• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rezultatet zyrtare të regjistrimit në Serbi, manipulim me numrin e shqiptarëve

May 8, 2023 by s p

Më datën 28 prill, janë shpallur rezultatet zyrtare të regjistrimit në Serbi. Dhe paraqitja jo e drejtë, pasi ky numër i regjistrimit është manipulim dhe mos pasqyrim i drejt e objektiv. Enti Republikan i statistikave në Serbi, ka shpallur rezultatet dhe jan vetëm 61.687 qytetarë të përkatësisë shqiptare. Për Krahinën e Preshevës,që përfshin Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

Kujtoj se në Krahinën e Sanxhakut që shtrihet në Serbi dhe e përbëjn,si Komuna: Pazari i Ri, Sjenica, Tutin, Prijepolje, Priboj dhe Varosh i ri, jan publikuar shqiptarë në numër simbolik. Shpallja dhe publikimi i rezultatave të regjistrimit, dallon shumë nga rezultatet preliminare, apo themi dallimi është një përgjysmim i popullatës shqiptare, kemi një manipulim.

Edhe pse ky regjistrimi i përgjysmuar e qëllimisht i minimizuar, i manipuluar e i kurdisur politikisht, kujtoj që në vitin 2011, shqiptarët e kësaj Krahine së Preshevës kan bojkotuar regjistrimin e popullsisë.

Tani ky regjistrim edhe pse i përgjysmuar, ka krijuar një rrethanë të re, si një gjendje faktike dhe juridike e rrjedhimisht përfaqësimi i shqiptarëve në çdo institucion publik duhet detyrimisht e ligjërisht të bëhet në proporcion me përqindjen e pupullatës shumicë të kësaj krahine.

Duke ju referuar shifrave të publikuar, rezulton se: Në gjithë Serbin jetojn 61.687 shqiptarë, kurse vetëm në Krahinën e Pershevës që përfshin: Preshevë, Bujanoc e Komunën e Medvegjës, rezulton se jan 57710 qytetarë Shqiptarë, kurse Në Krahinën e Sanxhakut,si:

Komuna e Novi Pazarit jan publikuar si të regjistruar 200 qytetarë shqiptarë, nga Komuna e Sjenicës jan publikuar si të regjistruar 26 qytetarë shqiptarë,nga Komuna e Tutinit jan publikuar si të regjistruar 16 qytetarë shqiptarë, nga Komuna e Prijepoljes jan publikuar si të regjistruar 2 qytetarë shqiptarë.

Në Krahinën e Sanxhakut, qytetarë të përkatësisë shqiptare,që jetojnë Republikën e Serbisë me gjithë Vojvodinën, marrë parasysh të një asimilimi dhe rezulton se jan regjistruar vetëm 3977 qytetarë shqiptarë!!!.

Në Krahinën e Sanxhakut kemi asimilim e një diskriminim, po ashtu në Krahinën Shqiptare të Preshevës kemi një diskriminim, më të madhë në këtë pjesë të Evropës, kur kemi pasivizim të adresave dhe pastrim etnik në mënyrë institucionale, tani jan manipuluar, sepse numri prej 61.687 qytetarë të përkatësisë shqiptare, nuk është regjistrim i sakt-pra jemi shumë më shumë.

Shkruar nga: Refik HASANI 7 maj 2023

Filed Under: Rajon

Në datën 6 maj përkujtojmë Profesor Fehmi Aganin

May 6, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Akademik Fehmi Agani ishte studiues i shquar i fushës së sociologjisë, njëkohësisht një veprimtar i shquar politik i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Gjakovë dhe u diplomua për filozofi në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1965 kreu studimet pasuniversitare për shkenca politike në po këtë universitet. F. Agani ka qenë lektor dhe dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja” dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Nga viti 1968 ishte një nga ideatorët e projektit për pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi deri në fund të jetës së tij. Pas demonstratave studentore të vitit 1981, F. Agani u largua nga autoritetet serbe nga mësimdhënia në universitet. Ai u zgjodh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte një nga negociatorët kryesorë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet partive politike të Kosovës për forcimin e qëndresës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Në Konferencën e mbajtur në Rambuje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai nxiti frymën e konsensusit ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë. Pas fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s kundër Serbisë, më 6 maj 1999, akademik Fehmi Agani u vra nga forcat serbe gjatë një përpjekje për të kaluar në Maqedoni. Ai është Hero i Kosovës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Fehmi Agani

NË EMËR TË RINISË…

May 5, 2023 by s p

Prof. As.Dr.Luçiano Boçi/

Sa herë i rikthehem programit zgjedhor në diskutime me qytetarët, ideve të mia ju shtohet gjithmonë një rrjesht i ri. Përvoja e njerëzve të mi është vërtet e paanë dhe aftësitë reflektive të tyre – të pamata. Por ka një përmasë tjetër që programi im fiton kur unë ndërveproj me të rinjtë.

Ata i japin një kuptim tjetër çdo projekti, synimi, çdo plani timit që rreh të gjejë të ardhmen nëpër trupin e rrudhur të fuqisë së këtij qyteti. Të rinjtë janë gjithnjë një hap para, gjithnjë të vëmendshëm për shenjzat premtuese të ideve që ndajmë dhe mbesin tejet kureshtarë.

Nuk e di si t’jua them se çdo gjë që kemi shkruar ka lidhje me ta. Nuk di si t’jua shpreh mirënjohjen që kanë frymëzuar një tërësi projektesh dhe ndërhyrjesh, të cilat do t’i sjellim në jetë medoemos.

Rinia jeton sot më larg nesh sesa mund të imagjinohet.

E para, sepse ata janë lodhur me dështimet tona. Për ta – nuk ka fitimtarë, aty ku dikush dështon. Nuk ka pasunarë aty ku një njeri vuan për bukë. Nuk ka drejtësi aty ku qoftë dhe vetëm një çështje provon sundimin e padrejtësisë. Ata janë lodhur me politikën dhe me dështimet etike të saj. Ata kanë nevojë për një politikë me tipare njerëzore, që nuk fyen dhe nuk ndot…

E dyta, sepse të rinjtë kanë nevojë të besojnë tek njerëzit. Të pastër prej natyre, ata nervozohen kur përballen me padrejtësinë. Për më tepër ata kanë shumë vite që gjejnë përballë vetëm njerëz që i gënjejnë. Ata kanë nevojë të besojnë me zemër te dikush. Ata jetojnë moshën e dashurisë. Si mund të pranojnë ata të ecin nëpër baltën e rrugëve të urrejtjes?

E treta, në dallim prej moshës së mesme – të rinjtë e sotëm dinë ta ndërtojnë bashkëpunimin edhe kur mes tyre lexojnë ndasi. Ata përqafohen edhe kur mendojnë ndryshe.

Për fat të keq, ne jua kemi zaptuar sheshin, rrugën, hapësirën e imagjinatës reale që ata kanë, ju kemi vrarë guximin për të besuar në një ekuacion jete të ndërshme: nëse mësoj mirë, kam shanse të bëhem x,y,z, të paguhem mirë, të realizoj ëndrrën; nëse e zhvilloj këtë talent që kam, ja dal që të jem më i miri/e mira…

Ata nuk kanë dot më asnjë model të besueshëm përpara syve, hiq shëmtinë e një kulture rruge, që dikush herë pas here e pasuron me sjellje që nuk mund as të kategorizohen si normale.

Të rinjtë janë dritarja prej ku ne të gjithë mund dhe duhet ta shohim të ardhmen tonë si qytetërim. Ata përmes nesh, do të shohin të shkuarën. Eshtë koha të mendojmë seriozisht çfarë do të shohin ata përmes nesh, në kohë, dhe sa e dhimbshme rrezikon të jetë kjo si për ta, ashtu edhe për ne…

Dua t’ju them të rinjve të Elbasanit se ka vetëm një rrugë për t’u ringjitur në lartësinë e ëndrrave të tyre: Falë projekteve të zhvillimit dhe përmes ripohimit të pronësisë së tyre mbi politikën dhe pronën publike.

Ata janë të parët që duhet të përfshihen në idenë time për Technopolis-in në Elbasan: duke mësuar si të programojnë, si të kodojnë, si të lexojnë zhvillimet më të reja të teknologjisë dhe si të përgatiten për një shkollë gjithnjë e më sfiduese. Qendrat e Teknologjisë për të rinjtë në çdo lagje do të marrin këtë mision.

Ata janë të parët që duhet të regjistrohen në shkollat profesionale për të mësuar si të bëjnë përpunim imazhi filmik, fotografi, në shkollën e kineastëve dhe në drejtimet e tjera profesionale që do të aktivizojmë në Elbasan, ndërsa ngrejmë këtu studiot e qytetit të filmit.

Ata janë më të preferuarit për të nxjerrë nga harresa zejet tona të mrekullueshme, ndërsa Muzeu i Gjallë i Zejeve do të nisë të ngrihet – brenda parkut tematik tregtar të Elbasanit.

Guximi për të ëndërruar është atribut i rinisë dhe shenjë e saj brenda cilitdo prej nesh, pavarësisht moshës.

Unë jam këtu sepse mbetem i ri, mbetem një guximtar i fortë i një ëndrre të mirë, mbetem një njeri që dashuron sfidat, po aq sa fitoret dhe punon fort për to.

Si prind, si mësues dhe si qytetar i parë është detyra ime që t’u jap të rinjve hapësirën e virtytit dhe frymën e forcës që i nxit të kërkojnë më shumë, të arrijnë më tepër dhe të besojnë më ndershëm tek vetja.

Unë besoj tek Ndryshimi, sepse besoj tek rinia. Ata janë Ndryshimi, ata janë zemra e tij, janë motivi i tij, janë forca reale e Ndryshimit.

Filed Under: Rajon

“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe përmasat e efektivit të ushtrisë së tij.”

May 3, 2023 by s p

Paulin Zefi/

Aty nga muaji maj i vitit 1444, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizoi një ushtri të përhershme, e cila përbëhej nga 8.000 trupa, që mund të plotësoheshin me një forcë rezervë prej 10.000 burrash, kryesisht kalorës të lehtë dhe të armatosur me shpata, heshta, shtiza dhe harqe me shigjeta, të cilët mund të mobilizoheshin me shpejtësi në kohë krize. Ushtarët më me përvojë ishin 6.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë të lehtë. Kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm, zakonisht forcat ushtarake arrinin nga 18.000 deri në 20.000 burra, por në raste të veçanta, numri total shkonte nga 30.000 deri në 35.000 veta. Kurse për çlirimin e kështjellës së Sfetigradit, më 1449, sipas Murgut Anonim Rus, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mblodhi një ushtri prej 38.000 vetash. Po i njëjti autor thotë se në betejën e zhvilluar me Sinan Pashën dhe më pas me Hasan Pashën, në Mokër (27 gusht 1462), ai mblodhi rreth 50.000 ushtarë. Këta dy njoftime nuk gjenden te asnjë autor tjetër apo në ndonjë burim dokumentar dhe natyrisht që në këtë rast, kemi të bëjmë me hiperbolizim. Grupimet e ushtrisë arbëre, që krijoi menjëherë pas zgjedhjes së tij si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë nga Lidhja e Lezhës, asnjëherë nuk kanë qenë të njëllojta në përbërje dhe në madhësi. Në varësi të situatës, terrenit dhe kushteve meteorologjike, ato përbëheshin herë prej 4.000 deri në 6.000 ushtarë, kur vepronin në dy drejtime dhe 10.000 deri në 15.000 kur veprohej vetëm në një drejtim. Në raste të caktuara, si për shembull në betejën e parë të Mokrës (1445), ka angazhuar vetëm 3.000-3.500 ushtarë, 2.000 prej të cilëve kalorës dhe ndërsa në betejën e Talmiranës (1448) vetëm 3.100 ushtarë: 2.800 këmbësorë dhe 300 kalorës. Grupimet e vendosura nëpër kështjella përbëheshin nga garnizone prej 400 deri në 2.000 këmbësorë dhe artilerë. Kur e kishin pyetur për numrin e vogël të ushtarëve që angazhonte nëpër beteja, sipas M.Barletit, ai ishte shprehur se: “Kapedani apo komandanti, që nuk di ta thyejë armikun me 8.000 ushtarë ose 12.000 e shumta, ai s’ka sesi t’ia arrijë me asnjë mënyrë fitores me forca shumë më të mëdha, sepse moria e forcave dhe mizëria e ushtarëve, kanë qenë më të shumën e herës shkak rrëmuje dhe pengesë për fitoren.” Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe te J.C.L.Simonde de Sismondi, C.C.Moore, A.K.Brackob dhe shumë historianë të tjerë. Edhe P.Giovio vëren se Kastrioti pohonte se fitoret nuk përgatiten me numër të madh, por me ushtarë të sprovuar dhe të përzgjedhur. Po ashtu, filozofi i madh i Rilindjes Franceze dhe një ndër personalitetet më me ndikim në Europën Perëndimore dhe më gjerë, Michel de Montaigne (1533–1592), shkruan se: “Skendërbeu, një gjykatës i mirë dhe shumë ekspert (bon iuge & tres-expert), ishte mësuar të thoshte se 10.000 ose 12.000 luftëtarë besnikë (dix ou douze mille combattans fideles) duhej të ishin të mjaftueshëm për një udhëheqës ushtarak, mbi të cilët ai do të bazohej për të garantuar reputacionin e tij me fuqinë e plotë të nevojës ushtarake.” Në fakt, edhe Sun Tzu shkruan, se: “Në luftë, të pasurit e një ushtrie të madhe në numër nuk përbën në vetvete një avantazh.” Në bazë të njoftimeve të shumta bashkëkohore, mund të arrihet në konkluzionin se Heroi jonë Kombëtar vlerësonte drejt sasinë dhe cilësinë e ushtrisë dhe në pamundësi për të shtuar numrin e efektivit ushtarak si rezultat i kushteve në të cilat ndodhej vendi jonë, ai i kushtoi një rëndësi të veçantë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përgatitjes politike-morale dhe luftarake të efektivit ushtarak që kishte në dispozicion. “Gjithmonë me një grusht njerëzish, ai vuri në arrati trupa të panumërta”, shkruan avokati francez dhe shkrimtari poligraf i shek. XVIII, Jean-Antoine Guer (1713-1771), i cili shton se: “Trimëria dhe forca e tij janë të njohura në mbarë botën.” Të gjitha fitoret kundër turqve osmanë, por edhe venecianëve (1447-1448) dhe anzhuinëve (1461-1462) u arritën kryesisht falë tmerrit që shkaktoi emri i tij në rradhët e ushtrive armike dhe ishte pikërisht ky emër i lavdishëm, i cili përbënte armën kryesore dhe më të fuqishme në arsenalin e ushtrisë arbëre. Prandaj është shumë i drejtë konstatimi i Jean René Durdent, i cili thekson se: vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, personalisht, vlente sa një ushtri. Ndërsa, Rev. F.X.McGowan, thotë se: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte një hero emri i të cilit vlente më shumë se një ushtri. Pra, si përfundim, mund të thuhet se ashtu si Aleksandri i Madh i Maqedonisë (356-323 p.k.) dhe gjenerali i shquar ilir i Perandorisë Romake të Lindjes, Flavius Belisarius (500-565), i cili njihet si një ndër “Ultimus Romanorum (I fundmi i Romakëve – P.Z.)”: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu demonstroi se njësitë e vogla ushtarake, të stërvitura mirë, të disiplinuara, shumë të lëvizshme, të sigurt në pajisjet e tyre dhe me besim të plotë në aftësitë e veta, por sidomos te udhëheqësi i tyre, janë përbërësit kryesorë, që garantojnë fitoren në luftë edhe kundër një kundërshtari shumë më të madh në aspektin numerik.

Filed Under: Rajon Tagged With: Paulin zefi

25 VJET UÇK NË SHALË TË BAJGORËS

May 2, 2023 by s p

Nexhat Dedia/

Jemi mbledhur, për të shënuar një jubile të vërtetë historik, një vit jubilar kundër harresës për ngjarjet që bënë kthesën e madhe historike duke ndryshuar rrënjësisht pikëpamjet dhe botëkuptimet e një botë të tërë demokratike. 25 vjetori i themelimit të njësitit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Shalës, 18/05/1998, është një datë e një rëndësie të veçantë prandaj, me lejoni që fillimisht për organizimin e kësaj ngjarjeje, t´i falenderoj nga zemra: 

  • Kuvendin Komunal Mitrovicë.
  • O.V.L. dega në Mitrovicë.
  • Keshillin Organizativ.

Kur kujtoj që para 25 viteve, në këtë fshat të Shalës së Bajgorës, me themelimin e njësitit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ndez edhe shkëndia e parë e krenarisë sonë Kombëtare, është vërtetë një emocion i veçantë.

Për mua është po ashtu një nder i veçantë të paraqes para jush një kronologji, jo vetëm si folës, por edhe si dëshmitarë dhe si një nga protagonistët e ngjarjeve të mëdha historike që u kurorëzuan me vlerën tonë më të madhe, me lirinë.

Dhe këtë arritje dua të ua dedikoj juve të dashur qytetarë, sepse ishit pikërisht ju ata që, duke vënë në rrezik vetën dhe familjet tuaja, na ofruat mbështetjen e pakursyer. Ishte, pikërisht, mbështetja juaj ajo që neve na e shtoi guximin dhe na e përforcoi bindjen se të gjitha këto sakrifica do të kurorëzoheshin vetëm me liri dhe liria erdhi më të vërtetë. Ju na dhatë forcë dhe zemër duke na e bërë edhe  njëherë të qartë se ishit pasardhës të vërtetë të traditës shaljane dhe të patriotëve si: 

  • Isa Boletini, Adem Voca, Ahmet Selaci e shumë trimave të tjerë.

Ishit ju, që vazhduat traditën e 

  • heronjëve tonë të nëntokës, që me grevën e tyre në vitin 1989 shkaktuan një ortek të fuqishëm solidariteti dhe ngritën në këmbë një popull të tërë duke shkundur rëndë themelet e Jugosllavisë së atëhershme dhe njëkohësisht edhe indiferencën e gjithë botës që na rrethonte. Në vitin 1989 në Stan Tërg, nga nëntoka e artë e Kosovës, filloi fundi i një diktature shekullore.

Pas kësaj greve, lindi nevoja e organizimit politik të popullit të Kosovës. Vitet e 90-ta, në Kosovë filloj një organizim paralel me atë serbo-jugosllav dhe udhëhiqej një politikë paqësore e cila përgatiti opinionin botëror për padrejtësit që po i ndodhnin popullit të Kosovës. 

Kjo periudhë karakterizohet me largimin e punëtorëve nga vendet e tyre të punës, helmimi i nxënësve në shkolla, mediat e shkruara dhe elektronike u sanksionuan, ushtarët ktheheshin në arkivole prandaj të rinjët nuk guxonin të qëndronin në shtëpite e tyre sepse policia serbe i kërkonte kohë e pa kohë për shërbim ushtarak ose për armë, ata detyroheshin të flinin nëpër male ose tek të afërmit e tyre bënin çdo gjë që të ndryshonin vend, identitet apo të migronin në vendet tjera, kështu lindi një eksod shumë i madh i shpërnguljes nga moshat e shtyra deri tek fëmijët e sapo lindur për në migrim. 

Migrimet e mëdha shuan shpresat për jetese këtu. Nënat prisnin fëmijët për tu kthyer, motrat prisnin vellëzerit, fëmijët prisnin prindërit, vajzat dhe djemt prisnin të dashurit e tyre, kështu që kjo ishte edhe një periudhë shpopullimi të Kosovës nga Serbia me pasoja shumë të mëdha demografike për vendin, lotët nuk kishin të ndalur.

Politika paqësore në Kosovë, në fund të viteve 90-ta e humbi kuptimin e vet si rezultat i dhunës, represionit, burgosjeve, persekutimeve, ndjekjeve, vrasjeve që ushtrohej mbi popullsinë e pambrojtur të Kosovës.

Në këto rrethana grupe atëdhedashesish të martirizuar, që vepruam fillimisht si grupe ilegale, në hapsira dhe territore të ndryshme gjithandej nëpër Kosovë u kuptua se lirinë askush nuk ta fale, por ajo fitohet me tytën e armëve dhe me gjak.

Nderkaq, ngjarjet e shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Likoshan, Qirez, Prekaz, Llaushë, Vojnikë, etj. forcuan bindjen dhe ndikuan që kudo në Kosovë të kapen armët për çlirim nën moton; “JA VDEKJE, JA LIRI”.

Ngjarjet e mëdha historike përcaktohen nga efekti që ato kanë mbi rrjedhën e historis, 5 Marsi i Adem Jasharit e ka një përmasë të tillë.

Personalitete të mëdha historike janë ata që veprojnë në përputhje me nevojat e historisë.
– E Figura e Adem Jasharit i ka këto përmasa.

Ai e kuptoi, më së miri nga të gjithë ne, se çfarë kërkonte momenti historik. 

Ai e dëgjoi thirrjen e historisë.
Kosova nuk mund të mbyllte shekullin e 20-të duke qenë e robëruar.
Liria nuk mund të shtyhej për më vonë.

Shekulli i ri duhej t’i gjente shqiptarët e Kosovës, të lirë, si gjithë popujt tjerë të Evropës, që po linin pas një shekull të përgjakshëm e plot vuajtje.


Adem Jashari e dinte se hapi i parë drejt çlirimit është mposhtja e frikës, sepse frika është instrumenti kryesor i sundimit të tiranëve dhe diktatorëve.

Diktaturat fillojnë të shemben kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tyre.

Këtë gjë e dinte dhe regjimi fashist i Milosheviqit, prandaj u sul mbi Adem Jasharin me një potencial të paparë ushtarak, me tanke e topa.

Për ta trembur Adem Jasharin, për ta thyer e gjunjëzuar.

Por u gabua!

Në historinë e luftërave nuk ishte parë një dramë e tillë, asnjëherë. Një ushtri e tërë kundër një njeriu dhe një familje. Vetëm në luftën e Adem Voces në Sumë të Shalës më 1945, kishte ndodhur e njëjta ngjarje, por, dhe më e kobëshme, sepse i shuan që të gjithë! Llogarit e serbo-sllavëve dështuan me vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes se tij, menduan se rezistenca po merrte fund, por në anën tjetër Ushtria Çlirimtare po rritej dita ditës në mbar vendin. Vrasja e fëmijëve u shërbente për të vrarë të ardhmen e një populli. Politika vrastare e një regjimi siç ishte ai serb, duke mos zgjedhur as pleq, as gra, as fëmije, as intelektual, as njerëz me nevoja të veçanta, ushtarët serb të bekuar dhe përkrahur nga kisha ortodokse serbo-sllave vranë, masakruan, dhunuan, dëbuan, etj. Pra ky është një popull për studim, i cili rritet dhe begatohet vetëm mbi krimet që I shkakton popujve të tjerë!

Adem Jashari rezistenën e kishte llogaritur, që me çdo çmim do t’i bashkonte shqiptarët si njëhere moti në kohën e Skënderbeut në vitin 1444 në Lezhë, sepse vetëm të bashkuar do ta fitojmë lirinë.

 Kështu ndodhi edhe në regjionin e Shalës së Bajgorës, ku lindi dhe u organizuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne ishim ata që erdhëm nga diaspora në Shqiperi, menjëher pas luftës së Jasharajve, diku fundi i muajit mars 1998, takuam shumë njerëz të lëvizjes kombëtare si: Sef Morinen, Alush Shalën, Azem Sylen, Sokol Pogen e shumë të tjerë që është e pamundur të permenden në një akademi si kjo.

Gjatë qëndrimit diku për rreth tri javë në Shqipëri, bëmë pregatitjet e nevojshme për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së, aty për ku edhe ishim nisur. Në fillim u strehuam në banesën e Haki Drenicës në Krumë të Malësisë së Gjakovës, së bashku me Ganiun takuam Kadri Veselin i cili na sugjeroi që posa të arrijmë në Kosovë të dalim edhe ta themelojmë njësitin e parë të Ushtrisë Çlirimtare në Shalë të Bajgorës, dhe të fillojm organizimin ushtarak në këtë pjesë të Kosovës. Pas pak ditësh në mes të dates 23 – 24 prill 1998, arritëm në Kosovë, në fillim vepruam në Drenicë, gjegjësisht në Likovc, Plluzhin e shumë fshatra të tjera të Drenicës deri sa u takuam me Jakup Nurën. Për një kohë qëndrum dhe vepruam në Prellovc nën komandën e Jakup Nures, grupi ynë i cili përbëhej prej 7 vetash lëvizëm për në fshatin Liqej, te axha i Avni Imerit dhe aty takuam Rrahman Ramen ku morem vendim se grupi ynë duhej të ecnim tutje. Tani kishte ardhur koha që haptas të dalim edhe në Shalë dhe të fillojme organizimin e mirëfillte ushtarak. 

Më 17 maj nga Drenica kemi mbrritur në fshatin Mazhiq të Shalës së Bajgorës, ndërsa me 18 maj 1989, është themeluar njësiti i parë i UÇK në Shalë të Bajgorës. Në fillim u mor vendim që të vendoseshim në fshatin Dedi, ku ishte një rreth më i sigurtë dhe besonim në mbështetjen e popullatës. Mirëpo, falë bujarisë dhe traditës patriotike të familjes së Niman Fejzës, njësiti ynë u vendos në fshatin Zabërgjë, pikërisht ne shtepine e tij në të njëjten datë. Berthama e parë, e cila do të organizohej në rajonin e Shalës së Bajgorës, përbëhej prej shtatë vetash. Dhe kjo ishte përseritja historike e eposit të Shtatë Shaljanëve. Këtë berthamë e përbënim: Avni Imeri, Agim Zeka, Gani Imeri, Emin Begu, Xhafer Bajrami (Zogu), Nexhat Dedia dhe Ferki Aliu, tashmë deshmori i vetëm nga ky grup, dhe njëri nga kreatorët e kësaj celule.

Pas vendosjes në Zabërgjë, grupi yne filloi kontaktet me veprimtarët e fshatrave të Shalës. Detyrë parësore ishte grumbullimi i armëve dhe vullnetarëve. Qysh në ditët e para grupit tonë i bashkangjiten, Ragip Jashari, Shekip Fazliu, Bekim Shyti dhe Rasim Shyti (Kumara), ku na dhane motiv shtesë për të vazhduar luften. Në këtë kohë Zabërgja shëndrohet në qendër rekrutimi të vullnetarëve, kështu që në atë kohë të githa rrugët të shpienin për në Zabërgjë. Njëherit, Zabërgja ishte edhe burim i vetëm i furnizimit me bukë, kripe dhe bujari, pa përjashtuar përkrahjet nga të gjitha anët. Zabërgja tashmë u shëndërrua në qendër stervitore jo vetëm për njësitet e Shalës por edhe për njësitet e Zonës së Llapit.

Zabërgja nga një fshat i vogël dhe pak i njohur (si vullkan i heshtur, përnjëherë shpërtheu dhe u shëndrrua në një kështjellë), për të cilin mori vesh Beogradi dhe mbarë Europa. Pikënisja ishte në Zabërgjë, ndërsa shumë shpejtë të githa fshatrat e Shalës i hapën dyert dhe zemrat për luftëtarët e lirisë, shtruan sofrën e bukës dhe të besës. Gjatë kesasj periudhe takuam shumë njerëz nëpër fshatra të ndryshme, për të krijuar njësite dhe rekrutuar vullnetare të rinj. Nje nga kujtimet e mia qe nuk do ta harroj eshte gezimi I nje te moshuari qe kur u takuam, me lot ne sy, më puthi emblemen e UÇK- se dhe me tha, po e citoj: “Nuk kam menu kurr se da ta pres diten qe dikush ka me ja kthy pushken shkaut, po ja qe e prita dhe jam me I knaqun se kurr me pare. Sot me dek, ma nuk me metet marak, se, e pash uniformen dhe qizmen tone shqiptare” perfundon citati.

Emocione te tilla neve na u percollen nga persona te te gjitha moshave, gjatë gjithë luftës populli dhe ushtria ishin si një trup i pandarë, këtë e vërteton pushimi i të githa ideologjive partiake e politike të cilat u vunë në shërbim të ushtrisë dhe luftës. Falë bujarisë dhe mikëpritjes Shaljane, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti një shkallë shumë të lartë organizimi dhë me nderë luftoi dhe veproi deri në mbarim të luftës. Si perfundim në këtë rajon ndodhën ngjarje të lavdishme gjatë kësaj lufte. Ky rajon arriti t’i ngrisë lavdinë gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njohjen ndërkombëtare si njësit i organizuar ushtarak pas zënjes rob te tetë ushtarëve serbë dhe shkëmbimit të tyre me nëntë ushtarë nga radhët e UÇK-së, ngjarje e cila e faktorizon UÇK-në si ushtri te rregullte e dale nga zemra e popullit.  

Atë ditë ishte edhe disfata e parë e serbise ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është e pa pranueshme që meritat e këtij rajoni dhe ngjarjen e zënjes rob të tetë ushtarëve serb t’i marrin njësite nga trevat tjera, po ashtu të botohen edhe në libra të pavërteta se gjoja një akt i till kishte ndodhur në rajonet tjera. Si perfundim Historia i dha të drejtën dhe lavdinë Adem JASHARIT dhe luftës për liri të Ushtrise Çlirimtare të Kosovës.

Shqetsuese për mua është burgosja e çlirimtareve, njollosja e tyre, fatkeqesisht nga faktori nderkombtar dhe ai serb. Vendosja e popullates sllave në rajonin e Ballkanit ishte një ogur i zi për iliro-arbërit e vetëm që ishin këtu. Populli serb i mbështetur nga Rusia, kanë bërë gjenocid të pandërprerë me shekuj të tërë mbi popullsine shqiptare, dhuna, debimet, spastrimet etnike të territoreve të tëra siç ishin ato nga Nishi, Prokupla, Kurshumlia, Vranja e shumë e shumë territore të tjera, spastrimi etnik i doli në shesh për faktorin ndërkombëtar vetëm në luftën e fundit mes serbise dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një ndër brengat më të mëdha janë edhe të zhdukurit që ende nuk dihet për fatin e tyre. Përpjekjet për copetimin e Kosovës, ende nuk kanë përfunduar, por, ne jemi ata që ditëm si popull të organizohemi në luftë të armatosur dhe prape ne duhet të jemi të gatshëm sa herë që na therret atëdheu.

Misioni ynë duhet te jetë bashkimi kombëtar në kufijte natyral që kishte shqiptaria. Përulje në përjetësi për bashkëluftetarët tanë që flijuan jetën e tyre për liri, atyre që dhanë gjymtyrët nga vetja e tvre, të gjithë atyre që dhane kontribut për lirine e vendit dhe martirëve që ndane kafshaten e gojës nga fëmijët e tyre për ushtrinë tone të lavdishme. I lehtë u qoftë dheu i Kosovës Dëshmorëve.

Fjalim i mbajtur me rastin e 25 vjetorit të themelit të njësitit të pare të UÇK në Shalë të Bajgorës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Nexhat Dedia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT