Kur shqiptaro-amerikanët pushtuan Tajms Skuer-in për Pavarësinë e Kosovës/
Nga Dalip Greca/
Times Square, 17 shkurt 2008- Ndërkohë që Prishtina nënshkruante dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e Nju Jork-ut vazhdonin shëtitjen e Pavarësisë nëpër rrugët njujorkeze. Një varg i gjatë makinash të zbukuruara me flamuj kombëtar shqiptar dhe me flamurin amerikan i binin kryq e tërthor qytezave ku banojnë shqiptarët. Arthur Avenue, Williamsbridge, Third Ave, Astoria Bulevard në Kuins, Fordham Rode në Bronx, rrugë-kalimet e Bruklinit dhe të Ridge Wood, Nju Xhersi e Kenektikat, kanë ushtuar nga jehona e borive të makinave dhe thirrjet e shqiptaro-amerikanëve: “Kosova-USA”, “Kosova e pavarur”, “Thank You USA”…”Thank You President Bush”!”Thank You President Clinton”!
Shëtitja e Pavarësisë së Kosovës në Nju Jork, u kurorëzua në Times Square, ku vargu i makinave kalonte përmes sheshit të famshëm të mbushur plot me kalimtarë. Ndërkohë që vargu i gjatë i makinave të mbushur me shqiptarë, të veshur si për festë, shumë prej të cilëve të mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të shtetit amerikan, thërrisnin e brohorisnin për pavarësinë e Kosovës, grupe të shumta dilnin nga Sabuej dhe i bashkoheshin manifestuesve që qëndroninn në trotuare. Të parët ishin grumbulluar që në orën 11 e 45. Gjithëçka ishte spontane, intuitive. Kishin mjaftuar vetëm disa tekste mesazhesh të nisur nga një grup të rinjësh përmes celularëve dhe secili njoftonte miqtë dhe të afërmit e vet. Teksti i nisur që në mbrëmjen e së shtunës ishte i shkurtër: ”Nesër, e dielë 17 shkurt do të celebrojmë pavarësinë e Kosovës në Times Square. Merrni flamuj shqiptarë dhe amerikan me vete. Ta gëzojmë pavarësinë…!”.
Ky tekst pati një efekt të jashtzakonshëm, gati magjik. Në fillim qindra e më pas mijëra pushtuan sheshin Times Square, i cili këtë të dielë kishte aq shumë turistë.
Të ardhurit nuk pushojnë marshimin ne metropolin njujorkez…Manhattani flet shqip. Nga të gjitha kryqzimet duken flamujë…sa shumë manifestues! Çdokush nga kryetaret e shoqatave të shumta që kemi në komunitet, apo presidentët e fondacioneve, që nuk arrijnë asnjëherë të mbushin sallat, do ta kishin zili këtë mënyrë grumbullimi. Në të gjithë manifestimet që u zhvilluan këtë të dielë në Nju Jork, askush nuk mund të krahasohet me mënyrën e organizimit të të rinjëve që mbushën Times Squar-in… Ky rast tregoi se shqiptarët mund të organizohen në mënyrë të shkëlqyer pa pasur nevojë shumë për prijësit e lodhur…
Illyria e ndoqi që nga fillimi e deri në fund manifestimin. I gjithë ekipi ishte aty dhe regjistroi gjithëçka u zhvillua në Times Square.
Me grumbullimet e para shfaqet dhe policia. Fillimisht vetëm pak policë, por me shtimin e manifestuesve, vjen duke u shtuar dhe prania paqsore e policëve amerikanë, të cilët e kanë të vështirë ta disiplinojnë trafikun. Makinat e shqiptarëve nuk pushojnë asnjë cast dhe sapo e përshkojnë gjatësinë e Time Square, rikthehen sërish dhe përsërisin ritin e manifestimit.
Fillimisht shqiptarët kanë zënë vetëm njërën anë të avenjusë së shtatë, më pas zënë dhe anën përballë, por gjithësesi hapësira është e ngushtë për t’i zënë të gjithë ata që vijnë nga drejtime të ndryshme; del e domosdoshme që të pushtohet edhe një avenjue tjetër… Mitingu nisi me qindra e më pas u bënë mijëra.
Në miting gjenë nga të gjitha moshat, që nga të rinjtë, e deri tek fëmijët e vegjël, nga invalidët e deri tek të moshuarit. Edhe një veteran amerikan i kthehet disa herë sheshit dhe përshëndet shqiptarët manifestues. Është pak ftohtë, por askush nuk jep shenja se e ndjen të ftohtin.
Bleron Baraliu është mbështjellë me një flamur kuq e zi dhe brohoret për Kosovën. Aktorja Liza Zagreda dhe Luan Bexheti treten mes turmës dhe urojnë për pavarësinë e Kosovës. Veterani Shaqir Gashi afrohet tek kamera e TV “Kultura Shqiptare” dhe zbraz emocionet qe ndjen. Ka ardhur bashkë me zonjën në shesh. Gazetari Sulejman Gashi merr intervistat e çastit për t’i përcjellë në Prishtinë përmes ekranit të RTK-së me ndihmën e kamerës së Damianit. Edhe Halil Mula fikson pamje dhe intervista e i përcjell për në Prishtinë përmes RTV 21. Tek Adem Belliu afrohet një Afgano-amerikan i cili thërret në anglisht për pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Afganistanit. Të huajët kalojnë pranë manifestuesëve dhe kërkojën të marrin fotografi kujtimi me flamujë shqiptarë.
Secili ndjehet i emocionuar në këtë ditë historike.
Në turmën e madhe të manifestuesëve mbizotëron mosha e re. Një gazetar i NBS, thotë se ndjehet i mrekulluar tek sheh njerëz kaq të gëzuar që manifestojnë me kulturë. Ju nderoni vendin tuaj dhe Amerikën, tha ai.
Edhe pse Sheshi është i rënduar nga pjesmarrja e shumtë, vajza dhe djem të rinjë ia improvizojnë dhe ia nisin edhe valles aty, ndërsa ka dhe instrumentistë që kanë marrë me vete tupanët dhe çiftelitë.Është ditë gëzimi… Është dasma e Kosovës.
Sa shumë të rinjë dhe fëmijë që ka në radhët e manifestuesve! Arberie Hetemi eshte bashke me te shoqin dhe i gezohen manifestimit. Të gjithë gëzojnë dhe thërrasin për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Piktori vlonjat Fejzo ka qëndruar në qendër të turmës dhe i gëzohet entuziazmit që përshkon manifestiuesit. Sali Bollati uron kosovarët dhe uron që së shpejti dhe çështja came të gjejë rrugën e zgjidhjes. Mimoza Dajçi ak ardhur së bashku me të motrën dhe mbesën.
-Jemi të gëzuara që Kosova e fitoi pavarësinë , thotë stërmbesa e Isa Buletinit.
Agim Rexha nuk mund ta linte këtë rast, ai qëndron në qendër të manifestuesëve që në fillim dhe brohoret bashkë me të rinjët.që e rrethojnë. Pak më tej shoh me kamer Damianon, që fokuson pamjen të mrekullueshme, të fytyrave të qeshura, flamujë që valviten, pllakateve e banderolave, ku shkruhet” “Kosova Indipendent!”, “Thank You USA”…!”Kosva free and Praud”
-Kush e organizon këtë miting, pyeti një prej policëve të ardhur rishtaz me grupin përforcues, një të ri të mbështjellë me flamurin kuq e zi…
Një vajzë e qeshur, së cilës ia zbukuron trupin një flamur amerikan, ndërkohë që në kokë ka vënë një shami kuq e zi, i përgjigjet:” “Kosova Indipendent!” …Polici largohet përgjatë rreshtit dhe kërkon që të mos lëvizet jashtë kufizmimeve, por e ka të vështirë…
Manifestimi ka vazhduar deri në orën 4 e 30 Pm. Ky ka qenë manifestim historik jo vetëm pse iu kushtua një dite historike, por edhe pse për nga përmasat dhe organizimi ishte i jashtzakonshëm.Ua kemi borxh të rinjëve këtë miting të shkëlqyer, të cilin do ta kujtojmë vit pas viti, sa herë të festojmë pavarësinë e Kosovës.(U botua se pari ne Illyria, 17 shkurt 2008) Foto: Dalip Greca duke marre intervista per TV Kultura Shqiptare me president Adem Belliu.I intervistuari ne fotografi, Ermira Muja)