Shtetas të Turqisë me origjinë nga Maqedonia tashmë po joshen për të përfituar shtetësinë e Maqedonisë.
Kjo po ndodhë me gjithë ata emigrantë të Maqedonisë Lindore që dekada më parë janë shpërngulur në Turqi për rrethana të ndryshme sociale, por edhe diskriminime tjera, ndërsa bëhet fjalë për pjesëtar të besimit mysliman.
Autoritetet e Shkupit këta qytetarë po i njohin dhe emërtojnë si maqedonas mysliman, ndërsa shumica prej tyre që joshen janë të njohur si maqedonas, që kanë jetuar më parë në Maqedoninë Lindore.
Një histori e tillë përshkruhet në gazetën “Dnevnik” dhe bëhet fjalë për Kenan Balkan, një shtetas turk, i cili dekada më parë është shpërngulur nga zona e Demir Kapisë.
Ai thotë se është nga zona e Demir Kapisë në lindje të vendit dhe se familja e tij ishte shpërngulur në vitin 1956. Por ai thekson se familja e tij me tren ishte deportuar për në Turqi, por duke mos saktësuar asnjë arsye, dhe se për këtë nuk ka pyetur as gazetari që synon vetëm dhënien e shtetësive për këta shtetas turq, por me kushtin e vetëm që ata të deklarohen se janë me përkatësi etnike maqedonase, dhe fenë islame.
Një nismë të tillë për të rritur numrin e maqedonasve në vend, e kanë nxitur disa shoqata të maqedonasve mysliman, por edhe organizata nacionaliste maqedonase Kongresi Botëror Maqedonas, e cila ka kërkuar ndryshimin e ligjit për shtetësi dhe dhënien e mundësisë që shtetësinë të përfitojnë të gjithë siç thuhet “maqedonasit mysliman që janë shpërngulur drejt Turqisë”.
Në këtë temë nuk përmenden aspak shqiptarët e shpërngulur numri i të cilëve është edhe më i madh. Por për këtë kategori do të pamundësohet e drejta për pajisje me shtetësi. Ndryshimet e propozuara të ligjit do të pamundësojnë që shqiptarët e shpërgulur të mund të përfitojnë shtetësinë e vendit. Në atë periudha numri më i madh i të shpërngulurve ka qenë shqiptarë dhe se ata janë detyruar që të heqin dorë nga toka, pasuria dhe shtetësia jugosllave, duke firmosur një dokument se vullnetarisht largohen nga vendi. (INA)
Arrihet marrëveshja LDK-PDK, Shpërbëhet blloku
Me ndihmën e ambasadores Amerikane,u arrit marrëveshja LDK-PDK; Isa Mustafa Kryeministër/
Isa Mustafa do të udhëheqë me ekzekutivin në koalicionin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Marrëveshja për koalicion në mes të PDK’së dhe LDK’së u arrit sonte me ndërmjetësimin e Ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Presidentes Atifete Jahjaga.
* * *
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sonte në një takim të përbashkët me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotëri Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotëri Isa Mustafa, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Në takim, me ftesën e Presidentes Jahjaga, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Këshilli i LDK autorizoi negociatat me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Votat u ndanë në këtë mënyrë: 65 vota pro koalicionit, 7 kundër, 5 abstenime/
Isa Mustafa deklaroi, se nuk hyjnë në qeveri me asnjë palë, parti, nëse nuk i jepet posti i Kryeministrit LDK-së! “Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, autorizoi kryetarin e LDK-së dhe kryesinë e LDK-së, që të kontaktojë dhe të bisedojë me tërë spektrin politikë të Kosovës lidhur me qeverisjen e ardhshme dhe natyrisht ti shter të gjitha mundësitë që koalicioni paszgjedhor i përberë nga LDK, AAK dhe Nisma e më vonë edhe nga Vetëvendosja, të arrijë që të fitojë shumicën në pushtet, mirëpo të mos kufizohet vetëm në këtë, por me prioritet maksimal të këtij koalicioni, sepse kemi krijuar mirëbesim dhe kemi krijuar një disponim politikë për ndryshime të domosdoshme të cilat duhet të bëhen në vend”, tha Mustafa.
Ne do të bisedojmë me të gjithë, sot nuk kemi marr vendim, por kemi marr vendim që të bisedojmë sepse në këtë fazë është e domosdoshme që të gjithë ne të bisedojmë mes vete dhe të gjejmë rrugë dhe alternativat më të mira që të konstituohen edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe qeveria sa më shpejt.
Ne propozojmë që javën e ardhshme të fillojë kjo procedurë në mënyrë që të mos prolongohet më tepër.
“Nominimi im për kryeministër nga partia është bërë para tetë muajve”, tha Mustafa.
“Diskutuam për qeverisjen e vendit mbi parimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, parimet e përmendura nga Presidentja dhe nga faktori ndërkombëtarë”, tha ai.
“Do të bisedojmë me të gjithë, nuk kemi marrë vendim për koalicione”, tha ai.
Mustafa tha se me askë nuk do të vihet në diskutim asnjëherë posti i kryeministrit. “Nominimi im për kryeministër ka qenë para tetë muajsh, ky nominim prapë është konfirmuar në Këshillin e Përgjithshëm, është konfirmuar disponimi edhe sot dhe LDK nuk pranon të hyjë në asnjë variant të qeverisjes së vendit nëse LDK-ja nuk do të jetë në krye të qeverisjes së vendit. Do të thotë ky është kushti i cili u vu nga Këshilli i Përgjithshëm, dhe s’do të bëjmë me askë debate dhe diskutime lidhur me postin e Kryeministrit. Ne do të ofrojmë dhe do të japim ofertën tonë që është ofertë e qeverisjes së mirë të vendit, ofertë e zhvillimit ekonomik, por që nënkupton se përgjegjësinë e merr LDK, vetëm nëse e merr përgjegjësin e qeverisjes së vendit”.
***
Pas një debati të gjatë afër katër orësh, të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, mes tensioneve dhe pakënaqësive më në fund ka dominuar ideja që pavarësisht të gjithave, vendimi më i mirë është ai që çon në krijimin e institucioneve, duke negociar me të gjitha partitë që e mundësojnë këtë, që i bie, se nga sonte janë të hapura negociatat
Sapo përfundoi mbledhja dhe Këshilli Drejtues e autorizoi LDK-në për negociata me PDK-në për krijimin e qeverisë!
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka marrë marrë vendim se si do të veprojë, ti thotë lamtumirë bllokut, apo që ta merrë në konsideratë mundësinë që të nis negociatat me PDK-në, për të formuar qeverinë e Kosovës, dhe për ti dhënë fund bllokut.
Zyrtarë të LDK kanë thënë se çështja më e nxehtë është ideja e koalicionit të mundshëm me PDK-në, përderisa shumica e anëtarëve të Këshillit kanë diskutuar në frymën se janë kundër koalicionit me PDK-në.
***
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së po e vazhdon mbledhjen, në një debat mjaft të nxehtë. Fatmir Sejdiu, ish presidenti i vendit i pari e ka lëshuar mbledhjen, duke refuzuar të votojë çfarëdo vendimi, pasi beson se kryesisë së LDK-së i ka kaluar legjitimiteti.
Sapo ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritet të vendoset se çfarë qëndrimi do të mbajë ky subjekt përballë situatës aktuale politike në vend.
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të sqarojë pozicionin e saj rreth marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA’n si dhe të marrë qëndrim rreth nominimit të Isa Mustafës për Kryeministër si një pozicion të ri të këtij subjekti përballë situatës aktuale.
Sot në orën 16:00 vetëvendos LDK-ja
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në ora 16:00 për të marrë vendim se a do të vazhdojë kjo parti të mbetet pjesë e koalicionit LAN sipas Marrëveshjes së 10 qershorit, apo të largohet prej tij.
Këtij takimi i ka paraprirë takimi i djeshëm i Kryesisë së Partisë dhe i kryetarëve të degëve të LDK-së.
LDK ka shprehur qëndrimin e saj, se në pamundësi për të implementuar Marrëveshjen e 10 qershorit të nënshkruar nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, si partia më e madhe e koalicionit LAN i takon që të marrë postin e kryeministrit.
Nga ana tjetër, AAK-ja, të cilës me Marrëveshjen e 10 qershorit iu nda ky post, kundërshton një gjë të tillë dhe ka bërë të qartë se kushdo që nuk e zbaton këtë marrëveshje, do të jetë fajtori për prishjen e Bllokut.
Por dje, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri tha se kur është nënshkruar marrëveshja më 10 qershor, LDK-ja ka bërë me dije edhe AAK-së edhe Nismas, që nëse kjo marrëveshje nuk do të implementohet në tërësi, atëherë është e nevojshme të bëhet një marrëveshje e re.
Gjykata Kushtetuese ia revokoi Isa Mustafës zgjedhjen si kryeparlamentar, duke marrë vendim, se PDK-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit.
Pas insistimit pesë mujor të Bllokut, se atyre u takon edhe kryeparlamentari, pasi që thirreshin në pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, liderët e LDK-së, AAK-së dhe Nismas, iu bindën vendimit të gjykatës.
Por, menjëherë pas këtij vendimi, LDK-së iu shtua apetiti për postin që sipas marrëveshjes së 10 qershorit, i takonte liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Këtu filli përplasja.
Përderisa, zyrtarët e AAK-së insistojnë se marrëveshja duhej të zbatohej, zyrtarët e LDK-së në anën tjetër këmbëngulin se marrëveshja duhet rishqyrtuar dhe se i nominuar për kryeministër nga koalicioni LAN duhet të jetë lideri i tyre, Isa Mustafa.(Kortezi Bota Sot)
Politika e jashtme “e çoroditur” e Serbisë
Ne Foto: Aleksandar Vulin, i cili ka akuzuar SHBA se i ka dhene urdher Gjykates se Hages te lirojne Sheshelj dhe paralajmerojne rrezimin e pushtetit ne Serbi!/
Serbia po dërgon sinjale kontradiktore, përmes të cilave po shkakton konfuzion në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm politik, se ekzistojnë teori të konspiracionit, të cilat synojnë ta përmbysin pushtetin aktual në Serbi.
Aleksandar Vulin, ministër i punës në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij, “kontrollojnë Tribunalin e Hagës”, e kanë liruar nga paraburgimi liderin e radikalëve serb Vojislav Sheshelj dhe se tash “përmes gojës së tij, thonë se do ta rrëzojnë pushtetin serb”.
Ai ka deklaruar se do ta porosisë qeverinë serbe që të mendoj për ndryshimin e kursit të politikës së jashtme.
Deri më tash, askush nga kreu i pushtetit serb nuk është distancuar nga këto deklarata të Vulinit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, i ka karakterizuar deklaratat e Vulinit si teori të pabaza të konspiracionit. Në reagimin e kësaj ambasade, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”, thuhet se “nuk ka asgjë të vërtetë” në ato që ka thënë Vulin.
“Gjykata penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është krijuar nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe proceset që po zhvillohen aty, janë të mbrojtura nga ndikimi politik”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, të cilën e ka botuar e përditshmja serbe “Danas”. Aty, gjithashtu, thuhet se SHBA-të e mbështesin punën e rëndësishme të gjykatës së Hagës, por nuk ndikojnë në vendimet dhe mendimet e tij”.
“Çdo interpretim tjetër, është i pavërtetë”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-ve në Beograd.
Florian Biber, ekspert për Evropën juglindore në Universitetin e Gracit, thotë për Radion Evropa e Lirë se teoria e këtillë e konspiracionit është tipike për politikanin siç është Vulin dhe ajo tingëllon, thuajse ka ardhur nga koka e Vojislav Shesheljit. Sipas tij, ato që ka thënë Vulin, janë ide e çmendura.
Biber shpreh mendimin se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq është dashur të distancohej nga deklaratat e Vulinit, por, siç thotë ai, qeveria serbe po luan me sinjale të ndryshme.
“Ai është ministër në qeveri dhe mendoj se do të ishte korrekte që të (Vuçiq) distancohej, por në skenë është loja e kësaj qeverie me sinjale të ndryshme. Ajo po dërgon sinjale se dëshiron të jetë pro-ruse, e përsëri dërgon sinjale se dëshiron të jetë reformatore dhe pro-perëndimore. Në një moment ajo duhet të thotë qartë se çfarë dëshiron të bëj”, ka theksuar Biber.
Ai ka shtuar se qeveria serbe, sidomos, me rastin e kësaj deklarate, duhet të sqaroj se kush qëndron pas saj, Vulini, personalisht apo qeveria serbe.
Ai ka ngritur pikëpyetjen se si qeveria serbe mund të ketë marrëdhënie të mira më SHBA-të në qoftë se një anëtar i saj thotë se SHBA-të po udhëheqin politika përmes të cilave duan ta rrëzojnë pushtetin në Serbi?
“Unë, natyrisht nuk mund ta di se çfarë qëndrimi ka Vuçiq, por është fakt që Vulini është në qeveri dhe se të gjithë e dinë orientimin e tij politik dhe ky është sinjal që Vuçiqi, përveç se dëshiron marrëdhënie të mira me Perëndimin, gjithashtu dëshiron t’i ruaj marrëdhëniet e mira me rrymën pro-ruse konservative”, ka shtuar Biber.
Në anën tjetër, për deklaratat e tij, Vulin nuk ka ofruar asnjë dëshmi.
“Në qoftë Serbia, për gjithë mundin e saj për tu modernizuar, për të ndryshuar, që të jetë më e mirë, më e suksesshme, të jetë e ngjashme me vendet e zhvilluara dhe serioze, e vetmja gjë që marrim janë Rama dhe ofendimet e Shesheljit. Ne marrim promovimin e papenguar të atyre ofendimeve, si dhe kërcënimet se në këtë vend do të rrëzohen pushtetet dhe se do të piketohen si tradhtar të gjithë ata që dëshirojnë të ndryshojnë diçka”.
“Nëse shohim se e gjithë kjo është e ndihmuar nga disa vende, kam thënë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë, ndoshta është momenti që të mendojmë mirë për prioritetet tona të politikes së jashtme”, ka theksuar Vulin.
Por, lidhur me deklaratat e Vulinit dhe mosreagimit ndaj tyre nga ana e qeverisë serbe, Dushan Laziq nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se ky është një sistem që i huton qytetarët e Serbisë, por edhe botën.
“Kjo nuk është politikë e mirë për cilindo vend, e as për vendin tonë. Vulin nuk ofron kurrfarë dëshmish për çfarëdo që thotë. Ekziston mundësia që mbase Vuçiq i thotë disa gjëra përmes Vulinit. E ka të vështirë të sqarohem lidhur me këtë, sepse i di një varg deklaratash që nuk i përgjigjen Vuçiqit, por ai për këto nuk reagon. Por, unë nuk e përjashtoj mundësinë që inspirimi vjen nga qeveria, gjegjësisht, nga ana personale e vet Vuçiqit”, tha Laziq.
Ai ka shtuar se shumë shpesh në Serbi bëhen veprime në kundërshtim me interesat shtetërore dhe të qytetarëve, por edhe në kundërshtim me interesat racionale të pushtetit dhe se një gjë e tillë, mbetet e pakuptueshme.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)
Ditë e rëndësishme për Pejën: Hapet pika tregëtare nga LC Waikiki
Sot ishte një ditë e rëndësishme për Pejën. Firma globale e supermarketeve LC Waikiki ka hapur një shitore në Qendrën Interex të qytetit të njohur shqiptar.
Lajmin e ka përshëndetur në rrjetin social Facebook, biznesmeni dhe aktivisti shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.
“Ky është një gërshetim i partneritetit ndërmjet investitorëve nga SHBA, Kosova dhe Turqia”, tha ai. “Është një arritje për Pejën që nëpërmjet përpjekjeve tona, sollëm investitorë ndërkombëtarë për të hapur një aradhë biznesesh dhe për të krijuar qindra vende pune”.
LC Waikiki ka 488 pika tregëtimi në 23 vende të botës dhe do të përhapet tani edhe në Kosovë.
“Fat të mbarë të gjithë”, uroi Bajraktari, që është edhe ish-botues dhe themelues i gazetës “Illyria”, duke premtuar se po vazhdojnë punën që të sjellin edhe më shumë investime nga jashtë në Pejë dhe në Kosovë(r.a illyria)
Bandat ruse të Nju Jorkut
Kur gazetari Alexandre Grant ka nisur të mbulojë krimin 25 vjet më parë, gangsterët që janë arratisur nga Bashkimi Sovjetik dhe kanë bredhur në lagjet rusishtfolëse të Nju Jorkut, kanë kërcënuar imigrantët me zhvatje.
Kjo skenë është zhdukur në masë të madhe dhe Grant thotë se e tradhton nostalgjia për atë kohë të vrazhdë.
Në një karrierë prej afro tri dekadash, ai ka mbuluar rritjen dhe rënien e gangsterëve të Nju Jorkut nga ish-Bashkimi Sovjetik – një kastë kriminale që zakonisht fshihej nën emrin “mafia ruse”.
Si ish-korrespondent i gazetës së imigrantëve “Novoye Russkoye Slovo”, Grant ka përdorur vrasësit dhe mashtruesit e dënuar si burime dhe ka bërë intervista me personat më famëkeq të krimit, si shtetasi ukrainas, Semion Mogilevich, i listuar nga FBI-ja si njëri nga dhjetë personat më të kërkuar.
Grant thotë se mjetet kryesore të gangsterëve në atë kohë kanë qenë armët, që kanë përdorur për sekuestrime të ndyra, ndërsa në ditët e sotme, lloji kryesor i dhunës në komunitetet rusishtfolëse është dhuna në familje ose rrahjet e të dehurve.
Por, nuk është vetëm krimi ai që ka ndryshuar. Në vitet 1990, komuniteti imigrant ka qëndruar praktikisht indiferent ndaj përpjekjeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit për të marrë dëshmitarë.
“Së pari dhe më kryesorja, ata kanë pasur frikë nga ndëshkimi fizik. Së dyti, ata janë frikësuar nga vetë bashkëpunimi. Sepse, bashkëpunimi me autoritetet në Bashkimin Sovjetik është konsideruar, nëse jo mëkat, si diçka e pahijshme. Imigrantët nuk e kanë ditur se bëhet fjalë për një sistem krejtësisht ndryshe të sundimit të ligjit. Por, tani situata është ndryshe”, thotë Grant.
Ai tregon se një pronar i një dyqani të bizhuterive i ka thënë se nëse një person shkon te ai dhe i kërkon para për ta mbrojtur, ai do ta thërriste policinë menjëherë.
I diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Moskës, Grant është miqëuar me gazetarë perëndimorë që punonin në Moskë, por këto lidhje kanë bërë që ai të përfundojë në burg.
Në mes të viteve 1960, Grant thotë se ka vizituar gazetarët që jetonin në një kompleks diplomatik në qendër të Moskës. Ai atje ka pasuar transkriptin e gjykimit të poetit sovjetik, Joseph Brodsky, te një reporter për një gazetë franceze.
Në atë që Grant e cilëson si “histori të çuditshme”, ai është arrestuar nga disa roje vullnetare të rrugëve, të njohur si “druzhiniki”, të cilët kanë thënë se Grant i ka ngjarë një hajduti që kërkonin. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, ai ka qenë në selinë e KGB-së famëkeqe, në sheshin Lyubyanka.
Grant është shpallur fajtor për përhapje të propagandës anti-sovjetike dhe për shkelje të ligjeve të monedhës, duke blerë sende me paratë që kishte siguruar nga diplomatët perëndimorë. Ai është dënuar me pesë vjet burgim.
Një vit e gjysmë pas lirimit, ai ka goditur dhe vrarë një këmbësor në Moskë. Për këtë vepër është dënuar me shtatë vjet heqje lirie.
Dymbëdhjetë vjetët në burgjet sovjetike, Grant thotë se kanë pasur ndikim në jetën e tij.
“E kosnideroj atë si një nga periudhat më pozitive të jetës sime, sepse në atë kohë unë jam pjekur, e kam kuptuar çfarë ëshë mirë dhe çfarë keq”, thotë Grant, tani 70 vjeç.
Koha e tij pas hekurave ka qenë e dobishme për karrierën e tij të ardhshme si gazetar i krimit. Ai thotë se ka marrë informacione nga shokët e burgut.
“Një gazetar që shkruan për këtë temë, ulet në gardh midis dy botëve. Është një akt i rrezikshëm balancues, sepse agjentët e FBI-së nga Departamenti rus më besonin, por edhe shkelësit e ligjit më besonin”, rrëfen Grant.
Ditët e errëta të mafias ruse mund të kenë kaluar, por Grant mbetet ende i zënë. Ai shkruan për disa publikime të imigrantëve, bën raporte ditore për radiot dhe udhëheq programe televizive për politikat amerikane.
Ai e viziton Moskën një ose dy herë në vit, por thotë se nuk ka dëshirë për t’u kthyer.
“Shpirtërisht ëshë një vend krejtësisht i huaj për mua. Jam amerikanizuar shumë”, thotë Grant.(Pergatiti:Valona Tela)
- « Previous Page
- 1
- …
- 168
- 169
- 170
- 171
- 172
- …
- 201
- Next Page »