• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bashkimi Evropian, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UNDP ndihmojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës

April 25, 2023 by s p

PRISHTINË, 25 Prill 2023 – Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, Tomas Szunyog, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, vizituan në Prizren Katedralen e Zojës Ndihmëtare dhe Muzeun e Hidroelektranës.

Të dyja këto vende të trashëgimisë kulturore po restaurohen përmes projektit të financuar nga Shërbimi për Instrumentet e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (FPI) dhe të zbatuar nga UNDP, i quajtur “Trashëgimia Kulturore si Shtytëse e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social”

“Trashëgimia e pasur kulturore e Kosovës është lidhja jonë me të kaluarën dhe mësuesi ynë për të ardhmen. Flet për tolerancën, miqësinë dhe bashkëjetesën, të cilat janë mëse të nevojshme në botën ku jetojmë”, tha Szunyog. “Përmes Instrumentit për Asistencë së Para-Aderimit, dhe Instrumentit të Politikës së Jashtme, BE-ja ka ndihmuar në restaurimin e 56 vendeve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë, ndër të tjera, xhamitë, kishat, vendet arkeologjike dhe kulturore dhe muzetë, dhe ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës për të gjitha komunitetet dhe gjeneratat që vijnë.”

Të dy lokacionet e vizituara në Prizren janë në listën e aseteve të mbrojtura kulturore të MKRS-së. Katedralja u ndërtua në fund të shekullit të 19-të nga Dario Bucciarelli, Kryepeshkop i Shkupit, gjatë Perandorisë Osmane dhe ka qenë objekti kryesor fetar i komunitetit katolik për rajonin e Prizrenit, ndërsa Hidroelektrana “Prizrenasja” u ndërtua ndërmjet viteve 1926 dhe 1928 duke furnizuar Prizrenin me energji elektrike deri në vitin 1973. Në vitin 1979 u shndërrua në Muzeun e Energjisë Elektrike.

“Jemi shumë mirënjohës dhe të përkushtuar për të rritur partneritetin tonë me partnerë ndërkombëtarë, për të bashkuar forcat për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës. Mbrojtja përmes ndërhyrjeve fizike është shumë e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme, ndaj duhet të punojmë shumë për t’u siguruar që të ofrojmë burimet dhe kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar modele menaxhimi që do t’i japin jetë monumenteve tona dhe të sigurohemi që ato t’i shërbejnë komunitetit para së gjithash, por edhe të tjerëve.

Kemi kënaqësinë të ofrojmë mbështetje shtesë financiare për këtë program të përbashkët dhe të bashkojmë forcat edhe në mjete financiare për t’u siguruar që të gjitha punimet e konservimit të përfundojnë në mënyrë profesionale. Krahas ndërhyrjeve fizike, duhet të punojmë ngushtë në funksionimin e trashëgimisë kulturore për t’i afruar ato me komunitetet dhe për të siguruar transmetimin e tyre te brezat e ardhshëm” tha Ministri Çeku, duke theksuar rëndësinë e restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ndërsa punimet restauruese në Katedrale kanë përfunduar, punimet në Muzeun e Hidroelektranës janë ende në vazhdim.

“Gjatë shtatë viteve të fundit, së bashku me BE-në dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kemi zbuluar bukurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare në mbarë Kosovën. Nëpërmjet restaurimit dhe rehabilitimit, u kemi dhënë atyre një jetë të re. Më e rëndësishmja, kemi bashkuar komunitetet për të vlerësuar dallimet e tyre, por edhe për të festuar të kaluarën e tyre të përbashkët përmes trashëgimisë kulturore jomateriale – përmes librave, muzikës, veprave artizanale dhe përrallave. Duke parë përpara, ne po përqafojmë mundësitë dixhitale, duke punuar me të rinj me ide inovative për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Jemi të lumtur të kontribuojmë për një të ardhme më të mirë, më të ndritshme dhe të përbashkët për komunitetet e Kosovës.” tha Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP në Kosovë.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike, Don Zef Shani, dhe përfaqësues të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës, iu bashkuan vizitës dhe shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e BE-së në ruajtjen e shumë objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Shënim rreth projektit:

Projekti “Trashëgimia Kulturore si Shtytëse e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social”, i financuar nga Shërbimi për Instrumentet e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (FPI) dhe me kontribut nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nxit besimin dhe mirëkuptimin reciprok, njeh diversitetin dhe respektin përmes ndërhyrjeve kulturore të cilat promovojnë dialogun, ndërtojnë mirëkuptim dhe promovojnë një ndjenjë të përbashkët të pronësisë së trashëgimisë kulturore ndërmjet të gjitha komuniteteve të Kosovës.

Filed Under: Sociale

KANCERI I KOLONIT, PARANDALIMI, RRISKU DHE SIMPTOMAT

April 21, 2023 by s p

Dr. Elona Shehi/

Kanceri i Kolonit (zorrës së trashë) është kanceri i dytë me mortalitetin më të lartë në botë. Një në 22 persona do të diagnostikohet me kancer të kolonit përgjatë jetës së tyre. Fillesa e kancerit të kolonit janë polipet ( rritje prekanceroze ) që nisin nga mukoza (shtresa e brendshme e kolonit) dhe që me kalimin e kohës rriten, akumulojnë mutacione dhe transformohen në kancer. Ky proces ndodh ngadalë dhe mendohet që duhen mesatarisht rreth 10 vite që kanceri të zhvillohet. Qëllimi i depistimit për kancerin e kolonit është jo vetëm diagnostikimi i kancerit, por kryesisht diagnostikimi dhe heqja e polipeve përpara se të transformohen në kancer. Rrisku për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë rritet me kalimin e moshën. Kanceri i kolonit po zhvillohet gjithnjë e më shumë ne moshat e reja dhe kjo është arsyeja që në 2021 mosha e fillimit të kolonoscopisë u ul nga 50 në 45 vjeç.

CILËT JANË FAKTORËT E RRISKUT PËR ZHVILLIMIN E KANCERIT TË KOLONIT?

Faktorë të ndryshëm rrisku janë identifikuar si përgjegjës për zhvillimin e kancerit të kolonit. Disa nga faktorët e rriskut janë sindromat gjenetike familjare ( si sindroma Lynch, ose FAP), apo historia familjare pozitive për kancer të kolonit. Personat të cilët kanë një familjar të gradës së parë ma kancer të kolonit ( psh prindërit, vëllezërit/motrat ose fëmijët) kanë një risk dy-fish më të lartë për të zhvilluar kancer. Ky risk është akoma më i lartë në ato raste kur kanceri i kolonit është diagnostikuar para moshës 50 vjeçare, apo kur më shumë se një familjar është i prekur nga kanceri. Por duhet theksuar që pjesa më e madhe e personave të cilët diagnostikonen me kancer, nuk kanë një histori familjare. Faktorë të tjerë risku janë sëmundjet inflamatorë kronike të zorrës së trashë si Koliti Ulcerativ dhe Crohn’s, rrezatimi në zonën e barkut, duhanpirja, përdorimi i alkolit, obesiteti dhe dieta. Dieta luan një rol të shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kancerit të zorrës së trashes. Në vitin 2015, Organizata Botërore e Shëndetit klasifikoi përdorimin e mishit të proçesuar dhe mishit të kuq si kancerogjenë. Konsumimi i 50 gram mish të proçesuar ( ekuivalent me 2 feta proshutë) në ditë, ose 100 gram mish të kuq në ditë rrit rriskun për të zhvilluar kancer të kolonit me 12%.

CILAT JANË SIMPTOMAT E KANCERIT TË KOLONIT?

Disa nga simptomat e kancerit të zorrës së trashë janë dhimbja e barkut, fryrje e barkut, gjakrrjedhje ose prania a gjakut në feçe , konstipacioni ( kapsllëku) apo dirrhea, renia në peshë, anemia nga mungesa e hekurit. Duhet theksuar që kanceri në fazat e hershme dhe polipet prekancerozë nuk shfaqin asnjë simptomë. Për këtë arsye është e rëndësishme bërja e testeve detektuese për të patur një diagnoze sa më të hershme, kur dhe shancet për kurim janë më të larta.

CILAT JANË TESTET E DISPONUESHME PËR TË DIAGNOSTIKUAR KANCERIN E KOLONIT?

Ekzistojnë një varësi testesh të disponueshmë për detektimin e kancerit të zorrës së trashë. Standarti i artë eshtë kolonoskopia. Nëpërmjet kolonoskopisë mund të shihet drejtpërdrejtë pjesa e brendëshme kolonit dhe të hiqen polipet përpara se të bëhen kancerozë. Kolonoscopia bëhet nga mjekë të specializuar me sedacion ( pa dhimbje).Duhe qënë se mosha e shfaqjes së kancerit të kolonit është ulur në mënyrë të ndjeshme, kolonoskopia e parë rekomandohet të bëhet në moshën 45 vjeç. Për personat që kane histori familjare positive, mosha e rekomanduar për kolonoskopinë e parë ështe 10 vjet me herët se mosha e familjarit në momentin e diagnostikimit me kancer. Një tjetër alternativë është Sigmoidoskopia e cila ekzaminon vetëm pjesën e majtë të kolonit dhe rekomandohet të behet cdo 5 vjet. Ekzistojnë dhe teste të tjera të disponueshme për detektimin e kanceri të kolonit të cilat nuk janë invasive. Gjaku okult në feçe (gFOBT dhe FIT) teston për praninë e gjakut në feçe. Kanceri mund të shkaktojë gjakderrje në sasi të vogël, e cila mund të detektohet nëpërmjet këtij testi. Ndjeshmëria për të detektuar kancer është rreth 80%, dërsa për të detektuar polipe është akoma më e ulët rreth 25-53%. Ky test behet cdo një vit. çdo test postitiv duhet të pasohet nga kolonoskopia. Një tjetër test është FIT-DNA ( ose Cologuard) i cili detekton praninë e gjakut dhe ADN jo normale në feçe. Ky test behët cdo 3 vjet dhe nuk është i përshtashëm për personat që kanë risk to lartë për të zhvilluar kancer. Nëse rezulton positiv, duhet të pasohët nga kolonoskopia. Teste të tjera jo-invazive përfshijnë Kapsulën endoskopike and CT Colografinë. Kapula endoskopike është një kamera e vogël në formën e një pilule, cila fotografon zorrën e trashë dhe jep informacion mbi praninë e kancerit dhe polipeve. CT Colografia është një formë skaneri për zorrën e trashë I cili nëpërmjet një sistemi kompjuterik ndërton mazhe dy dhe tre dimensionale te zorrës së trashë dhe rekomandohet të bëhët cdo 5 vjet.

ÇFARË MUND TË BEJMË PËR TË PARANDALUAR KANCERIN E KOLONIT?

Për të reduktuar rriskun për të zhvilluar kancer të kolonit është e rekomanduar një dietë te pasur me fibra, fruta dhe perime, shmangia e mishit të kuq dhe të procesuar. Gjithashtu rekomandohet shmangia e alkolit dhe duhanit, si dhe aktiviteti fizik dhe ruajtja e një peshe optimale. Gjithashtu është e rëndësishme bërja e kolonoskopisë në moshën 45 vjeçare për të gjithë individët, pavarësisht mungesës së simptomave apo historisë familjare negative për kancer. Kolonoskopia është testi që ka ndjeshmërinë më të lartë për detektimin e kancerit dhe polipeve. Për personat të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor ekzistojnë programe të cilat mund t’ju vijnë në ndihmë.

Filed Under: Sociale

Kryetari Glauk Konjufca nderoi të rënët në disa lokalitete të regjionit të Prishtinës

April 18, 2023 by s p

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bëri homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, në lagjen Velania të kryeqytetit.

Më pas, në kuadër të kësaj dite, kryetari Konjufca bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut dhe të regjionit të Prishtinës.

Kreu i Kuvendit nderoi të rënët që prehen në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Makoc të Prishtinës, për të vijuar në varrezat e fshatit Ribar i Vogël të Lipjanit.

Kryetari Konjufca, bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bëri nderim edhe te monumenti memorial i masakrës në fshatin Dyz.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të të rënëve, kryetari Glauk Konjufca tha se pa sakrificën e dëshmorëve e të martirëve liria dhe shteti i Kosovës nuk do të arriheshin.

“Të gjitha këto masakra janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijë, gra e pleq. Për të gjitha këto krime asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari drejtësi”, tha kryetari Konjufca.

Filed Under: Sociale

SHTETI I FTOHTE AKULL DARDHIANET PYESIN DERI KUR?    

April 12, 2023 by s p

Dr. Selman Meziu 

Fjala Dardhë është jo vetëm një dru i pyllit, por edhe një pemë frutore. Jo vetëm kaq, por toponimet e saja kanë mbushur shqipërinë natyrale. Edhe atdheu i stërlasht i Dardaneve të Trojës e Kosovës së sotme sipas shumë histori shkruesve  të antikitetit e të sotëm e ka prejardhjen nga druri pyjor e frutor që  thirret dardhë. Po, dardharët janë popullsi, fise, familje që jetojn në fshatrat të emërtuara Dardhë. Por, un dua t’i bashkoi fshatin e fshatarët e Dardhës së Pukës me Dardhën e Zall Dardhën e Dibrës se Poshtëme.  Dikush mund të pyes lirshëm:  Po cili është emëruesi i përbashkët i  këtyre dy fshatrave?   Do t’a zhvillojm tani but but, por me ngjarje shumë të hidhura, që kanë ndodhur e pritet të ndodhin edhe ma të dhimbëshme.

                 Peisazhet dritë shkurtëra dhe Dardharët

            Femija, vajzë gjashtë vjeçe nxori paksa kokën nga dritarja e çadrës. Të ftohti i skuqi majën e hundës e mollëzat e faqeve të njoma. Megjithatë ajo përpiu ca peizashe sa të zymta aq edhe me një bukuri të ftohtë. Një kurriz që ulesh me ngadal e fuste kokën në forme qizmeje në liqe.  Aty këtu ndonjë shtëpi të lagjes Plashtoga farë preanë liqenit Edhe pse me dushqe të rralla, mpleksesh bukuria kaltroshe e ujit të Liqenit të Fierzës me gjethet kuqëluar të dushkajeve të kurrizit  Porav. Edhe pse nga përroi me emrin Dardhe kishte skrapata aty këtu me siperfaqe të xhveshura. E aty uji i shirave ngricat e kishin përcjell tokën biologjikisht të dobisshme në fundin e liqenit. Duhet të mbushet me ato për një shekull. Por me çfarë po ndodh me mbulesen më të fuqishme të gjelbërt pyjet, e punime të tjera pa kriter po ja shkurtojm 50 vjet. Po cilat janë disa nga të dhënat e këti hidrocentrale. Po i shkruajm: ‘’Ndërtuar në afërsi të fshatit Fierzë, …me prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike  rreth 1.8miliarë KVH. Filloi të ndërtohej në nëntor 1971 dhe u vu në shfrytëzim më 1978. Diga krijon një rezervuar, Liqenin e Fierzës me vëllim  2.7 miliard m3 ujë.,, (Fjalori enc. Shqip. f. 368. Tiranë 1975)

        Por për çudi askush nuk interesohesh për të ndaluar tokën që po ‘’mbytesh ne liqe,,   Po mendoi vogëlushja në kete mëngjez të ftohtë dimri dhe jo vetëm. Me nje za të brendshëm drithërues thotë: Mjerisht që prej vitit 2018 nuk na japin  shtëpi e ngrysemi e gdhihemi këtu nën çadra të vjetra apo shtëpi të vjetra të braktisura. Edhe ato një ditë prej ditësh do të shkoi copa copa në liqen kështu më tha xhaxhi gjeologu. Pasi hangri përsheshët me pak ujë të vluar e pak gjalp, që sa i dëgjonte erën, u çua e doli jasht. Dielli reflektonte  me rrezet e tia sipërfaqen blu të thellë të liqenit e pak sa na përshendeste edhe neve. Po presim shtëpi edhe neve, mendonte vogëlushja personazh migjenian i shekullit të njëzetë e njëtë.   Po se kur do të vijë ajo dite e lumtur për neve, nuk e dimë? Me sa kuptoi unë, kurrë. Kështu do të rritem unë, herë me bukë e herë pa bukë, herë me dritë të pakët, herë me llamb me vajguri. Kurse televizorin e shohim me copa copa si ajo buka e rreshkur në zjarrin e ndezur jasht.

                     Ekologji mjedisore dhe e shpirtërave.

       Përpiqem të hyjë në ashklat e jetës të këtyre banorëve,  këtu në të majt të Liqenit të Fierzës në 590 metra lartësi. Në copëza rrafshinash, si mindila stolisur, ku dardhianët kanë  ndërtuar jetën. Një jetë nën kurorën e gjelbëruar të Dardhës me lartësi  1060, e quajtur nga vendasit Agripa e Keqe e rrethuar dikur me pyje madheshtore ahu e pishe të zezë. Tani njeriu i ‘’ushqyer,, nga urrjtja për mjedisin pyjor dhe nga shteti që sot ka emrin Edi Rama nuk kanë mbetur drure të veçuar sigurish aspak grumbuj ahu e pishe në kam. Ato kanë ikur diku larg në xhepat e hajdutëve mafioz. Ndërsa ashklat, lëvoret, mbeturinat e tyre i djegin banorët e ketyre maleve të harruar, të braktisur nga shhteti që quhen dardhian. Të fort si druri i dardhës, prodhues si pema e dardhës, por me ekologji shpirtërore të shkretuar nga fatkeqsia natyrore e përkujdesjet e komunës e bashkisë Fushë Arrëz. Si mjedisi ekologjik i këtyre shpatinave brigjeve përrenjsh pothuajse të xhveshura, apo burimeve që po thahen. Pylltar tani ma nuk ka. Ato janë kthyer në materiale muzeale. Se qeveria ka punë e detyra për të zgjidhu me tunelet në jug e me mafien e ndërtimeve shpues qielli në Tiranë,  Durrës, Vlorë që çdo centimetra katëror toke rrjedh gjak dollarësh e eurosh.  Ndërsa për neve që po na rreshqet toka me gjithë shtëpia, që po flemë jasht nuk ka as kompensim çeraje. As leje ndërtimi. Vetëm   zvarritje të pa fundme e burokraci të pa ftyrë. Duhet të presim dimrat e ftohtë e vapën e gushtit që të na ngrijë ose thajë gjakun në deje. Të mos mundemi të ngjyem kafshatën e bukës në shëllirën apo gjizën e ftohtë. 

    Dushkajet kulloten nga blektoria pranverë, verë e vjeshte, pastaj priten për gjeth për dimër. Kjo nuk ju mungon, por hapen udhë makinash vend e pa vend. Pa projekte, pa vendime pushteti. E kështu mjedisi ekologjik, çahet e rrokulliset vetëvetiu këtyre shpateve me apo me forcen e ujit, të erës, teposht, për në kaltërsinë e qetë të liqenit.  Ku dardhianët dikur patën tokat,  bregut të lumit Drini, për prodhim drithrash. Tani ato u ngjitën prehërit të maleve shpateve si ujku, lepuri, dhelpra për të gjetur streh në relievet e thyera. Ndersa dikush pasurohet me ujrat e këtij liqeni, ndërsa neve kemi, mbetur nën mëshirën e diellit e të hanës, kur ato do të  na japin pakëz dritë, pakëz ngrohtësi në ditë dimri. Sa për të mbajtur gjallë shpirtin, ndërsa qeveritarët, oligarkët, servilët, sahan lepirësit, majmen, fryhen nga barku me gjakun tonë si bretkoca, pa çka propogandon me të gjitha mjetet e komunikimit për arritje të mëdha dhe punon për lumturinë e popullit. Realiteti ekologjik i peisazheve natyrore të vdekura, i shpirtërave të ngrimë e të pa shpresë, ka pamje  krejtësisht të ndryshme që nga sipërfaqja që  duket qart  deri në brendësi të shtetarëve që veç majmen. Ndërsa ana e kundërt e medaljes çfaqet me fytyrat e zvenitura të fëmijëve barkë tharë që vuajn egërsisht e rinisë që merr arratinë shpresë humbur shpirt gjakosur. Peisazhe qe kërkojn ringjallje, ripërtritje, rigjenerim qelizash jete, mendimi, idesh, programesh partish. 

                 Shteti i ftohtë akull, dardhianët pyesin

         Për të patur një përfytyrim sa ma të qartë për pozicionin gjeografik, përbërjen e pak histori po shkruajm se: Fshati Dardhë i rrethit të Pukës dikur, sot në Bashkinë Fushë Arrëz në njësinë administrative Blerim, përbëhet nga këto lagje:  Hija e Blecës 690 m lartësi,  Pepaj 550 m lartësi mbi nivelin e detit, Plashtogu  450 m lartësi, dhe vetëm 125 m largësi nga pasqyra e Liqenit dhe së fundi lagjia Pal. Kuptohet popullsia është pakësuar shumë nga syrgjinosja brenda dhe jashtë shqipërisë.  Sepse shteti i demokracisë, shkatërroi gjithë çka me politikat ekonomike të ndjekura e zbatuara dhe ndërseu dardhianët të prishnin ato çfarë kishin ndërtuar, se do ti bënin më të forte e më të bukura. Ndërsa pas 32 vjetësh, mjerimi, mizerja, Lulat e vocër shumë prej tyre të pa shkolluar, janë shumuar edhe në këto lagje.  Duam të mësojm më shumë.  Pa tjetër: ‘’Dardha, fshat në rrethin e Pukës (VL), nga e majta e lumit Drin. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatin Qibik, popullsia gjithsej 1102 banor. Përmendet si vendbanim që në sheullin e XV. Ka drejtim kryesor, prodhimin e drithërave dhe rritjen e bagëtive të imëta…,,(Fjalori enc. Shqip. f. 170. Tiranë 1975). Ndërsa sot ka më shumë shtëpia të braktisura se banor me problemet nga ma të mprehta të jetës, të cilat nuk gjejn zgjidhje edhe se ankohen deri te Kryeministri Edi Rama. Dhe ja e vërteta e pastër, e dhimbshëme, por fatkeqësisht e vërtet dhe jo e vetme.  Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Bashkinë Fushë Arrëz  Dodë Pepa  ka deklaruar për emisionin Fiks Fare: ‘’Se janë në pritje të një zgjidhje nga Qeveria, pasi Bashkia nuk ka kapacitet për kompensim dëmi për këto 7 familje.,,   Kanë kaluar pesë vjet e kush e përfytyron se sa do të sgjas litari i vuajtjeve në fyt të  familjeve në lagjen Pal të Dardhes, të Anton Frrok Marashi, Kin Frrok Marashi, Ferid Frrok Marashi, Lodovik Frrok Marashi; Pashk Pjetër Mhilli, Ndue Marash Mhilli   dhe Mark Ndoc Marashi.

      E ky litar është, por do të shtërngohet edhe më fort në qafat e Zall Dardhasve me lagjet Gjoka, Laçaj  me lartësitë mbi det vetëm 400 m dhe 515 m duke u ngjitur në lagjet e Lashkizës: Krrashi e Meshan, përkatësisht 713 m dhe 650 m mbi nivelit e detit të Dibrës së Poshtëme. E vërteta e hidhur që po pregatitet është që lagjet e Zallë Dardhës do të mbyten ashtu siç u mbytën trojet e shtëpitë e Dardhës se Pukës. Ku sipas treguesve të hartës Italiane te vitit 1939 ato ndodhen në fund të Liqenit të Fierzës. Ndërsa Lagjet e Lashkizës e vëllezërit e tyre Zall Dardhas që do të ngjiten sipër, shpateve ku ka pak tokë e pyje të shkatërruara e burime uji, i pret e njëjta tragjedi vuajtjesh dhimbjesh e jete makabëre si lagjen Palaj të Dardhianëve të Pukës. Studimet pedologjike  tregojn se këto toka ngrihen mbi shiste argjilore për rrjedhoje pritet rrëshqitja, shembja e tokave bashkë me shtëpitë e banimit.

       Vallë ku do të gjëndet ajo qeveri që të përkujdeset për këto fatkeqësi të shkaktuar nga natyra e projektet qeveritare ’’të mëdhaja,, ‘’në Ballkan e Europe,, por sigurisht burim i pa shmangshëm fatkeqësish për fshatarët e malsorët e  Dibrës së poshtëme. Kjo do të arrihet kur niveli i liqenit Skavica (edhe ky emër fshati)  do të arrije 445 m e sipërfaqja e liqenit 5907 km2 .   Po le ta shohim Zall Dardhën në një tjetër kand vështrimi: ‘’Zall Dardha, fshat në rrethin e Dibrës (V), nga e majta e Luginës së Drinit të Zi. Qendër e fshatit të bashkuar  që perfshin edhe fshatrat: Soricë, Lashkizë, Tartaj, Nezhaj e Shënllesh, popullsia  gjithsej 3517 banorë. Dëshmohet si vend banim i lashtë nga gjetjet arkeologjike të Çuka e Lekës….. Ka  drejtim kryesor prodhimin e dritherave e rritjen e bagëtive të imta.,,(Fjalori enc. Shqip. f. 1154. Tiranë 1975). Ngjasimi midis dy fshatrave nuk ndjell kurrëfar dyshimi.  

       Shteti   shqiptar është kthyer në gjithë gjymtyrët e tij si heje akulli në trupin e popullit të varfër në palcë, të thjesht, malsor apo fshatar. E kjo duket qart, preket e kuptohet lehtësisht si nga vuajtjet e dardharëve tokë rrëshqitur me gjithë themelet të shptëpiave, si të atyre në luginën e Drinit të Zi që nuk i pyet askush se trojet e tyre me shtëpi e katandi do të ndodhen një ditë në fund të liqenit të Skavicës. E natyrshëm ato pyesin: Ne u japim votën e ato na bëjne gropën ose na  kanë pregatitur veç pellgun e mjerimit të kohës migjeniane. Po përse vallë kështu është i ndërtuar e funksionon shteti demokratik?

E Shtunë 25.03. 2023                              Dr. Selman Meziu 

Filed Under: Sociale Tagged With: SELMAN MEZIU

Pëllumb Nako: Siguria dhe ndjenja e pasigurisë

April 5, 2023 by s p

Ky libër merr përsipër të trajtojë vetëm disa aspekte të rëndësishme të sigurisë së individit në përditshmëri. Kjo, nisur nga fakti se vetë koncepti “siguri” ka një karakter polisemantik, pra me kuptime të shumta të cilat përfshijnë fusha të panumërta të aktivitetit njerëzor. Me krijimin e shteteve kombe, dalja në skenë e shtetit për të ushtruar autoritetin e tij brenda kufijve të një vendi, bëri që së pari ai të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë në përfitim të individit dhe komunitetit, po ashtu edhe për të garantuar pronën private e publike. Realizimi i një misioni të tillë u shoqërua natyrshëm me ndërtimin e institucioneve qeverisëse si zbatuese dhe ndjekëse të rregullave e ligjeve normative të garantuar nëpërmjet të përdorimit të forcës legjtime, duke i dhënë në këtë mënyrë sigurisë një dimension publik. Pra gradualisht u kalua në ndërtimin e konceptit “siguri publike”.Siguria e konceptuar si atribut i shtetit-komb, ka dominuar për shekuj mbarë vendet e globit, por në këto dekada të fundit koncepti është vënë më pikëpyetje për shkak të hovit që ka marrë globalizmi. Për shkak të tij, kufijtë si sinore të ushtrimit të autoritetit të një shteti po zbehen gjithmonë e më shumë e bashkë me ta edhe vetë konceptet klasike të sigurisë, pa folur këtu për Bashkimin Europian, vendet anëtare të të cilit kanë hequr dorë nga sovraniteti lidhur me disa komponentë të sigurisë siç janë kufijtë. Kjo do të thotë ndër të tjera që Spanja kontrollon sigurinë e Danimarkës nëse dikush nga Maroku kërkon të shkojë në këtë vend duke hyrë nga vendi Iberik. Polarizimi në tërësi i vendeve të botës për shkak të globalizmit ka sjellë nga njëra anë dobësi në sigurinë e popullsisë së vendeve ekonomikisht të varfër dhe nga ana tjetër ka shtuar hulumtimet për të krijuar standarde të tjera të sigurisë, në kushtet e humbjes gjithmonë e më shumë të sovranitetit. Akt ky pranishëm në realitetin shoqëror të çdo vendi. Këto kërkime, siç do ta shohim në vazhdim, kanë ridimensionuar edhe vetë konceptin e sigurisë së individit dhe të komunitetit.Megjithatë pavarësisht nga kuptimet e shumta që ka koncepti “siguri”, rreziqet që kërcënojnë shoqërinë njerëzore në tërësi dhe individin në veçanti mund të grupohen në tre drejtime, një prej të cilëve i shtuar në doktrinë dekadat e fundit. Pra bëhet fjalë për aktivitetin keqbërës të shkaktuar me dashje nga njeriu, fatkeqësitë e shkaktuara nga natyra si dhe aksidentet urbane. Siç do ta shohim në vazhdim, ndarja e kërcënimeve që i vijnë sigurisë si më sipër, ka sjellë si rrjedhim që në linja të përgjithshme kur kemi të bëjmë me kërcënimin e qëllimshëm të individit jemi në kontekstin e sigurisë publike dhe kur kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore jemi në kushtetet e sigurisë civile. Të dy konceptet janë ende një kantier i hapur debatesh në konceptimin e përmasave që kanë. Vetë siguria është një kërkesë themelore, e përhershme e shoqërisë njerëzore. Sa më shumë zgjerohet aktiviteti i saj, aq më shumë shtohen kërcënimet e rreziqet për to, ndaj dhe paralelisht rriten edhe kërkesat për siguri duke sjellë për rrjedhim të drejtpërdrejt zgjerimin e kuptimeve të vetë konceptit. Mjafton këtu të kujtojmë se vetëm disa dekada më parë shoqëria njerëzore nuk ishte e preokupuar për krimin kibernetik, pra për sigurinë e sistemeve informatike. Futja e këtyre të fundit në thuajse çdo qelizë të komunikimit, të financave ka sjellë për pasojë të parë kërkesa të reja sigurie me qëllim neutralizimin e rreziqeve që godasin privatësinë e komunikimit dhe sigurinë e parave. Siguri kjo e kërcënuar jo vetëm nga aktiviteti keqdashës njerëzor, por edhe natyror. Kjo do të thotë që standardet e sigurisë nuk janë të përcaktuara një herë e për gjithmonë, por ato shtohen dhe zhvillohen paralelisht me zhvillimin e shoqërisë apo më saktë me mënyrën se si zhvillohet shoqëria.Nisur nga ndryshimet e ndodhura si pasojë e shkaqeve të përmendura më sipër, automatikisht koncepti “siguri” karakterizohet edhe nga një zhvillim historik i cili ka kaluar nëpër epoka të ndryshme kohore. Kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të teknologjisë, të kërkesave të individit për standarde më të larta jetese, të ndryshimit në përgjithësi të organizimit social të të jetuarit. Kërkesat e shoqërisë aktuale për siguri nuk janë të njëjta me ato të disa shekujve më parë. Mund të specifikojmë në këtë kontekst duke bërë krahasimin ndërmjet fortesave të dikurshme, kalatë, kështjellat, muret e tyre të larta, shkëmbinjtë e thepisur mbi të cilët ndërtoheshin ato me lagjet e qyteteve dhe të fshatrave ku jetohet aktualisht.Shembulli i mësipërm sjell në vëmendje edhe një faktor tjetër mjaft të rëndësishëm i cili është përcaktues në ndryshueshmërinë e konceptit të sigurisë në shoqërinë njerëzore. Ai ndryshon gjithashtu edhe në bazë të sistemeve politike që drejtojnë një vend të caktuar. Të tjera koncepte kanë diktaturat e majta dhe të djathta për sigurinë dhe të tjera kanë ato të vendeve demokratike. Në këtë kontekst konstatohet se ndryshimi themelor ndërmjet dy sistemeve në fjalë qëndron ne faktin se tek diktaturat, fokusi kryesor qëndron në drejtim të sigurisë së shtetit ku gjithë aktiviteti i shoqërisë është i lidhur ngushtë me politikën ndaj dhe cënimi i njërës është automatikisht edhe cënim i tjetrës. Ndërkohë, në sistemet demokratike, siguria e shtetit është në funksion të sigurisë së individit dhe shoqërisë për të qenë të lirë. Kjo sepse siguria e ofruar për individin në një shoqëri demokratike nuk ka të njëjtin dimension me atë të individit në diktaturë. Nëse në diktaturë ajo për individin mbetet në kufijtë e neutralizimit të rreziqeve që kërcënojnë jetën dhe pronën, në sistemet demokratike siguri për individin konsiderohet krijimi i të gjitha kushteve reale për të qenë i lirë, pra tej standardit të neutralizimit të rrezikut për jetën dhe pronës. Me fjalë të tjera, siguria konsiderohet si kushti kryesor për të garantuar lirinë dhe lulëzimin e plotë jo vetëm të individit, por edhe të shoqërisë.Ndërkohë në një plan më afatgjatë, shtetet demokratike janë shumë të përqëndruara në zhvillimin e demokracisë dhe në funksionimin e tyre, duke krijuar një shtrat të gjerë social sigurie ku mbështetet aksioni afatshkurtër i saj. Me fjalë të tjera demokracitë fokusohen jo vetëm në garantimin e sigurisë në përputhje me gjithë dimensionet e saj nga institucionet kompetente sipas standardeve që përmendëm më sipër, por ato përsosin qeverisjen duke nxitur dhe faktorizuar pjesmarrjen e mbarë popullatës në të, gjë që e bën më të përgjegjshme këtë të fundit gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë që gjithmonë në bazë të profilit politik që ndërton një shteti në fushën e sigurisë, rritet edhe numri i aktorëve të cilët e ofrojnë atë, krahas asaj shtetërore. Nëse në fillim të shekullit të kaluar shteti demokratik ishte ofertuesi i vetëm i sigurisë, aktualisht ai nuk është më i vetëm, por ka lejuar edhe aktorë të tjerë të ofrojnë shërbimet e tyre siç është sektori privat i sigurisë, pushteti vendor etj. Në këtë mënyrë shteti kthehet në koordinator të këtyre aktorëve ku sigurisht për vete ruan të drejtën e përdorimit të forcës. Pra jemi në kontekstin e një sigurie mikste.Në libër, një vend i rëndësishëm i është kushtuar edhe shpjegimit të plotë të fenomenit të “ndjenjës së pasigurisë” që kap jo vetëm individët e cënueshëm, por edhe komunitete të tëra. Aty jepen shpjegime për të kuptuar se çfarë është konkretisht ndjenja e pasigurisë. Cilët janë faktorët që e lindin atë si dhe cilat janë shtresat sociale të cilat preken më shumë nga ky fenomen shkatërrues për sigurinë i individit në jetën e tij të përditshme. Tek faktorët që ushtrojnë presion në zhvillimin e jetës në përditshmëri, nuk përmenden të gjitha ngjarjet krimimale të parashikuara nga kodi penal, madje vendin me kryesor e zënë sjelljet incivile penalisht të padënueshme nga drejtësia e shumë vendeve, por që ushtrojnë më shumë presion se edhe mjaft krime të rënda të cilët nuk kanë në thelbin e tyre përdorimin e dhunës. Pra libri në këtë drejtim, bazuar mbi studime të shumta sociologësh ndërkombëtarë , merr përsipër të analizojë dhe të bëjë të njohur jo vetëm për një publik profesional, por edhe më të gjerë, efektet e dhunës në të gjithë dimensionet e saj, në kushtet e një shoqërie e cila bëhet gjithmonë e më shumë e dhunshme. Me fjalë të tjera, nuk trajtohen krimet në përgjithësi sipas renditjes që bën kodi penal, por vetëm ato të cilat kanë në thelbin e tyre ushtrimin e dhunës fizike ndaj individit dhe vjedhjet si shprehje e dhunës. Të dyja këto fenomene shqetësojnë në përditshmëri individin dhe komunitetet duke i kufizuar njerëzit në ushtrimin e lirive të tyre themelore siç është qarkullimi, pra që cënojnë sigurinë në jetën e tij të përditshme.Lidhur me këtë tematikë, konkluzionet e disa sociologëve të njohur në botë, janë ilustruar me shembuj nga realiteti konkret në Shqipëri. Analiza e konceptit të “ndjenjës së pasigurisë” përbën thelbin e këtij libri. Kjo niset edhe nga fakti që në vetvete “ndjenja e pasigurisë” shënon direkt kapërcimin nga koncepti fillestar i sigurisë për individin nëpërmjet neutralizimit dhe kërcënimeve ndaj integritetit të tij fizik, tek siguria që nënkupton neutralizimin e frikës si ndjesi e eksperiencës së përjetuar nga dhuna apo nga ndikimi i saj duke qenë ose jo direkt viktimë. “Nuk mund të kuptohet liria. kur njeriu ka frikë”, citohet në libër. Përveç “ndjenjës së pasigurisë”, në libër shtjellohet konkretisht edhe në tërësi koncepti maksimalist afatgjatë i garantimit të sigurisë për individin dhe shoqërinë nëpërmjet kohezionit social si dhe rolit të madh që mund të luajë policia në krijimin e këtij kohezioni. Koncepti në këtë rast zgjerohet në maksimumin e tij. Ai përfshin aktorë të shumtë shoqërorë e shtetërorë dhe jo vetëm ata klasikë siç janë policia e forca të tjera të sigurisë. Koncepti, i trajtuar gjerësisht nga Këshilli i Europës presupozon adoptimin e politikave integruese nga ana e shteteve në mënyrë që siguria të mos arrihet vetëm duke ndëshkuar kriminelët, por sidomos duke prerë rrënjët sociale që kriminalizojnë individët.Në përgjithësi kudo flitet për sigurinë dhe rendin publik. Ndaj dhe përveç shpjegimit të dimensioneve të saj, në libër flitet edhe për konceptin e rendit publik. Ka vende që këtë koncept e kanë të shkrirë në një me konceptin e sigurisë ku kjo e fundit konceptohet si me dimensione më të gjera e rendit publik, ka të tjerë që i shohin si të ndara. Nëse do t’i referoheshim legjislacionit shqiptar, do të shohim se në ligjin “Për Policinë e Shtetit“, flitet për siguri dhe rend publik. Ajo që bie në sy, edhe në vendin tonë, është fakti se koncepti “rend publik” nuk ka ndonjë përkufizim ligjor pasi nisur nga gjerësia e kuptimit të tij, është i pamundur përkufizimi në pak rreshta. Koncepti “rend publik” është vetëm një prodhim jurisprudence. Për fat të keq, në vendin tonë jurisprudenca lidhur me problemet e sigurisë e të rendit publik apo të tubimeve me karakter kontestues është shumë e varfër (me përjashtim të rastit të shfuqizimit të nenit 262 të Kodit Penal që parashikon dënim për mosmarrje leje në ushtrimin e se drejtës për tubim) e për rrjedhim për të shpjeguar ndryshimin e koncepteve “siguri publike dhe rend publik,” janë marrë për bazë jurisprudenca në disa vende të tjera perëndimore. Koncepti “rend publik” është i lidhur ngushtë me natyrën e ndërtimit të shtetit. Në vendin tonë, në kohën e diktaturës komuniste, “rendi publik” ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me “rendin ideologjik” njëlloj si në vendet me rregjim fashist.Siguria e cila parandalon kërcënimet që vijnë nga natyra (tërmetet, zjarri, përmbytjet etj) në tërësi është e zgjidhur nëpërmjet akteve ligjore dhe nënligjore me natyrë administrative. Mosrespektimi i tyre pasohet nga ndëshkime administrative apo edhe ndjekje penale. Ndërkohë komponentët e tjerë mjaft të rëndësishëm të lidhur me “sigurimin” nga aksidentet në punë apo me automjete, i sigurimit të shëndetit etj, (të cilat përbëjnë aspekte të ndryshme sigurimi ku përfshihen marrëdhëniet kontraktore të parashikuara në të drejtën administrative dhe në atë penale), nuk përbëjnë objekt të këtij libri. Ky i fundit do të përqëndrohet tek shpjegimi i mjaft fenomeneve e koncepteve doktrinore e ligjore të lidhura me neutralizimin e kërcënimeve, që i vijnë sigurisë së individit dhe të komunitetit nga veprimtaria keqbërëse e njeriut. Po ashtu, tematika që do të prezantojë ky libër ka të bëjë me një nga shqetësimet më të mëdha të shoqërive në vendet demokratike, përfshi edhe shoqërinë Shqiptare, siç është siguria në përditshmëri. Pra siguria e shtresave të ndryshme sociale, kryesisht atyre modeste, të cilat kërcënohen në përditshmëri nga veprimtaria keqdashëse e njeriut nëpërmjet përdorimit të dhunës. Libri do të trajtojë problemet që has popullata më masive e shoqërisë në raport humbjen e sigurisë për shkak të dhunës dhe që nuk ka mundësi financiare për t’a kompensuar atë nëpërmjet shërbimeve private, krahas asaj të ofruar nga shteti. Siguria e individit në përditshmëri përbën një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë demokratike pikërisht për faktin se, veprimtaria keqbërëse e individit është e pamundur të parandalohet me tekste administrative dhe kushtëzohet nga fenomene të shumta me natyrë të lidhur me psikologjinë sociale, me psikologjinë e individit dhe të ndërtimit të shtetit.Pjesa e dytë e librit i kushtohet analizës dhe prezantimit të aktorëve të sigurisë në vendin tonë duke i parë ata sipas këndvështrimit të doktrinave të përshkruara në kapitullin e parë. Aty del qartë që legjislacioni shqiptar për sigurinë në përditshmëri i njeh në thelb disa nga doktrinat e përshkruara dhe disa të tjera jo. Po ashtu, rezulton se edhe në kushtet e Shqipërisë, Policia e Shtetit nuk është i vetmi aktor që ofron siguri në përditshmëri, por të tillë ka edhe të tjerë të cilët kanë rol jo pak të rëndësishëm, pavarësisht se në perceptimin publik ato nuk shihen si protagonistë për sigurinë. Pra, publiku shqiptar nuk është i familiarizuar me efikasitetin dhe rëndësinë e tyre. Mbetet vetëm fuqizimi i këtyre shërbimeve dhe evidentimi në sytë e publikut për të treguar forcën dhe rolin që luajnë.Nëse do të merreshin si shembull ligjet qe parashikojnë ndërtimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, do të dilte si konkluzion i parë që në raport me sigurinë, pushteti vendor në Shqipëri ka kompetenca dhe detyrime ligjore të cilat janë shumë të rëndësishme për të eleminuar incivilitetin dhe presionin e ambientit të degraduar mbi sigurinë e qytetarit. Po ashtu do të shihej qartë se çfarë roli madhor kanë shërbimet e policive private në përballimin e incivilitetit në hapësira private të hapura për publikun si qëndrat tregëtare, bizneset apo edhe spitalet publikë e privatë si dhe roli parësor i policive bashkiake në ruajtjen e hapësirave në pronësi të bashkive duke luftuar incivilitetin.Ndërkohë një analizë e plotë do t’i bëhet funksioneve të policisë, profilit të saj, pikat ku një shërbim policor duket se ka karakter demokratik dhe mënyrat e matjes së tyre. Meqenëse Policia është organizmi i cili përfaqëson përdorimin e forcës legjitime të shtetit, do të analizohet edhe koncepti i ushtrimit të autoriteti i saj. Nëse nga njëra anë organi i policisë shtrëngimin apo ushtrimin e forcës e ka mjaft të kontrolluar dhe me kohë të kufizuar, nga ana tjetër aksioni i saj karakterizohet nga një marzh mjaft i gjerë i nismave që ndërmerr. Pikërisht kjo diferencë do të jetë objekt i analizës në tekst. Pa dyshim rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan formimi etik i Policisë. Pra këndvështrimi i analizës së policisë nuk do të jetë vetëm në raport me krimin, por sidomos me mënyrën e organizimit të shërbimeve që ajo ofron ndaj publikut të gjerë, cilësia e tyre. Në thelb libri kërkon të identifikojë dhe në fund të përputhë doktrinat botërore të sigurisë me legjislacionin korrespondues të vendit tonë, duke bërë edhe sugjerimet e mundshme atje ku ka boshllëk, si dhe duke evidentuar pikat ku përputhshmëria është e plotë. Informacioni i dhënë me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga libri i bën më të qarta konceptet për sigurinë edhe për qytetarin e thjeshtë, por mbi të gjitha u jep profesionistëve të fushës një njohje solide të gjithë filozofisë ku bazohet policimi për të cilin ata formohen në shkollat tona. Të kuptuarit e kësaj filozofie do t’a bëjë punonjësin e sigurisë më të përgjegjshëm dhe sidomos më realist në konceptimin e detyrave të tij. Kjo kuptueshmëri do t’i japë atij ide të qartë se ligjet mbi të cilat ai vepron dhe i ka mësuar në shkollë, nuk janë thjesht vullnet i një klase politike të një vendi të caktuar, as tekste që ai t’i interpretojë sipas dëshirës, por ligjshmëri universale mbi të cilat mbështetet ndërtimi i një shteti demokratik, siguria dhe prosperiteti i një shoqërie në demokraci.

Filed Under: Sociale Tagged With: pellumb nako

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT