• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAGJIA E BJESHKËVE TË MARTINAJVE

March 1, 2014 by dgreca

NGA Ilir BUÇPAPAJ/ Martinajt e sotëm janë një ndër banimet më të vjetra iliro-shqiptare në pjesën veriore të Alpeve Shqiptare. Kjo falë resurseve natyrore që Zoti u ka dhuruar këtyre viseve.Nga gjurmimet arkeologjike dhe të dhënat historike, dëshmohet se këtu jeta njerëzore zë fill nga mugëtirat historike që dokumentohen në vizatimet e gjetura në shpella dhe rrasa gurësh nëpër bjeshkët e Martinajve, si në malin e Valit, Vizitorit, Zeletinës etj. Trungu i rracës iliro-shqiptare në këto anë nuk ka pasur ndërprerje, megjithë pushtimet dhe invazionet e ndodhura në shekuj.Në kohën e romakëve nëpër këtë krahinë kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme tregëtare. Nëpër këtë luginë e konkretisht nëpër Trepçë, (Martinajt e sotëm) kalonin karvanet nga Bosnja, Lugina e Ibrit dhe Kosova për në Guci. Njëra nga këto arterie rrugore kalonte në Vermosh, Shkodër, Podgoricë, Cetinë, Kotorr; ndërsa tjetra varionte nga Vuthajt, Shala, Boga- Shkodër, pasi që Shkodra ishte kryeqendër e Ilirikut. Malësitë e Veriut në të cilat bën pjesë Lugina e Limit janë banuar nga fisi  ilir Pirustët, aq zëmadh  në periudhën e lashtësisë.

Në vitin 1332 prifti me origjinë nga Franca, Pere Prokhard, raportonte në Vatikan: “Në këto anë jetojnë dy popuj, shqiptarët ( Albanët) dhe Latinët, të cilët i përkasin kishës së Romës. Shqiptarët e kanë një gjuhë plotësisht tjetër nga Latinët. Të dy popujt janë të shtypur nën robërinë shumë të urryer dhe të neveritshme të sllavëve”. Albanologu i madh Gustav Mayer në vitin 1885 shkruante se “shqiptarët duhet të quhen ilir të rinj, ashtu siç quhen sot grekët modern”.

Trepça, që sot thirret Martinaj, pjesë e fisit të Kelmendit, shtrihet në pjesën jugore të Malit të Valit dhe Vizitorit që kufizohen me Vermoshin në perëndim, me Pepajt në lindje, ndërsa në anën jugore me rrjedhën e lumit Luça. Begatia e këtij fshati është e madhe, pasi tokat bujqësore shtrihen poshtë fshatit, nga Gucia në Plavë, ku kultivohen misri, thekra, patatja, perimet: si domatja, speci, kastraveci, qepa etj. Parcelat janë të ndara me drufrutorë si molla, dardha dhe kumbulla e zezë. Rendimentet relativisht janë të larta, falë edhe shërbimeve që u kryhen nga banorët. Martinajt janë një nga fshatrat me urbanistikën më të mirë në mbarë malësitë e veriut. Shtëpitë janë dykatëshe dhe të organizuara nga ana arkitekturore dhe mjaft funksionale për banim, të ndara në mjedise të ndryshme si dhoma e miqve, dhomat e fjetjes, gatimit etj. Në përgjithësi në pesëdhjetë vitet e fundit, martinasit bagëtitë i kanë vendosur larg shtëpisë së banimit dhe në ndryshim nga kullat me frëngji, shtëpitë e sotme janë me dritare të mëdha dhe që u pështaten kushteve natyrore klimatike.

Shtrirja e këtij fshati ka pësuar tkurrje, sidomos në shekullin e 20-të, me zaptimin e tokave nga kolonët e ardhur nga Mali i Zi dhe Serbia. Aktualisht në Martinaj janë njëqind familje me 430 banorë të kombësisë shqiptare. Në të banojnë pasardhësit e Dedë Nishës nga Vukli, që janë  Prel Vukajt dhe Gjekë Vukajt (Hasangjekajt) si dhe Balidemajt, që janë të fisit Selcë.

Martinajt janë një fshat që zë fill nga lumi Luça e vazhdon në majat e Vizitorit dhe të Valit, mbi dy mijë metra mbi nivelin e detit me një bimësi të shumëllojshme, që nga shelgjet, lisi, ahu, mështekna, bredhi, pisha e që vazhdon me kullotat e mrekullueshme alpine, që përfundojnë mbi kurrizorët e vargmalit Gerben-Val-Vizitor. Kjo begati bimore e shtazore, është falë përbërjes flishore të tokës që mban rezerva ujore gjatë gjithë vitit. Këtu gjithçka është në perfeksion, që nga lumi e deri në lartësitë e maleve. Brezat klimatik ia lëshojnë vendin njëri tjetrit me një harmoni të paparë; falë diellit, që qëndron në to pothuaj nga mëngjesi deri në darkë, dhe falë pozicionit gjeografik.

Martinajt në fillim të shek. 20-të kanë qenë gjashtëdhjetë shtëpi, por përplasjet me regjimet e Cetinës e Beogradit, me gjithë pasuritë natyrore të kësaj ane, kanë nxitur emigracionin në vazhdimësi për në Shqipëri, Kosovë dhe dyzet vitet e fundit, sidomos në SHBA. Kudo që kanë shkuar bijtë e këtij fshati nuk e kanë harruar vendlindjen e trojet e të parëve.

Kur kalon në këto hapësira njeriu vërtet frymëzohet, rinohet e gjithçka mrekullon dhe sa më lart të ngjitesh në malin e Vizitorit dhe të Valit, shpalosen bukuri që rrallëkund i takon.Ngjitesh në Kodrën e Doçit, poshtë të shfaqet lumi Luça, Kukajt, e Hakajt. Të duket se ta bëjnë me sy Vuthajt, nga Gurrat e Ali Pashë Gucisë e deri në katundin Sirmë. Rruga është e pjerrët, nuk ndjen lodhje, sepse gjithçka është në harmoni dhe perfeksion.Këtu bjeshkëtarët e Valit më fillimin e muajit gusht, vijnë për festën pagane të boronicave,-na thonë bashkëshoqëruesit tanë. Tashmë sheshpamja zgjerohet dhe shpaloset pjesa më e bukur e Alpeve Shqiptare. Në mend na vijnë vargjet e një kënge popullore:

Tufa, tufa djem e çika / dalin, mbledhin boronica!

Ngado që të lëvizësh, shoqërohesh nga flladi bjeshktarë i ahishteve, burimeve, dredhëzave e mjedrave. Në to kullosin bagëtia e këtij fshati.Në një hapësirë të rrethuar me rudina, shfaqet Buni i Valit me disa tbane të reja të ndërtuara kohët e fundit, pjesa më e madhe e të cilave me lëndë drusore, me ambiente dykatëshe dhe në kohët e sotme me ujë të pijshëm në çdo tban.Tymtarët nxjerrin tym. Zërat e vogëlushëve, ndë ta : Anisa, Krenarja dhe Ermali plot nurë e bukuri, i japin gjallëri krejt Bunit. Ata janë të lumtur që në stinën e verës ngjiten në bjeshkë. Me çiltërsinë dhe sinqeritetin fëmijëror shprehin ngazëllimet  e tyre të moshës. Edhe këtu me zhdërvjelltësi e ndërtojnë lojëra me njëri tjetrin si kuka-msheftas, gara vrapimi, rrumash etj. Bujaria e bjeshkëtarëve është e madhe. Hyjmë në tbanin  e Isë Zymer Prelvukës, i cili na pret me të gjitha të mirat. Kjo familje ka dhjetë fëmijë.Një fakt interesant: Isa ka lindur pikërisht në bjeshkën e Valit.

Vazhdojmë udhën për në lartësitë e Malit të Valit, të shoqëruar nga Isa dhe djali i vogël dhjetë vjeçar Ermali. Kalojmë në Bunin e moçëm, siç i thonë vendasit këtij toponimi, dhe  ndalojmë tek një krua me ujë lëngbore. Shlodhemi pak dhe marrim rrugën për në lartësitë e Majës. Gjatë gjithë rrugës na prinë njomëzaku Ermal, që e shoqëronte kudo babain e tij, duke mësuar për këto bjeshkë, emrat e vendeve me ngjarje e histori që kanë ndodhur në to. Xhavit BaliDemaj, ja merr një kënge lirike që këndohet në këto anë:

N’Val t’Martinaje n’ato rudina

Atje hupke ditën çika

N’ortek t’borës, bri nji shpatit

Aty ndihet kumona e dashit

Zani i çikës fort po kndon

/Po vajton për at’djalë të ri

Ka shumë kohë n’gurbet të zi

Por pa pritë e pa kujtue

Me i gur’ t’vogël dadën ma ngjue

Dil prej gurit kush je palue

Po u bje dhenve, po m’vret mue

Ia dha dorën, kënkan falë

 N’gryka-ngryka kënkan marrë

Ngryka-ngryka kenkan shtrëngue

Lot për faqe u kanë shkue…

Martinasit janë njerëz artdashës dhe të hijshëm nga pamja fizike, por kanë edhe një botë shpirtërore prej artisti. Këtë e dallon në të folur, në komunikim, në qëndrim e gjithçka që ka të bëjë me personalitetin e njeriut.Pas një udhëtimi prej katër orësh nga Buni i Prelvukajt, arrijmë në Majën e Valit. Sheshpamja nga të katër pikat e horizontit është e magjishme, e mrekullueshme. Në lindje të shfaqet lugina e Plavës e tutje në horizont ngre kapuçin a bardhë Gjerovica e Shkëlzeni, Gusani e dhjetëra maja malesh shoqëruese me to. Gjelbërimi është karakteristik, duke filluar nga lugina e deri në lartësi të thepave. Në krahun perëndimor, si një magji, shpalosen Trojani, Vermoshi dhe Seferça. Bjeshkët e Balidemajve kanë një gjerësi e bukuri që sa herë të shkosh, sikur i prekë, i ndjenë, dhe të mbeten në kujtesë për nga befasitë natyrore dhe ngjarjet që janë zhvilluar në rrjedhat e kohës aty. Ato shtrihen në disa Bune që radhiten në bazë të kohëqëndrimit gjatë stinës së verës. Kudo që të kalosh, nga banorët e këtyre trevave mëson për një ngjarje apo ndodhi, qoftë të këndshme apo të hidhur,siç është jeta e njeriut.

Bjeshkët mbajnë shumë toponime me emra njerëzish e kafshësh, një karakteristikë e kësaj zone. Jemi në kodrën e Ukit, sipër Martinaje. Ahishtet, përroi i zhurmshëm, lulet e cicërimat e zogjve të krijojnë një ndjesi që ke dëshirë ta përjetosh sa më gjatë. Shaban Prelvukaj një djalosh i lidhur përjetësisht me Martinajt dhe bjeshkët, të tregon me saktësi për emra vendesh duke e shoqëruar spjegimin dhe ngjarjet e ndodhite e Martinasve për tokën dhe vatanin e tyre.

Rrugëtojmë drejt Bunit të Gurit, një mjedis befasues me rudina, që gërshetohet me pisha molike e me masive me gurë të mëdhenj. Tbanet kanë një simetri në mes njeri-tjetrit dhe me torishtat e deleve sipër tyre.Na tërhoqi vëmendjen se edhe në këto lartësi, ku lënda drusore është e bollshme, qoftë për ndërtim edhe  për ngrohje, prapëseprapë në tbane ishin vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit dhe për ndriçim. Ndalojmë në tbanin e Shaban Balidemajt ku na gostisin me të gjitha të mirat. Mësojmë se kjo familje ka njëqind krerë dele dhe pesë lopë, nga të cilat siguron një pjesë të mirë të të ardhurave. Prodhimet e qumështit i përpunojnë në djathë, gjizë e veçanërisht është e njohur maza e famshme, që prodhohet në këto anë. Rregulli dhe pastërtia në mjediset e këtyre tbaneve shfaqen në çdo pjesë të tyre. Mënyra e komunikimit dhe sinqeriteti flasin shumë, tregues i emancipimit dhe shpirtit të tyre të dlirë. Me një lirshmëri të natyrshme Nurie Balidemaj na tregon tërë procesin e përpunimit të qumështit.Kudo që të kalosh, ke bashkëshoqërues burimet ujëbore, të fshehura në pyjet e molikave.Në Majën e Mehit horizonti zgjerohet. Nga këtu dallohen fshatrat, Vuthaj, Dol, Kukaj, Vishnjevë, Gërçare, një pjesë e Martinajve dhe qyteti i bukur i Gucisë, që shtrihet në fushën e gjelbëruar të luginës nga ana perëndimore, ndërsa në anën verilindore të shfaqen Maja e Valit, Tbanishta, Qafa e Gjeto Turkut etj.Udhëtojmë në një rrugë që të nxjerr në pjesën veriore të vargmalit Val-Vizitor. Ndodhemi në një qafë mali. Nga larg të duket se janë me qindra njerëz.Por lëvizja e një tufe kuajsh të bën më të vëmendshëm dhe dallon se në të vërtetë ato janë gurë. Legjenda e krushqve të ngrirë e memorizuar në baladat popullore dhe në poezitë e poetëve, e shprehin më së miri këtë realitet, sa befasues nga bukuria, aq edhe të dhimbshëm nga ngjarjet e ndodhura në këto anë. E na vjen ndër mend balada historike: “N’Dardani bie nji tupan”, një perlë e epikës sonë folklorike, që evokon rrugëtimin e gjatë të popullit tonë në shekuj. Kalojmë Qafën e Gjon Turkut, arrijmë në një luginë ku janë Varret e Malësorëve. Gurët tregues flasin vetë. Nga të dhënat del se pikërisht në këtë vend në shekujt e kaluar ka qenë një kishë katolike françeskane, ku mblidheshin bjeshkëtarët e Valit, Vizitorit, të Gjon Nik Sykut, Tbanishtës,  Balidemajve, etj, për të kryer ritet fetare si meshat, festat dhe ritet mortore. Kelmendasit,pjesë e tyre janë edhe Martinajt, kanë zotëruar toka në hapësirat bregdetare nga derdhja e Bunës e deri në Gurëz të Kurbinit, pasi ata ishin blegtorët më në zë në mbarë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Verës shtegtonin në lartësitë e maleve, ndërsa dimrit uleshin në fushat buzë detit. Kujtohen si të famshme tufat me dele të Gjon Niksykut e të shumë malësorëve të tjerë. Rudinat dhe pyjet me pisha i lëshojnë vendin njëra-tjetrës sikur të ishin në garë në mes tyre, në të dy anët e kurrizores së majave.

Ngado që të kalosh, ballafaqohesh me objekte kulti që për banorët e tyre janë të shenjta. Ja, ky gur është i ngulur shekuj më parë dhe quhet Guri  Kul. Rrotull tij janë gjurmë banimi të moçme me gurë shumë të mëdhenj. Me toponime të tilla takohesh kudo në këto bjeshkë. Ja ky është guri në të cilën është gdhendur një kryq, e sipër tij shtrihen rrënjojat e Tbanit, që banorët e këtyre anëve e thërrasin edhe sot Tbani i Fratit. Janë të njohura pikëpjekjet e bjeshkëtarëve ku zhvilloheshin gara kuajsh,lojra si Gurapeshi, Rrasash, Mundje,  gjuajtje në shenjë, si në Zeletinë Rudë, në Qafë Vizitorit etj. Tashmë numri i veruesve në këto bjeshkë është  i pakët. Me nostalgji, më të moshuarit, të flasin gjatë për kohët e shkuara, ku zërat buisnin kudo në këto bjeshkë, kur këmborët e deleve dhe zilet e dhive ishin të shumta, kur dëgjohej melodia me fyell shpat më shpat, kur kënga e çikave ashtu si në legjenda, i thërriste zanat e malit të vinin për të shijuar këtë mrekulli njerëzore. Si një simbol, si një këngë e përjetshme vjen edhe kënga e rapsodit Januz Delajt për këto anë. Vetvetiu largohemi në kohë, e si vegim pranë na vijnë vashat si zana që kërcejnë vallen e bukur shqiptare, të veshura me xhubletën aq të bukur, dhe aq fisnike që është pjesë e etnosit iliro-shqiptar. Vërtet këto lugje, këto rudira qenë me pak bjeshkëtarë në ditët që ishim ne, por ato na çojnë në motin e shkuar që buisnin dhe gjallonin nga banorët e këtyre anëve plot bukuri e nure, siç i ka falë zoti, që rrallë kund i gjen. Meditime dhe emocione të sjellin këto hapësira.

Pikëpjekjet në lartësitë e bjeshkëve tani janë zëvendësuar me Logun e Bjeshkëve në Qafën e Përdelecit në Gerlë në Vuthaj, në logun e Kishës së Shna Ndout në Guci,por zanat e malit janë joshëse e ndjellëse që në të ardhmen këto veprimtari të zhvillohen pikërisht në Zeletin Rude, Qafën e Vizitorit, Bunin e Gurit në Tbanishtë, aty ku e kanë burimin e tyre në mijëvjeçarë:shpirti geni nuk shuhet, por në këtë kohë merr furi të reja që e lartësojnë  trungun iliro-shqiptar. Dëshira e zanave me siguri do të realizohet. Ato pse jo, do të bëhen njësh me bjeshkëtarët dhe do të shpërfaqin vlerat e virtytet e tyre, qoftë qiellore, qoftë tokësore.

Zeletina Rud është nga befasitë e këtyre bjeshkëve për nga bukuritë dhe begatitë e saj, me rudina ku rrallë tek-tuk ndodhet ndonjë pishë, me barë të butë, boronica, shpella me borë, liqej karstik. Relievi është i sheshtë, rrethuar nga të gjitha anët me lartësi të maleve. Këtu janë të përhapura me shumicë gropat, hinkat, dolinat, uvalat. Hinkat dhe vrimat thithëse shkojnë në diametër shtatëdhjetë metra dhe thellësi dyzetë-pesëdhjetë metra.

Ngjitemi në thepin e Majes në pikën më të lartë të kësaj bjeshke. Sheshpamja është shumë e gjerë, marramendëse. Përballë, nga krahu jugor shpaloset çatia e Alpeve Shqiptare, Blloku i Jezercës me Radohimën e Shnikun në perëndim dhe në lindje Papluka, Rosi e Kollata sikur garojnë me njëra tjetrën në lartësi; bornajat shekullore, krepat e honet e thella:Të duket vetja si në ëndërr. Jo, jo…një mrekulli që e ka falë Zoti…Nga kjo çati nisin rrugën tre lumenj, secili më i bukur se tjetri. Valbona dhe Lumi i Shalës, që derdhen në detin Adriatik, ndërsa Limi derdhet në Detin e Zi.Duke lënë Zeletinen Rude, kalojmë një shteg, ku na shpaloset në këtë buzë mbrëmje Gucia, Vuthajt, Doli e Kukajt, me rrjedhën gjarpëruese të lumit Luça, që krijon një kordele kaltëroshe në mes të luginës aq zëmadhe të Plavës e Gucisë.

Në mendje na vijnë vargjet e një prej perlave të krijimtarisë së melosit popullor:

Ka nisë bjeshka me u vetmue/

Nis çetina me lodrue/

Nis perçuku me fishkllue/

Ka nis gjeja me u afrue/

Shkoi te kroni ku kam pushue

/Shkoi te mrizi ku kam mrizue.

Këtë melankoli e këtë mallë për bjeshkën e provon cilido që largohet prej tyre, veçanërisht me ikjen e stinës së verës.

Buzëmbrëmja po afron, konturet e Alpeve Shqiptare të mrekullojnë dhe të fusin thellë në mendime. E thua: këtu është vendi ku jetojnë perënditë!Kjo është mrekullia dhe magjia e bjeshkëve të Martinajve.

 

Filed Under: Reportazh

Në Vjenë nxënësit i kënduan pavarësisë

February 26, 2014 by dgreca

I.Lladrovci: “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.  “…përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/
Në sallën e bukur të bashkisë së pesëmbëdhjetë të Vjenës ishte festë e vërtetë e cila dukej gjithandej hapësirës, në fytyrat e buzëqeshura të mërgimtarëve, në veshjen solemne të nxënësve me kostumet e bukura kombëtare. Kështu e kërkonte gjashtë vjetori i pavarësisë së Kosovës. Tani 17 Shkurti datë historike për kombin shqiptar e cila erdhi pas përpjekjeve shekullore e kurorëzuar me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari si kryevepër madhore e sakrificës për Lirinë e Kosovës.

Manifestimin në ambientin bukur e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe personeli i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Valbona Fazliu-.Rrecaj, këshilltare; Zana Rugova, sekretare e parë; Yllka Geci, sekretare;  Imer Lladrovci, konsull. Nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Dede Prenga atashe ushtarak. Z. Fitim Nuhiu  nga ambasada  e Republikës se Maqedonisë në Austri. Morën pjesë edhe aktivistë nga shoqatat shqiptare nga Vjena e rrethina. Familja e skulptorit të njohur, Destan e Barbara Gashi; Avdyl Gjocaj, veprimtar, vëlla i dëshmorit Agush Gjocaj; Anton Marku, poet etj. Pas  himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, nxënësit kënduan këngën korale “Për Mëmëdhenë”. Mësuesit: Shqfqet Gashi, Hazir Mehmeti, Osman Ademi, Miradije Berisha, Ibrahim Hasani dhe Ina Arapi i përgatitën nxënësit dhe organizuan rrjedhën e programit të ndihmuar edhe nga disa prindër veprimtarë. Sabrina Konerth, Peter Jäger  nga bashkia e pesëmbëdhjetë e qytetit e ndihmoi aktivitetin me ofrimin e lokalit të bukur. Fëmijët i kënduan atdheut, dëshmorëve të lirisë që nga Iliria e deri tek Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata recituan vjersha kushtuar jetës sonë në mërgim dhe në atdheun aq shumë të dëshiruar. Nëna Tereze frymoi me zërin e ëmbël të fëmijëve në skenën solemne. Piano në këndin e majtë lëshoi tinguj madhështorë në përcjellën e këngës shekullore arbëreshe e luajtur nga Vlora Jonuzi.

Për rrjedhën e programi me sukses u bë nga mësuesi me përvojë z.Osman Ademi, bashkë me grupin e tonteknikës. Në përshëndetjen e saj në emër të Ambasadës së Kosovës, znj.Valbona Fazliu-Rrecaj, mes tjerash tha:” Jam e lumtur të ju përshëndes në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe t’ua uroj gjashtëvjetorin e pavarësisë. Liria erdhi fal sakrificës së popullit shqiptar dhe luftës së tij. Ju përgëzoj të gjithë juve që keni organizuar një mbrëmje të tillë. Veçan dua t’i përshëndes nxënësit e mësuesit e tyre, për përpjekjet e mëdha në ruajtjen e kultivimin e gjuhës së bukur shqipe këtu në mërgim. Urime”. Të pranishmëve festen ua uroj në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Austri z.Dedë Prengu, atashe ushtarak. Në fjalën e tij z.Imer Lladrovci theksoj rëndësinë e mësimit në gjuhën amtare për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. “Ne e falënderojmë Austrinë për mbështetjen e gjithanshme që i jep mësimit në gjuhën shqipe”.

E veçantë ishte recitimi i poezisë kushtuar dëshmorit të lirisë Agush Gjocaj i cili nga kurbeti u kthye në Lapidar Lirie në ecjen tonë drejtë lirisë që sot e gëzojmë. Dikur edhe Agushi këtu ishte pjesë e jetës në mërgim. Sot nipi i tij  Agush Gjocaj, nxënës, jetësoi emrin dhe amanetin e xhaxhait që kurrë të mos harrohet Kosova, liria e saj e fituar me kaq sakrifica.
Vargu i nxënësve të programit është i gjatë: Fiona Murseli, Melos Zeqiri, Blina Gashi, Rina Mavraj, Krenar Miftari, Laurent Qestaj, Erenik Pepshi, Amra Bajrami,Lisa e Lira Fetahaj,Erzana Isamaili, Krenar Miftari, Melisa Mavraj, Erzana Ismaili, Leonard Berger.

Sara Bislimi, Reanta Osmanaj, Albiona Murati, Oltian Rrecaj, Loreta Limani,Butrint Rexha, Fabiona Gajraku, Leart Gërdella, Enea Shira, Bellina Jovani, Brini Baci, Sara Emini, Recitali: Fjolla Ademi, Emirjeta Veseli, Elbasan Veseli, Flamur Lladrovci, Diellëza Kuqi, Fitim Bilalli, Besjana Ademi, Ilir Hasanaj, Erlinda e Fatjona Gajraku, Vesa Zeqiri, Lorik e Leonit Ademi. Skeqe: Detiar Osmani, Elona Kabashi, Valentina Morina, Butrint Rexha, Melisa Mavraj,

Blerta Ismaili-   interpretoi me mjeshtri këngën e njohur shkodrane “Luleborë” në përcjellje të tingujve të pianos luajtur nga Vlora Jonuzi,

Pika e parafundit ishte kënga e vallëzuar “Pavarësia”, nën koreografinë e nxënëses krijuese Flutura Ademi. Mbyllja solemne u bë me këngën “Xhamadani vija, vija” e kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo la për të kuptuar se kremtimet në mesin e mërgimtarëve tanë janë në frymën kombëtare e nxitëse në ruajtjen e gjuhës e kulturës së lashtë shqiptare. Kjo zor se do të ndodhë pa mësimin në gjuhën amtare e cila në Austri është gjithanshëm e mbështetur nga organet mësimore përkatëse. Nxënësit e kanë të garantuar mësimin e gjuhës amtare pa pagesë, tekste falas. Këtë vit shkollor për herë të parë nxënësit shqiptarë mësojnë në abetaren e tyre e mbështetur nga Ministria e Mësimit, kanë disa fjalor shqip-gjermanisht dhe tekstet shkollore të botuara nën mbështetjen e DDr.Basil Schader, albanolog dhe mik i madh i shqiptarëve nga Zürichu. Po ashtu me përkrahjen e  Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Ministrisë së Disaporës e cila mbështeti botimin e “Mësimi shqip në Austri- Monografi” , një dokument me vlerë veprimtarisë së pandërprerë të atdhetarëve shqiptarë në Austri për themelimin e klasave dhe gjithë përfshirjen e nxënësve.

 

Filed Under: Emigracion, Reportazh Tagged With: Hazir Mehmeti, i kenuan pavaresise, ne Vjene, nxenesit

Shqiptarët e Amerikës gjashtë vjetë më parë marshuan në Manhattan

February 15, 2014 by dgreca

Kur shqiptaro-amerikanët pushtuan Tajms Skuer-in për Pavarësinë e Kosovës/

Nga Dalip Greca/

Times Square, 17 shkurt 2008- Ndërkohë që Prishtina nënshkruante dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e  Nju Jork-ut vazhdonin shëtitjen e  Pavarësisë nëpër rrugët njujorkeze. Një varg i gjatë makinash të zbukuruara me flamuj kombëtar shqiptar dhe me flamurin amerikan i binin kryq e tërthor qytezave ku banojnë shqiptarët. Arthur Avenue, Williamsbridge, Third Ave, Astoria Bulevard në Kuins, Fordham Rode në Bronx, rrugë-kalimet e Bruklinit dhe të Ridge Wood, Nju Xhersi e Kenektikat, kanë ushtuar nga jehona e borive të makinave dhe thirrjet e shqiptaro-amerikanëve: “Kosova-USA”, “Kosova e pavarur”, “Thank You USA”…”Thank You President Bush”!”Thank You President Clinton”!

Shëtitja e Pavarësisë së Kosovës në Nju Jork, u kurorëzua në Times Square, ku vargu i makinave kalonte përmes sheshit të famshëm të mbushur plot me kalimtarë. Ndërkohë që vargu i gjatë i makinave të mbushur me shqiptarë, të veshur si për festë, shumë prej të cilëve të mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të shtetit amerikan, thërrisnin e brohorisnin për pavarësinë e Kosovës, grupe të shumta dilnin nga Sabuej dhe i bashkoheshin manifestuesve që qëndroninn në trotuare. Të parët ishin grumbulluar që në orën 11 e 45. Gjithëçka ishte spontane, intuitive. Kishin mjaftuar vetëm disa tekste mesazhesh të nisur nga një grup të rinjësh përmes celularëve dhe secili njoftonte miqtë dhe të afërmit e vet. Teksti i nisur që në mbrëmjen e së shtunës ishte i shkurtër: ”Nesër, e dielë 17 shkurt do të celebrojmë pavarësinë e Kosovës në Times Square. Merrni flamuj shqiptarë dhe amerikan me vete. Ta gëzojmë pavarësinë…!”.

Ky tekst pati një efekt të jashtzakonshëm, gati magjik. Në fillim qindra e më pas mijëra pushtuan sheshin Times Square, i cili këtë të dielë kishte aq shumë turistë.

Të ardhurit nuk pushojnë marshimin ne metropolin njujorkez…Manhattani flet shqip. Nga të gjitha kryqzimet duken flamujë…sa shumë manifestues! Çdokush nga kryetaret e shoqatave të shumta që kemi në komunitet, apo presidentët e fondacioneve, që nuk arrijnë asnjëherë të mbushin sallat, do ta kishin zili këtë mënyrë grumbullimi. Në të gjithë manifestimet që u zhvilluan këtë të dielë në Nju Jork, askush nuk mund të krahasohet me mënyrën e organizimit të të rinjëve që mbushën Times Squar-in… Ky rast tregoi se shqiptarët  mund të organizohen në mënyrë të shkëlqyer pa pasur nevojë shumë për prijësit e lodhur…

Illyria e ndoqi që nga fillimi e deri në fund manifestimin. I gjithë ekipi ishte aty dhe regjistroi gjithëçka u zhvillua në  Times Square.

Me grumbullimet e para shfaqet dhe policia. Fillimisht vetëm pak policë, por me shtimin e manifestuesve, vjen duke u shtuar dhe prania paqsore e policëve amerikanë, të cilët e kanë të vështirë ta disiplinojnë trafikun. Makinat e shqiptarëve nuk pushojnë asnjë cast dhe sapo e përshkojnë gjatësinë e Time Square, rikthehen sërish dhe përsërisin ritin e manifestimit.

Fillimisht shqiptarët kanë zënë vetëm njërën anë të avenjusë së shtatë, më pas zënë dhe anën përballë, por gjithësesi hapësira është e ngushtë për t’i zënë të gjithë ata që vijnë nga drejtime të ndryshme; del e domosdoshme që të pushtohet edhe një avenjue tjetër… Mitingu nisi me qindra e më pas u bënë mijëra.

Në miting gjenë nga të gjitha moshat, që nga të rinjtë, e deri tek fëmijët e vegjël, nga invalidët e deri tek të moshuarit. Edhe një veteran amerikan i kthehet disa herë sheshit dhe përshëndet shqiptarët manifestues. Është pak ftohtë, por askush nuk jep shenja se e ndjen të ftohtin.

Bleron Baraliu është mbështjellë me një flamur kuq e zi dhe brohoret për Kosovën. Aktorja Liza Zagreda dhe Luan Bexheti treten mes turmës dhe urojnë për pavarësinë e Kosovës. Veterani Shaqir Gashi afrohet tek kamera e TV “Kultura Shqiptare”  dhe zbraz emocionet qe ndjen. Ka ardhur bashkë me zonjën në shesh. Gazetari Sulejman Gashi merr intervistat e çastit për t’i përcjellë në Prishtinë përmes ekranit të RTK-së me ndihmën e kamerës së Damianit. Edhe Halil Mula fikson pamje dhe intervista e i përcjell për në Prishtinë përmes RTV 21. Tek Adem Belliu afrohet një Afgano-amerikan i cili thërret në anglisht për pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Afganistanit. Të huajët kalojnë pranë manifestuesëve dhe kërkojën të marrin fotografi kujtimi me flamujë shqiptarë.

Secili ndjehet i emocionuar në këtë ditë historike.

Në turmën e madhe të manifestuesëve mbizotëron mosha e re. Një gazetar i NBS, thotë se ndjehet i mrekulluar tek sheh njerëz kaq të gëzuar që manifestojnë me kulturë. Ju nderoni vendin tuaj dhe Amerikën, tha ai.

Edhe pse Sheshi është i rënduar nga pjesmarrja e shumtë, vajza dhe djem të rinjë ia improvizojnë dhe ia nisin edhe valles aty, ndërsa ka dhe instrumentistë që kanë marrë me vete tupanët dhe çiftelitë.Është ditë gëzimi… Është dasma e Kosovës.

Sa shumë të rinjë dhe fëmijë që ka në radhët e manifestuesve! Arberie Hetemi eshte bashke me te shoqin dhe i gezohen manifestimit. Të gjithë gëzojnë dhe thërrasin për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Piktori vlonjat Fejzo ka qëndruar në qendër të turmës dhe i gëzohet entuziazmit që përshkon manifestiuesit. Sali Bollati uron kosovarët dhe uron që së shpejti dhe çështja came të gjejë rrugën e zgjidhjes. Mimoza Dajçi ak ardhur së bashku me të motrën dhe mbesën.

-Jemi të gëzuara që Kosova e fitoi pavarësinë , thotë stërmbesa e Isa Buletinit.

Agim Rexha nuk mund ta linte këtë rast, ai qëndron në qendër të manifestuesëve që në fillim dhe brohoret bashkë me të rinjët.që e rrethojnë. Pak më tej shoh me kamer Damianon, që fokuson pamjen të mrekullueshme, të fytyrave të qeshura, flamujë që valviten, pllakateve e banderolave, ku shkruhet” “Kosova Indipendent!”, “Thank You USA”…!”Kosva free and Praud”

-Kush e organizon këtë miting, pyeti një prej policëve të ardhur rishtaz me grupin përforcues, një të ri të mbështjellë me flamurin kuq e zi…

Një vajzë e qeshur, së cilës ia zbukuron trupin një  flamur amerikan, ndërkohë që në kokë ka vënë një shami kuq e zi, i përgjigjet:” “Kosova Indipendent!” …Polici largohet përgjatë rreshtit dhe kërkon që të mos lëvizet jashtë kufizmimeve, por  e ka të vështirë…

Manifestimi ka vazhduar deri në orën 4 e 30 Pm. Ky ka qenë manifestim historik jo vetëm pse iu kushtua një dite historike, por edhe pse për nga përmasat dhe organizimi ishte i jashtzakonshëm.Ua kemi borxh të rinjëve këtë miting të shkëlqyer, të cilin do ta kujtojmë vit pas viti, sa herë të festojmë pavarësinë e Kosovës.(U botua se pari ne Illyria, 17 shkurt 2008) Foto: Dalip Greca duke marre intervista per TV Kultura Shqiptare me president Adem Belliu.I intervistuari ne fotografi, Ermira Muja)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dalip greca, kur shqiptaret, per pavareisne e Kosoves, pushtuan, Times Squar

Kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Hungari

February 13, 2014 by dgreca

 Orë letrare festive në Budapest/

“…bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur ta bëjmë të mundur…”. “Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë…”. “…Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë…”. Nënshtetasi sllovak që e ndien vetën shqiptar dhe veproi deri në sakrificë për kauzën shqiptare./

Nga Hazir Mehmeti, Budapest/
Në kryeqytetin e bukur hungarez nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, u organizua orë letrare artistike në kuadër të shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Mbrëmja festive e pasur me program të larmishëm kulturo-artistik ishte nën patronatin e z.Sami Ukellit, ambasador i Kosovës në Hungari. Manifestimin e nderoi me praninë e tij z.Ibrahim Makolli, ministër për diasporë. Të pranishëm ishin edhe znj. Mira Hoxha, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari; Z.Iljaz Feta, këshilltar në Ambasadën e Maqedonisë në Hungari;  Dr.Etleva Lala, drejtoreshë në Katedrën e Albanologjisë në Budapest;  z. Kurt Gostentschnigg, shkrimtar dhe përkthyes;  z.Kamil Weiner, mysafir nga Sllovakia, një aktivist dhe shkrimtar i cili së fundi shkruan edhe në gjuhën shqipe;  Z. Driton Smakaj, veprimtar, krijues, ideator dhe koordinues në realizimin e orës letrare me krijues nga Austria.  Paraqitje e programit u bë me sukses nga znj. Jehona Muja-Sukaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse ministri, z.Ibrahim Makolli, mes tjerash tha:” Ku flet arti, politika heshtë, kudo që jemi do angazhohemi, pavarësisht se herë-herë edhe do të lodhemi e mërzitemi, por asnjëherë dhe në asnjë moment të mos e humbim besimin, ne si komb kemi mundësi. Por ajo që nevojitet është t’i bëjmë bashkë të gjitha pjesët e trupit të shpërndarë gjithandej botës. Dhe, duke i bërë bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur, ta bëjmë të mundur dhe të realizueshme, sepse në të kundërtën edhe ajo që sot na duket e mundur, nëse nuk bëhemi bashkë, nëse nuk i mobilizojmë kapacitetet tona sikur i kemi mobilizuar në një kohë, atëherë edhe e mundura do të bëhet e  pamundur. Gëzuar Dita e Pavarësisë! Shkrimtarëve suksese në artin e tyre! Edhe njëherë, sikur edhe herëve tjera kur jemi takuar, e shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Diasporës për të qenë afër në secilin moment në plotësimin e shumë nevojave që ne kemi brenda dhe jashtë.” Znj.Mira Hoxha, ambasadore e Shqipërisë në Hungari në fjalën e saj mes tjerash tha: “Dyert e ambasadave janë të hapura si gjithnjë. Nuk është hera e parë që ne organizojmë mbrëmje artistike. I përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve dhe të gjithëve, urime pavarësia e Republikës së Kosovës.  Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë. Imazhi i juaj është imazhi më i mirë i Shqipërisë. Ju faleminderit dhe jetë të gjatë Kosovës”.Fjalën e rastit e mbajti nikoqiri i mbrëmjes z.Sami Ukelli, ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari. “Krijuesit dhe të pranishmit tjerë i falënderoj shumë, të cilët kanë gjetur kohe të vijnë këtë mbrëmje. Po ashtu e falënderojmë ministrinë, z. Ibrahim Makolli. Ardhja e juaj nga Austria kur dihet se ju vini pas angazhimit tuaj ditor në vendet e punës atje, na nderon në veçanti. Ne po festojmë ndër të parët sonte duke e nisur kështu shënimin gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Jemi shtet i ri por me ministri të diasporës, kjo tregon për përkushtimin tonë përgjithësisht për mërgatën tonë kudo që gjendet. Shpresoj se edhe Republika e Shqipërisë do ketë një dikaster të ngjashëm për koordinim më të mirë rreth mërgatës edhe me ministrinë tonë të diasporës, kjo edhe po ndodhë.”
Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj, poeti Besim Xhelili. “ Krijues të bashkuar arrijnë më shumë, nga ky cak i yni tani në shoqatën tonë kemi një numër të kënaqshëm krijuesish, mes tyre edhe nga Hungaria z.Driton Smakaj. Jemi të hapur edhe për shkrimtarë e krijues tjerë nga vendet tjera për rreth nesh. E filluam disa veta, kurse tani kemi 27 shkrimtarë e krijues tjerë arti të përfaqësuar me veprat e tyre. Në pikturë prizrenasi Gazmend Freitag, momentalisht me pikturat e tij në Verona të Italisë i cili nga atje ju përshëndetë. Krijuesit  rrjedhin nga të gjitha viset etnike shqiptare me artin e tyre kanë treguar vlera arti edhe para kombeve tjera.” Z.Anton Marku prezantoj botimin e antologjisë së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri, i botuar në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht. Nga krijimtaria e tyre lexuan poezi Anton Marku, Besim Xhelili, Kurt Gostentschnigg,  Mërgim Osmani. Z. Kamil Weiner, përkthyes, regjisor e publicist në fjalën e tij në një shqipe të rrjedhshme mes tjerash tha: “Jam themelues i shoqatës “Besa” në Sllovaki e cila nxori edhe revistën mujore në shqip “Besa”, ku shkruhej për problemet e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në trojet tona. Kisha bashkëpunëtor të gazetës kroat, slloven e nga kombe tjera ku trajtoheshin problemet e Kosovës dhe shqiptarëve. Isha gjatë gjithë kohës së luftës në Kosovë si prijës i gazetarëve sllovak dhe çek. Kam përkthye disa vepra të autorëve shqiptarë në sllovakisht dhe të atyre sllovak në shqip” z.Weiner lexoi dy poezi në gjuhën shqipe. Ai mes tjerash tha: “Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë e jo të vdesim për Shqipërinë”. Poeti shkodran Ragip Dragusha e entuziazmoi publikun me poezitë e tij “Breshka” dhe “Zana e Malit” duke i interpretuar ato bukur dhe me plotë pasion, për çka publiku e shpërbleu me duartrokitje të gjata. Mbrëmjen e ndihmuan edhe afaristë shqiptarë të suksesshëm, mes tyre edhe z.Lutfi Kabashi i cili shtroi darkë pritje për mysafirët.

Filed Under: Reportazh Tagged With: dita e Pavaresise, Hungari, Kosoves, Ore letrare ne budapest

VIZITË NË PARLAMENTIN KANADEZ

January 19, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Duke qenë me Hanëmen, gruan time për gati dy muaj mysafirë te vajza jonë Lindita, në Otava Kanada, nuk mund të rinim pa vizituar godinat e Parlamentit Kanadez, të ndërtuara aq bukur me veshje guri të gdhendur dekorativ, në zonën më të piktoreske e qendrore të qytetit.
 Ishte një ditë e djelë e ftohtë, me borë e suferinë, mes janari i vitit 2014 kur u nisëm me makinë drejt qendrës së qytetit, të njoftuar nga interneti dhe të informuam saktë se në “Kullën e Paqes”, si quhet godina qendrore e Parlamentit Kanadez, pranohen vizita, mandej edhe pa pagesë.
 U futëm dhe ne në radhën e vizitorëve të shumtë dhe pas një pritje e përshëndetje buzagaz të pritësve dhe kalimit te një kontrolli personal të imtë, deri me rrip, xhup e xhaketë hequr dhe pasi ulemi e presim grumbullimin e 20 vizitorëve, nisemi te shoqëruar nga një spikere kanadeze, për t’u futur në sallat dhe mjediset e panumërta të Parlamentit Kanadez. Qysh në fillim u  mrekulluam me madhështinë e tij, me punimet ndërtimore e arkitektonike, me muret e tavanet dekorativë dhe dyshemetë e sheshet me mozaikë, me fotografitë dhe tablotë e varura në mure, me statujat e shumte dhe basorelievet e panumërt, me pajisjet dhe orenditë bashkëkohore e antike, të ndërtuara e të vendosura nga mjeshtër, arkitektë dhe artistë të niveleve superiore.
 Ndalesën e parë e bëmë te salla e hyrjes para Kuvendit Republikan, ku zakonisht parlamentaret takohen me gazetarë e publicistë dhe japin intervista e shpjegime, sipas parimit “çdo gjë është e hapur, çdo gjë është transparente”. Salla e hyrjes është pjesë e madhështisë së gjithë godinës dhe pjesë e historisë parlamentare demokratike historike të Parlamentit Kanadez. Atje dallohen fotografi të çmuara mbretërish e princash, parlamentarësh e senatorësh ku spikati me madhështi mbretëreshat Viktoria dhe Elisabeta, Kryeministri i pare, Presidenti i pare dhe deputetët më të vjetër, përfaqësues të partive rivale, kundrejt njeri tjetrit, ashtu si kishin kundërshtuar dhe gjunjëzuar, mposhtur, apo tërhequr nga njeri tjetri, me argumentin dhe fuqinë fjalës për dhjetëra vite.
 Jo vetëm sot, që është e djelë dhe parlamentarët janë me pushime dhe në punët e tyre private familjare apo shoqërore, po dhe në ditët kur Parlamenti punon, qoftë në Senat, apo në Dhomën e Komuneve, “Kështjella e Paqes”, mund të vizitohet lirshëm nga kushdo, gjatë gjithë ditës pa pushim, natyrisht edhe pa penguar zhvillimin normal të punimeve, konsultave, bashkëbisedimeve te parlamentarëve apo personelit këshillues, ndihmës dhe shërbyes. Ndërkohë vizitorët mund të sodisin punimet nga galeritë publike (ku sigurohet disponueshmëri e hapësirë). Gjatë gjithë kohës në galeritë e vizitorëve, është i aktivizuar një udhëzues audio në celular, që ofron informacion në lidhje me lojtarët kyç të çdo dhome, kur. diskutohet e merren vendime p sh. për artin, apo arkitekturën, biznesin, apo ushtrinë.
 Natyrisht për vizitorët ka disa detyrime, qe respektohen me rigorozitet: Bëhet paraprakisht skanimi dhe kontrolli i imët për të parandaluar çdo të papritur të pakëndshme. Kamera, dylbi, regjistrues, çadra, çanta, pajisje elektronike, armë, nuk lejohen Vizitorët duhet të jetë i veshur në mënyrë të përshtatshme dhe burrat duhet të hiqni kapelet e tyre. Ndalohet gjithashtu demonstrata, duartrokitjet, goditje me këmbë në tokë, folje me zë të lart, mesazhet politike(në pankarta apo veshje) dhe veprime të tjera shqetësuese.
 Rregullat ne këtë parlament e bëjnë edhe më funksional dhe më të interesuar vizitorin kureshtar, çka duket edhe nga numri i madh i tyre, që për vitin kap shifrën mbi 3 milion vizitorë.
 Dihet historikisht, se ishte Mbretëresha Angleze Viktoria, ajo që  qysh në vitin 1859 e zgjodhi Otavën për kryeqytet dhe qe disponoi ndërtimin e parlamentit të “Provincës Kanadeze”. Për këtë konkurruan 298 projektues, u zgjodhën tre dhe përfunduan te më i miri, që u shpall më me 29 gusht 1859.
 Pas disa adoptimeve dhe shtesave në ndërtesat e departamenteve dhe pas një zjarri në vitin 1916 që shkatërroi Bllokun Qendror, “Parlamenti Hill”, mori formën e tanishme me përfundimin e “Kullës së Paqes” në vitin 1927 . Qysh nga viti 2002, me investime të shumta, nisi dhe u realizua rinovimi dhe rehabilitim sipas një projekti cilësor, që përfshiu të gjithë  ndërtesat brenda rrethimit. Kjo punë, ende në proces, do përfundojë  plotësisht pas vitit 2020.
 Zona ku shtrihen godinat e Parlamentit Kanadez zë një sipërfaqe 88.480 metro katrorë dhe kufizohet nga Lumi Otava ne veri, Kanali Ujor Rideau ne lindje, Rruga Welington në jug dhe Rruga Kent nga ana e Gjykatës së Lartë, në perëndim. Ajo është e rrethuar nga një gardh i lart prej hekur të farkëtuar e të inkuadruar bukur që quhet Wellington Wall,
Brenda  murit  prej hekuri qëndrojnë të harmonizuara e të ndërtuara me stilin klasik gotik të modernizuar, Kulla e Paqes në veri, Zyrat e Parlamentit Hill dhe  Rezidenca e Mbretereshës  me maskën e Ives & Co.e Montreal. Në çdo cep të zonës katërkëndëshe, nga ana jugore ka edhe porta te vogla për qasjet e përditshme.
Të tria ndërtesat e Parlamentit Hill janë të bashkërenduara dhe funksionale.
 Në Kullën e Paqes, nga Paradhoma kalon për t’u futur në Sallën Solemne, më të madhen e parlamentit, me vendet ulur dhe pajisjet për çdo deputet. Ato janë parceluar dhe me simbolikat e ndara për të dhjetë provincat e Kanadasë, shoqëruar me figura e ilustrime të emblemave përfaqësuese, të bimësisë, gjallesave të tjera dhe objekteve cilësuese karakteristike të tyre. Çdo parlamentar, i ulur ne mjediset kujtimndjellëse i ka përherë të pashlyera detyrimet që mbart ndaj zgjedhësve të tij të nderuar.
 Paradhoma dhe Dhoma e Senatit, janë të tjera mjedise të bukura me vlerë. Atje dhe kudo ka vende të lira dhe për popullin e thjeshtë, për gazetarët dhe masmedian, të gatshëm për ndihme, transparencë e kontroll.
 Në pjesën e pasme të Kullës së Paqes është vendosur Biblioteka një vepër monumentale edhe kjo në stilin gotik, e me disa kate e dhoma, deri ndarje të rezervuara. Biblioteka komode për më tepër është shumë e pasur, jo vetëm për librat e karakterit legjislativ e të tjera në shërbim të parlamentit, po edhe të nivelit shkencor, historik, didaktik,  artistik, kulturor e letrar. Këtu  dallojnë vepra të hershme e të rralla, mandej ndonjë krejt unikale dhe me vlera të paçmueshme. Edhe biblioteka, si pasuri e madhe kombëtare, rruhet me rreptësi, aq me tepër se ka pasur tentativa djegie dhe ka shpëtuar prej masave preventive, duke u pajisur deri me porta të hekurta,  por që nuk të japim këtë përshtypje se janë si imitime të bukura druri.
Projektimi dhe ndërtimi i Parlamentit Kanadez në tërësi është një vepër e madhe arkitektonike e realizuar nga mjeshtrit kanadezë në konsultë me specialistët më të shquar të kohës dhe që përfshiu 298 variante, nga të cilat u zgjodh më i miri.  Projektet kanë imituar stilin gotik të  Rilindjes Evropjane, me ndikime italiane, franceze, nga Vendet e Ulta etj. por të realizuar me teknologji moderne dhe duke marrë parasysh klimën Kanadeze. .
 Materialet e përdorura sidomos për rifiniturat, qemerët, praqet, kornizat, tavanet, dyshemetë janë siguruar kryesisht për rreth Otavës dhe janë përdorur me mjeshtëri të rrallë.
Sidomos 5 nga specialistët kanë punuar në vendet kyçe e delikate për shumë vite. Ata, veç të tjerave, morën porosi edhe për gdhendjen, në kujtim të pararendësve te lashtë vendas, të figurave me fytyrat e të tyre simbolike. Po ata me aftësitë dhe talentin e tyre, duke punuar si në fshehtësi e të vetmuar për  një kohë të gjatë, skalitën me mençuri, në vend të tyre, secili vetveten, duke përjetësuar kështu një lavdi të merituar në shekuj.
Është çdo gjë ndërtuar bukur dhe në funksion të një shërbimi të dobishëm, cilësor e njerëzor  Kjo duket edhe te nderi që i  kanë kushtuar të rënëve për Atdhe, qysh nga krijimi i Kanadasë. Ka në këtë Parlament një pavijon të veçantë për dëshmorët dhe libra me listat një për një, sipas luftërave dhe vendeve kua kanë marrë pjesë e janë bërë fli në mbarë botën, bijtë e saj më të mirë.
 Interesant është dhe kulla e lartë dominuese, ku shkohet me një ashensor të shpejt deri te një mjedis i stërmadh rrethuar me xham, nga e sheh si në pëllëmbë të dorës Otavën e bukur e deri rrethinat e saj.
Largohemi për në vendin tonë Shqipërinë e dashur, me mendimin dhe ëndrrën për të parë dhe atje së shpejti Parlamentin e Ri, pa pretenduar për një nivel kaq superior, si Parlamenti Kanadez i Otavës, për të cilin janë dashur fantazia e specialistëve të botës dhe burimet financiare njerëzore perandorake.
Otava Kanada, 20.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kanadez, Luan Cipi, Vizite ne Parlamentin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT