• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova është shtet i të gjithëve, i lirisë, barazisë e paqes

August 22, 2015 by dgreca

-Zhvillohet ceremonia solemne e betimit të vullnetarëve amerikanë të Korpusit të Paqes në Kosovë-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Gusht 2015/ Në Prishtinë sot, 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të cilët do të shërbejnë në Kosovë u betuan solemnisht para Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie.
Në mesin e të ftuarve në ceremoninë solemne të betimit ishte Presidentja Atifete Jahjaga, e cila i shprehu mirëseardhjen grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Republikën e Kosovës.
“Ju ishit ambasadorët më të mirë të shtetit tuaj. Familjet kosovare nuk i hapën vetëm dyert e shtëpive të tyre, ata i hapën edhe zemrat për të akomoduar vullnetarët nga shteti më mik i Kosovës, nga shteti i cili mundësoi që ne sot të jetojmë të lirë dhe në paqe”, theksoi Presidentja e Kosovës.
E di, vijoi ajo, që ky grup i vullnetarëve për herë të parë do do të ndihmojë edhe komunitetin serb të Kosovës dhe do jetojë me të. “Ju do të shihni se Kosova është shtet i të gjithëve. Do të kuptoni që dallimet nuk na ndajnë, por na bëjnë më të fortë”, tha Jahjaga, duke theksuar edhe se “komuniteti serb i Kosovës është pjesë e rëndësishme e shtetit tonë” dhe se “së bashku ndërtojmë vendin e lirisë, barazisë e paqes”.
Ajo vlerësoi se, Korpusi i Paqes këtu në Kosovë është një program i rëndësishëm për fuqizimin e miqësisë së përjetshme të popujve tanë dhe në mes të dy shteteve tona. “Ju dëshiroj fat, sukses dhe punë të mbarë në misionin tuaj këtu në Kosovë, në vendin më mik”, u shpreh Presidentja Jahjaga.
Ceremonia e sotme shënon përfundimin e suksesshëm të programit trajnues në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë javësh, ku vullnetarët e grupit të ri kanë ndjekur trajnimet për gjuhët vendore, kanë mësuar për kulturën kosovare dhe kanë ndjekur trajnim teknik. Pas ceremonisë së betimit, vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes do të fillojnë shërbimin e tyre dyvjeçar në tërë territorin e Kosovës.
Në 20 gusht 2014, në Prishtinë, 25 vullnetarë të grupit të parë të Korpusit të Paqes së SHBA-ve dhanë betimin solemn në një ceremoni pasi përfunduan trajnimin parapërgatitor në komunitetet e Kamenicës, Koretinit, Topanicës dhe Hodonocit, dhe pastaj filluan shërbimin e tyre vullnetar dyvjeçar.

“Ju përgëzoj për vendimin që programin tuaj ta sillni edhe në vendin tonë, duke e bërë Kosovën shtetin e 140-të që përfiton nga këta ambasadorë tuaj të vullnetit të mirë, të partneritetit dhe të miqësisë ndërmjet dy shteteve tona”, ka thënë me atë rast Presidentja e Republikës, Jahjaga, pra vullnetarëve të Korpusit të Paqes duke iu shprehur mirëseardhjen.
Korpusi i Paqes ka punuar për të nisur programin e saj në Kosovë që nga data 9 shator 2013, kur edhe është nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore mes Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, betimi te vullnetareve, Ceremonia solemne, Korpusi i paqes

Drejtor i ri Ekzekutiv për Bordin e Transmetimeve

August 21, 2015 by dgreca

Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet Ndërkombëtare, agjencia amerikane që mbikqyr Zërin e Amerikës njoftoi për emërimin e një drejtori të ri ekzekutiv, John Lansing, ish-President i kompanisë Scripps Networks, që krijon dhe shpërndan programe lajmesh dhe zbavitjeje në platforma të ndryshme mediash. Zoti Lansing fillon punë muajin e ardhshëm, tha Bordi i Guvernatorëve në një deklaratë për shtyp. Si Drejtor Ekzekutiv, ai do të drejtojë të gjitha organet amerikane të medias për transmetime ndërkombëtare që financohen nga qeveria. Zëri i Amerikës është agjencia më e madhe në këtë grup ku bëjnë pjesë edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Radio Azia e Lirë, Rrjeti i Transmetimeve për Lindjen e Mesme dhe Radio-Televizioni Marti. Programet e këtyre mediave kanë një audiencë prej 215 milionë vetësh në gjithë botën çdo javë. Zoti Lansing la postin e tij si president i Scripps Networks në vitin 2013 por vazhdoi të kontribuonte si konsulent. Më pas ai u bë president dhe drejtor ekzekutiv i grupit “Cable & Telecommunications for Marketing”, që përfshin 90 kompani televizioni amerikane dhe kanadeze.

Filed Under: Rajon Tagged With: Drejtor i ri Ekzekutiv për Bordin, e Transmetimeve

Kosovë – Kongresistët amerikanë vlerësojnë të arriturat, theksojnë mbështetjen e SHBA-së

August 20, 2015 by dgreca

-Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e partneritetit të Kosovës me SHBA-në dhe angazhimin amerikan për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Evropës Juglindore/
-Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve të gjithanshme me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës/
Kryeparlamentari Veseli theksoi se, Kosova vazhdon të mbetet prioritet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo është një garanci e fuqishme që ne do të kemi sukses në projektet tona të mëdha të zhvillimit ekonomik, të forcimit si shtet i pavarur dhe demokraci funksionale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Gusht 2015/-Kongresistët amerikanë në vizitën e takimet në nivel të lartë në Prishtinë vlerësojnë të arriturat e mëdha të Kosovës dhe theksojnë mbështetjen e SHBA-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim delegacionin e kongresistëve të Kongresit të SHBA-së, Vern Buchanan, David Price, Adrian Smith, Dina Titus dhe Susan Davis, me të cilët bashkëbisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Anëtarët e delegacionit të kongresistëve të Kongresit të SHBA-së vlerësuan të arriturat e mëdha të Kosovës dhe theksuan mbështetjen e SHBA-së për proceset në të cilat ndodhet vendi. Ata thanë se gjatë vizitës kanë parë kapacitet të mëdha njerëzore dhe resurse natyrore për një zhvillim ekonomik të vendit që do të mundësojë hapjen e vendeve të punës për të rinjtë e Kosovës. Anëtarët e delegacionit theksuan rëndësinë e forcimit të partneritetit të SHBA-së me Kosovën dhe kërkimin e mënyrave të bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik, me mundësi të investimeve.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e partneritetit të Kosovës me SHBA-në dhe angazhimin amerikan për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ajo tha se vazhdimi i pranisë amerikane, përmes angazhimit në forcën paqeruajtëse të NATO-s, ka një domethënie të madhe për sigurinë dhe paqen në gjithë rajonin dhe është një garantuese e stabilitetit. Ajo theksoi se Kosova sot ka nevojë për forcimin e mëtejmë të partneritetit me SHBA-në për të garantuar suksesin në proceset demokratike në të cilat aktualisht ndodhet.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka arritur të konsolidohet në skenën ndërkombëtare dhe po kërkon vendin e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në dhe BE-në. Ajo tha se Kosova është një faktor i stabilitetit dhe i fqinjësisë së mirë dhe ka treguar edhe përkushtimin e saj për të jetuar ne paqe me të gjithë fqinjët e saj përfshirë edhe Serbinë, me të cilën aktualisht ndodhet në një proces të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes hapur të perspektivës evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit, që do të ndihmonte të gjitha vendet e Evropës Juglindore përfundimin e reformave në shoqëri, ruajtjen e momentit të krijuar të marrëdhënieve të mira dhe do të pengonte ndikimet nga një palë e tretë.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është duke forcuar sundimin e ligjit dhe të rendit dhe po bëhet një kontribuuese e fuqishme në fushën e sigurisë globale, si një partnere e rëndësishme ndërkombëtare në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe se vendi asnjëherë nuk do të bëhet strehë e sigurt për ekstremistët. Presidentja Jahjaga foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe përpjekjet, pas 15 vjet të përfundimit të luftës, për të rehabilituar dhe re integruar në shoqëri viktimat e kësaj dhune.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti poashtu në takim delegacionin e kongresistëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përbërë nga Vern Buchanan, David Price, Adrian Smith, Dina Titus dhe Susan Davis.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe kongresistët amerikanë biseduan për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese euroatlantike.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për Kosovën, në të gjitha fushat.
Mustafa poashtu shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve të gjithanshme me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Duke folur për progresin që po arrihet në Kosovë, kryeministri Mustafa i njoftoi me axhendën e Programit të Qeverisë, e cila e ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe proceset integruese evropiane.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për procese tjera dhe dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Anëtarët e delegacionit të kongresistëve të SHBA-së vlerësuan lart progresin e arritur në Kosovë.
Ata theksuan përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për avancimin e proceseve në Kosovë.
Kongresistët amerikanë gjatë takimit, u interesuan edhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe për klimën e investimeve në Kosovë.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, ka pritur sot në një takim një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga Vern Buchanan, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë. Me këtë rast, u bisedua për partneritetin e deritashëm ndërmjet Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe për përkrahjen e madhe që mekanizmat e Kongresit i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tij legjislative dhe politike.
Buchanan u shpreh se përkrahja amerikane do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si pjesë e mbështetjes së gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.
Kryetari Veseli falënderoi delegacionin e Kongresit Amerikan për këtë mbështetje, duke theksuar se ecja përpara e Kosovës dhe kapërcimi i sfidave me të cilat ballafaqohet aktualisht vendi varen nga partneriteti me SHBA-në dhe botën perëndimore në përgjithësi.
Veseli dhe Buchanan vlerësuan gjithashtu se forcimi i institucioneve demokratike në Kosovë, kërkon mes tjerash, një përqendrim më të madh në fushën e ekonomisë, sepse zhvillimi ekonomik është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.​
Kreu i Kuvendit vlerësoi se, ishte, “një takim shumë miqësor dhe produktiv me kongresmenët amerikanë- anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, të kryesuar nga Vern Buchanan”.
“Kosova vazhdon të mbetet prioritet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një garanci e fuqishme që ne do të kemi sukses në projektet tona të mëdha të zhvillimit ekonomik, të forcimit si shtet i pavarur dhe demokraci funksionale”, theksoi Veseli pas takimit.
Ndërkohë, bëhët e ditur se, gjatë vizitës së sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, delegacioni i kongresistëve amerikanë ka zhvilluar një takim edhe me shefat e grupeve parlamentare.
Në fokus të takimit ishin çështje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë.
Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, si dhe përfaqësues të USAID-it dhe të NDI-së, institucione këto që e mbështesin në vazhdimësi Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit amerikanë janë shprehur se Kongresi dhe shteti amerikan do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në planin e zhvillimit ekonomik, por edhe në atë të sundimit të rendit dhe të ligjit.
Kuvendarët e Kosovës janë zotuar se do të angazhohen për ligje sa më të mira që mundësojnë zhvillim të përshpejtuar ekonomik të vendit dhe garantojnë investimet e huaja në Kosovë.
Të dy palët janë pajtuar se duhet të rritet edhe më roli proaktiv i Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen e ekzekutivit të vendit.

Filed Under: Rajon Tagged With: arritjet, Behlul Jashari, Kongresistet amerikane, mbeshtetja amerikane, Presidentja Jahjaga

Kosovë – Struktura ilegale në veri “Civilna zaštita” drejt shpërbërjes

August 18, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Gusht 2015/.- Shkon drejt shpërbërjes e ashtuquajtura ‘Mbrojtja civile”, strukturë ilegale e paramitare që prej vitesh vepron në veri të Kosovës e që serbët i thonë “Civilna zaštita”.
Sipas shtypit të Kosovës, “në miniqeveri do të transformohet Mbrojtja Civile. Brenda pak ditësh pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare do të nisin të zhvillojnë ‘aktivitetin shtetëror’ në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë, ku kanë vepruar prej vitesh ilegalisht”.
“Deri tash institucionet shtetërore të Kosovës kanë lidhur 105 kontrata me ta. Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave janë rekrutuar 80 e në Shërbimin Korrektues 25.
Në pritje të firmosjes së kontratave janë edhe 378 pjesëtarë të tjerë të Mbrojtjes Civile. Prej tyre 184 do të rekrutohen në 9 ministri. Të tjerë pjesëtarë do të shpërndahen në 7 agjenci, në Administratën Tatimore e në Doganë.
Ndërkaq një fond kontingjent do të përbëhet prej 50 pjesëtarësh që parashihet të marrin paga, por vendet e tyre përfundimtare të punës do të përcaktohen në sektorin publik përbrenda tre vjetësh.
Edita Tahiri, ministre për dialog, ka treguar të hënën se si do të kthehen në zyra qeveritare ndërtesat në të cilat Mbrojtja Civile ka zhvilluar veprimtarinë, e të cilat ndodhen në Mitrovicën Veriore, Leposaviç, Zubin-Potok e Zveçan”, shkruan sot gazeta Koha Ditore me kryetitullin “Mbrojtja Civile transformohet në ‘qeveri të veriut’.
Në 22 korrik, qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore dhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Vendimi është pjesë e përmbushjes së obligimeve të qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”. Me këtë rast ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, “arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile’ dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Marrëveshja parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, theksonte ministrja Tahiri.

Filed Under: Rajon Tagged With: drejt shpërbërjes, Kosovë – Struktura ilegale në veri “Civilna zaštita”

PRIZREN-PËRMBYLLET DOKUFEST XIV, SHPALL FITUESIT

August 17, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/ Prizren 16 Gusht 2015/ Edicioni i 14 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest u mbyll në mbrëmjen e 16 gushtit, në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.
Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në përmbylljen dhe ndarjen e çmimeve. Ajo i ka përgëzuar drejtuesit e Festivalit, për punën dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për organizimin e kësaj ngjarje kulturore me jehonë ndërkombëtare.
DokuFest 2015 në qendër të tij kishte temën e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni i Ballkanit, masterklasa, punëtori, debate dhe diskutime në panel.
Rekordi i ri i shitjeve të biletave është 14,000, gjatë nëntë ditëve të festivalit. Performancat muzikore të mesnatës – DokuNights – kanë shitur një rekord prej 13,000 biletave për programin muzikor me njerëz që vallëzonin deri në agim.
Programi i filmave të këtij viti përbëhej nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 prej tyre bënin pjesë në programet garuese. Fituesit nga secila kategori garuese u shpallën sonte në Kino Lumbardhin e Prizrenit, vendin e ceremonisë së mbylljes së festivalit.
Pas ceremonisë së çmimeve, filmi përmbyllës ishte Iris nga Albert Maysles. Këtë vit DokuFest prezantoi programin homazh në kujtim të filmëbërësit legjendar Maysles dhe vëllait të tij David. Pas shfaqjes së filmit, festivali vazhdoi në Lumbardh me performancën e fundit të DokuNights me muzikë tradicionale të Nezafete Shalës dhe familjes së saj.
Filmat fitues nga çdo kategori u shfaqen edhe nga një herë në kinematë e ndryshme të festivalit përgjatë natës.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.—-
Më poshtë gjeni çmimet e këtij edicioni:
ÇMIMI I PUBLIKUT: REMAKE, REMIX, RIP-OFF nga Cem Kaya
PROCREDIT EKO VIDEO:
1st Je polic i vetvetes nga Albulena Veliu
2nd Shit nga Vali Gjinali
3rd Ruaje Ambientin nga Imer Veliu
GARA KOMBËTARE – FITUES: TË PAFAJSHMIT by Amir Vitija
Juria: Izer Aliu, Delphine Jeanneret, Bujar Kabashi
Deklarata: Filmi përdor një mekanikë të vjetër kinematografike që të na mbajë pezull, dhe ngadalë zbulon një problem shoqëror që i referohet luftes pa na detyruar ta rijetojmë atë.
GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – FITUES: LISTEN nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni
Juria: Laurence Reymond, Gunhild Enger, Diana Nenadić
Deklarata: Rreth një gruaje të gatshme për të shprehur veten, filmi përshkruan se si gjuha është një mjet paradoksi. Kjo fytyrë e paparë i bën jehonë shumë çështjeve sociale dhe politike, në një pasqyrim të shkëlqyer të “dështimit” të artit të të dëgjuarit.
GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – ÇMIMI SPECIAL: SUPPORTING FILM nga Douwe Dijkstra
Deklarata: Një film argëtues që përdor një përzierje mbresëlënëse të teknikës për të përcjellur ndjenjën e gëzuar të të shikuarit filma.
GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – FITUES: VIRUNGA nga Orlando von Einsiede
Juria: Flo Stone, Vasif Kortun, Sebastian Mez
Deklarata: Ne shikuam një seri të filmave të bukur, të sofistikuar dhe gjerësisht divergjent për garën. Bërja e disa prej tyre kërkon fonde të mëdha dhe ekipe të konsiderueshme të post-prodhimit, ndërsa bërja e disa tjerave kërkon hulumtime rigoroze dhe përdorimin e ndërlikuar të arkivave të filmit. Disa ishin shumë të sinqertë në lidhje me mesazhin e tyre, të tjerët përgjigjeshin përmes mjeteve të fiksionit.
Të gjithë ata ishin të bashkuar në sensin e këmbënguljes, dëshpërimit dhe shpresës si kur jemi në përfundim të karburanteve fosile ekonomike që ne do ti shterrim vetëm nëse ato nuk i shkatërrojnë shumicën e specieve në tokë, duke përfshirë edhe ne njerëzit.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm ne zgjodhëm filmin “Virunga” për hetimin intensiv dhe krahasimin e tregimeve në zhvillim, për urgjencën në ndjekje të trimërisë fisnike të subjekteve të saj dhe për kompozimin e fuqishëm narrative.
GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – ÇMIMI SPECIAL: WHITE COAL nga Georg Tiller
Deklarata: Juria e Garës së dokumentarëve të mjedisit jep çmim special filmit “White Coal” për qetësinë e tij delikate dhe minimale, për imazhet e tij magjepsëse dhe tregimin e një historie me shumë pak fjalë.
GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUES: DEMOCRATS by Camilla Nielsson
Juria: Charlotte Selb, Oskar Alegria, Agon Maliqi
Deklarata: Ne kemi gjetur në filmin fitues një qasje shumë freskuese, të nuancuar dhe të ndershme për një histori tjetër shumë delikate – luftën e individëve dhe shoqërive për të arritur kompromis dhe harmoni në fytyrën e strukturave përçarëse dhe abuzive të energjisë. Nëpërmjet një kinematografie të mrekullueshme dhe redaktimit, një tregim joshës dhe mahnitës në qasje në prapaskenë. Filmi fitues portretizon funksionimet e brendshme të një procesi të rrallë për shekullin e 21 – përpjekjen e një vendi për të vendosur themelet për të drejtat e njeriut dhe institucionet e përgjegjshme dhe për të sfiduar pushtetin arbitrar të papërpunuar. Fituesi i çmimit për filmin më të mire për të Drejtat e Njeriut është “Democrats” nga Camilla Nielsson.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – FITUES: THINGS by Ben Rivers
Juria: Ben Fowlie, Thomas Logoreci, Michael Pattison, Lois Patiño, Jean Pierre Rehm
Deklarata: Çmimi i filmit më të mirë të shkurtë ndërkombëtar i dhurohet regjisorit Ben Rivers për filmin Things, për humorin e tij përmes subjketeve të ndryshme, i cili i mblodhi së bashku në mënyrë interesante dhe personale.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – ÇMIMI SPECIAL:SCRAPBOOK nga Mike Hoolboom
Deklarata: Çmimi Special shkon për filmin Scrapbook të Mike Hoolboom për trajtimin e tij të sofistikuar të një subjekti kinematografik i cili është personal dhe historik.GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – FITUES: MACHINE GUN OR TYPEWRITER nga Travis Wilkerson
Deklarata: Machine Gun or Typewriter nga Travis Wilkerson fiton çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar për eksplorimin e tij të gjallë politik dhe etnik të romancës dhe qytetit.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – ÇMIMI SPECIAL: THE ROYAL TOAD nga Jenni Olson
Deklarata: Filmi i resgjisorit Jenni Olson The Royal Road është shpërblyer me Çmimin Special për kapsulimin e një qyteti kinematografik përmes mjeteve të thella personale dhe rigjallërimit të bukur.
GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – BALKAN NEWCOMER: COLONY nga Gürcan Keltek
Juria: Pavel Smejkal, Iva Radivojevic, Alexei Dmitriev
Deklarata: Elementet e peisazhit të cilat nxjerrin në dritë gjurmët e ngjarjeve torturuese në këtë film lakonik dhe të ndjeshëm.
GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – FITUES: FLOTEL EUROPA nga Vladimir Todorovic
Deklarata: Regjisori arrin në kujtesën kolektive dhe përvojën kolektive përmes një historie shumë personale, që tejkalon veten dhe gurgulimet përmes historisë për të paraqitur një ditë. Largimi. Zhvendosja. Pritja. Një ekzistencë e lërë për të notuar në Flotel Europa.

Filed Under: Kulture, Rajon Tagged With: Behlul Jashari, PRIZREN-PËRMBYLLET DOKUFEST XIV, SHPALL FITUESIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT