësaj administrate në Çamëri iritoi qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefektuirës së Thesprotisë”.

Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lart. Ishte ky një paralajmërim se fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva, me mundësi të mëdha për pasoja qe u dëshmua në muajt në vijim.

Me 27 qershor 1944 qyteti i Paramithisë u kthye thertore

Forcat shoviniste greke, të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva dhe të armatosura gjer në dhëmbë nga aleatët anglo-amerikanë, filluan përgatitjet për të sulmuar krahinën e Çamërisë.

Forcat e gjeneral Zervës që numëroheshin në 10.000 vetë ishin shumica me prejardhje çamësh shqiptarë, por të helenizuar nga kisha orthodhokse greke. Këto forca vepronin simbas urdhërave që merrnin nga qeveria greke në emigrim, me seli në Kajro. Përballë kësaj force agresive ndodheshin reparte të vogla çame muslimane të armatosura keq dhe të paorganizuara..

Më 27 Qershor 1944, 5000 forcat greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta, çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare.

Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. U dogj medreseja e qytetit dhe të gjitha xhamitë në qytet dhe në fshat. Grekët vranë myftiun e Parathimisë, dijetarin Hasan Efendiun së bashku me hoxhallarët Mulla Çafaja, Haxhi Shehun dhe hafiz Esat Ademin. Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit në datën 27 qershor u vranë 782 veta. Forcat zerviste me thika ndër dhëmbë dhe ura të ndezura në duar, u vërsulën si ujq të tërbuar, drejt veriut, duke e kthyer Çamërinë në një tokë të djegur.

E vetmja rezistencë e armatosur u bë në vendin e quajtur Munin, gusht 1944 ku 72 çamë luftuan heroikisht për 24 orë kundër 5 batalioneve zerviste të përbërë prej 2500 vetash. Të 72 çamët ranë në fushën e betejës duke i shkaktuar forcave greke 400 të vrarë dhe 600 të plagosur. Forcat greke, kundër shqiptarëve i vazhduan masakrat dhe plaçkitjet edhe pas 27 qershorit deri në mars të vitit 1945.

Në lidhje me numrin e të vrarëve sipas statistikave, gjatë masakrave të viteve 1944-1945, kundër shqiptarëve në Greqi, ka të dhëna të ndryshme ku ai numër është 3829 burra, gra dhe fëmijë. Po ashtu këta kriminel me anë të urisë shkaktuan vdekjen e rreth 2.987 vetëve, kryesisht, gra, fëmijë e pleq, që gjithsej janë 6.816 vetë , apo 1/7 e krejt popullatës çame myslimane përtej kufirit shtetëror. Sipas qytetëve u vranë si vijon: Filati 1.286 vetë, Paramithi 807 vetë, Gumenicë 722 vetë, Margëlliç e Pargë 713 vetë etj.

Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria. Ka dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre të cilët i kanë shkruar në libra të ndryshëm, që mund të jenë skenar për filma dokumentar

Në Çamëri nuk mbeti asnjë shqiptar i fesë islame

Kjo kasaphanë përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 35.000 çamëve që erdhën me foshnje në duar e me një bohçe në krah e u strehuan si refugjatë në Shqipëri në kushte të vajtueshme. Ata lanë mbrapa pasurinë e tyre të vënë gjatë brezave qe llogaritet me vlerë 4 miliardë dollarë. U dogjën e u shkatërruan 68 katunde mbi 6500 ndërtesa banimi si dhe 85 faltore islamike.

Shtëpitë, ullishtet, kopshtijet, pyjet dhe zabelet iu dhanë grekëve dhe vllehëve të shpërngulur nga zona e Gramozit, gjatë luftës civile 1945-1949. Autoritetet greke nuk e ndalën dorën e tyre edhe ndaj varreve të çamëve muslimanë. Me buldozerë, ata rrafshuan të gjitha varret, kudo që ishin.

Përgjegjësi indirekte për këtë gjenocid, mbajnë edhe fuqitë aleate, të cilët me qëndrimin e tyre ata inkurajuan shovinistët grekë, për të kryer masakrën çame.

Aktualisht në Çamëri, zyrtarisht nuk ka mbetur asnjë çam i besimit musliman. Atje mund të gjesh vetëm ca rrënoja të xhamive dhe medreseve, që kanë ekzistuar para vitit 1945.

Po ashtu duhet cekur se nga forcat e Zervës në Çamëri janë llogaritur se janë grabitur: 17.000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21.000 kv. bereqet, 80.000 kv. vaj; gjithashtu produkti i vitit 1944-1945 që arrijnë në 110.000 kv bereqet dhe 30.000 kv vaj. Gjatë emigracionit 110.000 bagëti të holla dhe 24.000 bagëti të trasha ngordhën dhe humbën.

Varrezë monumentale për viktimat

Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë tregojnë se masakrat u kryen me armë të ftohta, me varje e zjarr. Mëshirë nuk patën as ndaj fëmijëve e as grave shtatzëna. Bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame. Ne nderim të tyre në vitet 2012-2013 në një hapësirë prej 12.000 m2 është ndërtuar Varreza Monumentale “Trendafilat e Çamërisë” në Kllogjer të Konispolit me emrat e 2900 viktimave çame ku me 27 qershor çdo vit është bërë vend pelegrinazhi, në përkujtim të gjenocidit kundër çamëve nga zervistët grek.

U masakruan edhe shqiptarët ortodoksë

Masakrimi popullsisë shqiptare të përkatëlsisë fetare islame, përveç se kemi të bëjmë me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve, ajo ishte porosi edhe kundër shqiptarëve të përkatësisë fetare ortodokse, qe mos të deklarohen se janë shqiptarë, por grek.

Por, ata shqiptarë ortodoks të cilët kanë pasur qendrim kombëtar e kanë pësuar me kokë, sepse edhe ata u eliminuan. Ne mënyrën me makabre nga forcat zerviste e pësoj avokati Spiro Çalluka, i cili ka qenë drejtori i arsimit shqip në Paramithi. Ate zervistët e burgosen me 30 qershor 1944 dhe pas disa ditë torturash çnjezërore në moshën 87 vjeçare, ia nxorrën sytë dhe u tërhoq zvarrë me makinë në qytet deri sa ndërroi jetë. Më pas së bashku me shqiptarë të tjerë ortodoksë të Çamërisë u la i varur për tre ditë mes qytetit për të dhënë shëmbullin se shqptarët ortodoksë do të kishin të njëjtin fat mizor nëse deklarohen shqiptarë.

Shqipëria dhe çështja çame

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në rrrethana aspak të favorshme shoqërore, e politike me keq ardhje është konstatuar se Qeveria komuniste e Shqipërisë, i la çamët e ardhur nga Çamëria në mëshirën e fatit dhe nuk bëri asnjë përpjekje, për t’iu siguruar strehim, bukë dhe punë. Por, me angazhimin e tyre e sidomos me përkrahjen e popullsisë shqiptare, ata u vendosën si në Konispol, Sarandë, Vlorë Fier,Elbasan, Durrës, Tiranë etj. Madje çamët, shikoheshin me dyshim nga qeveria e Tiranës dhe trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë.

Dy kongrese të çamëve

Në mjedisin e ri në cilësinë e refugjatëve çamët në Shqipëri në fund të vitit 1944 krijuan Komitetin Antifashist të Emigrantëve Çamë, si pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, me mision për të lobuar për kthimin e çamëve në shtëpitë e tyre dhe për të krijuar kushte për mbijetesën e tyre, në kampet e refugjateve që u krijuan në Shqipëri.

Komiteti në kuadër të veprimtarisë së vet organizoj dy kongrese, i pari në fund të LDB në Konispol, ndërsa i dyti me 23 shtator 1945 në Vlorë. Si Kongresi i parë dhe i dytë miratoi shumë Memorandume, që iu dërguan Misioneve të ndryshme ushtarake të aleateve në Shqipëri, duke kërkuar të diskutohej çështja çame, ku si e vetmja zgjidhje ishte riatdhesimi i tyre në Çamëri dhe gjykimet e drejta për ata që i dëbuan.

Por, çdo angazhim në këtë drejtim ishte i kotë sepse aleatët heshten, duke mos treguar interesim për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin e duhur, ku përgjegjësi mban edhe Qeveria e Shqipërisë.

Përsekutimi i çamëve nga pushteti

Në lidhje me çamet moment i veçantë paraqet viti 1948, sepse për interesa ideologjike Qeveria e Shqipërisë urdhëroi mobilizimin e disa qindrave çamëve, për ti dërguar në Greqi që të luftonin në radhët e komunistëve grekë. Por, ndaj një urdhëri të tillë çamët refuzuan dhe s’pranuan të bëheshin mish për top, për interesat komuniste. Nga një qendrim i tillë mbi 1000 çamë u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqendrimit, në Lozhan. Nga trajtimi çnjerëzor, vdiqën rreth 80 vetë.

Në rethana të tilla shoqërore në vitin 1951 çamëve iu dha me dhunë shtetësia shqiptare dhe Komiteti u shpërbë, më ç´rast çështja çame mbeti në heshtje nga pushteti në Shqipëri.

Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.

Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.

Nuk ka të dhëna të sakta se sa mund të jetë tash numri i çamëve në Shqipëri, edhe pse ai numër llogaritet aproksimativisht rreth 200.000 çamë.

Jo heshtje ndaj çështjes çame

Në sajë të kursit ideologjik të Qeverisë së Shqipërisë dhe politikës izoluese gjatë kohës së komunizmit (1944-1991) Çamëria dhe çështja çame mbeti në heshtje. Dhe një qendrim i tillë fatkeqësisht ishte në favor të politikës greke, e cila vazhdimisht ka pasur qasje antishqiptare.

Ndërsa pas rënies së sistemit monist nga viti 1991 e më pas çështja çame nuk mbeti në heshtje por ajo trajtohet si çështje e pazgjidhur kombëtare, duke arritur te ndërkombëtarizohet. Në këtë drejtim rol të veçantë kanë luajtur kryesisht pjesëtarët çam si përmes partive politike apo nga shoqëria civile, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Nuk ka dilemë se gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë dhe të tjerë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin patologjik nga greket ndaj tyre.

Në shumë raste kemi degjuar rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë të cilat vështirë të imagjinohen se kanë ndodhur para 80 viteve nga fqinjët e shqiptarëve, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një urrejtje patologjike sa kombëtare dhe fetare, për pastrim etnik të krahinës shqiptare të Çamërisë.

Gjenocidi kundër shqiptarëve në Çamëri e në viset tjera shqiptare në Greqi me qellimin e spastrimit etnik është identik me serbët që vepruan kundër shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit(1877/1878), të cilët i vranë dhe i shpërngulën shqiptarët nga 648 vendbanime( urbane e rurale). Ata që patën fat e shpëtuan u vendosen si muhaxherë në vendbanime të ndryshme të Kosovës, kryesisht në Prishtinë, Vushtrri, Podujevë, Gjilan etj.

Organizimi i parë nga KOASH-i

Mediat njoftuan se në këtë përvjetor në Tiranë në organizim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në mjediset e Kishës së Metamorfozës ne prani të dhjetra besimtarëve është mbajtur një përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë. Përshpirtja është liturgji ortodokse që lutet për të përkujtuar të vdekurit, ku meshtari i Kishës, At Kristo Sharko kreu përshpirtjen në kujtim të emrave të tyre.

Përshpirtja u realizua për Spiro dhe Thoma Çalluka, Gaqo Pasko, Dhimo Kasari, Ilia Nasto, Thimi Gogozoto, Petro Sharra, Ilia Konomi dhe gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë të vrarë nga forcat zerviste gjatë gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Të gjithë ata punuan për atdheun e tyre, Shqipërinë, deri në momentin e fundit të jetës. Ky është rasti i parë që në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kryhet një përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë(!).

Dita e përkujtimit të Çamërisë

Në përkujtim të popullsisë shqiptare e cila është masakruar e shpërngulur me dhunë nga Çamëria Kuvendi i Shqipërisë, në vitin 1994 datën 27 qershor e ka shpallur si Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë. Por, nuk mjafton me kaq, sepse Qeveria e Shqipërisë, duhet të jetë aktive e jo inferiore apo utilitare, sepse çështja çame vazhdon te mbesë e pazgjidhur dhe temë delikate ne mes marrëdhënie shtetërore në mes Shqipërisë e Greqisë. Por, një situatë e tillë është rezultat i politikës shtetërore greke, e cila mohon çështjen çame.

Deri sa në Greqi është në fuqi ligji i luftës me Shqipërinë(1940), që është absurd se të dy vendet janë në NATO, si dhe çamët të vazhdojnë të trajtohen si bashkëpunëtor të fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, është vështirë të priten ndryshime pozitive ndaj çështjes çame. Por, nga ajo kohë e deri në ditët tona asnjë qeveri greke nuk ka pasur guxim të iu kërkojë falje shqiptarëve të Çamërisë, për masakrat e kryera ndaj tyre, që është obligim moral nga ana tyre si dëshmi e kapacitetit demokratik dhe në favor të marrëdhënieve në mes dy popujve.

Çamëria çështje e hapur kombëtare

Dhe në fund duhet cekur ndonëse Greqia është në BE ajo iu mohon çamëve të drejtën elementare për të vizituar vendlindjen e tyre ku ende kanë pronat e tyre, si dëshmi e origjinës në Çamëri. Ne këtë aspekt diplomacia shqiptare nuk duhet të heshtë por duhet të angazhohet në ndërkombëtarizimin e çështjën çame sepse është obligim moral, kombëtar e kushtetues, sikurse vepron bota demokratike ndaj pjesëtarëve të popullit të vet. Duke marrë parasysh se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake apo të individëve sepse Çamëria vazhdon të jetë çështje e hapur kombëtare, që kërkon zgjidhje sipas standardëve ndërkombëtare.

(Korrik 2024)

Filed Under: Politike

Kuvendi i Shqipërisë miraton me 96 vota heqjen e ligjit të luftës me Greqinë

July 18, 2024 by s p

Projektdeklarata/

Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, ka marrë iniciativën e veprimeve konkrete, me qëllim shfuqizimin e ligjit për luftën me Greqinë. Parlamenti i Shqipërisë kërkon që të dyja parlamentet, ai shqiptar dhe ai grek, të ngrenë një grup pune për këtë çështje. “Parlamenti shqiptar fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.

Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu, Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.

– I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë Nato dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara.

Çfarë përmban ligji i luftës me Greqinë

Më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e saj përmes territorit të aneksuar të shtetit shqiptar. Më 10 nëntor 1940 shpallet dekreti mbretëror grek nr. 2636 “mbi veprimet juridike të armiqve dhe konfiskimin konservativ të pasurive armike”. Në bazë të këtij ligji, pasuritë e shqiptarëve anembanë Greqisë u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe si pasojë, ato do të administroheshin nga shteti grek.

Më 28 gusht 1987, qeveria greke vendos për heqjen e ligjit të luftës, mirëpo pa e botuar në gazetën zyrtare. Ekzistojnë disa akte nënligjore që bazohen te ligji i luftës. Greqia me dy akte nënligjore të Ministrisë së Financave (nr. 14882) dhe Ministrisë së Ekonomisë (nr. 3574), si dhe me ligjin nr. 4506/1965, ka bërë përjashtim për shtetasit shqiptarë me kombësi greke, duke iu dhënë të drejtën e rifitimit të pronave të sekuestruara.

Këtë aktsekuestro e ka mbrojtur Gjykata Kushtetuese greke edhe në vitin 1970, duke shpallur vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jogreke, deri në momentin e shfuqizimit të Ligjit të Luftës dhe të nënshkrimit të traktatit të paqes mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Më 29 shtator 1976, prokurori apelit në Janinë, Vasilios Xhavellas, i shkruan Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë që ishte detyruar nga po kjo ministri të zhdukte të gjitha dosjet me çështjet penale që shteti grek kishte hartuar ndaj popullsisë çame. Deri më sot, dekreti i gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe ligji i sekuestros për pronat e shqiptarëve nuk janë shfuqizuar.

Filed Under: Politike

Kush është JD Vance? I përzgjedhuri nga Donald Trump për zëvendëspresident

July 16, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi sipas shtypit amerikan/

COLUMBUS, Ohio (AP) – Ish-presidenti Donald Trump zgjodhi të hënën senatorin amerikane JD Vance nga Ohio për të qenë kandidati i tij, ndërsa ai kërkon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Këtu janë disa gjëra që duhet të dini për Vance, një republikan 39-vjeçar tani në mandatin e tij të parë në Senat:

Vance u bë i njohur me librin e kujtimeve “Hillbilly Elegy”

Vance lindi dhe u rrit në Middletown, Ohio. Ai u bashkua me marinsat dhe shërbeu në Irak, dhe më vonë fitoi diploma nga Universiteti Shtetëror i Ohajos dhe Shkolla Juridike Yale. Ai gjithashtu punoi si një biznesmen sipërmarrës në Silicon Valley.

Vance bëri emër me kujtimet e tij, bestselleri i vitit 2016 “Hillbilly Elegy”, i cili u botua ndërsa Trump po konkurronte për herë të parë për president. Libri i dha Vances një reputacion si dikush që mund të ndihmonte në shpjegimin e apelit të biznesmenit të çuditshëm njujorkez në Amerikën e Mesme, veçanërisht në mesin e klasës punëtore, votuesve të bardhë ruralë që ndihmuan Trump të fitonte presidencën.

“Hillbilly Elegy” gjithashtu prezantoi Vance me familjen Trump. Donald Trump Jr që e pëlqeu librin dhe e njihte Vance-in kur shkoi për të nisur karrierën e tij politike. Të dy e u lidhën dhe kanë mbetur miq.

Ai u zgjodh për herë të parë në postin publik në vitin 2022. pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2016, Vance u kthye në vendlindjen e tij Ohio dhe ngriti një organizatë bamirësie kundër opioideve. Ai gjithashtu mori pjesë në qarkun e leksioneve dhe ishte një mysafir i preferuar në darkat e Ditës së Republikanëve Lincoln, ku historia e tij personale – përfshirë vështirësitë që Vance duroi për shkak të varësisë nga droga e nënës së tij – pati jehonë. Paraqitjet e Vance ishin mundësi për të shitur idetë e tij për rregullimin e vendit dhe ndihmuan në vendosjen e bazave për hyrjen në politikë në vitin 2021, kur ai kërkoi vendin e Senatit të liruar nga republikani Rob Portman, i cili doli në pension.

Ai dhe Trump kanë kimi personale

Marrëdhëniet personale janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ish-presidentin dhe ai dhe Vance kanë zhvilluar një raport të fortë ndër vite, duke folur rregullisht në telefon. Trump ka komplimentuar gjithashtu mjekrën e Vance, duke thënë se ai “duket si një Abraham Lincoln i ri”.

Si vance u shndërrua nga kurrë-Trumper në aleat të fortë

Vance ishte një republikan I tipit “jo asnjëherë Trumpin” në vitin 2016. Ai e quajti Trumpin “të rrezikshëm” dhe “të papërshtatshëm” për detyrën. Vance, gruaja e të cilit, avokatja Usha Chilukuri Vance, është indiano-amerikane dhe nënë e tre fëmijëve të tyre, kritikoi gjithashtu retorikën raciste të Trump, duke thënë se ai mund të jetë “Hitleri i Amerikës”. Por në kohën kur Vance u takua me Trump në vitin 2021, ai kishte ndryshuar mendimin e tij, duke përmendur arritjet e Trump si president. Të dy burrat minimizuan kritikat ashpër të së kaluarës së Vance. Pasi u zgjodh, Vance u bë një aleat i fortë i Trump në Capitol Hill, duke mbrojtur vazhdimisht politikat dhe sjelljen e Trump.

Ai është një zë kryesor konservator

Kevin Roberts, president i fondacionit konservator Heritage, e quajti Vance një zë udhëheqës për lëvizjen konservatore, për çështjet kyçe, duke përfshirë një zhvendosje nga politika e jashtme ndërhyrëse, ekonomia e tregut të lirë dhe “kulturën amerikane”. Demokratët e quajnë atë një ekstremist, duke përmendur qëndrimet provokuese që Vance ka mbajtur, por ndonjëherë të ndryshuara më vonë. Vance sinjalizoi mbështetje për një ndalim kombëtar 15-javor të abortit gjatë kandidimit të tij në Senat, për shembull, më pas e zbuti atë qëndrim pasi votuesit e Ohajos mbështetën me shumicë dërrmuese një amendament të të drejtave të abortit të vitit 2023.

Ai është i martuar me një avokate që ishte nëpunëse e Gjykatës së Lartë

Vance u takua me gruan e tij, Usha Chilukuri Vance, në Yale, ku ajo mori diplomën e saj universitare dhe juridike. Ajo kaloi një vit si nëpunëse për gjyqtarin e ardhshëm të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh, kur ai shërbeu si gjykatës i gjykatës së apelit në Uashington, e ndjekur nga një vit si nëpunëse e ligjit te Kryegjykatësi John Roberts. Ajo kishte qenë një avokate gjyqësore për firmën ligjore Munger, Tolles dhe Olson. Firma e saj ligjore njoftoi të hënën se ajo ishte larguar nga firma.

“Usha ka qenë një avokate dhe kolege e shkëlqyer, dhe ne e falënderojmë për vitet e punës së saj dhe i urojmë më të mirat në karrierën e saj të ardhshme”, tha Munger, Tolles & Olson në një deklaratë.

Vance ka adoptuar retorikën e Trump për 6 janarin

Në zgjedhjet e vitit 2020, ai tha se nuk do t’i kishte certifikuar rezultatet menjëherë nëse do të kishte qenë zëvendëspresident dhe tha se Trump kishte “një ankesë shumë legjitime”. Ai ka vënë kushte për nderimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2024 që i bëjnë jehonë atyre të Trump. Një sërë hetimesh qeveritare dhe të jashtme nuk kanë gjetur ndonjë mashtrim zgjedhor që mund të kishte sjellë rezultatin e humbjes së Trump në vitin 2020 ndaj presidentit demokrat Joe Biden.

Në Senat, Vance ndonjëherë përqafon opsione dypartiake. Ai dhe senatori demokrat i Ohajos, Sherrod Brown, bashkë-sponsorizuan një projekt-ligj të sigurisë hekurudhore pas një daljeje të zjarrtë të trenit nga shinat në fshatin Ohajo të Palestinës Lindore. Ai ka sponsorizuar legjislacionin që zgjeron dhe rrit fondet për restaurimin e Liqeneve të Mëdhenj dhe ka mbështetur legjislacionin dypartiak që nxit punëtorët dhe familjet.

Vance mund të artikulojë vizionin e Trumpit në të ardhmen

Njerëz të njohur me procesi i verifikimit të zëvendëspresidentit thanë se Vance do të sillte në GOP aftësitë e debatit për projektligjet dhe aftësinë për të artikuluar vizionin e Trump.

Charlie Kirk, themeluesi i grupit aktivist konservator Turning Point USA, tha se Vance artikulon në mënyrë imponuese pikëpamjen e botës Amerika e Para dhe mund të ndihmojë Trumpin në shtetet që ai humbi nga afër në 2020, si Michigan dhe Wisconsin, që ndajnë vlerat, demografinë dhe ekonominë e Ohajos.

Filed Under: Politike

1908: Shqiptarët kundër turqve të rinj, përmbysja nga agjentët serbë

July 16, 2024 by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/

Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj të vitit 1908 si dhe zhvillimet e tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv antiosman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij Kuvendi. Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt

Ballkani Perëndimor, përkatësisht pjesa evropiane e Perandorisë Osmane, në fillim të shekullit të njëzetë ishte një arenë e aktiviteteve të shumta politike dhe ushtarake të shteteve rajonale dhe evropiane, organizatave, grupeve të shumta etno-konfesionale, të cilat konkurronin për kontroll dhe hegjemoni politike, ekonomike dhe ushtarake. Ndërveprimi midis këtyre faktorëve dhe popullsive të këtij rajoni rezultoi me relacionin xhonturk, një përpjekje e kotë për ta shpëtuar shtetin osman nga shpërbërja. Në këtë periudhë, Vilajeti i Kosovës ishte qendër e trazirave të mëdha antiosmane, si politike, ashtu edhe ushtarake.

Ky shkrim përqendrohet kryesisht në zhvillimet politike në Vilajetin osman të Kosovës, përkatësisht në Kuvendin e Ferizajt (1908), i cili përkoi me në ngjarje tjetër politike të rëndësishme në Perandorinë Osmane, me Revolucionin e Turqve të Rinj, një lëvizje kjo revolucionare kundër regjimit autoritar të sulltanit osman Abdylhamitit II, e cila kulmoi me krijimin e një qeverie kushtetuese. Dobësimi i autoritetit qendror osman lejoi që aktorët rajonalë të pohonin autonominë. Por entuziazmi i shqiptarëve për regjimin xhonturk ishte jetëshkurtër. Në tërë Vilajetin e Kosovës u krijua një mosbesim ndaj turqve të rinj.

Punimi, që mbështetet kryesisht në burimet e proveniencës austro-hungareze, provon të nxjerrë në pah qëllimet e Kuvendit të Ferizajt sipas burimeve. Për më tepër, theksi do të vihet në prapaskenat e këtij Kuvendi shqiptar, i cili ishte po ashtu rrjedhojë e ndikimeve gjeopolitike rajonale, por gjithashtu do të jepet një qasje më e nuancuar e aktiviteteve të shtetit osman nën Komitetin Bashkim dhe Përparim, si dhe aktiviteteve të fuqive të jashtme të fiqve të mëdha.

Prapaskenat e ngjarjes së 3 korrikut të 1908-s

Pas ardhjes në pushtet, xhonturqit prezantuan programe që promovuan modernizimin e Perandorisë Osmane dhe një frymë të re të nacionalizmit turk. Më 3 korrik 1908, major Ahmet Njazi Beu i Korpusit të Tretë udhëhoqi një revoltë kundër autoriteteve provinciale në Resnjë të Maqedonisë, ku shqiptarët ishin mjaft të pranishëm. Kur xhonturqit e filluan kryengritjen në përmasa të mëdha në korpusin e Armatës së Tretë, në fillim të korrikut të vitit 1908, ata i shfrytëzuan të gjitha lidhjet dhe kontaktet e tyre me krerët e shqiptarëve të Kosovës. Sipas Noel Malcomit, pothuajse i vetmi interes që i bashkonte xhonturqit dhe shqiptarët në këtë periudhë ishte përpjekja kundër ndërhyrjes së shteteve të huaja në territorin e Perandorisë Osmane. Në fakt, në Kosovë prej kohësh agjitatorët serbë po përhapnin informacione se gjoja Austro-Hungaria kishte synim të pushtonte Kosovën, në mënyrë të minoheshin përpjekjet e Austro-Hungaria për krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan.

Komplotistët e tjerë ndoqën shpejt shembullin e oficerëve të Armatës së Tretë dhe rebelimi u përhap me shpejtësi në të gjithë shtetin osman, përkatësisht edhe në Vilajetin e Kosovës dhe në Ferizaj (Ferizbeg), ku në një tubim të shqiptarëve pati një ndikim dhe rol të rëndësishëm në këtë lëvizje reformatore. Kësisoj, Kuvendi i Ferizajt tregon se edhe shqiptarët ishin pjesë e lëvizjes së xhonturqve dhe mbështetën në mënyrë aktive revolucionin në terren, por që problemet u shfaqën me disa nacionalistë para revolucionit, dhe mbi të gjitha, pas tij kur shqiptarët mbajtën anën e partizanëve të decentralizimit, dhe kështu kundër politikës së centralizimit dhe turqizimit të Perandorisë të kryer nga Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit.

Në pamundësi për të shuar kryengritjen, sulltan Abdylhamiti lëshoi pe para presionit të këshillit të turqve të rinj (xhonturqve nga Selaniku) dhe më 23 korrik 1908 shpalli kthimin në fuqi të Kushtetutës së 1876 dhe rithirrjen e parlamentit. Pas kësaj nuk e la pa u premtuar udhëheqësve të kryengritjes, Njazi Beut dhe Enver Beut, gradat e gjeneralit nëse tërhiqen nga lufta e mëtejshme.

Në fillim pas fitoreve së xhonturqve, në territoret shqiptare u themeluan një numër klubesh shqiptare, shtypshkronjat filluan të botonin në shqip dhe u hapën një duzinë shkollash shqipe, të cilat deri atëherë kishin qenë të ndaluara nga qeveria e Sulltan Abdylhamitit, e cila qeveri ishte “aq e mbushur me përbuzje, në përgjithësi, për arnautët.” Shteti osman në fakt kishte frikë se duke ua njohur shqiptarëve – shumica e të cilëve ishin myslimanë – të drejtat kombëtare, atëherë të gjithë popujt e tjerë myslimanë, të cilët ishin pjesë e perandorisë, por që nuk ishin të kombësisë turke do të ngrinin kërkesa të ngjashme.

Megjithëse kthimi i Kushtetutës së vjetër shkaktoi optimizëm në Vilajetin e Kosovës, si kudo në shtetin osman, shumë shpejt marrëdhëniet ndërmjet qeveritarëve të rinj dhe shqiptarëve u përkeqësuan në mënyrë rapide, pasi xhonturqit shumë shpejt hoqën dorë nga premtimet fillestare.

Punimi synon të shtjellojë sfondin e ngjarjeve të brendshme dhe ndërkombëtare, të cilat interferojnë drejtpërdrejt në këtë ngjarje në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku ndërthureshin interesat e vendeve ballkanike dhe të fuqive të mëdha evropiane. Deri më tani në diskursin e historiografisë shqiptare kjo ngjarje ka vazhduar të trajtohet në mënyrë të njëtrajtshme, ka munguar një shqyrtim i gjithanshëm i kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Si pasojë e kësaj, punimet e deritashme në Tiranë dhe në Prishtinë është hedhur pak dritë mbi sfondin e kësaj ngjarjeje, ndikimet e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, për të vlerësuar me paanshmëri karakterin e vërtetë politik të Kuvendit të Ferizajt.

Nyja rreth planit austro-hungarez për hekurudhën

Në këtë mënyrë, Kuvendi i Ferizaj i vitit 1908, gjithsesi ngjarje e madhe e kohës në planin politik e diplomatik, e cila me vendimet e veta do të ndikonte në zhvillimet e brendshme shqiptare, për t´ua hapur rrugën ngjarjeve të tjera në Kosovë, kryengritjeve antiosmane të viteve 1910, 1911 dhe 1912, të cilat asnjëherë nuk u kurorëzuan me përmbushjen e idealeve të tyre.

Pavarësisht se në diskursin e historiografinë shqiptare vazhdon të mbretërojë mendimi se kjo ngjarje ishte mirë e organizuar dhe kishte thjeshtë karakter kombëtar, dokumentet e proveniencës austro-hungareze vërtetojnë të kundërtën, se kjo ngjarje ishte e instrumentalizuar në rend të parë nga qarqet osmane dhe deri diku edhe ato serbe, të cilat ishin fort të interesuar për t´i dhënë asaj karakterin e një revolte me karakter austro-hungareze me qëllim që të minohej ndikimi austro-hungarez në Vilajetin e Kosovës dhe në përgjithësi në hapësirat të tjera shqiptare.

Natyrisht ky rivalitet në territoret shqiptare ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë shtrihej edhe në nivel të institucioneve shpirtërore (fetare) dhe arsimore. Në këtë front, Vjena zyrtare ishte e interesuar për zhvillimin e arsimit në Shqipërinë Veriore dhe në Vilajetin e Kosovës, me qëllim që të pengonte ekspansionin sllav në territoret e vilajeteve osmane të Kosovës, Manastirit dhe rajone të tjera të Ballkanit.

Në gjithë këtë zhvillim, Kuvendi i Ferizajt, nga historiografia kryesisht është trajtuar sipas klisheve dhe stereotipave ideologjikë të idealizimit me patetikë folklorike ekzagjerimit të karakterit kombëtar të kësaj ngjarjeje, fajësimit të tjerëve, veçmas të Perandorisë Austro-Hungareze dhe të kërkimit me çdo kusht të prapaskenave dhe të armiqve, edhe aty ku nuk mund të kishte. Mbi të gjitha, mungon qasja kritike ndaj sjelljes së shqiptarëve, të cilët në këtë kohë dhe më pas nuk ishin në nivel të zhvillimeve të kohës.

Andaj, në përputhje me këtë, duhet hapur rrugën vlerësimit objektiv të Kuvendit të Ferizajt, duke e trajtuar nga pikëpamja e atyre proceseve që ndodhnin në cepin jugor të Evropës, për t´i bartur ato në një sfond dinamik gjeostrategjik, në të cilin edhe më tutje përvijohen thuajse interesa të njëjta të ndeshjes së sferave të interesit midis Perëndimit dhe Rusinë. Për të qartësuar më mirë karakterin e Kuvendit të Ferizajt, duhet parë kontekstin evropian dhe rivalitetin midis Fuqive të Mëdha projektit hekurudhor Jeni Pazar.

Pra, në rend të parë, Kuvendi i Ferizaj më 1908 përkon me planet austro-hungareze për ndërtimin e hekurudhës nga Sanxhaku në Mitrovicë – Ferizaj – Shkup, e cila nga diplomacia vjeneze shihej si linjë strategjike për shtrirjen e ndikimit të saj në rajonin e Ballkanit Jugor dhe depërtimit në portin e Selanikut, respektivisht si linjë për amortizimin e influencës ruse në Evropën Juglindore.

Prandaj, ishte e natyrshme se një ngjarje e tillë në Kosovë do të zinte vend të gjerë në raportet e konsujve austro-hungarezë, që ndodheshin asokohe në Prizren, Shkup dhe Mitrovicë. Pra, në qendër të këtij punimi është prezantimi i qëndrimin dhe analizimi i raporteve të konsujve austro-hungarezë, të cilët direkt apo indirekt edhe përfaqësonin linjën politikës të Vjenës zyrtare. Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj, si dhe zhvillimet tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv anti-osman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij kuvendi.

Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt. Shumica e historianëve shqiptarë, nën shembullin e historianëve të rajonit, këtë ngjarje nuk e kanë trajtuar me objektivitetin e duhur shkencor dhe në përgjithësi i janë përmbajtur traditës së historiografisë komuniste. Për këtë arsye, nga ana metodike, studimet shqiptare, në pjesë të madhe, në gjendjen e viteve të epokës komuniste, duke mos marrë parasysh sa duhet shkencën ndërkombëtare.

Përplasja e interesave midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë

Historiografia shqiptare deri më tani ka ofruar vetëm në pamje dhe vetëm një lloj interpretimi edhe rreth Kuvendit të Ferizajt, i cili ndodhi vetëm katër vjet para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, që sipas disa studiuesve evropianë ishte kapitulli i parë i kësaj lufte botërore. Dhe, nëse është kështu, atëherë duhet thënë se Ballkani dhe zhvillimet në këto hapësira, pra edhe në Vilajetin e Kosovës, ishin të ndërthura me interesat e fuqive të mëdha evropiane, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Rusisë, Italisë dhe Austro-Hungarisë, ose thënë ndryshe një grup shtetesh që i ngjasonte Grupit aktual të Kontaktit të viteve 1990-ta, ku vendin e Austro-Hungarisë e tashmë e ka zënë SHBA-ja, e cila sot praninë ushtarake në Kosovë e ka të vendosur pikërisht në hapësirën ku një shekull më parë mbi bazën e Marrëveshjes së Mürzstegut ishte paraparë të vendosej misioni i oficerëve nga Austro-Hungaria (shih hartën), në pjesën lindore të Vilajetit të Kosovës përkatësisht në kufirin Kosovë-Serbi dhe Maqedoni.

Sipas nenit 25 të Traktatit të Berlinit, Austro-Hungaria pushtoi provincat e Bosnjë-Hercegovinës. Zyrtarisht, ishte një okupim i përkohshëm me sulltanin që ishte sovrani suprem. Në sanxhak u vendos edhe një garnizon austriak, të cilin edhe Austro-Hungaria e konsideronte si një territor austriak të ardhshëm. Austro-Hungaria nuk kishte asnjë koloni dhe e vetmja mënyrë për të fituar territore të tjera ishte zgjerimi në Ballkan. Inkurajimi i saj i aktiviteteve ruse në Lindjen e Largët kishte si synim kryesor neutralizimin e Rusisë në Ballkan, gjë që do të lejonte një gamë të plotë të veprimeve austriake. Përfundimisht, në shkurt 1908, Marrëveshja e Mürzsteg u braktis.

Filed Under: Politike

BESNIK MUSTAFAJ, NJË LABORATOR AKTIV NË KËRKIM TË HAPËSIRAVE TË PASHKELURA KRIJUESE

July 15, 2024 by s p

Një shkrmitar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.

Nga Emin AZEMI

Në pamundësi të një paraqitjeje tërësore të gjithë krijimtarisë letrare të Besnik Mustafajt dhe duke mos pasur synim që të jepet ndonjë përshkrim telegrafik i gjithë kalendarit botues të tij, po zgjedh megjithatë të shtroj për diskutim disa teza që ndërlidhen me dy,tre aspekte më tipike të opusit krijues të shkrimtarit  Besnik Mustafa dhe të profilit të tij intelektual e qytetar. 

I ardhur në letrat shqipe si një individualitet që u krijua në një kontekst të caktuar letrar e shoqëror, fillimisht si poet në vitin 1978 me vëllimin poetik – “Buzëqeshje të gëzuara”, pastaj edhe si prozator e eseist, Besnik Mustafaj la gjurmë të pakontestueshme të formimit estetik në prodhimtarinë e tij letrare, por edhe në klimën krijuese së cilës ai i takonte. Grafikoni i formimit të këtij individualiteti ka ndjekur një kurbë që shkonte përtej milieut social, kulturor e shoqëror të ambienti që e rrethenonte paraprakisht adoleshentin Besnik Mustafaj, i cili derisa ishte në vendlindje e tij, në Bajram Curr, kishte arritur t’i lexoj gjithë librat e bibliotekës së shkollës, qytetit madje edhe të t’jatit dhe pastaj të riun Besnik Mustafaj, në kryeqytet, në Tiranë, me një ardhje shumë të hershme si poet në letrat shqipe. Nëse i hedhim një sy më përimtues këtij grafikoni nëpër të cilin lëvizi formimi i individualitetit krijues e njerëzor i Besnik Mustafajt, do të vërejmë një atipizëm që e shoqëronte këtë formim, duke qenë gjithmonë jashtë shablloneve që i diktonte koha. Për ta ilustruar këtë po përmendim vetëm prirjen e tij shumë të hershme qysh në moshën fëmijënore për të lexuar letërsi për të rritur, siç ishte, bie fjala përvoja me leximin e romaneve “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, apo “Madam Bovari” të Gustav Floberit. Për rëndësinë e këtij të fundit Besniku kishte kuptuar vetëm atëherë kur e kishte lexuar për here të dytë në original gjatë studimeve.  

Nisur nga kurreshtja e një vëzhguesi që ka ndjekur deri diku vazhdimësinë e punës së tij, kam vërejtur se një cilësi që e ka Besnik Mustafaj, nuk ndërlidhet gjithmonë vetëm me të bërit letërsi, por edhe me ofrimin e një modeli të të bërit qytetari në jetën tonë kulturore e shoqërore.
Ai pati oferta qysh i ri të merr poste shtetërore, por refuzoi me bindjen se nuk do ti qëndronte si duhet shtofi i një zyrtari të lartë. Ai madje edhe në fillimet e demoktacisë nuk u tundua nga ofertat që iu bënë nga udhëheqja e atëhersheme e dalë pas zgjedhjeve të para të lira e demokratike.  

Për Besnik Mustafajn, diplomacia, ose marrëdhëniet ndërkombëtare,megjithatë  ishte vokacioni më kreativ që nuk do ta detyronte të shndërrohej në një aparatçik shtetëror, por edhe një valvulë që i linte frymëmarrje të lirë për tu marrë me krijimtari letrare. 

I lidhur fillimisht me ambientin e vendlindjes, të cilin e kishte braktisur shumë herët, shkrimtari Besnik Mustafaj e përdori këtë ambienet si përpunim letrar në laboratorin e tij krijues, duke i transformuar disa topose dhe  arketipe në minzanskena fabulative, qoftë në romane, apo novela, “Dëmtuar gjatë rrugës”, “Autoportret me teleksop”,  apo edhe në ese, siç janë dy librat e tij me këtë zhanër “Midis krimeve dhe mirazheve” dhe “Bishti i Kometës”.   

I bashkëshoqëruar me gjithë këtë bagazh që ia impononte profili i dyzuar, herë si politikan, e herë si shkrimtar,në grafikonin e formimit si krijues ndërvepruan disa rrethana që në vetvete përbënin atë atipiken që e përmendëm më lartë.


Atipikja e parë, ndërlidhet me kohën kur ai doli autor me një vëllim poetik, qysh si student, atëherë kur bashkmoshanikët e tij nuk e kishin statusin që gëzonte ai në ambentin e atëhershëm letrar. Ky status mbase do t’i siguroj atij parakushte që të zhvillohet si një habitat socio-kulturor në kryeqytet, një privilegj ky që nuk e kishte kushdo nga gjenerata e tij.

Atipikja e dytë –  ai filloi të shkruaj prozë, i pari nga brezi i tij që ishin gjithë poet. Për këtë ndoshta duhet faleminderuar Ismail Kadarenë, i cili gjatë një shëtitjeje me Besnikun e kishte qortuar se pse askush nga brezi i tij nuk po merrej me prozë. Sepse, sipas Kadaresë, vetëm në prozë sprovohet pjekuria krijuese, gjuhësore e estetike e autorëve.  

Atipikja e tretë – Besniku është ndër politikanët e parë që politikën e braktisi për hir të letërisë. Ky divorc i letërisë nga politika, nuk nënkuptonte që ai të kalonte nga kolltuku I një burokrati në një vëzhgues pasiv të zhvillimeve politike në vend. Përkundrazi ai vazhdoi të kontribuojë me opinione e debate mbi politikën, por pa qenë pjesë e pushteteve, sepse, sipas arysetimeve që ka dhënë Besniku,inercioni i pushtetarit shkon duke marrë përmasat e një makine që lëviz sipas vullneteve që ti diktion dikush tjetër. Me fjalë të tjera pushteti ka disa manire të autodestruktivitetit njerëzor, dhe për rrjedhojë edhe një barrë më e madhe përgjegjësie për punët që jo gjithmonë janë në koherencë me pastëretinë etike të atij që është në pushtet apo afër pushtetit. 

Në mendësinë e Besnik Mustafajt, në vendet në tranzicion është heroizëm i madh të besosh në dobitë e shkrimit, aq më tepër kur autoriteti i shkrimtarit matet me aftësinë për të ndikuar te lexuesit në pasurimin e vetëdijes së tij letrare.

Duke qenë midis politikës dhe letërsisë, Besnik Mustafaj këtë status nuk e çoi kot, por pikërisht atë e ngriti në një referencë krijuese ku do të buronin disa prej dilemave të tij, që përms verprave konkrete sikur marrin përgjigjen e duhur.  Kështu, bie fjala, te libri “Bushti I Kometës”, jo vetëm që triumfon letërsia kundrejt politikës, por Besnik Mustafaj shndërrohet në një gurë peshoreje në sytë e publikut se nga duhet të lëviz ndërgjegja e shkrimtarit kur ai ndodhet para tundimeve të politikës dhe të pushtetit. Por edhe te romani “Autoportret me teleskop” shprehet më së miri divorci i letërsisë me politikën, vepër kjo që është një produkt i pastër letrar, që vjen pas një heshtje të caktuar krijuese, por që gjithë këtë heshtje ai sikur e justifikon me këtë libër, i cili për shumëçka është unik në mbarë letërsinë moderne shqipe. Madje në këtë roman, autori ka operuar mirë me një gjetje që i shkon më së miri metodës së tij krijuese duke e përdorur politikën si mundësi që ia jep narratorit për të krijuar një personazh (homonim) letrar. Por edhe te libri  “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” një prozë kjo krejt e veçantë, ndryshe nga të tjerat, Besnik Mustafaj është vet shkrimtari dhe  Besnik Mustafaj personazhi.

Duke iu rikthyer edhe një herë librit “Bishti i kometës” ia vlen të thuhen edhe dy –tri fjalë për rëndësinë e këtij libri në kuptimin më esencial që ndërlidhen me laboratoin e tij krijues dhe sidomos me aftësinë e shkrimtarit për të transferuar gjendje të ndryshme social-psikologjike e shpirtërore nga njëra epokë shoqërore te tjera dhe transformimi në rrugë e sipër i këndvështrimit të autorit për probleme të caktuara, përfshi edhe  lirinë e shprehjes. Në këtë libër, Besnik Mustafaj ndër të tjera flet edhe për dy vizita që i kishte bërë në Paris, njërën në kohën e diktaturës, në vitet  e fundit të saj, dhe tjetrën në kohën e  demokracisë. Përjetimet nga këto dy vizita janë të ndryshme, sepse përshtypjet e vizitës së parë, ai i mban për vete, nuk kishte si t’i manifestonte publikisht, për shkak të rrethanave ekzistuese, ndërkohë që për vizitën e dytë e realizuar pas rënies së diktaturës ai shprehet hapur dhe mezi pret t’iu rrëfejë njerëzve mbi atë që kishte parë në Paris.Pra është i njejti Paris, por nuk është i njejti Besnik, sepse bëhet fjalë për dy epoka ku individi në aspektin sociologjik është prodhim i atyre epokave. Për rrjedhojë edhe shprehja e përjetimeve është e varur nga raporti i individit me lirinë, ndonëse këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë fundamentale që lidhet me vet shkrimtarin dhe me aftësinë e tij për të prodhuar vlera letrare atëherë kur biejnë kufizimet si produkt i rrethanave jashtëletrare. Libri “Bishti i kometës”, ndonëse ka për autor një shkrimtar që ishte sprovuar me këto rrethana në kohën e diktarurës, ai megjithatë sikur e  manifeston prirjen për të arsytuar talentin e tij në një  shoqëri të lirë. Vetëm shkrimtarët e patalentuar për mosuksesin e tyre fajësojnë pushtetet e shtetet.  

Kur flasin për Besnik Mustafajn që një kohë ishte marrë me politikë dhe pastaj iu kishte kthyer me kohë të plotë letërsisë, gazetarët dhe njerëzit e mediave përgjithësisht këtë e kanë bërë me një kapërcim shumë të shpejt të vëmendjes nga njëra fushë te tjera, pa u thelluar në specifikat dhe efektet që prodhonte në publik një figurë me profil të dyzuar.

Kur e botoi në Paris, në vitin 1993,  librin “Gjinkallat e vapës”, Besnik Mustafaj, duke qenë ambasador në Francë, në një komunikim me një gazetar francez, kishte adresuar një porosi publike për presidentin e atëhershëm francez Fransua Miteran, në prag të një vizite të Millosheviqit në Francë. Duke dalur jashtë këmishës së ambasadorit, Besniku e porosiste Miteranin me fjalët: Nuk mundet asnjëherë ta bëjë Millosheviqin njeri të paqes, pa i kërkuar llogari për luftën,që kishte bërë në ish Jugosllavi.

Një diskurs i tillë publik që nuk i shkonte fare ambasadorit, paketohej si produkt që vinte nga vokacioni i shkrimtarit dhe këtë në njëfarë mënyre ia kishte konfirmuar edhe vet Miterani në një pritje, teksa i kishte thënë Besnikut: Sa mirë e ke laujtur lojën me ato dy kapelat, duke aluduar në profilin e dyzuar shkrimtar/diplomat që e kishte ai. 

Besnikun sot nuk po e pyesim sa vjet i ka, por e dijmë se vitin e kaluar ka kremtuar dy festa: 65 vjetorin e lindjes dhe 45 vjetorin e karrierës letrare. Në këtë përvjetror ai erdhi me një dhuratë për lexuesit. Romani “Fati i marrë” quhej kjo dhuratë që brenda kopertinave mbarte një subjekt shumështresor ku ndërthureshin faktet historike me fiksionin letrar, dhe në horiziontet e largëta të imagjinatës krijuese nxirte krye një Shqipëri që nuk ekziston. Shtrati i këtij romani zinte fill në vitin e largët 1878, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur në në Angli kryeministlr ishte  Benxhamin Dizrael. Ky i fundit ishte njëri prej personanezheve historik të romanit, bashkë me Skënderbeun, Janosh Huniadin e ndonjë tjetër. Ai kishte shkruar  një roman për Skenderbeun me titull “Naltësimi i Iskenderit” me subjekt të ngritur mbi një histori dashurie të Skënderbeut me të bijen e Janosh Huniadit, i cili i shërbyer Besnik Mustafajt për të thurrur fabulën e tij në formë palimsesti. 

Alegoria e romanit “Fati i marrë”, që ka zanafillë te një libër tjerër me novela  “Historia si një mushkë”, konkretisht te novela me titull “Ura si vend i punëve të dreqit”, është ndërtuar mbi një përrallë ku shkrimtari përfytyron se Shqipëria e kishte fituar pavarësinë që në vitin 1878, që më vonë do të jetë bashkëthemeluese e BE-së dhe NATO-s, se është një demokraci superfunksionale dhe është një vend me prosperitet dhe begati ekonomike më të madhe se Zvicra.

Në këtë roman ka pak personazhe, por ka shumë histori brenda dhe kjo e bën atë t’i nënshtrohet një procesi receptiv në dy rrafshe, sepse subjekti i romanit ngrihet mbi një imagjinatë, por ka fakte historike dhe logjikën e vërtetësisë së gjërave. Duke e gërshetuar imagjinatën me një sfond  personazhesh real dhe me ngjarje historike,që kishin ndodhur, autori në këtë roman sikur e ndjek një qasje që bazohet në thënien e  Gabriel Garsia  Markezit sipas të cilit: “Frymëzimi është vetëm ardhja e subjektit”, me çka pajtohet edhe Besnik Mustafaj, duke ia shtuar kësaj edhe punën e shkrimtarit.
Përpjekja e Mustafajt për të kuptuar dhe shpjeguar pasojat që ka pasur historia mbi fatin dhe dramën e individit shqiptar, në fakt është një parapërgatitje për të kuptuar më mirë lidhsmërinë e shqiptarit me vendin e tij, me identitetin e tij, por edhe me kontekstin kohor e politik në të cilin është ndodhur. 

Në këtë dipotri duhet shikuar edhe librin “Një roman i pamundur”,në të cilin procedeu  narrativ ngrihet mbi dy tragjedi në dy skaje të shek. 20. Në thelb të fabulës janë dy fëmijë që përjetojnë dy masakra të ndryeshme, në kohë e rrethana të ndryshme. Por njëri nuk shpëton, kurse tjetri i mbijeton masakrës e që bëhet shkas që të dyja historitë të përmblidhen në këtë vepër. Romani nis të tregoj për fatin e një shqiptari të lindur në çerekun e fundit të shek. 19 dhe të pushkatuar natën nga serbët bashkë me të birin 12 vjeç. Historia e këtij të fundit ishte bërë subjekt i një kënge, që autori Besnik Mustafaj e kishte dëgjuar shpesh kur kishte qenë fëmijë dhe ishte i vetmi moment, deri sa këndohej kënga, kur e gjithë shtëpia duhej të kishte një heshtje absolute. Sigurisht që Besniku si fëmijë nuk ka mundur ta kuptoj rëndësinë e këngës, por më vonë e ka kuptuar se subjekti i kësaj kënge mund të shndërrohej në një fabulë shkrimi aq më tepër që teksti i këngës për Shok Soklin është një nga tekstet më dramatike  që mund të ketë kënga shqipe. Njëherësh te kjo këngë shohim edhe një skenë ku po luhej një ngjarje tragjike. Aty janë gjithë burra me duar të lidhur prapa që ecin të kërcënuar nga kundakët e pushkëve dhe një fëmijë 12-13 vjeç, të cilin e kanë marrë me veti dhe është i vetmi që nuk e dinte ku po shkonin dhe kjo shprehet më së miri përmes vargjeve të rapsodit popullor: 

Tan po shkojnë tuj hallalu
Shok Sokoli shkon tuj knu

Fëmija i padjallëzuar e shihte se po hapen disa gropa, mirëpo nuk e dinte se ato ishin varre, andaj edhe babai i drejtohet:

Hajde bir me m’ndihmue

T’nxifsha kangën që je tu e knue


Tek dikur fëmija me instinktin e pafajësisë e kupton se diçka nuk është në rregull dhe e pyet babin:

Ç’janë këto vorre tu i pune?

Njuk janë vorre bab tuj punue

Por janë llogore për me luftue

I përgjgjet babi dhe me këtë don me zgjue brenda t’birit një sens burrnie e kurajoje.

Ishte lufta  në Kosovë  e fundit tël viteve nëntëdhjeta ato që e kthyen Besnik Mustafajn te një sinopsis i një proze të rinisë që nuk po bëhej dot roman. Por, kishte mjaftuar leximi i një artikulli në maj të vitit 1999, që trajtonte fatin e një 10 vjeçari me emrin Prenk Ceka nga Gjakova, i cili i kishte shpëtuar maskarës me 21 kufoma, për t’iu rikthyer edhe njëherë ribërjes së këtij projekti. Imazhi i këtij fëmije në gazetë, e kishte kthyer shkrimtarin Besnik Mustafaj te kënga e Shok Sokolit, te një tragjedi tjetër e ndodhur 90 vjet më parë.

Sipas Besnik Mustafajt ky libër dëshmon se mungesa e urrejtjes nacionaliste në letërsinë shqipe i atribuohet viktimave të cilat edhe në vuajtje kishin ruajtur brenda vetes një dozë të madhe të humanizmit. Kjo shpërfaqet edhe në rastin e fëmijës së shpëtuar nga masakra, ku në mesin e të vrarëve ndodhej edhe motra e tij dyvjeçare. Por, ai nuk ishte mësuar të mendoj keq, dhe me insinktin e humanizmit kërkonte një  dritë pozitive edhe te xhelatët teksa deklaronte: “Po ta kishin ditur serbët se motra e kishte atë ditë ditëlindjen, nuk do ta kishin vrarë”.  

Në praktinkën krijuese të Besnik Mustafajt nuk ka ndonjë metodologji strikte të të shkruarit, për arsye se jo gjithmonël një subjekt i nisur në formë proze përfundon brenda një kohe të caktuar, pasi që veprat i shkruan  në kohë të ndryshme. Vetëm dy romanet e fundit “Fati i marrë” dhe “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” janë romane që janë filluar dhe mbaruar pa u ndërprerë. “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” është një roman i shtrirë mbi dy botë, është një fabulë që ndërtohet mbi periudhën e errët të pandemisë Covid-19, me personazhe të marrë nga realiteti dhe të tjerë që janë produkt i imagjinatës. Në fakt romani më tepër bën fjalë për shtetrrethimin, me tanke dhe ushtarë të armatosur, për ankthin dhe ringjallen e frikërave të vjetra, se sa për pandeminë. Duke u nisur nga fakti se  frika shpesh ka prodhuar letërsi të jashtëzakonshme, Besnik Mustafaj me romani  e tij sikur bën përpjekje për të na bindur se si frika ndikon në imagjinatën e njeriut, në sjellje e tij, në në gjuhën e tij. Në disa qasje kritike ky roman  madje është krahasuar me “Fermën e kafshëve” të Gjorgj Orvelit.

Një shkrmitar mund ta lexosh për efekte argëtimi, por kjo nuk është rruga e duhur pët ta njohur atë. Edhe njohja me shkrimtarin Besnik Mustafaj sikur e kushtëzon lexuesin të jetë më aktiv në procesin receptiv, sepse duke e njohur tërësoren e një shkrimtari, ne mund të valorizojmë edhe cilësinë e tij. Dhe cilësia e shkrimtarit Besnik Mustafaj është rrjedhojë e një letërsie të kultivuar në një laborator që është tepër aktiv në kërkim të hapësirave të pashkelura fabulash e motivesh, që vetëm një shkrimtar me senin e zhvilluar artsitik arrin t’i përpunoj në vepra të arrira letrare. Besnik Mustafajn duhet ta njohim edhe më tepër, për të depërtuar në thellësinë dhe gjerësinë e leximit hemanuetik të veprës së tij, sprovë kjo që shkon përtej kësaj qasjeje modeste times.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT