• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SËRISH NË KANADA

December 17, 2013 by dgreca

Përshtypje udhëtimi, Otava-Dhjetor 2013/

Nga Luan Çipi/

 Ishte e përsëritur dhe këmbëngulëse thirrja e fëmijëve të mi, të përndarë nëpër botë, për t’i vizituar e takuar në një guidë turistike në Holandë, Kanada e Amerikë. Edhe ata e kuptojnë se, pa i pyetur, vitet ikin vrullshëm dhe prindërit e tyre, që kanë hyrë prej kohe në ”moshën e trete”, nuk kanë më kohë për t’u gëzuar e argëtuar, mandej janë drobitur e lodhur, duke numëruar vitet pafundësisht…Pas shumë përsëritjesh me thirrje e porosi në korin e madh me djalë e vajza, nipër e mbesa, më së fundi, më bindën për t’u shkulur e larguar nga Vlora, pasi më premtuan se do mblidhen diku, në një nga shtetet e mëdha, të gjithë së bashku. E cili prind, veçanërisht i moshës tonë, nuk do që t’i mbledhë pasardhësit, si dikur rreth vetes? Po ne, të përkohshëm në këtë jetë, nuk lemë rast festash pa u mbledhur me shokë, miq e farefis, në gëzim të çastit. Unë, kur jam në Vlorë, apo në Tiranë, ku ri i alternuar në stinët e beharit dhe të dimrit përkatësisht nga 6 muaj, çdo ditë mblidhemi e pimë kafe me shokët. Kështu, pse mos “sakrifikoj” dy muaj për t’u takuar me “Barkun e Shën Mërisë”?

Përfundimisht, mora vendim të lëviz jashtë atdheut bashkë me gruan, që nga ana e saj kishte vendosur për këtë, qysh me thirrjen e parë “begenisëse” të sinqertë.

Gjitonët tanë të Tiranës në katin e gjashtë, unik e tjetërsoj të shkueshëm, Fori, Mani dhe Koli familjarisht, të dashur e të veçantë si përherë, si dhe nipi i gruas time Valter Haxhiraj, që banon mbi katin tonë, kur morën vesh se largimi dhe vizita jonë do ishte e shkurtër, peshuan “qarin me zararin”, e pranuan largimin dy mujor dhe me këtë rast më ofruan peshqeshe të çmueshme e ndihmë për transportin deri në Rinas me mjetet e tyre.

Shokët e mi vlonjatë me banim të hershëm në Tiranë, me nismën e akademik Bardhyl Golemit, Niko Gjyzarit, Axhem Gjonajt, Sadedin Gjokes dhe të tjerëve, njëzëri e pa përjashtim, për të  njëjtën arsye, organizuan një darkë përcjellëse me raki, verë  e peshk “Narte”, porositur enkas te “Bar Restorant VLORA”, në Shallvare të Tiranës. Poeti Perparim Hysi, aty për aty me këtë rast thuri dhe poezinë dashamirëse, që e deklamoj po aty, në formë dollie:

 

Mirë që shkruan, por prapë udhëton
Si udhëtar gjithë botën bredh
Si djalosh në moshë të vonë
E, Luan Çipi! Sheh dhe hedh…

Hedh me shkrime ç’të sheh syri
Je “turist” që ke licencë
Këtu “doli”, atje “hyri”
Jetë e tij: k o n v a l e s h e n c ë…

 

Duhet të nisesha datë 1 dhjetor 2013, po katër ditë para u shfaq një befasi e llojit specifik Shqiptar: Kompania ajrore “Beller”, ku në mënyrë elektronike fëmijët kishin prere e paguar biletat Tirane-Holandë e kthim, kishte “shpallur falimentin” dhe nuk merrte përsipër as kthimin e shpejt te pagës.“Shkuan për lumë” rreth 600 euro dhe ne, ripaguam bilete me tjetër kompani. Kaluam për Amsterdam, pasi ndërruam avionin në Mynih, duhet thënë në një fluturim të këndshëm dhe pa i prekur bagazhet, detyrë që e kreu Kompania Ajrore serioze “Lufthansa”.

Pasi ndenjëm 7 ditë të gëzuara te vajza e vogël në Holandë në qytetin Krimpton, fare afër Roterdamit, nisemi direkt në udhëtimin me avion nga Amsterdami i Holandës për Toronto të Kanadasë dhe prej andej me automjet ndalojmë afër kryeqytetit Otava, në qytezën Chesterville.

Udhëtimin me avion Amsterdam-Toronto, unë e kam përshkuar edhe tjetër herë, E veçanta e udhëtimit të fundit me Kompaninë Ajrore Mbretërore Holandeze “KLM” ishte, kohëzgjatja 8 orë  dhe udhëtimi komod pa asnjë turbulencë apo tjetër lloj shqetësimi, ku dukej kujdesi dhe shërbimi model i personelit dhe ushqimi disa herë, mjaftë cilësor dhe i bollshëm. Patëm kontroll të imtë në Amsterdam dhe asnjë lloj pengese e ndalese tjetër, një ulje e pa ndjerë e avionit gjigant dhe ne, drejt e te bagazhet. Në dalje na prisnin njerëzit tanë të dashur dhe surpriza e parë ishte: Për nderin tonë me punonjësit e biznesit të vet privat, vajza ime kishte organizuar një takim, ku me rastin e Krishtlindjes jepej një darkë falas si dhe kryhej shpërblim i posaçëm monetar ose dhurata. Ceremonia kaloi me dolli, përshëndetje e falënderime, aq sa ne nuk e ndienim lodhjen dhe nuk e kuptuam si kaluan 3-4 orë në  atë atmosferë gazmore me njerëz të dashur, që na u duk sikur të ishim njohur prej vitesh.

Pasi fjetëm një natë në qytetin Brampton, pranë Aeroportit të Torontos, të nesërmen nisëm të përshkonim autostradën 401, padyshim “halluej” më i gjatë në Kanada. Na duhet të përshkonim  me automjetin tonë komod me shpejtësi 100 km/ore mbi 500 km. Rrugës na u desh të ndalemi  në disa vendpushime tepër të organizuara, të quajtura “Tim Hortons”, me emrin e themeluesit, hokeistit të famshëm për kohën e vet. Tje kishte komoditet dhe ushqim të bollshëm dhe ndërsa jashtë ishte temperatura nën zero, në çdo mjedis kishte ngrohje, ndriçim dhe ajrosje të këndshme.

Në distancën e pafundme të autostradës 401, qëndruam dhe pushuam dy here dhe serish e ngado rrugë të asfaltuara, shtruar me cilësi e me disa korsi.

Nga të dy anët e rrugës bien në sy fusha të pafundme të lëna djerë, pyje gjysmë të zhveshura e të lëna pa kujdes. Rrallë, shfaqen qyteza të reja të ngritura me shtëpi të drunjta të stilit karakteristik kanadez dhe të vret sytë ndonjë fermë e vjetër thuajse e braktisu, me sillosët e lartë dalëboje të drithit dhe stallat e çapëluara të bagëtive apo rrethimet e drunjta të dëmtuara të kuajve. Të krijohet përshtypja e lënies pas dore dhe e largimit të banorëve nga fermat për të gjetur burime më të lehta jetese ndër qytetet e shumtë të shtrirë më shumë në të djathtë të autostradës gjigande, në gjatësinë e pafundme të Liqenit të Madh jetëdhënës. Pak qendra të banuara shtrihen majtas autostradës, po kalimet dhe nënkalimet të lejojnë pa ulur shpejtësinë të futesh në bajpaset përkatëse dhe të kalosh lirshëm nga të dy anët, pa e kufizuar shpejtësinë.

E lamë autostradën e gjatë dhe u kthyem djathtas, duke kaluar në një rrugë të asfaltuar (nuk bëhet fjalë për shtrime rrugësh të llojeve të tjera të rëndomta me gurë e çakëll, po çdo metër traseje është i asfaltuar mirë dhe i mirëmbajtur, pa asnjë gropëzim, apo gungë). Rruga ku u futëm është me dy kalime të vijëzuara, ku nga të dy anët duken qendra të banuara dhe fshatra të mëdhenj e të vegjël, shtëpi  me një, dy e tre kate, hangarë, garazhe, stalla padoqe e depo. Ndërtimet edhe këtu janë me konstruksion të thjeshtë, veshur në lartësi me dërrasë dhe mbuluar me tjegulla kanadeze (letër katrama) dhe më rrallë me llamarinë, çka tregon se kanadezet kudo janë unik dhe kanë zgjedhur konstruksionet që ndërtohen shpejt, lehtë dhe me kosto të ulët. Kudo përdoret energjia elektrike për ndriçim dhe gazi për ngrohje.

Kthehemi në të majtë të rrugës dhe qëndrojmë. Me sa duket më së fundi mbërritëm në destinacion, rreth 40 km. para Ottawës, në qendrën e banuar Chesterville, me rreth 10 mijë banorë, ku të bie në sy një spital i madh rajonal shumëprofilësh..

Dalim nga makina të lodhur, po pamja e mrekullueshme e mjedisit na çlodh si me magji. Para nesh shtëpia dhe qendra e biznesit e dhëndrit tone kanadez, një kompleks i bukur përrallor:

Kur e pash vilën e bukur nga jashtë dhe qendrën e biznesit me tej me depo, zyra e garazhe,

rrethuar me shatërvan me gurë të gdhendur masiv, pemë dekorative e lule të çmueshme, si dhe shtëpizën e posaçme të lojnave të fëmijëve, ndjeva kënaqësi të madhe, për atë që me mund e përpjekje, brenda 13 vjetësh, kishte arritur ime bijë. Kur u futa brenda dhe sodita në të tre katet, disa dhoma gjumi të kompletuara, si dhe dhomën e gatimit me frigoriferë dhe të gjitha pajisjet e kohës, dhomën e bukës me tavolinën e gjate 8 metro, sallonet e pritjes dhe të ndenjes me kolltukë të rehatshëm, të ngritshëm e të lëvizshëm, televizorët e mëdhenj digjital, studion me pajisjet kompjuterike, banjat, dhomën e nikoqires me pajisjet larëse-tharëse, depot e deri sallën e lojnave, bilardon e palestrën, si dhe dhjetëra piktura e portrete në mure, unë vërtet u mrekullova. Në atë çast për të parën herë në jetë përkraha mendimin e emigracionit duke e konsideruar atë si mjet nxitës e përshpejtues për një nivel më të lartë jetese e botëkuptimi dhe si model e faktor zhvillimi të shpejtë dhe për vendin tonë. Aty për aty mendimi më ktheu vite më parë, te Atdheu im nën komunizmin dhe thash, se ish beu, agai dhe pasaniku i asaj kohe, nuk kishte as minimumin e këtij niveli dhe po të dispononte këtë pasuri atje, ime bijë do ishte shpallur “kulake”, do shpronësohej e do persekutohej.

Ime bijë dhe fëmijët e saj, tashmë të rritur e të shkolluar si ajo, në nivel universitar, kishin programuar gjithçka për pritjen tonë dhe që kohën e qëndrimit këtu në Kanada, ta organizonin sa më bukur. Shumë nga pikat e programit për ne,  nuk u deklaruan se ngelen surprizë, por një gjë u bë e qartë: Krishtlindja dhe Viti i Ri këtë radhë do jetë i veçantë dhe do mbahen mënd sa të rrojmë.

 

Otava-Kanada, 15 dhjetor 2013

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, serish ne kanada

FRESKIA E NJE TRADITE-DITET E LETERSISE SHQIPE, DETROIT 2013

December 11, 2013 by dgreca

Nga Rafaela Kondi/

Kur nje ngjarje kulturore kthehet ne tradite disavjecare, aty mund te gjesh perseritje te nje platforme te njohur te konceptit teresor edhe segmenteve perberese.  Mirepo ne pervjetorin e 12-te te kesaj sofre letrare u shfaqen natyrshem risi terheqese, per te cilat ia vlen te krenohen komisioni organizues dhe krejt nikoqiret e  Kuvend-it.

Sipas tradites, revista Kuvendi fton autore e letrare nga brenda dhe jashte Miciganit per te qene pjesemarres te nje shkembimi kulturor e shpirteror midis bashkatdhetareve ne Amerike, te njohur tashme si Ditet e Letersise.

Nese e pyesni veten, Pse ne Detroit? Pergjigjen e gjeni ne disa emra te pervecem qe mbajne peshen kryesore te aktivitetit. Por e verteta eshte se emrat si Alfons Grishaj, Kujtim Qafa, Nevruz Nazarko, Pjeter Jaku, Edmond Rakaj perbejne nje bashkim ideal te energjive shpirterore, materiale dhe intelektuale qe rralle perseritet ne komunitetet e tjera shqiptare ne Amerike. Dhe aq me pak te vazhdohet per 12 vjet rrjesht!

Me kete rast Kuvendi mblodhi prane sofres letrare pervec penave te njohura te letrave shqipe, disa debutant dhe letrar te mirepritur. Ne darken ‘jozyrtare’ me 7 dhjetor tek kafe Kuvendi ishin ulur natyrshem ne bisede shkrimtaret Naum Prifti, Fatos Kongoli, Pandeli Simsia nga Nju Jorku, dhe vajza amerikane me ‘zemer shqiptare’, Ashley Wood, se shpjeti autore e nje libri per Shqiperine. Ndersa komunikimi ne tryeze dublohej aty-ketu shqip-anglisht, ishte e qarte se nuk mund kishte pengesa gjuhesore midis artisteve te dy brezave dhe dy kulturave. Dhe vertet drejtuesi spontan i kesaj darke, e cila i paraprinte mbremjes zyrtare  me 8 dhjetor, Alfons Grishaj, e ‘zuri ngusht’ secilin te pranishem qe te thoshte dy fjale pershendetje. Dhe kjo i dha shkas nje parade origjinale te ndjenjave e emocioneve te shprehura nga Elinda Marku, mprehtesise se Gjovalin Lumajt, urtesise se Don Fran Kolajt, humorit te Nevruz Nazarkos, dhe pergezimeve te pjesemarres per sukseset e Kuvendit. Mbi te gjitha verehej vetedija se ate nate secili ndihej pjese e nje dickaje me te madhe. Ky ishte manifestimi i bashkimit kulturor te shqiptareve qe gjeti shprehjen e vet ne forme te nje ‘programi te improvizuar artistik’ me krijime te disa krijuesve te pranishem dhe pastaj ne kenget qe nuk njihnin kufi etnik.

Pjese e tradites eshte ngritja e jurise qe pranon dhe vlereson te gjitha krijimet e paraqitura ne datat e caktuara. Juria e Diteve te Letersise 2013, e perbere nga Gjovalin Lumaj, Ruzhdi Gjokaj dhe Arben Dervishi, u prezantua me shume dinjitet gjate mbremjes. Ne kete feste te leterise, komisioni organizues kishte ftuar ne sallen Gjergji Kastrioti te kishes se Shen Palit ne Detroit, plot veprimtare e krijues, drejtues e anetar te shoqatave patriotike, letrare e kishtare,

Mbremja kishte nje platforme serioze dhe nje program te kombinuar me fjalen e hyrjes se kryetarit te komisionit organizues, Nevruz Nazarko, me pershendetjet nga mysafiret, me recitime nga poetet dhe krijuesit dhe me pika muzikore e interpretime. Mikrofoni kalonte nga duart e drejtuesve tek folesi i radhes, tek autoret e respektuar dhe tek te ftuarit e nderit si Don Ndue Gjergji e z. Reshat Sahitaj dhe pastaj alternohej me poetet dhe kengetaret Hana dhe Kole Prekvulaj. Salla u mbush me ngrohtesi nga interpretimet e Simon Sinishtes e Luigj Gjokajt, nga recitimi mjeshteror i Arben Dervishit dhe nga improvizimet aq te goditura te drejtuesit Ndue Gjekaj.

Ne kete perjetor, ne mesin e letrareve pjesemarres ne konkurs u shfaq nje filiz, vogelushja 8-vjecare Mara Jaku. Me kete debutim, tradita e ketij aktiviteti hodhi hapin drejt ardhmerise. Me siguri nuk ka garanci me te mire per suksesin e metejshem te revistes Kuvendi, qe pas 12 vjeteve do te kaloje nga reviste e shtypur ne format periodik kompjuterik.

Sponsoret e bashkepunetoret e Kuvendit i kultivuan Ditet e Letersise ne gjurmet e parardhesve te tyre me te hershem. Ata jane ‘autoret’ e nje tradite dymbedhjetecare per te cilen hyjne me nderim ne historikun e ri te komunitetit shqiptar ne Amerike. Nga viti ne vit, ata e risjellin tek artdashesit dhe krijuesit nje te perbashket te patjetersueshme te identitetit tone : letersine.

E vecanta shpresedhenese e Diteve te Letersise ne Detroit 2013 ishte freskia e sjelle nga zerat rinor te pasardhesve. Dhe per cdo sfide e gabim qe e kapercejme ne udhen tone, perserisim shprehjen e vjeter me te cilen Don Fran Kolaj pranoi cmimin e akorduar nga Juria per Merita te vecanta ne perkrahjen e vazhdueshme te veprimtarise se revistes : Te gabosh eshte njerezore, te falesh eshte hyjnore !

Ndarja e cmimeve nga juria vijon me poshte :

ÇMIMET E AKORDUARA NGA JURIA,

    NE DITEN E LETERSISE SHQIPE

ORGANIZUAR NGA REVISTA “KUVENDI”

              DETROIT.

 

I- POEZI

 

– ÇMIMI I PARE – Mensur Spahiu, me poezine: – Leksione te huaja.

– ÇMIMI “GJRGJ FISHTA” – Ana Toma Agraja me poezine: – Nenes.

– ÇMIMI “MIGJENI”  –      Gjeto Turmalaj me poezine: – Vitet e mia.

 

II- PROZE

 

– ÇMIMI I PARE – Agim Dishnica- Poeti i kenges se pa kenduar.

– ÇMIMI “PETRO MARKO” – Vlash Fili- Syte e nenes.

 

III- HUMOR

 

– ÇMIMI I PARE- Naum Prifti- Pse qeshim dhe si qeshim. 

 

IV- PUBLICISTIKE.

 

– ÇMIMI I PARE- Hatixhe Latifi Popovci- Polarizimi, fenomen shqetesues.

 

       ÇMIME TE VEÇANTA.

 

– PER KRIJIMTARINE QE SJELL REALITETIN

        – Gani Vila – Poema- s’eshte vone.

 

–         ÇMIMI I DHUNTISE 

 

       – Vogelushja 8 vjeçare- Mara Jaku.

 

– PER KRIJIMTARI ME FRYMEN E TRADITES-

                Lulash Palushaj – Malesise.

 

 

                JURIA – Gjovalin Lumaj

                           – Arben Dervishi

                           – Ruzhdi Gjokaj

                           

   

               ÇMIME TE AKORDUARA NGA REVISTA

                     “KUVENDI”

            MIRNJOHJE DHE RESPEKTI PER MERITA

            TE VEÇANTA NE PERKRAHJEN E VZHDUESHME

            TE VEPRIMTARIVE TE REVISTES.

 

   – FATOS KONGOLI- Shkrimtar- ” Per pjesmarrje ne ditet e letersise Shqipe

                                                      te organizuara nga revista “Kuvendi” vlersimin

                                                      dhe perkrahjen e vazhdushme.

 

    – DOM. FRAN KOLA- Famulliar i kishes se “Shen’ Palit” Detroit.

                                    Perkrahes dhe dashamires i vazhdueshem

                                    i veprimtarive letraro-artistike.

 

   – EKREM BARDHA- Konsull nderi, biznesmen.

                                  Perkrahes i vazhdueshem dhe kontribues

                                  ne realizimin e veprimtarive te revstes “Kuvendi”

 

  – KUJTIM QAFA-      

 Per ndihmen, aktivizimin dhe kontributin e

                                  pa kursyer ne aktivitetin e revistes “Kuvendi”

-RAFAELA KONDI-

Per interpretimin me te realizuar paraqitur ne Konkursin e Revistes “Kuvendi”

Filed Under: Reportazh Tagged With: detroit 2013, Ditet e Letersise shqipe, Freskia e nje tradie

MARILYNI DHE SOKAKËT E KORÇËS

December 10, 2013 by dgreca

Nga Rozi Theohari, Boston/

“Kjo çupka e vogël këtu në fotografi jam unë,” – thotë Marilyni me një shqipe të ngadaltë. “Kemi dalë në Uster bashkë me nënën e babanë aty nga fillimi i viteve dyzet të shekullit të kaluar”.

Marilyni është një zonjë rreth të gjashtëdhjetave, por fytyra e saj rrumbullake gjithnjë e qeshur dhe flokët gështenjë të çelur e tregojnë më të re. Buzëqeshja e saj e ëmbël të çon mijëra kilometra larg, aty, në qytetin piktoresk të Korçës, në Korçën e serenatave, në qytetin e vajzave të bukura faqekuqe. “Nëna ime, Eftimi Terova dhe babai Mina Cale, – tregon Marilyni, – erdhën nga Korça në Amerikë më 1921 tok me

motrat e mia. Si fëmijë e fundit, vajza e pestë, u linda dhe rrita në Uster, në ambientin dhe kulturën amerikane, megjithatë, bashkë me qumështin e nënës thitha edhe bekimin e dashurinë për mëmëdheun e lënë pas. Vit pas viti që përkëmbesha shkoja në gjumë me ninullat e bukura shqiptare dhe zgjohesha po

nga fjalët përkëdhelëse të gjuhës së nënës. Kur u rrita, fillova të kuptoja se bota ime e vogël ishte ndarë më dysh, në atë brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Jashtë ishte shkolla, anglishtja, emri im amerikan, shoqet e shokët, aktivitetet e ndryshme, etj. Kurse brenda, në gjirin e familjes, unë flisja shqip si prindërit, ushqehesha me gjellët e shijshme korçare, edukohesha me zakonet e traditat e të parëve tanë.”

“Çfarë kujtimesh të kanë lënë mbresa më shumë nga jeta me prindërit?” – e pyes.

“Korça, – përgjigjet ajo. – Nëna e babai nuk e lëshonin nga goja qytetin dhe sokaket e tij.

Unë pyesja, ç’është ky “sokak”?

E ajo, nëna e dashur, m’i përshkruante aq mirë ato rrugët me kalldrëm, të veshura me gurë fiçore të vendosur njëri pranë tjetrit, ngjyrat, trajtat dhe qoshet ku bashkoheshin e ndaheshin sokaket e mëhallës. Më tregonte se si i pastronin gurët e i bënin dritë, pastaj uleshin para portave të shtëpisë, qëndisnin, bisedonin e bënin shaka me fqinjët. Në kokën time të vogël punonte imagjinata, regjistronte çdo bisedë, çdo fjalë, çdo përshkrim, të cilat pastaj, natën i shihja në ëndërr si të gjalla.

Tani po të pyes unë ty, – thotë Marilyni. – “Çfarë kujton nga pamja e nënës sate kur ishte e re?”

“Fytyrën e saj të njomë e të hijshme,” – i përgjigjem unë.

“Ah, po, unë kujtoj edhe diçka tjetër, veshjen e saj!”

Kur kishte ardhur nga Korça në Amerikë, siç tregon Marylini, Eftimia kishte sjellë gjithë garderobën me veshjet e qepura sipas modës franceze. Palltot dhe kostumet e Eftimisë me peliçe origjinale te jaka dhe kapelet e modës, i lanë pa mend gratë amerikane të cilat pyesnin me zili: “Kjo Korça juaj, mos

ndodhet afër Parisit?”

Pas vdekjes së të atit, në Uster, disa vjet më vonë Marilyni u martua e shkoi në Miami, ku mori edhe nënën me vete. Aty lindi një vajzë, Kristinën, e cila u rrit me dashurinë e dy nënave shqiptare. Por vdekja e nënës, Eftimisë, me 1990 shkaktoi dhembje e dëshpërim në zemrën e Marilynit. Me nënën ajo

kishte një lidhje të dyfishtë: atë të prindit dhe të mëmëdheut.

“Tani më dukej se nuk isha më shqiptare”, – psherëtin Marilyni dhe hap çantën e saj. Që andej nxjerr një pasaportë të vjetër shqiptare me datën: Korçë, 29/8/1921 dhe një fotografi të zbardhur nga koha, të nënë Eftimisë dhe të Sofisë së vogël.

“Këtë pasaportë e mbaj me vete kudo që udhëtoj nëpër Amerikë e jashtë saj. Me këtë copë kartë unë vërtetoj kombësinë time shqiptare, buzëqesh ajo. Ndërsa në kuzhinë Marilyni vazhdon të gatuajë gjellë me mish e perime, byrekë e lakrorë si të nënës.

Prej vitit 1988 deri 1998 Kristina vazhdoi karrierën e saj në kompanitë e linjave ajrore. Kjo dhe u bë shkak që Marylini të realizonte atë ç’ka i vlonte prej vitesh në gji: amaneti i palënë I nënë Eftimisë për të vizituar Shqipërinë dhe Korçën e saj të dashur. Me një grup turistësh që vizitonin Greqinë, u nis edhe

Marilyni. Ishte shtatori i 2000-s. Pas qëndrimit në Athinë grupi u nis për në Patra e qëndroi në Korfuz.

“Kur e ndjeva veten kaq pranë brigjeve të Shqipërisë, – thotë Marilyni, – zemra më rrihte, mendja më vinte rrotull dhe faqet me digjnin si prushi. “Do të nisem menjëherë,” – u thashë shoqeve të mia.

“Jo,” – kundërshtuan ato, – “si do të udhëtosh e vetme, në një vend të panjohur!” “Ai është atdheu im” –

këmbëngula unë. “Nuk të inkurajojmë për një udhëtim të tillë,” – më thanë disa punonjës lokalë. Por unë vendosa dhe, gjënë e parë që bëra mora kontakt me një zyrtar të udhëtimeve për në Sarandë.

Udhëtimi i shkurtër me traget la në shpirtin tim mbresa të paharrueshme. Bashkë me mua në bord ndodheshin edhe disa familje shqiptare me fëmijët e tyre. Ata bisedonin me zë të lartë, por unë nuk kuptova asgjë nga ai dialekt. Një farë dyshimi më lindi: si do të merrem vesh me vendasit? Por hutimi im ia la vendin emocionit të parë e të fuqishëm kur në gjysmë të rrugës mbi det, u ndryshuan flamurët dhe flamuri shqiptar filloi të valëvitej në qiellin blu. Deti kishte një ngjyrë të mrekullueshme smeraldi të shkëlqyer dhe valët e vogla që përplaseshin njëra me tjetrën, dukej sikur duartrokisnin e përshëndesnin ardhjen time. Ndjehesha krenare, sigurisht isha e lumtur që më në fund po më plotësohej një ëndërr e thurur gjatë gjithë jetës sime. Kokën e mbaja lart, s’ngopesha dot së pari flamurin. Në këtë udhëtim edhe unë isha veshur me ngjyrat e tij: bluzë të kuqe dhe pantallona të zeza…

– Cilat ishin përshtypjet e para, – e pyes, – kur zbrite në tokën shqiptare?

– “Ishin hapat e parë në Sarandë që më shkaktuan emocione të tjera. Ishin njerëzit… Fillova të takoja racën time, të shkëmbeja fjalët e mirëseardhjes dhe të admiroja natyrën e bukur të qytetit. Sipas programit të udhëtimit, u paraqit para meje I.Myrtaj, i zoti i hotelit ku do të qëndroja. Ai më siguroi për qëndrimin tim në Sarandë, por edhe për udhëtimin me taksi për në Korçë. E çlodhur, e qetësuar dhe e mrekulluar nga

vendi dhe njerëzit e gjakut tim, hëngra një darkë me peshk të freskët dhe sallatë. Pastaj, me një kënaqësi të papërsëritëshme shëtita përgjatë rrugës së bregut të detit, ku u befasova nga një grup i madh banorësh, burra, gra e fëmijë, që shëtisnin si unë buzë ujit. U vura veshin bisedave të të rinjve dhe, kur fillova t’i

dëgjoja e t’i kuptoja aq mirë, m’u bë zemra mal.

– Mezi po pres të më tregosh për Korçën tonë” – i them. “Në udhëtimin tim për në Korçë më shoqëroi çifti Nola e Tani Memushi. Arritëm në qytet përpara mesditës. Korçarët ishin të sjellshëm e të kudondodhur, kështu që nuk harxhova shumë kohë për të gjetur familjen me mbiemër “Terova”. Kur qëndrova para derës ku lexova shkronjat Terova, m’u duk sikur dëgjova zërin e nënës sime që fliste me vëllanë e saj Dhimitraq Terova. Por… imazhi u pre përgjysëm. Pas trokitjes sonë doli një djalë i cili tha se nuk dinte të kishte një teto Eftimi në Amerikë. Megjithatë, ai na priti me mirësjellje. Diçka u thye brenda meje. M’u kujtua se nëna kishte një kohë të gjatë që nuk kishte patur këmbime letrash me vëllanë dhe farefisin në

Korçë. Pra, çdo gjë e kishte mbuluar mjegulla e ftohtë e harrimit.

Kur më panë në atë gjendje të dëshpëruar, korçarët më thane se ka edhe familje të tjera me të njëjtin mbiemër dhe ata shfaqën dëshirën të më ndihmonin…

Por unë i falenderova për gatishmërinë e tyre dhe iu luta të më linin disa çaste vetëm. Duke biseduar shqip me vetveten, fillova të çapitem nëpër sokaket e Korçës. Çdo çap më jepte zemër, çdo prekje guri me këmbë, nganjëherë një shkarje e vogël deri në humbje ekuilibri, filloi të më bindte pak nga pak se

…së fundi unë plotësova një qëllim…, një ëndërr. Unë bëra gjithë atë udhëtim të gjatë për të parë, ku ka shkelur këmba e nënës dhe e babait dhe i shkela ata gurë. Për më tepër, qyteti I Korçës me fushën e tij, kodrat, malet, me stilin e ndërtesave dhe të rrugicave, me traditat dhe kulturën, me krejt mënyrën e

jetesës në përgjithësi, ishte pothuaj ai që unë kisha ndërtuar në imagjinatën time.

– Përveç Korçës, vizitove ndonjë qytet tjetër? – e pyes.

– “Po, gjatë rrugës për në Sarandë pata fatin të vizitoja Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, si dhe qytetin antik dhe qendrën e lashtë kulturore të Butrintit që më lanë përshtypje të veçanta. U takova e bisedova me motra e vëllezër të gjakut tim. Gjithë ditën ndjehesha e lumtur, pak e hutuar, por aspak e lodhur. Sepse në mendjen time trokiste laitmotivi “ky udhëtim më ndihmoi të njoh identitetin tim nëpërmjet origjinës së vërtetë prindërore.

– Vizita në vendin e të parëve të mi, me siguri, i qetësoi nënën e babanë aty ku prehen. Sapo mbërrita në Miami, vizitova varrin e nënës dhe ndjeva thellë në shpirt uratat e saj.

Gjeta aty një farë balancimi të ndjenjave të mia, që s’e kasha provuar më parë. Kohë më vonë udhëtova për në Uster, mbasi e ndjeja si detyrë të vizitoja edhe varrin e babait. Dhe atë ditë, lavdi Zotit, u njoha rastësisht me një bashkatadhetar, banor të Usterit, Jani Melka. Kur mori vesh se po shkoja në varreza, ai

më dhuroi një buqetë speciale me lule. Nuk ishin lule të zakonshme: farën e tyre e kishte sjellë nga Shqipëria dhe për herë të parë po lulëzonin në Amerikë.

– I vendosa ato lule te guri i varrit, si për t’u çmallur me mëmëdheun e largët, si një simbol të dashurisë së pashuar që rrjedh nga një brez tek tjetri…

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Korces, Marlyni dhe sokaket

NË HOTIN E VENDIT MBI PLAVË ENDE KA DITË ME DIELL…

December 10, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

            Në trevën historike të Hotit të Vendit në juglindje të liqenit të Plavës, në shek. XVIII jetnonin disa vllazni hotjane qëndrestare vitale: Mahmudët e Kurtët e Hotit – derë e hershme, e madhe, e fortë. Gjonët e Hotit – rriten në këtë truall në vargbrezni me dy barqe, të Haxhaj e Sinanaj, dhe nga Haxhajt krijohen degëzime të reja: Mehaj, Hysenaj e Mujaj. Gjokët e Hotit – tevona çvendosen brenda krahinës, në Dosugja të Gucisë, tek pllaja e Dodës, të njoftun edhe si Beqirhotaj apo Gjelaj.

Disa vllazni hotjane shtegtuan pakthim trojenik kryesisht rrjedhave lumore të Limit, Tarës, Valbonës e Moraçës. Markët e Hotit u ngulën me truall e kulla në Rahovecin e sotëm, në Krushë të Madhe e, prej kësaj vllaznie, është politikani martir, filozofi e shkrimtari i shquar, Ukshin Hoti. Gjeloshët e Hotit nga lugina e Jasenicës u  shpërngulën në Sanxhak-Tregu i Ri, ku tashti, në bashkari me hotjanë të tjerë, numërohen mbi 200 shtëpi. Nga vllaznia Sinanaj ka të larguar për në Rrozhajë, të cilët kryebigohen ndërveti me lidhje gjaku tek Gjoni i Hotit. Nga të gjitha vllaznitë e Hotit të Vendit ka të ikun në vise shqiptare nën Malin e Zi, drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, etj.. Në Nju Jork të Amerikës këto pesë dekadat e fundit është formue një komunitet i madh e aktiv etno-kulturor i hotjanëve, një “Hot i Dytë i Plavës”.

Vllaznitë e sotme hotjane në vendlindje, në Hotin e Vendit e në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, si edhe në çdo vendbanim tjetër shqiptar e mërgimtar e mbajnë emrin e një paraardhësi të tyre të shquar për mbiemër të vet. Nganjëherë, familje apo individ e mbajnë për mbiemër edhe emrin e fisit të tyre të lashtë, etnik, historik. Mehajt e kanë emblemë të mbiemrit të vet: Mehin, i cili veprimtaroi emërmirë për shtëpinë, fisin e kombin e vet deri në kufijtë e legjendave, deri në ditën e fundme të jetës.

2.

Lindja e Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit ka mbajamendje, pasi përkon me një ngjarje historike tragjike, me vrasjen e Kara Mahmud Pashës, Vezirit të Shkodrës, në fundshtator 1796, pas një çarje rrethimi në Pipër, teksa u fut në kishën e Palabardhit, gjatë një përballje luftarake për rikthimin gjeo-politik të tri krahinave shqiptare: Kuçi, Pipëri, Palabardhi në juridiksion plotor të Pashallekut të madh të Shkodrës.

Ujka (Ujkani), baba i Mehit, sëbashku me qindra malësorë nga Hoti i Vendit e Plavë-Gucia, mori pjesë në këtë luftë në mbështetje të Vezirit të Shkodrës. Pas tërhjekjes sprapsuese prej kurthit luftarak të betejës, duke luftue në rrethim, bash në Pipër, u vra atdhetari i flaktë Gjyla Begu i Rexhepagajve, sundimtari i pashoq i Plavë-Gucisë. Ky ishte mik i fismë i derës së Kara Mahmud Pashës, i cili ka verue shpesh herë në brigje të liqenit të Plavës, ndaj ende majemali në këtë trevë thirren “Maja e Vezirit”. Këta dy burra të mëdhenj, probatima ndërveti, në këto kohë tepër të vështira, e kanë mbrojt Plavë-Gucinë për mos me u pushtue e aneksue si krahinat e tjera etnike shqiptare në brigje të Moraçës nga Mali i Zi i shovinistit vladika Pjetër I Petroviç-Njegosh.

Ujka Haxha i Hotit të Vendit, baba i Mehit, i mori disa plagë në trup gjatë këtyre luftimeve dhe falë kalit të tij mjaft të stërvitur mundi të tërhiqej nga fronti i përgjakshëm me pjesën e ushtrisë së mbetur, të mundur e në largim. Diku përtej sheshbetejës e kanë marrë me veti hotjanët e Rrafshit, të cilët e kanë njoft me nji të pame me sy. Kah mesi i dimnit ka mujt me ecë në kambët e veta. Në të çelun pranvera me gjethe lisi e lule fushe e kanë ngjit në Hotin e Vendit. Rrnoi disa vite. Mesa dijmë i la mbrapa vedit tre djemë trashëgimtarë: Haxha, Muja, Mehi, të cilët, këta dy të fundit, tevona dolën bark më vete, ndanë toka e ngritën kulla.

Mehi, i pari i Mehjave të derisotëm, ishte ma i madhi ndër tre vëllezërit e tij dhe kishte shumë motra. Kjo, atij, i dha krahë mirësie me i forcue lidhjet e miqësisë me krahina të tjera përrreth Limit, Moraçës e Drinit.  Tek Mehajt traditor nuk ka ndodh me pasë marrje e as dhanie me martesa në Hotin e Vendit.

3.

Kajmekani faqezi i Gucisë, Zija Beg Rexhepagaj, kunat me Hudaverdi Pashën e Mahmudbegollëve të Pejës, pas luftës së gjatë austro-otomane (1683-1699), i shpërnguli përdhunshëm dhjetra familje etnike shqiptare (jo)kryengritëse nga Brezovica, Metehi e deri në afri të Hotit, në luginën e lumit Gjyriq (i thirrun dikur “Lumi i Mirë”). Vendoj në këto territore rreth 241-360 familje nga Moraça, Palabardhi e Ciklina e Çetinës duke iu dhanë toka vrrini si edhe lartësi bjeshktare në Çakorr, Babinë, Bogiqe. U çue në kambë Hoti i Vendit për mos  me i lanë me u shpërngul forcërisht asnjë familje hotjane dhe mos me e lëshue asnjë hap tokë të vet për këta kolonë të rinj, pasi boll ishin rrudhë hotjanët e Plavës me territore etno-historike përgjatë shekujve. I ngjeshën armët. Hipën në kuajt e luftës. Kajmekan Riza, ma i keqi i kazasë së Plavë-Gucisë në dymbëdhjetë breza sundimtarësh nga dera e Rexhepagajve, u nis me të vetët me iu dalë para hotjanëve tek Guri i Gjokës. Ai nuk donte me e mësy trimat e Hotit të Vendit deri tek “Sokaku i Hotit”, tek territori i hershëm i tyre në afri të liqenit të Plavës. Fjala e Hotit shkoi deri në vesh të Zotit. Askush nuk ia shkeli asnjë fije bari kësaj treve etnike historike.

Kit’ histori thuhet se e kishte mjaft për zemër Mehi Ujka Haxha i Hotit të Vendit, ashtu sikurse edhe pasaardhës të tij bio-genetik të Mehajve e të vllaznive hotjane Haxhaj, Sinanaj, Mujaj e Hysenaj. Kjo, qyshse në hershmëri, kallxohej në oda hotjane e në kuvende tek Kodra e Rexhës, tek kisha skej lumit në Jasenicë. Kudo. Edhe kjo histori i ka frymëzue në breza hotjanët e tri luginave të hershme e hotjanët e sotëm në dy faqet e luginës lumore të Hotit, nga Shkambi i Zi deri në bjeshkën e Horolacit tue fillanis vrrinit me 1.050 m e mbrri deri në 2.199 m. lartësi mbidetare në bjeshkë.

Herët, bjeshkët alpine janë kanë me ndore të shtetit otoman. Ato jepeshin me traminë (porestin). Hoti i Vendit bante përjashtim prej kësaj rregullsie shtetërore të kohës. Mirëpo, tregimohet se një ditë Mujë Ujka Haxha, i pari i vllaznisë Mujaj, e pati pa një andërr sikur ua morën bjeshkët “me ba haraç”. I thirri Mehi Ujka Haxhës, të parit të Mehajve, e dolën bashkarisht në Koshuticë të Hotit. Aty panë zyrtarë të qeverisë osmane. Fjalafolën me ta. Po s’u tërhoqën nga marrja e bjeshkës. Ua nisën pushkën. Bjeshka i mbeti prapë Hotit të Vendit. Tashti ata i kanë varret në Koshuticë, në krye të Çardaqeve.

Pas akteve të tilla me shembuj qëndrestarie dekteri në fillime të shek. XX nuk i hyni kush në pjesë toke Hotit të Vendit, veçse kur hotjanët i dhanë ato në raste apo rrethana të caktuara me klering apo valutë të kohës, si fjala vjen ofertuesve Rexhepagaj.

Në kohën e Kraljevinës, në vitin 1924, me të ashtuquajtunen “Reformë Agrare”, iu morën Hotit të Vendit kullota e male nga Jugosllavia e Parë, që iu kanë rikthye veçse një pjesë e vogël 181 hektarëshe tek Koshutica e Hotit. Prapë në kohën e Titos, Jugosllavia e Dytë, me tjetër platformë e praktikë të ashtuquajtun “Nacionalizimi”(1955-1961) ua mori gjithato prona hotjanëve e, prej asaj dite e deri më sot, kanë mbet’ prona shtetërore. Vitet e fundit, ky shteti i Gjukanoviçit, në këtë kohë të riaktivizimit në rrugë diplomatike e politike të ashtuquajtunes “Jugosllavia e Katërt”(!), prapë po synon e sulmon marrjen e tjetërsimin pronësor të tokave të Hotit të Vendit me anë të Parkut Ballkanik të Paqes “Prokletje”(!)

4.

            Gati një çerek mijëvjeçari po kalon nga kohëlindja e Mehi Ujka – i pari i Mehajve dhe, ende hotjanë, plavë-gucias e të tjerë, fjalaflasin me admirim për emrin e bëmat e Mehit aqsa një bashkëvendas i moshuar më pohon krenarisht: “veçse krahët nuk i ka pasë”.

Luftëtari i maleve shqiptare, Mehi Ujka, sëbashku me disa hotjanë të Plavës, patën konflikte të përgjakshme me armë me ekstremistë nga  Vasojeviçi i Epërm (Nahija e Vasojeviçit), krahinë e sapo futun forcërisht nën Sanxhakun e Cerrnagores, në kohën kundërshqiptare të peshkopit-princ Peter I Petroviç-Njegos. Kjo i detyroi përkohor me e lanë Hotin e Vendit dhe me ra në qytetin e Shkodrës, kryeqendrën e Sanxhakut të Shkodrës, kaza e të cilit ishte edhe Gucia me rrethina të hapëta nga ana administrative.

Mehi Ujka i Hotit tue ecë me kusherinjtë e vet nëpër Shkodër ndal tek një dugajë. Hyjnë brenda. I sheh do patkoj të varun aty. Fjalathotë: “Po sa i kie ata patkoj, o dugajxhi, se po më duken pak si të hollë?! Dugajxhia i përgjigjet tue e ndjek terezinë e vet, duke e reklamë mallin e vet. Atëherë, Mehi ia pret: Unë me i kap qitash i thej me dorë, i baj dy copësh! Dugajxhia ia kthen: N’mujsh me i thye, i kie një teste (50 copë) me patkonj dhe për çdo patkue edhe nga nji thumb falas…

Si u tha edhe u ba. Mehi e tereziti mirë patkoin në dorë, i dha vetes kivet e ta këputi në mes. I dha krahut me forcë e ta ngjujti neltas një pjesë të patkoit, i cili u ngul në një tra të tavanit të dugajës. I mori patkonjtë e thumbat e premtuem prej dugajxhisë. Iu dha prej tyre edhe kushërinjve të vet, sepse dihet: hotjanët janë tepër të dhanun pas kuajve, një traditë e kahershme, e mbartun dhe e përcjellë qyshse nga paraardhësit e vet, nga Autariatët ilirianë.

Një ditë tjetër, bash në qendër të (krye)qytetit të Shkodrës, u borokatke një shkodran truplidhun e shtatlartë tue piskatë me ritme daulleje: O në këtë sanxhak, në 12 fise të Malësisë, nuk ka burrë si më del me u ndesh përballë!

Shumkush në Shkodër ia kishte ndie zanin ose pa faktikisht forcën Mehi Ujkës së Hotit të Vendit, prandaj e thirrën një ditë vere me u kap trupas me shkodranin bejlegxhi. Kusherinjtë e vet iu lutën me e hjek “gujen”, veshjen malsorçe, hotjane, po ai iu gjegj atyne me bindje të ngultë: “Gujen nuk e hjeki. Ajo delme që nuk e ban bashkën e vet nuk i duhet gja kujt…”.

Mehi po don me hjek merak për mos me çue në Hotin e Vendit ngatrresa të idhta e as gjakderdhje hakmarrëse, prandaj ia bani me dije paraprakisht shkodranit, i vnon kusht para se me u ndesh ndërveti: O burrë i dheut, në kit Shkodrën tonë, në kit’ ditë, ba me ia thye dorë a kambë njani-tjetrit, me e mbyt shoqi-shoqin, nuk kena fjalë e as pushkë mbrapa? Shkodrani ia dha besën se kurrgja kësosh nuk do të ndodhin në këtë ditë tregu, në këtë ndeshje force mes tyre, në mes farefisnisë së tyre.

Njerëz si bleta ishin mbledhë me plot kureshtje e komente përrreth tyre, në pritje të duelit e të fitimtarit. Një spektakël i tillë force kishte ngjarë shpesh në kryeqëndren e sanxhakut, në ditën e pazarit të madh.

Kur e kapi rrokas po dvet shkodrani: A je kap Mehi? E ky hotjani me urtësi force  ia kthen turrtë: Po, po. Mos kie gajle! Prapë shkodrani në kit ndeshje force po don me e  dit’ me atë kryelartësinë e vet: “A po m’i jep ti para trupit apo unë me t’dhanë ty?” Ia pret Mehi: “Jo, ti epëm mue…!”  Shkodrani boll i dha vetes fuqi po nuk mujti me e luejt Mehin prej vendit. Rrinte si lis bjeshke.

Rradha po i vjen Mehit. I vikati për me ndie edhe të tjerët: “Tashti unë po due me të dhanë ty para! Pritëm mue!”. Ia ngjiti fort, çobanisht. E cingloi prej toke. I lvritshin kambët sikur miut. E gjuejti plastim për tokë. I gufi gjaku prej goje e hundësh. Ia mbyti byrykamen. Shkodrani nuk doli ma në mejdane të tilla.

Atëherë njerëzia, të mbledhun aty, e morën Mehin dhe e ngritën mbi supe, tue ecë një copë kohë e rrugë nëpër pazarin e Shkodrës. Jehonin thirrjet e fuqishme: Mehi! Hoti!… Këtë histori dueli e mori vesh edhe sanxhakbeu i Shkodrës…

Mehi Ujka i Hotit ishte jetëgjatë e fort i mbajtun. Thuhet se e kapërceu qindin tue ecë mbi kali shale për në bjeshkë të Koshuticës. Me pamje nga afër nuk i dallohej mosha e madhe. Ndoshta të gjitha këto e shpjegojnë faktin se Mehi mori pjesë edhe në të madhen e të përgjakshmen “Betejë të Ostrogit” (1853) në krahinën e Bjellopavliçit kundër forcave pushtuese e aneksuese të Malit të Zi të princit shoven Danilo I Petroviç-Njegosh.

Plaku i moçëm Mehi Ujka i Hotit thuhet se e ka varrin e tij në atë të përpjetën ku Jasenica kap prej bjeshke, atje tek Vorret e Vjetra.

5.

Tahir Meha i Hotit të Vendit nuk ishte njeri i pazakontë, trupmadh e muskulfortë si i ati, po nuk i pati lanë gja mangut për nga trimëria e zgjuarësia.

Ai kishte edhe një vlla tjetër disa vjet ma të madh se vetin, Isufin, i cili ishte çoban i zoti dhe pati një vdekje natyrore të parakohshme tue lanë një djalë të vetëm, Sinanin, e katër çika njana pas tjetres.

Luftëtari atdhetar Tahir Meha i Hotit të Vendit shquhet në një nga betejat ma të mëdha e ma të vështira shqiptaro-malazeze, në atë të Grahovës (28 prill–1 maj 1858), si dhe ka marrë pjesë në disa luftëra lokale në mbrojtje të Plavë-Gucisë me rrethina.

6.

Shaban Tahir Meha i Hotit të Vendit duket se i përngau gjyshit të tij, Mehit, pasi ishte një burrë i fuqishëm. Në fletore të shenimeve për Hotin e Vendit disa bashkëbisedues në Plavë-Guci e në Nju Jork-Amerikë ma përshkruajnë si “një trup mjaft leshtor” aqsa edhe dimrave tepër të ftohtë “e mbante vetëm një goxhup”. Ai ishte aq punëtor i rrallë sa edhe toka ia njihte dorën dhe ia ndiente frymën.

Asokohe, Shaba, siç e thirrnin shkurt e me afri, e ngriti një kullë trekatëshe në truallin e vet, sikurse edhe Alush Smajli Haxhaj, Ukshin Arif Sinanaj, Malë Rrustem Hysenaj, Ibër Mustafa Haxhaj (dykatëshe) e, ndonjë tjetër. Këto kulla e banin Hotin e Vendit edhe ma të bukur e ma të lumtur, iu jepnin forcë qëndrese e frymë zhvillimi ekonomik e kulturor hotjanëve. Kur Mali i Zi e pushtoi e aneksoi me gjak e flakë Plavë-Gucinë (1912-nëntor 1913) i dogji edhe kullat e besës e qëndresës të Hotit të Vendit.

Edhe sot e kësaj dite, afër kullës të dikurshme të Shabës trim e gjallnik, gjenden gjurmët e dy furrave gëlqereje që i ka pasë ndërtue në kohën e vet. Këtij vendi, ku e pjeki e nxorri gëlqeren për veti e për treg, i ka mbet’ toponimi i përhershëm: “Qerrshahe e Shab Tahirit të Mehajve”.

Shab Tahiri me djemtë e Mehajve të kohës së vet gjerdanonin në unison me bashkëfistarët e vet hotjanë në Hot, Jasenicë, Zabel, tek “Balli i Gjahut” (kodër thepore, në hymje të Hotit, kah lindja, në të majtë të liqenit të Plavës), tek ngjiteshin e dirgjeshin nga bjeshka, kur merrnin udhë për në tregun e Plavës e atë të Gucisë, kur rrugëtonin për në Pejë apo Shkodër. Këta të tre i jepnin bukuri e krenari vendit e kuvendit, udhëtimit e argëtimit. Burrat e Hotit, edhe brenda krahinës (kaza, kapiteni, komunë) në qytetet Plavë e Guci, binin në bashkari deri në mbi 20-30 vetë, me kuaj shale e armë, të veshur si për ditëmadhe pazari, etj.

7.

4 Dhjetori 1879 i kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është sipari i një prej luftërave kombëtare ma të mëdha në historinë shqiptare: “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit “ (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, Brezovicë…), e cila u përmbyll me gjak e flakë më 11 janar 1880. Kjo luftë njihet ndryshe edhe si “Dy betejat e Nokshiqit” (dhjetor 1879, janar 1880). Mbi të gjitha historiografia shqiptare e vlerëson si një nga faqet e ndritura të “prologut” të Pavarësisë së kryer më 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit.

Pak kush e din se heroi i kësaj dite historike, dëshmori i parë i kësaj lufte historike, është një luftëtar i madh, njeriu i thjeshtë, (Murat) Osman Murati i Mahmudëve të Hotit të Vendit, një personazh historik i padalun në dritën e vërtetë të historisë kombëtare, në breza të shuar nëpër luftëra me sllavë të Jugut e otomanë të Lindjes.  Ai i përket një vllaznie të vjetër sa vet Hoti, trime si vet Hoti, ndaj thirrej edhe me emra simbolik: “Mahmud-hoti”,“Murati”. Gjithandej cilësohej si njeri “i lindun me orë”, më fjalathonë Ahmet Murati i Sinanajve, Rexhë Mehmeti i Sinanajve, Sinan Isufi i Mehajve, Halil Ukshini i Sinanajve, Ilmi Murat Mujaj, etj. Boshnjakët e Plavë-Gucisë, ma së forti shqiptarë të asimiluar, thoshin shpesh se nuk ka luftë pa Muratin, e përdornin shprehjen e njohur: “Nema rata bes Murata”. Ky, në syçelje të dritës, në syfyr, lëshoi kushtrimin tek Kodra e Rexhës e dukej se eci ma shpejt se jehona e zanit të tij nëpër luginën e Hotit e të Gjyriqit, trupon urën e Limit, i bie përfund Brezovicës e pa hi në Pepaj i paradalin nja 100 shkije në fushim. Mbante me veti buzdavanin, shpatën e thikat e mprehta. I ka zhdrip kalit të shalës tek grupi ma i parë ulandejas i shkijeve e iu tha: Kam ardh me iu pru i xhevap… E nxori shpatën nga brezi e thuhet se i ka pre 15 krena pushtuesish malazezë. Ai shkoi si hero, e dha jetën si hero, tue e ndez luftën e pashembullt.

Alush Smajl Haxhaj, Dera e Parë e Hotit të Vendit, përcjell jehonën e kushtrimit luftarak e, hypi në kalë të bardhë dhe, sëbashku me vëllezërit e vet: Asllanin, Currin, Medin, Tahirin, Rexhin i cokatin e i ngjeshin armët për luftë kundër ushtrisë malazeze.

Luftëtari trim, Shab Tahiri Mehaj, rreth 30 vjeçar, siç shkruhet tek monografia “Epopeja e Luftës së Nokshiqit” (Zenel R. Haxhaj, USA, 1998) kushtrimon malsorçe “nga shkëmbi i Horllacit, nga Mehajt, rranxë bjeshkëve të hotjanëve” dhe mori pjesë ballas në të dy betejat e Luftës së Nokshiqit, duke marrë edhe një plagë më 11 janar 1880.

Nga Hoti i Vendit, 33 apo 37 ose 43 luftëtarë nga vllaznitë Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj e një i Dedushaj, Bajram Musa, ranë tek kulla e Jakup Ferrit në Plavë e, siç më kuvendon në Nju Jork veterani diamantor, Rexhep Gali Balidemaj, “dolën në ballë të luftës në Nokshiq”. Strategjia e luftës së Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit) kishte planet e veta të (pa)shpalosura, po të parët strategë të saj atdhetarë idealistë e luftëtarë të pakompromis ishin hotjanët, që u ndoqën njëherash e përflaktas nga nokshiqasit…e rugovasit… Historia ka fillue me folë…

8.

Isuf Shab Mehaj, i dyti ndër djemtë, ishte e mbetet në kujtesën e vllaznisë së tij e të hotjanëve të Plavës si “sokol djalë”.  Sipas traditës hotjane të lashtë, ishte i dhanun mbas garave me kuaj, biles me kalin e tij të bardhë dilte shpesh i pari ndër të tjerët. Si ai ma, me talent të rrallë e ushtronte currulajen me soha. Ishte shtëpiak, dinte me vnue e me mbajt pasuni. Në “kohën e Krajlit”ka dalë kaçak se e ndiqte shteti jugosllav. Në vitet ’30 i erdhi papritur vdekja natyrale e parakohshme, duke lanë tre djemë: Ramadanin, Bajramin e Sinanin, e, ndër vite, plot nipa e mbesa me vila në vendlindje e në Amerikë.

Djali i tretë i Shab Tahiri Mehaj, Hamza, i shkathët e i zgjuar, e ka humb jetën aksidentalisht në lumin Buna në moshën 18 vjeçare.

Brezi i dytë i Isuf Mehajt, Ramadani, ishte i aktivizuar me forcat nacionaliste antikomuniste, pjestar me djemtë e Haxhajve të Hotit, po aksidentalisht e preu kambën e nuk mujti me shkue me ta në terren. Kryeplaku i fshatit të Hotit të Vendit, Musë Sadiku, i çon fjalë se forca partizane e kanë në shenjestër të hakmarrjes, prandaj për dy metra borë ra në Deçan e, prej andejna, në pranverë, ndejti tek dajtë e vet, tek Mulosmanajt e Krasniqes në Malësinë e Gjakovës.

 

9.

Sadri Shab Mehaj, i lindur kah fundshekulli XIX, i rritur në një familje me tradita e kontribute atdhetare, që me mend e sakrifica kishte arritë të jetë një nga ma të pasurit në Hotin e Vendit, biles në vitet ’20 deri më ’40 veçohej si një nga pasanikët ma të mëdhenj në krahinën e Plavë-Gucisë. Përveç angazhimit të përditshëm të familjes së vet kishte të punësuar edhe 5-6 punëtorë aktiv, të përhershëm.

Kur ka hy komunizmi në Hotin e Vendit, në kohën e Jugosllavisë së Dytë, Sadri Shab Mehaj, kishte 112 dhenë, rreth 30 lopë, 12 penë kije (qe), të cilat i çoi për dimnim në Kosovë e, me të dalë pranvera, shumicën i përcolli në Shqipëri. Në Gjarpën të Mulosmanajve ia dha Halil Alisë të Llugajve (Tropojë) 112 dhenë përgjysmë për tre vjet e çka të shtohen me i nda përgjysmë ndërveti. Nja 8 lopë i çoi në Selimaj të Valbonës (Tropojë) dhe nja 8 lopë në Lugun e Beranit në Pejë. Kur u interesue për pasurinë e vet të shpërndarë iu dha një përgjigje e njëjtë: Na i kanë marrë komunistat… e Enverit e të Titos! Mazen e bylmetnat ua morën partizanët. Asokohe, edhe një lopë me e pasë duhej me i pague taksimin, përndryshe, “reksvecicia”, një farë politike që e shkretoi Hotin e Vendit.

Sadri Shab Mehaj ishte njeri i ditun, pleqnar, i ndihej dhe i ecte fjala, folke me rend e me vend ne kuvende, i lypej mendimi në odat malësore. Atij i peshonte fjala dhe i ndihej hapi. Ai pati një djalë: Xhemën, që me fëmijët e tij i mbajtën mirë traditat e vllaznisë së vet.

Luftëtari Sadri Shab Mehaj ishte pjesmarrës në Luftën e Dytë Botërore. Kujtime për Sadrinë nga kjo kohë lufte më përcjell edhe 86 vjeçari Halil Ukshin Sinanaj në shtëpinë e tij në Amerikë më 3 shtator 2012. Pas qëndrimit në Shqipëri në vitet 1945-1946, Sadria, me t’u kthye në Hotin e Vendit e prangosen në burg për shtatë muaj proçes hetimor. Kur doli nga burgu jetoi disa vite gjersa ndrroi jetë në vendlindjen e vet.

Hotjanët kanë një betim të moçëm: Pasha Tokë e Qiell! Duket se hotjanët flasin lirisht me Tokën e me Qiellin, pasi në vendlindjen e tyre ende ka ditë me diell…

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: e vendit mbi Plave, ende ka Diell, Ne Hotin, Ramiz Lushaj

Atmosfere festive në Jacksonville- Marriot Hotel vishet kuq e zi

November 26, 2013 by dgreca

*Në Jacksonville Florida festohet me madheshti 101 vjetori i Pavarsise së Shqipërise dhe një vjetori i Deges se Federates Pan Shqiptare Vatra./

*Marrin pjese ambasadori i Republikës së Shqipërise zoti Gilbert Galanxhi, kryetari i shoqates Pan Shqiptare Vatra zoti Gjon Buçaj dhe mjaft të ftuar nga New Yorku,Tampo,Fort Launderdale,Naples, Orlando si dhe kanalet televizive Albania Culture e Kelmen TV./
Nga Lek Gjoka /
E shtune 23 Nëntor 2013.Qielli i Jacksonville  Florides duket sikur dashurine dhe ngrohtësinë verore do ta kete të pafundshme.Aroma festive sikur i buzëqesh edhe vetvetes.Qindra e qindra bashkekombas shqiptare kur dielli floridian akoma nuk ia kishte lëshuar rradhen nates po drejtoheshin nga salla e hotelit, dikush kishe ardhur nga New Yorku me avion e te tjeret në një udhëtim disa oresh nga Tampo,Naples,Fort Landerdale, Orlando.Flamuri kuq e zi sa një faqe muri sikur ia kishin shtuar me shume bukurine duke e kthyer kete salle në një copez Shqiperie.Në hyrjë të salles përvec flamurit kuq e zi , ishte pasqyruar një histori e shkurter e 101 vjetorit të Pavarsise së Shqipërise , ku fjalet kuptim plote”Gëzuar 101Vjetorin e Pavarsises se Shqipërise” dhe “Komuniteti shqiptar i Jacksonville Florides” ishin si një zjarr i ndezuar në zemrat e përmalluera te shqiptareve.Pak me poshte flamuri i SH.B.A dhe i Republikes së Shqipërise sikur ishin të përqafuar bashke sepse e tille është dashuria e pavdekshme e diaspores shqiptare të Amerikes qe jo vetem brezi i vjeter por edhe femijet do ti edukoje me një dashuri të shenjte për të dy kombet Ameriken ku kanë lindur dhe Shqipërine prejardhen e gjakut që iu pulson në deje.Në krye te vendit me një ndriçim shpirtëror Heroi ynë kombetar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe nëna e të gjithe botes Nene Tereza sikur të uronin mire se ardhen.Pak poshte tyre plaku i urte i Vlores Ismail Qemali i buzëqeshte në krah Isa Boletin dhe trimave te tij.Pak poshte tij strategu i Pavarsise se Shqipërise i denuar pradrejtesisht nga diktatura komuniste që donte ta fshinte nga historia e Pavarsise numrin dy të saj Dom Nikoll Kaçorri sikur krenohej me sternipat e tij qe në Florida e respektojne punen e shenjte te tij në te mirë të kombit shqiptar.Ngjitur më të edhe dy kollosat e letersise se Rilindjes poeti Naim Frasheri i mallit për Memedheun dhe Homeri i kombit shqiptar At Gjergj Fishta edhe ky gjigand e denuar padrejtesisht nga diktatura komuniste në Shqipëri.Deklarata e Pavarsise së Shqipërise me firmat origjinale të të gjitheve bashke më emrat e tyrë sikur e ndriçonte me shume rendesine e kesaj feste të madhe të 101 pervjetorit të Shqipërise.
Përballe saj më një embelsi dhe shikim ndriçuar stenda e Shoqates Pan Shqiptare Vatra iu afronte shqiptareve një realitet të ri.Jo vetem historine shekullore të Vatres se madhe të Nolit dhe Konices por pasqyrimin me foto dhe reportazhe të jetes një vjeçare të deges se Vatres në Jacksonville pasqyruar tek gazeta “Dielli”.
Dalngadale salla u mbush.Televizioni Albania Culture.nga New York City dhe “Kelmen TV” nga Jacksonvilla nisen me plot deshire e pasion filmimet.Spikera Suela Leka me një shqipe të paster dhe plot ëmbelsi hapi siparin ku nder të tjera tha:
Të dashur bashkombas shqiptare në Florida,
I dashur zoti ambasador i Republikes se Shqiperise më SH.B.A zoti Gilbert Galanxhi, sebashku me bashkshortën, i dashur kryetari i shoqates Pan Shqiptare Vatra Gjon Buçaj sebashku me bashkshorten, të dashur miq dhe të ftuar është një nder dhe kenaqesi që në emer të deges se shoqates Pan Shqiptare Vatra ketu më Jacksonville Florida tiu uroj mireseardhjen në keto dy festa , dy gezime në një dite 101 vjetorit të Pavarsise se Shqipërise dhe një vjetorit të themelimit të deges se shoqates Vatra.
Gezuar dhe për shume vjet e mot !..
Me pas ajo ftoi sallen të ngrihet në këmbe dhe të kendojnë hymin e SH.B.A.
Pas një pauze të shkurtër përseri ftoi sallen në kor të këndojnë hymnin e Republikes se Shqipërise hymn qe na gezon dhe na përmallon ne shqiptareve sa here e degjojmë.Salla u ngrit në këmbe dhe të gjithë më zë te larte nen tingujt e muzikes  këndonin hymin e flamurit.
Pas një pauze spikera fton kryetarin e Deges se Shoqates Pan Shqiptare Vatra në Jacksonville Florida që si zoti i  shtepise për të përshendetur i pari.
Kryetari i Deges se Shoqates Pan Shqiptare Vatra në Jacksonville zoti Adriatik Spahiu duke marre fjalen tha:
Të dashur bashkë kombas!
I dashur zoti ambasador i Republikes se Shqipërise në SH.B.A zoti Gilbert Galanxhi
I dashur ktyetari i Shoqates Pan Shqiptare Vatra zoti Gjon Buçaj
Të dashur miq të ftuar shqiptare nga Nju Jorku, Tampo, Fort Landerdale, Naples,Orlanda  dhe ju miq të shqiptare është kënaqesi që sontë ketu në Jacksonville Florida me 23 Nentor 2013 festojmë sëbashku dy festa 101 vjetorin e Pavarsise së Shqipërise ku plaku i urte Ismail Qemali bashkë më patriotet e tjere shqiptare ashtu si pese shekuj para tij heroi yne kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ngriti flamurin kuq e zi mbi qiellin e Shqipërise ku era e barotit dhe e tragjedise se coptimit të truallit shqiptar nuk dintë të shuhej.Sontë po festojme edhe një ditlindje tjeter, ditlindjen e pare të një shoqate shekullore qe Fan  Noli dhe Faik Konica e pagezuan me emrin me të bukur shqiptar Vatra, vatra e bashkimit të shqiptareve të Amerikes.Në 100 vjetorin e festimit të themelimit te shoqates Pan Shqiptare Vatra në Nju Jork duke thyer edhe rregulloren e festes dola dhe përshendeta në emer të shqiptareve të Jacksonville, gjithashtu iu premtova që sëbashke me shqiptaret me shpirt shqiptari të themelojme degen e shoqates Vatra ketu.Sontë dua të falenderoj grupin nismetar në themelimin e kësaj dege ku të gjithë kanë meritat e tyre e në veçanti Adem Agovin, Rexhep e Aferdita Lla ,Ali Lushnja, Bukurosh Curre, Hasan Hakrama etj.Ndaj sontë ndihem teper i emocionuar kur shikoj kete salle në Marriot Hotel të mbushur plot e për plot me shqiptare qe festojnë një vjetorin e themelimit të Deges.Shoqata Pan Shqiptate e cila nuk është vetem e antareve të saj, Vatra kjo shoqate patriotike është e gjithe diaspores shqiptare të Amerikes pa dallim feje, krahine ideje , arsimi a pasurie.
Në një vit punë dega  jone e Jacksonvilles ka arritur ëndrrat e saja që kur u themelua.Vetem dhjete dite pas themelimit festuam 100 vjetorin e Pavarsise së Shqipërisë që e pasuam me festimin e vitit të ri në një familje të madhë falë deshires se Vatres.

Emri i Vatres dhe i shqiptare të Jacksonvilles filloi dhe i kaloi kufijte e Florides, madje shkoi deri në shtypin shqiptar në Amerike dhe Shqipëri  fale  zotit Lek Gjoka poetit,publicistit  , shkrimtarit, “Penes se Arte” sikur e quajti në festen e Nenave kryetari i shoqates zoti Gjon Buçaj i cili me një korrektese të jashtezakonshme pasqyroi çdo aktivitet tonin ne pasqyrimin e një gazetari realist.Gjithashtu edhe kanali televiziv Kelmen TV  kanal i shqiptareve te Amerikese i zotit Mark Dukaj pasqyroi gjithë veprimtarinë e shoqates sone.

Aktivizetet e deges nga muaji në muaj marrin me teper shije shqiptarie.Në Jacksonville erdhen artistet e famshem të humorit shqiptar Behar Mera, Rita Lati dhe kengetaria Valbona Halili, po në Jacksonville Vatra festoi edhe 8 Marsin ditën e nënave të atyre që janë jeta, gjallëria e familjes.

Dega e Vatres për here të pare solli edhe Naim Frasherin në Florida , ku festuam diten e Naimit duke përkujtuar ketë poet të madh kombëtar si dhe mjaft poete te tjere si dhe  kollosin e letra shqiptare, kandidatin e pare shqiptar për çmimin Nobel në letersi Homerin e Kombit shqiptar At Gjergj Fishten.Në ketë aktivitet ishte edhe bilbili i kënges se tropojes antari i shoqates Vatra kengetari Gezim Nika.

Nga dita në dite dega e Vatres po rritet fale jush fale punes se palodhshme të mjaft antareve të Vatres si : Gjergj Shkurtaj,Indrit Kellezi, Elton Hysesani etj  ndaj gjithkush qe mendon se ka diçka për të dhenë për Shqipërine, për bashkimin e shqiptareve ketu në Florida është me se i mirë pritur dhe që sot mund të behet pjese e kesaj Vatre shqiptare.

Sontë të dashur bashke kombas më deshiren e zjarrte  që serisht në shqiptaret e Jacksonvilles të bashkohemi në një Vater shqiptare iu uroj nga thellesia e shpirtit gëzuar e për shume vjet 101 vjetorin e Pavarsise se Shqiperise dhe një vjetorin e themelimit të deges se shoqates Vatra.
Gëzuar !

Zoti e bekofte Ameriken
Zoti e bekoftë Shqiperine dhe shqiptaret kudo që ndodhen.

Ju faliminderit dhe e kalofshi sa me gëzuar sonte..

Duke marre fjalen ambasadori i Republikes se Shqipërise në SH.B.A zoti Gilbert Galanxhi tha:
Mirë mbrema të gjithevë !..
Gëzuar !..
I nderuar zoti Gjon Buçaj kryetar i shoqates Pan Shqiptare Vatra !..
I nderuar zoti Adriatik Spahiu kryetar i Deges së shoqatës Vatra në Jacksonville !..
Të nderuar miq e të ftuar, motra e vellezer!.
Ju falenderoj për ftesen për të qenë mes jush sontë në kete feste të bukur e kuptimplote të Ditës se Flamurit, të përvjetorit të 101 të Pavarsisë së shtetit shqiptar.
Gëzuar këtë ditë të bekuar për të gjithë shqiptaret kudo që janë në Amerike e Shqipëri, në Kosove e Mal të Zi, në Maqedoni dhe Çamëri.
Zoti e bekofte flamurin tonë kuq e zi që mbledh rreth vetes kedo që i rreh zemra për shqiptarinë.

Sontë në festojmë një vjetorin e njëqind vjeçarit të dytë të Pavarsise por edhe një vjetorin e themelimit të Deges së Vatres nga komuniteti juaj, pra kemi siç do ta dëgjojmë besoj nga këngetari i mirënjohur Petrit Lulo “Dy gezime në një ditë”.Unë ju përgezoj dhe iu uroj Deges suaj shumë suksese dhe jete të gjate pasi Vatra në 101 vitet e ekzistences se saj këtu në SH.B.A ka qenë me të vertete Vatra  patriotike e të gjithë shqiptareve.Aji ka ruajtur dhe vazhdon të ruaj traditat ma të mira patriotike e kulturore, gjuhën dhe zakonat dhe mbi të gjitha dashurinë për Atdhe e flamur.
Gëzuar !..
Të nderuar miq, diaspora e shqiptareve të Amerikes meriton një nderim dhe falenderim të veçante pasi gjithmonë ka nxirre figura patriotike të shquera që kanë mbajtur ndezur shpresen për një Shqiperi demokratike.Ju të gjithë në një mënyrë ose një tjeter keni qene e vazhdoni të jeni ambasadore të Shqiperisë  me punën tuaj,  me djersen tuaj të ndershme  keni bëre që edhe amerikanet ta duan fort dhe ta respektojnë Shqiperinë dhe shqiptatet.Kontributi i diaspores shqiptare të Amerikes e sidomos i atdhetareve të Shoqates Vatra  ka luajtur një rol  vendimtar si për shembjen e diktatures komuniste në Shqiperi ashtu edhe për çlirimin e Pavarsinë e Kosoves heroike.
Ju faliminderit !..
Së fundi me lejoni edhe njëhere tiu uroj suksese , mbarësi e mireqenie në familjet tueja, të komunitetit tuaj, në punën tuaj të përditshme për të mbajtur gjalle zjarrin e Vatres në të mirë të mbare kombit shqiptar.

Zoti e bekofte Shqipërinë dhe popullin shqiptar !..
Zoti e bekofte Ameriken simbolin e Lirisë dhe Demokracise.

Gëzuar festen ë flamurit !..
Ju faliminderit !…

E gezofshim diten e Pavarsise !
E gëzofshi edhe përvjetorin e pare  të themelimit të Deges se Vatres në Jacksonville.

Pasi mori fjalen kyetari i Shoqates Pan Shqiptare Vatra zoti Gjon Buçaj tha :
Mirë mrama !..
Gëzuar , për shume mot !..
Për shumë mot 101 vjetorin e Pavarsise së Shqipërise !.

Për shume mot një vjetorin e themelimit të Deges së Vatres në Jacksonville, të Deges së madhe të Vatres në Jacksonville !..

Në diten e kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Vatres ishte edhe dega e pa themeluar e Vatres, kryetari juaj zoti Adriatik Spahiu u ngrit e përshendeti në emrin tuaj, në emrin e Deges që do të formohet.Ai kishte besimin, kishte vizionin e ri i cili u bë realitet.Formoi një Dege kaq të madhe e cila mbledh në gjirin e saj bashkatdhetaret nga të gjithë trojët Arbnore, nga të gjitha shtresat.Këtu keni njerëz të kultures, keni njerëz të komedise,keni njerezit e shkrimeve, keni njerëz të profesioneve të ndryshme dhe të gjithë keni zemren e madhe.Ndihem shumë i nderuar dhe i gëzuar që gjendem mes jush në ketë Vater e cila ngroh zemrat e tueja.Zëri i saj dëgjohet jo vetem në New York por gjithkund në Amerike dhe jashte Amerikes në Atdheun tonë të dashur.

Ta gëzoni përvjetorin e themelimit të Vatres !..

Vatra u themelua shtatë muaj para Pavarsisë së Shqipërise, punoi për Pavarsine,mbrojtjën e kufijve të Shqipërisë,vazhdoi të mbroje e të punojë për interesat e kombit, për miqesine mes kombit shqiptar dhe Amerikes.Flamuri i madh kombëtar sontë këtu sa balli i murit sikur do të thotë se i ka hapur krahët në Liri, Demokraci në vendin mik të Amerikes,pranë flamurit të Shteteve të Bashkuar  të Amerikes që është simboli i Lirise dhe Demokracise, të ketij Vendi të Bekuar që Shqipërise i doli zot në rastet e në rrethanat më të veshtira të historise së saj.Tani nuk i kemi ato veshtirsi ndaj kemi arsy të kremtojmë e të festojmë.Për shumë vjet gëzuat !..E gëzofshi diten e Pavarsise !..E gëzofshi edhe diten e themelimit të deges se  Vatres !..

Zoti e bekofte Ameriken !
Zoti e bekoftë kombin shqiptar !..

Gjithashtu përshendeti edhe kryetari i Deges se South  Florides zoti Kolec Ndoja.

A kishte “faj” avioni që i solli tre ore me vonese në koncert këngetaret e famshem Irma Libohova dhe Petrit Lulo apo organizatoret që iu prene biletat ?..

Nisja plot entuziazem e festimeve sikur u venit disi.Qindra e qindra pjesmarres prisnin pas fjalimeve që këngëtaret ta digjnin sallen por asgjë.Një thashethemnaja filloi të qarkulloje nëpër salle se kengëtaret nuk do vijne, më pas edhe një tjeter do vijnë vonë.Salles i iku shija e festes.Sigurisht që “faj” ka pak avioni që u nis vone por organizatoret që bëjnë kontrata me këngëtaret duhet të nxierrin mesime sepse para së të mendojnë për fitimet e tyre do të kejne kujdes anën morale te klienteve të cilet kanë paguar një çmim për kete koncert.Ne SH.B.A klienti është i pari dhe nuk ka klient të dores se pare apo të dores se dyte.Por përgjegjsia shtohët dyfish kur bëhet fjalë për 101 vjetorin e Pavarsise se Shqiperisë dhe ku qindra e qindra shqiptare duhet të presin tre ore ardhjen e tyre.Megjithate fale brezit të ri të shqiptareve të Amerikes gjendja ndryshoji.Në Londër nuk arriten dot ta çarmatosin Isa Boletinin kështë që edhe në Jacksonville Florida nuk ju zbeh hijeshia Pavarsise.DJ Serafin Daka nga Jacksonvilla dhe DJ dhe kengetari  Ermal  nga New Yorku e quan sallën peshe.Plasi hareja,dhe vallja veri-jug e tundi vendin.Buzëqeshja mori shijen ë festes.Flamuri kuq e zi dhjetera e dhjetera metra i madh luajti pak kokën në shenjë gezimi.Psheretiu lehte e foli pa ze
:-Po të jene të bashkuar shqiptaret fitojnë çdo dhimbje e çdo beteje.

Irma Libohova dhe Petrit Lulo iu sjellin shqiptareve të Florides një copez shije vendlindje.

“Shija” e hidhur e ardhjes me vonese  të këngëtareve kaloi shpejt fale talentit dhe fjaleve plot patriotizem dhe ngrohtësi të këngëtareve Irma Libohova dhe Petrit Lulo.Këngët për Shqipërine, për Kosoven, Çamerinë martire ia ndryshuan shijen salles.Vallet e Veriut , të Kosoves, Shqipërise se mesme dhe Vallet e Jugut u shkrinë në një.Të gjithë kërcenin , të gjithë këndonin sebashku nga Kosova në Çameri, nga Tuzi në Gjirokaster, nga Konispoli në Vermosh, nga Shkodra në Korçe, nga Shkupi në Permet, nga Lezha në Sarandë, nga Vlora në Mirditë.I gjithë Shqipëria Etnike u bashkua sontë në një trup të vetem në Jacksonville Florida në dy gezime në një ditë në festen e flamurit dhe një vjetorin e Deges se Vatres.Fytyrat e shqiptareve shprehnin një gëzim të papare.Për pak momente aktori i humorit shkodran qe jeton në Florida Sander Ruçi i solli salles plot të qeshura nga loja e tij plot humor.
Kaloi mesi i nates, ora një, dy pas mesnate dhe vallja, kënga nuk dinte të lodhej.Salla ishtë bërë një trup i vetem dhe nuk dontë që kjo feste, kjo copëz Shqipërie të mbaronte.Sigurisht festa nuk ka mbaruar sepse gezimi , festimi i asaj nate të magjishme jeton në shpirtrat e bashkatdhetareve në pritje të 102 vjetorit të Pavarsise së Shqipërise dhe dy vjetorit të Deges se Vatres.

Lek Gjoka
Jacksonville Florida
26 Nentor 2013

Filed Under: Reportazh Tagged With: atmosfere festive, Jacksonville, Lek Gjoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT