• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SELANIKU NA BËN BASHKË!

September 4, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA/

Jemi të nderuar që sonte jemi bashkë këtu në Kishën Katolike në Selanik, si mysafir të Komunitetit shqiptar të këtij qyteti.

Sonte i është bashkuar kësaj atmofere impozante edhe një delegacioin nga vendlindja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereze, nga Shkupi ynë, në krye me drejtorin e ITSHKSH, prof. dr. Skender Asani. Ata në Selanik po sjellin jehonën e një pune kolosale që po bëjnë në kuadër të projekteve hulumtuese, sidomos ato që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore, ku bën pjesë edhe trashëgimia e familjeve katolike shqiptare, në mesin e të cilëve edhe ajo e Bojaxhinjve, prej nga doli Gonxhja jonë dhe Nënë Tereza e gjithë botës, e cila njerëzimit i fali modelin më unikat të përkushtimit ndaj Zotit dhe njeriut.

ITSHKSH në Selanik po vjen me DRITËN E GONXHËS për të sjellë sa më shumë dritë në komunikimin tonë ndërshqiptar, por edhe me popujt tjerë fqinj, me të cilët na ndan jo vetëm gjeografia e përbashkët, por edhe e ardhmja, e cila duhet të jetë e liruar nga mjegullat e së kaluarës.

KJo mbrëmje që po na bashkon sonte, nuk do të mund të ishte madhëhtore pa kontributin e Komunutetit shqiptar në Selanik, në krye me Luan Zykën, një intelektual dhe veprimtar i devotshëm, të cilin po e pate mik, je me shumë fat.

Një fat i tillë më ka ndjekur edhe mua, sepe miqësitë nuk janë krejt të ratësishme. Miqësitë ngjizen si një fryt që shijen e formojnë në bazë të kujdesit dhe respektit që tregojmë ndaj njëri tjetrit. Kjo u dëshmua edhe historikisht, atëherë kur Selaniku ofronte mikëpritje e ngrohtësi edhe për shqiptarët.

Si një metropoli heterogjen i popujve ballkanikë të cilët jetonin së bashku prej shekujsh, në Selanik edhe shqiptarët në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetete politike dhe kulturore

Në këtë qytetet kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina, i cili u vra në 1933, po në këtë qytet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptarë Mehmet dhe Ahmet Kapandzit.

Në vilën e Mehmet Kapandzi nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht tëvitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.

Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.

Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 Tetor 1912, komandanti i atëhershëm turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut.

Hasan Tahsin Pasha pas i dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku vdiq në vitin 1918 në Lozanë të Zvicrës.

Selaniku, siç po e shohim edhe tani, u bë një vendpritës i mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët në këtë qytet gjetën perspektivë, si në aspektin e mbijetesës sociale, por edhe në aspketin e zhvillimi të karrierave profesionale. Dëshmi për këtë është edhe hapja e shkollës për mësimin e gjuhës shqipe, e cila për gjeneratat e reja po bëhet një fanar që ndriçon udhën e Dhaskal Thodrit në misionin e shenjtë të shkronjave shqipe.

Një mirënjohje e thellë për këtë organizim të sontëm shkon për Komnunitetin hqiptar në Selanik në krye me Luan Zykën, por edhe për krerët e Kishës Katolike, të cilët hapën dyert dhe zemrat për karvanin tonë nga Shkupi, i cili udhëtimin e vet po e vazhdon në kërkim të unitetit dhe mirëkuptimit ndërvëllazëror e ndërnjerëzor.

U pafshim në organizime të tjera, me aktivitete e punë përbashkuese!

Selanik, 3 shtator 2022

Filed Under: Rajon Tagged With: Mehmet Prishtina

Kosova dhe Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për dokumentet e identifikimit

September 1, 2022 by s p

ZERI I AMERIKES


Nga orët e para të së enjtes, në vendkalimin kufitar në Merdarë që lidh Kosovën me Serbinë, qytetarët nga të dyja anët po e kalojnë kufirin vetëm me karta të identitetit. Autoritetet serbe kanë ndaluar lëshimin e dokumentit për hyrje dalje për shtetasit e Kosovës, pas rreth 11 vjetësh, ndërsa Kosova hoqi dorë nga synimi për të vendosur masat reciproke për këtë çështje.

“Kaluam shkëlqyeshëm, shumë më mirë nga sa e mendoja, janë shumë të kulturuar dhe të këndshëm, është mirë”, tha Branislav Berçan, një shtetas i Serbisë që kaloi kufirin në Merdarë të enjten.

“Këtu mua më ka ndodhur ta them të vërtetën që 13 orë kam pritur para tri vitesh për të hyrë nga Serbia në Kosovë, tash sa vite e pamundur ka qenë të mos presim tri apo katër orë për të hyrë në Kosovë, por edhe dalja nga Kosova ka qenë e njëjtë. Kjo do të thotë është një lehtësim shumë, shumë i mirë për neve dhe shpresoj që do të funksionojë”, thotë Ragip Imeri, një qytetar i cili ka vite që kalon nëpër këtë vendkalim kufitar.

Autoritetet serbe kanë vendosur njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë, por kjo nuk e paragjykon statusin politik të Kosovës.

Dakordimi i së shtunës në Bruksel, pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e rreth 11 vjet me radhë.

LEXONI EDHE KËTË

Borrell: Kosova dhe Serbia bien dakord për dokumentet e identifikimit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, mirëpriti sic shkroi në Tëitter, “fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbi dokumentet për hyrje – dalje. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë në qendër. Presim të shohim përparim në çështjet tjera në muajt në vazhdim”.

Nga sot rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbw që përdorin targa të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të enjten qytetarëve serbë në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë periudhë për konvertimin e targave.

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR dhe PE janë trashëgimi e (Slobodan) Millosheviçit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti një video-mesazh në gjuhën serbe.

Vendimi kundërshtohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia arriti më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën për dokumentet e identifikimit, ndërsa duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti lidhur me targat e makinave tha se “ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”.

“Nuk shoh ndonjë zgjidhje në këtë moment dhe me një shtator ata (autoritetet e Kosovws) do të vazhdojnë fushatën e tyre dhe do të provojnë t’i detyrojnë serbët që jetojnë në Kosovë t’i ndryshojnë targat e makinave. Nuk mendoj se do të kenë sukses në këtë gjë. Kurti ka thënë gjatë bisedimeve në Bruksel se beson që do të arrijë sukses të madh dhe se është i sigurt që serbët do të pranojnë idenë e tij për të zëvendësuar targat ‘KM’, do të shohim”, ka thënë presidenti Vuçiç.

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, përgjatë ditës janë parë disa afishe në kundërshtim të zbatimit të marrëveshjes për dokumentet e identifikimit dhe paralajmërimit për konvertimin e targave.

Bashkimi Evropian tha të enjten se Prishtina duhet t’i japë kohë të mjaftueshme zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës. “Është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të jetë i përgatitur dhe të zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët që preken nga vendimi, në linjë me praktikat e mira evropiane”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian, siç transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

BE-ja shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e cila llogaritë në përkrahjen e Moskës dhe Pekinit.

Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk i ka vene sanksione Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.

Filed Under: Rajon

Fëmijët dhe “prindërit e tranzicionit”

August 31, 2022 by s p

Ina Haxhija/

Ka ardhë një kohë që fëmija nuk “lihet” me lujt vetëm në lagje, as në park!! Çohuni prej instagrami e prej telenovelave!!

Një individ që kryen veprime të tilla me minorenë (pa dallim gjinie, pasi rastet e pedofilisë nuk njohin gjini), nuk e ka problem ligjin, pasi qartësisht nuk drejtohet prej konjitives, por prej instiktit.

Mos shfryni në facebook, instagram, as shesh! Drejtësia e kapur, policia e kapur, institucionet e rehabilitimit të kapura…. Ju? Kapni fëmijët!!!

Flisni me fëmijët, jepjuni mundësinë të jeni ju superheronjtë e tyre për çdo rast! Dhuna verbale dhe fizike që ushtrohet në familjet shqiptare veç krijon viktima të dhunës se cdo forme në të ardhmen.

Kam reaguar dhe më parë sesi “prindërit e tranzicionit” kam vendosur t’i quaj, përfshire prindërit e mi, dalin jashtë çdo mundësie për t’iu ofruar botën në duar fëmijëve. Kur në fakt tani ka lodra e veshje pa fund, për çdo buxhet, por me mjete të tilla presupozohet se tregohet dashuria.

Marrëdhënia prind-fëmijë është boshti i zhvillimit të botës. Nëse doni nje botë pa krime, pa dhunë, pa nje monstër në përrallën e radhës, mëkojini fëmijët me empati, dashuri, sinqeritet! Të tre keto emra i bashkon vetëm një fjalë: E Vërteta!

Të gjitha perceptimet e tjera, se fajin e kane pedofilët, mashtruesit, hajdutët, rruga, policia, ligji, e ku ta di une ç’justifikim tjetër do të gjejmë; janë veçse GËNJESHTËR! Bëhuni të vërtetë të paktën kur në pyetje është fëmija juaj! Jepini kohën tuaj, jepini dorën tuaj, jepini zemrën tuaj që vlen sa mijëra lodra, mijëra makina, që të gezojmë një botë të pastër, si fëmijët vetë.

Filed Under: Rajon

Feja – kërkim, shpresa – veprim, dashuria flijim dhe dhurim

August 27, 2022 by s p

Nga Don Lush Gjergji/

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910, nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane l. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos”, që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi si infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe selakim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën. U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi jetë më 5 shtator 1997.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza bazore jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997). Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: feja, shpresa dhe dashuria.

FEJA – KËRKIM

Faza e pare 18 vjeçare karakterizohet me kërkime. Gonxhja së pari në gjirinë e saj familjar gjithnjë kërkonte prej prindërve babës Kolë dhe nënës Drane, kuptimin e jetës dhe domethënien e veprimit. Më vonë këtë kërkim e kishte vazhduar edhe në bashkësinë famullitare të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, së bashku me rininë katolike, por edhe me të gjithë të tjerët. Kërkonte në brendi dhe në thellësi pse-hin e shumëçkahit, nuk ndalej vetëm në vrojtime dhe konstatime, por gjithnjë hulumtonte, gjurmonte, analizonte…

Ja dëshmia e saj: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’u dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur… Në fillim nuk më pëlqente fare ky mendim, “tundim”. Disa herë kam menduar se isha liruar nga kjo dëshirë… Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ndihmoi shumë për ta arritur një vendim të tillë”.

Pas afro gjashtë viteve të “luftës” me Zotin, ajo kupton, pranon, përcaktohet për jetën rregulltare. Ajo thoshte: “Më 14 gusht të vitit 1928 u gjunjëzova para trupores së Zonjës së Letnicës me qiri në dorë dhe me zemër të dhezur duke u lutur kështu: Më munde o Zot, fitove o Zonjë! Unë kam vendosur që të bëhem motër misionare për t’iu kushtuar Zotit dhe të afërmit, sidomos të varfërve të botës”.

Dhe kjo fe, ky kërkim nuk u ndërpre më askurrë. Kërkonte vullnetin e Zotit, Zotin, nëpërmjet njeriut, dhe në njeriun vëlla – motër – Zotin, bile edhe në ata që s’kishin më as dukje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga varfëria, uria, sëmundja, dëbimi, gërbula… Gjithnjë kërkonte dhe gjithnjë gjente Zotin në çdo njeri, dhe mu për këtë ishte aq e lumtur, më e lumtura në botë “sepse 24 orë në ditë jetonte dhe vepronte me Zotin, për Zotin, me njeriun, për njeriun”.

Kërkimi i saj vazhdoi gjatë tërë jetës, në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrë dhe rrethanë jetësore, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu – njerëzimi mos të pësojë, por të jetojë, mos të urrejë, por të dashurojë, mos të vdesë, por të jetojë tani dhe në amshim. Syri, mendja dhe zemrae saj e madhe ishin gjithnjë në kërkim në nder dhe lavdi të Zotit, në të mire dhe në dobi të njeriut, të popullit.

Për Nënën Tereze të besosh domethënë të kërkosh.

SHPRESA – VEPRIM

Faza e dytë jetësore e Nënës Tereze karakterizohej me veprim sipas stilit dhe porosisë së Jezu Krishtit i cili thotë: S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shëbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës. Motra Tereze e Loretos shpresën e konkretizoi në veprim shërbimi. Së pari si infermiere, më vonë si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme të Motrave të Loretos në Kalkutë dhe në rrethinë, gjithnjë me shumë përkushti dhe me plot dashuri. Së shpejti bëhet Histori e kërkimit të pashoq dhe të veprimit shembullor në dobi të vëllaut njeri, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare, rasore, kastore… Për afro 20 vite e mësonte rininë e Kalkutës, i edukonte me fjalë, mësime, shembull, jetë gjithnjë e udhëhequr nga fuqia e fesë dhe nga frymëzimi i dashurisë. Mirëpo as kjo nuk e kënaqte. Të gjithë e donin dhe e nderonin, e admironin, mrekulloheshin me jetën dhe veprimtarinë e saj, ndërsa ajo gjithnjë kërkonte, vepronte dhe e pyste vetveten para Zotit dhe para ndërgjegjjes: Kush jam unë? Çka kërkon dhe prêt Zoti prej meje? Çka duhet të bëj unë këtu dhe tani për këta njerëz, për mbarë Kalkutën, Indinë, për mbarë njerëzimin?

Dhe ja prapë dëshmia e saj: “Si fluturon koha këtu. Kur ndalem dhe mendoj për thirrjen time misionare, mund të them vetëm një FALËNDERIM të madh e të përzemërt, Ty o Zot, që më ke dashur aq shumë dhe që më ke dhënë mundësinë e dashurisë së përkujdesjes ndaj të tjerëve” (Nga letra vëllaut Lazër në viti 1937).

DASHURIA – FLIJIM DHE DHURIM

Nga kjo fe – kërkim – shqetësim kreativ, nga ky veprim – shërbim që ishte shpresa e saj e madhe dhe e pathyeshme, lindi edhe faza e tretë: NËNA TERZE – MISIONARE E DASHURISË, dhurimi dhe flijimi si shprehje e vazhdueshme dhe e plotë e Dashurisë. Kërkimi (feja), veprimi (shpresa) dhe dhurimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprim – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

“Vetëm duke dhënë njeriu merr;

Vetëm duke harruar vetveten, njeriu e gjen veten;

Vetëm duke falur njeriu është i falur;

Vetëm duke dashuruar njeriu gjen jetën dhe lumturinë”.

Dhe vazhdon:

“Më bëj të denjë, o Zoti im

t’u shërbej të gjithë të varfërve të mbarë botës

të cilët jetojnë dhe vdesin në uri dhe në varfëri.

Jepju atyre nëpër duart tona bukën e përditshme

nëpër dashurinë tonë paqen dhe gëzimin”.

Së bashku me Nënën tone Tereze edhe ne do të besojmë në Zotin dhe në Njeriun, do ta kërkojmë njeriun vëlla ose motër, për t’u takuar, afruar, vëllazëruar dhe bashkuar në shërbim të të Mirës, të të Drejtës, të Vërtetës, mbi të gjitha të Dashurisë. Nëna Tereze me ZOTIN – DASHURI dhe me VËLLAUN – NJERI bëri vërtet mrekullii si binom i pandashëm i jetës dhe veprimit të saj të madh në të gjitha meridianet e botës. Risia e vjetër dhe gjithnjë e re është feja, shpresa dhe dashuria, që për Nënën Tereze ishin kërkimi, veprimi dhe dhurimi, e vetmja mundësi dhe fuqi për ta ndërruar dhe përmirësuar së pari veten, pastaj edhe të tjerët. Plagët tona të vjetra apo të reja ende gjakojnë dhe si të tilla na kërcnojnë dhe rrezikojnë.

T’i çelim sytë për të parë më mire, më qartë, më thellë dhe më larg, ta angazhojmë mendjen për të kuptuar më mirë dhe më rrënjësisht vetveten dhe botën rreth nesh, ta zgjojmë dhe zgjerojmë ndërgjegjjen dhe zemrën për kërkim, veprim dhe dhurim, për bashkpunim dhe bashkëjetesë dhe vëllazëri me të gjithë. Nëse nuk i mundim ndarjet dhe përqarjet e çfarëdo lloji, atëherë ne ende nuk jemi të lirë, aq më pak të mirë, por të robëruar nga e keqja. Ta flakim urrejtjen dhe ta mësojmë dhe zbatojmë artin e jetës – dashurisë, sepse vetëm kështu ne do të jemi bijtë dhe bijat e denja të Nënës së Dashurisë, dhe ajo do të jetë dhe do të mbetet Nëna jonë Tereze, së shpejti Shën Terezja jonë. Kështu ajo na mëson dhe na frymëzon, këtë ajo na dhuron. Me të të gjithë t’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, dmth. së pari Zotit, pastaj njëri – tjetrit, sepse vetëm vëlazërisht dhe bashkarisht mund të jetojmë dhe përparojmë duke u mbështetur në të vërtetën dhe në dashurinë.

Këtë ia kemi borxh Nënës Tereze, vetvetes, të tashmes dhe ardhmërisë sonë./drita.info

Filed Under: Rajon

ITALI – SHBA : NJË LIDHJE PËR T’U PËRFORCUAR

August 27, 2022 by s p

(PËRTEJ KUJT FITON ZGJEDHJET)

Nga SIMONE CROLLA, këshilltar i ngarkuar nga Dhoma Amerikane e Tregëtisë në Itali.

Në këtë gusht veçanërisht të ndezur, që do të çojë në votimet e 25 shtatorit, dëgjojmë shpesh të flitet për besnikëri atllantike. Është e vështirë të thjeshtohet në pak rrjeshta një lidhje – jo vetëm diplomatike – kaq e posaçme, e lindur më 1861 dhe e themeluar mbi një bashkëndarje të thellë vlerash e parimesh, përtej pamjes së numërave, që për ne përkthehen në tregëti e investime dhe dëshmojnë konkretisht rëndësinë e një marrëdhënie besimi që shkon përtej gjithshkaje. Në fakt, Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë tregun e tretë (mbas Gjermanisë e Francës) dhe një fitim tregëtar prej rreth 40 miliardësh. I njëjti optimizëm përsa i përket investimeve të drejtpërdrejta, me amerikanët në Itali baraz me 31,1 miliard dollarë (34,6 % më shumë se në 2003) dhe italianët në SHBA që kanë shënuar një rritje befasuese duke filluar nga 2008 dhe në gjithë periudhën mbas krize, me një vlerë që sot është e barabartë me 31,6 miliard dollarë (355,5 % më shumë se më 2003)

Numëra të rëndësishëm, të fuqizuar më tepër nga rreth 2500 ndërmarrje me pjesëmarrje amerikane që punësojnë rreth 340.000 punonjës e që dëshmojnë rëndësinë e një lidhjeje ekonomike që, megjithatë nuk ka shprehur ende mundësinë e saj të plotë, nëse krahasojmë këto shifra me ato të konkuruesve tanë kryesorë evropianë. Nuk janë vetëm faktorë ekonomikë, sepse ka 31.000 studentë amerikanë që zgjedhin Vëndin tonë si synim i parapëlqyer për rrugëtimet e tyre akademike, të ndihmuar nga më shumë se 150 konvikte e universitete të shpërndarë në të gjithë gadishullin, dhe 15.400 qytetarë amerikanë që jetojnë n’Itali (2,9 % më shumë se më 2019), me Lacion, Lombardinë, Toskanën dhe Veneton si vënde më të kërkuar. Nga ana tjetër jemi në vëndin e tretë si vëndmbërritje e parapëlqyer nga turistët amerikanë, që në 2019 kanë qënë më shumë se 4,4 milionë (7 % më shumë se më 2018). Një trafik ndëratllantik i ndihmuar edhe nga gati 11.000 njerëz që çdo ditë kanë fluturuar drejtpërsëdrejti ndërmjet Italisë dhe Shteteve të Bashkuara (3,93 milionë në dymbëdhjetë muaj) në fazën para Kovid, në sajë të më shumë se 30 fluturimeve ditore.

Edhe sporti sheh një prani yjesh e vijash në rradhët e tij. Nga 2011, viti i hyrjes të investuesëve “yankee” në futboll (A.S. Roma), prania amerikane në këtë sport është shtuar, me 13 skuadra me pronësi transatllantike. Përveç Romës, në serinë A janë amerikane Atalanta, Milani, Fiorentina dhe Spezia. Në serinë B janë Ascoli, Gjenova, Parma, Piza, Spali dhe Venediku, ndërsa në Lidhjen Pro mund të numërohen Campobasso dhe Cezena. Kërshëri, edhe fusha e verës është veçanërisht e vlerësuar, me pesë punishte (Banfi, Fantini, Vietti, Enrico Serafino dhe Ruffino) me pronësi amerikane. Së fundi, siç dëshmohet nga Covid Corporate Aid Tracker, e përpunuar gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara kanë qënë përkrah Italisë që nga fillimi i pandemisë, në sajë të bujarisë së sipërmarrjeve amerikane që kanë dhuruar 50 milionë euro në ndihmë të piskamës, veç falë Administratës amerikane dhe përkujtesës që i lejoi Italisë të përfitonte 100 milion dollarë në ndihma ekonomike e shëndetësore. Mund të vazhdohet, por ka mjaft lëndë për të përsiatur mbi rëndësinë e kësaj miqësie të lashtë e në të njëjtën kohë t’aftë për t’u projektuar me besim drejt s’ardhmes, një miqësi e themeluar mbi bashkëndarjen e një pasurie ideali që zhyt rrënjët n’ato vlera që përbëjnë rendin liberal ndërkombëtar, si mbrojtja e shumanësisë, e demokracisë dhe e lirisë kundër çastit të regjimeve të rinj iliberalë.

Prandaj, për t’ardhmen tonë, përtej asaj se kush do t’i fitojë zgjedhjet, është e detyrueshme të kujtojmë se atë që jemi sot i a detyrojmë edhe miqve amerikanë që, duke filluar nga operacioni Husky i vitit 1943 ( i sendërtuar nga aleatët në Siqili, shënoi fillimin e fushatës së Italisë, me synimin për të çliruar Vëndin tonë dhe Evropën- dhe është detyrë e jona të kujtojmë me frymë të thellë mirënjohjeje më shumë se 30.000 ushtarët amerikanë të rënë në Itali) dhe duke kaluar nëpër udhëtimin në Washington, më 1947, të atëherë Kryeministrit Alcide De Gasperi, që mori një financim prej 100 milion dollarësh nga Administrata Truman dhe një mbështetje që në pranverën e të njëjtit vit, kulmoi në të famëshmin plan Marshall, na kanë ndihmuar të rindërtojmë shtyllat e shoqërisë sonë, duke ndihmuar mirëqënie e qëndrueshmëri e duke e kthyer Vëndin tonë, të karakterizuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një fuqi ekonomike botërore. Pra, cilido që të fitojë më 25 shtator nuk mund të mos mbetet i lidhur n’ato vlera që, nga mbarimi i luftës së Dytë botërore na shoqërojnë e që nuk mund të vihen në diskutim nga askush, por që së shumti, e ne punojmë për këtë, të jenë ripërtërirë e përmirësuar.

“Corriere della Sera”, 21 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT