• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

June 19, 2017 by dgreca

Natyra këtu ka magji. Lasgushi këtë magji e kishte kthyer në poezi. Tani “dremit liqeri” me kujtimet për të…/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA3456OLYMPUS DIGITAL CAMERA

NGA PËLLUMB GORICA/Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj.

Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin dhe Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në panoramat interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Por kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një panorama magjepse si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi në zemrën e bukurive të Ballkanit.

Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyehen në liqen e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjeton këtë panoramë të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit me panoramat piktoreske, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Voloreku etj, me pamjet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës e të ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh.

Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Nëpër kodra bari mbulon tokën si qylym i blertë e që ndrit nga vesa. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Panorama tërheqëse e piktoreske e Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm na rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura…

Qyteti sot shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parqe, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat e qytetit, flladin e liqenit… Koloriti i stinës i jep një tjetër hijeshi qytetit.  Rugët e tij gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, figurat e njohura të tij dhe liqenin. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorët u pëlqen ta emërtojnë gjoli. Ndërsa Lasgushi derdhte në vargje emrin liqeri. Por liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. I ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, monumenti i Lasgushit plot hir me qenin Cuci para këmbëve dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. Ndalemi pak çaste, ku valët e liqenit llokoçiten lehtë në breg dhe i flladit fytyrat tona të emocionuara. Por, duke kundruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, të kumbojnë vargjet e Lasgushit, ku ai ka derdhur dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

 

Liqeri i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Volorek( Drilon)

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Volorekun është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar”, për t’u shijuar sot nga gjithkush. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati të dalldisur të rrëmbejnë befasishëm e të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dhe me shtrirje përgjatë ujërave të kristalta e të qeta, që nën rrezet shëndritëse të diellit janë një kënaqësi ripërtëritëse. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave e të peshqve të veçantë, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.

– Voloreku i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Në Volorek ndërtimet: bar kafetë, restorantet dhe hotelet e zbukurojnë këndshëm në çdo stinë të vitit, ku nuk mungojnë shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme me një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë.

Por, pak më tej Volorekut të bukur e të mirëmbajtur, spikatin ndërtimet e vjetra, por edhe të reja të Tushemishtit. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar po shpërfytyrohen barbarisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar pjesën e plazhit. Panoramat e bukura humbasin vlerat dhe nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

Voloreku është një poezi që meriton të interpretohet. Natyra e tij të përkëdhel aq bukur sa të josh ta vizitosh atë përherë, jo vetëm në verë, por edhe në ditët e dimrit me borë. Se s’ka si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare gjithkush që e viziton gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU…

May 27, 2017 by dgreca

Meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore./

1.E.Lakuriqi0.Botimi-Foto

Nga: Eltona Lakuriqi/

1.Edhe pse ka kaluar mesnata, salla e madhe e hotelit “Albatros”, në bregdetin tërheqës të Ulqinit, ka një gjallëri disi të veçantë. Njerëz të veshur me kostume kombëtare, Pierpaolo në fizarmonikë, dikush tjetër në dajre, Suadi e Franco që këndojnë, Lucia e Luljeta që bisedojnë, Imma regjisorja që ende është e shqetesuar për shfaqjen, që do të jepet në sallën e qendrës kulturore të Ulqinit, aktorët që qeshin e luajnë, të gjithë bashkë, përbëjnë një pamje të bukur, nga ato, që ky mjedis  qyteti i Ulqinit e përjetojnë herë të parë. Sepse janë bashkuar së toku, arbëreshë e ulqinakë, vëllezër e motra të një gjaku, që takohen pas 500 vjetësh.
Trupa teatrore e Shoqatës “Vorea”, në Frascineto të Kalabrisë, ka ardhur të japë shfaqjen “Kostantini e Garentina”. Është varianti arbëresh i legjendës së mirënjohur shqiptare, e cila mbijeton dhe emocionon kudo, ku ka shqiptarë nëpër botë. Arbëreshët janë veshur me kostume tradicionale, që i punojnë e prodhojnë vetë. Lucia e Luiljeta, madje edhe djali i vogël i Lulit, janë veshur me kostume ulqinake.
Këngët arbëreshe, ulqinake, shkodrane e korçare këndohen deri në orët e vona. Duket sikur askush nuk ka dëshirë të shkojë të flerë. Sikur janë zgjuar nga një gjumë shekullor e tani duan të fitojnë kohën e humbur. Flitet gjuha shqipe, në variantin e arbërishtes dhe dialekti i Ulqinit. Ndihen të gjithë vëllezër të një gjaku. “Gjaku ynë i shprishur, tani po bashkohet”,-thotë Luçia Martino, “Mjeshtër i Madh”, e cila bën një punë të pasionuar për kulturën e traditat shqiptare dhe i ka çuar grupet e saj edhe në Tiranë e deri në Kanada.

2.Nga ballkoni i hotelit vështroj atë gji shkëmbor, mbi të cilin përkulen degët e pishave shekullore. Ujët e kulluar ka ngjyrat blu e turkeze, që ndërthuren midis tyre, si ngjyrat e pikturës në një kuadër pejsazhi. Mëngjesi është i bukur dhe në parkun e gjelbër kanë ardhur nxënësit e shkollave. Ndërmjet tyre dalloj gazetarin Ndue Lazri, i cili është zgjuar herët dhe kërkon të rrëmbejë fotot e orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë një dritë të mrekullueshme për foto. I pasionuar pas fotove, ai ngjitet e zbret shkëmbenjve, duke futur në fokus pamje të ndryshme, që ky mjedis i ofron, si kartolina të vërteta. Më kishte bërë përshtypje energjia e tij edhe në mbrëmjen e kaluar në sallën, ku do të jepej shfaqja. Regjisorja Imma Guarasci ishte e shqetësuar, se donte që çdo gjë të ishte gati për provën e mëngjesit dhe për shfaqjen para publikut. E, gazetari i ardhur nga Bolonja, si president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali, që ka bashkëpunuar për ardhjen e këtij grupi në Ulqin, bënte edhe punën e karpentierit, për montimin e skenave, edhe punën e elektriçistit, duke u kujdesur për dritat e skenës, bashkë me anëtarët e tjerë të trupës.
Aktorët zgjohen dalëngadalë dhe marrim rrugën për te qendra kulturore. Rrugët e bukura e karakteristike të Ulqinit janë mbushur me njerëz. Ata na përshëndesin përzemërsisht. Dyqanet me suvenire presin e përcjellin klientë e turistë, që duan të kenë ndonjë kujtim, nga ky qytet i bukur.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Labeatët”, Luljeta Avdiu-Cura, një grua energjike dhe përherë e qeshur, vjen te salla dhe interesohet, që trupës së teatrit të mos i mungojë asgjë, për suksesin e shfaqjes. Qytetarë të Ulqinit dhe veprimtarë e bashkëpunëtorë të qendrës kulturore vijnë me një farë kureshtjeje, që të shikojnë përgatitjet për shfaqjen, por edhe të japin ndihmën e tyre të pakursyer, nëse është e nevojshme. Edhe këtu ndihet ajo dashuri vëllazërore, por edhe ajo mikpritje e bukur e ulqinakëve, që është tipike shqiptare.

3.Ndërsa trupa merret me provat e me përgatitjet, Suad Mehmeti, me disa kolegë të tij, na fton që të vizitojmë qytetin piktoresk. Ata janë krenarë për bukuritë, që ofron vendbanmi i tyre dhe na shoqërojnë në pikat më interesante, në plazhet që kanë filluar të frekuentohen nga turistë e pushues e ku çdo gjë është në gatishmëri për sezonin e ri turistik; kodrave të buta të Ulqinit, me shtëpi të bukura e karakteristike e me rrugë, që gjarpërojnë mes gjelbërimit e luleve të shumta. Pastaj na çojnë te një rruge të drejtë dhe të gjatë, përmes një fushe, që i ngjan një lugine të ngushtë, midis kodrash e malesh. Gjelbërimi është kudo i dendur e shlodhës për syrin. Arrijmë tek Ada e Bunës, një fshat romantik, ndërtuar dy brigjeve të lumit të vjetër, që buron nga Liqeni i Shkodrës, përshkon kodrina e fushat e Bregut të Bunës dhe vjen këtu e derdhet në det.

Kudo shohim lokale të shumtë, që mirëpresin klientë në këtë orë të drekës, barka peshkatarësh, motoskafe turistësh e shtëpitë me ngjyra të ndryshme, nën hijet e pemëve të mëdha, krijojnë një pejsazh, që të fton për të bërë foto të shumta. Këtu miqtë tanë nga Ulqini na ofrojnë bujarisht një drekë me prodhime deti, të gatuara sipas traditës ulqinake dhe një verë të mirë të zonës.
Prej këtu, kthehemi sërish në Ulqin dhe e vazhdojmë udhëtimin turistik, në krahun tjetër, aty ku ngrihet kalaja e lashtë dhe e bukur e qytetit. Pamja e detit dhe e qytetit, nga kalaja, është e mrekullueshme dhe tërheqëse. Nuk di nga ta kthesh më parë aparatin fotografik, për të fiksuar këto pamje të rralla. Brenda mureve të kalasë shohim shtëpi të bukura prej guri, rrugë të ngushta me kalldrëm, që ngjiten drejt majës së kodrës dhe lokale të shumtë, te dyert e të cilëve të ftojnë me bujari të hysh brenda. Secili prej tyre ka një terrace, si ballkon mbi det, nga ku klientët e turistët mund të shijojnë panoramën e qytetit dhe të bëjnë foto të bukura. Klodian Cami, ky djalosh energjik, sipërmarrës dhe veprimtrar i palodhur, që vjen nga Reggio Emilia në Itali, pëlqen foto të veçanta, si ajo duke hipur mbi një traktor të vjetër, që nuk merret vesh si është gjendur këtu brenda kalasë, mbi një motorr të çuditshëm, si ata të kohës së luftës, mbi muret e kalasë apo shkëmbinjtë e thepisur,, që zbresin deri në dallgët e shkumëzuara të detit.
Kështu, duke shetitur e duke u njohur me Ulqinin, na zë ora e mbrëmjes, kur do të fillojë shfaqja.

4.Salla e mbushur me shikues pret me emocion të veçantë shfaqjen e grupit arbëresh. Ka njerëz, që kanë ardhur edhe nga Tuzi e zona të tjera, sepse Luljeta ka bërë prej kohësh publicitet, për këtë ngjarje të rëndësishme, pra ardhjen e arbëreshëve për të dhënë shfaqje ne Ulqin. Është i pranishëm edhe kryetari i komunës, Nazif Cungu, me familjen e tij.
Para sshfaqjes, këngëtarja dhe aktorja e re, studente arbëreshe, Maria Ferrari këndon Himnin Kombëtar Shqiptar, duke ngjallur emocione të veçanta. Në sallë janë edhe gazetarë e grupe të televizionit lokal, që kanë ardhur t’i regjistrojnë këto çaste të bukura.
Pastaj, legjenda e besës së dhënë shpalos, përmes lojës së bukur të aktorëve, variantin e saj arbëresh. Shfaqja është konceptuar bukur, nga regjisorja Imma Guarasci dhe personazhet janë tipizuar mjeshtërisht nga aktorët. Publiku e ndjek shfaqjen në një heshtje të thellë, deri në fund. E kjo heshtje ndërpritet nga duartrokitjet e nxehta të publikut, të ngritur në këmbë, kur përfundon shfaqja e dramës.
Por shfaqja nuk mbaron këtu. Organizatorët kanë menduar, mirë që ajo të jetë një eprimtari e përbashkët, arbëreshe-ulqinake. Aktorët e dramës ua lënë vendin valltarëve të ansamblit “Ana e Malit”, këngëtarëve Franko Frega, i ardhur nga Lungra e Kalabrisë dhe Pierpaolo Petta, i ardhur nga Piana degli albanesi, në Siçili. Me ta harmonizohet bukur këngëtari ulqinak, Suad Mehmeti. Kësisoj, spektakli vazhdon me pjesën e tij muzikore, duke e bërë emocionuese dhe të paharrueshme, këtë mbrëmje mes vëllezërve të një gjaku.
…Organizime të tilla të shkëmbimeve të vlerave kulturore janë ngjarje të rëndësishme, sepse ruajnë e përtërijnë traditat tona të mrekullueshme e të pasura kulturore. Ndaj meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU, Eltona Lakuriqi

Papa Françesku pret presidentin amerikan Trump

May 24, 2017 by dgreca

1 Papa-TrumpVizita e parë shtetërore e presidentit amerikan, Donald Trump, tek Papa Françesku. Do të kujtohet edhe për transmetimin e drejtpërdrejtë nga Qendra Televizive e Vatikanit, ashtu siç ndodhi për vizitën e paraardhësit të tij, Barck Obama. Në orën 8.32, Ati i Shenjtë i shtrëngoi dorën presidentit Trump në Sallën e Fronit e pas fotografive për shtypin, u ul për një bisedë gjysëm orëshe me të, në bibliotekën private.

Gruaja e presidentit amerikan, Melania, pavarësisht se ishte në Vatikan, së bashku me të shoqin, nuk mori pjesë në bisedë dhe u takua më pas me Papën, të cilit i kërkoi bekimin për një Rruzare, që kishte në dorë. Në orën 11.15, ajo shkoi për vizitë në Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù” në Romë, ndërsa e bija, Ivanka (edhe ajo pjesë e delegacionit), në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku u takua me gratë, viktima të trafikut të njerëzve, që strehohen nga kjo Bashkësi.

Pas bisedës private, Donald Trump i paraqiti Papës delegacionin amerikan, prej 11 vetësh. Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Ndër të tjera, Ati i Shenjtë i dha presidentit tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium”, “Amoris laetitia” e “Laudato sii”, si edhe një kpje të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2017, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Papa Bergoglio  bekoi edhe disa rruzare të tjera e, së fundi, u dhuroi të pranishmëve medaljen e papnisë. “Nuk do të harroj ç’me thatë” duket se ka thënë Donald Trump në përfundim të audiencës para se të shkonte në takimin me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

E ndërsa presidenti shoqërohej për takimin me autoritetet e tjera të Vatikanit, e shoqja, Melania, vizitonte Kapelën Paoline. Në përfundim të bisedës, Trump dhe familja e tij vizituan Kapelën Sikstine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit. Po sot, presidenti amerikan u takua me homologun e tij italian, Mattarella, në Quirinale dhe me kryeministrin italian Gentiloni, në Vilën Taverna, për të diskutuar mbi temat e mbledhjes së G7-ës, që do të mbahet të premten, në Taormina të Italisë. Rreth orës 13.40 presidenti amerikan niset për në Bruksel.

Paqja në botë dhe gjendja e të krishterëve, në qendër të takimit Papë-Trump/

2 PapaNë përfundim të takimit të Papës Françesku me presidentin amerikan, Donald Trump, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri deklaratën e mëposhtme:

“Sot paradite, e mërkurë 24 maj 2017, Shkëlqesia e Tij, z. Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë Françesku dhe, më pas, u takua me Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga Shkëlqesia e Tij, imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Gjatë bisedës së përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dyplaëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve, si edhe u vu në dukje impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. U urua një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA-të, e impenjuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, të edukimit dhe të asistencës për emigrantët. Bisedimet mundësuan shkëmbimin e pikpamjeve për disa tema, që kanë të bëjnë me aktualitetin ndërkombëtar dhe me promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike dhe dialogut ndërfetar, duke iu referuar veçanërisht gjendjes në Lindjen e Mesme dhe kujdesit për bashkësitë e krishtera”.(Radio Vatikani)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Donald Trump, Papa francesku, prat, presidentin amerikan

Si jetojnë shqiptaret që martohen me serbë?

May 18, 2017 by dgreca

1 shqiptaret me serbeNë Peshter në Serbi ka mjaft burra të martuar me gra nga Shqipëria. Po si jetojnë ato atje?/

Irak Hochzeit Symbolbild (Getty Images/AFP/A. Yussef)

Zllatko dhe Vera Muniq nga Sjenica kanë festuar këto ditë dhjetëvjetorin e martesës. Ata kanë tre fëmijë, shtëpi dhe jetojnë, siç thonë, një jetë të mirë familjare. Zllatko është ndër të parët që ka shkuar në Shqipëri për të kërkuar një grua për martesë.

„Asokohe kemi shkuar në Shqipëri me një furgon me disa djem. Një mik më tha se është martuar me një shqiptare dhe e njeh një femër me të cilën mund të njihem dhe tö martohem nëse pëlqejmë njëri-tjetrin. Unë desha të martohesha! Dhe kështu shkova për herë të parë në Shqipëri”, thotë Zllatko, i cili në kufi kishte pasur shumë frikë, sepse raportet mes Serbisë dhe Shqipërisë ishin shumë të këqija. Ai thotë se kalimet e kufirit nuk do t’i harrojë kurrë.

Kufiri dhe frika

„Në kufi pyesja veten: çfarë më pret në Shqipëri, sepse në televizor kam shikuar gjithçka. Asokohe kërkoheshin edhe viza për kalimin e kufirit, e cila kushtonte 50 euro. Kjo nuk ishte pak sepse duhej të paguaja 50 euro për mua dhe 50 për babain. Në veçanti kur dihet se më pas e kam kaluar disa herë këtë kufi”, thotë Zllatko. Në afërsi të Shkodrës na priste një femër e gatshme për martesë. Zllatko mezi priste ta shihte. Por kur shkuan tek familja e saj, në shtëpi nuk ishte askush. Fqinji u kishte treguar se e tërë familja ka shkuar në kishë.

Hochzeit Brautkleid (picture-alliance/dpa/J.Schierenbeck)

“Shkuam tek miku im. Pimë kafe së bashku ndërsa unë rrija ulur si mbi gjemba. Së bashku shkuam të shohim vajzën, me ne ishte edhe një femër që ishte ndërmjetësuese. Tradita e tyre ishte që femra të sjell kafen dhe kështu të njihemi. Unë e prisja me padurim kafenë dhe ndërkohë flisnim për jetën time, pasurinë dhe gjëra të tjera!”, shpjegon Zllatko. „Më në fund erdhi edhe goca. Ishte paksa e rregulluar, por kur më dha dorën, kishte një dorë të vrazhdtë nga puna. Më pyetën a po të pëlqen? Unë thashë po! E pyetën edhe atë, a po të pëlqen djali? Edhe ajo u përgjigj po. Por tani duhej të kërkohej edhe leja e të vëllezërve, madje edhe vëllait që jetonte në Itali, si dhe e prindëve. Në fund të gjithë ishin dakord”.

Para për stoli dhe pasaportë

Traditat në Shqipëri kërkojnë që të lësh para nën filxhan – për të blerë stoli dhe për nxjerrjen e pasaportës. I lashë paratë dhe u ndamë. Në Serbi së shpejti erdhi një vëlla i Verës për të shikuar kushtet e jetës dhe për t’u bindur se nuk kam gënjyer. Më pas kemi bërë dasmën – njëherë në Shqipëri ku kam qenë së bashku me babain. Ndërsa në Serbi Vera ka ardhur përmes rrugëve ilegale, sepse për viza në ambasadë pritej shumë gjatë.

“Sikur të më ketë rëmbyer – Zoti na ruajtë!”, thotë Vera me buzëqeshje dhe me një theks të mirë të gjuhës serbe. Edhe Zllatko është përpjekur të mësojë shqip, por pa sukses. Vera ishte 21 vjeçe kur u martua, ndërsa ai 30. Vera thotë se nuk është ngutur për martesë, por ja që ndodhi.

“Unë jam vajzë hasreti dhe nuk kam dashur të martohem e re. Ndërsa tezja më thoshte: „Shiko se djali qenka shumë i mirë, me vete ka marrë edhe babanë dhe shihet që nuk po gënjen. Martesa atje është e njëjtë si këtu dhe atje me siguri që janë të mirë ndaj femrave”. Unë ngulja këmbë që të mos martohem, sepse isha shumë e re”, thotë Vera.

Vera thotë se meshkujt në Shqipëri janë shumë xhelozë, ndonëse ndërkohë pak kanë ndryshuar. Në Serbi megjithatë raportet mes burrit dhe gruas janë shumë më të relaksuara. Ajo punon sot në fabrikën e tekstilit „Sanatex”, ka paratë e veta dhe patentë. Por më të rëndësishmit janë fëmijët.

„Me rëndësi është që edhe femra të thotë mendimin e saj”

Viti i parë në Serbi ishte për Verën shumë i vështirë, sepse nuk dinte asnjë fjalë serbisht. Ajo ishte e vetmuar dhe nuk mund të shoqërohej me askënd, sepse nuk e njihte gjuhën. Asokohe në fshat  nuk kishte asnjë shqiptare tjetër. Por tani situata ka ndryshuar dhe kur vjen ndonjë shqiptare, shumë shpejt e mëson gjuhën, falë shoqërimit me femra të tjera.

Të gjitha gjërat tjera kanë qenë më të lehta për Verën. Kurorëzimi është bërë në komunë dhe në kishë. Ajo thotë se nuk ka pasur problem kurrë për shkak të origjinës. Traditat serbe i ka pranuar. Familja e viziton shpesh dhe nuk pendohet pse ka ardhur në Serbi. Ajo thotë se edhe të tjera shqiptare mund të vijnë, por me rëndësi është që ato të vijnë vullnetarisht.

Musiker bei einer Hochzeit in Sofia, Bulgarien (picture alliance / Bildagentur Hube)

Muniqët kanë pasur fat, por jo dhe disa çifte të tjera. Në Serbi ka ndërmjetësues të shumtë që sjellin femra nga Shqipëria dhe djemve u kërkojnë shumë para për t’u gjetur ndonjë nuse. Organizata „Stara Rashka” ka ndërmjetësuar rreth 300 martesa. Ajo organizon shpesh shkuarjen e djemve serbë në Shqipëri apo ardhjen e femrave shqiptare në Serbi. Momir Kovaçeviq thotë se vetëm vitin e parë të punës, „Stara Rashka” ka realizuar 41 martesa mes serbëve me shqiptare. Sjenica është ndër vendet ku realizohen më së shumti martesa. Këtu ka rreth 50 martesa dhe rreth 75 fëmijë të lindur nga femrat shqiptare, shpjegon ai.

Peshteri

Vendi Peshter është një hapësirë me klimë të egër dhe këtu ka shumë shqiptare të ardhura nga Shqipëria. Ne kemi vizituar shumë shtëpi, por askush nuk ishte aty, sepse kishin dalë në fusha apo male për të kullotur bagëtinë. Në një shtëpi takuam Mirën, e cila priste fëmijët të vijnë nga shkolla. Shtëpitë në këtë rajon janë shumë të rralla, larg njëra-tjetrës. Familja ka ca tokë dhe disa kafshë. Burri kujdeset për bagëtinë, ndërsa ajo tërë ditën kujdeset për fëmijët dhe prindërit e burrit. Mira është 37-vjeç, por në fytyrë i shihen gjurmët e vuajtjeve. Ajo thotë se është martuar me sugjerim të një shqiptareje tjetër, që ishte martuar në Serbi më parë.

“Ajo erdhi me burrin e saj në Shkodër tek familja ime. Familja ime më pyeti  – a do të martohesh? Pasi që të gjithë ishin darkod, dikur pranova edhe unë”, shpjegon Mira. Ajo thotë se jeta e saj me tre fëmijë është shumë e vështirë. Burimi i vetëm i ekzistencës janë disa lopë dhe bagëti të tjera.

Ajo vjen nga një familje e madhe me tri motra dhe një vëlla. Përmallohet shpesh për familjarët në Shqipëri, sepse atje shkon shumë rrallë. Motra e vogël ende nuk është martuar, por Mira pohon se nuk do t’i sugjeronte që të martohet në Serbi, sepse edhe në Shqipëri ka djem të mirë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: me serbë?, që martohen, Si jetojnë shqiptaret

Thaçi,“Urdhri i lirisë” për Presidentin NISHANI

May 11, 2017 by dgreca

1 Nishani-Kosove2 Nishani Kosove1 Nishani Delegacionet3 Dekorata1 Nishani Mustafa

Thaçi e Nishani- Perspektiva evropiane për Kosovën e Shqipërinë/

5 Nishani veseli-Nishani-Thaçi: Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike/

-Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e Presidentit Nishani për Kosovën, Shqipërinë dhe më gjerë/

1 Nishani kjo me Isen
-Edhe kryeparlamentari Veseli priti presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani/
 PRISHTINË, 11 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në vizitën zyrtare shtëtërore në Kosovë u prit sot në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi me intonimin e Himnit Shqiptar e Himnit të Kosovës dhe me Gadën Ceremoniale të FSK-së të rreshtuar për nder të tij.
Gjatë takimit, Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidenti Thaçi i ndau Medaljen Urdhri i Lirisë, duke vlerësuar se, ai ka dhënë një kontribut të lartë për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike.
Askush nuk mund të ndalë të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, i cili mbetet synimi ynë i vetëm”, u deklarua në takim.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Njoftimi dërguar nga Kryeministria thekson se, gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.
Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryeministri Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Presidentit Nishani në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi Presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Presidenti Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Presidenti Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.
Presidenti Bujar Nishani theksoi, po ashtu, përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 Poashtu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president.
 Njoftimi dërguar nga Kuvendi thekson se, kryetari Veseli dhe presidenti Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.
 Veseli e Nishani theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.
 Duke e falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare, gjatë gjithë mandatit të tij, kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e tij për të çuar më tej këto relacione, në të gjitha fushat dhe hapësirat e pashfrytëzuara.
 Veseli tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.
 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, përgëzoi kryetarin Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi.
 Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Bwhet e ditur se, gjatë të premtes, në Asamblenë Komunale të Drenasit mbahet ceremonia e seancës solemne, ku Presidenti Nishani do të shpallet Qytetar nderi i Komunës së Drenasit.
 Po ashtu, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani do të shpallet edhe Qytetar Nderi i Prizrenit. Ky titull i ndahet për kontributin që i ka dhënë Kosovës

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Presidenti Bujar Nishani, Urdheri i Lirise, visite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne
  • Hormuzi dhe Kharg: beteja për arterien e naftës botërore
  • PRANVERA E DINJITETIT – KUJTESË E SAKRIFICËS DHE GUXIMIT PËR LIRI
  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT