• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga “Ferri” i Qafë Barit te “Parajsa” e nji familje qafbarase

September 19, 2013 by dgreca

Nga Adriana Dine/

Ne Foto: nder te fundmet foto te Lazrit me Adrianen dhe mbesen-gusht 1998./

 Ishte 7 janar i vitit 1983./

Bënte një dimër i acartë, dhe bora kishte pllakosur krejt pjesën e veriut të vendit. I kisha përcaktuar me kohë ditën e nisjes që të takoja Dinen në burgun e Qafë-barit… kështu që vetëm duke iu lutë Zotit që të më ndihmonte, duhet ta merrja atë rrugë, sigurisht e shoqëruar me dikë, o nga njerzit e mi, o nga njerëz të familjes së Dines; mbasi ishte e pamundur që ato udhëtime të gjata e të mundimshme t’i bëja vetëm…

Udhëtimin e asaj rradhe, në zemër të dimrit më takoj ta bëja me babën tim të dashur, që s’më ndahesh asnjiherë në gjithë hallet e mia, dhe që e kisha mbrapa gjithmonë e për gjithçka, dhe që s’u lodh kurrë dhe as u ankua ndonjëherë për asgjë.

Për të kapë trenin e parë, u nisem nga Savra aty rreth orës katër e gjysëm të mëngjesit, mes nji të ftohti të hidhët, të përcjellë edhe prej njerit nga vëllezërit me biçikletë për të mbajtë çantat deri në stacion të trenit. Tashti që e kujtoj dhe e shkruaj kët ngjarje, më rrënqethet mishi… Ishin peripeci të një rruge, të shumë prej atyre që merrnin rrugët e burgjeve, pakkujt nga të tjerët mund t’i ketë ndodhur nji histori e tillë.

Mbasi udhëtuam për gati gjithë ditën mbrritëm në Fushë-Arrëz mbasdite. Si dimër që ishte dita qe e shkurtë, koha e akullt dhe me borë. Aty të axhensia ngecëm. Skodat për pirit në Qafë Bari s’kalonte asnji…

Ndërsa prisnim, po mendonim se s’mund të vazhdonim më për atë natë, mbasi i ftohti na kish hyrë për palcë, dhe asnji shenjë shprese s’kishim… kur papritmas u shfaq nji kamion nga ata të piritit. Duket, shoferi na njohu menjiherë mbasi atë ditë acari, s’shihje xhanxhin këmbë njeriu, dhe ne ashtu të kruspullosur e të plevitosur ere e ngrice binim menjiherë në sy… Po edhe ato trasta të mbushura me ushqimet e kursyera përgjat dy-tre muajve nga takimi i fundit dëshmonin, se nuk mund të kishin destinacion tjetër: veç Burgun!

Pa ia ngritë mirë dorën, shoferi ndaloi dhe na pyeti: “Për Qafë-Bari, besoj?” “Po, për Qafë-Bari – i thamë me nji gojë unë dhe im atë!” Ai tundi kokën në shenjë miratimi, “Hypni nga ana tjetër…” dhe zbriti na hapi derën na ndihmoi të ngjisim çantat me ushqime… dhe shpejt u vumë për rrugë… Kur na pa se ende dridheshim prej të ftohtit, shau dimrin e atyne anëve dhe ne ndjemë brenda makinës ajrin që po ngrohej. Në atë çast baba im më lëshoi një shikim, sikur të më thoshte: “Mos u mërzit… çdo problem e ka nji zjidhje, edhe ky i sotmi mori nji zgjidhje, mos harro se pa sakrifica s’bahet asgja…!” dhe kjo më ngrohu ma tepër se fryma e makinës.

Rruga e asaj rradhe nga Fushë-Arrëzi në Qaf-Bari ishte nji tmerr i vërtetë. Jo veç e ngushtë dhe e pashtruar, jo veç me kthesa dhe zig-zake të panumërta, po tmerri im ishin ato greminat që ma bënin vdekjen kaq të afërt nga njera anë, edhe shkëmbinjtë që të rrinin si skifterë në anën tjetër e që vende vende të dukeshin sikur do të na shembeshin mbi kokë… O zot, pëshpërisja mbas çdo kthese… Ndihmona!! Nji ndjenjë frike dhe pasigurie e papërshkrueshme… ma rrënqeshte trupin, pa harruar terrin që zbriste me shpejtësi dhe ajo bardhësi e ngrime bore përreth na e bënte rrugën të skëterrshme… Në mjaft vende rruga ngushtohej shumë dhe ashtu e ngrirë akulli ishte e pamundur të kalohej. Dukej sikur zemra po më dilte vendit… Shoferi qe ngjeshë fort mbas timonit dhe askush nga të tre s’guxonte ta thoshte nji fjalë të vetme…

Baba u përpoq disa herë me humorin e tij, të ma hiqte gjysmën e së keqes, po s’ishte e kollajtë. Kur shoferi na tha se po i afroheshim burgut u ndjemë pa të çliruar, po ç’të shihnim, aty bora  e kishte kaluar një metërshin. Dukeshin vetëm ca rrugica të ngushta që të çonin para kangjellave të hijerënda të burgut. Ishte nji errësirë e thellë që mund t’i fuste dy gishtat në sy. Ndjehesha e tmerruar e mpirë… por s’di nga i vinte ajo forcë dhe kurajo babës tim, sepse ai befas ma largoi si me magji trishtimin që më pushtoi. Ende pa zbritë nga makina, shoferi na lajmëroi se ishte e pamundur të bënte nji rrugë tjetër kthimi me kët tmerr të ftohti dhe bore… Atherë baba, me mjaft marifet iu lut që: “Nëse asht e mundun me na lanë ta kalojmë kët natë tmerri aty n’at kamionin e tij!!!” Ai na pa disi i habitur dhe ju drejtua babës duke i thënë: “Si mundem me të lanë vetëm në kamion, gjithë natën e Zotit!!! Ti nji burrë plak me nji vajzë të re, pothuej fëmi mes maleve! Me e marrë vesh nana eme kët gja me qet shpie!” Baba e falenderoi qoftë edhe për at fjalë që na tha: “Mbaroni njiherë takimin, në kët kohë unë po e mbush kamionin… mandej shofim e bajmë!”.

Ishim përballë portës së madhe të burgut, kur papritmas na u shfaq oficeri rojes. Ia shpjegova ma s’pari unë hallin si grua, po ai na priti me këmbët e para: “S’ka takime sonte në kët orë! Nesër, kësmet!!” Na e tha me nji ton bishe që s’më la asnji mundësi bisede. Atherë u afrua edhe baba dhe se ç’foli me të… Mbas pak kohe pritje kur acari i maleve po e bënte si duhet punën me ne, u rishfaq oficeri: “Mirë, mirë, hajdeni, po do të takoheni vetëm për pesë minuta, mos të kemi llafe!!!”.

Më erdhi jo të qaja, po të ulërija atë çast.

Mbas 13 orësh rrugë mes dimrit dhe maleve, mbas aq peripecish, sepse s’mund t’i përmendja të gjitha, s’na lejonin të takoheshim, po edhe kur e bënë zemrën gur… vetëm pesë minuta… O Zot – mërmërita me vete. Kisha gati tre muaj pa e parë tim shoq, Dinen dhe për gjithë mallin e tre muajve… çmallja ishte vetëm 5 minuta!!! që në të vërtetë u bënë pesë sekonda, sepse gjatë gjithë asaj kohe ishim nën presionin e policit që na kyrte ne dhe kqyrte orën të largoheshim nji çast e më parë, dhe ai të shkonte të shullëhej pranë sobës.

Qe nji takim tmerri, ku ti s’arrin as të pyesësh dhe  as të përgjigjesh, as ta shohësh at njeri si duhet, po as ai mundet të shohë, as të pyesë as të flasë… Nji çoroditje emocionesh që s’ka njeri ta përshkruaj… Duhet të jetë diçka fotografuese në shpirtin e njeriut… që nji sekonde të jetës i jep vlerë përjetsie…

Ia lamë trastat Dines, duke e lënë edhe atë në nji ankth dhe tmerr të vërtetë… ku do shkonim dhe ku do mbyteshim për ta kaluar atë natë!!

Ecëm n’ato shtigjet e hapura të borës dhe u nisëm për rrugë… ashtu kuturu, pa e ditë as vetë se për ku. Ecnim nga na çonin këmbët… kur pa bërë as njiqind metra dikush na thirri nëpër terr. Ishte ai shoferi, që na kish sjellë në burg. Erdhi na takoi… Atë natë s’e kishin lejuar të ngarkonte pirit. Gjatë gjithë kohës ai e kishte vëzhguar krejt skenën me policët dhe po na priste me makinë të shuar diku në qoshe. Kur ju afruam, me nji ton të prerë si të ishte urdhër na tha: “Ju sonte do vini me bujtë në shtëpinë time! S’asht në nderin e pukjanit me lanë nji burrë të vjetër dhe nji vajze të re n’rrugë të madhe, midis ktyne maleve të frikshme, dhe nji nate dimri si kjo!!”. E tha me nji lloj krenarie dhe sigurie, që s’kish njeri t’ia bënte fjalën dysh… jo se ne kishim ndonji alternativë tjetër shpëtimi…

Zoti e baftë mirë! – ia ktheu im atë, dhe u nisëm kuturu pa e zgjatë dhe pa e kundërshtuar. Shoqëruesi ndezi dy flakadanë lecke me naftë, nji për vete dhe tjetrin për ne, që ia dha babës të ndriçonte rrugën…

S’e di as vetë si morëm at guxim dhe u nisëm ashtu nëpër ato shtigje mes borës dhe pyllit, mes atyre shkrepave të frikshëm, në besë të atij pukjani që na printe me ndriçim n’ato shtigje që as ditën nuk do të merrja guxim t’i bëja… Vazhduam rrugën me kujdes si na ndihmonte sa herë ndodheshim në vështërsi, dhe na mbante me kurajo. Mua më kish hyrë frika në palcë, por habitesha me babën, si mund t’i kalonte ato thepa e teposhta pa e thyer qafën. E shihja që po hiqte picir i shkreti babë që ishte gati shtatëdhjet vjeç, po unë s’mund të bëja asgjë që ta ndihmoja… Mbas njifare kohe ai pyeti nëse kishim edhe shumë rrugë… si duket ishte lodhë. “Erdhëm, – tha shoferi, – edhe pak mbrrijmë!” Ecëm edhe njifarë kohe të mirë që na u duk nji shekull, kur na u pidaf para edhe një përrua, mbi të cilin thuhej se ishte një urë drrase… besoj nga ato ma primitivet që më kanë pa sytë ndonjiherë. Krejt ura përbëhej nga ca litarë të thurur në formë gërsheti… aty ku shkelnim kishin vënë ca dërrasa që më dukeshin të kalbuna, me hapsirë mes tyre. Për çdo hap që hidhnim lëkundeshim si në një shilarse… terri në nji krah, akulli në krahun tjetër dhe zhurma e përroit ku mund të përfundonim ishin nji tmerr dhe nji torturë që unë as sot s’mund t’i gjej fjalët! Pukjani gjatë gjithë kohës na printe, na fliste, na ndihmonte dhe na mbante me gajret…

Mbas nji lodhjeje rraskapitëse dhe ankthi vdekjeje mbrritëm para nji dere… Ishte shtëpia e malsorit pukjan. Kur u hap dera, mendova shpëtimin, po ndërsa futesha brenda u ndjeva si në një skëterrë… edhe pse gjithë jetën isha rritë me vuejtje dhe privime, mendoja se asgjë s’do t’më bënte përshtypje në jetë. Por jo, kurrsesi!! Edhe sot kur e kujtoj at shtëpinë e tyre, atë lloj varfërie dhe skamje më rrënqethet mishi, dhe s’mundem ta harroj kurrsesi. Shoferi kishte gruan edhe nji djalë. Jetonte së bashku me vëllanë e madh që kishte gruan edhe katër fëmijë. Kishin nanën, nji grua në moshë po fisnike, që doli na priti dhe na foli si zot shtëpie. Pak kohë ma parë u kishte ndodhë nji fatkeqsi, u qe djegë nji pjesë e shtëpisë dhe krejt familja jetonte në nji si korridor të ngushtë e të gjatë ku shifeshin gjithsej dy dyshekë dhe një oxhak me dru të bollshëm. E ndjëmë që zoritën mjaft të shkretët për at gjendje, po dolën jashtë dhe diçka sajuan e na shtruan edhe sofrën e darkës. Për gjellë, na nxorrën groshë… po duhet të ndodhte ajo mrekullia të hasje ndonji kokërr… Na vunë edhe pak djathë, pak qepë dhe pak raki. Djathin e përdornin me shumë kursim, dhe e ruanin si me pasë nji copë mishi të pjekur.

Baba si njeri i kollajtë dhe i pa pretendime e mbushi tavolinën me at humorin dhe rrëfimet e veta pafund… sa nuk u vu re fukarallëku, se herë mbas here i bënte të gjithë qeshnin me humorin e dhe batutat e tij. Mbasi mbaruam darkë, gruaja e shoferit me ftoi të flinim bashkë, se siç më tha “Në dhomën teme ka shtroje dhe mbloje, ndërsa kunati me gruen, dhe nana me fëmijët, mbasi s’kanë me ça me u mbulue, e mbajnë zjarrin gjithë natën ndezë dhe flejnë të tanë bashkë në at korridor të gjanë…

At natë fjeta me gruan e shoferit dhe ajo më shtrëngoi gjithë natën në gji. I vinte shumë keq për fatin tim… Isha vetëm 23 vjeçe, dhe kisha vite e detyruar të merrja rrugët e burgjeve të Spaçit dhe Qafë Barit, atyre skëterrave të papërshkrueshme shqiptare.

Por bujaria e mirësia e atyre malsorëve pukjanë s’kishte fund. S’i kam harruar kurrë, dhe më vjen shumë keq që s’jam aq e aftë sa ta përshkruaj ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mundem t’ua shpërblej pritjen e tyre…

Isha lindur dhe rritur kampeve të interrnimit: ku varfërinë, barangat, kasollet me baltë i kishim me bollëk, po kurrë s’kisha parë dhe provuar nji skamje dhe nji fukarallëk të tillë.

Pastaj janë mjaft veti të tjera që i japin vlerë njeriut dhe e ngrenë lart atë, si bujaria, mirësia dhe mikpritja e asaj familje që na e kish hapë derën në nji natë tmerri. Ata na mirëpritën, na futën në shtëpinë e tyre, edhe pse “armiq të betuar të klasës” që për komunistët ishte një tabu. Gjatë bisedave të asaj nate, ata as na provokuan, as na pyetën, as e përmendën burgun, sikur nuk ishte ai shkaku i asaj që ndodhte, po as ne s’i provokuam se kush ishim, dhe pse ishim aty, sepse e dinim shumë mirë që i kishim rënduar mjaft, edhe me atë praninë tonë në shtëpinë e tyre.

Më ka mbetur peng, dhe s’më hiqet nga mendja pse nuk u gjet nji mënyrë, që të mësonim të paktën mbiemrin e tyre… sepse ne s’i pyetëm as për emrin as mbiemrin, sepse vetëm ashtu s’i rëndonim ata, po as ata s’e bënë nji gjë të tillë… Sepse askush s’e mendonte se në nji të ardhme, nëse na jepesh mundësia të mund t’ua shpërblenim qoftë edhe me mirënjohje simbolike atë mikpritjen e tyre fisnike… që vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite më e bukura e jetës sime…

Të nesërmen pa zbardhë mirë drita, shoferi pukjan, na zbriti në Fushë-Arrëz dhe i nda prej nesh i kënaqur dhe krenar… duke na lënë të vazhdojmë në hallet tona të kampeve dhe burgjeve dhe ai në kamionin e piritit atyre rrugëve të egra…

Zoti e bekoftë atë familje  të mrekullushme pukjane , ata njerëz që vërtet jeta i kish hedhur atje në skëterrë, po s’kish mundur ta vriste mirësinë dhe mikpritjen në shpirtin e tyre.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adriana dine, Nga ferri, qabarse, Qafe-Bari, te parajsa

Qarrishta,fshati qe strehoi 26 hebrej

September 6, 2013 by dgreca

Reportazh nga  Besim Dybeli*/

Në të majtë të qytetit të Librazhdit, drejt verilindjes, nis një rrugë e porsa shtruar, që të çon në Steblevë e më tej. U deshën vite e vite, që këmbët e rrugëtarëve të kësaj treve apo dhe gomat e makinave të vjetra, të ceknin për herë të parë asfaltin. Nuk bën më tepër se pesë kilometra dhe një degëzim në të djathtë, ngjitet pjerrtasi mes fshatrave Dorëz e Gizavesh të komunës Qendër, Librazhd. Autobusi ynë, mbushur me dhjetëra pasagjerë e ca vende “rezervuar” për gazetarë, ecën butë-butë mbi një shtresë zifti të hollë. Kësisoj, të krijohet ndjesia e një udhëtimi komod, pa ditur se për një distancë afro 30 kilometra, do të duhen mbi dy orë për të mbërritur në Qarrishtë. Të gjithë tunden, shkunden e mbahen fort mbi sediljet që u ka dalë skeleti i hekurt, teksa mjeti i tipit gjerman, prodhim i viteve ‘70-të, uturin me sa fuqi që ka. Pas xhamave të shtrënguar fort me bullona hekuri, syri të rrok bukuri mahnitëse. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, burimet ujore që rrjedhin pa pushim nën cicërimat e zogjve, të japin imazhin sikur dëgjon “simfoninë” e pyllit. Ne, që jemi të zhytur në smogun e trashë të Elbasanit të ndotur, hapim gojë e hundë për të mbushur mushkëritë me ajrin e virgjër. Ndonjë operator qejfli romantik, teksa fshin me mëngë tisin e avullit mbi xham, përpiqet të fokusojë në kamër bukuri natyrore të rralla. Syresh, nxjerrin dhe blloqe shënimesh pa kurrfarë informacioni.

Ne, që udhëtojmë për herë të parë drejt fshatit Qarrishtë, mbetemi kureshtarë, sa për të parë këtë fshat, aq edhe për të përfytyruar se çfarë do të ndodhë atje në kujtim të asaj që ka ndodhur 70 vjet më parë. Sa më tepër i afrohesh fshatit, aq më e vështirë bëhet rruga mbi gurë, që në çdo njëqind metra duhet të kalosh gurgullimat e ujit dhe gurët e mëdhenj të përrenjve që zbresin me vrik nga vargmalet e Shebenikut, majat e të cilëve, ende qeleshebardhë. Që në nisje, ishim kuriozë për të prekur nga afër një copëz histori të shuar ndër vite të këtij fshati. Plotë shtatëdhjetë vjet më parë, aty do të strehoheshin për dy vjet 26 hebrenj prej inkuizicionit gjerman! E rrallë, por e krenarishme…

Histori e shkruar mbi gur Mure të gurtë. Çati me rrasa guri. Rrugica, shtruar me gur. Shpate malesh të gurta. Një jetë mbi gur. Historia mbetet po aty. Venitet, por nuk prishet. Njerëzit, gurë të fortë. Dy shekuj më parë, qëkurse ky vend u popullua, ka mbetur po ashtu. Nga lindja, vargmale të lartë gjer në kupë të qiellit, që e ndajnë me Maqedoninë fqinje. Nga jugu e perëndimi vargmalet e Shebenikut, që e ndajnë atë nga Rrajca e Struga. Nga veriu male të lartë, që e ndajnë nga Stebleva. Den baba den këtu mes ashpërsisë natyrore e malesh stoikë. Nën një hapësirë qiellore disa hektarëshe e mbi ngastra toke gjysmë dynymësh ende jetohet në këtë fshat mes malesh. Dielli del vonë e ikën shpejt. Blegtorët u ngjiten shpateve e pllajave pa lind e kthehen pasi perëndon. Amvisat pranë oxhaqeve që nuk u shteron zjarri, misërnike në çerep e gatime vetëm me gjalpë. Çobanët e burrat e lodhur ndër ara duhen ushqyer mirë. Jeta ka të njëjtin refren këtu. Ndërsa viti me dy stinë ka vetëm dy ngjyra. Jeshilja pa kufi në verë e bardhësia që vret në dimër. Në dy shekuj mbijetesë, dy herë ka fluturuar helikopteri mbi këtë fshat mes malesh. Një herë është ulur mbi dëborë duke marrë një të sëmurë rëndë dhe një herë tjetër, në pamundësi uljeje, ka lënë pas dhimbjen e një gruaje për lindje. Nga 200 familje, sot bujisin vetëm 40.

Të ikurit dhe të mbeturit, gjithçka e kanë shkruar mbi gurë muzealë. Kështu edhe për epopenë dyvjeçare të mbajtjes nën “gjuhë” të 26 hebrenjve, për pak se martirizues. Një ceremoni modeste Ka lindur dhe është shndërruar në traditë një festë në këtë fshat. Ajo e Bashkimit. Është konceptuar kështu, për tu ndodhur bashkë një herë në vit. Të ikurit, 160 familje dhe të mbeturit rreth 200 banorë. Brenda festës, edhe ajo e përkujtimit të dy viteve që u strehuan hebrenjtë. Qindra pjesëmarrës në atë tokë gurishtë rreth “lapidarit” ku shkruhet, “Qarrishta, besa shqiptare”. Shkruar thjeshtë, por shumë domethënëse. Në Jeruzalem, në hartën e Shqipërisë është shkruar “Zero”! Kjo, për faktin që asnjë hebre nuk është vrarë apo dorëzuar tek gjermanët. Në pritje të ambasadorit izraelit, të ardhurit e vendasit, sikur çfarë do të ndodhë! Mes tyre dhe deputeti Taulant Balla dhe Eduard Selami, që ndoshta për herë të parë përqafohen e shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Mbase idilizmi i festës solli këtë moment kortezie.

Ndërsa ambasadori vendos dy tufa lulesh artificiale mbi pllakën e gurtë përkujtimore, (që sa hap e mbyll sytë u rrëmbyen nga dy vocërrakë) dhe drejtohet jo me shumë optimizëm para kamerave. Me sinqeritet ai falenderon banorët e këtij fshati e në veçanti familjen Biçaku, që mbajtëm me bukë e u dhanë jetë për dy vjet bashkëkombësave të tij, e, po me këtë çiltërsi ai pranon se pasardhësit e tyre nuk janë gjendur asnjëherë këtu, për të mos thënë që nuk kish dijeni se ku mund të ndodheshin ata, shumica të shpërndarë nëpër botë! Ceremonia spostohet në oborrin e shkollës me 40 nxënës, çatia e së cilës sikur puthej me tokën. Pas muzikës tallava, ushqyer me rrymë elektrike nga një gjenerator i sjellë nga Durrësi, përshëndetjet e rastit nga kreu i komunës, Enver Shkurti. Mes të tjerash ai do të citonte: “Gjyshërit dhe prindërit tanë për dy dimra mbajtën gjallë 26 jetë hebreje në emër të besës e mikpritjes shqiptare, në emër të Zotit dhe të drejtës për të jetuar, edhe pse e dinin së jeta e tyre do të shuhej në çast nga bajonetat e karabinat gjermane, pa menduar kurrë për haraç në ditët e lirisë që do të vinin. Por, – vazhdoi ai mes të tjerave, – sot shpresoj, që distanca që ndan këtë komunitet nga jeta cilivizuese përtej këtyre maleve, do të shkurtohet edhe nga kontributi i shtetit të atyre njerëzve që ne strehuam në ato vite të vështira lufte e dimri”. Edhe pse duartrokitjet herë-herë ndërprisnin përshëndetjen e ambasadorit izraelit, që shqipërohej jo fort mirë, ky i fundit në thelb do të thoshte se “… mirënjohja ndaj familjes, Biçaku dhe miqësia jone me popullin shqiptar nuk do të shuheshin kurrë“. Dhe, … vetëm kaq. Ndërsa dy personazhet e politikës, Balla e Selami, nuk mbajtën ndonjë fjalë të rastit, “dueti” nuk i kurseu buzëqeshjet e fotot me të gjithë të pranishmit. Në një farë mënyre, i njëjti ritual edhe nga ambasadori izraelit. Dreka fshatçe rreth 5 kilometra më tej. Pikërisht në themelet e mbetura të familjes Biçaku, që sakrifikoi gjithçka për të mbetur gjallë 26 hebrenj nga shumë të tjerë të shpërndarë në vendin tonë e më gjerë…

 

Krenari apo zhgënjim?!

 

Pjesëtarë dhe pasardhës të familjes Biçaku, jo fort të privilegjuar në festën që mbart brenda saj edhe kujtimet e komunitetit të vogël hebre të strehuar në shtëpinë e tyre. Ata dhanë gjithçka në atë kohë absurde për mbajtjen e përcjelljen gjallë të atyre njerëzve. Sakrificat e papërshkruara të kësaj familjeje do të mbaheshin në sirtarë arkivash për më shumë se 50 vjet. Të djeshmit i persekutuan, pse strehuan dhe u dhanë bukë bijve të atyre që për shtetin komunist të 45 vjetëve ishin “koburja“ e ngrehur e “imperializmit amerikan”. Të sotmit, i lanë pothuajse sërish në harresë. Veç ca dekorimesh nga lobet izraelite në Amerikë e së fundi edhe në Parlamentin shqiptar, asgjë tjetër. Paradoksi mbetet në atë se persekutorët e djeshëm janë kthyer sot në tribu të atributeve të akteve humane të kësaj familjeje. Djemtë dhe mbesat e familjes, Biçaku, (sot banues në Durrës apo në Elbasan) nuk kanë shkuar më tej sesa të përfituarit e një pune sanitare e pa shtëpi. As shteti i tyre nuk u dha mirënjohje apo mbështetje konkrete, as shteti i atyre që strehuan e as pasardhësit e atyre hebrenjve që u përcollën shëndoshë e mirë, hipur mbi kuaj, pranverën e “45-ës, drejt Strugës. Aso kohe, teksa karvani kalorësiak ecte mes malesh, në të kaluar të kufirit, ata (hebrenjtë) do tu premtonin një jetë të begatë të paktën tre brezave të familjes që i kishte shpëtuar si shpërblim për jetën që u kishin shpëtuar! – “Babai im do të refuzonte që në gjallje të tij lëmoshën 30 dollarëshe që do t’i vinte privatisht nga njëri prej atyre që mbajti në shtëpinë e tij“, shprehet Muhameti duke shtuar se “vetëm ishte vlerësuar me dekorata në Amerikë”! – “ Asnjëri prej atyre që mbajtëm apo pasardhësit, nuk janë bërë të gjallë qoftë dhe për një kontakt fizik në këtë vend ku qëndruan për dy vjet gjyshërit e tyre“- pohon Natasha, mbesa e kësaj familjeje. – “Gjyshi im i mori nga Tirana e i solli këtu natën me mushka e po me mushka blinim drithë e ushqime në Strugë e Ohër për tu siguruar ushqim, por të themi të drejtën pak mirënjohje na është përcjellë“ ,– shton mbesa tjetër, Elida. Nga ç’është bërë, gjallë po përpiqet ta mbajë në këmbë shoqata e miqësie me kontributet e dhëndrit të kësaj familjeje mikpritëse, Kujtim Hasbiu. Ky i fundit mbetej organizatori i kësaj ceremonie, më së shumti për të lartësuar krenarinë e virtyteve shqiptare.

Festa ka mbaruar shpejt. Afër të perënduari të diellit, autobusi, që numëron ditët për skrap, bën rrugën e kthimit. Shoferi, i gëzuar sa s’ka, pse e vetmja ditë që i kish siguruar dyfishin e pasagjerëve, merr ç’pasagjerë gjen rrugës. Mezi arrijmë të futemi brenda. Tre veta në dy sedilje. Dhe ne të medias, si të shumtit në këmbë, mbahemi fort në ca hekura të salduar afër tavanit prej llamarine të autobusit “Benz-70”. Gratë e vajzat mbulojnë gojën me shami prej erës së rëndë e avujve të rakisë kumbullake. Një ditë e bukur, e lodhshme, por me mbresa. Në atë copëz toke shqiptare, rrethuar e harruar mes malesh, përkujtohet gjer në lartësim strehimi i 26 hebrenjve, më tepër si simbol i besës dhe mikpritjes të vendit të shqiponjave. Ndërsa i afrohemi qytetit të Elbasanit, këshilltari i ambasadorit izraelit, me celular, interesohet se kur dhe në cilat media do të jepet ndodhia e kësaj dite…

* Falenderojme autorin qe ia dergoi per botim Diellit

Filed Under: Reportazh Tagged With: 26 hebrej, fshati qe strehoi, Qarrishta

Me Dr. Lindita Çoku dhe pacientët e saj shqiptar në Boston

September 6, 2013 by dgreca

Nga Rozi Theohari, Boston/

Në adresë të emailit tim gjeta një foto dërguar nga kirurgia duarartë shqiptare Lindita Çoku. Ne fotografi paraqitej një krevat spitali: trupi gjysmë i mbuluar i një pacienti, gjoksi i tij fiksuar me tela elektronikë dhe fytyra. Ah, fytyra e tij mbuluar me rrudha shprehte pakëz dritë ndërkohë që bashkëshortja, edhe ajo e moshuar, kishte mbështetur buzët në ballin e tij të djersitur. Ishte puthja e parë bekuese, përgëzuese, lutëse e frymëdhënëse, pas operacionit të rëndë në zemër përfunduar disa orë më parë. Ajo puthje e lehtë, fisnike, ishte dashuria e nënës, zemërdhembshuria e gruas shqiptare, e cila ka mbajtur e mban gjallë familjen, mirësinë, traditat, ritet, shoqërinë.

Ditë më vonë,pasi gjeta emrin dhe adresën e pacientit, i telefonova.Kisha kureshtje. Ai quhej Avdyl Tufa dhe kishte ardhur enkas nga Lushnja për t’u operuar në Amerikë, nën përkujdesjen e familjarëve.

Avdyli më foli me një zë emocionues: “Doktoreshën Lindita Çoku e njoha gjatë kohës që isha shtruar në spital. Dy ditë para se të operohesha nga zemra erdhi në dhomën time një vajzë e re. “Unë jam shqiptare, më tha,- punoj kirurge në këtë spital. do të asistoj në operimin tënd.

Keni fatin e mirë që do t’ju operojë një nga doktorët më të mirë.”

Ashtu, e urtë, e butë, më sqaroi për këtë operacion. Fjalët e saj më ngrohën shumë dhe më bënë optimist. “E kam për detyrë që t’i ndihmoj shqiptarët që vijnë këtu, mos ki merak, je ne besën time”- vazhdoi ajo.

Dy ditë pas operacionit doktoresha Lindita më erdhi në dhomë e më tha gëzueshëm: “Avdyl, operacioni doli me sukses, siç ju thashë edhe para se te operoheshit.” Ajo, fjalëmbla, më dha disa këshilla të vlefshme, të cilat i përsëriste sa herë vinte në dhomë.

Nuk mjaftohej me kaq, por here pas here më telefononte nga shtëpia e saj e më jepte porosira të mos kisha ankthe. “Çdo gjë do të shkojë mirë, dalëngadalë .” më përsëriste ajo. Kjo sjellje e saj humane ka lënë mbresa të mira tek unë dhe tek familja. Ne e konsiderojmë doktoreshën

si pjesëtare të familjes dhe mua m’u bë tamam si bija ime. Edhe sot që bisedoj me ju, e ndiej kujdesin e saj nga afër, prandaj dhe e respektoj shumë, sepse ajo vetë i respekton shumë pacientët e saj. Nisur nga konsideratat e mia, unë, përveç emrit të saj të bukur “Lindita”, do ta

quaja “zemërarta”. Këtë emër e meriton. Do ta kujtoj gjithmonë kirurgen tonë shqiptare.”

DOKTORESHA QE NUK DI TE ÇLODHET

Dr. Lindita Çoku është një figurë e mjekësisë shqiptaro-amerikane tashmë e njohur nga bashkatdhetarët e rajoneve të mëdha të Nju Jorkut dhe Bostonit, por edhe brenda e jashtë Amerikës. Ajo është zgjedhur presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, me kryetar nderi nobelistin shqiptar dr. Ferid Muradi. Pjesëmarrja e dr. Çokut në elitën e kardiokirurgjisë amerikane është një nder jo vetëm për doktoreshën, por edhe për gjithë kombin shqiptar.

Po prisja në sallonin paraoperator të “Boston University Medical Center”, me sytë e përqendruar tek ajo derë, pas së cilës vajza jonë e talentuar shqiptare “qëndis” mbi organin e zemrës me gishtat e saj delikate. Pas një ore drejt meje po ecte ajo, tiransja zemërdëlirë.

Kirurgia shqiptaro-amerikane (the surgeon) Lindita Çoku hoqi maskën e bardhë te operacionit dhe unë dallova fytyrën e saj pak fëminore të përshkuar nga një buzëqeshje lumturie. Përsëri operacioni ne zemrën e pacientit mbaroi me sukses. Përsëri. Vajza shqiptare nuk e ndien lodhjen kapitëse të operimit në sallë dhe i përball emocionet e forta. Mbi të gjitha qëndron ndjenja e lartë e përgjegjësisë për një jetë njeriu.

Disa çaste më vonë po shëtisnim në kopshtin e spitalit “Boston University Medical Center”, që është bërë shtëpia e dytë e saj. I transmetova dr. Çokut falënderimet e Avdylit. Ajo më shpjegoi se kishin qenë tre pacientë shqiptarë që ishin operuar nga zemra kohët e fundit dhe theksoi se që të tre pacientët shqiptarë kanë pirë duhan vite me radhë. Ata u këshilluan ta ndalonin rreptësisht duhanin. Doktoresha vazhdoi: “Zoti Avdyl Tufa, pacient i moshës 76- vjeçare nga Lushnja, u diagnostikua me sëmundje arterosklerotike te tre prej arterieve koronare të zemrës më 27 tetor 2008 tek Qendra Mjekësore Universitare e Bostonit. Me 1 nëntor ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike pa kalim në pompën mushkëri-zemër. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 6 nëntor u dërgua në shtëpi. Më 30 prill 2009 ai u kthye ne gjendje te mire në Shqipëri. Pacienti i dytë, zoti Agim Dëshnica, i moshës 75 vjeç nga Tirana, u soll ne Qendrën Mjekësore Universitare te Bostonit urgjent me “Ambulance” mbasi kaloi një episod sinkopie (të fiket) në rrugë, e cila u dëshmua nga bashkëshortja më 16 shkurt 2009. Ai u diagnostikua me sëmundje

arterosklerotike të zemrës në bazë të prezantimit klinik, eko kardiografise. Më 20 shkurt 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike për revaskularizimin e tri arterieve koronare të bllokuara gati plotësisht.

Me 6 mars 2009 ai u dërgua në shtëpi dhe deri tani ka një progres tepër të mirë klinik. Pacienti i tretë, zoti Ramazan Çelaj, i moshës 48 vjeç nga Lushnja, gjatë kontrollit te zakonshëm me mjekun e familjes, u njoftua se kishte një zgjerim të mediastiniumit, përmes një radiografie

të kraharorit. Pas testeve të nevojshme u demonstrua zgjerim (aneurizëm) i shkalles patologjike të aortës asendente (ena e madhe e gjakut që del menjëherë nga ana e majtë e zemrës). Pacienti plotësonte të gjitha kriteret për ndërhyrje kirurgjike. Më 9 mars 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 14 mars Ramazani u dërgua në shtëpi. Ai është i gatshëm për t’u kthyer në punë rregullisht. Dua të theksoj,- përfundoi

doktoresha, se pirësit e duhanit duhet ta dinë mirë sa dëmtime serioze

i shkaktojnë zemrës së tyre, përveç mushkërisë, fshikëzës urinare, kavitetit te gojës dhe lëkurës.”

KRENOHEMI ME DR. ÇOKUN

Gjatë bisedës me pacientin Ramazan Çelaj, ai më tha: “Kur te ndjek e mira, duhet pranuar si fatsjellëse. Kështu më ka ardhur njohja dhe ndihma e doktoreshës Lindita. Ishte janar 2009 dhe saktësisht data 12 kur kisha takimin me doktor Ara Ketchedijan dhe ai foli me admirim për doktoreshën . -”Në ekipin tonë kemi dhe një patrioten tuaj që e quajnë Lindita Çoku,”- më tha doktori.

Nuk e prisja që të takoja një shqiptare këtu, në këtë institucion prestigjioz, në “Boston University Medical Center”, dhe aq më tepër që doktoresha do të ishte pjesëmarrëse në operacionin që më priste.

Nuk m’u dha mundësia ta takoja deri në ditën e operacionit, më datën 9 mars.

Ishte e hënë, një ditë e ftohtë me dëborë, kur unë dhe familja ime u nisëm drejt spitalit. Në të tilla raste dihet se si ndjehesh dhe aq më shumë familjarët e mi. Me të mbërritur në spital, gjithçka ishte gati dhe mua më duhej vetëm të shtrihesha në shtratin e operacionit. Para

meje u paraqitën dr. Ketchedijan dhe dr. Çoku. Doktoresha, për të më qetësuar, m’u drejtua në gjuhën tonë e m’u prezantua. Mbeta disi i pafjalë, ndërsa ajo më fliste ngrohtësisht se duhej të isha i ç’tensionuar dhe i qetë.

“-Gëzohem që ju njoha,- i thashë më në fund doktoreshës,- dhe më vjen mirë që ju do të jeni me mua. “. Për momentin nuk dija ç’t’i thosha më tepër, se isha i shqetësuar për vete dhe për familjarët e mi.

Iu luta dr. Çokut që të shkonte tek të mitë dhe t’i qetësonte për gjithçka. Ajo ma plotësoi dëshirën me mirësjellje. Krevati im lëvizi për në drejtim të sallës dhe doktoreshe Çoku më shoqëronte e më fliste për të më qetësuar. Kur u gjeta në sallë mes tërë atyre aparaturave, m’u afrua doktoresha e më tha: “Ne shqiptarët jemi të fortë dhe ju kështu më dukeni, madje më dukeni më i fortë nga ç’e mendoja”. Patjetër, ishin fjalë për kurajë. Kaq mbaj mend derisa erdha

në vete mbas disa orësh, në dhomën e reanimacionit. Sapo isha përmendur pashë doktoreshë Çokun qe hyri në dhomë duke buzëqeshur dhe që të dy me doktor Ketchedijan më pyetën si

ndjehesha. “Të thashë që ne jemi të fortë!”, më foli doktoresha me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël, por mua më dukej se më thoshte: “Ne shqiptarët jemi të aftë të bëjmë gjithçka!”. Me të vërtetë, shqiptarët janë të aftë të bëjnë gjithçka! Ja ku e kisha pranë doktoreshë Çokun, për të cilën ndjehesha krenar. Një kirurge e përkushtuar shqiptare në Amerikë, e vlerësuar për punën e shkëlqyer në operacionet dhe për kujdesin ndaj pacientëve te saj. Dr. Lindita vinte disa herë në ditë, më pyeste për gjendjen time, madje, kur kish pak kohe te lire, bënim biseda te ndryshme. Kryesisht meraku i saj ishte mjekësia, duke përmendur me admirim vendin tonë të largët, me shpresë se ai vend mund të arrinte një ditë me një mjekësi të përparuar.

Ju lumtë doktoreshë Çoku ! Ju urojmë suksese në karrierën tuaj profesionale, sepse keni një profesion sa human, aq edhe të vështirë!”

Urimin e Ramazanit e vazhdon bashkëshortja e tij, Dituria: “Doktoreshe Çokun për herë të parë e pashë ditën që bashkëshorti im bëri operacionin, – thotë ajo.- Më kujtohet buzëqeshja dhe fjalët qetësuese të saj; na siguroi se çdo gjë do të shkonte mbarë. Ndoshta nuk fiksova shumë gjëra atë ditë, sepse mendja ime qe përqendruar në sallën e operacionit ku ishte bashkëshorti im, i cili, siç tha edhe doktoreshe Çoku, kishte jetuar “me revole pas kokës.” Zani kishte

lindur me defekt në zemër, AORTIK VALVE, dhe si pasojë u shkaktua ASCENDING AORTIC ANEYRYSM, që në moshë të re. Kjo sëmundje nuk të jep shenja dhimbjeje ose të tregojë që je i sëmure, por është shumë e rrezikshme për jetën, sepse, në qoftë se çahet aorta nga zgjerimi, shkaktohet vdekje e menjëhershme. Pra, dua të dal tek fjalët e doktoreshe Çokut: “kishte jetuar me revole pas kokës!”

U zgjata pak për te treguar diagnozën e Ramazanit jo pa qëllim, sepse njeriu duhet të ketë informacion të saktë për llojin e sëmundjes së tij dhe kjo gjë në Shqipëri na ka munguar. Dua të them se doktoreshe Çoku, përveç përkujdesjes shëndetësore, gjente dhe kohën të na

sqaronte për çdo gjë rreth kësaj diagnoze. Nuk kam për ta harruar kujdesin e saj për pacientët, por mbi të gjitha dua të theksoj thjeshtësinë e saj. Mua më dukej sikur e njihja prej kohe këtë vajzë.

Te Lindita Çoku janë bashkuar të gjitha virtytet e shqiptarit: zgjuarsia , mirësia, thjeshtësia dhe dëlirësia.

Krenohemi me doktoreshe Çokun dhe i urojmë asaj suksese të mëtejshme në detyrën humane që ka marrë përsipër. Gjithë Shqipëria duhet të krenohet me dr. Çokun!”

FALEMINDERIT, DOKTORESHE !

Pacienti i tretë, Agim Dëshnica, më tha: “Gjatë jetës sime nuk kam pasur probleme me shëndetin. Vitin që shkoi, papritur, tek ecja rrugës, nuk u ndjeva mirë me frymëmarrjen. Natën nuk munda të flija nga një dhembje në krahëror. Sipas mendimit të kardiologut Hans Mejer dhe analizës kardiografike, duhej t’i nënshtrohesha një procesi të vështirë, operimit në zemër, zëvendësimit të tri venave të dala jashtë përdorimit ( me tre baj-pase.)

Para operimit, në dhomën e pritjes, pranë shtratit u shfaq një djalosh plot gjallëri. “ -Jam doktor Ara Ketchedijan, që do të drejtoj nesër operimin tuaj. Çdo gjë do të kaloje mirë. Flini i qetë” -më tha.

Fill pas tij, befas dëgjova një zë të këndshëm vajze. Fliste ne gjuhën e bukur shqipe. “- Jam doktoreshë Lindita Çoku, nga Tirana – më tha -Edhe unë tok me doktorin do të marr pjesë në operim… Mos u shqetëso nga operacioni, ki besim tek ne.”

Hodha sytë e pashë i gëzuar fytyrën e qeshur plot dritë të kirurges shqiptare. M’u duk aq e afërt, sa që natyrshëm iu drejtova me “ti” dhe me emrin Lindita. Në ato çaste m’u shfaq atdheu i largët.

Me sytë e mendjes pashë Tiranën e rinisë sime, të shkollës e të punës, me gëzime dhe halle. Duke dëgjuar Linditën tek fliste aq përzemërsisht, u mbusha me krenari për njerëzit tanë të talentuar që punojnë këtu në SHBA, falë edhe nivelit e kushteve aq të mira të mjekësisë amerikane.

Ditën e nesërme më mbartën për në sallën e operacionit. Nëpër korridoret më shoqëruan njerëzit e miqtë e mi të dashur. U ndava me ta me besimin tek Zoti për të mbijetuar e tek aftësia e njohur e kirurgëve amerikanë. Ndërsa prisja në një dhomë të gjerë para sallës

së operimit, m’u afrua e më foli disa herë Lindita jonë e shkathët.

Ashtu, i shtrire, ndiqja me vëmendje përqendrimin e saj mbi një tavolinë pune. Pas pak kohësh u afrua e nisi të punonte për mua doktori anestezist, një djalë i fuqishëm e i gjallë në prani të disa mjekëve të tjerë. Në mbarim dëgjova tek e përgëzuan: “gud xhob!” Pastaj nuk mora vesh se ç’ndodhi…

Papritur dëgjova shqipen e bukur: -”Mirëmëngjes, Agim!”- Ishte zëri i gëzuar i Linditës. Pranë saj pashë gruan e birin tim të dashur.

Doktoresha vijoi: “- Operacioni mbaroi me sukses. Sikur ta dinit se sa me lehtësi më punuan mendja dhe duart. Nuk ndjeva asnjë lodhje gjatë gjithë kohës së punës.”

Tek e sodisja dhe e dëgjoja, e kisha të vështirë të flisja. Nuk gjeja fjalët e duhura për të shprehur admirimin e thellë ndaj saj. U përpoqa e krijova diçka të afërt me poezinë e emrave tona:

– Pas agimit, “lind dita” e shkëlqyer.

Faleminderit, doktoreshë! Je një kirurge shqiptaro-amerikane me duar të arta!

Nuk do ta harroj kurrë edhe fytyrën e lumtur të doktor Ketchedijanit për suksesin e arritur, ndërsa vinte pranë meje ashtu si Lindita për të parë ecurinë e shërimit.”

Ata janë tre pacientët e saj. Ajo “ua hapi zemrat” e tyre dhe ata e

falënderojnë sot me “zemër të hapur!”

Boston, maj 2009

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dhe pacientet e saj shqiptar, me dr Lindita Coku, Rozi Theohari

Paqja rrezaton vështrimin mbi Seul

September 5, 2013 by dgreca

Reportazh nga Kozeta Zavalani/

 E ftuar nga Federata Universale e Paqes dhe Federata e Familjes për Paqe Botërore mora pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Lidershipit “Ndërtimi i një kombi të Paqes” që u zhvillua në  Seoul, të Koresë këtë fundgushti.                 
Tisi i hirtë i qiellit u zhvendos e para syve shtrihej qetësisht Seuli, metropoli më i madh dhe kryeqyteti i Koresë  Jugut,  me një popullsi prej më shumë se 10 milionë,  qyteti më i madh në botën e OECD së zhvilluar. Zona që  përfshin metropolin përreth aeroportit Incheon, është zona e dytë më e madhe metropolitane në botë me mbi 25.600.000 njerëz.
Dielli me sa dukej, ishte në të perënduar dhe ato pak rreze, që arrinin të depërtonin mes reve, të cilat pluskonin, duke shtyrë njëra-tjetrën  mbi horizont, hidhnin një si refleks të verdhë, në të kuqërremtë, nga ushtria e reve të lindjes dhe pallatet shumëkatëshe, që zotëronin hapësirën, që shtrihej aq paqësisht mbi glob. Kjo ngjyrë ndërthurej magjishëm me grinë e reve mbi Seul, që i jepnin pamjes një hije madhështore. Populli puntor duarartë e mendjendritur i Koresë së Jugut ndonëse ngrohet nga i njejti diell, mbi të njëjtën tokë, është sa i ndryshëm aq edhe i njëjtë me ne. Me të njëjtën histori 50 vjecare pas daljes nga lufta, por sa shumë përpara kanë ecur ata…dhe sa shume pasterti ne cdo mjedis.
 Seuli është konsideruar qyteti kryesor dhe me shpejtësi në rritje globale, që rezulton nga një bum në rritje ekonomike, të  njohur si mrekullia mbi lumin Han, i cili e transformoi atë nga hiri i luftës së Koresë në ekonominë e katërt më të madhe metropolitane  në botë me një GDP-i  773.900.000.000  USA$ në vitin 2012, pas Tokios, Nju Jork dhe Los Anxheles.  Seuli është një udhëheqës botëror teknologji shpërndarës dhe  krenohet, që ka numrin e gjashtë më të madh në botë nga 500 shumëkombëshet të tilla si Samsung, LG dhe Hyundai-Kia, duke u renditur i gjashti në indeksin e qytetit global të energjisë. 
Metropoli ushtron një ndikim të madh në mes çështjeve globale, si një nga pesë mikpritësit kryesorë të konferencave botërore, ku merrnim pjesë edhe ne nga Shqipëria, në Konferencën si ajo për Lidershipin me temë  “Ndërtimi i një kombi të Paqes”. Ishim nisur në ora 20 e 45 min nga aeroporti Nënë Tereza i Tiranës së bashku me Gani Roshin Presidentin e Federatës se Familjes për Paqe dhe ciftin Eva e Kreshnik Cipi, në udhëtimin me Turkish Airline dhe mbrritëm në Seul të nesërmen afër mbrëmjes.

Nga aeroporti ndërkombëtar Incheon ku na prisnin përfaqësues nga Federata Universale per Paqen, u nisëm me autobuzat komode VIP Limouzine dhe pasi kaluam nga autostrada, mbrritëm në  Hotel Sheraton Grande  Walkerhill. Më kënaqej syri tek shihja ndërtimet arkitekturore të urave me disa kate, që kishin shfrytëzuar edhe vendin poshtë tyre, me ndërtimin e parqeve sportive. Gjithcka ishte e mrekullueshme, në perfeksion.

Qëndruam dhe u akomoduam në  Walkerhill Grande Sheraton,   vendosur në verilindje të Seulit, i rrethuar nga lumi Han dhe Malet Acha, në njërën faqe të të cilit sheh një kala antike, e cila daton në Dinastinë Shilla (57 pes). Hoteli është mjaft larg nga qendra e qytetit, por gëzojmë ajër të pastër, të freskët dhe pritje të ngrohtë mes një qëndrimi të rehatshëm në një mjedis fantastik në  Walkerhill Sheraton Grande.

Në  ceremoninë  e mirëseardhjes, u takova me zonjën Tomiko Duggan, Drejtore e Marrëdhënive me Publikun në  zyrat e FPU-së  në   Washington DC  dhe Presidentin e UPF International Dr. Tomas G. Walsh. Në  celjen e Konferencës Presidenti i UPF International Dr. Tomas G. Walsh,  ftoi në  panel  8 përfaqësues të komuniteteve fetare nga vende të  ndryshme të  botës. Shumë  mbresë lënëse ishte ceremonia e ndezjes së  8 qirinjve të  paqes nga përfaqësues të  gjithë  besimeve fetare në  botë  e konkretisht, nga Budistët, Kristianët Katolikë, Kristianët Baptistë, Konfucianzmi, Honduizmi, Islamizmi dhe feja Shinto.    Midis fjalimeve më impresionoi fjala e Dr. Chang Shik Yang dhe Dr. Lan Young Moon, Presidente e Federatës së  Grave për Paqe Botërore, me mesazhin për bashkimin e Koresë së Veriut dhe të Jugut.

Isha një prej 300 pjesëmarrësve që erdhën në Seul te Korese se Jugut nga 80 kombe te ndryshme, për Konferencën e Lidershipit Ndërkombëtar, sponsorizuar nga UPF , në bashkëpunim me Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim dhe Federata e Grave për Paqe Botërore.

 Pas duave nga tetë udhëheqësit e besimeve fetare, u prezantua nga Rev Moon  Kwon Jin, fjala përshëndetëse në emër të nënës së tij Dr Hak Ja Han Moon dhe bashkëshortes se Rev Moon prej më shumë se 50 vjet. Prej saj duhet theksuar se “paqja e qëndrueshme kërkon harmoni dhe bashkëpunim ndërmjet feve .Besimtarët e të gjitha traditave fetare duhet të punojnë së bashku në dashuri dhe respekt , për hir të përmbushjes së vullnetit të Perëndisë.”
Dr Chang Yang Shik , Kryetar i komitetit të organizimit të konferencës dhe president i Federatës Familjes për Paqen Botërore në Kore, tha se: ” Ati Moon ishte një lider dinamik dhe se Nëna Moon kishte qenë në anën e burrit të saj për më shumë se pesë dekada të martesës së tyre . Pa marrë parasysh se çfarë sfidash ata përballën , ajo ishte gjithmonë aty . ” Gjysma më e mirë ” e tij është me ne , dhe ajo na çon me urtësi të madhe dhe forcë. 
Shumë nga pjesëmarrësit në konferencë ardhur nga 43 kombe, kishin zgjedhur nga Nëna Moon  për një fushatë shtatë -vjeçare deri ne 2020 ne Vizion te kombeve per promovimin e paqes. Folësit nga shumë kultura dhe sfera te ndryshme të jetës, ofruan mendime për jetën, mësimet dhe trashëgiminë e birit të fermerëve Korean, që si një refugjat lufte filloi predikimin për paqe në një kasolle kartoni dhe që kaloi në botën shpirterore në moshën 92 vjecare.
“Para takimit tim me Rev Moon, aspirata ime, si një mjek dhe politikan, ishte për të kontribuar për paqen , ” tha Hon.Jin Hinokida. “Kjo ishte pjesërisht për shkak se unë isha lindur dhe rritur në Hiroshima, që kishte qenë shkatërruar nga bomba atomike.  Duke qenë angazhuar për paqen, kur  takova Rev Moon për herë të parë, unë isha tronditur thellësisht jo vetëm nga ideologjia e tij për paqe, por nga fakti se ai e kishte vënë atë në praktikë në të gjithë jetën e tij të vërtetë.

Dr. Thomas Walsh, President i Federatës Universale të Paqes dha një pasqyrë të parimeve thelbësore udhëzuese të të gjitha ndërmarrjeve të themeluara nga  ati dhe mëma Moon, duke u ndalur në parimet hyjnore:
Ne jemi një familje njerëzore e krijuar nga Perëndia.
Cilësitë më të larta të qenies njerëzore janë shpirtërore dhe morale.
Familja është shkolla e dashurisë dhe paqes.
Paqja vjen përmes bashkëpunimit përtej kufijve të etnisë, fesë dhe kombësisë, dhe parimi -Të jetosh për hir të të tjerëve.
Z.Mark Brann, Sekretari i Përgjithshëm i UPF –Evropë dhe Dr. Michael Balcomb, presidenti i Federatës Familjes për Paqe Botërore në SHBA,  transmetuan një pasqyrë të kursit të jetës së Rev.Moon.
Hon. Gina de Venecia , anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Filipineve , e përshkroi humbjen shkatërruese të vajzës së tyre, që vdiq në një zjarr në shtëpinë e tyre . Nëna dhe Babai Moon do të ndryshonin jetën e tyre përgjithmonë, sepse kishin dëgjuar këshillën e tyre të mençur…
Folësit nderuan Atin Moon për “krijimin e një urë e dashurisë dhe të paqes mes kombeve, duke u treguar njerëzve një rrugë dhe një kredo praktike, se si të jetojnë jetën në paqe dhe harmoni “.

Programi i konferencës përfshiu një pasqyrë të aktiviteteve UPF -së në vitin 2013 dhe disa nga iniciativat e paqes rajonale. Me shumë interes u ndoqën temat  “Rëndësia e Familjes, martesa dhe bekimi”, “Rëndësia e Arsimit dhe Media” si dhe “Fuqizimi i Grave”, drejtuar me mjeshteri e profesionalizem nga Carolyn Handschin, zv presidente e Federates Nderkombetare te Grave per Paqe Boterore dhe nen drejtore ne OKB. Ati Mun e ka quajtur shekullin 21″epoka e grave” dhe burrave që punojnë krah për krah për paqe, ashtu si ai dhe gruaja e tij kishte bërë.  Federata e Grave për Paqe Botërore përshkroi punën e grave edukative dhe humanitare frymëzuar nga babai dhe nëna Moon, sidomos me gratë e Koresë së Veriut.  Udhëheqësit e ndërmarrjeve të tjera që  Ati Moon kishte themeluar, shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar trashëgiminë e tij.  Kryetari i Washington Times, Z. Thomas McDevitt, përshkroi tre- dekada të angazhimit të gazetës së SHBA-së në besim, familje dhe liri, si vlerat thelbësore të mbrojtura prej tij.

E paharruar do të mbetet shërbesa në nderim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Rev.Moon, që u mbajt në Qendrën Botërore të Paqes dhe në kompleksin e kishës në provincën e Çonpiongut, rreth 50 km në verilindje të Seulit.  Ceremonia përkujtimore Seonghwa në Gapyeong, ishte një shfaqje e mrekullueshme Gala ku Mother Moon kendoi se bashku me dhjetra niper e mbesa te familjes Moon dhe u lexua poezia hymn, “Crown of Glory”-”Kurora e Lavdisë”. Këngëtarja e mrekullueshme, mikja ime Gloria del Paraguaj dha një performancë solo me zërin e saj të vecante. Pastaj aktorja e famshme koreane Hye Seon Jeong lexoi poemën përkujtimore “Një letër Atit tim”, që na emocionoi të gjithëve. Anëtarët e Federatës së Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror ( FFWPU )  të cilët fizikisht nuk mundën të marin pjesë në këtë ngjarje në Kore, morën pjesë me anë të transmetimit në internet live, i cili u dërgua jashtë për 193 kombe.

Dëshiroj të theksoj pengun tim, që nuk munda ti dhuroj librin tim me poezi “Porta e shpirtit” përkthyer ne disa gjuhe, midis tyre edhe ne gjuhen koreane, qe te mund ta lexonte edhe Nena Moon. E kisha kaq prane, tek buzeqeshte me embelsine e thjeshtesine e saj, ashtu si ne shtator te 2005 ne Pallatin e Kongreseve ne Tirane, por nuk munda ta takoja, per shkak te protokollit… Vleresoj faktin qe në fjalimin e saj Dr Hak Ja Han Mun na falënderoj që morrëm pjesë në këtë konferencë shumë të rëndësishme. Midis të tjerash ajo theksoi: “Bota është një vend dhe një kohë për ne, që të përgatitemi për jetën tonë të përjetshme. Secili prej nesh do të ngjitet një ditë në botën e shpirtit. Çdo moment është aq i çmuar, dhe pafundësisht domethënës. Ati Moon jetoi jetën e tij në mënyrë, të tillë uke punuar 24 orë në ditë. Atë rrallëherë e zuri gjumi. Ai gjithmonë jetoi çdo moment e çdo ditë me një vetëdije të tillë intensive e jo vetëm me vuajtjet njerëzore. Çdo person që ai  takoi, pa marrë parasysh kohën apo vendin, e stimuluan atë  për të dhënë gjithçka ai kishte, për të sjellë atë person më afër Zotit. Burri im vazhdimisht mësoi se devotshmëria në jetën tonë është besimi. Asgjë nuk mund të krahasohet me vlerën e dashurisë së vërtetë. Ajo ka fuqinë për të shpërndarë barrierat që njerëzit kanë krijuar, duke përfshirë kufijtë kombëtarë dhe barrierat e racës dhe madje edhe të fesë “.

Reverend Dr. Sun Myung Moon dhe Dr. Hak Ja Han Mun punuan  tërë jetën, për të ndërtuar një botë universale të paqes , një familje globale nën Perëndinë. Bazuar në një marrëdhënie të thellë dhe të dashur me Perëndinë, ai ka zhvilluar të kuptuarit shpirtëror, që ka transformuar jetën e miliona njerëzve në mbarë botën, me vizion për të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore , duke përfshirë;  familjen , shoqëri në, qeveri të, biznesin, akademi të, artet dhe sportet, me vëmendje të veçantë për  ndërtimin e një “kombi të paqes “, përmes familjeve të mira , qytetarisë, qeverisjes së mire dhe bashkëpunimit ndërfetar .

E themeluar nga Dr Reverend Mun Sun Myung dhe Dr Hak Ja Han Mun, Federata e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim përpiqet të mishërojnë idealin e dashurisë së vërtetë dhe për të  krijuar një botë të paqes dhe unitetit midis të gjithë popujve, racave, dhe feve.

Federata e Paqes Universale është një rrjet global i individëve dhe organizatave të dedikuara për ndërtimin e një bote të paqes, në të cilën të gjithë mund të jetojnë në liri, harmoni, bashkëpunim dhe prosperiteti.  UPF zbaton programe përmes rrjetit global të Ambasadorëve për Paqe.

Federata e Grave për Paqe Botërore është një organizatë jo-fitimprurëse e përbërë  nga të gjitha pjesët e shoqërisë, bazuar në vizionin  “Njerëzimi është një familje globale në një botë paqësore nën Perëndinë.”

Ditën e fundit, ne të katërt shoqëruar nga Rev.Shin, i dërguari special për Shqipërinë,  vizituam një pjesë të Seulit.

Ndërtuar mbi lumin Han, historia Seulit shtrihet më shumë se 2.000 vjet kur ajo u themelua në vitin 18 pes nga Baekje, një nga tre mbretëritë e Koresë. Zona metropolitane  e Seulit përmban katër Site të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.: Changdeok Palace, Hëaseong Kalaja, Jongmyo Shrine dhe varret mbretërore të dinastisë Joseon.  Seul është e rrethuar me male të lartë si  Bukhan, më i vizituar në botë si park kombëtar. Monumentet Moderne mbajnë Rekorde Guinness  Botërore.

 Në vitin 2012, cilësia e jetës në Seul është gjetur të jetë më e lartë se New York City, Londër ose Melbourne, por pak më e ulët se Tokio dhe Paris, sipas Kombeve të Bashkuara.

Seul ka një infrastrukturë shumë të avancuar teknologjikisht. Ajo ka penetrimin më të lartë botëror të fibrave-optike broadband, duke rezultuar në lidhjet më të shpejta në botë, të  internetit me shpejtësi deri në 1 Gbps, 170 herë më i shpejtë se interneti im. Terminali i hekurudhës KTX me shpejtësi të lartë dhe metro Seul është rrjeti më i madh në botë metro nga gjatësia dhe është konsideruar metroja më e mirë në botë.

Insadong është tregu kulturor, me punime koreane tradicionale dhe moderne,  që përfaqësohet nga punime të tilla si piktura, skulptura dhe kaligrafi. Shkuam edhe në tregun elektronik Yongsan, që  është tregu më i madh elektronik në Azi. Më bëri përshtypje fakti që, ndonëse në njësi tregëtare moderne shumëkatëshe në Seul, mund të negocioje për cmimet, njëlloj si në tezgat e Stambollit, ndoshta kjo një karakteristikë e popujve të lindjes, që nuk ndodh në perëndim…

Pasi hëngrëm së bashku një drekë të vecantë me gatime tipike koreane, vizituam kullën më e lartë në qytet 73-katëshe, Seul Tower. Ndërtuar në vitin 1969, dhe me një kosto prej rreth $ 2,5 milion kulla u hap për publikun në vitin 1980. Që atëherë, kulla ka qenë një pikë referimi e Seul, 1,574 ft mbi nivelin e detit. Kulla e Seulit ofron pamjet më  të mëdha panoramike e qytetit dhe ka qenë e mbetet simbol i Seul që nga viti 1980 që tërheq një numër të madh të vizitorëve çdo ditë.

Monumentet kryesore moderne në Seul përvec Seul Tower, janë Qendra Botërore e Tregtisë dhe shtatë-rrokaqiellet që, dominojnë horizontin e qytetit, duke përfshirë një qendër 640-metër të biznesit, Digital Media 523-meter  dhe Lotte Botërore me 2 kulla në Jamsil Songpa dhe Gangdong.

U ndjeva sikur kisha udhëtuar mbrapa në kohë dhe ndjeva cka dukej të ishte një udhetim i mrekullueshëm dhe i paharrueshëm midis popullit korean… Më shumë se 300 delegatë, që përfaqësonin 80 vende, me një shumëllojshmëri të gjerë të fushave profesionale, dhe të gjitha traditat e mëdha të besimit, ishin së bashku në atë mjedis të pasur dhe stimulus, jashtëzakonisht pozitiv dhe inkurajues. Ne të gjithë tashmë shohim përpara, për bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për hir të paqes dhe zhvillimit njerëzor, me vështrimin qe rrezaton paqe mbi Seul.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Paqja rrezaton, veshtrimin mbi Seul

NË QERPIKËT E JONIT

September 2, 2013 by dgreca

Copëza  fundgushti, pikturuar në sytë e Verës/

 -Rrugëtim në fund të stinës-/

Shkruan:   DRITA LUSHI/                                           

 Edhe kur datat me “kryeneçësi” na kujtojnë se fundi i stinës së kaltër është duke përfunduar, ditët e ngrohta të ftojnë përsëri buzë detit, për të mbledhur ndjesi të bukura, si start për tu hedhur në vjeshtën e artë. Të shkelësh më këmbë bukurinë e Rivierës e plazhet, është si të marrësh pak bukuri dhe vetë, të ndihesh det, dallgë, të ndihesh e kaltër dhe e ngrohtë.

E më mirë se në fundgusht nuk mund t’i ndiesh këto.Ditet kanë ulur tempin e zhegut, e nata të ofron ëndërra e romantizëm, e nën zhurmën e dallgëve, të duket  se dëgjon fjalët e të dashuruarve, që deti në shekuj ruan thellësive të tij, dashuritë pasionate, puthjet e bukura verore, përqafimet e freskëta,vështrimet e horizonteve, që të mbledhura ndër shekuj, krijojnë sinfoni, arie e opereta Jete,që janë të pa arkivuara, të papromovuara, por aq të lira e të virgjëra në gjithësinë tonë.

Shpesh pushimet i çlodhin, por dhe i lodhin njerëzit.

Që nga mendimi se ku do pushojnë, bagazhet, veshjet dhe sendet e domosdoshme janë një stres parapushimor.

Gjithmonë harroet diçka, sadoqë  përpiqesh ti marrësh të gjitha. Kur arrin  në vendpushim e kupton këtë.”Ngulja” në një vend, në det apo mal, të krijon monotoni, dhe madje aty nga fundi i pushimeve,njerëzit numurojnë ditët se kur do mbarojnë e ti rikthehen shtëpisë.

Andaj, duke kaluar këtë përvojë njerëzore vendosa diçka ndryshe, të nisesha e të mos qëndroja në një vend,por të ecja e të vizitoja sa më shume vende, duke zgjedhur pikërisht Rivierën Shqiptare.

Një kafe në një  bar afër Sheshit të Flamurit në Vlorë,nje vizitë në Shtëpinë ku u ngrit Flamuri,një foto pranë Isa Boletinit ishte fillimi i udhëtimit tonë.

Ndalesa e parë në Plazhin e Rradhimës, ishte si fillim e bisedim me detin, për vazhdimin e rrugëtimit.

Pamje të bukura, ujë i kristaltë,vend i qetë,mëngjese e darka të lehta, perëndime që të nguleshin jo vetëm në mendje,por doje ti merrje dhe në celuloid, “biseda” me  mëngjeset e paqta ,detin e qetë, ose të zemëruar, “pakte” me diellin, përqafimi me  hënën e yjet.

Plazh vërtet  i mrekullueshëm,dhe mjaft i pastër.

I mirëmbajtur dhe i rregullt, me investime serioze nga banorët e zonës, bën  të ndihesh e të pushosh mirë.

Të nesërmen lëmë në krah Orikumin e fillojmë ngjitjen për LLogara,duke përshëndetur Tragjasin e nën vështrimin e Dukatit të heshtur, marrim të përpjetat për të prekur majën më të lartë.

Restorante turistike shtriheshin në të dy anët e rrugës gjarpëruese,por ne ndalojmë pikërisht në parkun e Llogarasë.

Majë asaj qafe, të shtrihet parasysh një bukuri  shumëdimensionale.

Një park ku gjelbërimi, pemët,trungjet e prerë që krijojnë forma artistike të bukura,drerët miqësorë me pulla e brirë të gjatë na lejonin ti përkëdhelnim e tu afroheshim.

Të zgjeroheshin mushkëritë. Nuk ngopeshe me atë vend.

Fëmijët ndihen të lumtur se i gëzohen çdo gjëje.Mjaft të veprojmë dhe ne, lirshëm dhe natyrshëm si të vegjëlit, të shijojmë e ta shohim bukur çdo gjë, dhe natyrisht nuk ka si të mos shkojnë mbarë dhe pushimet.

Vilat e drunjta që shtriheshin në dy anët e parkut, turistët e huaj dhe ata shqiptarë i jepnin gjallëri asaj qafe mali, e të dukej si një oaz i blertë,  zbuluar papritur në atë vend.

Hoteli dhe pishina brenda tij, të ftonin pa mëdyshje të haje mëngjesin e të pije kafenë aty.

Kënde dhe improvizime të ndryshme  brenda parkut e shtonin argëtimim e turistëve ditorë, të kalimtarëve apo të pushuesve që kishin zgjedhur pikërisht këtë vend për të lënë disa ditë vere, e për të marrë imazhe qetësie e butësie në vazhdmësinë e ditëve.

Vazhdojmë ngjitjen.

Afër Qafës së Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve, dhe erërave që fryjnë në atë qafë.

Një mjegull e papritur e disa pika shiu, një erë e ftohtë që fillon të fryjë na “ndrydh” pak, por gjithsesi s’mund të rrija pa zbritur pa pare nga afër “Pishën Flamur” e pa i bërë disa foto.
E kthyer e gjitha në një anë sipas erërave që fryjnë, ajo të jepte përshtypjen e një flamuri që valevitej, por me gjyrë të blertë.

Te dukej se mjegulla herë të “prekte” mbi supe, herë si pelerinë e hirte u mbulonte maleve kreshpat, e here, herë sikur ua zbukuronte  si vello ato.

Mjegulla vazhdon të na shoqërojë e hirtë e heshtur, e kur ndalojmë në atë që quhet” Ballkon i Llogarasë”  s’mundëm të dallonim detin që binte “thikë” nën shkëmb.

Gjithsesi u mundova ta “imagjinoj”sepse aparati s’mund të fotografonte të padukëshmen.

Megjithatë pikerisht në atë vend, munda të fotografoj një pllakatë  gjys’ të prishur me mbishkrimin 1920, çka tregon se pikërisht aty mund te ishte zhvilluar ndonjë ngjarje historike.

Rruga bie thike, një lartësi që të shkakton një ndjenjë boshllëku.Shumicën e fotove i bëj nga dritarja e makinës, të cilën e drejton bashkëshorti dhe bashkëudhëtari im në këtë rrugëtim të bukur.

 

Mjegulla davaritet dhe mund te duket deti më qartë, bregu, gjiret e pastra e të virgjëra.

Rruga kalon në një terren malor, shkëmbor  dhe gjarpëron në kthesa të forta e të rrezikëshme.Natyrisht me rrip sigurimi mundohem të fotografoj, e më vonë  ndalem në një vend, ku deti duket qartë nga nje lartësi mbi 1000 m, ku blej dy tufa çaj të freskët mali dhe sherebelë nga një fshatar që si epej asaj lartësie. Ndjesi të bukura, teksa prek me vështrim nga  ato lartësi, detin Jon.

Ai terren malor e aq i ashpër e bri tij deti blu,më bën tu jap te drejtë vlonjatëve për natyrën e tyre burrërore mjaft të shprehur.Njerëzit kudo, janë  mjaft të sjellshëm .

Pasi përshendesim Dhërmiun,dua të takoj patjetër Jalën  e bukur, e ndonëse vapë dhe mesditë, zbresim e pijmë një pije freskuese.

Zbarkimin e dytë e bëjme në Himarë.

Një shtëpi e thjeshtë me oborr, ku rritej që nga rrushi e domatja e freskët, do ishte shtrati ynë dy ditor.

E zonja e shtëpise ishte me sy blu.

Mendova përnjëhere:” Epo të lindësh buzë detit…”- e vura buzën në gaz.

Të marrësh çantat e të nisesh pa prenotuar, është një eksperiencë e bukur, pa parashikuar asgjë, e aq më shumë bujtja larg salltanete e hoteleve luksoze  por në shtëpi të thjeshta, ku mund të dalësh në kopsht, të bisedosh lirshëm me të zotin e shtëpisë, të marrësh një kokërr domate në kopsht, janë këto eksperinca që të kalisin, të rrisin kuriozitetin, të mësojnë të reja, dhe të mbajnë larg mërzisë e monotonisë.

Në Himare atë natë këndonin, Endri dhe Stefi, dy vëllezërit korçarë  dhe kalimi i mbrëmjes nën shoqërine  e zërit të tyre ishte kënaqësia tjetër e ditës.

Mëngjesi pak i vrenjtur, bëri që ta marrim shtruar ditën, pas kafesë dhe mëngjesit tradicional shqiptar,një byrek me një gotë dhallë, menduam të marrim  rrugën drejt Borshit për të parë e prekur qerpikun tjetër të Jonit.

Gjire të bukura, aq sa s’mund të rrija pa ndalur makinën e të bëja foto.Formëzoheshin aq bukur, e futeshin si gjymtyrë në det, sa s’më besohej që i shihja.

Aty pashë dhe “të përfolurin” Gjirin e Kakomesë.

Ngjisim rrugën e shohim së pari Qeparoin, e ndalesën e bëjmë në Borsh.

Plazhi me gurë të vegjël të bardhë, ishte karakteristika e tij.

Koha vrenjëtej e vetëtimat na shoqëronin herë pas here, megjithatë ne e prekëm detin, e pa kaluar as nje orë filloi një shi i papërmbajtshëm me erë, që na bëri të nxitonim në makinë.

Shiu binte  edhe në Himarë ku fjetëm dhe natën e dytë.

Dukej sikur moti, lozte me ne,herë shi e herë diell.Por kjo s’na mërziti aspak.

Ndoshta dielli,e pa që s’mund të na merrte qetësinë dhe vendosi të çeli blunë dhe në qiell,pas grisë me shi të papërmbajtshëm.

Pasdite koha u qetësua.Një shëtitje buzë detit në mbrëmjen himarjote do të mbyllte dhe siparin e asaj dite rrugëtim- pushimi.

Të nesëmen destinacioni ishte Saranda.Udha ishte e mrekullueshme, mes kodrinave të mbushura me ullinj, e kthesave gjarpëruese mbusheshe me frymë.Në Lukovë qëndruam për një kafe, dëshira për të parë dhe biseduar me çdokënd që takoja nga ato vende, bënte të ndalonim shpesh.

Në orën 11 mbërrijmë në Sarandë.

Fotot e para i bëra nga pika më e larte brenda qytetit. Pedonalja shtruar butë e hijshëm të ftonte t’i hidhje hapat e sigurtë e me besim,se aty do kaloje bukur.

Nje kafe, një akullore dhe pas hotelit,ende pa “marrë frymë”, tek plazhi “PASQYRAT”.

Pas një rruge (jo shumë e gjatë)të keqe ,që të prishte vertet humorin, ai plazh , ishte mrekullia vetë.Nuk kisha parë atë lojë dallgësh, ngjyrash, zhurme të fortë si oshëtimë, e ato guva të mrekullushme që ishin krijuar nga përplasja e ujit në shkëmbinj.

Çudi si, ai plazh i vogël, ishte plot me turistë.

Ngjyra mes blusë e jeshiles, ndërfuteshin  tek njëra tjetra për të arritur bregun duke shkumëzuare dallgezuar. Ishte një  lojë e bukur, ngjyra të thella e të bukura, breg i shkumëzuar, e njerëz të mrekulluar me aparate fotografike për të fiksuar këtë lojë të çuditëshme, që ndoshta luhej veç aty.

Me fjalë është vështirë të arrihet përshkrimi,e celuloidi gjithashtu s’mund të zbulojë gjer në detaje atë mrekulli natyrore.

Dallgët ngadalë  pushtuan bregun dhe plazhistët nisën te zhvendoseshin më sipër.

Ndërsa ne, u zvendosëm për në Ksamil e andej në Butrint, ku lodhja harrohej para asaj mrekullie që na u shfaq para sysh.

E zbuluar nga gërmimet arkeologjike ajo të mahnit me lashtësinë e saj, por nga mbishkrimet, pikturat e gdhendura me gurë, statujat e çdo gjë tjetër të bën të besosh në një qytetërim të vërtetë.

Muret rrethuese, daljet sekrete, amfiteatri e arena, tregon se banorët kanë qenë mjaft aktivë, dhe ndeshjet apo shfaqjet kanë qenë të pranishme dhe të zhvilluara.

Liqeni blu që e rrethon i japin asaj një pamje hyjnore e misterioze, e papritur duke lexuar pllakatat, futesh në meditime  të largëta, që shkojnë deri në vitet para Krishtit.

Ndjen, që historia të merr në vorbull e harrohesh duke parë çdo imtësi.

Ke dëshirë të jesh spektatore, herë në arenë e herë thjesht ”vëzhguese” imagjinare e atyre paraardhësve të stërlargët ,që  kanë frymuar, jetuar e luftuar , brënda këtyre mureve.

Ngadalë bie mbrëmja dhe ne duam ta shijojmë në bulevardin mbushur plot me njerëz.

Muzika live mbush shëtitoren, paçka se fundsezoni.

Nje valle aty, pse jo.

Përshihemi bashke me të tjerët në kërcim,në barin me muzikë, duke mbyllur një ditë të lodhëshme  por të bukur.

Të nesërmen vendosëm të qetësohemi e të bëjme plazh në qytet.

Pasdite, desinacioni ynë ishte Kalaja e Lëkursit.

Një pamje që s’e arrijnë dot fjalët.

Një e përpjetë  ku shoferi duhet të ishte i kujdesshëm, por ne arritëm në majë.

Ndonjëherë gjërat që i kemi afër, s’i shohim, s’i kuptojmë dhe s’i ndiejmë.

Saranda nga Kalaja e Lëkursit ishte një Perlë.

Perëndimi na zuri për kafenë e mbrëmjes në këtë  lartësi ku të dukej se prekje me gishta Sarandën.

Të dukej vetja si një princeshë e kohëve të lashta.

Turistët e huaj nuk mungonin  as aty.

Se imagjinoj dot, të vish deri në Sarandë dhe të mos futesh në lashtësinë e Butrintit, apo të mos shkelësh Kalanë e Lëkursit.

 

Mrekullitë s’janë ato që njohim, por ato, të cilat s’kemi parë akoma, s’i kemi prekur dhe s’i  kemi shkelur.

 

E mbushur me ndjesi të zjarrta e të arta  të atij perëndimi të datës 30 gusht 2013, marrim rrugën e kthimit për në Sarandë.

Të nesërmen do përshkonim qindra kilometra deri në kthimin në shtëpi.

Duhej të pushonim pak.

Nisemi nga ora 8 e mëngjesit, duke lënë pas dhe Sarandën, por duke marre në memorje imazhe e mbresa të bukura verore.

Gjatë kthimit,qëndrojmë tek “Syri i Kaltër”.

Një kombinim ngjyrash që edhe një piktor do ta kish “zili” natyrën si kish’ arritur të krijonte atë perfeksion. Ngjyra jeshile, pemë të ndërthurura si kurorë mbi kokë,ku,  tek –tuk ndihej vjeshta me një të verdhë të lehtë e mes kësaj,një Sy uji blu, si një bekim për atë vend dhe për ne vizitorët,që kemi nevojë për pamje e pushime të tilla, pranë natyrës, detit e njerëzve, per tu ndierë në frymëmarrjen tonë në sinkron me jetën.Marrim rrugën e kthimit, nga “Qafë Muzina” drejt Gjirokastrës, Tepelenës e duke udhëtuar e njëkohësisht të “humbur” në mendime pozitive e verore, për atë rrugëtim.

@ Drita Lushi

shtator 2013

Filed Under: Reportazh Tagged With: Drita Lushi, ne qerpiket e Jonit, rrugetimi i fundstines

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT