• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nëpunës apo Nënpunës? Cila është trajta e saktë e kësaj fjale dhe pse?

August 13, 2024 by s p

Sevi (Lami) Agolli/

Duke qenë se merrem çdo ditë me gjuhën shqipe dhe duke qenë se kjo fushë është pasioni im, shumë miq, ish-kolegë, bashkëpunëtorë, të njohur etj., më shkruajnë dhe kontaktojnë për çështje ose dilema gjuhësore që hasin gjatë punës ose ditës së tyre. Madje një ditë, në një zyrë që merret me çështje financiare, debati konstruktiv gjuhësor kishte arritur deri aty, sa kolegët e asaj zyre ishin ndarë në dy grupe rreth përdorimit të fjalës “Nëpunës” apo “Nënpunës”. Debati kishin arritur deri aty, sa i kishin shpallur sfidë njëri-tjetrit për trajtën që kishin zgjedhur. Njëri grup këmbëngulte për trajtën jonormative “nënpunës”, me arsyetimin se ashtu e kishin dëgjuar dhe përdorur gjithmonë, dhe grupi tjetër, që kishte bërë pak kërkime në fjalorë, këmbëngulte në trajtën normative, pra të saktë, “nëpunës”, por që në jetën e përditshme e kishin dëgjuar dhe hasur shumë rrallë në këtë trajtë. Duke e hasur rrallë ose aspak trajtën e saktë, kjo sjell dilema rreth përdorimit të saktë të saj.

Si përfundim, dilemat në këtë rast i shuan vetëm një profesionist gjuhe, i cili mund të të shpjegojë pse shkruhet apo është kështu. Mikja ime, që ishte pjesë e kësaj zyre, për të shuar kureshtjen dhe për të zgjidhur dilemën më merr në telefon dhe më pyet për trajtën e saktë të kësaj fjale. Pa e ditur situatën që kishte krijuar mes tyre kjo dilemë gjuhësore, shqiptoj variantin e saktë. Nuk arrita as ta nis shpjegimin pse kjo trajtë është e saktë, sepse nga ana tjetër e telefonit dëgjova brohorimat e grupit fitues. Mikesha ime që më telefonoi, më shpjegoi se kishin debatuar shumë për këtë fjalë, sa e kishin kthyer në sfidë nëpërmjet tyre. Ajo që më gëzoi ishte fakti, se sot ka më shumë shqipfolës të ndërgjegjësuar për ta shkruar bukur dhe saktë gjuhën shqipe dhe ajo që më trishtoi, ishte fakti se shumë trajta të gabuara nga përdorimi i madh dhe i gjatë i tyre, thuajse kanë zëvendësuar trajtat e sakta normative të gjuhës shqipe.

Po pse nëpunës dhe jo nënpunës, – më pyeste një mikja ime, që siç duket ishte në grupin e humbjes së sfidës, – kur kemi “nënkalim”, “nëntokë”, “nënkryetar”, “nëndrejtor”, “nënpresident”,“nënprodukt”, “nënprefekt” etj., kurse këtë fjalë e shkruajmë “nëpunës”?

Pyetja e saj ishte e drejtë, ndaj gjykova si të dobishëm shpjegimin e saj edhe për shumë shqipfolës të tjerë, që mund të kenë këtë hamendësim.

Edhe mua gjatë punës sime më ka ndodhur shpesh, që këtë fjalë ta has në të dyja trajtat: “nënpunës” dhe “nëpunës”. Me të drejtë, shumë prej nesh mund të ngrenë pyetjen pse trajta normative e kësaj fjale është “nëpunës” dhe jo “nënpunës”, kur kjo fjalë, ashtu si fjalët e tjera më lart formohet me parashtesën prodhimtare të gjuhës shqipe “nën” dhe emrin “punë”. Këtu qëndron edhe gabimi ynë me këtë fjalë, sepse duhet parë si është formuar kjo fjalë. Kjo fjalë shkruhet kështu, për shkak të prejardhjes së saj. Ajo formohet me përngjitje dhe prapashtesim njëkohësisht: “në+punë+ës”, dhe jo me anë të parashtesës “nën” plus emrin “punë”, siç formohen fjalët: nënprodukt, nënpresident, nënkalim, nëntokë, nënkryetar, nëndrejtor etj. Ne përdorim trajtën e gabuar “nënpunës” për analogji me këto fjalë, që formohen me parashtesën “nën”. Në rastin e emrit “nëpunës”, kjo fjalë është formuar nga përngjitja prej përdorimit të dendur të fjalëve “në” + “punë”, si shkoj në punë, ku parafjala “në” është përngjitur me emrin “punë” nga përdorimi i dendur prej shumë kohësh, duke marrë edhe prapashtesën “s” e duke formuar kështu emrin e prejardhur: nëpunës.

Filed Under: Sociale

“Nënë Tereza”, atje ku “dashuria” merr kuptim, ja si ia refuzoi regjimi socialist bamirësinë

August 9, 2024 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/New York/

Në vitet ‘90, gjatë periudhës së tranzicionit, kur perdja e “hekurt” e regjimit komunist kishte rënë dhe kur shoqëria shqiptare u largua nga tiparet e një shoqërie etnocentrike duke përqafuar të renë dhe ndryshimin, u krijua një imazh i errët famëkeq për shqiptarët në përgjithësi, të cilët u shpërndanë kudo nëpër botë për një jetë më të mirë. Të shtypur nga forca e injorancës dhe përballë skamjes, shqyhen “kangjellat” si triumf i lirisë, duke u dyndur në çdo kënd të globit, në kërkim të ushqimit dhe shkollimit të fëmijëve të tyre. Paragjykimi negativ për Shqipërinë dhe shqiptarët shumë shpejt ra poshtë, pasi ata i treguan Europës dhe më gjerë, se janë punëtorë të palodhur; ndërtuan shtëpi, sipërmarrje, dhe arsimuan fëmijët në shkollat më të mira, duke dalë të parët. Pavarësisht situatave dhe ngjarjeve, karakteri i njeriut, i mirë apo i keq, i fortë apo i dobët, shtypës apo i hapur, do të dalë gjithmonë në pah. Pra, ne, sot, mburremi me këto virtyte; por dua të theksoj se, ajo që na ka ngritur akoma edhe më shumë në piedestal si komb, na ka hapur rrugën duke na përfaqësuar kudo me shumë krenari, është emri i madh, simbol i mirësisë, dashurisë, paqes dhe dhimbjes, “Nënë Tereza”.

Shqiptarja e madhe, “Nënë Tereza”, nëna e gjithë botës, u vetsakrifikua në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve të Kalkutës, duke iu zgjatur dorën e ngrohtë dhe duke i afruar në prehrin e saj, si strehë e sigurt e dashurisë. Nën emrin e saj, “Tereza e Madhe”, është gdhendur bukur mirësia, dëlirësia, dhembshuria, atje ku dielli lind dhe nuk perëndon kurrë, atje ku fjala “dashuri” merr kuptim, e cila buron nga një shpirt i pastër dhe i çiltër. Dashuria e saj i kaloi të gjithë kufijtë, këputi çdo pengesë, hodhi poshtë çdo mendim negativ, të pamundurën e bëri të mundur, i dha Shqipërisë imazhin e kujdesit dhe respektit ndaj tjetrit pavarësisht nivelit shoqëror, nxori në pah ndjenjën e altruizmit, dhembshurisë, duke hedhur poshtë kështu stereotipin se shqiptarët janë njerëz të egër dhe të dhunshëm.

“Shenjtorja e Madhe” na i la trashëgimi të duam njëri-tjetrin, t’u gjendemi pranë të dashurve tanë, por edhe atyre më në nevojë, pasi dashuria është pasuria më e madhe e shpirtit, që e bën njeriun të ndihet plot brenda vetes. Dashuria është lumturia më e madhe e njeriut; të ndihmosh po ashtu të varfrit dhe të sëmurët, njeriu e merr mbrapsht dyfish lumturinë. “Nënë Tereza” për dashurinë thotë: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri. Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”. “Nënë Tereza” është arkitektja e dashurisë dhe dhembshurisë, e cila ngriti themele të forta në mbarë botën për humanizmin, përkushtimin, shërbimin ndaj më të dobtëve, të sëmurëve; ajo na mësoi se dashuria nuk ka kufij, as racë dhe as ngjyrë, por ta japim atë pa kursim, duke e bërë botën më të bukur, plot shpresë dhe begati. Nëse bota do të ishte e mbushur plot me “Nënë Tereza”, nuk do të njihnim luftën, dëshirën për territore e pushtet, nuk do të njihnim manovrat për të përfituar në kurriz të tjetrit, vjedhjen, vëllavrasjen, dukjen kush ka më shumë se tjetri; bota do të ishte ngritur mbi një parajsë plot me lule, ku aroma e tyre do të shpërndante kudo dashurinë, dhembshurinë, shpresën, ndërsa varfëria dhe urrejtja nuk do të ekzistonte.

“Nënë Tereza”, kjo katolike e devotshme, vlerësohet dhe njihet për bamirësitë e mëdha për njerëzit e varfër dhe komunitetet në nevojë, ku në çdo vepër nuk harroi të vinte dashurinë, shpirtin e saj. Ajo kurrë nuk i braktisi të varfërit, fëmijët e gjorë të Kalkutës, por shërbeu si një dritë e pashuar mbi ta, kur shumë vendeve të zhvilluara të globit, ndoshta as që iu binte ndër mend. Ishte kjo shqiptare e madhe që u qëndroi pranë, i përkëdheli me dorën e saj të butë, si një nënë e vërtetë, edhe frymën e fundit ua dedikoi familjeve në nevojë, të varfërve, të sëmurëve. Zoti e zbriti në tokë, duke ia falur të gjitha virtytet e një nëne të dhimbsur, me zemër të madhe, për t’u kujdesur dhe për të afruar në strofullën e saj, më të vobektit, ata të cilët kanë nevojë më shumë se askush tjetër. Misioni i “Nënë Terezës”, për të mbajtur ndezur pishtarin e dashurisë, përkujdesjen, ndihmën humanitare për të varfrit, vazhdon ende të qëndrojë i palëkundur nëpërmjet motrave të saj katolike. 

Kur e gjithë bota e donte dhe e vlerësonte “Nënë Terezën”, fatkeqësisht, regjimi komunist e ka sulmuar dhe nuk e ka pranuar të hynte në Shqipëri. Një dokument që mban vulën e Autoritetit të Informimit të Dosjeve të Komunizmit, dëshmon për “𝑉𝑖𝑧𝑖𝑡𝑒̈𝑛 𝑒 𝑝𝑎𝑟𝑒̈ të 𝑁𝑒̈𝑛𝑒̈ 𝑇𝑒𝑟𝑒𝑧𝑒̈𝑠 𝑛𝑒̈ 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖, 𝑔𝑢𝑠ℎ𝑡 1989”, pas disa refuzimesh për dhënie vize hyrjeje në Shqipëri, pasi regjimi i Enver Hoxhës u kishte shpallur luftë dhe nuk lejonte besimet fetare në vend. Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989. “Nënë Tereza” shoqërohej nga prodhuesja e kinematografisë, Jeanette Petrie, me origjinë nga Kanadaja, banuese në New York. 

Ajo që duhet vënë në dukje me keqardhje për mentalitetin e kohës është se, ndërsa “Nënë Tereza”, gjatë misionit të saj si bamirëse hapi shtëpi misioni në vendet e kampit socialist duke përfshirë Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, një shtëpie bamirëse në Shqipëri u refuzua me argumentin se këtë mision e kryenin falas strukturat shtetërore të arsimit dhe përkujdesjes në Shqipëri. Kur e gjithë bota e vlerësonte shenjtoren shqiptare dhe i dha një imazh kaq pozitiv vendit tonë, është kaq e turpshme se si regjimi i Enver Hoxhës nuk e pranonte, madje ajo nuk arriti të vizitonte as nënën e saj të sëmurë, e cila u nda nga jeta me një breng të madhe. Që në vitin 1967, Enver Hoxha mori nismën për mbylljen e objekteve të kultit  dhe ndalimin e besimeve fetare, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e parë ateist në botë. “Nënë Tereza” nuk erdhi për të propaganduar besimin e saj, por për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve. Ajo erdhi të rrezantonte mirësinë e saj në një vend ku vetëm e kishin refuzuar, erdhi t’u jepte zemrën e saj vëllezërve të një gjaku, t’i nxirrte sadopak nga ai mjerim ekonomik dhe kulturor.  Si është e mundur që në ditët e sotme ka shumë individë që e duan dhe e vlerësojnë atë regjim, i cili kreu makabritete dhe e la vendin shumë mbrapa?! Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri e filluan aktivitetin e tyre në mars 199,1 në Tiranë e në Shkodër.

Vizita e “Nënë Terezës” në Shqipëri, në vendin ku ishte ndaluar besimi fetar, është komentuar mes diplomatëve të vendeve rezidentë në Shqipëri. Komentet e shprehura të diplomatëve do t’i paraqiteshin Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, nga Ministria e Punëve të Brendshme, në 18 gusht të vitit 1989. Në tërësi të qëndrimeve, rezulton një qasje dualiste mes tyre. Diplomati çek ishte shprehur se opinioni i përgjithshëm për vizitën e Nënë Terezës dukej i mirë, u prit nga personalitetet shqiptare dhe se ardhja e saj ishte e nevojshme. Ai vijonte të dëshmonte se ajo kishte një popullaritet të madh në botë, sepse kishte punuar shumë për shërbimin njerëzor dhe, fakti që ajo kishte jetuar në sistemin kapitalist, mbase kishte ndikuar në ndjekjen e kësaj rruge. Gjithashtu, përmendej në fjalët e tij vizita e Nënë Terezës në New York, takimi me figura si Regani, Papa, apo shërbimi në vende të ndryshme që kishte kryer, së fundmi në Bejrut. Ambasadori vietnamez do të ndalej te filmi i transmetuar në Pallatin e Kongreseve mbi jetën e Nënë Terezës. Ideja e tij e vendoste theksin tek aspekti fetar, pritja e nënës katolike me origjinë shqiptare në vendin kur dikur ishte i ndaluar besimi fetar. Sipas tij, në Shqipëri nuk ekzistonte zyrtarisht besimi fetar, por brenda familjeve ai nuk mund të ndalohej. Ende njerëzit i ruanin zakonet e tyre. Por në përgjigje, diplomati çek do të sillte një pikëpamje tjetër të dokumentarit mbi Nënë Terezën, ku sipas tij në të shfaqej interesi propagandistik për Shqipërinë, në momentin që shpalosej vështirësia ekonomike në të cilat jetonte shoqëria shqiptare, duke krahasuar se problematika shoqërore të tilla viheshin re edhe në Perëndim. Për atë, filmi mbi Nënë Terezën dhe ardhja e saj nuk ndikonte në qëllimet socialiste, sepse populli ishte ateist dhe nuk kishte njohuri nga pikëpamja fetare. “Nënë Tereza” do të mbetet në histori krenaria e Shqipërisë, kujtimi më i bukur që do të përcillet te brezat, shembulli më i mirë i dashurisë dhe përkujdesjes për tjetrin.

Filed Under: Sociale

Daut Efendi Boriçi (1825-1896): personalitet i shquar i arsimit dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare

July 31, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Daut Efendi Boriçi është një personalitet i njohur për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe administratën osmane në fund të shekullit XIX. Pas përfundimit të arsimit fillor në qytetin e Shkodrës, ai u diplomua në medresenë e Stambollit dhe më pas u regjistrua në shkollën e lartë që përgatiste mësues të ciklit të ndërmjetëm (“Dârülmuallimîn-i Rüşdi”). Pas mbarimit të saj ai u kthye në qytetin e lindjes si kryemësues. Gjatë kësaj periudhe, ai hartoi një abetare shqip me gërma arabe dhe bëri përpjekje që gjuha shqipe të vendosej në programet e këtyre shkollave.

Mbi veprimtarinë pedagogjiko-arsimore dhe rolin e Daut Efendi Boriçit në shkollën ryshdije të Shkodrës, drejtori i Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj në Perandorinë Osmane, me qendër në Stamboll, Aleksandër Thomson shkruan se gjatë vizitës së tij në vitin 1867 shkolla në fjalë mbante ende reputacionin e saj. “Daut Efendi, pedagogu, ishte ende atje, po aq energjik sa më parë dhe pjesmarrja ishte arritur aq shumë saqë ndërtesa që ishte më parë ishte lënë për degën e ciklit të ulët, ndërkohë që Daut Efendiu me nxënësit më të mëdhenj ishin zhvendosur në salla më komode në një godinë bashkangjitur. Dr.Koelle dhe unë u kënaqëm shumë që patëm mundësi të vizitonim këtë shkollë, sepse Daut Efendiu ishte një njeri i arsimuar dhe me karakter entuziast e energjik, dhe dukej qartë se kishte fituar ndjenjat e dashura të nxënësve të tij, dhe i kishte frymëzuar me një pjesë jo të vogël të zellit të vet. Kjo në vetvete ishte një pamje e pëlqyeshme, dhe megjithëse ajo u dobësua deri diku nga mendimi që karakteri i cili formohej në këtë shkollë do të ishte i ngarkuar me nocione dhe ndjenja islame mjaft të forta, prapë dukej në përgjithësi më mirë që popullit t`i mësoheshin elementet e diturisë, si p.sh. këndimi, shkrimi, gramatika, gjeografia, etj., edhe nën një mbikqyrje jo të favorshme, sesa të lihej fare pas dore. Daut Efendiu na priti me përzemërsi të madhe, dhe mund t`i bënim komplimentin më se të ndershëm që ai ndodhej në krye të shkollës islame më të begatshme që kishim parë gjëkundi në Turqi”.

Daut Efendi Boriçi shërbeu si inspektor i përgjithshëm i arsimit në Shkodër dhe me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe si kryetar i saj në këtë qytet. Për shkak të angazhimit të tij në përpjekjet dhe betejat që dega e Shkodrës dha për mbrojtjen e territoreve shqiptare, në vitin 1880 ai u transferua në Stamboll. Në vitin shkollor 1882-1883 ai i propozoi Ministrisë së Arsimit një projekt për vendosjen e gjuhës shqipe në shkollat osmane kudo ku kishte shqiptarë. Ndërsa në vitin 1888 ai u ngarkua me detyrën e drejtorit të arsimit për vilajetin e Shkodrës. Gjatë gjith jetës ai u përpoq për zgjerimin e rrjetit arsimor, emancipimin kulturorë dhe kombëtarë të popullit shqiptar.

Filed Under: Sociale

Pickimi i mushkonjave, mbrojtja më e efektshme nga kruarjet dhe irritimet e lëkurës në stinën e verës

July 24, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Sezoni i këtyre insekteve fluturuese është në fazën e vet intensive që do të thotë se tek shumë prej nesh vërehen tashmë vendet e pickuara prej tyre. Mjeket japin rekomandimet e tyre per mbrojtjen me te mire nga mushkonjat gjate stines se veres. Pickimi i mushkonjës shkakton kruarje të lëkurës sepse këto insekte lënë pas një sasi të vogël të pështymës që shkakton inflamacion në vendin e pickuar dhe si rezultat aktivizon përgjigjen e sistemit tonë imunitar.

Si të zgjidhni kremin më të mirë mbrojtës nga mushkonjat?

Ka një shprehje të vjetër angleze që thotë se mushkonjat janë njësoj si njerëzit e shtëpisë – janë boll të bezdizshëm por kanë gjakun tonë. Mushkonjat femër kanë në pjesën e aparatiti të gojës një si sondë me anë të së cilës shpojnë lëkurën, thithin gjaun dhe lëshojnë sekrecionin që mund të shkaktojë skuqje, fryrje dhe irritim. Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njofton se këtu qëndron edhe rreziku i infektimit me parazitë si malaria dhe viruse të tilla si denge, Nili perëndimor dhe Zika. Qendra rekomandon kremra që kanë përbërës aktiv: DEET, IR3535, Picaridin, ose vaj limoni të eukaliptit, të cilat gjenden në listën e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit (EPA).

Hidrokortizoni mund të zvogëlojë inflaminimin dhe kruajtjen por mjekët thonë se fëmijët, gratë shtatzëna ose persona me infeksione të lëkurës duhet të kenë kujdes të posacëm ndaj tyre. Në përgjithësi, kremrat hidrokortizone duhet të përdoren vetëm për periudhave të shkurtra, ose me rekomandim të mjekut.

Për të ndierë lehtësim të shpejtë, mund të vendosni akull në vendin e pickuar sepse temperaturat e ftohta ngadalësojnë shkallën e inflamacionit. Rekomandahohet që akulli mos vendoset direkt në lëkurë, por së pari në një pako plastike ose pëlhurë të hollë.

Një nga efektet e aloe verës është trajtimi i lëkurës së acaruar ose inflamacioni nga pickimet e mushkonjave. Sipas rekomandimeve, pjesa e tulit ose xheli i saj aplikohet në zonën e acaruar. Nga “ilacet popullore”, mjalti konsiderohet si një ‘ndihmë e shpejtë’ për të lehtësuar irritiminnga pickimi i mushkonjave sepse mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit.

Pickimi i mushkonjave mund të shkaktoj rreziqe jo vetëm në lëkurë por dhe për organizmin

Nëse shqetësimet nga pickimi i mushkonjave zgjasin më shumë se një javë ose vërehen shenja të infeksionit apo reaksione alergjike duhet kërkuar kujdes i menjëhershëm mjekësor. Në rast se shfaqen probleme të frymëmarrjes, enjtje në zonën e pickuar, të përziera, të vjella apo marrje mendsh duhet të drejtoheni patjetër tek mjeku.

A mund ta parandalojmë pickimin nga mushkonjat?

Ndonëse shmangia është e vështirë, një nga mënyrat më të thjeshta të mbrojtjes nga pickimet e insekteve është mbulimi i lëkurës se ekspozuar sa më shumë që të jetë e mundur, vecanerisht oret e agimit dhe muzgut jane koha me aktive e tyre, spërkatja me esencë limoni e dyerve dhe dritareve, përdorimi i rrjetave kundër mushkonjave gjatë natës, si dhe mbajtja thatë e vendeve sepse mushkonjat shumohen me shpejtësi ne ujra të ndenjura.

Filed Under: Sociale

Libri, ushqim a helmim?

July 23, 2024 by s p

Irida Xhura/

Libri është një mik i mirë që mund të të edukojë e udhëzojë, por mund të bëjë edhe të kundërtën! Jemi mësuar t’i qasemi librit duke e vlerësuar atë dhe duke gjykuar se do të na ndriçojë pjesë të mendjes e të shpirtit tonë, do të na bëjë të njohim vetveten e të tjerët. Libri artistik është një mënyrë e shkëlqyer për të kaluar edhe kohën e lirë, ndaj tani është stina ideale për lexime, por çfarë po zgjedhin të rinjtë? Si përzgjidhen librat në raftet e librarive?

Në mesin e jetës vanitoze, pakkush shkruan kritikë e pakkush e lexon kritikën, ndaj në mungesë të saj e të filtrit profesional, lexuesi shkon verbazi drejt zgjedhjeve të leximit. Dendur zgjidhet ai libër që qarkullon më shumë në rrjet, që qarkullon mes adoleshentësh, ai që në kopertinë ka vulën “bestseller”, që do të thotë më i shituri, a thua se kjo vulë jep konfimimin se libri që ke në duar është ushqim i kontrolluar për trurin e mund ta gëlltisësh pa frikë. Kështu, këto libra të shumëshitur e të shumëlexuar, zënë hapësirë në bibliotekat e në mendjet e lexuesit të pakualifikuar, përcaktim ky që u referohet atyre lexuesve, të cilët nuk kanë formim shkencor mbi letërsinë. Ata janë më të brishtët, kur vjen puna te zgjedhja e librave. Veçanërisht dua të ndalem tek adoleshentët. Jo se nuk ka të rritur, të cilët futen te grupi i lexuesve të pakualifikuar, por shqetësimi im i referohet kësaj grupmoshe, që është në kohën e ndërtimit të personalitetit, të formimit intelektual e shpirtëror, është në një çast kritik për të njohur veten e botën përreth. E ne të rriturit veçanërisht ngulmojmë se libri është një rrugë e ndritshme dhe e sigurt për to, mirëpo në tregun tejmbushur me “bestseller” adoleshentët po “helmohen” nga vula e shitjeve. 

Rëndom shoh 15-vjeçarë që lexojnë me etje mangat, histori të shkurtra, të thjeshta, të zbrazëta ose  autorë si Collen Hoover, Holly Jackson, Holly Black, Lucy Score etj. E di që shumë prej jush në këto çaste po pyesin veten nëse i kanë dëgjuar ndonjëherë. Njësoj edhe unë, derisa mora në duar të lexoja disa pasazhe për të kuptuar më shumë se pse adoleshentët zhyten në këto libra. 

Nuk qe fort e vështirë për ta zbërthyer enigmën, sepse faqet ishin të mbushura me përshkrime të zhveshura, të rëndomta, të pashije të aktit seksual ose me histori të frikshme e të përgjakshme vrasjesh, rrëmbimesh e aktesh të tjera makabre, çnjerëzore. Personazhe të vendosura në histori absurde dashurie, në marrëdhënie varësie, të abuzuar dhe të ngecur në kurthe që i çojnë drejt degradimit.

Është e kuptueshme se adoleshentët duan të zbulojnë botë të panjohura, është e kuptueshme edhe se dashuria, përfshirë edhe erotikën ka qenë kahera e do të vazhdojë të jetë, një “substancë” e pëlqyeshme në letërsi, mirëpo kur kjo vjen e rëndomtë e pa artistiken, humbet çdo vlerë. Ajo krijon vizione të gabuara, të pashëndetshme si dhe ofron keqedukim. 

Këto libra, të cilët nuk paraqesin as teknika rrëfimi, as kompozicioni, as përshkrimi, as larmi leksiku, as kurrfarë mesazhi, janë si një dozë adrenaline. Ato ndezin një lumturi akute, një imagjinatë absurde, ireale, e cila depërton për t’u brendësuar dhe për të fomësuar lexuesin. Por të dashur lexues, teksti nuk mund të jetë vetëm një objekt, një imazh, një sekuencë tingujsh, një rreshtim shkronjash a fjalësh. Objekti si lëndë nuk është ende tekst, por duhet krijuar si i tillë dhe jeni ju lexuesit që e krijoni atë. Do të citoj këtu Umberto Econ, sipas të cilit teksti është një “makinë dembele”, e cila arrin të aktivizohet plotësisht vetëm falë kooperimit të lexuesit. Ky i fundit e interpreton tekstin, mbush hapësirat e bardha. 

Kështu pra, teksti nuk e modelon lexuesin vetëm nga njohja, por provokon tek ai një seri gjendjesh emocionale e pasionale. Kuptimi i një teksti rrjedh nga raporti komunikues që realizon me lexuesin, i cili mund të arrijë një thellësi më të vogël a më të madhe në krahasim me nivelet e ndryshme të tekstit. 

Ti lexues je duke ndërvepruar me romanin që po lexon edhe pa vetëdije, ai po lë tek ti një ide a një mendim, ndaj të lexuarit mund të jetë një “ushqim” a një “helmim”. Cili lloj lexuesi do të jesh ti? Nëse shkrimi i një romani të madh shpesh është krahasuar me ndërtimin e një katedraleje, mund të themi se leximi e rihap këtë kantier të stërmadh.  Ti mund të ndjekësh thjesht dramën dhe si turist, të mjaftohesh me “filmimin” e asaj që sheh, duke e shtyrë për më vonë shqyrtimin me të kujdesshëm të pamjeve që ke marrë. Por të lexosh me kujdes një roman është krejt tjetër gjë: do të thotë të zbulosh, të ripërshkosh etapat e një rrugëtimi ndërtues dhe të kuptosh marrëdhnëniet mes pjesëve në tërësinë komplekse të veprës. 

Për të mbërritur këtu duhet të lexosh autorë dhe vepra që kanë dëshmuar të jenë të tejkohshëm. Lexoni klasikët për t’u njohur me letërsinë e vërtetë, atë letërsi që pavarësisht rrokullisjes nëpër shekuj, mbetet aktuale dhe me vlerë. (Në rrjet gjeni lehtësisht 100 autorët më të mirë klasikë dhe titujt e veprave të tyre.) Me ta mësuar veten me to, do ta ndieni se shumë autorë, me të cilët keni humbur kohë, pas 10 e kusur vjetësh do të jenë zhdukur nga qarkullimi. Në fillim mund të hasni vështirësi për shkak se ritmi i leximit do të jetë më i ngadaltë, gjuha më e larmishme do të kërkojë më shumë përqendrim e hulumtim, por kjo do t’ju stërvisë edhe për detyra madhore në të ardhmen.

Nuk mjafton të lexosh, duhet të dish çfarë të lexosh! Asnjëherë mos e nënvlerësoni rëndësinë dhe ndikimin e librave në atë që ju mendoni, ndieni e veproni. Investoni te vetja duke lexuar në mënyrë të orientuar, këshillohuni me profesionistë të fushës, me mësuesit ose me prindërit tuaj. Qëndroni në zonën e sigurisë duke lexuar si fillim klasikët, e më pas do të ndieni të jetë ndërtuar në mendjen tuaj themeli për të lexuar shkrimtarë modernë e postmodernë. Lexoni jo për ta vrarë kohën, por për ta fituar atë.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT