• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova 15 vjet Pavarësi, Festohet në Vitin e Ri 2023

December 16, 2022 by s p

-Ngjarja e vitit 2022  e Kosovës aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 15 Dhjetor/

-Kosova nëpër vite…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 15 Dhjetor 2022/ Ngjarja e vitit 2022  e Kosovës është kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një ditë më parë në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.

E në prag të Vitit të Ri  Qeveria kosovare në mbledhjen e 112-të këtë dhjetor ka themeluar Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Vitin e Ri 2023 Kosova  me Axhendë Shtetërore do festojë jubileun e 15 vjetorit të  Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie në atë kohë drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,   në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. 

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Pas shpalljes së Pavarësisë Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta, dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2023-tën festohet edhe 24 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynte në Kosovë raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe për Radio Televizionin Shqiptar…

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Viti 2023 i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës vjen për të gjithë shqiptarët kudo edhe me nje fastë tjetër pavarësie pas festës së madhe kombëtare të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë …

Shqiptarët kanë dy festa të pavarësisë, të Shqipërisë të shpallur në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe të Kosovës të shpallur në Prishtinë  në 17 Shkurt 2008 . 

Gëzuar!

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari

Presidentja Osmani takoi të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar

December 12, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Presidentja Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur dje, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokal, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi.

Ajo potencoi se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë.

Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.

Në takim u diskutua se si të avancohen edhe më tej raportet mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, dhe në veçanti kërkesën e Presidentes Osmani të bërë në qershor 2022 për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

Filed Under: Rajon

NËNTORI I KRENARISË KOMBËTARE / 110-VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

December 10, 2022 by s p

Shënimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë  të shqiptarët në Mal të Zi ka filluar nga viti 1991, nga partitë politike dhe shoqëria civile ndërsa nga viti 2008 organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, duke mbetur festa  që i bashkon shqiptarët  si në vend dhe në diasporë, duke përkujtuar  me pietet e  nderim të  gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar pjesëmarrës!

Te rrallë janë ata popuj që kanë një datë ne historinë e tyre kombëtare siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare. Kujtesa historike na shpie ne Krujën legjendare, na kujton 28 nëntorin  e vitit 1443 dhe na ngjallë fuqishëm  epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm  lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian. Prandaj, heroi ynë kombëtar me kohë i ka kaluar përmasat e historisë kombëtare dhe është bërë pjesë e historisë botërore.

Por, pas kësaj periudhe të lavdishme shqiptarët përjetuan  plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje por arritën për të  ruajtur identitetin kombëtar. Ne këto kohëra te robërisë dhe te mbijetesës  edhe flamurin kombëtar e rrembeu vala shkatërrimtare. Kur armiqët tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarza në zemrat tona. Patrioti, Faik Konica duke hulumtuar në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitësh, sërish valoi Flamuri i Skënderbeut. 

Pas Nëntorit të Parë, përkulemi me respekt të thellë para emrit  dhe veprës së plakut të mençur të Vlorës, Ismail Qemalit i cili me 28 nëntor 1912, ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, që ne histori njihet si Nëntori i Dytë. 

Festën e Flamurit, që është dita më e rëndësishme e historisë kombëtare, mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse ne saje të vendimëve të padrejta në  Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), jashtë shtetit te sapoformuar shqiptarë mbeten më së gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.

Edhe pse  për këto 110-vite  ne periudha te ndryshme shqiptarët jashtë kufinjëve politikë te shtetit amë përjetuan vuajtjet, persekutimet, diskriminimin  dhe ekzodet biblike, ata megjithë reduktimin e vazhdueshem te numrit dhe te territorit të tyre mbijetuan, duke u përpjekur vazhdimisht te konsolidohen dhe te avancojnë te drejtat kombëtare.

Kosova  nga viti 2008 është shtet i pavarur, por ende pa konsilodim të pushtetit në terë territorin e vet. 

Shqiptarët ne Maqedoni dhe ne Luginën e Preshevës, pas luftës së  tyre për barazi kombëtare, janë ne pritje te realizimit praktik të barazisë kombëtare. 

Shqiptarët në Mal të Zi  angazhohen për avancim te statusit të tyre politik si dhe integrimin e tyre me identitet kombëtarë. 

Shqiptarët në Çamëri janë pothuaj të harruar, por ne kërkim të vazhdueshem për njohjen e ligjshme të  tyre mbi pronat dhe trojet e veta kombëtare.

Ndërsa diaspora shqiptare e shpërndarë anë e kend botës paraqet ndërgjegjën tonë kombëtare e cila  ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke e ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare e sidomos ne vitet 1991-1999, andaj meriton nderim te vazhdueshem.

Shqiptarët  kur kremtojnë Ditën e Flamurit 28 Nëntorin, përkatësisht Pavarësinë e Shqipërisë, paraqiten të bashkuar por të tillë duhet të jenë vazhdimisht sepse çështja kombëtare nuk është çështje private, partiake apo e klanëve të ndryshme, sepse kombi, gjuha e flamuri kombëtar shqiptar mbetën mision i përjetshëm i botës shqiptare.

Të ndëruar pjesëmarrës,

Janë të rrallë ata individ që mund ta kenë ditëlindjen e tyre me datat madhore të historisë së kombit, por më këtë rast kemi një përjashtim sepse Dita e Flamurit-28 Nëntori përkon me ditëlindjen e  Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai me aktin madhor të flijimit të tij dhe të tërë familjes, vulosi  fitoren e shqiptarëve me ç’ rast nisi një erë e re për shqiptarët duke i dhënë  kuptim ardhmërisë së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Dita e Flamurit-28 Nëntori, është datë historike dhe emblemë e fuqishme e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë, andaj si e tillë është festa e të gjithë shqiptarëve. 

Ne këtë ditë të shenuar, shqiptarët si ne trojet e tyre etnike dhe ne diasporë,  kujtojnë me pietet dhe nderim të thellë të gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar.

Eshtë kjo festa e shenjtë kombëtare qe i bashkon shqiptarët, rreth Flamurit të përbashkuar, si në Himnin Kombëtar.

Ju faleminderit dhe gëzuar festën!

                                                                                                        Dr.Nail  Draga

         (Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit  në Ulqin  me 28 nëntor 2022)   

Filed Under: Rajon

Diskriminim edhe në përdorimin e simboleve  Kombëtare

December 8, 2022 by s p

Shkruan: Refik HASANI/

Shqiptarët në Republikën e Serbisë që jetojn në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, vazhdojn të përballen duke u diskriminuar, pasi mungon rregullimi me ligjë për përdorimin e simboleve Kombëtare. Shumë qytetarë të  kësaj Krahine shqiptare vazhdojn të përballen nëpër Gjykata Serbe, pse kan përdorur Flamurin Kombëtarë Shqiptarë.

Përdorimi i simboleve Kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, Kombëtare dhe ekzistenciale, por ende nuk është rregulluar përdorim me dispozita ligjore, e kështu vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin e simboleve. Mos lejimi i përdorimit të simboleve Kombëtare,  është  shkelje, cenim, mohim i së drejtës elementare individuale dhe kolektive të neve shqiptarëve  në këtë Krahinë, përkundër që  më datën  1 e 2 marsit të vitit 1992, është organizuar dhe mbajtur  Referendimi dhe ka ndodhur lufta e armatosur në mesë të UÇPMB-ës dhe forcave të qeverisë së Republikës së Serbisë.

Krahina shqiptare e mbetur padrejtësishst nënë administrimin e Serbisë, është e diskriminuar edhe në pasivizimin e adresave-një pastrim entik i heshtur,është e diskriminuar në parfaqësim në institucione Lokale dhe Qendrore të Republikës së Serbisë, është diskriminuar në zingjirin Komandues të Policisë, në Gjykata, Prokurori,  Shëndetësi, Administratë Tatimore, është e diskriminuar edhe në kulturë,  në informim, në investime të zhvillimin ekonomik.

Kjo Krahinë shqiptare, është e diskriminuar nuk lejohet vendosja e Shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit,dhe  Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë i hequr nga forca policore  ende nuk është kthyer në vendin e vetë.

Në këtë Krahinë mungon  një Institut për ruajtje të trashigimisë kulturo-historike, mungon një Universitet publik në Gjuhën Shqipe e në anën tjetër ende nuk  pranohen   diplomat e  Republikës së Kosovës. 

Kjo Krahinë shqiptare, është e diskriminuar, pasi  kjo Krahinë është Rajoni më  i prapambetur dhe më i diskrimnuar në gjithë Evropën. 

Mbi të gjitha,ky Rajon nuk e ka zgjidhur çëshjtje e statusit politik të shqiptarëve të kësaj krahine, prandaj vazhdon diskriminimi edhe në përdorimin  e simboleve  Kombëtare e jo vetëm. 

Filed Under: Rajon

Plani pesëvjeçar i shtetit shqiptar për zhvillimin e propagandës kombëtare në kolonitë shqiptare (1934-1939)

December 6, 2022 by s p

Dr.Hasan BELLO

Në fillim të shek. XX si rezultat i rrethanave të vështira ekonomike me të cilat u përball populli shqiptar, një pjesë e popullsisë u detyrua të emigronte drejt ShBA, Europës dhe vendeve të tjera ballkanike. Sigurisht që vala e emigrimit ka filluar më herët, por është pikërisht kjo periudhë kur krijohet një raport i çuditshëm lidhur me anën sasiore. Kështu, vihet re se në disa shtete të ndryshme numri i shqiptarëve arriti të ishte aq i madh saqë ia kaloi edhe disa qyteteve të Shqipërisë. Një rast tipik është Stambolli në të cilin në vitet 20-të banonin rreth 20.000 shqiptarë. Cili qytet i Shqipërisë kishte një numër kaq të madh banorësh në këtë periudhë? Edhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë që jetonte brenda vendit, numri i shqiptarëve që jetonte në emigracion ishte disa fish më i madh.

E vetmja fatkeqsi për diasporën shqiptare ishte përkujdesja e shtetit amë. Megjithatë nuk mund të thuhet se interesi ndaj kolonive shqiptare ishte krejtësisht zero. Gjithmonë shteti shqiptar është përpjekur që, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat ndodhej herë pas here ta hidhte vështrimin edhe tek këto koloni. Për ta ilustruar këtë me një rast konkret do të sjellim si shembull një plan pesëvjeçar për vitet 1934-1939, i cili kishte si synim kryesor zhvillimin e propagandës kombëtare në kolonitë shqiptare, duke hapur dhe financuar disa shkolla e kurse të gjuhës shqipe.

Në raport fillimisht arsyetohej dhe argumentohej se përse ishte e domosdoshme hartimi i këtij plani të detajuar. Ai niste me faktin e dhimbshëm duke konstatuar se mjerisht shqiptarët e kolonive po shkombtarizoheshin dita ditës, duke u asimiluar, si nga gjuha ashtu dhe nga zakonet, karakteri apo ndjenjat. Procesi i shkombtarizimit tek shqiptarët e vendosur familjarisht nëpër shtete të huaja ishte duke shkuar paralelisht me zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit ndër këta shqiptarë. E kundërta vihej re tek disa koloni ku shqiptarët kishin mbetur më pak të zhvilluar nga pikëpamja kulturore, tek këta të fundit shihej një konservim më i mirë i gjuhës dhe i karakterit kombëtar. Kurse në kolonitë ku ndodheshin shqiptar më të qytetëruar, sidomos tek ata më të kulturuarit procesi i shkombtarizimit zhvillohej në mënyrë të shpejtë dhe përfundimtar. Nga kjo kategori, sigurisht që më i prekur ishte brezi i ri, i cili ishte lindur dhe rritur në emigracion. Nëse nuk merreshin masa të menjëhershme nga shteti shqiptar, ky brez sipas raportit në fjalë ishte kryekëput i humbur. Kjo sepse fuqia konservative e emigrantëve nuk mund ta përballonte fuqinë asimiluese të kulturave të huaja. Sidomos shkollat nëpër të cilat studionin fëmijët shqiptar nga mosha e vogël deri në ciklin universitar do të ndikonin që, ata kur të dilnin në jetë ta kishin humbur krejtësisht vetëdijen kombëtare. Si shembull, sillej rasti i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, nga cila megjithëse kishin dalë vazhdimisht intelektualë dhe patriot të njohur, fëmijët e tyre gradualisht ishin duke u shkombtarizuar. Prandaj, nëse nuk ndërhyej brenda dy-tre brezash rrezikohej që të zhdukej e gjithë pjesa e emigruar e kombit shqiptar. Por ky proces shkombtarizimi, sipas raportit, nuk zhvillohej njësoj edhe për kolonitë e tjera, si tek kombësia greke, armene, hebreje etj. Përkundrazi, të gjitha këto koloni në pjesën dërrmuese të tyre vazhdonin ta ruanin gjuhën dhe karakterin e tyre kombëtar, ndonëse kishin emigruar shumë kohë përpara shqiptarëve. Shkaku kryesor ishte se në ndryshim me kolonitë shqiptare, atyre nuk i kishin munguar shkollat dhe organizatat kombëtare. Prandaj, nga kjo pikëpamje ishte e nevojshme që shteti ynë të ndërhynte seriozisht për t`u ardhur në ndihmë shqiptarëve të emigruar. Por, hapja e shkollave dhe e instituteve kombëtare që do të merreshin me përhapjen e gjuhës dhe kulturës në kolonitë shqiptare ishte një barrë e rëndë për arkën e varfër të shtetit. Nga ana tjetër, raporti konstatonte se edhe nëse hapeshin këto shkolla, nuk mund të thuhej se do të sillnin përfundimin e duhur, për këto arsye:

  1. Pamundësia për të hapur më shumë se nga një shkollë fillore në çdo qendër kolonie (Bukuresht, Sofje, Stamboll, Kajro etj) do ta bënte të pamundur që në këto shkolla të studionin të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptar që jetonin në qytete të ndryshme.
  2. Pas përfundimit të këtyre shkollave kombëtare, fëmijëve shqiptar do t`u kufizohej mundësia për të vazhduar studimet në shkollat e ciklit të mesëm apo universitar, mundësi e cila u ishte siguruar në rast se studionin në shkollat vendase që kishin lidhje kontinuiteti me njëra-tjetrën.

Për këto arsye, në raport vihej theksi tek gjetja e një formule të mesme, e cila do të siguronte minimumin e shpenzimeve dhe maksimumin e rezultatit, në mënyrë të tillë që të shpëtoheshin të gjitha brezat e shqiptarëve nga procesi i shkombtarizimit dhe duke mos ia mbyllur atyre rrugën e një zhvillimi të plotë kulturor. Kjo gjë, mund të realizohej duke krijuar në të gjitha qendrat e kolonive shqiptare shkolla speciale për adoleshentët. Qëllimi i këtyre shkollave nga pikëpamja kombëtare do të ishte të plotësonin kulturën e përgjithshme që të rinjtë shqiptar merrnin në shkollat vendëse. Një aspekt tjetër ishte edhe mbledhja e të rinjve shqiptar në shoqata kulturore e sportive me ngjyrim kombëtar. Këto shkolla speciale, meqenëse do të frekuentoheshin nga nxënës pak a shumë të rritur dhe të përgatitur në shkollat vendase, programi i tyre duhej të ishte sa më i përgjithshëm. Prandaj, sipas raportit, çdo shkollë e tillë duhet të kishte dy seksione:

  1. Seksionin e gjuhës shqipe;
  2. Seksionin e literaturës, historisë, gjeografisë si dhe njoftime të përgjithshme shqiptare.

Seksioni i parë planifikohej të ishte një shkollë nate, e cila do të kishte si qëllim që t`u mësonte nxënësve shqiptar të flisnin, të lexonin dhe të shkruanin gjuhën shqipe. Nxënësit do të ndaheshin në dy-tre grupe ose dhe më shumë sipas rastit dhe mësimet për seicilin grup do të jepeshin së paku tre herë në javë. 

Seksioni i dytë, i cili do të mblidhte nxënës më të rritur ose studentë që dinin ta shkruanin dhe ta lexonin gjuhën amtare, mund ta zhvillonte programin e vet sipas rrethanave, natën, në fundjavë ose në kohën e pushimeve shkollore. Programi i këtij seksioni do të zhvillohej në trajtën e konferencave me karakter të përgjithshëm, që duheshin përgatitur paraprakisht. Konferenca të tilla duhej të organizoheshin periodikisht edhe për publikun. Në mbarim të çdo seksioni, nxënësit do t`i nënshtroheshin një provimi përfundimtar dhe më pas do të paijseshin me çertifikata të posaçme. Këto çertifikata do të kishin peshën e duhur për të ekuivalentuar diplomat që këta nxënës kishin fituar në shkollat e huaja në vendet përkatëse. Kjo bëhej me qëllim që nëse dëshironin të përfitonin bursa ose të shërbenin në administratën shqiptare ata t`i kishin rrugët e hapura si të gjithë shqiptarët që jetonin brenda shtetit amë. Kjo do ta favorizonte tej mase forcimin e arsimit kombëtar tek kolonitë shqiptare dhe do t`i shtynte të gjith prindërit për t`u siguruar më shumë avantazhe fëmijëve të tyre.

Për të përmbushur këtë plan konkret u hartua një preventiv i detajuar lidhur me hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Bukuresht, Stamboll, Kajro, Sofje, Selanik, Kostancë etj. Në këtë preventiv parashikohej një buxhet pesë vjeçar për mësuesit, qeratë, mobiljet, energjinë elektrike etj., çka tregonte për seriozitetin e kësaj nisme.

Filed Under: Rajon Tagged With: hasan bello

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT