• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ohër: Dikur na ishin shqiptarët, tani mbesin vetëm 6 për qind

September 28, 2013 by dgreca

Nga Ohri BEQIR SINA/

Ohri ka qenë një ndër qytetet më të lashta shqiptare. Qyteti ndodhet në pjesën jug-perendimore të Maqedonisë pranë liqenit me të njëjtin emër dhe ka diku rreth 50 000 banorë.Ohri, dikur shqiptar është ndërtuar nga ilirët, më drejt enkelejtët, që banonin ne këtë rajon. Sipas deponimeve historike, thuhet se në vitin 1462 Skënderbeu me ushtrin e tij zoteronte edhe Ohrin dhe rrethinat e tij si qytet. Ohri sipas statistikave më të fundit si qytet pa rrethinat ka 50.033 banorë (2012), prej tyre 80,39 % ose 33.791 Maqedonas dhe 7,02 % ose 2.959 Shqiptarë. Emra të fshatrave të Ohrit – dhe shenjat e sinjalikistikes , dokumentat zyrtare, tabelat e shitoreve , emrat e rrugeve, gudia truristike, librat shkollor, sherbimi social me perjashtim te lagjes se shqiptareve ne pazarin e vjeter ku flitet shqip, jan të gjitha Maqedonisht, kryesisht në alfabetin cirilik.Ky është një qytet karakteristik shqiptar i ndërtuar më shumë se 2/3 sipas modelit të disa qyteteve shqiptare. Ohëri ka ngjashmëri strukturore dhe arkitoteknetike të qyteteve tona, si Berati, Gjirokastra apo Kruja. Ohëri ndodhet në pjesën jugperëndimore te Republikës së Maqedonisë, rreth 176 kilometra larg kryeqytetit të Maqedonis – Shkupit. Ai është një nga vendet më të bukura turistike në vend, me një numër shum të madh vizitorësh sidomos gjatë sezonit veror. Nuk është qytet shumë i madh se me rreth 70 000 banorë me gjith fshatrat përreth tij.Pjesën më të madhe të popullsis sot e përbëjnë sllavo maqedonasit, mandej shqiptarë, turq, por ka edhe  romë e pakica të tjerë. Deri në Luftëm e Parë Ballkanike Ohri ishte një qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, ku pjesën më të madhe të popullsisë e përbënin muslimanët. Sipas Edit Durham, një shkrimtare angleze, në vitin 1904 Ohri ishte një qytet musliman gjegjësisht shqiptarë. Pas ngjarjeve te fillim shekullit të kaluar, pas coptimit të shum territoreve shqiptare edhe Ohri mbeti nën adminstrimin e shteteve sllave, të cilë si në shumë qytete të tjera ushtruan politkën asimiluese ndaj shqiptarëve. Sidomos pas vitit 1945 në kohë e ish-Jugosllavisë, kohen famekeqe te Rankoviqit thuhet se nga qyteti i Ohrit, u largua një pjesë e madhe e popullatës shqiptare në drejtim të Turqis. Në qytetin e Ohrit kanë jetuar fiset ilire të gropajve. Por, sipas nji ciceroni shqiptar qe na shoqeronte ne kete udhetim Maqedonasit e shfrytezojne sot Ohrin para te huajve si vendorigjina e popujve sllavo-maqedonas. Statujat me te larta per rreth liqenit ne qender te qytetit i jane dedikuar figruave te njohura fetare sllavo – maqedonase.

Historia:

Për here të pare Ohri përmendet qysh në shekullin e III para erës sonë, me emrin Ilir Lyhnida. Më vonë mbas pushtimit romak Lyhnida u bë një ndër venbanimet më të rendësishme të rrugës më kryesore në ballkan Via Egnatia në sipërfaqen e Epirit të Ri. Prej vitit 976 deri në vitin 1014 ishte i pushtuar nga mbreti bullgar Car Samuili. Nga fundi i shekullit XI u sulmua nga Normanët nga Italia, mandej u pushtua përsëri nga bullgarët dhe më vonë përsëri nga Bizanti.

Në shekullin e XII ishte një qendër e rendësishme tregtare, ndërsa në shekullin XIII e kishte kolonin tregtare të Armenëve. Më pas si i gjithë Gadishulli Ballkanik edhe Ohri u psuhtua nga turqit. Në vitin 1941 dhe gjatë Luftës së Parë Botërore Ohri si disa qytete tjera shqiptare në Maqedoni dhe një pjesë e Kosovës ju bashkuan Republikës së Shqipërisë. Pas mbarimit të luftës këto territore ju shkëputen përsëri Shqopërisë dhe ju bashkuan shteteve sllave.

OHER-

Simbas Bardhyll Berberit në nji reportazh të tij për gazetën Shqiptare, thuhet se :”Vetëm 39 km larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit deri sa të shkosh në Ohër pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze ‘Desaret’, ‘Metropol’, ‘Granit’ e ‘Sllavia’. Futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ku ndodhet vila e marshallit Tito i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonte në brigjet e të njëjtit liqen ballë përballë njëri-tjetrit secili në pjesën e tij Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKO-s së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë.

 Ohri i dikurshëm

Dikur Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptar propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga perandoria osmane. Mbi 80 % e banorëve të Ohrit kanë qënë shqiptarë. Por, sot pas njëqind vitesh gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë, edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit numëron rreth 3600 banorë shqiptarë ose rreth 6 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit. Nga vitin 1930 deri në vitin 1945 midis Pogradecit dhe Ohrit ka pasur një linjë komunikimi nëpërmjet një vapori i cili vinte çdo ditë nga Ohri në Pogradec duke transportuar njerëz në të dy anët e kufirit dhe mallra ushqimore dhe industriale.

Qyteti i Ohrit sot

Sot qytetarët shqiptarë të Ohrit në masë të madhe ndjehen nën hijen e atyre të Strugës sepse gjithçka i lidh me Strugën, duke filluar nga biznesi, shkollimi apo edhe punësimi në disa raste pasi në Strugë jetojnë mbi 65 % shqiptarë. Struga është shfrytëzuar si një oaz për ata shqiptarë që nuk kanë ikur në emigrim janë afruar në qytetin e Strugës vetëm 11 km larg qytetit të Ohrit. “Kjo situatë ka ndikuar që disa edhe të shpërngulen në drejtim të Strugës”, – na thotë për “Gazetën Shqiptare” kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ai thekson se, pothuajse se shqiptarët po braktisin Ohrin si rezultat i paperspektivës dhe mospasjes së vendeve të punës, respektivisht diskriminimit në këtë aspekt. Le të marrim një shembull konkret për të ilustruar mendimin e mësipërm: Në qytetin e Ohrit ka një shkollë fillore ku mësohet në gjuhën shqipe “Vëllazërim Bashkimi”, ku numri i nxënësve shqiptar është reduktuar në masë të madhe. Para disa viteve funksiononin katër klasë të para me nga tridhjetë nxënës, ndërsa sot zhvillojnë mësimin vetëm dy klasë me nga pesëmbëdhjetë nxënës, ky shembull nuk ka shumë nevojë për koment për shqiptarë të Ohrit. Nedim Pollozhani, veprimtar politik nga Ohri, thekson se pavarësisht ecurisë pozitive që është bërë në disa drejtime viteve të fundit, shqiptarëve të Ohrit iu mbetet të vazhdojnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes se tyre. “Padyshim se për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës së shqiptarëve këtu në Ohër, rol të rëndësishëm luajnë dhe subjektet politike shqiptare. Këtu para së gjithash është e nevojshme që subjektet politike të kenë më shumë mirëkuptim për kërkesat e qytetarëve të Ohrit të cilat nuk janë të parealizueshme. Kjo sipas Pollozhanit do të arrihej duke bërë përfshirjen dhe avancimin e kuadrove nga qyteti jonë në pushtetin qendror, si mekanizëm i drejtpërdrejtë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të kësaj komune. I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Këshillin Komunar të Ohrit, Kujtim Hyseni na thotë se nëse duam të përmendim për faktorët që kanë ndikuar për braktisjen e shqiptarëve nga Ohri të shqiptarëve është emigrimi, dëbimin apo degdisjen e shqiptarëve nga këto troje si rezultat i një trysnie sistematike. Kështu në 100 vjetët e shkuara në Ohër jetonin rreth 80% shqiptarë, ndërsa tani, kur takon ndonjë bashkëkombës nga diku tjetër, të pyet: ‘Paska shqiptarë në Ohër?'”, – thekson, – “Shqiptarët këtu kam përshtypjen se janë si ai zogu i vogël që sapo ka dalë nga veza e që pret zogun mëmë t’i sjellë për të ngrënë. Na ka mbetur të shpresojmë se mrekullitë vërtetë ekzistojnë”. Ndërkohë që, kryetarin e Komunës së Ohrit Aleksandër Petrevski, gradualisht gjendja e shqiptarëve po ndryshon pozitivisht në aspektin e investimeve dhe përfaqësimin e tyre në organet e pushtetit vendor. Kryetari Petrevski thekson se gjatë dy mandateve që ai po drejton qytetin e Ohrit vetëm në qeverisjen lokale të Petrevskit janë bërë një sërë investimesh në lagjet shqiptare, që për dekada të tëra ishin në pritje dhe harresë. Këshilltari shqiptar Hyseni thekson se problematike është çështja e punësimit sidomos nëpër institucionet e nivelit qendror. “Është e pakuptueshme që në Ohër të punësohen kuadro nga Struga, Dibra apo vende të tjera dhe qytetarët shqiptarë të Ohrit të mbesin pa punë. Kjo praktikë duhet të ndalet në të mirë të avancimit të banorëve shqiptarë të këtushëm. Ndërsa sa i përket punësimit në organet e pushtetit lokal, mund të them se janë bërë përpjekje dhe gradualisht numri i shqiptarëve është në rritje progresive, falë edhe kujdesit që po tregon në këtë drejtim Kryetari i komunës së Ohrit”, – thekson këshilltari i vetëm shqiptar në Këshillin e Ohrit, Kujtim Hyseni.

Marrëdhëniet e Ohrit me Pogradecin

Ndonëse kanë qënë kaq afër njëri-tjetrit për 50 vjet këto dy qytete fqinje kanë qënë krejtësisht të izoluara nga diktatura dhe shihnin në mbrëmje vetëm drita të ndezura buzë liqenit. Me ardhjen e demokracisë u shemb muri ndarës. Etapat evoluuan me shpejtësi nga një vizë që mund ta merrje në Tiranë për të kaluar në Maqedoni më pas vizat merreshin në kufi, më pas u vendos një pasaportë kufitare që futeshe në Maqedoni pa lekë dhe më pas nga dita e djeshme kalimi i kufirit në Maqedoni ka filluar për të gjithë shqiptarët me karta identiteti. Prej më shumë se 10 vjetësh është vendosur festa e Liqenit që festohet çdo 21 qershor me rotacion një vit në Pogradec, një vit në Ohër dhe vitin tjetër në Strugë. Së bashku të dy shtetet festojnë festën fetare të Shën Nuamit në çdo 3 korrik. Prej më shumë se 5 vjetësh është përcaktuar që të vendoset një traget midis Ohrit – Pogradecit dhe Strugës por kjo ka ngelur një ëndërr vere. Është një pengesë burokratike që vazhdon pambarimisht midis dy shteteve për të firmosur marrëveshjen dy palëshe që ky projekt të marri jetë. Tre kryetarët e bashkive respektive Artan Shkëmbi i Pogradecit, Ramiz Merko i Strugës dhe Aleksandër Petrevski i Ohrit kanë vendosur të sfidojnë pushtetin qendror të shteteve të tyre duke mbushur tragetin me administratat e tyre dhe gazetarët e rajonit dhe për të thyer këtë zvarritje burokratike, por edhe ata nuk e realizuan këtë premtim sepse as ata nuk e realizuan këtë projekt dhe ngeli si ëndrra e një nate vere.

Zhduken shqiptarët e Ohrit, mbesin 6 për qind

Ne nji shkrim te tij per gazeten “Shqiptare” , Bardhyl Berberi, shkruan se :”Vetëm 39 km larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit deri sa të shkosh në Ohër pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze ‘Desaret’, ‘Metropol’, ‘Granit’ e ‘Sllavia’. Futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ku ndodhet vila e marshallit Tito i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonte në brigjet e të njëjtit liqen ballë përballë njëri-tjetrit secili në pjesën e tij Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKO-s së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë. “(Ne foto: Beqir Sina-djathtas dhe Ylber Pilku)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dikur shqiptaret, Ohri

Nga Washingtoni, perjetime ne 50 vjetorin e Marshimit Historik

September 20, 2013 by dgreca

Nga Washington, DC.- Mimoza Dajçi/New York/

Edhe pse kanë kaluar disa ditë përsëri mbetet aktual jubileu historik i 50 vjetorit të fjalimit “I have a dream…nga Dr.Martin Luther King Jr. pranë Shkallëve të Monument të Presidentit Abraham Lincoln në Washington,DC.

Mijra qytetarë nga SHBA e shtete të ndryshme të botës u solidarizuan për të celebruar këtë eveniment të rëndësishëm të jetës amerikane, që udhëheqësi kryesor i lëvizjes për të drejtat civile prifti protestant Martin Luther King Jr, shënoi me gërma të arta Marshimin e 28 gushtit të vitit 1963, ku morën pjesë rreth 250 mijë njerëz. Amerikanët e të gjitha racave i u bashkëngjitën kësaj lëvizje për të drejtat e njeriut duke kërkuar punë, liri e barazi sociale.

Ndër të tjera në fjalimin e tij Dr.King Jr. thotë: ”Endërroj që një ditë katër fëmijët e mi do të jetojnë në një vend ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga karakteri i tyre”

Pas përfundimit të marshimit të madh në vitin 1963 në Washington Presidenti John Kennedy ftoi liderët e kësaj lëvizje në Shtëpinë e Bardhë, të cilët i priti shumë mirë.

Dhe vërtet ëndrra e tij u bë realitet. Sot në Shtëpinë e Bardhë të SHBA kemi një President me origjinë afrikano –amerikan. Presidenti Barack Obama e ka konsideruar luftëtarin e madh për të drejtat e njeriut si një shembull frymezimi të jetës së tij.

Me rastin e 50 vjetorit të fjalimit të tij, fjalim të cilin akademistët amerikan e kanë vlerësuar si një ndër fjalimet më të mira të shekullit të XX, u mbajt këtë muaj gushti një shërbesë ndërfetare, ku morën pjesë personalitete nga vendi e bota, si dhe përfaqësues të klerit e organizatave të ndryshme jo qeveritare. Një nga folëset kryesore ishte edhe Rev. Que English e cila së bashku me bashkëshortin e saj Pastor Tim English drejtojnë prej disa vitesh Kishën “Bronx Christian Fellowship”në Bronx. Përsa i përket përpjekjeve të Rev.Quej për të drejtat e njeriut e mirëqënies së jetës në Bronx ajo është një pasuese e denjë e Dr.Martin Luther King Jr. Eshtë një grua e fortë, e guximshme e me vizion të gjerë. Për ne shqiptarët edhe një mikeshë shumë e çmuar. Në fushatën parazgjedhore të Z.Mark Gjonaj ajo ka mbështetur fuqishëm kandidaturën e tij për postin që ai gëzon sot si Assamblyman për Distriktin Nr. 80 në Bronx. Ajo ka bekuar disa nga takimet e veprimtaritë e Z. Gjonaj ku është pritur e vlerësuar me respekt nga të gjithë shqiptarët. Udhëtimin me autobus për në Washington, DC edhe për anëtaret e Organizatës  së Gruas “Shpresë dhe Paqe”në New York e mundësoi Rev. Que English, e cila e mbështet e suporton edhe këtë organizatë.

Fjalimi i Dr. Martin Luther King Jr. ndryshoi jetën amerikane. Sondazhi që u mbajt në vititn 1999 nga akademistët amerikanë për fjalimet më të rëndësishme u rendit si fjalimi më i mirë i shekullit të  XX dhe  ka hyrë në librin e historisë amerikane. Ndërsa historianët marshimin në Washington e cilësuan si një protestë paqësore dhe frymëzuese që ndryshoi jetën amerikane. Për nder të Dr. Martin Luther King Jr. jetës e veprës së tij përveç përshëndetjeve dhe fjalimeve të ndryshme u mbajtën edhe një sërë veprimtarish artistike, në mes artistëve të famshëm që kënduan performoi edhe legjenda amerikane Tony Bennett.

Dr.Martin Luther King Jr. fitues i Çmimit Nobël për Paqen në vitin 1964, lindi më 15 maj të vitit 1929  dhe u vra më datë 4 prill 1968 .

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: I have e dream, Mimoza Dajci, nga Washingtoni

Nga “Ferri” i Qafë Barit te “Parajsa” e nji familje qafbarase

September 19, 2013 by dgreca

Nga Adriana Dine/

Ne Foto: nder te fundmet foto te Lazrit me Adrianen dhe mbesen-gusht 1998./

 Ishte 7 janar i vitit 1983./

Bënte një dimër i acartë, dhe bora kishte pllakosur krejt pjesën e veriut të vendit. I kisha përcaktuar me kohë ditën e nisjes që të takoja Dinen në burgun e Qafë-barit… kështu që vetëm duke iu lutë Zotit që të më ndihmonte, duhet ta merrja atë rrugë, sigurisht e shoqëruar me dikë, o nga njerzit e mi, o nga njerëz të familjes së Dines; mbasi ishte e pamundur që ato udhëtime të gjata e të mundimshme t’i bëja vetëm…

Udhëtimin e asaj rradhe, në zemër të dimrit më takoj ta bëja me babën tim të dashur, që s’më ndahesh asnjiherë në gjithë hallet e mia, dhe që e kisha mbrapa gjithmonë e për gjithçka, dhe që s’u lodh kurrë dhe as u ankua ndonjëherë për asgjë.

Për të kapë trenin e parë, u nisem nga Savra aty rreth orës katër e gjysëm të mëngjesit, mes nji të ftohti të hidhët, të përcjellë edhe prej njerit nga vëllezërit me biçikletë për të mbajtë çantat deri në stacion të trenit. Tashti që e kujtoj dhe e shkruaj kët ngjarje, më rrënqethet mishi… Ishin peripeci të një rruge, të shumë prej atyre që merrnin rrugët e burgjeve, pakkujt nga të tjerët mund t’i ketë ndodhur nji histori e tillë.

Mbasi udhëtuam për gati gjithë ditën mbrritëm në Fushë-Arrëz mbasdite. Si dimër që ishte dita qe e shkurtë, koha e akullt dhe me borë. Aty të axhensia ngecëm. Skodat për pirit në Qafë Bari s’kalonte asnji…

Ndërsa prisnim, po mendonim se s’mund të vazhdonim më për atë natë, mbasi i ftohti na kish hyrë për palcë, dhe asnji shenjë shprese s’kishim… kur papritmas u shfaq nji kamion nga ata të piritit. Duket, shoferi na njohu menjiherë mbasi atë ditë acari, s’shihje xhanxhin këmbë njeriu, dhe ne ashtu të kruspullosur e të plevitosur ere e ngrice binim menjiherë në sy… Po edhe ato trasta të mbushura me ushqimet e kursyera përgjat dy-tre muajve nga takimi i fundit dëshmonin, se nuk mund të kishin destinacion tjetër: veç Burgun!

Pa ia ngritë mirë dorën, shoferi ndaloi dhe na pyeti: “Për Qafë-Bari, besoj?” “Po, për Qafë-Bari – i thamë me nji gojë unë dhe im atë!” Ai tundi kokën në shenjë miratimi, “Hypni nga ana tjetër…” dhe zbriti na hapi derën na ndihmoi të ngjisim çantat me ushqime… dhe shpejt u vumë për rrugë… Kur na pa se ende dridheshim prej të ftohtit, shau dimrin e atyne anëve dhe ne ndjemë brenda makinës ajrin që po ngrohej. Në atë çast baba im më lëshoi një shikim, sikur të më thoshte: “Mos u mërzit… çdo problem e ka nji zjidhje, edhe ky i sotmi mori nji zgjidhje, mos harro se pa sakrifica s’bahet asgja…!” dhe kjo më ngrohu ma tepër se fryma e makinës.

Rruga e asaj rradhe nga Fushë-Arrëzi në Qaf-Bari ishte nji tmerr i vërtetë. Jo veç e ngushtë dhe e pashtruar, jo veç me kthesa dhe zig-zake të panumërta, po tmerri im ishin ato greminat që ma bënin vdekjen kaq të afërt nga njera anë, edhe shkëmbinjtë që të rrinin si skifterë në anën tjetër e që vende vende të dukeshin sikur do të na shembeshin mbi kokë… O zot, pëshpërisja mbas çdo kthese… Ndihmona!! Nji ndjenjë frike dhe pasigurie e papërshkrueshme… ma rrënqeshte trupin, pa harruar terrin që zbriste me shpejtësi dhe ajo bardhësi e ngrime bore përreth na e bënte rrugën të skëterrshme… Në mjaft vende rruga ngushtohej shumë dhe ashtu e ngrirë akulli ishte e pamundur të kalohej. Dukej sikur zemra po më dilte vendit… Shoferi qe ngjeshë fort mbas timonit dhe askush nga të tre s’guxonte ta thoshte nji fjalë të vetme…

Baba u përpoq disa herë me humorin e tij, të ma hiqte gjysmën e së keqes, po s’ishte e kollajtë. Kur shoferi na tha se po i afroheshim burgut u ndjemë pa të çliruar, po ç’të shihnim, aty bora  e kishte kaluar një metërshin. Dukeshin vetëm ca rrugica të ngushta që të çonin para kangjellave të hijerënda të burgut. Ishte nji errësirë e thellë që mund t’i fuste dy gishtat në sy. Ndjehesha e tmerruar e mpirë… por s’di nga i vinte ajo forcë dhe kurajo babës tim, sepse ai befas ma largoi si me magji trishtimin që më pushtoi. Ende pa zbritë nga makina, shoferi na lajmëroi se ishte e pamundur të bënte nji rrugë tjetër kthimi me kët tmerr të ftohti dhe bore… Atherë baba, me mjaft marifet iu lut që: “Nëse asht e mundun me na lanë ta kalojmë kët natë tmerri aty n’at kamionin e tij!!!” Ai na pa disi i habitur dhe ju drejtua babës duke i thënë: “Si mundem me të lanë vetëm në kamion, gjithë natën e Zotit!!! Ti nji burrë plak me nji vajzë të re, pothuej fëmi mes maleve! Me e marrë vesh nana eme kët gja me qet shpie!” Baba e falenderoi qoftë edhe për at fjalë që na tha: “Mbaroni njiherë takimin, në kët kohë unë po e mbush kamionin… mandej shofim e bajmë!”.

Ishim përballë portës së madhe të burgut, kur papritmas na u shfaq oficeri rojes. Ia shpjegova ma s’pari unë hallin si grua, po ai na priti me këmbët e para: “S’ka takime sonte në kët orë! Nesër, kësmet!!” Na e tha me nji ton bishe që s’më la asnji mundësi bisede. Atherë u afrua edhe baba dhe se ç’foli me të… Mbas pak kohe pritje kur acari i maleve po e bënte si duhet punën me ne, u rishfaq oficeri: “Mirë, mirë, hajdeni, po do të takoheni vetëm për pesë minuta, mos të kemi llafe!!!”.

Më erdhi jo të qaja, po të ulërija atë çast.

Mbas 13 orësh rrugë mes dimrit dhe maleve, mbas aq peripecish, sepse s’mund t’i përmendja të gjitha, s’na lejonin të takoheshim, po edhe kur e bënë zemrën gur… vetëm pesë minuta… O Zot – mërmërita me vete. Kisha gati tre muaj pa e parë tim shoq, Dinen dhe për gjithë mallin e tre muajve… çmallja ishte vetëm 5 minuta!!! që në të vërtetë u bënë pesë sekonda, sepse gjatë gjithë asaj kohe ishim nën presionin e policit që na kyrte ne dhe kqyrte orën të largoheshim nji çast e më parë, dhe ai të shkonte të shullëhej pranë sobës.

Qe nji takim tmerri, ku ti s’arrin as të pyesësh dhe  as të përgjigjesh, as ta shohësh at njeri si duhet, po as ai mundet të shohë, as të pyesë as të flasë… Nji çoroditje emocionesh që s’ka njeri ta përshkruaj… Duhet të jetë diçka fotografuese në shpirtin e njeriut… që nji sekonde të jetës i jep vlerë përjetsie…

Ia lamë trastat Dines, duke e lënë edhe atë në nji ankth dhe tmerr të vërtetë… ku do shkonim dhe ku do mbyteshim për ta kaluar atë natë!!

Ecëm n’ato shtigjet e hapura të borës dhe u nisëm për rrugë… ashtu kuturu, pa e ditë as vetë se për ku. Ecnim nga na çonin këmbët… kur pa bërë as njiqind metra dikush na thirri nëpër terr. Ishte ai shoferi, që na kish sjellë në burg. Erdhi na takoi… Atë natë s’e kishin lejuar të ngarkonte pirit. Gjatë gjithë kohës ai e kishte vëzhguar krejt skenën me policët dhe po na priste me makinë të shuar diku në qoshe. Kur ju afruam, me nji ton të prerë si të ishte urdhër na tha: “Ju sonte do vini me bujtë në shtëpinë time! S’asht në nderin e pukjanit me lanë nji burrë të vjetër dhe nji vajze të re n’rrugë të madhe, midis ktyne maleve të frikshme, dhe nji nate dimri si kjo!!”. E tha me nji lloj krenarie dhe sigurie, që s’kish njeri t’ia bënte fjalën dysh… jo se ne kishim ndonji alternativë tjetër shpëtimi…

Zoti e baftë mirë! – ia ktheu im atë, dhe u nisëm kuturu pa e zgjatë dhe pa e kundërshtuar. Shoqëruesi ndezi dy flakadanë lecke me naftë, nji për vete dhe tjetrin për ne, që ia dha babës të ndriçonte rrugën…

S’e di as vetë si morëm at guxim dhe u nisëm ashtu nëpër ato shtigje mes borës dhe pyllit, mes atyre shkrepave të frikshëm, në besë të atij pukjani që na printe me ndriçim n’ato shtigje që as ditën nuk do të merrja guxim t’i bëja… Vazhduam rrugën me kujdes si na ndihmonte sa herë ndodheshim në vështërsi, dhe na mbante me kurajo. Mua më kish hyrë frika në palcë, por habitesha me babën, si mund t’i kalonte ato thepa e teposhta pa e thyer qafën. E shihja që po hiqte picir i shkreti babë që ishte gati shtatëdhjet vjeç, po unë s’mund të bëja asgjë që ta ndihmoja… Mbas njifare kohe ai pyeti nëse kishim edhe shumë rrugë… si duket ishte lodhë. “Erdhëm, – tha shoferi, – edhe pak mbrrijmë!” Ecëm edhe njifarë kohe të mirë që na u duk nji shekull, kur na u pidaf para edhe një përrua, mbi të cilin thuhej se ishte një urë drrase… besoj nga ato ma primitivet që më kanë pa sytë ndonjiherë. Krejt ura përbëhej nga ca litarë të thurur në formë gërsheti… aty ku shkelnim kishin vënë ca dërrasa që më dukeshin të kalbuna, me hapsirë mes tyre. Për çdo hap që hidhnim lëkundeshim si në një shilarse… terri në nji krah, akulli në krahun tjetër dhe zhurma e përroit ku mund të përfundonim ishin nji tmerr dhe nji torturë që unë as sot s’mund t’i gjej fjalët! Pukjani gjatë gjithë kohës na printe, na fliste, na ndihmonte dhe na mbante me gajret…

Mbas nji lodhjeje rraskapitëse dhe ankthi vdekjeje mbrritëm para nji dere… Ishte shtëpia e malsorit pukjan. Kur u hap dera, mendova shpëtimin, po ndërsa futesha brenda u ndjeva si në një skëterrë… edhe pse gjithë jetën isha rritë me vuejtje dhe privime, mendoja se asgjë s’do t’më bënte përshtypje në jetë. Por jo, kurrsesi!! Edhe sot kur e kujtoj at shtëpinë e tyre, atë lloj varfërie dhe skamje më rrënqethet mishi, dhe s’mundem ta harroj kurrsesi. Shoferi kishte gruan edhe nji djalë. Jetonte së bashku me vëllanë e madh që kishte gruan edhe katër fëmijë. Kishin nanën, nji grua në moshë po fisnike, që doli na priti dhe na foli si zot shtëpie. Pak kohë ma parë u kishte ndodhë nji fatkeqsi, u qe djegë nji pjesë e shtëpisë dhe krejt familja jetonte në nji si korridor të ngushtë e të gjatë ku shifeshin gjithsej dy dyshekë dhe një oxhak me dru të bollshëm. E ndjëmë që zoritën mjaft të shkretët për at gjendje, po dolën jashtë dhe diçka sajuan e na shtruan edhe sofrën e darkës. Për gjellë, na nxorrën groshë… po duhet të ndodhte ajo mrekullia të hasje ndonji kokërr… Na vunë edhe pak djathë, pak qepë dhe pak raki. Djathin e përdornin me shumë kursim, dhe e ruanin si me pasë nji copë mishi të pjekur.

Baba si njeri i kollajtë dhe i pa pretendime e mbushi tavolinën me at humorin dhe rrëfimet e veta pafund… sa nuk u vu re fukarallëku, se herë mbas here i bënte të gjithë qeshnin me humorin e dhe batutat e tij. Mbasi mbaruam darkë, gruaja e shoferit me ftoi të flinim bashkë, se siç më tha “Në dhomën teme ka shtroje dhe mbloje, ndërsa kunati me gruen, dhe nana me fëmijët, mbasi s’kanë me ça me u mbulue, e mbajnë zjarrin gjithë natën ndezë dhe flejnë të tanë bashkë në at korridor të gjanë…

At natë fjeta me gruan e shoferit dhe ajo më shtrëngoi gjithë natën në gji. I vinte shumë keq për fatin tim… Isha vetëm 23 vjeçe, dhe kisha vite e detyruar të merrja rrugët e burgjeve të Spaçit dhe Qafë Barit, atyre skëterrave të papërshkrueshme shqiptare.

Por bujaria e mirësia e atyre malsorëve pukjanë s’kishte fund. S’i kam harruar kurrë, dhe më vjen shumë keq që s’jam aq e aftë sa ta përshkruaj ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mundem t’ua shpërblej pritjen e tyre…

Isha lindur dhe rritur kampeve të interrnimit: ku varfërinë, barangat, kasollet me baltë i kishim me bollëk, po kurrë s’kisha parë dhe provuar nji skamje dhe nji fukarallëk të tillë.

Pastaj janë mjaft veti të tjera që i japin vlerë njeriut dhe e ngrenë lart atë, si bujaria, mirësia dhe mikpritja e asaj familje që na e kish hapë derën në nji natë tmerri. Ata na mirëpritën, na futën në shtëpinë e tyre, edhe pse “armiq të betuar të klasës” që për komunistët ishte një tabu. Gjatë bisedave të asaj nate, ata as na provokuan, as na pyetën, as e përmendën burgun, sikur nuk ishte ai shkaku i asaj që ndodhte, po as ne s’i provokuam se kush ishim, dhe pse ishim aty, sepse e dinim shumë mirë që i kishim rënduar mjaft, edhe me atë praninë tonë në shtëpinë e tyre.

Më ka mbetur peng, dhe s’më hiqet nga mendja pse nuk u gjet nji mënyrë, që të mësonim të paktën mbiemrin e tyre… sepse ne s’i pyetëm as për emrin as mbiemrin, sepse vetëm ashtu s’i rëndonim ata, po as ata s’e bënë nji gjë të tillë… Sepse askush s’e mendonte se në nji të ardhme, nëse na jepesh mundësia të mund t’ua shpërblenim qoftë edhe me mirënjohje simbolike atë mikpritjen e tyre fisnike… që vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite më e bukura e jetës sime…

Të nesërmen pa zbardhë mirë drita, shoferi pukjan, na zbriti në Fushë-Arrëz dhe i nda prej nesh i kënaqur dhe krenar… duke na lënë të vazhdojmë në hallet tona të kampeve dhe burgjeve dhe ai në kamionin e piritit atyre rrugëve të egra…

Zoti e bekoftë atë familje  të mrekullushme pukjane , ata njerëz që vërtet jeta i kish hedhur atje në skëterrë, po s’kish mundur ta vriste mirësinë dhe mikpritjen në shpirtin e tyre.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adriana dine, Nga ferri, qabarse, Qafe-Bari, te parajsa

Qarrishta,fshati qe strehoi 26 hebrej

September 6, 2013 by dgreca

Reportazh nga  Besim Dybeli*/

Në të majtë të qytetit të Librazhdit, drejt verilindjes, nis një rrugë e porsa shtruar, që të çon në Steblevë e më tej. U deshën vite e vite, që këmbët e rrugëtarëve të kësaj treve apo dhe gomat e makinave të vjetra, të ceknin për herë të parë asfaltin. Nuk bën më tepër se pesë kilometra dhe një degëzim në të djathtë, ngjitet pjerrtasi mes fshatrave Dorëz e Gizavesh të komunës Qendër, Librazhd. Autobusi ynë, mbushur me dhjetëra pasagjerë e ca vende “rezervuar” për gazetarë, ecën butë-butë mbi një shtresë zifti të hollë. Kësisoj, të krijohet ndjesia e një udhëtimi komod, pa ditur se për një distancë afro 30 kilometra, do të duhen mbi dy orë për të mbërritur në Qarrishtë. Të gjithë tunden, shkunden e mbahen fort mbi sediljet që u ka dalë skeleti i hekurt, teksa mjeti i tipit gjerman, prodhim i viteve ‘70-të, uturin me sa fuqi që ka. Pas xhamave të shtrënguar fort me bullona hekuri, syri të rrok bukuri mahnitëse. Shpate malesh, mbushur me dushqe e pisha të buta, burimet ujore që rrjedhin pa pushim nën cicërimat e zogjve, të japin imazhin sikur dëgjon “simfoninë” e pyllit. Ne, që jemi të zhytur në smogun e trashë të Elbasanit të ndotur, hapim gojë e hundë për të mbushur mushkëritë me ajrin e virgjër. Ndonjë operator qejfli romantik, teksa fshin me mëngë tisin e avullit mbi xham, përpiqet të fokusojë në kamër bukuri natyrore të rralla. Syresh, nxjerrin dhe blloqe shënimesh pa kurrfarë informacioni.

Ne, që udhëtojmë për herë të parë drejt fshatit Qarrishtë, mbetemi kureshtarë, sa për të parë këtë fshat, aq edhe për të përfytyruar se çfarë do të ndodhë atje në kujtim të asaj që ka ndodhur 70 vjet më parë. Sa më tepër i afrohesh fshatit, aq më e vështirë bëhet rruga mbi gurë, që në çdo njëqind metra duhet të kalosh gurgullimat e ujit dhe gurët e mëdhenj të përrenjve që zbresin me vrik nga vargmalet e Shebenikut, majat e të cilëve, ende qeleshebardhë. Që në nisje, ishim kuriozë për të prekur nga afër një copëz histori të shuar ndër vite të këtij fshati. Plotë shtatëdhjetë vjet më parë, aty do të strehoheshin për dy vjet 26 hebrenj prej inkuizicionit gjerman! E rrallë, por e krenarishme…

Histori e shkruar mbi gur Mure të gurtë. Çati me rrasa guri. Rrugica, shtruar me gur. Shpate malesh të gurta. Një jetë mbi gur. Historia mbetet po aty. Venitet, por nuk prishet. Njerëzit, gurë të fortë. Dy shekuj më parë, qëkurse ky vend u popullua, ka mbetur po ashtu. Nga lindja, vargmale të lartë gjer në kupë të qiellit, që e ndajnë me Maqedoninë fqinje. Nga jugu e perëndimi vargmalet e Shebenikut, që e ndajnë atë nga Rrajca e Struga. Nga veriu male të lartë, që e ndajnë nga Stebleva. Den baba den këtu mes ashpërsisë natyrore e malesh stoikë. Nën një hapësirë qiellore disa hektarëshe e mbi ngastra toke gjysmë dynymësh ende jetohet në këtë fshat mes malesh. Dielli del vonë e ikën shpejt. Blegtorët u ngjiten shpateve e pllajave pa lind e kthehen pasi perëndon. Amvisat pranë oxhaqeve që nuk u shteron zjarri, misërnike në çerep e gatime vetëm me gjalpë. Çobanët e burrat e lodhur ndër ara duhen ushqyer mirë. Jeta ka të njëjtin refren këtu. Ndërsa viti me dy stinë ka vetëm dy ngjyra. Jeshilja pa kufi në verë e bardhësia që vret në dimër. Në dy shekuj mbijetesë, dy herë ka fluturuar helikopteri mbi këtë fshat mes malesh. Një herë është ulur mbi dëborë duke marrë një të sëmurë rëndë dhe një herë tjetër, në pamundësi uljeje, ka lënë pas dhimbjen e një gruaje për lindje. Nga 200 familje, sot bujisin vetëm 40.

Të ikurit dhe të mbeturit, gjithçka e kanë shkruar mbi gurë muzealë. Kështu edhe për epopenë dyvjeçare të mbajtjes nën “gjuhë” të 26 hebrenjve, për pak se martirizues. Një ceremoni modeste Ka lindur dhe është shndërruar në traditë një festë në këtë fshat. Ajo e Bashkimit. Është konceptuar kështu, për tu ndodhur bashkë një herë në vit. Të ikurit, 160 familje dhe të mbeturit rreth 200 banorë. Brenda festës, edhe ajo e përkujtimit të dy viteve që u strehuan hebrenjtë. Qindra pjesëmarrës në atë tokë gurishtë rreth “lapidarit” ku shkruhet, “Qarrishta, besa shqiptare”. Shkruar thjeshtë, por shumë domethënëse. Në Jeruzalem, në hartën e Shqipërisë është shkruar “Zero”! Kjo, për faktin që asnjë hebre nuk është vrarë apo dorëzuar tek gjermanët. Në pritje të ambasadorit izraelit, të ardhurit e vendasit, sikur çfarë do të ndodhë! Mes tyre dhe deputeti Taulant Balla dhe Eduard Selami, që ndoshta për herë të parë përqafohen e shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Mbase idilizmi i festës solli këtë moment kortezie.

Ndërsa ambasadori vendos dy tufa lulesh artificiale mbi pllakën e gurtë përkujtimore, (që sa hap e mbyll sytë u rrëmbyen nga dy vocërrakë) dhe drejtohet jo me shumë optimizëm para kamerave. Me sinqeritet ai falenderon banorët e këtij fshati e në veçanti familjen Biçaku, që mbajtëm me bukë e u dhanë jetë për dy vjet bashkëkombësave të tij, e, po me këtë çiltërsi ai pranon se pasardhësit e tyre nuk janë gjendur asnjëherë këtu, për të mos thënë që nuk kish dijeni se ku mund të ndodheshin ata, shumica të shpërndarë nëpër botë! Ceremonia spostohet në oborrin e shkollës me 40 nxënës, çatia e së cilës sikur puthej me tokën. Pas muzikës tallava, ushqyer me rrymë elektrike nga një gjenerator i sjellë nga Durrësi, përshëndetjet e rastit nga kreu i komunës, Enver Shkurti. Mes të tjerash ai do të citonte: “Gjyshërit dhe prindërit tanë për dy dimra mbajtën gjallë 26 jetë hebreje në emër të besës e mikpritjes shqiptare, në emër të Zotit dhe të drejtës për të jetuar, edhe pse e dinin së jeta e tyre do të shuhej në çast nga bajonetat e karabinat gjermane, pa menduar kurrë për haraç në ditët e lirisë që do të vinin. Por, – vazhdoi ai mes të tjerave, – sot shpresoj, që distanca që ndan këtë komunitet nga jeta cilivizuese përtej këtyre maleve, do të shkurtohet edhe nga kontributi i shtetit të atyre njerëzve që ne strehuam në ato vite të vështira lufte e dimri”. Edhe pse duartrokitjet herë-herë ndërprisnin përshëndetjen e ambasadorit izraelit, që shqipërohej jo fort mirë, ky i fundit në thelb do të thoshte se “… mirënjohja ndaj familjes, Biçaku dhe miqësia jone me popullin shqiptar nuk do të shuheshin kurrë“. Dhe, … vetëm kaq. Ndërsa dy personazhet e politikës, Balla e Selami, nuk mbajtën ndonjë fjalë të rastit, “dueti” nuk i kurseu buzëqeshjet e fotot me të gjithë të pranishmit. Në një farë mënyre, i njëjti ritual edhe nga ambasadori izraelit. Dreka fshatçe rreth 5 kilometra më tej. Pikërisht në themelet e mbetura të familjes Biçaku, që sakrifikoi gjithçka për të mbetur gjallë 26 hebrenj nga shumë të tjerë të shpërndarë në vendin tonë e më gjerë…

 

Krenari apo zhgënjim?!

 

Pjesëtarë dhe pasardhës të familjes Biçaku, jo fort të privilegjuar në festën që mbart brenda saj edhe kujtimet e komunitetit të vogël hebre të strehuar në shtëpinë e tyre. Ata dhanë gjithçka në atë kohë absurde për mbajtjen e përcjelljen gjallë të atyre njerëzve. Sakrificat e papërshkruara të kësaj familjeje do të mbaheshin në sirtarë arkivash për më shumë se 50 vjet. Të djeshmit i persekutuan, pse strehuan dhe u dhanë bukë bijve të atyre që për shtetin komunist të 45 vjetëve ishin “koburja“ e ngrehur e “imperializmit amerikan”. Të sotmit, i lanë pothuajse sërish në harresë. Veç ca dekorimesh nga lobet izraelite në Amerikë e së fundi edhe në Parlamentin shqiptar, asgjë tjetër. Paradoksi mbetet në atë se persekutorët e djeshëm janë kthyer sot në tribu të atributeve të akteve humane të kësaj familjeje. Djemtë dhe mbesat e familjes, Biçaku, (sot banues në Durrës apo në Elbasan) nuk kanë shkuar më tej sesa të përfituarit e një pune sanitare e pa shtëpi. As shteti i tyre nuk u dha mirënjohje apo mbështetje konkrete, as shteti i atyre që strehuan e as pasardhësit e atyre hebrenjve që u përcollën shëndoshë e mirë, hipur mbi kuaj, pranverën e “45-ës, drejt Strugës. Aso kohe, teksa karvani kalorësiak ecte mes malesh, në të kaluar të kufirit, ata (hebrenjtë) do tu premtonin një jetë të begatë të paktën tre brezave të familjes që i kishte shpëtuar si shpërblim për jetën që u kishin shpëtuar! – “Babai im do të refuzonte që në gjallje të tij lëmoshën 30 dollarëshe që do t’i vinte privatisht nga njëri prej atyre që mbajti në shtëpinë e tij“, shprehet Muhameti duke shtuar se “vetëm ishte vlerësuar me dekorata në Amerikë”! – “ Asnjëri prej atyre që mbajtëm apo pasardhësit, nuk janë bërë të gjallë qoftë dhe për një kontakt fizik në këtë vend ku qëndruan për dy vjet gjyshërit e tyre“- pohon Natasha, mbesa e kësaj familjeje. – “Gjyshi im i mori nga Tirana e i solli këtu natën me mushka e po me mushka blinim drithë e ushqime në Strugë e Ohër për tu siguruar ushqim, por të themi të drejtën pak mirënjohje na është përcjellë“ ,– shton mbesa tjetër, Elida. Nga ç’është bërë, gjallë po përpiqet ta mbajë në këmbë shoqata e miqësie me kontributet e dhëndrit të kësaj familjeje mikpritëse, Kujtim Hasbiu. Ky i fundit mbetej organizatori i kësaj ceremonie, më së shumti për të lartësuar krenarinë e virtyteve shqiptare.

Festa ka mbaruar shpejt. Afër të perënduari të diellit, autobusi, që numëron ditët për skrap, bën rrugën e kthimit. Shoferi, i gëzuar sa s’ka, pse e vetmja ditë që i kish siguruar dyfishin e pasagjerëve, merr ç’pasagjerë gjen rrugës. Mezi arrijmë të futemi brenda. Tre veta në dy sedilje. Dhe ne të medias, si të shumtit në këmbë, mbahemi fort në ca hekura të salduar afër tavanit prej llamarine të autobusit “Benz-70”. Gratë e vajzat mbulojnë gojën me shami prej erës së rëndë e avujve të rakisë kumbullake. Një ditë e bukur, e lodhshme, por me mbresa. Në atë copëz toke shqiptare, rrethuar e harruar mes malesh, përkujtohet gjer në lartësim strehimi i 26 hebrenjve, më tepër si simbol i besës dhe mikpritjes të vendit të shqiponjave. Ndërsa i afrohemi qytetit të Elbasanit, këshilltari i ambasadorit izraelit, me celular, interesohet se kur dhe në cilat media do të jepet ndodhia e kësaj dite…

* Falenderojme autorin qe ia dergoi per botim Diellit

Filed Under: Reportazh Tagged With: 26 hebrej, fshati qe strehoi, Qarrishta

Me Dr. Lindita Çoku dhe pacientët e saj shqiptar në Boston

September 6, 2013 by dgreca

Nga Rozi Theohari, Boston/

Në adresë të emailit tim gjeta një foto dërguar nga kirurgia duarartë shqiptare Lindita Çoku. Ne fotografi paraqitej një krevat spitali: trupi gjysmë i mbuluar i një pacienti, gjoksi i tij fiksuar me tela elektronikë dhe fytyra. Ah, fytyra e tij mbuluar me rrudha shprehte pakëz dritë ndërkohë që bashkëshortja, edhe ajo e moshuar, kishte mbështetur buzët në ballin e tij të djersitur. Ishte puthja e parë bekuese, përgëzuese, lutëse e frymëdhënëse, pas operacionit të rëndë në zemër përfunduar disa orë më parë. Ajo puthje e lehtë, fisnike, ishte dashuria e nënës, zemërdhembshuria e gruas shqiptare, e cila ka mbajtur e mban gjallë familjen, mirësinë, traditat, ritet, shoqërinë.

Ditë më vonë,pasi gjeta emrin dhe adresën e pacientit, i telefonova.Kisha kureshtje. Ai quhej Avdyl Tufa dhe kishte ardhur enkas nga Lushnja për t’u operuar në Amerikë, nën përkujdesjen e familjarëve.

Avdyli më foli me një zë emocionues: “Doktoreshën Lindita Çoku e njoha gjatë kohës që isha shtruar në spital. Dy ditë para se të operohesha nga zemra erdhi në dhomën time një vajzë e re. “Unë jam shqiptare, më tha,- punoj kirurge në këtë spital. do të asistoj në operimin tënd.

Keni fatin e mirë që do t’ju operojë një nga doktorët më të mirë.”

Ashtu, e urtë, e butë, më sqaroi për këtë operacion. Fjalët e saj më ngrohën shumë dhe më bënë optimist. “E kam për detyrë që t’i ndihmoj shqiptarët që vijnë këtu, mos ki merak, je ne besën time”- vazhdoi ajo.

Dy ditë pas operacionit doktoresha Lindita më erdhi në dhomë e më tha gëzueshëm: “Avdyl, operacioni doli me sukses, siç ju thashë edhe para se te operoheshit.” Ajo, fjalëmbla, më dha disa këshilla të vlefshme, të cilat i përsëriste sa herë vinte në dhomë.

Nuk mjaftohej me kaq, por here pas here më telefononte nga shtëpia e saj e më jepte porosira të mos kisha ankthe. “Çdo gjë do të shkojë mirë, dalëngadalë .” më përsëriste ajo. Kjo sjellje e saj humane ka lënë mbresa të mira tek unë dhe tek familja. Ne e konsiderojmë doktoreshën

si pjesëtare të familjes dhe mua m’u bë tamam si bija ime. Edhe sot që bisedoj me ju, e ndiej kujdesin e saj nga afër, prandaj dhe e respektoj shumë, sepse ajo vetë i respekton shumë pacientët e saj. Nisur nga konsideratat e mia, unë, përveç emrit të saj të bukur “Lindita”, do ta

quaja “zemërarta”. Këtë emër e meriton. Do ta kujtoj gjithmonë kirurgen tonë shqiptare.”

DOKTORESHA QE NUK DI TE ÇLODHET

Dr. Lindita Çoku është një figurë e mjekësisë shqiptaro-amerikane tashmë e njohur nga bashkatdhetarët e rajoneve të mëdha të Nju Jorkut dhe Bostonit, por edhe brenda e jashtë Amerikës. Ajo është zgjedhur presidente e Shoqatës Mjekësore Shqiptaro-Amerikane, me kryetar nderi nobelistin shqiptar dr. Ferid Muradi. Pjesëmarrja e dr. Çokut në elitën e kardiokirurgjisë amerikane është një nder jo vetëm për doktoreshën, por edhe për gjithë kombin shqiptar.

Po prisja në sallonin paraoperator të “Boston University Medical Center”, me sytë e përqendruar tek ajo derë, pas së cilës vajza jonë e talentuar shqiptare “qëndis” mbi organin e zemrës me gishtat e saj delikate. Pas një ore drejt meje po ecte ajo, tiransja zemërdëlirë.

Kirurgia shqiptaro-amerikane (the surgeon) Lindita Çoku hoqi maskën e bardhë te operacionit dhe unë dallova fytyrën e saj pak fëminore të përshkuar nga një buzëqeshje lumturie. Përsëri operacioni ne zemrën e pacientit mbaroi me sukses. Përsëri. Vajza shqiptare nuk e ndien lodhjen kapitëse të operimit në sallë dhe i përball emocionet e forta. Mbi të gjitha qëndron ndjenja e lartë e përgjegjësisë për një jetë njeriu.

Disa çaste më vonë po shëtisnim në kopshtin e spitalit “Boston University Medical Center”, që është bërë shtëpia e dytë e saj. I transmetova dr. Çokut falënderimet e Avdylit. Ajo më shpjegoi se kishin qenë tre pacientë shqiptarë që ishin operuar nga zemra kohët e fundit dhe theksoi se që të tre pacientët shqiptarë kanë pirë duhan vite me radhë. Ata u këshilluan ta ndalonin rreptësisht duhanin. Doktoresha vazhdoi: “Zoti Avdyl Tufa, pacient i moshës 76- vjeçare nga Lushnja, u diagnostikua me sëmundje arterosklerotike te tre prej arterieve koronare të zemrës më 27 tetor 2008 tek Qendra Mjekësore Universitare e Bostonit. Me 1 nëntor ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike pa kalim në pompën mushkëri-zemër. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 6 nëntor u dërgua në shtëpi. Më 30 prill 2009 ai u kthye ne gjendje te mire në Shqipëri. Pacienti i dytë, zoti Agim Dëshnica, i moshës 75 vjeç nga Tirana, u soll ne Qendrën Mjekësore Universitare te Bostonit urgjent me “Ambulance” mbasi kaloi një episod sinkopie (të fiket) në rrugë, e cila u dëshmua nga bashkëshortja më 16 shkurt 2009. Ai u diagnostikua me sëmundje

arterosklerotike të zemrës në bazë të prezantimit klinik, eko kardiografise. Më 20 shkurt 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike për revaskularizimin e tri arterieve koronare të bllokuara gati plotësisht.

Me 6 mars 2009 ai u dërgua në shtëpi dhe deri tani ka një progres tepër të mirë klinik. Pacienti i tretë, zoti Ramazan Çelaj, i moshës 48 vjeç nga Lushnja, gjatë kontrollit te zakonshëm me mjekun e familjes, u njoftua se kishte një zgjerim të mediastiniumit, përmes një radiografie

të kraharorit. Pas testeve të nevojshme u demonstrua zgjerim (aneurizëm) i shkalles patologjike të aortës asendente (ena e madhe e gjakut që del menjëherë nga ana e majtë e zemrës). Pacienti plotësonte të gjitha kriteret për ndërhyrje kirurgjike. Më 9 mars 2009 ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike. Kursi postoperator kaloi me sukses dhe më 14 mars Ramazani u dërgua në shtëpi. Ai është i gatshëm për t’u kthyer në punë rregullisht. Dua të theksoj,- përfundoi

doktoresha, se pirësit e duhanit duhet ta dinë mirë sa dëmtime serioze

i shkaktojnë zemrës së tyre, përveç mushkërisë, fshikëzës urinare, kavitetit te gojës dhe lëkurës.”

KRENOHEMI ME DR. ÇOKUN

Gjatë bisedës me pacientin Ramazan Çelaj, ai më tha: “Kur te ndjek e mira, duhet pranuar si fatsjellëse. Kështu më ka ardhur njohja dhe ndihma e doktoreshës Lindita. Ishte janar 2009 dhe saktësisht data 12 kur kisha takimin me doktor Ara Ketchedijan dhe ai foli me admirim për doktoreshën . -”Në ekipin tonë kemi dhe një patrioten tuaj që e quajnë Lindita Çoku,”- më tha doktori.

Nuk e prisja që të takoja një shqiptare këtu, në këtë institucion prestigjioz, në “Boston University Medical Center”, dhe aq më tepër që doktoresha do të ishte pjesëmarrëse në operacionin që më priste.

Nuk m’u dha mundësia ta takoja deri në ditën e operacionit, më datën 9 mars.

Ishte e hënë, një ditë e ftohtë me dëborë, kur unë dhe familja ime u nisëm drejt spitalit. Në të tilla raste dihet se si ndjehesh dhe aq më shumë familjarët e mi. Me të mbërritur në spital, gjithçka ishte gati dhe mua më duhej vetëm të shtrihesha në shtratin e operacionit. Para

meje u paraqitën dr. Ketchedijan dhe dr. Çoku. Doktoresha, për të më qetësuar, m’u drejtua në gjuhën tonë e m’u prezantua. Mbeta disi i pafjalë, ndërsa ajo më fliste ngrohtësisht se duhej të isha i ç’tensionuar dhe i qetë.

“-Gëzohem që ju njoha,- i thashë më në fund doktoreshës,- dhe më vjen mirë që ju do të jeni me mua. “. Për momentin nuk dija ç’t’i thosha më tepër, se isha i shqetësuar për vete dhe për familjarët e mi.

Iu luta dr. Çokut që të shkonte tek të mitë dhe t’i qetësonte për gjithçka. Ajo ma plotësoi dëshirën me mirësjellje. Krevati im lëvizi për në drejtim të sallës dhe doktoreshe Çoku më shoqëronte e më fliste për të më qetësuar. Kur u gjeta në sallë mes tërë atyre aparaturave, m’u afrua doktoresha e më tha: “Ne shqiptarët jemi të fortë dhe ju kështu më dukeni, madje më dukeni më i fortë nga ç’e mendoja”. Patjetër, ishin fjalë për kurajë. Kaq mbaj mend derisa erdha

në vete mbas disa orësh, në dhomën e reanimacionit. Sapo isha përmendur pashë doktoreshë Çokun qe hyri në dhomë duke buzëqeshur dhe që të dy me doktor Ketchedijan më pyetën si

ndjehesha. “Të thashë që ne jemi të fortë!”, më foli doktoresha me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël, por mua më dukej se më thoshte: “Ne shqiptarët jemi të aftë të bëjmë gjithçka!”. Me të vërtetë, shqiptarët janë të aftë të bëjnë gjithçka! Ja ku e kisha pranë doktoreshë Çokun, për të cilën ndjehesha krenar. Një kirurge e përkushtuar shqiptare në Amerikë, e vlerësuar për punën e shkëlqyer në operacionet dhe për kujdesin ndaj pacientëve te saj. Dr. Lindita vinte disa herë në ditë, më pyeste për gjendjen time, madje, kur kish pak kohe te lire, bënim biseda te ndryshme. Kryesisht meraku i saj ishte mjekësia, duke përmendur me admirim vendin tonë të largët, me shpresë se ai vend mund të arrinte një ditë me një mjekësi të përparuar.

Ju lumtë doktoreshë Çoku ! Ju urojmë suksese në karrierën tuaj profesionale, sepse keni një profesion sa human, aq edhe të vështirë!”

Urimin e Ramazanit e vazhdon bashkëshortja e tij, Dituria: “Doktoreshe Çokun për herë të parë e pashë ditën që bashkëshorti im bëri operacionin, – thotë ajo.- Më kujtohet buzëqeshja dhe fjalët qetësuese të saj; na siguroi se çdo gjë do të shkonte mbarë. Ndoshta nuk fiksova shumë gjëra atë ditë, sepse mendja ime qe përqendruar në sallën e operacionit ku ishte bashkëshorti im, i cili, siç tha edhe doktoreshe Çoku, kishte jetuar “me revole pas kokës.” Zani kishte

lindur me defekt në zemër, AORTIK VALVE, dhe si pasojë u shkaktua ASCENDING AORTIC ANEYRYSM, që në moshë të re. Kjo sëmundje nuk të jep shenja dhimbjeje ose të tregojë që je i sëmure, por është shumë e rrezikshme për jetën, sepse, në qoftë se çahet aorta nga zgjerimi, shkaktohet vdekje e menjëhershme. Pra, dua të dal tek fjalët e doktoreshe Çokut: “kishte jetuar me revole pas kokës!”

U zgjata pak për te treguar diagnozën e Ramazanit jo pa qëllim, sepse njeriu duhet të ketë informacion të saktë për llojin e sëmundjes së tij dhe kjo gjë në Shqipëri na ka munguar. Dua të them se doktoreshe Çoku, përveç përkujdesjes shëndetësore, gjente dhe kohën të na

sqaronte për çdo gjë rreth kësaj diagnoze. Nuk kam për ta harruar kujdesin e saj për pacientët, por mbi të gjitha dua të theksoj thjeshtësinë e saj. Mua më dukej sikur e njihja prej kohe këtë vajzë.

Te Lindita Çoku janë bashkuar të gjitha virtytet e shqiptarit: zgjuarsia , mirësia, thjeshtësia dhe dëlirësia.

Krenohemi me doktoreshe Çokun dhe i urojmë asaj suksese të mëtejshme në detyrën humane që ka marrë përsipër. Gjithë Shqipëria duhet të krenohet me dr. Çokun!”

FALEMINDERIT, DOKTORESHE !

Pacienti i tretë, Agim Dëshnica, më tha: “Gjatë jetës sime nuk kam pasur probleme me shëndetin. Vitin që shkoi, papritur, tek ecja rrugës, nuk u ndjeva mirë me frymëmarrjen. Natën nuk munda të flija nga një dhembje në krahëror. Sipas mendimit të kardiologut Hans Mejer dhe analizës kardiografike, duhej t’i nënshtrohesha një procesi të vështirë, operimit në zemër, zëvendësimit të tri venave të dala jashtë përdorimit ( me tre baj-pase.)

Para operimit, në dhomën e pritjes, pranë shtratit u shfaq një djalosh plot gjallëri. “ -Jam doktor Ara Ketchedijan, që do të drejtoj nesër operimin tuaj. Çdo gjë do të kaloje mirë. Flini i qetë” -më tha.

Fill pas tij, befas dëgjova një zë të këndshëm vajze. Fliste ne gjuhën e bukur shqipe. “- Jam doktoreshë Lindita Çoku, nga Tirana – më tha -Edhe unë tok me doktorin do të marr pjesë në operim… Mos u shqetëso nga operacioni, ki besim tek ne.”

Hodha sytë e pashë i gëzuar fytyrën e qeshur plot dritë të kirurges shqiptare. M’u duk aq e afërt, sa që natyrshëm iu drejtova me “ti” dhe me emrin Lindita. Në ato çaste m’u shfaq atdheu i largët.

Me sytë e mendjes pashë Tiranën e rinisë sime, të shkollës e të punës, me gëzime dhe halle. Duke dëgjuar Linditën tek fliste aq përzemërsisht, u mbusha me krenari për njerëzit tanë të talentuar që punojnë këtu në SHBA, falë edhe nivelit e kushteve aq të mira të mjekësisë amerikane.

Ditën e nesërme më mbartën për në sallën e operacionit. Nëpër korridoret më shoqëruan njerëzit e miqtë e mi të dashur. U ndava me ta me besimin tek Zoti për të mbijetuar e tek aftësia e njohur e kirurgëve amerikanë. Ndërsa prisja në një dhomë të gjerë para sallës

së operimit, m’u afrua e më foli disa herë Lindita jonë e shkathët.

Ashtu, i shtrire, ndiqja me vëmendje përqendrimin e saj mbi një tavolinë pune. Pas pak kohësh u afrua e nisi të punonte për mua doktori anestezist, një djalë i fuqishëm e i gjallë në prani të disa mjekëve të tjerë. Në mbarim dëgjova tek e përgëzuan: “gud xhob!” Pastaj nuk mora vesh se ç’ndodhi…

Papritur dëgjova shqipen e bukur: -”Mirëmëngjes, Agim!”- Ishte zëri i gëzuar i Linditës. Pranë saj pashë gruan e birin tim të dashur.

Doktoresha vijoi: “- Operacioni mbaroi me sukses. Sikur ta dinit se sa me lehtësi më punuan mendja dhe duart. Nuk ndjeva asnjë lodhje gjatë gjithë kohës së punës.”

Tek e sodisja dhe e dëgjoja, e kisha të vështirë të flisja. Nuk gjeja fjalët e duhura për të shprehur admirimin e thellë ndaj saj. U përpoqa e krijova diçka të afërt me poezinë e emrave tona:

– Pas agimit, “lind dita” e shkëlqyer.

Faleminderit, doktoreshë! Je një kirurge shqiptaro-amerikane me duar të arta!

Nuk do ta harroj kurrë edhe fytyrën e lumtur të doktor Ketchedijanit për suksesin e arritur, ndërsa vinte pranë meje ashtu si Lindita për të parë ecurinë e shërimit.”

Ata janë tre pacientët e saj. Ajo “ua hapi zemrat” e tyre dhe ata e

falënderojnë sot me “zemër të hapur!”

Boston, maj 2009

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: dhe pacientet e saj shqiptar, me dr Lindita Coku, Rozi Theohari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT