• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademi perkujtimore ne Arizona ne nderim te jetes se veprimtarit te devotshem Remzi Barolli

June 9, 2022 by s p

Nga: Mr.Sc.Lulzim Mulliqi/SHBA/

Keto dite ne organizimin e Shoqates se Grave Shqiptaro-Amerikane te Arizones, pastaj te Qendres Kulturore shqiptaro-amerikane “Shqipe e Arizones” dhe Shkolles shqipe ne Arizona,u mbajt nje Akademi perkujtimore kushtuar jetes dhe vepres jetesore te presidentit te pare dhe themeluesit te Qendres kulturore shqiptare-amerikane” Shqipe e Arizones”,Remzi Barolli ,i cili nderroi jete keto dite ne qytetin e Phoenix-it,ne SHBA.Ne kete eveniment, ku ne emer te nikoqirit pershendeti zonja Jeta Hajra,merrnin pjese disa dhjetra bashkeatdhetare qe jetojne e punojne ne kete shtet te larget te Amerikes.

Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se z. Remzi Barolli, një nga veteranët e komunitetit tonë nderroi jetë , duke lënë në pikëllim të thellë Bashkëshorten Mary, familjen, dhe të gjithë të njohurit dhe dashamirësit e tij,u tha ne njoftimin e dhene nga Qendra kulturore shqiptaro-amerikane ” Shqipe e Arizones” ne qytetin e Phoenix-it,ne SHBA.

Remzi Barolli që ditën e parë që shkeli në Arizona, luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Shqiptarëve të Arizonës. Ai ishte themeluesi i Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Shqipe e AZ” duke u zgjedhur Presidenti i parë i kësaj organizate. Nën udhëheqjen e z. Barolli QKSHA ndihmoi në bashkimin e shqiptarëve të Arizonës,ai ndihmoi me aq sa kishte mundesi në punësimin e tyre, organizoi protestat dhe ndihmat,si dhe sensibilizimin e anëtareve të Kongresit dhe Senatit Amerikan në përkrahje të luftës në Kosovë, organizoi festimet e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosoves. Ai ishte gjithashtu ideatori dhe njëri nga veprimtaret me te dalluar te te gjitha aktiviteteve te komunitetit Shqiptare në Arizona. Duhet të themi se çdo punë e mirë që është bërë nga QKSHA dhe anëtarët e komunitetit Shqiptaro-Amerikan të Arizonës ka shpirtin dhe vepren e z. Barolli.

Remzi Barolli ishte një bashkëshort shembullor, i cili, muajin e ardhshëm, do të festonte 93-vjetorine lindjes. Ai ishte një baba I dashur, një gjysh e stërgjysh i dedikuar në edukimin e një familje të denjë me traditat më të mira Shqiptaro-Amerikane,theksoi nder te tjerash djali i tij,Dan Barolli.

Ne, si miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të z. Barolli jemi të pikëlluar thelle nga kjo humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme. Zemra e tij e mirë dhe shpirti bujar dhe i gjerë ishin gjithmonë të hapur për cdo shqiptar të komunitetit tonë. Ai ishte një dritë dhe udhërrëfyes i qartë për të gjithë ne miqtë e tij.

U preftë në paqe shpriti i këtij njeriu madhështor! Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt vepren e tij humane dhe kontributin e tij madhor te dhene per ceshtjen tone kombetare,u shpreh nder te tjerash,prof.Shahin Berisha.Me pas fjalen e mori ish presidenti i QKSHA “Shqipe e Arizones”,dr.Arben Lasku,i cili tha se organizimi i kesaj akademie perkujtimore per veprimtarine jetesore te z.Remzi Barolli eshte per te kujtuar dhe nderuar prore kontributin e tij madhor qe ai ka dhene per shume vite me radhe per komunitetin tone shqiptar ne Arizona.Ai ishte nje personalitet i rralle dhe i jashtezakonshem,me vyrtyte te larta njerezore,morale dhe kombetare per me shume se dy dekada,duke qene gjithmone aktiv ne te gjitha aktivitetet e komunitetin tone shqiptar ketu ne Arizona,u shpreh ne fund,dr.Arben Lasku.Nderkaq, ne fjalen e tij,gazetari mr.Lulzim Mulliqi tha se “Remzi Barolli do kujtohet gjate dhe do te jetoje ne mbamendjen e secilit shqiptare te komunitetit tone kudo ne SHBA .Per kontributin e tij nder vite,i shprehim nga zemra mirenjohjen e perjetshme dhe falenderimin e thelle per vendosmerine dhe misionin e tij titanik ne sherbim te avancimit te kauzes sone kombetare”.Me pas gazetari Lulzim Mulliqi me nje fjalim te shkurter perkujtoi edhe dy figura te shquara te komunitetit shqiptaro-amerikan,te cilet nderruan jete keto dite ne Nju Jork,dr.Gjon Buçaj ish kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes “Vatra” dhe editori i gazetes “Dielli”, ne Nju Jork,Dalip Greca.

Ai tha se keto figura te cmuara te komunitetit shqiptaro-amerikan,na iken si nje meteor ne boten e amshuar,por veprat e tyre kombetare,humanitare e solidare do te shendrisin e rrezatojne gjithmone krenari dhe bujari shqiptare.

Me pas nga Shoqata e Grave Shqiptaro-Amerikane te Arizones e mori fjalen,dr.Elonia Lasku,e cila foli me pietet te larte,per jeten,figuren dhe vepren e aktivistit te devotshem te komunitetit shqiptar te Arizones,z.Remzi Barolli.Ajo me kete rast evokoi kujtime nga pergatitjet e para para shume vitesh,per organizimin e festave tona kombetare sic ishin:festa e Pavaresise se Shqiperise dhe festa e Pavaresise se shtetit te Kosoves.Me pas me fjalimet e tyre u paraqiten edhe Merita Kraja,Marinella Papà,Jeta Hajra,Qerime Kobeci etj. Ne vazhdim,permes videoprojektorit u paraqit me nje fjalim mjaft emocionues nga Florida edhe studiuesja dhe aktorja,Rina Hajra,e cila ngjalli emocione tek te pranishmit ne salle.

Filed Under: Uncategorized

JEHONA E NJË KRIMI TË SHËMTUAR POLITIK

April 9, 2022 by s p

Rrethanat ne te cilat u vra atdhetari i shquar, Luigj Gurakuqi, (2 mars 1925).

Nga Skifter Këlliçi

Në luftën politike, sidomos midis forcash shumë të ashpra, atentatet kanë qenë një mjet veprimi për mënjanimin fizik të kundërshatëve sa të njërës aq edhe tjetrës palë. Kështu, për shembull, Ahmet Zogut, kryeministrit shqiptar në shkurt të vitit 1924, iu bë një atentat në hyrje të Parlamentit shqiptar. Mirëpo atentatori, Beqir Valteri, që ishte futur fshehuarazi në godinën e Paralmentit, ndonëse jo shumë larg tij, arriti ta godiste vetëm në krah dhe në kofshë. Ahmet Zogu, kur tërë parlamenatët të terrorizuar u strukën nën tryeza nga ngjarjet që rridhnin anktshëm në sytë e tyre, u tregua kaq i përmbajtur, sa, duke u ulur në një ndenjëse, u kumtoi atyre të ruanin gjakftohtësinë duke u thënë se nuk kishte ndodhur gjë me rëndësi. E vërteta është se pas atentatit, Zogun e plagosur e vizituan në shtëpi si deputetët e pozitës, (prozogiste) ashtu edhe deputë të opozitës, që siç dihet, përbëhej nga Fan Noli, Stavro Vinjau, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi… Don Lazër Shantoja, edhe ai antizogist, një penë e shquar, që u bë më vonë viktimë e diktaturës komuniste, në një artikull të mahnitëshm, botuar në gazetën “Ora e Maleve”, vë në dukje se midis deputetëve, Ahmet Zogun e vizitoi edhe Gurakuqi. Madje, siç e donte zakoni, e uroi që shpëtoi nga vdekja. Kjo ndodhte në janar të vitit 1924. Pa kaluar më shumë se 13 muaj, ishte Zogu ai që me një atentat i rrëmbeu jetën Gurakuqit në Bari. Nuk thonë kot romakët: “Mors tua – vita mea”, pra, vdekja jote është jeta ime. Me fjalë të tjera: nuk më vrave, të vrava. Vrasja e Gurakuqit ishte vazhdimi i eleminimit të kundërshtarëve politikë që Zogu e nisi, së pari me vrasjen e Avni Rustemit, në prill 1924, dhe vazhdoi më pas me vrasjen e Bajram Currit, në dhjetor të vitit 1925 dhe të Hasan Prishtinës në gusht të vitit 1933. Po të kthehemitë vrasja e Gurakuqit. Në dhjëtor të vitit 1924 pjesëtarë të qeverisë së dalë pas Kryengritjes së Qershorit të viti 1924, detyroheshin pas gjashtë muajsh të largoheshin për t’ia lënë drejtimin e vendit sërishmi Ahmet Zogut, që kthehej me ndihmën e forcave serbe dhe miratimin e Italisë së Musolinit, i cili sapo kishte ardhur në fuqi. Largoheshin nga Tirana, në Vlorë e që andej me një motovedëtë, për në Bari. Bashkë me qeveritarët, me Nolin, Vinjaun, me pjesëtarë të shoqërisë “Bashkimi” të krijuar nga Avni Rustemi, ishte edhe Gurakuqi. Tashmë ata ishin emigrantë. Në një shkrim të botuar në gazetën “Xhoka”, që botohej në Tiranë, Luigj Gurakuqi pati shkruar: “Vitet kalojnë e ne rendim mbas tyne tue iu i afrue vorrit përditë. Plaku i Arbënisë pushon prej kohe në gji të asaj Vlone kreshnike, që u ba për të dytën herë djepi i lirisë sonë. Shumë prej shokëve të tij janë zhdukë si Ai, prej faqes së dheut… Edhe Avni Rustemi sivjet po e kremton Ditën e Flamurit pranë Plakut të Arbënisë, në gji të Mamës së Lirisë sonë”. Nuk e mendonte së disa muaj pasi botonte këtë artikull, ai do të pësonte fatin e Avni Rustemit.
  Xhaxhai im, Reshat Këllici, një ndër shokët më të ngushtë të Avni Rustemit, pjesëtar i shoqërisë “Bashkimi”, ishte ndër ata që u ndodh në Bari pas kthmit të Zogut në fuqi. Ai ka shkruar një libër me kujtime, të titulluar “Me djemtë e “Bashkimit””, ku ka përshkruar shumë ngjarje që lidhen me ditët e qëndrimit të të arratisurvë në janar-shkurt-mars 1925 në prag të vrasjes së Luigj Gurakuqit në Bari. Me ndihmën e këtyre kujtimeve, të organeve të shtypit dhe librit të publicistit të njohur Pirro Tako, me titull “Luigj Gurakuqi”, do të përshkruaj shkurtimisht tërë episodet që sollën vrasjen e këtij atdhetari të shquar. “Nuk kaloi shumë kohë dhe emigrantët politikë u shpërndanë me shpresë që të gjenin punë. Grupi i madh, me Luigjin në krye, që ato ditë dukej tamam si baba i dhemshur i të gjithë atyre emigrantëve… i vajti pas këtij patrioti të madh dhe u vendos në Bari”. Kështu shkruan Reshat Këllici në librin tij “Me djemtë e “Bashkimit””. Ditët kur motovedeta “Molfeta” kishte lënë pas Vlorën dhe ishte ndalur në brigjet e Italisë së jugut, kishin mbetur pas, duke ruajtur refrenin e fjalëve të Nolit: “Gurakuq gabuam rëndë!”, të shqiptuara kur anija po linte përgjthmonë Vlorën…Dikur në vite e rinisë, Gurakuqi pati shkruar këtë poezi të dhimbshme: “Tek ti m’fluturon mendimi, o shpiza ime, /kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue, /Tek ti, ku nisa s’parit me jetue, /Ku cila sytë, ku leva e pata gzime…” Ai së bashku me mërgimtarët këtë gjendje të rëndë shpirtërore po kalonte. E vërteta është se qeveria demokratike e Nolit, me masat probolshevike që kërkonte të zbatonte, nuk kishte marrë miratin e Fuqive të Mëdha, aq më tepër kur Noli nuk mundi të mbante zgjedhje të lira, që ishte kushti themelor që të njihej nga Lidhja e Kombeve. Dhe, kur ai deshi t’i bënte këto zgjedhje, në dhjetor të vitit 1924, qe shumë vonë. Zogu ia behu në kufi e që aty u sul në Tiranë. U justifikua para opinionit botëror se ishte detyruar të largohej nga posti i kryeministrit me dhunë. Kthehej në këtë post që e kishte fituar në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1923, pavarësisht se ato ishin zhvilluar në një atmosferë shumë të ashpër dhe jo pa manipulime, (pak a shumë si zgjedhjet në Shqipërinë e viteve tona). Në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1924, Noli dhe Gurakuqi shkuan në Romë, ku nisën bisedime me qeveritarët italianë lidhur me problemine e emigrantëve. “Në stacion kishin dalë për t’i përcjellë shumë prej tyre. Emigrantët tërë shpresat i kishin varur te “këta dy burra shteti që ne, të “Bashkimit”, i kishim si dy profetë” – shkruan Reshat Këlliçi në librin e tij “Me djemtë…”. faqe 130. Dhe në Romë rolet e tyre u ndanë. Noli nxitoi në Vjenë, kurse Gurakuqi u kthye në Bari. Atje do të priste se çfarë do t’i njoftonte Noli në planet e reja për emigrantët. Natyrisht, qeveria italiane u vu në pozitë nga dyndja e këtyre emigranëtve, aq më tepër që anëtarët e “Bashkimit”, siç kujtonte xhaxhai im, mbanin uniformë me shkronjën “B” në pjeën e majtë të gjoksit e kësisoj nga autoritetet e rendit publik dhe qytetarë barezë merreshin për …bolshevikë. Megjithatë, sekretari i Ministrisië së Punëvë të Jashtnë të Italisë, Kontarini, kishte siguruar Gurakuqin “se hëpërhë mund të rrinin të qetë, por të mos merreshin me asnjë lloj propagande e agjitacioni”.(P.Tako, “Luigj Gurakuqi”, faqe 379).
 “Ndërkohë, gjendja ekonomike e emigrantëve po vështirësohej. Gurakuqi vraponte sa në Bari e në Brindizi, që të rregullonte problemet e tyre. Ata, duke përfshirë edhe vetë Gurakuqin filluan të hanin…një herë në ditë, sepse paratë po shterronin. Madje Gurakuqi la hotelin e nisi të flinte në një pension familiar, – kujton Reshat Këlliçi. – Filluan edhe grindje. Një pjesë, madje, donin të ktheshin në atdhe dhe atje të vijonin rezistencën”. Ahmet Zogu, nga nga tjetër, ndiqte lëvizjet e Nolit, Gurakuqit dhe emigrantëve të tjerë. Ai e kuptonte se edhe jashtë atdheut ata do t’i kishte armiq të rrezikshëm. Noli vazhdonte të qëndronte në Vjenë, Gurakuqin e kishte më pranë, në Bari. Ndaj Zogu mori masa që ta zhdukte. Nuk ishte e rastit, siç vazhdon në kujtimet e tij, Reshat Këllici, që midis emigrantëve nisi të shfaqej një njeri, që hiqej si i persekutuar nga Zogu.
  Në fakt, ai ishte dërguar enkas prej tij që të vëzhgonte cdo hap të Gurakuqit dhe, në rastin më të parë, ta qëllonte për vdekje. Pastaj, sipas një plani të ndërtuar në detajijn më të vogël, të largohej, të humbte gjurmët e me një motobarkë të kthehej në Vlorë. Për të realizuar qëllimin e tij gjakësor, Baltion Stamolla, me origjinë nga Veriu, hyri në marëdhenie me Çatin Saraçin, që ishte konsull i Zogut në Bari. “Ai i dha porositë e fundit dhe e këshilloi të tregohej gjakftohtë”. (Pirro Tako,”Luigj…”, faqe 381). Zakonisht Gurakuqi, çdo mbrëmje shkonte në kafenë “Kavur”, të Barit, ku mblidheshin shumë emigarntë. “Për shkak të vështirësive ekonomike që po bëheshin gjithnjë e më të mëdha, -kujton Reshat Këlliçi,- ai së bashku me ne pinte vetëm një gotë caji në darkë e pastaj kthehej në pension. Rreth orës nëntë të mbrëmjes së datës 2 mars, Luigji la kafenenë dhe doli jashtë. Aty u dëgjuan tri të shtëna dhe ai u përmbys për tokë i mbytur në gjak. Shokët, që ishin na kafene, vrapuan ta ndihmonin. U gjend një karrocë që e shpuri në spital. Por qe vonë. Gurakuqi kishte dhënë shpirt”. Vrasja e Luigj Gurakuqit bëri bujë të madhe. Prefektura e Barit njoftoi menjëherë Ministrinë e Brendshme, e cila u lidh me Legatën Italiane në Durrës. Kështu, brenda disa orësh, ky lajm u përhap edhe në Shqipëri. Madje, më pas edhe në Evropë. Dhe kjo për shkak të jehonës së madhe që i dha shtypi italian. “Për disa ditë resht, -shkruan Piro Tako,- gazetat, veçanërisht ato lokalet, botuan korrespondenca të gjata e me tituj të mëdhenj, që binin menjëherë në sy: “Vrasja e ish-ministrit shqiptar Gurakuqi”, “Një tragjedi shqiptare në Bari”, “Misteri i arratisjes së konsullit shqiptar në Bari pas vrasjes së ish-ministrit Gurakuqi”, “Krim politik në Bari”, “Nëpër gjurmët e krimit Gurakuqi”, ishin disa nga titujt e gazetave të tilla si “Il Mesaxhero”, “Tribuna”, “Il xhornale d’Italia”, “Il Matino”, “Xhormale dele Pulie”… të datave 3,4 mars 1925, pas vrasjes së Gurakuqit”(P.Tako,”Luigj…”, faqe 382).
  Duke u nisur nga titujt, duhet thënë se pjesa më e madhe e shtypit italian e paraqitit këtë vrasje me ngjyra politike. Dhe, si e tillë, gjurmët e saj të shpinin në Tiranë. Qeveria italiane nuk mund të ndalonte shtypin të shprehte hapur opinionin e vet. Por, sic do të shohim më poshtë, ajo bëri ç’është e mundur që këtyre gjurmëve t’u jepte një drejtim tjetër. Eshtë e kuptueshme që kjo vrasje goditi shumë rëndë nënën e Luigjit, Lezen, “e cila do të vdiste pas pak kohe më foton e të birit nëpër duar.” (P.Tako,”Luigj…”,faqe 383). Por kjo vrasje mizore goditi edhe popullin shqiptar. U detyrua të shkruante edhe shtypi. Organi gjysmëzyrtar “Independenca Shqiptare”, u detyrua të jepte një lajm të shkurtër, në të cilin vinte në dukje se vrasësi ishte një njeri i degjeneruar, që tërë jetën e kishte kaluar nëpër burgje”. (6 mars, 1925). Më tutje kjo gazetë theksonte thënie të konsullit Saraçi se: “…qeveria e Zogut ishte mjaft e fortë e as nëpër mend nuk mund t’i shkonte që të organizonte një krim kësodoret”, (Po aty). Natyrisht e vërteta ishte krejt ndryshe. Këtë e vertetojne pohimet e ish-ministrit të Zogut, Ceni bej Kryeziu, që në një intervistë gazetës jugosllanve “Novost”, thoshte më mburrje: “Unë kam vra Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuej dhe tonën”, (“Liria Kombëtare”, Gjenevë, 16 shtator 1925). Atdhetarë të mëdhenj shprehën dhëmbjen e tyre të thellë për këtë humbje të madhe. “Vajtojmë tani ca më tepër humbjen e patrioitit të madh, luftëtarit kombëtar, Luigj Gurakuqi,” -shkruante Mihal Grameno (“Koha”,27 qershor 1925). Në një letër drejtuar konsullatës italiane në Shkodër protestohej ashpër për këtë vrasje dhe fajësohej edhe qeveria italiane që e kishte prerë në besë Gurakuqin, për t’i bërë qejfin Zogut. Kjo letër u cilësua nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme ne Tiranë si skandal, kurse vetë Zogu kërkoi që “kësaj çeshteje t’i jepej randësia e duhun e të filloheshin hetimet ma të imta e seroize”, (P.Tako, “Luigj…”faqe 385). Veç kësaj, qeveria zogiste bëri ç’është e mundur që kufoma e Gurakuqit të mos kthehej e të varrosej në atdhe. Dhe kjo jo pa arsye. Dihej se ç’ndodhi në prill të vitit 1924, në varrinin e Avni Rustemit në Vlorë, ku u grumbulluan mbi 10 mijë shqiptarë nga gjithë viset e atdheut e ku mbajtën fjalime historike Fan Noli, Halim Xhelo, Dom Lazër Shantoja, vetë Gurakuqi, në të cilat akuzonin drejtpërdrejt Zogun për vrasjen e Avniut. Dihej, gjithashtu, se kjo vrasje ishte sinjali i kryengritjes e qershorit të atij viti. Dhe Zogu nuk donte që të përsëritej e njejta histori edhe në varrimin e Guarkuqit në atdhe. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme refuzoi kërkesën e familjes së Gurakuqit që trupi i tij të sillej nga Italia dhe të varrosej në Shkodër, sepse “kundërshtarët në të tilla rasa e ceremonina mundohen të përfitojnë”, (AQSH,dosje 74 dok.1, datë 4.3.1925). Sipas studiusit Tako edhe Musolini, nga ana e tij, porosiste Legatën italiane në Durrës që të tregohej e kujdesshshme e të mos implikohej në këtë cështje që, sipas tij ndodhte në një çast tepër delikat”. (P.Tako,”Luigj..”, faqe 385). Kështu varrimi i Gurakuqit u bë në Bari. Sipas kujtimeve të Reshat Këlliçit, në këtë varrim morën pjesë qindra njerëz, shokë, miq, bashkëluftëtarë të tij, arbëreshë, me kurora lulesh në duar. Arkivolin e mbanim me radhë shokë të tij të ngushtë, midis të cilëve Hilë Mosi, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, që vite më pas, siç shkruam më sipër, do të binte edhe ai viktimë e Zogut. Në librin e tij me titull “Hasan Prishtina”, studiusi, Ajet Haxhiu, duke përshkruar këtë varrim të dhimbshëm në fjalën e lamtumirës që mbajti, Prishtina, midis të tjerash tha: “Qoftë mallkue ajo dorë e ndyet që të vrau, e ndodhë që edhe prej nesh do të vriten. Por të siguroj se kurrë një forcë idealizmin nuk mundet me na shue e me na e pakësue. Një ditë do të vijë që monumentin tand do ta ngrehim në Shqipni… Sot po ulemi me nji respekt të madh përpara trupit tand e dikur do të ulemi para këtij monumenti”, (“Hasan Prishtina”, faqe 189-190). Nuk do të zgjatemi në procesin gyqsor të zhvilluar më pas në Tiranë, që e nxori kriminelin të pafajshëm dhe viktimën, pra, Gurakuqin, antipatriot. Dhe kjo ishte e kuptueshme. Qeveria zogiste kishte lidhur marrëdhenie të ngushta me qeverinë e Musolinit, e cila, natyrisht, nuk ishte e interesuar që në këtë proces të dilte hapur, ashtu siç ishte e vërteta, se kush kishte qenë organizatori i kësaj vrasjeje. Megjithaë, procesi shkaktoi indinjatë të thellë, aq sa pas dy vjetësh do të kujtohej me neveri edhe nga vetë gjyqtarët e tipit fashist. Fundshkurti i vitit 1965. Ndodhem në Shkodër. Pas disa ditësh do të përurohet shtëpia muze e Luigj Gurakuqit, me rastin e 40-vjetorit të vrasjes. Dhe, befas, në sallën e madhe të kësaj shtëpie tipike shkodrane, futet një burrë i moshuar. Ai nxjerr nga një valixhe e madhe që mban ne duar, një xhaketë, një palë pantallona, një orë xhepi, një këmishë të përgjakur, një portofol… Të tërë  habiten. Janë rrobat e Luigj Gurakuqit që mbante në çastet e vrasjes. I sjell miku i tij, Gjon (Lin) Kamsi. I ka mbajtur për 40 vjet të ruajtura në shtëpinë e tij. Tani ia dhuron shtëpisë muze. Në portofol ndodhen vetëm disa lira italiane. Dhe ishte ministër i fanancave të Shqipërisë, kur mund të kishtë marrë, para se të largohej, ç’të donte nga arka e shtetit, që e kishte në dorë…

Filed Under: Uncategorized

111  VJET O, DED GJO’ LULI

April 4, 2022 by s p

1911
download

6 PRILL 1911 

Pergatiti: Fritz RADOVANI:

Ded Gjo’ LULI: Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”.

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe, Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së fortunës komuniste me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja. Edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati pa kuptue asgja. Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”, aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij. Aty ishte e shprehun në pak rreshta, por e saktë, si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. 

Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë  me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

111 vjet ma parë, në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja, janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që, ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë! 

Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!

Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye. Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij: “M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji të gjitha Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija. Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit.  Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme dhe të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. 

Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. 

Vetullat e Burrave ishin bashkue e ba hudhi si t’ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që, u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur, ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. 

Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit.

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta! 

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë. 

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se, Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë. Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë. E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e Atyne drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit. Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku, sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit! 

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana. Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken. Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zamakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911.

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve, e të ruejtun mbrendë thellë në Vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti, edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma, jo jo, kurrma! Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën jo vetem asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, po pikrisht ishte At Mati Prennushi dhe At Buon Gjeçaj që palosne në gjoksin e vet Flamurin kombtar, që ia dorzuen Ded Gjo’ Lulit me 24 Maras 1911, dhe si shperblim At gjoks t’ At Matisë e shporuen komunistët me plumba me 11 Mars 1948 në Zallin e Kirit të Shkodres. Aso kohe në 1911, Ata iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje Atij prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës së vitit 1911.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë. 

111 vjet ma parë, me 6 Prill 1911. Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Atë Flamur!

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! 

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë! 

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi! 

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin! 

Sejcili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës.

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët.

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shenj një kapicë.

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve trima e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore, me ushtimën e tyne ndër ato maje Malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster. 

Ishte një Kushtrim i pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut, tue zgjue mbarë një Europë: “Oooo Burra bre, çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!” 

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma, kurrma!

Tingujt e Lahutës së Maleve vazhdonin Kangët e veta! 

Atyne u printe një Ded Gjo’ Lul, që nder Shekuj Emni i Tij vetem rritej! 

E Bjeshkët tona Atë Emen, e kanë të daltuem nder shkrepa!

Nder Ata Shkrepa që s’ njohin kurrma mort!  

E pra Ti o Ded Gjo’ Luli  je Shqipnia, Flamuri, Malësia, Hoti, Burrnia, Besa, Trimnia e Traboinit, Ndera e Shqiptarit, Vetflijimi për Atdhe nder Alpe !

E, Shqipja Dykrenare e Gjergj Kastriotit Skenderbeut! 

Melbourne, 4 Prill 2022.                     

Filed Under: Uncategorized

2 Prill 1991, 31 vite pas…

April 2, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Si sot, 31 vite më parë në Shkodër, u vranë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë katër Pishtarë të Demokracisë dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë, të cilët protestonin paqësisht kundër grabitjes së votës së lirë dhe dhunimit të zgjedhjeve të 31 marsit nga partia- shtet.Firmëtari, themeluesi, anëtari i kryesisë së PD, studenti me bindje të hershme liberale, demokrati aktiv që nga takimi me Ramiz Alinë e deri tek organizimi i PD në Shkodër, i dashuri dhe i shtrenjti Arben Broci; të rinjtë veprimtarë të PD: Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u vranë pabesisht, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë diktaturës se koha e saj kishte përfunduar njëherë e mirë dhe shqiptarët kishin zgjedhur Lirinë, Demokracinë, Prosperitetin dhe Europën! 2 prilli 1991 dëshmon se shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë Lirinë me çdo çmim, duke iu kundërvënë tiranisë!Heronjtë e 2 prillit nuk janë vetëm heronjtë e Shkodrës, djepit të qëndresës antikomuniste dhe demokracisë! Ata janë heronjtë e gjithë Shqipërisë! Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e Arben Brocit dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit demokratik, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar!31 vite më pas, emrat e 4 martirëve të 2 prillit, thërrasin në ndërgjegjen tonë për të na thënë se e keqja ende nuk është mposhtur!Martirët e votës së lirë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka me aktin e tyre sublim, me jetën e dhënë për t’u bërë të pavdekshëm, na ftojnë të bëjmë gjithçka për përmbysjen e këtij sekti, të ngritur mbi diktaturën e drogës, krimit, korrupsionit, vjedhjes së vullnetit e votës së lirë të shqiptarëve.Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Filed Under: Uncategorized

ÇAMËRIA, DIAMANT I KOMBIT SHQIPTAR

March 19, 2022 by s p

Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, te logu i vjetër. Atje ku ndodh shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku çamët i ndal shenja e kufirit të ri, shenja e vendimeve të traktateve dhe marrëveshjeve të konferencave të padrejta. Paqja e detyruar kurrë nuk është paqe. Çamëria ( diamanti i Shqipërisë ) bën pjesë në hartën më të dhimbshme të Evropës. Çamëria u godit rëndë nga ndjekjet dhe, gjenocidi i vazhdueshëm dhe shpërnguljet. Lexojmë në një shkrim të Abdyl Frashërit. Abdyl Frashëri është personaliteti i parë shqiptar që e shtriu origjinën e shqiptarëve deri në Parahistorinë Pellazgjike. Ai nuk ishte as historian, as gjuhëtar, as etnolog. Ai ishte personalitet i shquar politik i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në një varg korrespodencash, si pjesë të një traktati mbi të drejtat e kombit shqiptar, që ai botoi në frëngjisht në pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në organin diplomatik austriak Messagier de Vienne, ai shprehej: ‘’Historia flet për një komb përrallor, për pellazgët hyjnorë, për këta heronjë të lashtësisë, të cilët pandehet se kanë vdekur dhe janë fshirë nga faqja e dheut, duke lënë pas vetëm disa gjurmë në gjuhët greke dhe latine. Është gabim: pellazgët rrojnë edhe sot e kësaj dite. Ata jetojnë tek shqiptarët. Shqiptarët e sotëm janë vetë pelllazgët e lashtësisë me gjuhën e tyre, me doket e tyre dhe me vetë zakonet e tyre. Ati i historisë (Herodoti), thotë se pjesa më e madhe e emrave të perëndive të Olimpit grek i përkasin gjuhës pellasge. Mirë pra, ne i gjejmë sot ato emra në gjuhën shqipe. Janë disa fjalë që shqiptarët i përdorin edhe sot e kësaj dite. Ata nuk kanë fjalë tjetër për të quajtur detin, perveç fjalës Det, Thetis ishte perëndia e Detit. Afrodita, që ishte emir i Venusit, do të thot në shqip afrimi i ditës, pra kuptohet lidhja midis tyre. Unë mund të përmend një seri fjalësh shqip që dëshmojnë ngjashmërinë e shqiptarëve të sotëm me pellazgët e lashtë, por unë po i kursej kolonat e gazetës tuaj dhe nuk dua të përpiqem të vërtetoj një gjë që tashmë është vërtetuar së tepërmi nga eruditët më të mdhenj të shekullit tone”. Çamëria është një teritor shqiptar për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar, shkruante para dy dekadave pinjolli i frashëllinjve, Kristo Frashëri. Ndërkaq, heshtjet gjithashtu mund të acarojnë, madje edhe më keq. Shumica e çamëve që u shpërngulen mizorisht nga vatrat e veta, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore janë ende të gjallë. Janë shuar dy ose tre breza, ata që mezi çapiteshin drejt Shqiperisë, por janë gjallë. Ata janë shumë djepa në Shqipëri, Evropë dhe SHBA. Të gjithë ata, në një mënyrë ose në një tjetër, mbajnë mend netët greke mbi Çamërinë. Asnjë ligj i botës, asnjë formim kulturor nuk mund t`i bëjnë njerëzit të mos kenë kujtesë, e aq më pak të mos kenë nostalgji. Shkruante Kristo Frashëri me rastin e botimit të librit të Sami Frashërit, „Gjeografia e Çamërisë“ e vitit 1989, Konstantinopoj. E themi hapur se kombi ynë ka nxjerrë atdhetarë e burra shteti tē pushkēs dhe tē penēs. Të dheut tonë janë tre kolosët e Rilindjes Kombëtare Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri. Shqipëria u bē e shquar nga puna dhe pērpjekjet vetmohuese të dhjetëra e qindra patriotëve shqiptarë. Ata punuan pēr ndriçimin dhe ndērgjegjēsimin e shqiptarve ndaj detyrēs qē kanē pēr atdheun, pēr gjuhēn dhe historinē. Rilindësit e thonin hapur: Atdheu ynë duhet mbrojtur e zhvilluar në çdo cep të tij. Evropës duhet t´ia themi hapur, ne jemi këtu dhe, jemi gjallë dhe atdheu ynë është,- Shqipëria. Republika e Çamërisë, e shpallur më 30 tetor, 2016, në Hagë të Hollandës, nga Kuvendi Gjithëpërfshirës çam dhe arbanit, u lind 15 mijë vjet pas qytetërimit pellazg, 5 mijë vjet pas Diskut të Festos, dhe Gurit të Lemnit, 2 mijë e 500 vjet pas Mbretërisë së Pirros, dhe rreth 600 vjet pas Princit të Arbrit dhe Mbretit të Epirit, të hyjshmit, – Gjergj Katriotit-Skënderbeut. Në këtë udhë të gjatë qytetërimi, Epiri i Ilirisë-Çamëria, pati mijëvjeçarë të shkëlqyer të kulturimit; artit, shkencës dhe filozofisë. Por, udhës së vështirë nëpër epoka, Epiri pellazgo-iliro-shqiptar, përjetoi lufta dhe gjenocide të rënda nga fqinjët tanë; një gjenocid nga Perandoria Romake, një gjenocid nga Perandoria Osmane dhe 3 gjenocide nga shteti grek e ai serb. Të gjitha këto gjenocide të bëra nga fqinjët kurrë të padënuara. Epiri i pellazgo-ilirisë, Çamëria, jo pa të drejtë quhet folea e gjithë qytetërimit Evropian e botëror. Çamëria pellazgo-shqiptare, njihet për figura të shquara shqiptarësh që i dhanë vepra të çmuara vetes dhe kontribuan në qytetërimin gjithëbotëror. Për këtë diamant të kombit shqiptar, shqiptarët s´kemi nevojë ta qepim hartën e atdheut me Çamërinë, kur atë e ka qepur vet përëndia, – Shqipëria deri në Prevezë e më përtej!… Fragment nga libri i Atdhe Gecit, „Çamëria, kthim në histori-mision“

Dortmund, 19, 03. 2022

Filed Under: Uncategorized

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT