• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPERI: Censusi 2011, Popullsia 2.821.977 Banorë

December 13, 2012 by dgreca

Numri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona; “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. Sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj./

Instituti i Statistikave (INSTAT) shpalli dje zyrtarisht rezultatet e censusit në lidhje me kombësinë dhe fenë. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, gjatë prezantimit të “Censusit 2011”, tha se realizimi me sukses i censusit ka qenë një ndër objektivat kryesorë të qeverisë, dhe se ajo ia arriti qëllimit. Sipas tij, të dhënat e censusit do të ndihmojnë vendimmarrësit në përcaktimin e politikave për komunitetin. 
“një rNumri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona”, tha Pollo. Ai u shpreh se, ky nuk është ezultat surprizë, për shkak edhe të emigrimit. “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. 0.7% e të pyeturve refuzuan censusin”, tha ministri i Inovacionit, Genc Pollo. 
Ministri tha se, “Censusi 2021 do të ketë një taban të përgatitur dhe do të zhvillohet pa shumë tensione”. Gjithashtu, sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj. 
Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll më 1 nëntor 2011. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

Censusi, një operacion statistikor mjaft kompleks

Duke prezantuar rezultatet finale të censusit të popullsisë dhe banesave 2011, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, tha se ky proces ka qenë i gjatë dhe angazhoi thuajse të gjithë stafin e INSTAT në Tiranë e Prefektura si dhe qeverinë shqiptare, shoqërinë civile, partnerët e INSTAT dhe komunitetin ndërkombëtar. 
“Ky census u krye, duke ndjekur rekomandimet dhe standardet europiane dhe INSTAT sot publikon të dhënat themelore statistikore socio-ekonomike për të ndërtuar politika të shëndosha për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Madje këto të dhëna konform standardeve europiane do të japin kontributin e tyre në procesin e integrimit europian”, u shpreh Znj.Nurja. Ajo bëri të ditur se, Censusi i vitit 2011 është një operacion statistikor mjaft kompleks dhe ka kaluar në shtatë faza të ndryshme; përfshirjen e palëve të interesuara për përzgjedhjen e pyetjeve thelbësore dhe jo thelbësore, aktivitetet përgatitore, numërimin në terren, përpunimin e të dhënave, publikimin e rezultateve, vlerësimin e mbulimit dhe analizat e rezultateve. 
Të pestë fazat e para janë përfunduar, ndërsa publikimi i rezultateve finale do të kryhet sot me këtë publikim të parë, i cili do të ndiqet gjatë vitit që vjen me të tjera publikime të rëndësishme dhe së fundmi me analizat tematike deri në vitin 2014. 
Operacionet e censusit e kanë fillesën në vitin 2008 me përgatitjen e hartave dixhitale. Ndërsa në vitin 2009, INSTAT filloi një proces konsultativ me grupet e interesit, duke përcaktuar temat e regjistrimit ku qëllimi kryesor ishte për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me këtë proces si dhe për të patur përfshirjen e aktorëve të tjerë në këto aktivitete përgatitore. 
Gjatë këtij censusi u kryen disa testime të pyetësorit dhe në vitin 2010 u krye një census pilot në mënyrë që të testojë disa nga aspektet kryesore të funksionimit të plotë të Censusit në tetor të vitit 2011. 
Aktivitetet në terren për numërimin e popullsisë dhe banesave u organizuan dhe monitoruan me ndihmën e një mjeti mjaft efikas, atë të aplikacionit të menaxhimit Web GIS. 
Anketa e pas Censusit u krye për herë të parë në Shqipëri për të vlerësuar mbulimin e Censusit në terren si dhe cilësinë e disa variablave të përzgjedhur. 


Krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%

Sipas Census 2011 sot numërohen 722 262 familje

Sipas rezultateve të Census 2011 numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot, numërohen 722 262 familje nga 726 895 që ishin në vitin 2001. Por, struktura brenda familjes (numri i anëtarëve) ka patur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht sot një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001. 
Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon, duke patur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etno-kulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim. 
Duke prezantuar disa nga rezultatet kryesore të këtij censusi, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja deklaroi se, “Nga rezultatet përfundimtare të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia rezidente është 2 821 977. Numri total i refuzimeve është 21 839 persona. Siç shihet nga kjo panoramë, krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%. Ndaj analizat paraprake na dëshmojnë se, emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen. Numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rënie prej 9.2%, ndërsa ai i meshkujve me 8.3%. Raporti gjinor në Shqipëri kërkon një vëmendje të veçantë nga demografët dhe studiuesit. 
Për herë të parë në historinë e censuseve në Shqipëri, popullsia që jeton në zonën urbane e ka tejkaluar numrin e popullsisë që jeton në zonën rurale. Tashmë në zonën urbane jetojnë 53,5% e popullsisë, ndërsa 46,5% e saj jeton në zonën rurale. 

Rritet me 16.8% numri i banesave krahasuar me vitin 2001

Numri i ndërtesave për qëllime banimi në censusin e vitit 2011 është 598 267 dhe është rritur me 16.8% krahasuar me vitin 2001. Fondi i banesave rezulton në 1 012 400 banesa, ku përfshihen jo vetëm banesat e banuara, por edhe ato të pabanuar që përbëjnë 29.8% të totalit në krahasim me 11.3% në 2001. Jo vetëm fondi i banesave është rritur në krahasim me vitin 2001, por dhe kushtet e jetesës në to kanë ardhur duke u përmirësuar përsa i përket aksesit në shërbimet bazë si dhe zotërimit të pajisjeve afatgjatë. Në ndryshim nga censusi 2001, lidhur me karakteristikat e kushteve të banesës INSTAT disponon edhe të dhëna mbi telefoninë fikse dhe mobile, të cilat i gjeni në këtë publikim. 
Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve mbi gjuhën amtare, fenë dhe grupet etno-kulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare, të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe. Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77% e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas, vijnë gjuha greke me 0.54%, maqedonase 0.16%, rome 0.14 % dhe arumune me përkatësisht 0.14. 
Një tjetër e dhënë, e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% muslimanë, 10.03% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5% ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë. 
Përsa i përket përkatësisë etno-kulturore, 82.58% kanë deklaruar se janë shqiptarë të 0.87% grekë, 0.30% romë, 0.30% arumunë dhe 0.20% maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në këtë pyetje përbën 13.96% e totalit të popullsisë. 
Një tjetër analizë me mjaft interes do të ishte shpërndarja e numrit të refuzimeve (13.96 %) dhe përgjigjeve të pavlefshme apo të papërcaktuara (1.58%) lidhur me përkatësinë etno-kulturore. Po t’u referohemi këtyre shifrave, rezulton se 99.6% e tyre kanë deklaruar gjuhë amtare shqipen, 0.15 % gjuhen greke, 0.04% rome, 0.04% arumune dhe 0.03% maqedonase. 
Një vend të rëndësishëm në këtë publikim, zë dhe niveli i arsimimit të popullsisë. Po t’u referohemi shifrave, vërejmë se në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2% tyre e kanë ndjekur ose janë, duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011, bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%. 
Për herë të parë, në një census është pyetur edhe për aftësinë e kufizuar të popullsisë. Këto të dhëna do të shërbejnë në të ardhmen për të bërë vrojtime më të specifikuara si dhe për të ndërtuar politika mbështetëse në funksion të kësaj kategorie personash. 
Unë me të vërtetë shpresoj se, këto të dhëna do të jenë shumë të dobishme për të interpretuar ndryshimet e vendit tonë dhe do të shqërbejë si bazë për të ndërmarrë aksionet e duhura për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë në të ardhmen. 
Në përfundim të prezantimit të rezultateve të Censusit 2011, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja falenderoi, Eurostat për mbështetjen e dhënë, qeverinë shqiptare, Komisionin Qendror të Censusit, Delegacionin Europian në Tiranë, Asistencën Teknike të BE-së si dhe stafin e INSTAT, i cili ka punuar me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal për realizimin me sukses të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. (Kortezi:Halil RAMA)

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Censusi ne Shqiperi, Genc Pollo

NË “KOPSHTIN E GJETSEMANIT” U THYE NJË DEGË ULLINI

November 15, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/ 

            Kjoftë edhe një degë e vogel ullini… gjithmonë na ka sjellë Paqen…/

            Jo pak, shtëpia në Shkoder, na kujtonin “Kopshtin e Gjetsemanit”…/

Ka vite, shumë vite perpara, që një ditë pata hy në “Kopshtin e Gjetsemanit” të qytetit të Shkodres, në shtëpinë e Gazullorëve, tek Arra e Madhe, ku atëherë jetonte një mik i vertetë i imi, mësuesi i nderuem Simon Gazulli. Kujtojshe ma vonë se nga ai kopësht kam pa disa here me Simonin edhe nipin e Tij Danielin…Edhe Ky i brezit të kulturuem i fisit të vjeter dhe shumë të njohun që në kohen e Gjergj Kastriotit, Gazullorëve të Sapës.

Pak vite perpara mora një mesazh, mbrenda të cilit ishte një poezi: “Rrëmaji”.

Danieli shenon: Kushtue…”Një Monument nën dhe” nga Fritz Radovani…

           

Një  gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr për ajrì Alpeve.

Mandej përplaset fort

e kthen

ku njerëzit kalamendë,

ligshtue prej lëngatës së gjatë,

i trandë ajo piskamë,

që po i thërret

me u zgjue

e me u mbledhë

aty prej nga vjen gjama:

Në Rrëmaji.

Aty

me ba bè në Kryqa

se nuk kanë ma me ia lëshue

zezanen Shkodër

gjaksorëve,

që e shkallmuen në trup

e në shpirt

me drapën e çekan.

 

Një gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr zemrat e njerëzve:

 

Asht kushtrimi

I  Fatosave

flijue për Atdhe…

që paqë nuk gjejnë,

tradhëtue idealesh –

e gjamën mnershëm lëshojnë

nga ai Monument.

 

 * Vorrezat katolike, Shkodër, 2010, 3 Maji.

 

            E prap sot, mbas një dhimbjes së fortë që në zemer më ka piskatë, ndigjova një za…

Një  gumzhimë e mnerëshme

prej Rrëmajit del

e merr për ajrì Alpeve…

            E as nuk më shkonte kurrë nder mend, se në Kopshtin e Gjetsemanit të Gazullorëve të Sapës, ishte thye… një degë ullini, ku Shpirti im gjente Paqen, Dijen, Kulturen, Fjalen e ambel të mikut të vertetë, freskinë e një flladi që frynte pa pushue…e në çastet e vështira kur merzija më kapllonte mendjen e një mall të pakuptueshem, Fjala “durim bre Burrë!”, më bante me pranue “Paqen” që shperthente nga zemra e goja e Danielit…

            E sot, bash një degë ku ishte ma e mira asht thye…

            Zoti e mori Atë degë me e mbajtë në dorë të Vet…

            I duhet Atij të Lumit, per me na predikue, Paqen, Drejtësinë dhe Dashninë…

            Asht Ajo “Degë Ullini” që sot ra në Lezhë, pranë të Madhit Gjergj Kastrioti!

            Pranë Tij, po po, Aty asht edhe Daniel Gazulli!

 Melbourne, 13 Nandor 2012

Filed Under: Sociale Tagged With: Daniel Gazulli, Fritz radovani

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT