• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gratë nuk janë skllavet e obskurantizmit

December 14, 2023 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Si në Shqipëri dhe në Kosovë, po ndodhin ngjarje tepër të rënda jo vetëm ndaj viktimës, por gjithë shoqërisë. Siç ndodhi afro dy javë më parë në Kosovë, kur bashkëshorti i merr jetën gruas së tij, Liridonës, nënës së fëmijëve të tij të mitur. Policia e ndaloi e arrestoi… Shpresojmë që gjykata t’i japë dënimin kapital. Them këtë pasi në protestat që u mbajtën në Prishtinë ndaj krimit monstruoz, në disa pankarta shkruhej “Policia e arreston, gjykata e liron”. Një rast të tillë kam dëgjuar edhe në Shqipëri, kur një futbollist i hyn në banesë ish gruas dhe e dhunon për vdekje.

E dhunon, e godet dhe del i paqmë me një dënim të lehtë nga gjykata. Tragjedia vazhdon. Ai nxjerr dëshmitarë shokët e tij, që justifikojnë kriminelin sikur të jetë njeri i qetë, miqësor, i dashur i rregullt me gruan, fëmijët, apo fakte të tjera lehtësuese. Edhe në punë para gjykatës e prezantojnë si një xhentëlmen të vërtetë. Ndërkohë që ata jo vetëm nuk kishin jetuar në të njejtën çati me të, por nuk kishin dijeni se sa i dhunshëm ishte ai ndaj gruas së tij, ose kishin dëgjuar, por e mbronin padrejtësisht për “interesat” e tyre. Krimineli edhe pse realizoi krimin që kishte në mendje, j’u dhimbs koka e tij dhe “justifikohej” që të dilte i pafajshëm! Por pasojat, problemet e dhimbjet e plagëve në trup i përjeton viktima pa faj, fëmijët dhe aspak autori i krimit.

Policia e ndaloi futbollistin, ndërsa gjykata e dënoi me gjashtë muaj burg. Ligjet dhe vendimet gjyqësore atje duhet të forcohen, të jenë më të ashpra, të forta ashtu siç është edhe dora e kriminelit, që godet, vret padrejtësisht një femër, një nënë, një grua të pambrojtur.

Në këtë rast apo dhunës ndaj grave mund të përdorim termin “femicidet”. Sipas materaleve të ndryshme shikojmë se ky term daton qysh në vitin 1801, kur është përdorur për herë të parë në botimin britanik me titull “Një këndvështrim satirik i Londrës në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë” për t’iu referuar vrasjes së një gruaje. Kontributin më të madh në përkufzimin e femicidit dhe në kuptimin që ka marrë ky term sot e ka dhënë Diana Russell në vitin 1976, e cila e përkufizoi femicidin si vrasjen e një gruaje nga një burrë për shkak të gjinisë së saj.

Gratë janë burimi i jetës, janë rrënjët që ushqejnë njerëzimin. Megjithëse jetojmë në shekullin XXI përsëri ka burra në Shqipëri e në Kosovë nga patriarkalizmi i tyre i njësojnë gratë si skllave të kohës së obskurantizmit. Ndërsa Viktor Hygoi ka thënë: “Gruaja na robëron jo vetëm me bukurinë e saj fizike, por edhe me zgjuarsinë e shpirtin e saj”.

Shpresojmë që vrasësit e Liridonës të marrin dënimin kapital.

Filed Under: Sociale

“Shqetësimet e fëmijëve tanë”

December 7, 2023 by s p

Fran Gjoka/

Është thënë vazhdimisht dhe gjithnjë do thuhet se “Fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit”. Kjo nuk është formale, por një e vërtetë e padiskutueshme, të cilën e pranojmë të gjithë. Ndaj për fëmijët shoqëria njerëzore është përherë më e ndjeshme, sikurse dhe institucionet e saj, veçanërisht ato të arsimit, kulturës, shkencës apo dhe fushave të tjera që kanë prioritet të vazhdueshëm ndaj fëmijëve dhe edukimit, pajisjes së tyre me njohur të gjëra dhe të sakta sociale, shkencore, kulturore, artistike, humane dhe të traditës, drejtime këto që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë rrugëtimit të jetës.

Jo thjesht për të shuar kureshtjen, por si një obligim për fëmijët, për të ardhmen e afërt dhe të largët të tyre, në këtë artikull do të veçnim idenë se, trinomi shkollë – familje – komunitet mbetet gjithnjë faktor primar dhe që kërkon vlerësim të vazhdueshëm për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më tej drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar po merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatit atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cene e dëmtime fizike e biologjike. Kjo është një garanci e madhe që fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë sesa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Kjo nuk do të thotë që të gjithë prindërit duhet doemos të jenë në kulmin e shkollimit, që të jen në krye të shkencave dhe zhvillimeve, sepse këto janë raste që nuk i gjen me bollëk, por në radhë të parë kërkohet që të jesh njeri dhe qytetar i denjë, që të transmetosh në jetë dhe në punë vlera njerëzore. Kjo varet nga gjithkush, nuk ka të bëj as me përgatitjen shkencore dhe sociale, por me qëndrimin njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe humane, por edhe me përpjekje për të celur përpara fëmijëve horizonte tëreja, të zgjojnë kureshtjen e tyre si dhe dëshira dhe vendosmëri për të ecur në jetë dhe për të dhënë secili ndihmesën e tij në këtë shoqëri ku ne jetojmë sot.

Koha kërkon që anëtarët e familjes të jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që, është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve që kanë përvojën e punës frytdhënëse e që garanton të ardhmen e sigurt të fëmijëve. Merr kjo përparësi kjo tani në kohën e pandemisë së COVID-19 kur, jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota është mbërthyer në një krizë të gjithanshme social-kulturore dhe ekonomike dhe përpiqet të gjejë rrugët më efektive dhe më jetësore që fëmijët, si edhe të rriturit, ta përballojnë suksesshëm këtë të keqe që i kanoset jetës së njerëzve. Natyrisht që në këtë periudhë janë krijuar edhe përvoja, madje edhe efektive në edukimin e fëmijëve, por, gjithësesi, ata janë dhe duhet të mbeten kurdoherë të veçantë dhe të trajtohen me përparësi nga familja, shoqëria, shteti dhe institucionet e tij të specializuara.

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur me shpejt ose më ngadalë fjala vjen nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Nëse nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar, u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike dhe sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre etj. Një prind i tillë harron se, më shumë sesa biznesi i madh që drejton, më shumë sesa ato para që ai depoziton dhe shtonë përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjek rrugën e drejtë të dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë në përvetësimin e dijeve.

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët t`i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të problemeve mësimore.

Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu , nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar , por nuk mësojnë “.Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë provuar se po të orientohen mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve , që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur.

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë edhe Ajnshtajnin që deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të ç rrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet ” Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre!”. Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen me edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara. Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta” Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.

Filed Under: Sociale

NGA DEBATI REPUBLIKAN- DEMOKRAT NË FOX NEWS

December 1, 2023 by s p

Në orën 9 të mbrëmjes të 30 Nëntorit 2023 në televizionin Fox News nga Alpharetta e Georgia-s, u transmetu debati republinan – demokrat, për efekt të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Ndryshe nga rastet e tjera, ky debat ishte një ballafaqim arritjesh, pikpamjesh, praktikash e opsionesh për të ardhmen, midis Kryetarit të Shtetit të Floridës Ron Desants (republikan dhe kandidat për President) dhe atij të Kalifornisë Gavin Newsom (demokrat).

Pyetja e parë ishte: Pse 750 mijë shtetas gjatë tri viteve të fundit kanë emigruar nga Kalifornia për në Florida? Desants u përgjigj se: Kalifornia ka taksa më të larta se Florida. Por edhe se në Florida siguria për jetën është më e mirë, punësimi po ashtu, ndihmesa për të papunët më e madhe dhe kriminaliteti më i ulët. Si kundër përgjigje demokrati Newsom shtoi se taksat janë më të larta vetëm për shtresën e pasur dhe kriminaliteti në tre qytete të vecanta të Floridës është më i madhe se San Francisko. Ai solli më shumë këndshikime politike se sa element praktik.

Ballafaqimi me të dhëna të tjera vazhdoi si më poshtë: papunësia në Florida 2.8% në Kaliforni 4.8%; në universitetet publike në Kaliforni mbështetja e studentëve është 12 mijë dollar në vit, kurse në Florida 16 mijë. Kriminaliteti për 100 mijë banorë në Kaliforni 499.5 në Florida 258.9. Vetëm për vitin 2019 rastet e përdorimit të paligjshëm të armëve në publik në Kaliforni 21 herë në Florida 9. Cmimi i benzinës 4.85$ në Kaliforni dhe 3,17$ në Florida. Familje të pa shtëpi në Kaliforni 172 mijë në Florida 26 mijë, persona të pa strehë (homeless) 44 për cdo 10 mijë veta në Kaliforni dhe 12 në Florida.

Debati u bë më i ashpër për ceshtjen e emigracionit, ku republikanët gjatë presidencës së Trump, patën sasi shumë më të vogël emigrantësh se demokratët nën presidencën Biden. Investimi i republikanëve për këtë problem ishte konkret dhe shumë më i madh se i administratës Biden. Në tri vitet e fundit kanë hyrë në SHBA mbi 8 milion të paligjshëm, ku vetëm kohët e fundit numurohen mbi 26 mijë kinez, 12 mijë rus dhe mijra të tjerë nga Afganistani, Siria, Iraku vendet lation amerikane etj. Nuk ka asnjë siguri se disa prej tyre mund të jenë kriminelë ordinerë ose dhe terrorista. Kjo e ka bërë jetën e qytetarëve amerikanë në këto momente, më të pa sigurtë se gjatë administratës republikane.

Kryetari i Shtetit të Floridas tha se në se ai zgjidhet President i SHBA-së në zgjedhjet e 2024-ës, jo vetëm që do ta vazhdojë bërjen e pritës përgjat kufirit me Meksikën, por do të marrë edhe masa të tjera shtesë për ta zgjidhur ceshtjen e emigracionit të paligjëshëm. Kurse Kryetari Kalifornisë tha se masat po shtohen dita ditës me mjete e aparatura elektronike nga administrate Biden.

Lidhur me protestat antisimitiste në SHBA e në shumë vende të botës , republikani deklsroi se ata janë mbi të gjitha dobësi e mungesë vizioni e administratës Biden. Kurse dempkrati tha se kjo është hapsirë demokratike.

Parë në tërësi mendoj se debati u moderu me shumë kujdes e me pa anëshmëri. Ai rroku problemet konkrete e parësore që shqetësojnë sot qytetarin amerikan. U ballafaquan arritjet dhe mangësitë në një shtet me drejtues republikan (Florida) dhe në një shtet me drejtues demokrat (Kalifornia), por në të vërtetë ishte një përballje politike midis Partisë Republikane dhe asaj Demokratike dhe ish administratës Trump e të sotmes Biden.

Ron Desants duke qenë akoma në garë si kandidat për president nuk e përmendi asnjëherë emrin e Donald Trump. Ai në të gjitha përgjigjet ishte praktik, i sakët, i drejtpërdrejtë dhe në tërësi e dominoi debatin me argumenta në pozicionin e një kandidati potencial .

Demokrati Gavin Newsom, ishte përgjithësisht elegant në përgjigje, por jo shumë konkret. Ai më shumë u përpoq të sillte në focus ideologjinë e së majtës duke nënvizuar se do të mbështeste përsëri Joe Biden e Kamala Harris për president e Zëvendës president në zgjedhjet e 2024-ës. Ndoshta kjo ishte edhe një lëvizje taktike nga ana e tij, duke e parë vehten si një lojtarë rezervë në stolin demokrat në se ndodh atje ndonjë “turbulencë” elektorale.

Ajo që ne shqiptarët, (në radhë të parë politikanët), lypset të mësojmë nga ky debat televiziv, është jo armiqësi por opozitaritet, jo propagandë por prakticitet, jo lajthitje e formulime amalgam por ide të qarta për këdo. Dhe më në fund doni taksa të ulta, administratë të vogël, siguri më të madhe, punësim , mirqenie apo doni të kundërtën. Mendohuni e zgjidhni.

ASLLAN BUSHATI

Filed Under: Sociale

Gazeta Dielli uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar ditën e Flamurit Kombëtar dhe 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

November 28, 2023 by s p

Gazeta Dielli uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar ditën e Flamurit Kombëtar dhe 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Lavdi, nderë dhe jetëgjatësi në shekuj të shekujve Flamurit e Kombit Shqiptar.

Filed Under: Sociale

Papa Kristo Negovani, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar

November 24, 2023 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Familja Harallambi lindi shkrimtar dhe klerik patriot

Kristo Harallambi (1875–1905), Mësues i Popullit, lëvrues i shqipes në kushtet e reaksionit anti-shqiptar, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar, prift ortodoks shqiptar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare i njohur me emrin Papa Kristo Negovani. Ka lindur në vitin 1875 në Negovan afër Follorinës në kohën e Perandorisë Osmane, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shek. XIX nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës. I ati Harallamb Çali, që ishte tregtar, shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë. Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë shkollën në Athinë, ku e dërgoi i ati dhe të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik në vitin 1891 dhe në Ballkamen në vitin 1892 për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Brëilë të Rumanisë ku krahas punës si marangoz zhvilloi dhe veprimtari patriotike. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në atdhe, ku iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, të cilën e kuptonte të lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në gjuhën amëtare. “Është e madhe nevojë, shkruante Kristo, të shtypenë vivlla, të shkruhenë Istoria Kombiare, të leçitet gjuha kudo; ata që dinë të këndojnë shqip, të stërvitin e të mësojnë të paditurit jo vetëm në shkolla, por edhe nëpër shtëpitë…gjer sa të vijë koha që të këndonjetë liruar gjuha janë”. Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shkolla e hapur në shtëpinë e tij, brenda një kohe të shkurtër u rrit dhe u bë një vatër e edukimit patriotik për nxënësit fshatarë të Negovanit e Ballkamenit. Në Negovan në shkollë u mësoi shkrim e lexim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Me interesimin e tiju dërguan vajzat e para fshatare në shkollën shqipe të Vashave në Korçë. Ai meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke. Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar këndon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”.

Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre i errët sterrë, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin, si dhe katër veprimtarë të tjerë, veprimtarë të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarit Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Mitropolitia e Korçës vrasjen mizore të andartëve ua përshkruan komitëve shqiptarë. Në vit në pas martirizimit të Papa Kristos, vëllait të tij dhe pesë shqiptarëve të tjerë ortodoksë, atdhetari dhe luftëtari i lirisë, Bajo Topulli likuidoi djallin e Mitrpolitisë së Korçë, at Fotisin, i cili kishte çkrishëruar Papa Kriston dhe kishte yshtuar andartët grekë të masakronin atë.

Autor në prozë, poezie, tekste shkollore, përkthime e përralla

Prodhimtaria e tij letrare në pjesën më të madhe ka karakter didaskalik dhe i përket fondit të letërsisë sonë për fëmijë. Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë si në “Vjershë shkresëtoreja” në vitin 1899 në vargje; “I drunjti kryq” të botuar në vitin 1906, në vargje vepra është në dy pjesë në Sofje; “Prishja e Hormovës” në vitin 3, vjershë lirike dhe “I vogëli Donat Argjendi”novelë për fëmijë të botuar në Sofje në vitin 1904. Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër botimet e tij janë: Istori e dhiatë së vietërë, të botuar në Bukuresht në vitin 1899; Vjershë shkresëtoreja, të botuar në Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë, Sofje 1903; një përmbledhje vjershash me 78 faqe; Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, të botuar në Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); – libri me 122 faqe dhe një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, të botuar në Selanik 1909.

Martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë

Në pavionin e martirëve të gjuhës shqipe dhe të çlirimit të Shqipërisë, një vend nderi zë dhe mësuesi e prifti shqiptar, Papa Kristo Negovani. Në veprimtarinë e tij intelektuale dhe atdhetar punoi dhe luftoi për rizgjim të shqiptarëve, për shkrim e këndim të gjuhës shqipe dhe për përhapje të diturisë laike e fetare. Aktiviteti i tij iluminist ishte përhapja e dijes dhe e diturisë në gjuhën shqipe. Atë e masakruan andartët grek, të cilët kanë pretenduar dhe pretendojnë për të gjithë krishterët ortodoksë se kanë qenë dhe janë grekë. Kjo urrejtje, kjo ksenofobi e çmendur fashiste ka gjetur terren në Shqipëri në kohën e Demokracisë, ku forcat të caktuara nacionaliste e fashiste greke kanë shprehur dhe po shprehin haptas synimet për greqizmin e Shqipërisë së Jugut. Fillimisht ‘pushtuan’ kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, sot e kësaj dite mbajnë nën kontroll të gjitha kishat e manastiret, kanë ngitur varreza, obelisqe e memoriale gjigante për grekët, që masakruan shqiptarët gjatë Luftës Italo-Greke, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë shpallur Himarën si Zonë të Greqisë dhe bëjnë luftë për një bashkiak me vota të vjedhura, krejt haptas po synojnë krijimin e një shteti të ri grek të Epirit të Veriut. Të gjitha këto nën hijen dhe me miratimin e qeverisë shqiptare, duke ngritur buste e vendosur emra të atyre që Shqipërinë e kishin dhe kanë halë në sy. Kjo është demokracia që na mëson Europa dhe një ligj lufte që ka 84 vjet që po bën roje për të filluar këtë luftë.

Papa Kristo Negovani me të drejtë quhet dëshmor i gjuhës dhe i çështjes shqiptare, mësuesi dhe letrari, i pari që futi meshën shqipe në kishë, atdhetari i njohur i një shekulli më parë. Ai vlerësohet për krijmtarinë letrare dhe për punën e tij të madhe në ndihme të atdheut. Gazetari dhe historiani i mirënjohur Marin Mema ka shkruan se “një histori e harruar, me simbole të shkatërruara, figura kombëtare të braktisura, monumente të shpërfytyruara si refreni ku shteti shqiptar po mbështet themelet e tij të vjetra e të reja. Politika vasale me fqinjë që shtrinë e tërheqin këmbët sipas dëshirës, me varreza ushtarësh, kisha ilegale e eshtra të grabitura. Kjo është korniza e deformuar mbi të cilën po ngjyroset ekzistenca shqiptare. Fqinjët kërkojnë historinë e tyre në tokën tone, ndërkohë që autoritetet shqiptare gjithmonë kanë hezituar të mbledhin copëzat e saj të mbetura jashtë kufinjëve zyrtarë…”.

Ai është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Korçës nr. 150, datë 22 nëntor 1986, një shkollë 9-vjeçare në Ersekë ka emrin “Papa Kristo Negovani”, si dhe në Tiranë ka një rrugë me emrin Papa Kristo Negovani. Është nderuar me titullin “Mësues i Popullit” figura e atdhetarit Papa Kristo Negovani, por sot ka një heshtje e nënvlerësim, duke mos u përmendur emri i tij nëpër shkrime apo studime, duke mos iu kushtuar kësaj figure të shquar vëmendje në TV, në shtypin e shkruar dhe në vepra përkujtimore, etj.

Filed Under: Sociale Tagged With: Prof. Asoc.Dr.Bernard Zotaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 76
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT