• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori përmbi Mamushë

February 7, 2015 by dgreca

Nga Zina Tosku/- Një hark në formë kulle qëndron para nesh. Poshtë gjallon rruga që lidh Prizrenin e Kosovës me komuna të tjera . Çuditërisht, zhurma e makinave duket sikur zbehet në rrugën dytësore ku ndodhemi.
Jemi në Mamushë, komuna e vetme turke në Kosovë, ku 98 % e banorëve janë turq. Jeta aty është identike si në Turqi. Mbi harkun e kullës lexojmë mirësevini në Mamushë. Na thonë se ky hark në anën e kundërt shkruan po të njëjtën gjë por në gjuhën turke.
Në ballkon të çdo shtëpie valëvitet flamuri turk, në çdo shtëpi dhe në rrugë flitet turqisht dhe nga minaret pesë vakte këndohet ezani. Mamusha ngjan si një kala, sapo hyn në territorin e saj.
Mamusha ndodhet në jugperëndim të Kosovës, në pikëbashkimin e komunave të Prizrenit, të Suharekës dhe Rahovecit në largësi prej 16 km nga Prizreni. Vendbanimet fqinje të Mamushës janë Novaku, Smaçi, Medveci, Pojani, Nëpërbishti, Tërrnja, Retimja dhe Optorusha. Me një popullësi prej 6.300 banorësh e me një sipërfaqe prej 23 km katrorë, Mamusha është terren krejtësisht i rrafshët .
Askush nuk e di me saktësi por ka dy tregime në lidhje me toponimin e Mamushës. Thuhet se është dhënë urdhër për themelimin e fshatit nga mbreti sultan Mahmudi 2, ku fillimisht emri i fshatit ishte MAHMUTSHAH dhe me kalimin e kohës u shndërrua në Mamushë.
Të tjera tregime lidhen me Mahmut Pashën mytesarifin e Sanxhakut të Prizrenit, periudha e qeverisjes së Mahmut Pashës rastis në kohët e themelimit të fshatit dhe emri vendbanimit vjen nga emri i tij.
Me rritjen e numrit të banorëve pas themelimi të Mamushës, janë ndërtuar edhe objektet e nevojshme. Emin Pasha e ka ndërtuar ujësjellësin për Mamushë,kurse vëllai Mahmut Pasha e ka ndërtuar kullën e sahatit.
Sipas tregimeve, këmbana zëri i së cilës dëgjohej në distancë deri në 20 km ishte pasuri lufte e fituar në betejën e federevës dhe se pas luftës ballkanike më 1913, serbët e çmontuan këmbanën dhe e derguan diku tjetër. Familjet në Mamushë emërtoheshin me emrat e kryefamiljarëve. Deri më 1960, në fshat ekzistonin vetëm gjashtë mëhalla, si mëhalla Potokut, mëhalla e Mesme etj.
“Turqit e Mamushës, më 1999 e shkruan eposin më të madh në historinë e tyre”, na tregon shoqëruesi ynë.
A thua vallë çtë ken bërë për të madhe këta të Mamushës?
Rreth 45 mijë shqiptarë nga fshatrat fqinje arritën t’i ikin plumbave serbë dhe të strehohen në Mamushë.
Serbët hezituan të ndërrmernin ndonjë aksion ushtarak ndaj Mamushës, ndoshta se pas tyre ishte Republika e Turqisë. Por pas një kohe erdhën në fshat dhe filluan të bëjnë pazare me fshatarët e saj
Mamushasit u thanë serbëve se nuk pranonin te dorezonin shqiptarët dhe se ata pranonin të lejonin shkuarjen e mysafirëve vetëm nëse ju jepnin garanci se në mënyrë të sigurte dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve do të transferoheshin në kampe në Shqipëri.
“Po po serbët u detyruan të pranojnë këtë kusht dhe në këtë mënyrë 45 mijë shqiptarë u shpëtuan nga mamushasit.
Të rinjtë e Mamushës
Këta janë njerëz të qetë e të qeshur. Këtu tradita e të kënaqurit kur të troket dikush në shtëpi nuk ka humbur ende. Në fillim miqësohemi me kryetarin e komunës së mamushasit Arif Butuç , i cili herë pas here e ndërpret bisedën me sytë e ngulur me merak nga të rinjtë e aktivizuar për herë të parë në këshillin rinor.
Na rrëfen historinë e fshatit. Jemi se bashku me të rinjtë, mes tyre edhe një vajzë me emrin Muala Berisha.
Ajo tregon sesi ka marë iniciativën e para për të qënë pjesë e këshillit të komunës, në një vend ku vajzat dhe femrat nuk dalin.
Me këmbënguljen e organizatës Worl Vision u arrit të krijohej ky këshill rinor, i cili nëpërmjet trajnimeve, aktiviteteve kërkonte të përfshinte femrat në jetën social-kulturore.
Të dalësh kundra rrymës së familjeve tejet konservatore të vajzave që qëndrojnë në shtëpi, e të marësh pjesë në trajnime të ndryshme të projektit që organizata world vision paraqiti në këtë komunë, ishte e guximshme, nga ana e saj.
Ndërsa na shërbejnë çajin e zi në zyrën e zotit Butuç, Muala tregon lumturinë dhe kënaqësinë e saj , për faktin që ishte e para pjesë e kësaj lëvizjeje në komunë. Tanimë sekretare në komunë, Muala e veshur me një xhup blu , më xhinse të ngushta, buzëqësh ndërsa tregon, ndoshta pak nga ndrojtja apo ndofta nga lumturia dhe dëshira e madhe për të ndryshuar mentalitetin.
“Në fillim isha e vetme por duke shkuar shtëpi më shtëpi, ne arritëm të mernin vajzat nga shtëpia, për ti treguar që trajnimet e World Vision apo aktivitetet nuk kishin asgjë të keqe”.
Për Mualën, gjashtëmbëdhjetë vjeçare ishte paksa më e lehtë sesa vajzat e tjera të ishte pjesë e këshillit Rinor Lokal, pasi edhe familja e saj ndodhej jasht vendit, e ndofta kjo një tjetër arsye për të shtuar dëshirën e madhe të saj për të qënë aktve. Muala, kishte marë një ftesë nga Mirat Bytyç, për të qënë pjesë e këshillit rinor dhe ajo kishte qënë femra e parë.
Tanimë, me këmbënguljen e saj janë tetë femra pjesë e këtij këshilli.
“Ka qënë e vështirë pasi prindërit e kishin të vështirë të pranonin se vajza e tyre të mund të dilte nga shtëpia” por duke ia shpjeguar se nuk kishte asgjë të keqe të ishe pjesë e trajnimeve të world Vision filluan të kuptonin më shumë dhe të lejonin vajzat e tyre. Kryetari i Komunës, ndërsa na tregon për Mamushën, ai thote se familjet në Mamushë janë aq shumë koservatore saqe deri para disa vitesh e kishin shume të vështirë të vazhdonin universitetin vajzat.
“Tash kemi mundur të dërgojmë për të vazhduar universitetin në Stamboll 150 vajza”, thotë Butuç. Falë mbështetjes që u është bërë të rinjve të Mamushës , të rinjtë kanë filuar të kuptojnë të drejtat e tyre.
I riu Mirat Butuç tregon sesi kanë ndryshuar një element në shkollën e Mamushës. Falë iniciativës së tyre, një mësues që jepte një lëndë në shkollë nuk ishte kompentent në atë lëndë mësimi dhe kjo u ndryshuar. Falë këmbënguljes së të rinjve dhe trajnimeve të ëorl vision, ky është viti i parë që komuna e mamushës mer buxhet më vete për të rinjtë.
E ndërsa, Muala buzëqesh lehtë tek dëgjon kryetarin e komunës, tanimë ajo gjen akoma më shumë mbështetje për ti treguar komunës së saj, që femrat sikurse kanë nevojë të ushqehen, të shkollohen e martohen, ato kanë po të njëjtat të drejta për të jetuar sikurse meshkujt.
E ndërsa largohemi nga zyra e zotit Butuç, mirësjellja e tyre dhe përshëndetja në turqisht e shqip na jep idënë e dy kombësive ose më saktë e dy kulturave që janë përshtatur aq bukur me njëra tjetrën. Ndonëse sot, për Mualën ishte e lehtë dhe e bukur për të na përcjellë, dje ishte e pamendueshme të mund të ishte pjesë e këshillit rinor, për një komunë, një komunitet që ende flet me gjuhën e fanatizmit. Muala, dha veten për një mundësi edhe për të tjerët.
Në Vushtrri
Nën ftohtësine e klimës së komunës së Vushtrisë në Kosovë, takojmë Vlora Krasniqi. Dhe ajo si Muala në Mamushë, është jo vetëm aktiviste në qytetin e vushtrrisë por edhe kryetare e Këshillit Rinor Lokal në këtë zonë.
Një projekt ky i World Vision dhe i mbështetur nga organizata të tjera për ngritjen e kapaciteteve brënda këshillave rinore duke i trajnuar sidomos në menaxhimin e projekteve e zhvillimin organizativ.
Vlora na tregon se edhe për të nuk ishte e lehtë në një qytet si Vushtrria, pasi njerëzit janë të parët për të paragjykuar, për të qënë koservatore dhe jo aktivë ne jetën sociale. Sigurisht që për Vlorën, do i duheshin ide dhe energji për të organizuar takime me të rinjtë, aktivietete të ndryshme, energji pozitive që Vlorës nuk i mungon. Me një qëndrim dinjitoz e të fortë, Vlora tregon sesa ka organizuar një fushatë sensibilizuese për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Ide e bukur, të mund të marësh nga dikush një cigare duke e pire dhe duke i dhënë në këmbim një kokërr mollë.
Si simbol i jetës së shëndetëshme për Vlorën tanimë, fushatat ndërgjegjësuese janë bërë pjesë e jetës së saj. Pyetjes nëse ajo ka qëllime të larta në jetë, ajo u shpreh se “tash për momentin un dua të aktivizoj venin tim, çikat për të aktivizuarr jetën sociale në qytet”, par ma nej , nuk di ça me thon”.
Në kuadër të këtij projekti për të zhvilluar jetën sociale në Vushtrri, është hartuar dhe manuali i brëndshëm i funksionimit të këshillave si dhe është krijuar një traditë e takimeve të rregullta mujore si këshill edhe me pushtetin local. Organizata World vision ka mbështetur në kosovë përveçVushtrrisë dhe Mamushës, edhe tetë këshilla të tjerë rinore.
Projektet janë financuar nga Bashkimi Evropian dhe ka zgjatur pothuajse dy vite me rradhë.
Për Vlorën, të qënurit kryetare nuk është një privilegj që e ka gjetur të gatshëm por një mundësi që ajo ja ka krijuar vetes dhe çdo moshatareje të saj që kërkon të shohë ëmbëlsinë dhe bukurrnë e të jetuarit në mënyrë të barabartë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Histori përmbi Mamushë, Kosove

Një Ditë Shqiptare Në Shkollën Amerikane Në Nju Xhersi

February 5, 2015 by dgreca

Drejtori amerikan i priste nxënësit me kostumin kombëtar shqiptar/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Shqipëria u ul një ditë të tërë mësimi këmbëkryq në një shkollë amerikane në New Jersey. Ndonëse më parë shumë prej nxënësve amerikanë nuk e dinin ku binte Shqipëria, ose më e keqja nuk e bënin fare pjesë të hartës europiane, por e çonin tutje nëpër stepa. Sot gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, të paktën po flas për Amerikën vendin ku kam pothuajse 18 vjet që jetoj dhe punoj me dinjitet. Por jo vetëm nxënësit, por dhe mësues apo gjyshërit e tyre amerikanë, shumë shumë na thoshnin se ne kishin dëgjuar që është një vend krejtesisht i varfër dhe shumë probleme të tjera që ndjen sëmbim në zemër në se i përmend.
Një ditë shkolle në fund të muajit Janar shumë nxënës shqiptare që jetojnë në shtetin kufi të Nju Jorkut në New Jersey organizuan një ditë shqiptare në shkollën publike në Washington School Rutherford. Herët në mëngjes drejtori amerikan veshur me kostum kombëtar shqiptar iu uronte nxënësve të shumtë të tij mirëseardhjen, me një mirësjellje dhe mirësi çka dhe është karakteristikë e tij do të shpreheshin prindërit amerikanë dhe shqiptarë që sjellin fëmijet e tyre në këtë shkollë publike amerikane. Në se nuk do ta dije më parë se ishte drejtori amerikan, pa asnjë dyshim që ai dukej komplet si prind shqiptar ngase kishte veshur kostum kombëtar shqiptar.
Mjediset e shkollës ishin zbukuruar me dekorime të ndryshme nga trevat e Shqipërisë. Nënat e nxënësve zonja të vërteta ku disa prej tyre kam fatin që t’i njoh i kishin kushtuar një kujdes të jashtëzakonshëm si amvisa plot kulturë dhe finesë që të bënin të ndiheshe krenare. Binin në sy tavolina të ndryshme me zbukurime dhe punime nga duarartat shqiptare, ku mjaft gra amerikane të magjepsuara ndaluan pranë punë doreve me grep, shtiza, gjilpërë, jastëqeve zbukuruese etj. Dominuese ishin dhe veglat muzikore që janë përdorur qysh në lashtësi nga shqiptarët si lahuta, mandolina, çiftelia etj… Ajo që do të më bënte më shumë përshtypje ishte sofra e bukur shqiptare, shtruar me një mbulesë të bardhë të punuar me dorë, pecetat e bardha, pjatat e ndryshme ku të parët tanë uleshin rreth sofrës për të ngrënë bukë.
Nxënësit shqiptarë kishin përgatitur një program të bukur artistik me këngë dhe valle shqiptare. Programi u hap me ardhjen e dy fëmijëve duke mbajtur dy flamujt shqiptar dhe amerikan dhe duke i valëvitur në ajër çka i çuan të gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar simbolet e dy shteteve përkatësisht të Shqipërisë dhe Amerikës. Hymni amerikan u këndua nga Emeli dhe Aida Feza, Florian Çirra. Hymni shqiptar u interpretua nga Adea dhe Donart Balidemaj, me të cilët ndjej krenari të ligjshme pasi ata kanë qenë nxënës të shkollës shqipe në Staten Island. Prindërit e tyre të nderuar patriotë të flaktë Bashkim dhe Vjollca Balidemaj shprehën mirënjohjen pasi thanë se hymnin kombëtar e mësuan prej shkollës shqipe ne Staten Island. Nxënësit bën betimin një ritual i përditshëm në të gjitha shkollat amerikane të cilët betohen para Flamurit dhe se përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Gjithmonë në mëngjes më bënte shumë përshtypje sidomos në fillim kur fillova punë në shkollë publike se në se lajmëroheshe nga qendra e zërit për betimin çdo njeri ku të ishte në korridor, në klasë, do të ktheheshin me fytyrë nga Flamuri amerikan dhe do të betoheshin, si shqiptare më shkonte mendja për Himnin e Flamurit tonë që është për të ardhur keq që ka shumë që nuk e dinë, dhe për dekada të tëra nuk u vendos që të këndohej me ligj ndër shkolla.
Nxënësit e talentuar Erza Balidemaj, Briana Bresa paraqitën plot kulturë para publikut amerikan historinë e Shqipërisë, si një nga popujt më të vjeter në botë, personalitete te shquara qe njihen botërisht si Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, James dhe John Belushi, Aleksandri i madh, Ismail Kadare, Tony Dovolani, Rita Ora etj… Me lahutë interpretoi mjeshtërisht z.Bali Balidemaj. Interesante ishte dhe loja e kapuçave që fëmijët e realizuan aq bukur. Ndërkohë që valëvitej Flamuri shqiptar Erza Balidemaj interpretoi vargjet aq të njohura nga poeti kombëtar Naim Frasheri si: Ti Shqipëri me ep nder, me ep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove plot me dashuri dhe zjarr.
Nxënësja simpatike Fjolla Balidemaj udhëhoqi vallen: “Vallja e Rugovës” dhe Moj e mira e Diasporës valle që u mirëpritën me plot duartrokitje. Fjolla dukej si nje shtojzovalle me veshjen kombëtare në skenë duke kërcyer si artiste me motive shqiptare. Në këtë program morën pjesë këta nxënës shqiptare: Donart, Erza dhe Adea Balidemaj, Fjolla, Arnesa, Arion Balidemaj. Erxhan, Florian, Xhuliana, Siana, Amin dhe Jasin Cirra. Aida, Emil Feza, Briana Bresa, Melina Muriqi, Christopher Kasperan dhe Thomas Kasperan. Fjala e Drejtorit të Shkollës publike amerikane ishte shumë frymëzuese, veshja e tij kombëtare me plisin e bardhë në kokë e bënte të ndihej si shqiptar për atë ditë. Ai tha se të njohesh kulturën dhe traditën shqiptare është pasuri për shkollën dhe sot e quaj një ditë të veçantë sepse të gjithë së bashku respektuam historinë shqiptare dhe kjo traditë ka kohë që ka filluar dhe do të vazhdojë gjithmonë dhe me kulturat e tjera në botë.
Ishte një ditë e bukur kuq e zi që do të ngelet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve dhe të nxënësve të shkollës amerikane, ata u larguan nëpër shtëpiat e tyre të ngarkuar me historinë shqiptare.

Shkurt, 2015
New Jersey

Filed Under: Reportazh Tagged With: Keze Zylo, nje dite ne, Nju Xhersi, shkollen shqipe

Ju rrëfej Ankaranë dhe “Rizgjimi i Luanit”

January 31, 2015 by dgreca

Ne Foto: Pritja e ambasades Shqiptare ne Hilton Hotel ne Ankara/
Nga Kozeta ZAVALANI/
Këtë mbasdite mbushur me mendime, si flokët e borës që zbresin ashtu qetësisht, në këtë copë bote të qetë e në lëvizje njëkohësisht, jam ulur e bisedoj me ju bashkatdhetarët e mi, për të përballuar sfidat që bien mbi ne, nga ky cep i botës, as lindje, as perëndim, që quhet Turqi.
Këtë shtet të fuqishëm ushtarak në hapësirat që ndajnë Perëndimin me Lindjen, e kisha vizituar në pjesë të ndryshme të saj; disa herë në Stamboll në festivale për letërsinë dhe poezinë apo në panaire libri si në Mugla, Akyaka, Ordu, Samsun, Denizli, Pamukale, Izmir e Bursa, por asnjëherë nuk e kisha vizituar Ankaranë.

Arsyeja e udhëtimit në Ankara

Udhëtimi për në Ankara ishte krejt i pazakonshëm, madje i jashtëzakonshëm, pasi për të kishim paguar 12 mijë Euro, por për jetën njerëzore nuk ka pagesë… U nisëm nga Tirana të hënën që në mëngjes, kur ende nuk kishte filluar dita normale e punës. Për në aeroportin e Rinasit djalin tonë Mikelin e përgatiti Dr. Jorgo Marga, që së bashku me stafin e reanimacionit të Qendrës Kombëtare të Traumës, ishin përpjekur për të bërë më të mirën e mundshme, por pa rezultat. Pas 24 ditësh në koma të thellë, pas rëzimit nga lartësia, me hemoragji cerebrale dhe hematoma në tru, kur një natë iu shkëput vdekjes për një fije, u vendos kurimi i tij në Spitalin Ushtarak Universitar Gylhane – GATA në Ankara. Vonesat burokratike të aeroportit në Rinas bënë që udhëtimi me avionin charter spitalor të kompanisë turke Redstar Aviation ardhur nga Stambolli, të mos bëhej në orën 8.00 por në 8.45. Megjithëse ishte përcaktuar 3 orë deri në mbrritje, udhëtimi u realizua për 2 orë e 40 min. Gjithë udhës ajrore na shoqëroi një diell i këndshëm, që na bëri të harronim gjithë stresin e tmerrshëm të tri javëve nën ankthin e mbijetesës së Mikelit në reanimacionin e spitalit ushtarak. Ishte data 24 nëntor 2014.
Në aeroportin e Ankarasë na priste ambulanca e kompanisë, me të cilën urgjent u nisëm për në spitalin GATA. Atesheu ushtarak kolonele Razie Mehmeti, u kujdes për shtrimin e birit tonë në reanimacion. Kolonele Mehmeti ka pak muaj që ka marrë detyrën e re të atasheut ushtarak në Ambasadën shqiptare në Ankara. Në atdhe ka lënë vajzën e djalin, që studiojnë në Tiranë dhe si nënë me ndjeshmërinë e dashurisë për fëmijët, më qendron pranë, duke më dhënë besim e optimizëm për shërimin e djalit. Ajo shoqërohej nga Valbona Mataj, që kryen specializimin në Laboratorin Bakteriologjik e njëkohësisht doktoraturën në këtë Qendër spitalore universitare. Me Bonën, siç e thërrasin shkurt Valbonën shkuam në godinën 131 në Mysafirhane, ku ne u vendosëm për të fjetur. Qeveria turke kujdeset shumë për ushtarakët e familjarët e tyre, që i kuron falas apo u jep shërbim me pagesë minimale, nëpërmjet Mysafirhanes, ku qendruam edhe ne. Që të nesërmen filluan interesimin miqtë e mikeshat e mia që janë në Turqi. E para na takoi Luljeta Pajolli, që prej vitesh jeton në Ankara, e cila na shoqëroi në spital dhe u interesua për gjendjen e djalit në Reanimacion. Ajo na shpiegoi edhe vendndodhjen e Akademisë Ushtarake Mjekësore Gulhane në Bashkinë Keçiören. Pastaj Luljeta Tabaku, që jeton në Bursa e Ayteni nga Ankaraja, që na ftoi për darkë në shtëpinë e saj. Spitali ushtarak GATA i vendosur mbi një kodër, sikur të kontrollojë qytetin, ka rregulla të forta që i zbatojnë të gjithë. Mikelin e shohim 30 minuta në ditë, vetëm një pjestar i familjes, natyrisht të pajisur me grykëse, maskë e doreza higjenike. Si të lirë në kohë nuk e refuzuam ftesën, për të marrë pjesë në pritjen që Ambasada e Shqipërisë në Ankara organizonte në Hotel Hilton, për festën e pavarësisë.

Pak aromë shqipërie në Ankara

28 nëntori koinçidoi me vizitën e Papës në Ankara dhe po në të njëjtin vend, në Hotel Hilton u mbajt Konferenca e shtypit…Me gazetarët nga Stambolli kishte ardhur edhe kolegia, mikesha ime artiste Çigdem Yorgancioglu, që ka organizuar ligjerata publike në mbi 100 vende të botës. Ajo njihet ndërkombetarisht si ekonomiste, gazetare, folëse motivuese, artiste dhe ligjëruese publike, që ka dhënë kontributin e saj edhe në Kampusin Universitar në Prizren dhe Gjakovë.
Së bashku shkuam në Konferencën e shtypit dhe pastaj në pritjen e ambasadës sonë. U takuam dhe bëmë foto me Ambasadorin Genci Muçaj e bashkëshorten Valbona Muçaj, atasheun ushtarak Razie Mehmeti e bashkëshortin Ilir Mehmeti, gjithmonë të pranishëm për të ndihmuar shqiptarët.
Në pritje merrnin pjesë një numër i madh zyrtarësh ushtarakë, përfaqësues të misioneve të huaja, familjarë e studentë shqiptarë në Ankara, si dhe ministri i Tregtisë Nurettin Canikli, Ambasadori i Kosovës Ani Spahiu etj. Festa filloi me himnin kombëtar shqiptar e turk, ku Ambasadorët Muçaj dhe Spahiu, si dhe Ministri Canikli prenë së bashku tortën me flamurin e Shqipërisë në 102 vite pavarësi.
Në atë atmosferë të këndshme festive Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Genc Muçaj në fjalën përshëndetëse theksoi “Me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor u hap në Ankara të Turqisë Qëndra e Kulturës Shqiptare “Shemsedin Sami Frashëri” e Ambasadës së Shqipërisë dhe Kosovës në Ankara… ” Me trokitje gotash u ndamë me Çigdemin që do të kthehej në Stamboll, pasi të nesërmen do të ishtë në vizitën e Papës aty. Gjithashtu u ndamë dhe me drejtorin e kolegjit turk Akan Yozgatlι, që kishte ardhur për festën nga Tirana dhe i kishte dhënë mësim për katër vite djalit tonë të madh Mendi, të cilin e kemi edhe përkthyes. Dolëm të shoqëruar nga çifti Luljeta e Reshat Pajolli, që fliste me një devolliçe të pandryshuar, ndonëse i kishte lënë 20 vite në Ankara. Ata na përcollën deri në stacionin e autobuzit. Ajo mbrëmje ishte shumë e ftohtë dhe na u desh të prisnim shumë, derisa të vinte autobuzi ynë me nr 263. Transporti public edhe këtu qenka i njejtë si në Shqipëri, ndonëse bileta është gati trefishi …

Qendra e Kulturës Shqiptare në Ankara

Të nesërmen vizituam Qëndrën e Kulturës Shqiptare në Alltënda (Altındağ) dhuratë nga Kryetari i Komunës z. Veysel Tiryaki.

… U lodhëm pak për ta gjetur, pasi ishte hera e parë që shëtisnim në Ankara me përjashtim të tim shoqi që kishte qenë vite përpara. Në atmosferën festive të krijuar në Qëndrën e Kulturës Shqiptare “Shemsetin Sami Frashëri” në lagjen Hamamoeny (Hamamönü), e cila do të shërbejë për aktivitet kulturore dhe diplomacisë publike e të dy ambasadave, me ndërtesat karakteristike si të Beratit, na dukej vetja si në Shqipëri. Aty takova edhe kolegët e Top Chanel që përgatisnin dokumentarin për shqiptarët në Turqi. Bëmë foto bashkarisht edhe me Marin Memën, duke e përgëzuar për ‘Exclusive’t e tij. Kolegët më njohën me institucionet kryesore të medias turke: Anatoli Ajansu (si ATSH-ja jonë); TRT, Radio Televizionin Turk, ku përfshihej dhe një zyrë e seksionit të radios shqip; CIHAN.
Në bisedën e zhvilluar në një nga mjediset e qendrës ambasadori Muçaj theksoi se, “Përurimin zyrtar të QKSH do ta bëjmë në një moment solemn në prani të autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë e ndoshta më më 17 shkurt 2015, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Krijimi kësaj Qendre ishte një iniciativë e përbashkët, një punë në grup, që lindi si nevojë për të pasur një lloj kohezioni të shqiptarëve. Shqiptarët janë shqiptarë, qofshin nga Kosova, nga Maqedonia, Mali i Zi , Shqipëria. Qendra është e Kulturës Shqiptare, jo e një shteti të caktuar, pavarësisht se do të menaxhohet nga dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, nga dy ambasadat tona. Qendra e Kulturës është një nga veprat, për të cilat unë flas me pasion, sepse jo vetëm do të evidentojë shqiptarët, por do t’i bëjë ata disa herë më shumë krenarë. Kështu do të promovohet kjo kulturë dhe nëpërmjet tyre do të tërheqin dhe shqiptarët biznesmenë, të cilët të investojnë në Shqipëri”. Dy ambasadorët, Spahiu e Muçaj, pritën shumë vizitorë nga komuniteti shqiptar në Turqi, ku dominonte fjala e z. Namik Shabi.
Rizgjimi i Mikelit
Kisha marrë me vete librin “Rizgjimi i Luanit”, që porsa kishte dale në panairin e librit, përkthyer nga Mikeli ynë dhe kur shkonim në spital, herë pas here i lexonim pjesë nga libri, duke pritur rizgjimin e Mikelit. Rizgjimi ndodhi pikërisht në ditën e Krishtlindjes. Së bashku me djalin e madh Mendin me vështirësi gjetëm një kishë, pranë Ambasadës Frënge në Ankara, vendosur rrëzë Kalasë, ku iu luta Zotit në kishën Shën Tereza. Prej andej si zakonisht shkova të vizitoja Mikelin në ora 14.00. I flisja vazhdimisht, duke i treguar nga celulari fotot e bëra në Ankara dhe kur e pyeta nëse i shihte dhe më dëgjonte, ai më foli: – Po, po, më tha, i shoh e të dëgjoj…Ishte e folura e tij e parë, jo me zë, por unë e kuptova nga hapja e gojës. U gëzova shumë që fliste me logjikë, ndonëse fillimisht mendova mos ndoshta i kishin dëmtuar kordat e zërit, kur i kishin bërë trakeostominë dhe nuk mund të dëgjoja zërin, por jo. Rikuperimi ndodhi dalëngadalë e ditë pas dite. Mrekullia e shumëpritur ndodhi pas dy muaj pritjeje. Kujtova mendimet e mjekëve në Shqipëri, madje edhe të mjekut turk Prof. Dr. Ahmet Coşar shefi i reanimacionit, i cili shumë skeptik ishte shprehur se truri i tij ishte shumë i dëmtuar dhe nuk do të kishte rikthim, pasi e kishim sjellë me shumë vonesë… Atëhere, i pata thënë – këtë e thoni ju si mjekë, por ju nuk e dini fuqinë e Zotit, që do të bëjë shumë për tim bir…Dhe fakti që Mikeli doli nga koma e foli, më bëri gjithsesi të falenderoj jo vetëm Zotin, por edhe stafin e tij, për këtë rezultat. Ai tha se Mikeli i kishte kaluar parashikimet e tyre e po përmirësohet shpejt…
Promovim në Bashkinë e Keçiorenit
U bëmë banorë të Ankarasë në Bashkinë e Keçiorenit, ku u promovua romani “Gloria në mes” i shkrimtarit shqiptar nga Kosova Ibrahim Kadriu, i cili është përkthyer në gjuhën turke me titull “Gloria Ortada”.

Shkova në promovimin e kolegut Ibrahim Kadriu në Qendrën Kulturore “Junus Emre”, ku përveç Kryetarit të Komunës Keçioren ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara Avni Spahiu, publicisti i shtëpisë botuese “Bay” Osman Baymak, shkrimtari Jahja Akengin dhe plot qytetarë. Ambasadori Avni Spahiu tha, “Sot ndjehem dy herë krenar. E para, sepse përkthimi në gjuhën turke i veprës me vlera të mëdha letrare qenka marramendëse. E dyta, sepse me autorin ishim kolegë afro 30 vite edhe në kohërat kur u sulmua gjuha dhe letërsia shqipe, u munduam shumë që të mbijetonim ashtu si duhet. Turqia është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën. Kemi shumë marrëdhënie të afërta me mikun tim Mustafa Ak, të cilin e falënderoj për kontributin në organizimin e promovimit të librit”.

Kryetari Mustafa Ak në vazhdim të fjalës së tij, u shpreh “Ne jemi shumë krenarë që promovimi i kësaj vepre të mrekullueshme u realizua këtu në Keçioren. Kosova është një Republikë e re, një shtet i ri. Sot marrëdhëniet në mes të dy shteteve janë shumë të mira. Keçioreni ka një qytet motër në Kosovë. Dëshirojmë që Ambasadori të ndjehet si në shtëpinë e tij këtu mes nesh”.

Autori Ibrahim Kadriu shprehu kënaqësinë e tij për botimin e romanit në gjuhën turke dhe vazhdoi “Është shumë e vështirë për një autor të flas për veprën e tij. Nuk kam folur shumë në jetë sepse gjithmonë jam shprehur me anë të shkrimit”. Ai përshëndeti pjesëmarrësit duke falenderuar edhe për praninë time. Ibrahim Kadriu nënshkruajti romanin për t’ia dhuruar kryetarit Ak dhe pjesëmarrësve.
– A më pranon si banore në Keçiören Belediyesi, pasi do të na duhet gjatë të qendrojmë këtu… – i them kryebashkiakut Mustafa AK në përfundim të takimit. – Hoşgeldiniz…më thotë ai; Mire se erdhe! Je e mirëpritur…Pastaj e ftova të vinte në Tiranë, kur të bëja promovimin e librit të ri, që ai e priti me kënaqësi, sepse asnjëherë nuk kishte qenë në Shqipëri.

Mikeshat turke
Ayten Timuroğlu, e kam njohur ne Festivalin per Letërsinë dhe Artin në Akyaka ku së bashku kemi shëtitur me Prof. e Universitetit Tülay Akkoyun në Muğla dhe në Gokova, ku ajo gjysmën e kohës e kalonte për të reflektuar në det, mes peshkatarëve dhe natyres duke kontribuar në evidentimin e bukurisë së ndërsjellë të jetës sonë dhe natyrës, nëpërmjet pikturës.
Ajo ka hapur 14 ekspozita vetjake dhe shumë ekspozita në grup. Në ekspozitat e saj të fundit ka lëvruar një lloj interesant të fotopikturës “Photopainting”, veçanërisht për gratë që punojnë e jetojnë në fshat. Është anëtare e shoqatës së “Piktoreve Femra të Ankarasë, kurse bashkëshorti i saj anglezi Allen, kontribuon në Qendrën për fëmijët me probleme mendore, ku shpesh ndihmon edhe im bir Mendi.
Alie Tashçë e njoha në ranimacionin e spitalit GATA, ku ajo kishte shtruar bashkëshortin Ufuk, që ishte në koma së bashku me Mikelin. Ditën që nënoficeri Ufuk hapi sytë, na ftuan për darkë në shtëpinë e Hasibe dhe Hasan Karaman, me të cilët Alia ka miqësi 15 vjeçare. Ata ishin martuar në Ankara, por si ushtarakë tani jetonin me dy fëmijët e tyre vajzë e djalë në Isparta. Në shtëpinë e Hasibesë mësova të gatuaj çorbën, sallatën keser e ushqime tradicionale turke…Ditën që Ufuku do të flasë, nëse do të jemi këtu, do të shkojmë së bashku me Alijen e Hasibenë në familjen e tyre në Isparta…
Dr. Myzejen Çelik, e njoha kur shkova të ble ilaçe për gjurin e këmbës së djathtë, me të cilin pata mjaft probleme. Ajo punon së bashku me të shoqin Mehmet e djalin dizajner e piktor në farmacinë pranë Mysafrihanes e spitalit GATA. Në kohën e lire kemi pirë kafe e çaj se bashku, madje na kanë shoqëruar për të vizituar pjesë të ndryshme të qytetit. I falenderoj, sepse më bënë të mos ndihem e huaj mes tyre.

Falenderime
Dua të falenderoj qeverinë shqiptare për marrëveshjen me qeverinë turke, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, që ndërmjetësojnë për kurimin e personelit ushtarak në spitalet e specializuara në Turqi, siç është GATA. Gjithashtu falenderoj edhe familjarët, miqtë e mikeshat nga çdo vend i botës që besuan e kontribuan financiarisht, për shërimin e Mikelit. Shpreh falenderime e urime për arritjet e spitalit Gülhane Askeri Tip Akademi, që i ka shërbyer mjekësisë turke prej më shumë se një shekulli, përfshirë edhe shqiptarët, që përfitojnë nga marrëveshja midis dy shteteve, nëpërmjet Ministrive të Mbrojtjes.
Isha e pranishme kur GATA festoi 116 vjetorin. Në çdo ndërtesë valëvitej flamuri turk, ku dominonte portreti i Ataturkut, themeluesit të Turqisë së re. I krijuar më 30 dhjetor 1898, në muret e Pallatit Topkapë në Stamboll, spitali transferohet nga në Ankara në vitin 1941 dhe në 1947 quhet Akademia Mjekësore Ushtarake Gulhane. Pas përfundimit të kompleksit të madh spitalor në 1971, u transferua në ndërtesën ku ndodhet tashmë.
Sukseset e këtij spitali janë vënë në dukje qysh në luftën e Parë dhe të dytë Botërore, ku Gulhane ka filluar të punojë si një spital i luftës, i përkushtuar për kujdesin e pacientëve të sëmurë në luftë.
Në 1961, u hodh themeli për ndërtesën e re të akademisë, që u përfundua në tetor 1971. Në 1974 u hap Qendra e Radioterapisë, me 30 shtretër dhe më 7 prill 1976 u shtuan shërbimet në ndërtimin Treatment Center.
Për herë të parë në Turqi në 1980, u kryen procedurat koronare angioplasty.Më 6 maj 1981 nga Prof. Dr. Necati me një ekip prej 21-persona është kryer , transplanti i parë i veshkave. Në l982 në GATA filloi Klinika e mikrokirurgjisë e Neurokirurgjisë dhe Qendra Kërkimore. Në 1984 Departamenti i Onkologjisë bëri transplantim e parë autolog dhe allogeneic të palcës së kockave.
Për herë të parë në Turqi në 1986, janë vendosur aplikacionet e rrjetit dixhital e bërthamor. Më 24-25 nëntor 1989 është kryer Transplantimi i parë i zorrës së pankreasit dhe transplantimit të veshkave.
Duke shërbyer si një Spital Ushtarak nga 1 tetor 1985 mori emrin “Akademia Spitalore Ushtarake Mjekësore Gulhane”, duke fituar titullin akademik. Çdo ditë punohet me metoda diagnostike të avancuara dhe trajtim të teknologjisë së re mjekësore, duke trajnuar stafin akademik për të ofruar shërbime superiore mjekësore. Akademia Mjekësore ushtarake Gulhane në Ankara, ka specialistët e mjekësisë për rastet emergjente, në stafin e të cilit janë kirurgë, specialist të sëmundjeve alergjike, Anesthesiology dhe specialistë të kujdesit intensiv.
Në mënyrë që të ndjekë zhvillimet e fundit në Evropë, mjekësia turke ka vazhduar me përpjekje një modernizim të reformës më të plotë të mendimit mjekësor.

Pak nga Ankaraja
Momentalisht jam banore e Ankarasë, që është kryeqyteti i Turqisë dhe qyteti i dytë më i madh i vendit i njohur historikisht nga emrat Ancyra dhe Angora, ndaj duhet të shkruaj edhe për të. Ajo është qendra e Qeverisë turke, qytet i rëndësishëm industrial, një udhëkryq i rëndësishëm i tregtisë, vendosur në mënyrë strategjike në qendër të autostradës dhe hekurudhës dhe shërben si qendër e marketingut për zonën bujqësore përreth. Edhe pse e vendosur në një nga vendet më të thata të Turqisë dhe e rrethuar kryesisht me bimësi stepë me përjashtim të zonave të pyllëzuara në periferinë jugore, Ankaraja mund të konsiderohet një qytet me gjelbërim. Qyteti është i njohur tradicionalisht për dhitë e saj me flokë të gjatë Angora dhe leshi i saj i çmuar (lesh angora), një race e veçantë mace (cat Angora), lepujt Angora dhe leshi i tyre i çmuar Angora, dardha, mjaltë, dhe rrushi Muscat i rajonit.
Ankaraja është një qytet shumë i vjetër me vende të ndryshme arkeologjike si Hitejve, Phrygian, helenistike, romake, bizantine, osmane. Kodra e cila mbikëqyr qytetin është kurorëzuar nga rrënojat e kalasë së vjetër, por vetëm disa struktura historike që rrethojnë kështjellën kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Më e shquara mbetet Tempulli Augustit dhe Romës (20 pes), i cili është i njohur edhe si Monumentum Ancyranum në Ulus, ku mbijeton kopje e paprekur nga Res Gestae shkruar nga perandori i parë romak Augustus. Kolona e Julian apo Julianus, vendosur po në rrethin Ulus, u ndërtua në nder të vizitës së perandorit romak Julian në 362.
Në Ulus pranë Tempullit të Augustit, është ndërtuar në fillim të shekullit të 15 Xhamia Haxhi Bayram në stil selxhuk nga një arkitekt i panjohur. Ajo u rindërtua më pas nga arkitekti i madh Sinan në shekullin e 16, duke u shtuar në shekullin e 18-të. Xhamia është ndërtuar në nder të Haxhi Bajram Veliut, dy vjet para vdekjes së tij (1427-1428) dhe vetë varri ndodhet pranë xhamisë.
Besoj se kushdo që ka vizituar Ankaranë ka bërë foto para Monumentit të vendosur në Guven Park pranë Sheshit Kızılay, i ndërtuar në 1935, ku janë gdhëndur këshilla që Ataturku u jep popullit të vet: ” Turq-Jini krenarë, punoni e besoni në veten tuaj.”
Në bisedë me mikeshën turke Ayten Tumuroglu, që na ftoi për të festuar së bashku ditën e parë të vitit të ri 2015, mësoj se turqve u pëlqen që vizita e parë të jetë në Mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë. Madje në shtëpi midis pikturave të shumta të saj gjendet edhe lulja e Ataturkut, pranë së cilës ne u fotografuam. Nëse do të dish se çfarë është Ataturku e kupton pas vizitës në Muzoleun e quajtur Anıtkabir, vendosur në një kodër të imponuar, përfunduar në vitin 1953, si një bashkim mbresëlënës i stileve, ku aroma e kolonatave antike ndërthuret me modernen. Është madhështore, si Koloseu në Athinë, apo si Napoleoni tek Invalidët. Të lenë mbresë pikturat murale ku përshkruhet njëra prej betejave më të mëdha të historisë në Çanakala, ku Ataturku ka qenë protagonist dhe ku ka filluar pavarësia e re turke. Një shtëpi muze është ngjitur me të, ku gjendet një statujë dylli e Ataturkut, shkrimet e tij, letra dhe sende personale, si dhe një ekspozitë të fotografive që regjistrojnë momente të rëndësishme në jetën e tij gjatë themelimit të Republikës.
Xhamia Kocatepe është një nga mrekullitë kulturore të shekullit të 20-të. E vendosur në qendër të kryeqytetit turk, e dukshme nga pothuajse çdo vend në Ankara, xhamia që përfundoi etapën e tretë të ndërtimit në vitin 1987 është një nga më të mëdhatë e më të rëndësishmet ndërtesa fetare në botë. Me katër minaret e saj të mrekullueshme 88 metra e lartë, ndërtuar në një stil neo-klasik Otoman, Xhamia Kocatepe është e hapur për turistët që respektojnë rregullat e saj .
Ne u ngjitëm edhe në kalanë e qytetit, si për të qenë më në lartësi, më pranë Zotit, ku unë u luta për shërimin e Mikelit… Pak para se të shkosh në Kalanë e qytetit është Muzeu i Civilizimit Anatolian, që ka eksponate që nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit është me të drejtë një nga krenaritë e vendasve. I vendosur në jug të Kalasë së Ankarasë në hapësirën e Atpazar, që është zona më e virgjër e Ankarasë, ashtu si ka qenë para 50 ose më shumë viteve.
Njerëz të varfër, makina të vjetra dhe gra mbuluara me shami në kokë që mundohen të shesin suvenirë të lirë. Për shkak të lartësisë, këtu është një nga hapësirat më interesante ku mund të sodisësh qytetin, ashtu si edhe nga Gustav Kafeteria në katin e 8 të të Spitalit, që e shijojmë shpesh, veçanërisht këto ditë kur është zbardhur nga bora.
Ndoshta pamja më e bukur, por që ne nuk kemi mundur ta shohim ende është nga Kulla Atakule në Çankaja, prej së cilës mund të soditësh një pamje madhështore mbi Ankara, ku panorama e qytetit mund të jenë spektakulare. Atakule është 410 metra e lartë është një nga monumentet kryesore të qytetit. Ashtu si Çankaja është vetë në një kodër, kulla mund të vështrohet nga pothuajse kudo në qytet gjatë ditëve të qarta. Në turqisht, ATA do të thotë “paraardhës” (ose “baba”), që është përdorur shpesh si pseudonym për Mustafa Kemal Ataturkun, themeluesin dhe Presidentin e parë të Republikës së Turqisë; ndërsa Kule turqisht do të thotë “kullë”.
Pamje spektakolare shijuam edhe në zonën Çankaja, rrugës duke shkuar për në Qendrën e Rehabilitimit në Bilkent, ku tashmë është transferuar Mikeli ynë, për rehabilitim. Qendra është moderne, e vendosur mbi një kodër prej së cilës mund të sodisësh pamje të mrekulueshme të lagjes Çankaya të Ankarasë, me hapësira shumë të mëdha, por shpesh të pashfrytëzuara në funksion të pacietëve. E them këtë sepse ndonëse ka shumë hapësirë, në një dhomë banojnë 3-4 pacientë që dyfishohen së bashku me shoqëruesit e të sëmurit, me të njëjtën banjë në dispozicion. Ndaj mos kujtoni se spitalet jashtë atdheut janë një mrekulli, pasi me përjashtim të aparaturave modern mjekësorë, mungon ai komunikim human që ekziston tek ne dhe ka shumë sorrollatje, për shkak të paaftësisë. Me përjashtim të fizioterapeutëve, personeli tjetër mjekësor është fare i pakomunikueshëm dhe kjo veçanërisht me ne qe jemi jabanxhë – të huaj. Shumica nuk kuptojnë fare anglisht dhe sikur të mos kisha me vete djalin e madh Mendin, që ka studiuar në Kolegjin turk në Tiranë, do ta kisha shumë më të vështirë. Ndaj kam filluar të mësoj turqishten, sepse ndoshta do të na duhet të qendrojmë gjatë këtu, deri në rikuperimin e plotë të djalit e kthimin në atdhe.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ju rrefej, Kozeta Zavalani, zgjimin e Luanit

RRUGËTIMI DHE JEHONA E HISTORI SUKSESI SHQIPTARO AMERIKAN NË KOSOVË

January 30, 2015 by dgreca

Pas Mbrëmjes Gala të Historive të Suksesit Shqiptaro Amerikane në New York në Maj të 2014, projekti mbërriti në Prishtinë nga datat 21 deri në 23 Nëntor 2014 me nismën e Ambasadores Amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Ambasadorit të Shqipërisë Qemal Minxhozi si dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kryetari Ahmeti kishte qenë pjesë e Mbrëmjes Gala në New York dhe i përfshirë nga energjia pozitive dhe mbresat nga ky eveniment kërkoi bashkëpunimin e projektit për të organizuar një sërë aktivitetesh në Prishtinë së bashku me Ambasadorin e Shqipërisë ata planifikuan një axhendë interesante për pjesëtarët e grupit të Historive të Suksesit të
Shqiptaro Amerikaneve që do të udhëtonin në Prishtinë.
Bordi i projektit bëri të mundur që në një periudhë mjaft të shkurtër të organizojë një grup interesant prej 30 pjesëtarësh nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët për të shkuar në Kosovë. Ata jo vetëm gjetën kohë për të udhëtuar dhe për të çuar eksperiencat e tyre të suksesit në Kosovë, por edhe mbuluan shpenizmet e udhëtimit dhe të qëndrimit të tyre,”.
Aktivitetet filluan me 21 Nëntor me një forum të hapur me Sipërmarrës shqiptaro amerikanë organizuar nga Qendra e Inovacioneve të Kosovës dhe kompanisë Solaborate, i cili u moderua nga Uranik Begu, Drejtor i Qendrës së Inovacioneve në Kosovë. Në panel ishin Donald Leka, Themelues dhe Drejtues i kompanive të teknologjisë Glide dhe Jumptuit, Labinot Bytyqi, Themelues dhe Drejtues i kompanisë së rrjetit social të biznesit Solaborate, Giorgio Kolaj, Bashkëthemelues dhe Drejtues i zinxhirit të kompanisë Famiglia-DeBartolo dhe Gazmend Gjonbalaj, Drejtor në Drejtorinë e Aplikimit të produkteve në korporatën Bloomberg. Paneli konsistoi ne pyetje dhe përgjigje nga panelistët për çështje nga më të ndryshmet si nga si të fillohet një kompani, kapitali fillestar, investimet në fusha të ndryshme, shkëmbimeve të eksperiencave, diskutime kokë më kokë dhe intervista ne media të ndryshme. Me të drejtë Etrita Ibroci, një nga pjesëtaret e projektit u shpreh se ishte e mahnituar nga të gjithë ata sipërmarrës të rinj të talentuar në fushën e teknologjisë dhe e quajti Kosovën një “Sillicon Valley” shqiptare.
Grupi shqiptaro amerikan u prit nga Kryetari Shpend Ahmeti në Komunën e Prishtinës, ku ata u falenderuan në emër të shtetit të Kosovës për gjithçka që diaspora shqiptare ka bërë dhe shprehu shpresën që diaspora do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e zhvillimeve në Kosovë. Ai gjithashtu i njohu pjesëmarrësit me arritjet dhe sfidat në
Komunën e Prishtinës, më e madhja në Kosovë.
Ambasadorja Amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi u takuan me grupin dhe të dy ambasadorët shprehën kënaqësi që është prezent në Prishtinë dhe dëshirën që këto histori susksesi të arrijnë të jenë frymëzuese për të rinjtë në Kosovë. Ambasadorja Jacobson e njohu grupin me shërbimet e Ambasdadës në Kosovë dhe shërbimet dhe asistencën që ofron shteti amerikan në projekte të ndryshme në Kosovë.
Ambasadorja Amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi u takuan me grupin dhe të dy ambasadorët shprehën kënaqësi që është prezent në Prishtinë dhe dëshirën që këto histori susksesi të arrijnë të jenë frymëzuese për të rinjtë në Kosovë. Ambasadorja Jacobson e njohu grupin me shërbimet e Ambasdadës në Kosovë dhe shërbimet dhe asistencën që ofron shteti amerikan në projekte të ndryshme në Kosovë.
Forumi i hapur me studentë të Universitetin Amerikan të Kosovës me panelistë nga projekti ishte një aktivitet tjetër intresant .Ai u përshëndet dhe moderua nga Presidenti i Universitetit Amerikan Winfred Thompson. Ne forum nepermjet prezantimeve dhe pyetje pergjigjeve u trajtuan çeshtje nga me te ndryshme nga funksionimi i organizatave
jo qeveritare dhe rendesia e mbeshtetejes së tyre, zhvillimi i sipërmarrjes dhe bizneseve, mardhënia e bizneseve me orgnaizatat shtetërore, kariere apo biznes dhe shumë të tjera. Pjesë e këtij paneli ishin Dr. Shpresa Xhakli, Drejtuese e Fondacionit te Fëmijëve
me Autizëm, B. Bix Aliu, Zv/Ambasadori Amerikan në Mal të Zi, Profesor Peter Christopher nga Instituti Politeknik i Worcester, Giorgio Kolaj, Drejtuesi i Kompanisë Famiglia-DeBartolo, Etrita Ibroci, Zv/Presidente e Grupit Pan European dhe Gazmend Gjonbalaj, Drejtor në Drejtorinë e Aplikimit të Produkteve në Korporatën Bloomberg.
Mbrëmja Gala e Historive të Suksesit Shqiptaro Amerikan u organizua në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë. Mysafirët u pritën në tapetin e kuq në Sheshin Nënë Tereza nga Ambasadorja Amerikane dhe Ambasadori i Shqiperisë me bashkëshortet e tyre. Në radhën e të ftuarve ishin politikanë, ambasadorë të huaj, gazetarë, pjesëtarë të
shoqërisë civile, biznesmenë e sipërmarrës, studentë etj. Në fjalën e tyre të dy ambasadorët përmendën rëndësinë e këtij projekti për tu identifikuar me vlerat me të mira, për të treguar se si shqiptarët janë integruar dhe janë kontribues në të gjitha fushat e jetës amerikane dhe mundësinë e ndërlidhjes dhe shkëmbimit të eksperiencave në Kosovë, Shqipëri apo gjetkë.
Ambasadorja Amerikane Jacobson shtroi një drekë për grupin në verarine StonCastle, një investim shqiptaro amerikan ku foli për rëndësinë e investimeve shqiptaro amerikane në Kosovë.
Suksesi është i prekshëm dhe i transmetueshëm dhe nuk ka rëndësi cilës fushë i përket apo nga cili rajon vjen.Të gjithë u ndienë dhe ndanë eksperienca interesante si ata nga Prishtina si Mars Podvorica, Jehona Marku, Ismer Mjeku, Shpresa Xhakli, Gazmend Gjonbalaj e Lumi Hadri, po edhe familja Sela nga Dibra, Venera Bekteshi nga Mitrovica
Etrita Ibroci nga Ulqini, Ina Jasini nga Tirana, Profesori Peter Christopher, shqiptaro amerikan I gjeneratës së tretë në Prishtinë për herë të parë, Angjelina e Gëzim Nika nga Tropoja, diplomati Bix Aliu që udhëtoi nga Podgorica e madje dhe amerikania Jeanine
Fagan që kishte ndihmuar Labinot Bytyqin dhe familjen e tij si refugjatë nga lufta e Kosovës, e cila udhëtoi enkas nga Kalifornia.
Fadil Berisha, një nga partnerët në realizimin e këtij projekti tha se projekte të tilla prekin rininë dhe ata kanë nevojë të frymëzohen dhe të ndihen krenar për arritjet në çdo fushë. Suksesi sjell sukses u shpreh ai.
Një nga qëllimet e këtij projekti tha Vera Mjeku,Drejtore Ekzekutive e projektit, është krijimi i lidhjeve dhe rrjeteve të reja si dhe shkëmbimi i përvojave e bashkëpunimi midis pjesëtarëve të projektit dhe më gjërë. Iniciativa të tilla arrijnë të realizojnë shumë sepse
janë siç quhen në Amerikë “grass roots movements”, ato krijojnë lëvizje të brendshme dhe rrjete bashkëpunimi në çdo fushë. Shprehja e famshme e Presidentit Kennedy, nuk ka rëndësi se çfarë bën vendi yt për ty, por çfarë bën ju për vendin tuaj është një aksiomë që tregon se bashkëpunimi në çdo nivel është i rëndësishëm dhe ka frytet e veta.
Histori të Suksesit Shqiptaro amerikan po punon për promovimin e projektit në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni si dhe mbrëmjen gala të radhës në New York.(U Botua ne Dielli, Janar 2015)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Histori suksesi shqiptaro-amerikan, ne Kosove, Rrugetimi dhe Jehona

PËLLUMB KULLA NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN E DITËLINDJES

January 13, 2015 by dgreca

Në festën e 75 viteve, Pëllumb Kulla lexon fjalimin e 90 vjetorit/
10 janar 2015 SAN MARINO – SOHO, New York,NY/ nga Dalip Greca/
Manhattan, NY- Ditëlindja e 75-të e Pëllumb Kullës është konceptuar si një festë më shumë se familjare,me pjesmarrje të artistëve dhe gazetarëve, ku surpriza apo sekreti nuk i kanë rezistuar dot deri fund tundimit të vetë Pëllumbit, por edhe organizatores. Edhe pse ftesat e miqëve janë bërë telefonike, fshehurazi Pëllumbit, duke i “vjedhur” atij numrat e telefonave, duket se ka qenë aktori Zef Mosi, ai që e zbuloi, (gjë që vetë Pëllumbi e kundërshtoi seriozisht). Në pritje të ardhjes së vonuar të Pëllumbit në San Marino restorant, thashethmnaja lakoi për nxjerrje sekreti edhe emrat e Gazmir Shtinos, Gëzim Gjyrezit, Gavrosh Levonjës, Bujar Verzivollit, Valentin Veizit, por asgjë nuk u vërtetua. Madje, nuk u vërtetua as hipoteza se sekreti doli nga familja,-Xhuli e lau veten duke thënë se ende nuk e dinte se ditëlindja e kujt po festohej, ndërsa për Erën, të bijën e artistëve, doli garant Flladi. Ditbardhi duke qenë se filmonte, nuk u përzie në debate.
Po ç’rëndësi ka se kush e nxori sekretin?! Surprizat nuk munguan. Festa e 75 vjetorit të regjisorit, shkrimtarit, publicistit Pëllumb Kulla, u organizuar me 10 janar 2015 në restorantin San Marino me pronar shqiptarin Sammy Gashi. Restoranti ndodhet në pjesën e poshtme të Manhattanit, zonë shumë e preferuar, veçanërisht nga artistët.
KRONIKË E EKRANIZUAR
Për të ruajtur ”sekretin” Pëllumbi erdhi i fundit në festën e ditëlindjes së tij të 75-të, por për pak mbeti pa karrige… Era, e bija, organizatorja, që formalisht tentoi ta ruante sekretin edhe pasi festa filloi, gëlltit vërejtejet e pazëshme të të atit. Por shumë shpejt e bija do të fitonte duartrokitje e të pranishmëve, madje edhe buzëqeshjen e Pëllumbit dhe duartrokitjet e Xhulit, tek do të shfaqte një video-foto montazh, që shpalosi me humor jetën 75 vjeçare të babait të saj. Fotografitë dhe filmimet nisin që nga 10 Janari i vititit të lindjes(1940), kur Pëllumbi erdhi në këtë botë pa dashjen e tij dhe me të qarat e parreshtura trembi Zemblakun. Edhe pse ishte kohë lufte, të qarat e Pëllumbit shurdhuan krismat e luftës. Me tekst dhe pamje plot humor, shfaqen fotografi që nga fëmijëria e Pëllumbit, ku përkrah parakalojnë edhe portrete të njerëzve të famshëm, që kanë lindur po me 10 Janar 1940, më pas fotografitë shpalosin kronikën e Pëllumbit,- fëmijë i praptë, shkollar i devotshëm, punëtor nga halli,- Gjyshi i pushkatuar nuk e lejoi të kalonte pengesën për në Akademinë e Arteve në vitin 1959, por një vit më pas ai arrin të kualifikohet, edhe pse gjyshi mbeti prapë i pushkatuar, pas akademisë- regjisor në estradën e Vlorës, por shfaqet sërish hija e gjyshit të pushkatuar, që nga dashuria e madhe që ka për nipin, nuk e lë rehat që nga varri, dhe e shtyn në “braktisjen” e skenës, për “ degdisjen” në guroren e Shashicës; pasi u kalit në gjirin e klasës punëtore emrohet në estradën e Fierit, ku shkëlqeu për 18 vite, duke u bërë Kulla i humorit shqiptar. Në vitin 1990 ai do të linte Fierin për të shkuar pedagog në Akademinë e Arteve, ku mezi e patën pranuar, për t’u bërë edhe Dekan, ndërsa dy vite më pas nisi rrugën e diplomatit; më 1992 Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Rruga e jetës shoqërohet me fotografi, filmime, intervista me humor, batuta, që të shkulin së qeshuri… Duket se grupi që ka punuar për paraqitjen e rrugëtimit të Pëllumbit, ka qenë mjaft i impenjuar dhe ka punuar kolektivisht; ata kanë gjetur mundësi që të intervistojnë edhe amerikanë, që flasin për shkrimtarin e publicistin Kulla, madje edhe pakistanezo-amerikanët, paskëshin dëgjuar për madhështinë e penës së Pëllumbit! Jo vetëm kaq, por për ditëlindjen e tij paskej dëgjuar edhe Kryeministri rus Putin, edhe presidenti amerikan Obama (që këndoi për Pëllumbin “Happy Birthday To You”, edhe udhëheqësi i Koresë së veriut Kim Jong Un, ky i fundit dërgoi mesazh special).
HUMOR MJESHTROR NGA AKTORË E AMATORË
Festimi i ditëlindjes të regjisorit dhe shkrimtarit më kulmor të humorit dhe satirës nuk mund të konceptohet pa humor. San Marino kthehet kështu në një skenë të improvizuar ku aktorë dhe jo aktorë, ish profesionistë dhe amatorë, kanë krijuar një situatë të ngarkuar me humor. Krahas Xhuli Kullës, Zef Mosit, Pranvera Veizit, konkurojnë Alba Bungo, Vili , Era e Flladi Kulla. Eksperimenti është i sukseshëm. Të qeshurat shoqërojnë çdo batutë. Alba Bungo duket se ka marrë përsipër të zëvendësojë mungesën e të atit, Lekës, (që ka shkuar në Shqipëri të këshillojë Kryeministrat dhe Pëllumbi betohet se të gjithë ata që marrin këshilla nga Leka kanë fund të palavdishëm). Leka u ka dhënë nerv e të qeshura përvjetorëve të tjerë të shokut të tij, veçanërisht atij të 70-vjetorit, edhe pse Pëllumbi në shtyp e paditi për shpifje Lekën… Humori nga jeta e përditshme interpretohet bukur dhe të qeshurat nuk kanë të pushuar. Zef Mosi me Pranvera Veizin duartrokiten gjatë. Vili duket se i ka shkuar kot talenti, Flladi është i lirshëm dhe i sigurtë, Alba, po ashtu. Tekstet plot humor duket se aktorët i kanë zgjedhur pa ndihmën e autorit të njohur të cilit po i festojnë ditlindjen, si për t’I thënë “estradat e Shqipërisë ta kanë nevojën, por jo ne!”
Thumbat dhe satira kanë mbetë për në fund. Era ka menduar një lloj “hakmarrje” ndaj të atit që nuk ia ruajti sekretin e kësaj feste. Ajo e sulmon Pëllumbin me komentet nga gazetat e Tiranës, që nuk i lënë gjë pa i thënë,për shkrimet që boton, duke gjuajtë herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur gjuan të djathtën, shahet se shpërdoroi shpërblimin si ambasador, kur shan të majtën, i kujtojnë se ka ngrënë edhe në kohë të Enverit dhe e ka bërë për të qeshur atë….Nuk ka nevojë që të sajojë, Era i ka marrë batutat të gatshme nga gazetat online, komente te lexuesve militantë. Pëllumbi vetëm qesh…
PËLLUMBI NGATËRRON FJALIMET, LEXON ATË TË 90 VJETORIT
Qershia mbi tortën e ditëlindjes së 75-të ishte vetë fjalimi i Pëllumbit. Duke qenë se ai nuk ishte dakord me këtë darkë festive,tha se nuk ishte parapërgatitur. Ai jep sqarime për të ftuarit se kur ishin mbledhë si familje e kishin lënë se festa nuk do të bëhej.Ky ishte vendim i formës së prerë. Por fëmijët dhe zonja kishin marrë përsipër të aplikonin stilin surprizë. Ai betohet se e ka marrë vesh lajmin vetëm një ditë më parë.Të gjithë e besuan.
Pëllumbi rrëfehet: “Nga një anë u bë mirë që e mora vesh (edhe pse me vonesë), nga ana tjetër jam lodhur duke bërë prova se si të befasohem. Se unë jam aktor i keq dhe m’u desh të hap sytë, të bëj sikur hutohem, sikur emocionohem që të mos ua prishja qejfin fëmijëve. Po, siç e patë, e luajta keq. Unë prandaj u bëra regjisor se jam aktor i dobët. (Në fakt këtë e ka thënë Leka Bungo). Të gjithë aktorët që nuk bëjnë hajër, bëhen regjisora dhe çuditërisht, sa më aktor i keq të jesh, aq regjisor më i mirë bëhesh. Nga ne, hiqjani rolin e Sali Protopapës, aktori më i keq ka qënë Piro Mani. Ju e keni parë se çfarë regjisori ka dalë ai! Zeusi i regjisorëve!… Belaja më e madhe pas dështimit në provat për habinë e surprises,” vazhdon jubilari, “është se nuk pata kohë të bëja një fjalim për falenderim, për ju që do të më vinit, një fjalim përmbledhës për jetën time. Se nuk kisha një për 75 vjetorin. Nuk e mendoja se do t’i lodh duke i mbledhur miqtë njëherë në pesë vjet. Ama, si sistematik që jam, kisha përgatitur fjalimet për 80 vjetorin deri 100 vjetorin.… Mos habitet njeri se tërë jetën më kanë uruar u bëfsh 100 dhe unë nuk ua prish miqve. Aq më tepër që “u bëfsh 100” më kanë uruar dikur, kur ishim tonët edhe dy Presidentë republike! Dhe urimi i komandantëve nuk është urim, por urdhërim. Kështu gërmova për fjalimet, por i kemi bërë valixhet rrëmujë se përgatitemi për trasferim në Florida dhe nuk e dija ku m’i pat vënë Xhuli. Gjeta vetëm njërin nga ata, dhe atë do t’ju lexoj. Atë të 80 vjetorit!… Jo, qënka i 90 vjetorit! Nuk ndryshon gjë, se edhe atëherë të ftuar po ju, do të jeni. Sinqerisht nuk pata kohë për një fjalim sonte!”
Dhe ai nis të lexojë fjalimin që ka përgatitë për vitin 2030:
“Të dashur miq!
Viti 2030 na ka hapur udhën dhe ja ju prapë u lodhët …(Ëh?! Duhet të jetë “u mblodhët”) të festojmë ditlindjen time. Ju faleminderit! Ja vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. Unë vërtet jam rënduar pak, por do pajtohem me gjendjen. Nuk do të jem më ai llastari i hollë, elegant siç isha kur isha 75 vjeç. Aha, ai trup më del në ëndërr por nuk e arrij ta kem më! Por edhe në këtë moshë kam plot me se të gëzohem…”
Fjalimi më pas bëhet konkret në emra. Pëllumbi parashikon të ardhmen e familjarëve dhe miqëve të vet që ka sonte në festë se si do të jenë ata në 90 vjetorin e Pëllumbit. Prashikon suksesin e nipit dhe të mbeskave, por humori i shkon së shoqes, Xhulit….” Ime shoqe edhe në këtë moshë të avancuar 84 vjeçare,dha provat e mori më në fund patentën e automobilit. (Pëllumbi nuk do të jetë më i punësuar si shofer i saj). Pas një trainingu 40 vjeçar. Po e mori patentën atë ditë që na mbaroi leesa dhe dorëzuam makinën. Edhe nuk e rinovojmë dot se … se ashtu e kemi punën! Xhuli thotë “ta kishim edhe ca ditë vetëm ta parkonja njëherë, se ëndërr e kisha dhe në kurs isha më e mira në parkim paralel….”
Më pas, Pëllumbi, i drejtohet një miku të vet ish të përndjekur: Zija Lepenica dje (në 2030-tën) na gostiti në Arthur Avenue se sapo mori këstin e dytë për vitet e burgut dhe flitet që kryeministri I maxhorances aktuale të 2030 Ilir Meta do të japë brenda këtyre pesë vjetve që vijnë, këstin e tretë”…. Dhe humori vazhdon; ai sheh në 90 vjetor Gavrosh Levonjën, që në 2030-tën kuron gazetën më të madhe shqiptare online dhe vetë sapo mbaroi librin me kujtimet nga turnetë e kombëtares së basketbollit. Ai e pati të lehtë se kujtimet ia plotësonin kolegët e tij basketbollistë të emigruar në Amerikë, Kujtim Kasmi, Lulzim Tela e të tjerë. “Siç e vutë re,” thotë Kulla, “gjatë tranzicionit, kategoria më e suksesëshme e shqiptarëve, ishin basketbollistët shtatlartë. Ata bile arritën që njërin prej tyre për nja dy vjet ta nxjerrin deri kryeministër”…
Në fjalimin e Pëllumbit parakalojnë me nota humori miqtë e shokët… Ai i sheh ata me sytë e 2030-tës: “Gazmir Shtino e ka shtuar humorin. Vazhdon u tregon barzeleta pensionistëve amerikanë dhe ata shkulen së qeshuri. Ia kam zili Gazit e nuk ia kuptoj sekretin: gjen barzeleta shumë të bukura, apo amerikanët gajasen se ai ua tregon në anglisht?”…
Të qeshurat dhe duartrokitjet nuk rreshtën gjatë gjithë darkës…. (Fotografite i shihni ne facebook)

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, E DITËLINDJES, NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN, PËLLUMKB KULLA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT