Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë 2012 – 2017, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Shqipërinë në përballje me pandeminë botërore covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.
SHQIPËRIA DHE VALA COVID-19
Situata e krijuar nga Covid-19 edhe në Shqipëri u paraqit serioze dhe e rrezikshme, ashtu si në çdo vend tjetër të botës. Për fat të keq kjo situatë u vështirësua dhe u rëndua akoma më shumë për qytetarët shqiptarë për shkak të një paaftësie të madhe të qeverisë aktuale dhe papërgjegjshmërisë së saj për të reaguar në përshtatje me rrethanat e Shqipërisë dhe në favor të interesit publik të qytetarëve. Tashmë mjekët seriozë, specialistë të vërtetë dhe me integritet qytetar po paraqesin prova mjekësore se virusi Covid-19 ka qarkulluar në Shqipëri që prej muajit Janar 2020. Kjo është tërësisht logjike duke patur parasysh që komunikimi fizik midis Shqipërisë dhe veriut të Italisë që ishte vatra më e madhe dhe më agresive e infeksionit, ka qenë me mijëra qytetarë çdo ditë në hyrje-dalje. Përkundër kësaj situate reagimi qeverisë ka qenë inekzistent deri në 10 mars kur duket se sëmundja mori përmasa të mëdha dhe qeveria për të mbuluar paaftësinë e saj dhe papërgjegjshmërinë e demonstruar ndërmori masa e veprime ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë duke dëmtuar rëndë jetën e tyre personale, liritë e tyre themelore dhe ekonominë familjare të shqiptarëve si dhe ekonominë e vendit në tërësi. Është normale që në situatë pandemie të tillë të merren masa të forta institucionale organizative, ligjore por edhe sociale e shoqërore. Për këtë arsye është paraparë edhe kjo situatë dhe veprimet përballë saj edhe në Kushtetutën e vendit edhe në legjislacionin përkatës. Filozofia, parimet, praktika dhe përballimi i saj ndërtohet mbi masat e jashtëzakonëshme shoqëruar me ndihmën dhe kompensimin social, ekonomik e shoqëror. Masa të tilla pothuajse munguan. Qeveria shqiptare u angazhua vetëm në izolimin ekstrem të qytetarë ve dhe pezullimin e çdo njësie dhe aktiviteti ekonomik. Testet e pakta dhe shumë të izoluara kanë pamundësuar orientimin dhe qasjen e duhur mjekësore ndaj këtij virusi dhe përhapjes së tij. Kjo do të na kushtojë shumë për një kohë të gjatë duke mos e ditur realisht se ku duhen marrë masat ekstreme dhe çfarë masash duhen marrë në vatrat e mundëshme të infeksionit. Për fat të keq kjo situatë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e popullit është tentuar të shfrytëzohet për politikë ditore partiake nga qeveria. Kjo është vërejtur edhe nga sulmet e saja ndaj opozitës dhe rolit e sjelljes konstruktive që opozita është përpjekur të ofrojë gjatë gjithë kësaj periudhe. Po përmend vetëm një fakt: Kryetari i opozitës në mënyrë të përsëritur ka kërkuar marrjen e masave të mbylljes së bisneseve të fasonerisë si terrene shumë të rrezikshme për përhapjen e virusit. Reagimi i qeverisë ka qenë tërësisht injorues ndaj këtij propozimi. Kjo vetëm për një arsye, pasi ai propozim vinte nga kryetari i opozitës. Sot rezulton se pikërisht këto bisnese dhe këto ambjente janë vatrat me infektimin më të madh dhe që vijojnë të përhapin virusin me agresivitet. Opozita nuk ka mekanizma ekzekutiv apo institucional që të ekzekutoj politikat dhe idetë e saja. Opozita përkundër sjelljes ekstreme të qeverisë është treguar e matur, konstruktive dhe e përgjegjëshme. Ka identifikuar problematikat reale, ka propozuar masa parandalimi për infektimin dhe masa ndihmëse për qytetarët, ka treguar rrugët institucionale dhe masat financiare të nevojshme. Për fat të keq qeveria i ka injoruar ato vetëm për faktin se ato qëndrime të përgjegjshme vinin nga opozita. Padyshim, që për mua Covid-19,është një kërcënim real dhe i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare jo vetëm në Shqipëri por një kërcënim serioz i paqes dhe stabilitetit në mbarë botën. Mbetet për tu parë se cili do të jetë reagimi për ta përballuar këtë kërcënim.
RIKTHIMI I SHQIPËRISË NË NORMALITET
Për fat të keq Qeveria Shqiptare nuk ka asnjë plan afatmesëm apo afatgjatë, nuk ka një strategji për situatën. Ka ndërrmarë vetëm një hap thjesht represiv, të shtyjë deri në fund të muaji qershor gjendjen e masave të jashtëzakonshme. Po deklarohet hapja e pjeseshme e aktivitetit ekonomik por nuk ka asnjë masë reale dhe efektive të ndihmës financiare e ekonomike ndaj bisnesit të vogël e të mesëm. Degët kryesore të ekonomisë së vendit si bujqësia, turizmi apo transporti rrugor e detar nuk kanë asnjë plan ndihme, madje asnjë diskutim rreth tyre. Pra një kaos total që rrezikon ta zhysë vendin në një krizë të thellë ekonomike. Po të shohësh aspektin e fokusit ekonomik përgjatë kësaj pandemie dallon vetëm politikën e shpërndarjes së milionave nga buxheti i shtetit për një grup të vogël oligarkësh përmes të famshëmve PPP dhe disa pagesa qesharake, të përgjysmuara nga sa u premtua dhe për një grup të përzgjedhur qytetarësh.
SHTETI POLICOR DHE RAPORTI ME TË DREJTAT E NJERIUT
Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në keqpërdorim maksimal të rastit të pandemisë janë dhunuar rëndë në Shqipëri. Ky ishte një rast ku menjëherë u shfaqën reminishencat e sistemit monist ku Shqipëria vuajti për afro pesë dekada. Në Shqipëri qeveria shpalli formalisht “Gjendjen e Emergjencës për shkak të Fatkeqësisë Natyrore” por realisht implementoi masa të “Gjendjes së Jashtëzakonëshme” që parashikohen në Kushtetutën tonë vetëm në rastet e shpalljes së luftës. Ka patur masa ekstreme të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, kufizim të aktivitetit të mediave, mbyllje ekstreme të ekonomisë private dhe nga ana tjetër është shfrytëzuar kjo situatë për prokurime sekrete për materiale krejt ordinere, ndërsa ndihma sociale e ajo ekonomike ka qenë pothuajse inekzistente. Shumë e rëndë ishte dalja nga kazermat dhe patrullimi në rrugët e kryeqytetit të forcave të blinduara e me armatim të rëndë të ushtrisë . Ky ishte një akt në shkelje të rëndë të Kushtetutës e ligjeve të vendit e për më tepër ndodhi në një vend anëtar të NATO-s. Ka një problem shumë të rëndë ligjor me këto masa në Shqipëri. Sipas Kushtetutës tonë dhe ligjeve relevante vetëm Këshilli i Ministrave ka të drejtën e nxjerrjes së akteve normative me fuqinë e ligjit. Shumë prej masave ekstreme të kufizimit të veprimtarisë së qytetarëve dhe medias janë urdhëruar ose me akte administrative të ministrave (çka nuk e kanë fuqinë e ligjit) ose nga statuse në facebook e Kryeministrit. Kjo situatë është skandaloze dhe mund ta quash pothuajse një sjellje diktatoriale e shekullit 21.
QEVERIA, TEATRI KOMBËTAR DHE LIGJSHMËRIA
Tashmë në Shqipëri nuk mund të flitet më për ligjishmëri apo kushtetutshmëri. Në Shqipëri ka rënë tërësisht mekanizmi i balancimit të pushteteve dhe kontrollit mbi to. Kemi një parlament monist, për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk ekzistojnë prej tre vitesh, sistemi i drejtësisë penale është i kapur politikisht dhe me emërtesa antikushtetuese e antiligjore pikërisht për të qënë i kapur politikisht. Pra në Shqipëri sot ka një sistem anarkik ku përditshmëria e jetës rrjedh formalisht për shkak eksistence por pa rregulla, pa ligje, pa kode, pa garancira, pa mbrojtje, pa kontroll. Edhe rasti i sjelljes së qeverisë ndaj Teatrit Kombëtar zhvillohet në këto rrethana. Në gjykimin tim është një aferë e madhe korruptive ku janë përfshirë grupe kriminale të pastrimit të parave të drogës përmes përdorimit të pushtetit politik i cili është tërësisht nën influencën e krimit të organizuar. Ky bashkëpunim midis pushtetit politik dhe krimit të organizuar është provuar përmes disa rregjistrimeve audio të bëra publike prej shtypit gjerman.
SHQIPËRIA DHE KOLAPSI I DREJTËSISË
Shqipëria nga pikpamja ligjore dhe institucionale është futur në një rreth vicioz i cili nuk ka zgjidhje përpos një terreni të ri politik. Imagjinoni nëse në SHBA do të ishte shkrirë Gjykata Supreme prej tre vitesh dhe nëse Senati gjithashtu nuk do të funksiononte prej tre vitesh. Imagjinoni nëse në SHBA gjyqtarët dhe prokuroret do të ishin në frikën se qeveria do të urdhëronte shkarkimin e tyre nga detyra? Shqiptarët kërkuan dhe mbështetën fuqishëm një reformë në sistemin e drejtësisë çka ishte një nevojë e madhe në Shqipëri. Por vullneti qytetar u tradhëtua dhe sistemi i drejtësisë nga një sistem me probleme, me një grup gjyqtarësh e prokurorësh të korruptuar brenda tij, sot është asgjësuar totalisht dhe kontrollohet politikish në mënyrë absolute nga një njeri i vetëm që është Kryeministri vendit i cili përpos të tjerave ka problem të rënda me botën e krimit të organizuar. Në këtë situatë ne kemi një shtet në prag të asgjesimit të plotë në Shqipëri. Kjo që po ju them nuk është një shfrim politik nën emocione partizane por një realitet që mund të konfirmohet nga çdo gjykim normal e i pavarur human. Por unë jam i bindur se populli shqiptar nuk do ta lejojë këtë asgjësim të shtetit të tyre çka do të kishte pasoja të rënda edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
MESAZHI I PRESIDENTIT NISHANI PËR LEXUESIT E DIELLIT, VATRËN DHE DIASPORËN NË USA
Ne jemi me fat që kemi një diasporë të tillë sot në SHBA. Historikisht diaspora shqiptare në SHBA ka qenë një bekim për kombin shqiptar. Për fat të keq neve në Shqipëri nuk jemi qasur e adresuar siç duhet tek kjo diasporë. Ajo ka potenciale të jashtëzakonëshme intelektuale, profesionale, ekonomike-financiare. Mund të flas shumë për këtë çështje por më mirë ta përmbledh me një fjali. Ne jemi në borxh të madh tek kjo diasporë. Unë shpresoj dhe besoj se përfaqësues të saj do të jenë në të ardhmen e afërt pjesë e menaxhimit të punëve në Shqipëri. Ju faleminderit.