• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtohen vrasjet e dëbimi i shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës para 22 viteve

February 5, 2022 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim familjarët e të vrarëve më 3 dhe 4 Shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës/


-Kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Bedri Hamza: Masakra e 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës ndodhi pas luftës…/PRISHTINË, MITROVICË, 4 Shkurt 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/
Në veriun të Mitrovicës tani me shumicë serbe, para 22 vitesh, natën e masakrës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë e plagosur 25 të tjerë, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e veta me dhunë vetëm brenda asaj nate rreth 100 familje shqiptare, e brenda muajit 1564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë.“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastruar etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.Në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës, masakra e para 22 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në qershorin e vitit 1999, dërsa gjatë luftës janë vrarë 455 shqiptarë, nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar 9540 shtëpi shqiptare.Një njoftim i dërguar nga Qeveria thekson se, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me z. Gani Xhaka dhe z. Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës. Duke falënderuar Kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite. Z. Xhaka kujtoi natën e 3 Shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund. Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur. Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.
Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.
Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar. Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët. Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve.​ Komuna e Mitrovicës jugore ka bërë të ditur se, Kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, sot kanë pritur në takim disa prej familjarëve nga masakra e 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, si dhe kryetarin e KMDLNJ-së (Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut) në Mitrovicë, z. Halit Barani.Gjatë këtij takimi kryetari Hamza ka thënë se kjo masakër, ndryshe nga masakrat e tjera gjatë luftës, ndodhi pas luftës e në paqe. Vuajtjen e bën më të vështirë fakti që akoma nuk është arrit drejtësia për ta, tha ai.Kryetari Hamza, i siguroi familjarët se në shenjë respekti e kujtimi për këtë masakër, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me një proces gjithëpërfshirës e bashkëpunues. Kjo pllakë, e cila nuk do të jetë vetëm një njohje e kësaj tragjedie por edhe dëshmi e rrëfim për gjeneratat e reja.Gjithashtu ai u ka premtuar familjarëve dhe të mbijetuarve nga kjo masakër përkrahje dhe kujdes institucional brenda mundësive.Me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, u vranë 10 qytetarë civil e të pafajshëm, ku në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe pleq.Po ashtu, në këto data ishin 1564 familje e mbi 11 mijë shqiptarë që u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre me qëllim të spastrimit etnik.

Filed Under: Rajon

Kalendar/ Pavarësia e Kosovës – Para 15 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin

February 2, 2022 by s p

-Kosova para 15 viteve mori Propozimin Gjithpërfshirës për gjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së/

– Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTIN Ë, 2 Shkurt 2022/ Sot u bënë 15 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 14 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.

Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.

Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:

2 shkurt 2007

DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE

Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.

Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.

February 2, 2007

STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES

The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement.  This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced.  It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo.  The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development. 

With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase.  We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement.  We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future.  Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.

6 TETOR 2005 – RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

10 DHJETOR 2008–PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARIN ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

PRISHTINË, 10 Dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.

Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:

I nderuari President Ahtisaari,

Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!

Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.

Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!

Miqësisht,

Dr. Fatmir Sejdiu,

President i Republikës së Kosovës

22 KORRIK 2010: KOSOVA DOLI FITUESE NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË PAS NJË ANKESE TË SERBISË 

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

KOMUNIKATË E DËRGUAR NGA PRESIDENCA E KOSOVËS NË  21 SHTATOR 2011:

Nju Jork, 21 shtator 2011

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Neë York, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, z.Avni Spahiu, u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Presidentja Jahjaga e falënderoi ish-presidentin finlandez Maarti Ahtisaari për punën dhe mbështetjen e tij për Kosovën dhe tha se vendi ka shënuar përparime të mëdha në veçanti në zbatimin e planit të hartuar nga zoti Ahtisaari.

Presidentja Jahjaga tha se Plani Ahtisaari ka ofruar mundësi të mëdha për komunitetin serb dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së tij edhe në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton atje. Ajo tha se shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe  komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po zhvillon marrëdhënie normale dhe miqësore me vendet fqinje dhe tha se promovimi i këtyre marrëdhënieve, përfshirë edhe me Serbinë, është në interes të stabilitetit afatgjatë të rajonit.

Ajo tha se dialogu me Serbinë, që po zhvillohet me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura, por theksoi se ndarja ose shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe e njohur ndërkombëtarisht.

Ajo tha se Kosova dhe Serbia kanë synim integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato duhet që ta ndihmojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në që të thellojë reformat e brendshme dhe të përshpejtojë procesin e përafrimit me strukturat euroatlantike.

Ajo tha se Kosova ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga miqtë e saj për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj dhe për lobim dhe njoftoi ish-Presidentin Ahtisaari për idenë e krijimit të grupit “Miqtë e Kosovës”, në të cilin përfshihet edhe vetë zotëri Ahtisaari.      

Ish-presidenti finlandez Ahtisaari e përgëzoi Presidenten për punën e saj dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës në kohët e fundit. Ai tha se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare por theksoi se është i shqetësuar me procesin e ngadalshëm të njohjeve të pavarësisë së saj.

Ish-presidenti Ahtisaari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese.

Ai tha se duhet të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat.

Ish-Presidenti Ahtisaari tha se shpreson për ndryshim të gjendjes në veri të Kosovës dhe për integrimin e serbëve të kësaj pjese.   

*****

Po sot, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim miqësor me udhëheqësit Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, me të cilët diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi. Në takim, Presidentja Jahjaga vlerësoi kontributin shumë të madh që kanë dhënë shqiptarët në Amerikë në përkrahje të Kosovës, ne të gjitha periudhat.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Rajon

KËRCËNIMET E RUSISË E TË KINËS, LOJA E MADHE E FUQIVE

January 31, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 24 janar 2022    Përktheu: Eugjen Merlika/

Jehonat e luftës në dyert e Evropës nuk janë një zënkë. Kërcënimi që Vladimir Putin po i sjell Ukrainës është një nga çastet historikë që tregojnë se një fazë ka mbaruar e që gjithshka ka ndryshuar. Një kundër rënie e Murit të Berlinit. Ka mbaruar koha e artë e nisur me Vitet Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, në të cilën Kontinenti i Vjetër ka besuar se kundërshtitë nuk do të ishin më, se demokracia do të kishte triumfuar.

Ka besuar se kultura dhe ekonomia do të kishin zotëruar gjeopolitikën e do të kishin fshirë kufijtë. Rusia e sotme paturpësisht na thotë se ndërkaq jemi kthyer në erën e shemërisë ndërmjet fuqive. Është viktimë Evropa, krejtësisht e papregatitur. Nuk është vetëm Moska që na ve përballë realitetit të ri. Mënjanimi me të cilin Kina e Xi Jinpingut po trajton Lituaninë – fajtore se ka hapur në Vilnius një zyrë përfaqësie të Taivanit – është kanarina që paralajmëron rrezikun në një minierë qymyri: shpjegon se si trajton Pekini këdo që nuk është në të njëjtën vijë të synimeve të tij e sqaron se si do të ishte bota, Evropa në krye, nëse Kina do të merrte në dorë zotërimin e tërë Eurazisë. 

Të njëqindmijë ushtarakët e rrjeshtuar nga Moska në kufi me Ukrainën, tankset dhe kërcënimet e mësymjes “tekniko-ushtarake” të shprehura nga Kremlini nuk kanë arsye të qëndrojnë: askush nuk kërcënon Rusinë, askush në këtë çast mendon t’i hapë dyert e NATO-s Kievit, Vëndet e Bashkimit Evropian janë gjithshka tjetër përveç se luftarakë, Shtetet e Bashkuara të Biden-it nuk kanë as vullnetin më të vogël për të hapur një ballë lufte me Rusinë. Kërcënimi Ukrainës nuk është një lëvizje mbrojtëse: është çasti që Putini haptas mendon se ka ardhur koha për të ripohuar se Rusia është një fuqi, mbas tre dhjetëvjeçarësh poshtërimi në vazhdim të shëmbjes së Bashkimit Sovjetik.

Për këtë ka kërkuar të rikrijojë zonat e influencës ruse në kufijtë, në të cilët të mos ketë Vënde të Aleancës Atllantike e të mos jenë rrjeshtuar raketat e NATO-s: shpejt Ukraina dhe Gjeorgjia, të tjerë Vënde kufizues në pritjen nëse veprimi në zhvillim sot i shkon mirë. Është mohimi i shëmbëllesës politike që ka mbizotëruar Evropën në Vitet Nëntëdhjetë: që nuk ka zona të ndikimit e që çdo Vënd ka të drejtë të vendosë për fatin e tij e aleancat e tij. Putini thotë se ajo fazë ka mbaruar.

Kina është më larg, nuk ka çizmet në terrenin kufi me Evropën. Por ka të gjithë qëllimet të pohojë synimet e saj edhe ndërmjet Kombeve të BE. Për drejtuesit e saj është e papranueshme që një Vënd të hapë një zyrë përfaqësie të Taivanit, që Pekini e quan një krahinë të saj kryengritëse e cila duhet risjellë nën kontrollin e saj – e t’a emërtojë pikërisht “të Taivanit”, duke lënë të nënkuptohet se e konsideron ishullin një Komb edhe se nuk e njeh zyrtarisht. Pekini do të mund të protestonte, të vinte në lëvizje diplomacinë. Ndërsa, në rastin e Lituanisë, ka bllokuar eksportimet drejt Kinës; jo vetëm aq, ka kërcënuar të veprojë po ashtu edhe me të gjithë ata që eksportojnë prodhime me përbërës lituanë. Është modeli që Pekini zbaton rregullisht kur synon të “ndëshkojë” ndonjerin: nëse është një qeveri që takon Dalai Lamën, nëse i jepët një Çmim Nobël një kundërshtari kinez, nëse kritikohet shtypja e ujgurëve në Hsinkiang apo në Hongkong e kështu me rradhë. Edhe në këtë rast, jemi në pohimin e politikës së fuqisë.

Konkretisht, kjo do të thotë se me Rusinë e me Kinën nuk mund të shtjellohen çështjet vetëm në termat ekonomikë, kulturorë, shkencorë siç ishte parësore deri pak vite më parë. Moska dhe Pekini mëtojnë të diktojnë rregullat politike. Me Putinin, do të duhej të pranoheshin kërkesat tokësore e të ndikimit, duke filluar me njohjen e bashkëngjitjes së Krimesë më 2014. Me Xi-në duhej të ecej si mbi lëvozhgat e vezëve për të mos ndeshur interesat e vendosura nga Partia komuniste kineze.

Nuk kanë munguar kurrë fërkimet ndërmjet Perëndimit dhe këtyre dy Vëndeve të mëdha. Gjëndja e re qëndron në faktin se tani, Moska e Pekini kanë vendosur të luajnë me rregullat e tyre të fuqisë e duan që bota t’u përshtatet, duke filluar nga heqja dorë prej vetëvendosjes të secilit Vënd. Kanë vendosur të lëvizin në këtë fazë, sepse mendojnë se Perëndimi demokratik është në rënie të pakthyeshme e në pamundësi të kundërshtojë. Në të vërtetë Perëndimi duket i pështjelluar dhe i ndarë. Biden-i ka belbëzuar në mënyrë të pasigurtë në mbrojtje të Ukrainës ndërsa, mbas takimit të Gjenevës të së premtes së shkuar, sekretari i tij i Shtetit Antony Blinken vazhdon bisedimet me bashkëbiseduesin e tij rus, Sergej Lavrovin, për t’u rrekur të shmangë mësymjen e Ukrainës. Mbi çështjen BE luan anash, në fakt i paftuar dhe kryetari i rradhës Emmanuel Makron duket i pabindur për të treguar  një front të bashkuar me Washingtonin. Kundrejt Lituanisë, Vënd antar i Bashkimit Evropian, mbështetja e ortakëve ka qënë e vakët, madje jo zyrtarisht mjaft funksionarë të Brukselit dhe politikanë evropianë kritikojnë atë që ata e quajnë aventurizëm lituan kundrejt Kinës.

Të dyja çështjet së bashku do të shënojnë hapat e mëteishme të Moskës e të Pekinit: që mund të dalin të inkurajuar në politikat e tyre gjithënjë e më shumë pohuese apo të frenuara nga përgjigja perëndimore. Tani për tani, është e sigurtë që kemi hyrë në një stinë të re, në të cilën konfliktet do të jenë të shpeshta, të drejtuar me mjete të ndryshme, të përzierë, në disa raste mizorë. Evropa në këtë çast është pika e rënies e Lojës së Madhe të fuqive.

“Corriere della Sera”, 24 janar 2022    Përktheu: Eugjen Merlika      

Filed Under: Rajon

A është e vërteta, “një”?

January 28, 2022 by s p

Nga Majlinda BUSHJA/

Përplasja e mendimeve të kundërta për të vërtetën në ditët e sotme, por jo vetëm është pasojë e kompleksitetit të rrethanave në të cilën ajo merr formë dhe transmetohet. E vërteta është komplekse në çdo kohë, por sot zhvillimi i teknologjisë ka bërë të mundur një fluks informacionesh, jo të përputhshme mes tyre për të njëjtën ngjarje, apo çështje të rëndësishme, ku e vërteta vështirësohet po për këtë shkak. Ndërkohë që, po aq i vështirë është edhe ballafaqimi i të vërtetave historike, të cilat vijnë nga e kaluara e largët kur kushtet nuk kanë qenë të favorshme për t’i ruajtur me përpikmëri. Shoqëria, ndodhur mes informacionesh të cilat vijnë si një proces i së shkuarës njerëzore dhe së tashmes e ka të vështirë të gjej të vërtetën e vërtetë lidhur me ngjarje, apo çështje të caktuara. Kush është e vërteta, në të vërtetë? A është ajo, “një”? Lufta për të vërtetën e së shkuarës dhe të së tashmes është në qendër të përditshmërisë sonë.

Mënyra se si përcillet e vërteta nisur nga këndvështrime të ndryshme, duke mbrojtur secili të vërtetën sipas versionit të tij, (pasi kështu ka ndodhur në çdo kohë njerëzit janë pozicionuar), e bën atë të mos jetë “një” në pamje të parë, por e fragmentuar në disa të vërteta. Përsa kohë njerëz të ndryshëm japin versione të ndryshme të së vërtetës për të njëjtën ngjarje, apo çështje është e vështirë të gjendet e vërteta, e vërtetë. Secili individ mbron të vërtetën e tij nisur jo vetëm nga çfarë ka dëgjuar, lexuar, por dhe nga çfarë përjeton vet çdo ditë. Pra logjikisht, ne e thërrmojmë të vërtetën, që është “një”, por që nuk përcillet si e tillë jo vetëm për arsyet e mësipërme, por dhe për një sërë arsyesh të tjera. Përse ndodh kjo? Çdo person jep versionin e tij të ngjarjes apo të çështjes që trajtohet, jo vetëm sipas këndvështrimit të tij, por dhe sipas interesit të tij. Interesi ndryshon të vërtetën, “e vërteta është ashtu si dua unë të jetë e vërtetë”, mund të thotë secili prej nesh. Të tjerë persona spektator në ngjarje me kohën besojnë atë, që ju pëlqen të besojnë, e zgjedhin variantin e tyre të së vërtetës që ju shkon më përshtat. psh. Për një personazh që ka hyrë në histori, dikush  mendon  që  është  hero, dikush tjetër mendon të kundërtën. A kanë të drejtë të gjithë? Sigurisht që po, sipas këndvështrimit të secilit që e mendon të drejtën ashtu, duke i dhënë fuqi të vërtetës së vet sipas këndvështimit personal.

Përplasje për të njohur të vërtetën, si atë të afërt dhe atë të largët bëhet çdo ditë në jetën tonë, ku secili jep variantin e tij, dhe ku keqkuptimet vërtet nuk kanë fund për të njëjtën ngjarje apo çështje që ngrihet për diskutim. Ndaj e vërteta ecën përmes përlasjesh që nuk shihet fundi i së vërtetes qartësisht. Aq shpejt lindin keqkuptimet sa, vetëm lënia përgjysmë e një fjalie e tjetërson atë  duke lënë hapësira për interpretim, duke e tjetërsuar të vërtetën, e duke nxjerrë konkluzione sipas arsyetimit personal. Çdo pakujdesi si në këtë rast i shërben të vërtetës imagjinare që krijon mjegull mbi të vëretën e vërtetë. E vërteta imagjinare, është e vërteta konfliktuale, që çon në mjegullimin e së vërtetës reale. Nëse i referohemi shtypit të përditshëm, ndodh të kemi përplasje të dhënash e shifrash për shkak të nxitimit se kush do ta jap lajmin i pari për të njëjtën ngjarje, apo çështje, ndërkohë që e vërteta është “një” por nuk përcillet si e tillë. Gazetarët që marrin informacionin janë të prirur të besojnë të vërtetën sipas informacioneve që disponojnë. Problemi, në këtë lum informacionesh qendron se çfarë duhet të besojmë si të vërtetë, atë që lexojmë, dëgjojmë, apo të besojmë në atë çka njerëzit ju rrëfejnë njeri-tjetrit, por që është një histori e pashkruar, thjesht  transmetohet. Ndaj e vërteta është e mbuluar me mister, pasi shpesh ka mospërputhje mes këtyre të vërtetave që vijnë nga kanale të ndryshme. Kështu, na serviren disa variante të së vërtetës, për të njëjtën gjë, e ne s’na mbet gjë tjetër veçse të përzgjedhim. Përzgjedhja është individuale, dhe e vërteta e plotë s’është asnjëherë e qartë. Megjithëse në vetvete ajo është “një”, fragmetimi i saj është i pashmangshëm. 

Problemi më i madh qendron me të vërtetat e vjetra, në kohën kur ka pas pak dritë për të ndriçuar të vërtetat që kanë ndodhur për ngjarje të rëndësishme. Sot, ndodh jo rrallë, që disponojmë informacione, ndonjëherë jo të plota të së shkuarës dhe përpiqemi të hedhim dritë mbi to, të hamendësojmë, e të nxjerrim konkluzione për një ngjarje, apo çështje. Por a mund të nxjerrim konkluzione të sakta me informacione jo të plota? Natyrisht që jo. Gjithsesi, ne jemi të prirur të nxjerrim disa konkluzione, sidoqoftë. Mirëpo, ka një problem, kur njerëzit ushqehen me të njëjtin mendim për shumë kohë, ata e ka të vështirë të ndryshojnë këtë mendim, e të mendojnë të vërtetën ndryshe për një ngjarje të caktuar. Ndodh që, koha e transformon të vërtetën në rrugëtimin e saj të gjatë për një sërë arsyesh, e kjo na bën jo pak konfuz mbi atë çka duhet të mendojmë për të shkuarën tonë. Sa më komplekse të jetë ngjarja, sa më shumë personazhe të marrin pjesë, aq më shumë kompleksohet e vërteta. Pasi interesat janë të ndryshme, dhe e vërteta ka rrjedhur në interes të secilit personazh që merr pjesë. Pse ndodh kështu? Prirja e njeriut gjithmonë është të mos preken interesat e tij, dhe e vërteta të jetë në atë anë duke i shërbyer, ndaj përdor të gjitha mënyrat për t’ia arritur. Ky është qellimi i secilit personazh të përfshirë në një ngjarje, që historia ta kujtojë për mirë. Ndaj e vërteta transmetohet në këtë mënyrë duke krijuar përplasje mes atyre që mbrojnë të vërtetat e tyre, dhe ata që i kundërshtojnë ato. Pasi, në fund të fundit, në çdo situatë prirja e njeriut është të pastroj “baltën” nga fytyra e tij në çdo kohë dhe e vërteta t’i shërbejë atij në lidhje me çështje të caktuara, ku ai është pjesëmarrës. Këtë të vërtetë përpiqet t’ua transmetoj të tjerëve sa më shumë të jetë e mundur. E vërteta sfumohet në këtë përpjekje, dhe mbet e tillë për breza të tërë, ku secili më vonë pozicionohet ashtu si i duket e drejtë sipas këndvështrimit të tij. Në këtë situatë paqartësie të gjithë mendojnë, se ajo që ata mendojnë, është versioni i së vërtetës për një ngjarje të caktuar të së shkuarës së largët. Shembuj të tillë ka plotë. 

Siç vërehet, e vërteta qoftë në të shkuarën, por dhe në të tashmen shpesh kalon përmes paqartësish, duke lënë në dritë një variant i cili është i pranueshëm dhe absorbueshëm për shoqërinë në kohën që jeton, megjithëse ka vazhdimisht një konflikt mes së vërtetës së shkruar dhe asaj të pashkruar, se ku në të vërtetë, gjendet e vërteta. Pasi një gjëndje e tillë e krijuar e transformon të vërtetën me një pamje tjetër nga ajo fillestare duke na servirur një të vërtetë në variant ndryshe. 

Gjithçka më sipër tregon se, e vërteta nuk është e thjeshtë, ajo është e ndërlikuar, sepse janë një sërë arsyesh që e çojnë në këtë gjendje. Midis të vërtetave, të vërtetat që kanë peshën më të madhe janë ato që kanë të bëjnë me ngjarjet historike dhe fatin e mijëra njerëzve. Të vërtetat mbi ngjarje të rëndësishme historike shpesh kanë çuar në konflikte të vazhdueshme mes shtetesh, apo kanë ftohur marrëdhëniet mes tyre për një kohë të gjatë. Secila palë mbron të vërtetën e vet në çdo kohë dhe i jep të drejta vetes nisur nga kjo logjikë arsyetimi: Unë zotëroj variantin e së vërtetës, së vërtetë, dhe unë kam të drejtë në çështjen që bëhet fjalë. Këtë qendrim mban çdo shtet i përfshirë në një konflikt përmes përfaqësuesve të vet. “E drejta është në anën time”. Përplasja për të vërtetën, në kërkim të së drejtës, është shndërruar sot në një “mollë sherri” mes shtetesh. Kush thotë të vërtetën, dhe kush është e vërteta për një sërë çështjesh të rëndësishme, shumë pikëpyetje me variante të ndryshme të së vërtetës, për të njëjtën çështje, e një lumë variantesh për shumë çështje. Ne si individ, jemi të prirur të zgjedhim variantin që na shkon më shumë përshtat, e kështu ecet përmes fragmentimit të së vërtetës, që në vetvete është “një”, për secilën çështje apo ngjarjeje. Ne shpesh themi: do gjej të vërtetën, do të ndriçojë të vëretën, do them të vërtetën, sepse brenda saj, ajo, është “një”,  pavarsisht shkaqeve që e tjetërsojnë.

Filed Under: Rajon

Rreth etimologjisë së fjalës ARBËR/ARBËN

January 27, 2022 by s p

Bledi Filipi

Vijimësia iliro-shqiptare që del me lidhjen e emrit kombëtar të shqiptarëve në mesjetë (me burimet bizantine “Αλδανοι”, “Αρδανιται” vendi “Αρδανον”, në burime latine Albanenses/Arbaneses, në shqipe arbër/arbën, arbënesh/arbëresh,  arbënor/arbëror. (Domi, 1982:17)

Emër i lashtë i shqiptarëve deri në mesjetën e vonë, që u zëvendësua në periudhën e pushtimit osman me emrin e sotëm shqiptar. Fjalë e mbarë gjuhës,  sipas prof. Çabejt dhe Topallit me  kuptim të errët. 

Për herë të parë dëshmohet nga gjeografi aleksandrinas Klaud Ptolemeu, në një hartë të shek. II të erës së re, ku shënohet fisi Albanoi, si njëri prej fiseve ilire , edhe qyteti Albanopolis në Shqipërinë e Mesme, afërsisht midis Durrësit dhe Dibrës. Prej emrit të këtij fisi rrjedh edhe emri i shqiptarëve, i gjuhës dhe vendbanimit të tyre. Si fjalë e dokumentuar në gjuhën shqipe dëshmohet te Buzuku (XVIII/2b) 

(Çabej II, 1976:61)

 G.Mayerit dhe P. Skoku arrrijnë në këtë mendim: me emrin arbëresh, arbënor  emërtohen edhe shqiptarët në Greqi dhe Itali, për të cilët emërtimi shqiptar është krejtësisht i panjohur. Ndërsa Mayeri shkon edhe më tej: me këtë emër emërtohen banorët e bregdetit në veri të Korfuzit dhe të prapatokës së tij, rreth Vlorës, Kurveleshit etj., që i përgjigjen kryesisht Kaonisë së vjetër. Kjo zonë quhet edhe labëri, lapëri, çka është një metatezë sipas ligjit fonetik të sllavishtes albëri për arbëri për /l/- në e së cilës krahasohet me greqishten. (Mayeri,2007:51)

Pederseni mendon se kjo fjalë ka lidhje me një fis shumë të vjetër , dhe merr për primare arb – , dhe mendon për një afrim të  arbën-it  me greqishten (jetim), duke parë aty  emrin e një fisi të shkulur prej tij. (Pederseni, 2003:111)

Ndërsa për Joklin  kjo fjalë e mbarë gjuhës ka të bëjmë nje një emër paraindoevropian. Hani dhe pas tij Temascheku, e afronte këtë emër me disa emra antik të Ballkanit Perëndimor dhe me emrin e ishullit Arbe (Rab/Rabënë) të Adriatikut Verior; po kështu edhe Shuflai. Ai shënon se sllavët viset e Shqipërsië së sotme në kohën të mesme i kanë quajtur me emrin Rabënë, përkatësisht Arëbanëse dhe në gjuhën shqipe me mbiemrin rabënëski, i cili del në mbishkrimin sllav të Karl Topisë (1381).

 Profesor Demiraj,  qartëson se:  më të vjetrat duhet të jenë trajtat Rabënë dhe rabënëski  ku rrokja nistore ar- e Arbënë është shndërruar në ra- në bazë të dukurisë së njohur të metatezës të bashkëtingëlloreve lëngore në sllavishten e Ballkanit dhe në sllavishten perëndimore në përgjithësi. Dukuria e metatezës së lëngëzoreve apo “ligji i hapjes së rrokjeve të mbyllura nëpërmjet metatezës” në lëngëzoret e sllavishtes perëndimore dhe e Ballkanit, është përftuar vonë, nga fundi i shekullit të IX të erës sonë. Pra, trajta më e vjetër Rabënë ˂ Arbënë, që ka pësuar metatezën ar-˃-ra, ka hyrë në sllavishten e Ballkanit nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta midis stërgjyshërve të shqiptarëve dhe stërgjyshërve tanë veriorë sllavë në periudhën e shekullit të IX dhe para shekullit XII, d.m.th. përafërsisht aty nga shekulli i X ose të shumtën në shekullin e XI. Por, po të kihet parsysh se emri Arbanon a Albanon dëshmohet tek të huajt qysh në shekullin e XI, çka parakupton përhapjen më të hershme të këtij emri, atëherë duhet pranuar që ndër fqinjët tanë veriorë ky emër do të jetë përhapur jo më larg se shekulli i X i erës sonë.                                                                                                     (Demiraj, 1988:223)

Por disa gjuhëtarë (Pedersen, Jokli, Çabej)  kanë marrë parësore rrënjën arb- , që kanë krijuar arbër/arbën si forma prej vendit Arbëni/Arbëri dhe gjuhës arbënisht/arbërisht. Në burime historike ky emër përmendet së pari në shek.XI nga kronistët bizantinë Mihal Ataliates dhe Ana Komnena. Forma arbën ka depërtuar edhe në gjuhë të tjera  ballkanike skr.Rabънꞃъ, bullg. Arbanasim, rum.vj.Arbanas gr.Αρβανον, turq.Arnaut etj. (Topalli, 2017:113)

Ashtu siç ndodh me emrat e fiseve  dhe të popujve, në fillim ky emër i përkiste populαlsisë që banonte në Shqipërinë e Mesme dhe rreth shek.XIV , u shtri në gjithë vendin, duke u bërë emri kombëtar i shqiptarëve që në kohë të Skënderbeut, si edhe ata që emigruan në Greqi a Itali mbajtën emrin e vjetër arbëreshë. Edhe në shkrimet e vjetra te Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani ndeshet ky emër.

Profesor Topalli shkon edhe më tej, duke hedhur mendimin se për dy rrënjët alb dhe arb përfaqësojnë një fjalë të vetme, që ka ardhur përmes gojës së shqiptarëve nga lashtësia deri në ditët e sotme; por ndryshimi që paraqesin ato për punë të lëngëzoreve nuk shpjegohet me ligjet historike të shqipes. Prandaj, njëra prej tyre është ndryshuar  duke u lidhur a duke u përzier me ndonjë fjalë tjetër të ngjashme, ose në antikitet mund të kenë qenë të dyja trajtat, një dukuri e njohur edhe për disa trajta të tjera.

Rrënja alb ka përparësinë e dokumentimin e saj më të hershëm, afërsisht para 2000 vjetësh; kurse rrënja arb- ka mbështetje  në vijimësinë e saj në gojë të banorëve që e mbajnë këtë emër si dhe emërtimet e shumta në toponimi. Topalli del në përfundimin se po të nisemi nga forma alb–, kjo mund të lidhet me rrënjën alb  i bardhë, lat. albus , kurse ndryshimi isaj në arb  ka ndodhur duke u përzierë me emrin “arë”, “fushë” ashtu si del në shprehejn mal e arbën “ mal e fushë”, që ka  Kurbini, zonë ku shtrihej fisi i i albanëve, duke pasur parasysh fushën ndërmjet  Matit e Erzenit; khs. edhe te Logoreci: Mal e arbën u dyndën; Qiti në mal e n’arbën; I ra malit e arbnit kryq e tërthuer; Cordignano e Dema: arben “fushë”.  (Topalli, 2017:113)

Por profesor Topalli shkon edhe më thellë në analizën e tij: shënojmë se një rrjedhë të drejtpërdrejtë indoevropiane nga rrënja aru- (Çabej) nuk do të përligjte praninë e –b-së, meqenëse zhvillimi fonetik i /rv/˃/rb/ ka ndodhur vetëm në huazimet latine (lat.corvus-˃ korb), por ajo dhe fjalë të trashëguara, ku një –u- pas një lëngëzoreje ka rënë (khs.ie.aru-˃arë). Formime nga ky emër janë: Arbëni/ Arbëri për vendin, arbënesh/arbëresh e arbënor/arbëror për banorin, arbënisht/arbërisht për gjuhën.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 206
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT