• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEMORANDUMI DREJTUAR LIDHJES SË KOMBEVE, Klerikët: Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi – Dëshmitarë të Popullit Martir

November 19, 2021 by s p

NIKOLLË LOKA/

QËNDRIMI NDAJ ETNISË SHQIPTARE NË MBRETËRINË SKS (JUGOSLLAVI)


Shteti i ri jugosllav u formua më dhjetor të vitit 1918 dhe u quajt zyrtarisht “Mbretëri e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve” dhe më vonë Jugosllavi. Pakicat kanë përbërë afërsisht një të pestën e popullsisë jugosllave. Në kohë paqje ato kanë qenë objekt diskriminimi dhe shfrytëzimi. Në kohë krize, pakicat kanë qenë kërcënimi i vetëm më i madh ndaj sigurisë së brendshme të shtetit jugosllav. Në ato kushte, politikat shtetërore, por edhe interesat e tyre strategjike i detyruan autoritetet serbe dhe jugosllave të bëjnë përpjekje në periudha të caktuara kohore që ta forcojnë frymën kombëtare dhe ta nxisin nacionalizmin te qytetarët e vetë, varësisht nga rrethanat politike, duke kultivuar një frymë shovinizmi të mbështetur mbi projekte të asimilimit kombëtar, në emër të interesave të larta shtetërore. Popullsia shqiptare u integrua në shtetin serb dhe malazez dhe pastaj atë jugosllav kundër vullnetit të vet dhe në kushte veçanërisht të dhunshme.181 Sipas Dekret Ligjit të vitit 1919, Kosova ishte nën administrimin ushtarak të Zonës së Ushtrisë III të MSKS me qendër në Shkup, përkatësisht të Divizionit të Kosovës me seli në Prishtinë. Të gjitha territoret shqiptare ishin ndarë në zona ushtarake. Raporti midis elitës politike serbe që drejtonte shtetin jugosllav dhe shqiptarëve që jetonin në Kosovë ka qenë armiqësor gjatë gjithë ekzistencës së shtetit të parë jugosllav. Shqiptarët në trojet e tyre në Jugosllavi u kategorizuan si ai tjetri i padëshirueshëm, kryesisht nga tre faktorë, të cilët gjithmonë kanë shërbyer si justifikim për shtypjen serbe. Së pari, nga perspektiva e serbëve, shqiptarët e Kosovës ishin të vonë në Kosovë dhe ishin vendosur atje për të mbushur boshllëkun, pas eksodit të serbëve në vitin1690, kur sipas tyre “mbi 30 000 njerëz të udhëhequr nga Patriarku Arsenije III u larguan nga frika e hakmarrjes osmane”. Së dyti, shqiptarët e Kosovës janë fetarisht të ndryshëm nga serbët ortodoksë, të cilët ndiheshin krenarë për aderimin e tyre në besimin ortodoks dhe kontributin e tyre në ruajtjen e krishterimit. Nacionalistët serbë besonin se fakti që shqiptarët u konvertuan në islam dhe gëzuan status të privilegjuar në Perandorinë Osmane i kishte kthyer automatikisht në të njëjtin grup me turqit. Sipas kësaj logjike, shqiptarët duhej të ndiqnin otomanët dhe të largoheshin nga Kosova, sapo osmanët të largoheshin nga Ballkani. Së treti, shqiptarët flasin një gjuhë jo-sllave, e cila ishte një faktor tjetër i rëndësishëm për t’i dalluar ata nga serbët dhe nga sllavët e jugut në përgjithësi. Ideja e Madhe Serbe kishte dy vizione: i pari që parashikonte një shtet të fuqishëm, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë serbët; i dyti që aspironte një federatë të kombeve sllave të Jugut me Serbinë si bërthamën e tij. Shqiptarët nuk futeshin në asnjërën nga ëndrrat e nacionalistëve serbë. Serbia i kishte trajtuar shqiptarët si ai tjetri, ekzistenca e të cilit mund të injorohet dhe kjo ishte më e dukshme në emërtimin e shtetit “Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve” (1919-1929). As shqiptarët nuk donin të integroheshin në shtetin jugosllav, pasi besonin se Kosova duhet t’i përkasë Shqipërisë. Ata ishin krejtësisht të vetëdijshëm se Kosova nuk kishte qenë në gjendje të bashkohej me Shqipërinë në vitet 1913-1914 dhe 1918-1919, sepse serbët e parandaluan atë. Për shkak të presionit nga shtetet e Antantës, shteti jugosllav i nënshkroi traktatet e mbrojtjes së minoriteteve në Versajë më 5 dhjetor 1919, duke pranuar se duhet t’u jepte të drejta minoriteteve që jetonin në territorin e tij, por përjashtoi shqiptarët me argumentin se Kosova kishte qenë pjesë e shtetit serb para Luftës së Parë Botërore, kështu që marrëveshjet për mbrojtjen e minoriteteve në rastin e shqiptarëve nuk u zbatuan.

Marrëdhëniet e Qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (Jugosllave) me Kishën Katolike


Marrëdhënia midis Selisë së Shenjtë dhe Serbisë kishte rëndësi që nga pavarësia e vendit, e marrë në 1878 si Principatë gjatë Kongresi i Berlinit. Në gjysmën e parë të vitit 1914, diplomacia e të dy palëve ishte angazhuar në rinisjen e bisedimeve komplekse, që do të çonin në përfundimin e një konkordati me Beogradin.125 Politikanët serbë nuk kishin një qëndrim unik për “çështjen katolike”. Ilija Grashanin besonte se katolikët në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe provincat e tjera “serbe” duhet të binin nën varësinë kishtare të Serbisë. Qeveria e Nikolla Pashiçit kishte një qëndrim jashtëzakonisht kundërshtues ndaj Vatikanit, kështu që në vitin 1891 ajo ndaloi rreptësisht punën misionare të Kishës Katolike dhe udhëtimet fetare të delegatëve katolikë nëpër Serbi. Prandaj, në vitin 1892, Selia e Shenjtë e akuzoi Serbinë për shkeljen e nenit 35 të Traktatit të Berlinit të vitit 1878, i cili e ndalonte Serbinë nga diskriminimi për arsye fetare. Qëndrimi antikatolik i elitës drejtuese serbe luante rol negativ në tërheqjen e sllavëve katolikë drejt një projekti pansllavist. Në fund të shek. XIX, për të nënshkruar konkordatin me Vatikanin, u angazhua veçanërisht Stojan Novaković, i cili pa në marrëveshjen me Selinë e Shenjtë mënyrën më të mirë, për të tërhequr katolikët jashtë Serbisë në idenë e shtetit serb. Ideja u mbështet gjithashtu nga. S. Simić, por qeveria e re e Vlladan Gjorgjeviq kundërshtoi çdo marrëveshje me Vatikanin, prandaj nga viti 1898 deri në vitin 1912, nuk pati angazhime nga ana e qeveritarëve serbë në lidhje me konkordatin. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike, numri i katolikëve në Serbi u rrit dhe ishte e natyrëshme që na ato kushte Selia e Shenjtë të bënte përpjekje për ta përfunduar konkordatin me Serbinë, ndër të tjera dhe për shkak të pengimit të sllavizimit të katolikëve shqiptarë. Pas bisedimeve të gjata, më në fund u nënshkrua një konkordat midis Mbretërisë së Serbisë dhe Papa Piut X në Romë me 24 qershor 1914. Konkordati përcaktoi që besimi katolik do të shprehej lirshëm dhe publikisht. Ishte parashikuar themelimi i një dioqeze kishtare dhe një seminari, në të cilin “të rinjtë serbë do të përgatiteshin për priftërinj katolikë romanë” dhe, në të cilën gjuha e mësimit për lëndët jo kishtare do të ishte serbe. Klauzola tregon qartë se katolikët në Serbi, pavarësisht nga origjina kombëtare e tyre, trajtoheshin si katolikë serbë. Në Konkordat u theksua se sipas rregullave të së drejtës civile, Kisha Katolike mund të merrte dhe mbante pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dhe t’i administronte lirisht. Në shtojcën e Konkordatit kërkohej pëlqimi i Selisë së Shenjtë që katolikët e ritit latin në Serbi të përdorin gjuhën e vjetër sllave dhe alfabetin glagolitik gjatë ceremonive fetare në famulli të caktuara.127 Parlamenti i Serbisë, Skupština, e kishte ratifikuarm marrëveshjen me Selinë e Shenjtë më 26 korrik 1914, në seancën e fundit para shpërthimit të luftës. Pas pak, jeta tokësore e Pius X do të mbaronte dhe Benedikti XV, i sapo zgjedhur, do ta mbështeste ndërhyrjen e tij dhe veprimin e Vatikanit sipas tre pikave orientuese: paanshmëri rigoroze, veprimtari bamirësie, thirrje për paqe dhe pajtim.128 Dy muaj më vonë, në maj të vitit 1915, Kryeministri Nikolla Pashiç njoftoi dërgimin e të dërguarit të jashtëzakonshëm dhe ministrit fuqiplotë Mihajlo Gavrilović, për të vazhduar me rregullimin e çështjeve të parashikuara nga konkordati i 24 qershorit 1914 midis Selisë së Shenjtë dhe Serbisë. Në korrik të viti 1915 u vendos nga Vatikani për të ia besuar funksionet e Nuncit Apostolik Ipeshkëvit të Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, megjithëse përkohësisht.129 Ky ishte edhe një mesazh se Selia e Shenjtë kishte ndërmend t’i mbronte katolikët shqiptarë nga abuzimet e pushtetit serb. Në vjeshtën e vitit 1917, Qeveria Serbe vendosi të caktojë Gavrilovic në selinë e Petrogradit dhe dërgoi si përfaqësues në Selinë e Shenjtë, Lujo Bakotic´, një diplomat i cili kishte luajtur një rol të rëndësishëm në konkordatin e vitit 1914 me Serbinë dhe që do ta përfundonte edhe me Mbretërinë e Jugosllavisë, në vitin 1935, por që nuk u ratifikua asnjëherë nga Parlamenti i Beogradit. Pozita e katolikëve shqiptarëve ishte shumë e keqe se e atyre sllavë. Kur më 24 qershor të vitit 1914, u lidh marrëveshja midis Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Serbisë, u duk se shumë sende do të zgjidheshin në të mirë të Dioqezës Katolike Shqiptare. Kufijtë e saj të vërtetë u zgjeruan me bashkëngjitjen e pjesës, në të cilën udhëhiqte një Administrator Apostolik në Konstandinopojë. Në të vërtetë, fjala është vetëm për famullinë e Manastirit, me disa besimtarë të shkapërderdhur. Përveç kësaj, kishte qenë paraparë që në seli të themelohet një seminar në të cilin do të përgatiteshin “djelmoshat serbë”, për priftërinj katolikë. Përveç kësaj, Qeveria e atëhershme serbe kishte kërkuar që në të gjitha famullitë dhe dioqezat katolike në liturgji të aplikohet gjuha e vjetër sllave,131duke ua mohuar katolikëve shqiptarë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre që e kishin fituar që në kohën e Perandorisë Osmane. Ndërkohë kishte dhe një përpjekje të klerikëve sllavë për të hapur shkolla katolike në gjuhën serbo-kroate, çfarë binte ndesh me aspiratat e shqiptarëve dhe angazhimet e klerikëve shqiptarë të ëktij kleri. Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Shkup-Prizrenit Janez Franjo Gnidovec, duke u pajtuar me realitetin politik të ndalimit të gjuhës shqipe, nuk do t’i dërgonte më nxënësit që do të bëheshin klerikë për tu shkolluar në Seminarin e Shkodrës, por nga viti 1928 i dërgonte në Manastir, deri sa në Prizren u hap seminari i ri në vitin 1930. Edhe në këtë Seminar dominonte gjuha serbokroate. Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, siç sugjeron emri fillestar i shtetit, njihte vetëm tre kombësi, të cilat me sa duket formuan një komb jugosllav. Edhe kombeve “emërtues”, mbi bazën e ndryshimeve, formuan programe politike, veçanërisht në lidhje me ndërveprimet midis kroatëve dhe serbëve, rrjedhimisht edhe midis Kishës Katolike Romane Kroate dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kroatët dhe sllovenët prisnin që mbretëria të ishte një shtet federal, por përfaqësuesit e tyre në negociatat për krijimin e shtetit e lanë atë pyetje të hapur. Në praktikë, kjo do të thoshte se ata ranë dakord për një sistem të centralizuar, në të cilin mbizotëronte grupi më i madh. Pra serbët, megjithëse kishin vetëm një shumicë relative, kontrolluan aparatin shtetëror nga fillimi në fund, d.m.th., ata kishin një shumicë në Asamblenë Kombëtare, mbizotëronin Qeverinë dhe ushtrinë. Myslimanët nga Bosnja dhe Hercegovina, duke qenë pjesë e Shtetit Serbo-Kroato-Slloven, ranë dakord për bashkimin me Mbretërinë e Serbisë dhe Mbretërinë e Malit të Zi, sepse jugosllavizmi para vitit 1918 ishte në thelb një ide serbo-kroate-sllovene dhe ata u anashkaluan në shumë aspekte. Për më tepër, lëvizja e tyre autonomiste (neo-bošnjaštvo) nuk ishte shfaqur para vitit 1930. Sidoqoftë, politika e tyre partiake kishte filluar të zhvillohej në vitet e fundit të Austro-Hungarisë dhe rifilloi në vitet 1920, si Organizata Myslimane Jugosllave, e cila ishte e lidhur ngushtë me komunitetin fetar islamik. Shumë më tepër padrejtësi iu bë maqedonasve, malazezëve dhe shqiptarëve, gjë që shkaktoi edhe më shumë trazira. Maqedonia (referuar vetëm si Serbia e Jugut) dhe Kosova (me shumicë shqiptare) u aneksuan me force.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Nikolle Loka

Urime Përparim Rama: “Fitove Prishtinën, zgjove shpresën për Kosovën dhe Shqipërinë demokratike”

November 16, 2021 by s p

Gjeneral* Piro Ahmetaj

Së pari, rikthimi i frymës së shenjtë të Rugovës me fitoren e Prishtinës nga arkitekti talentuar Përparim Rama do të skalitet në memorjen e përpjekjeve të sukseshme për të rikthyer besimin te demokracia funksionale në Kosovë.

Urime vllazërore Përparim Rama, na bëre të gjithëve krenar me fushatën model, me fitoren e merituar, me vizionin dhe programin perëndimor: “për ta nxjerrë Prishtinën nga kaosi urbanistik dhe jo vetëm” !

Familja, shkollimi dhe integriteti Juaj  sigurisht i bën nder Prishtinës por i jep shpresë edhe Kosovës, pasi me standartet e fushatës, rezultatet në kohë reale  si dhe urimin fisnik nga kundërshtari ja dolët të zhvilloni zgjedhje dinjotoze si në të gjitha vendet demokratike!

Megjithëse zgjedhje lokale, jam i sigurt se kjo fitore, duhet dhe do të shërbejnë edhe si një mesazh i fortë përkundër qasjeve populiste, patriotizmit folklorik, frumës antiamerikane si dhe zhgënjimit të Kosovarëve për kapjen e shtetit nga korrupsioni, krimi organizuar, shpërdorimi i pushtetit për interesat, axhendën dhe inatet primitivo – ballkanike. 

Së dyti, me këtë rast e përsëris se Shqipëria ka 30 vjet që sipas raporteve të OSBE/ODIHR, etj: “bën një hap para por dy mbrapa” duke mbetur kështu i vetmi vend edhe në rajon që ka “dështuar me sukses” për të realizuar zgjedhje me standarte demokratike dhe të gjithëpranuara !

Për me keq akoma, besimi i qytetarëve te vota e lirë brenda edhe partive Politike, shpresat te demokracia funksionale dhe harmonia e pushteteve janë të nëpërkëmbura! 

Gjithësesi, shpresoj që zgjedhjet në Kosovë dhe fitorja e merituar e arkitektit të Prishtinës, do të shërbejnë si model edhe për Ne/Shqiptarët e gjysmës së përkëtej kufirit, se: “vetëm me fuqinë e votës se lirë dhe njerzit mëndjehapur, do të mundemi të rikthejmë vendin në shinat e demokracisë funksionale si USA dhe e gjithë Europa”!

Nuk do shpikim rrotën, s’ka nevoj fare as për udhëheqës të pazëvendësueshëm, as për dëshmorë, as për Komisione teatrale pas humbjes turpëruese të radhës, as për vulëhumbur dhe as për kamikazë të vulës, as për ofiqare të emëruar dhe as për matrapazë të pushteteve. 

Eshtë fare e thjeshtë, do duhet vetëm që me fuqinë e votës së lirë të realizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike brenda Partive politike, në zgjedhjet lokale dhe ato kombëtare, ashtu si në Kosovë, MV, Mal i Zi, Bosnjë, Serbi dhe mbarë Europën. 

Thënë sa më sipër, mbetem shpresëplotë se kombi ynë do të përparojë dhe të dy shtetet (Shqipëria & Kosova)  do të bëhen demokratike si USA dhe gjithë Europa edhe për inat të këtij sekti politikanësh zullumqasë që për 30 vjet pasi kanë deformuar votën e lirë, kanë pushtuar Partitë politike dhe Institucionet shtetërore, u kanë grabitur si kusarë pronat dhe u kanë vrarë shpresat e mbarëShqiptarëve! 

Shënim: Marrë nga faqja facebook-ut:

Gjeneral * Piro AHMETAJ, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Përfaqësues Kombëtar i RSh në NATO!

Filed Under: Uncategorized

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin e Paqes në Paris

November 13, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Është detyra jonë si liderë të avokojmë për më shumë barazi e drejtësi/

PARIS, 12 Nëntor 2021–Gazeta DIELLI/ Gjatë qëndrimit në Paris të Francës, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, z. Josep Borrell.    

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit të Paqes, ku ishin të pranishëm aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, ndër ta edhe Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj.Kamala Harris, kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve me një mesazh.

“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, tha ndër të tjera Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Për të katërtin vit radhazi, Forumi i Paqes në Paris mbledh aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, krerët e shteteve dhe qeverive dhe drejtues të organizatave dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe, si dhe disa aktorë të shoqërisë civile.

Edicioni hibrid që mbahet nga 11 deri më 13 nëntor, u organizua për të avancuar zgjidhje konkrete ndaj sfidave të mëdha të paraqitura nga pandemia COVID-19 dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.


Mesazhi i plotë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I dashuri President Emmanuel Macron,

Të nderuar udhëheqës të shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare,

Zonja dhe zotërinj,

Faleminderit për këtë mundësi.

Po jetojmë në kohë të ndryshueshme. Historia ka ecur më shpejtë në këto dy dekadat e fundit sesa në dy shekujt e kaluar. Udhëtimet e shpejta, komercializmi dhe informimi kanë hequr barrierat, kanë shtuar mundësitë dhe kanë nxjerrë miliarda nga varfëria.

Megjithatë, ato kanë sjellë edhe rreziqe të reja, si ndryshimet klimatike dhe kanë thelluar hendekun e pabarazisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Po ashtu, ne tani jemi më të ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe pandemive, që zhvillohen dhe përhapen më lehtë se kurrë.

Mënyra se si rritemi është në kundërshtim me vlerat tona morale dhe me planetin.

Krejt çka na duhet është rritje në harmoni me natyrën dhe që në qendër ka paqen, barazinë dhe prosperitetin për të gjithë.


Kjo kërkon ndryshim të mënyrës se si bëjmë biznes – ndryshim të qasjes sonë dhe të mënyrës se si jetojmë.


Por, përderisa njerëzit mendojnë që është në rregull të fluturosh me avion privat, përderisa 25.000 njerëz vdesin çdo ditë nga uria dhe më shumë se gjysmë miliardi jetojnë në varfëri ekstreme – ky vizion duket i paarritshëm.

Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën.Të parafrazoj një thënie të Martin Luther King Jr: “Pabarazia kudo është kërcënim i barazisë çdokund”.

Filed Under: Uncategorized

Në 21 komuna të Kosovës të dielën e 14 Nëntorit 2021 balotazhi i zgjedhjeve lokale

November 13, 2021 by s p

-Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Në Kosovë të dielën e 14 Nëntorit 2021 votohet në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ndërsa në minutën e parë të së shtunës ka nisë heshtja zgjedhore. Pas votimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën e 17 Tetorit 2021 me pjesëmarrje të votuesëve 42,50%,  sipas rezultatit të garës për kryetarë në shumicën e gjithësejt 38 komunave – në 21 do votohet përsëri në balotazh e në 17 u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc (Drenas), Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. 

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila  është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

 Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoi në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave, që u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorin 2013. Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999,  zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 Nëntor.

 Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë. 

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri i votuesëve për Mitrovicën e Veriut ishte 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Behlul Jashari

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës takim me Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

November 5, 2021 by s p

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje, znj. Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe deputeti z. Enis Kervan, anëtar, njëherësh kryetar i Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës, mori pjesë në takimin e radhës të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili u mbajt më 3 dhe 4 nëntor në Budapest të Hungarisë. Gjatë këtij takimi, një nga temat kryesore të diskutimit ishte “Mbështetja e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor”, gjatë trajtimit të së cilës pjesëmarrësve iu drejtua z. Olivér Várhelyi, Komisioner i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, dhe anëtarë të delegacioneve nga rajoni. Duke folur lidhur me pakon e zgjerimit të Komisionit të BE-së 2021, z. Várhelyi tha se në raportet e këtij viti shihet se BE-ja ka një agjendë të njëjtë me Këshillin e Evropës sa i përket çështjes së reformave në Ballkanin Perëndimor. “Siç mund ta dini, raportet e këtij viti përputhen plotësisht me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të miratuar vitin e kaluar nga Komisioni, si dhe katër parimet kryesore të tij: më shumë besueshmëri, më shumë parashikueshmëri, më shumë dinamizëm dhe drejtim politik më të fortë”, theksoi Várhelyi. Komisioneri Várhelyi veçoi edhe disa nga çështjet kryesore dhe hapat që i presin vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Kosovës, ai tha se duhet të vazhdohet me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj, duke bërë kështu thirrje për një Kosovë pa viza. Lidhur me dialogun, ai tha se duhet të vazhdojë dhe të përfundojë me sukses, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Në vazhdim, Komisioneri i BE-se tha se vendet e Ballkanit Perëndimor sfidë kryesore e kanë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjate takimit të Komitetit per Çështje Politike dhe Demokraci, fjalën e mori edhe drejtuesja e delegacionit të Kosovës, znj. Saranda Bogujevci. Në fjalën e saj Bogujevci fillimisht rikujtoi adresimin e saj gjatë sesionit plenar në shtator, i cili i mbajt në Strasburg. “Në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë tutje, duhet të përqendrohen në vlerat evropiane, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe demokracinë”, theksoi znj. Bogujevci. Në vazhdim Kryesuesja e delegacionit të Kosovës përmendi masat qe ka ndërmarrë Kosova për vënien në fuqi të legjislacionit dhe implementimin e tij, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve pakicë. Tutje ajo shtoi se Kosova ka nevoje për mbështetje në arritjen e përmbushjes së objektivave për t’iu bashkuar familjes evropiane. Znj. Bogujevci theksoi se Kosova është pjesë e Komisionit të Venecias dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe se misioni i Kosovës do të kompletohet me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Në vazhdim nënkryetarja e Kuvendit zhvendosi fokusin te çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke iu rikujtuar edhe një herë të pranishmëve se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa të drejtë të lëvizjes së lirë. Ajo tha se liria e lëvizjes do të kontribuonte më së shumti tek të rinjtë, të cilët do të mund të kenë mundësinë të marrin eksperienca nga jashtë, për të ndihmuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit te tyre. Në fund të fjalës së saj znj. Bogujevci u bëri thirrje të pranishmëve për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Deputeti Enis Kervan, gjatë fjalës se tij theksoi se BE-ja është donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon, si dhe partneri kryesor politik i Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë një investim gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, të përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta. Në vazhdim z. Kervan rikujtoi se kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet nga Marrëveshja e Dejtonit dhe tetëmbëdhjetë vjet nga Samiti i Selanikut, i cili nisi agjendën integruese të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mirëpo, siç tha ai, ende edhe sot Kosova mbetet i vetmi vend i izoluar në Evropë. “Dhe pyetja ime është pse, edhe përkundër faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, të konfirmuara edhe nga Parlamenti Evropian? Të mos harrojmë se në Kosovën multietnike, përveç shqiptarëve dhe serbëve, edhe komunitetet tjera, si turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, jetojnë me të drejta të plota kushtetuese dhe ligjore. Të gjithë kemi një kërkesë për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse e ardhmja e të gjithë neve është brenda Bashkimit Evropian”, theksoi z. Kervan. Gjatë këtyre ditëve të takimit, delegacioni i Kosovës është takuar edhe me z. Istvan Jakab, Nënkryetar i Kuvendit të Hungarisë, si dhe me z. Zsolt Németh, Kryesues i Delegacionit të Hungarisë në Këshillin e Evropës, si dhe Kryesues i Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Z. Jakab theksoi se ka qenë kryesues i grupit për Ballkanin Perëndimor brenda Parlamentit të Hungarisë, si dhe bashkëkryesues i Grupit të Miqësisë me Kosovën. Ai theksoi se Hungaria ka qenë gjithmonë partner i Kosovës dhe pro liberalizimit të vizave për qytetarët e saj, dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Po ashtu delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një vizitë edhe në Ambasadën e Kosovës në Budapest, gjatë të cilës është pritur nga U.D. i ambasadorit, z. Naser Idrizi.​

Filed Under: Uncategorized

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT