• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konica dhe Noli në dritën e “Diellit” 

March 5, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ». Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj?  A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre? Ç’ rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh? 

Si arritën dy miq të bëhen armiq dhe të bëhem miq përsëri?

Kjo është një pyetje së cilës rreket t’i përgjigjet ky studim, pasi kjo nuk është jeta e dy njerëzve të thjeshtë, por historia e dy njerëzve të mëdhenj, dy prej figurave më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, dy gjenive të shpirtit shqiptar, kur gjaknxehtësia kalon kufijtë enëve të gjakut. Të Faik Konicës dhe Fan Nolit, mjeshtrit dhe dishepullit, mikut dhe armikut, që ditën ta respektonin njeri tjetrin, por ashtu si ditën ta “urrenin “ njeri-tjetrin duke i dhënë krahë muzës së tyre të polemikës shpesh herë të paskrupullt. 

Dy njerëz që respektonin njeri- tjetrin në fushën e letërsisë e përkthimit, por kur këta dy beqarë të përjetshëm, që kur u pleksën në krahët e bushtrës “politikë”, u shndërruan në dy adoleshentë xhelozë, të ngërthyer një treshe dashurie e urrejtje, ndaj një figure historike, herë- herë arkaike, por me një zgjuarsi finoke, por praktike, si ajo e mbretit Ahmet Zogu.  Asnjeri prej tyre nuk e pranonte superioritetin e tjetrit. Dhe kur e vlerësonin njeri-tjetrin e vlerësonit, në ato fusha ku lavdia e tjetrit, nuk i kërcënonte lavdinë përkatëse të tyre.

Si mundën dy njerëz të mëdhenj të përkushtuar ndaj atdheut, të hynin në armiqësi nga raporti që mori njeri apo tjetri, ndaj atij që e quan po vetë, si mjeshtra të gjuhës që ishin, me karakterizime, si “nëpërka, salemboza, sulltan salepi, super tradhëtori, sygjarpëri, zemërvreri, gjakkalburi e shpirtshitur, Mydiri i Pashiçit, për një person të tretë, -Mbretin Zog? 

Sidoqoftë, në histori krijohen mite dhe tabu, por realiteti dhe e vërteta historike rezulton të jetë e ndryshme. Ndaj ajo që duhet qëmtuar, ajo që duhet zbuluar, duhet të kapërcejë mitet, duke i parë analizuar ata në kohën e tyre dhe përjashtuar paragjykimet ideologjike të politikave të sotme dhe të kohës.

Gjatë gjithë periudhës komuniste, në të gjitha analizat e bëra për periudhën pas Revolucionit të Qershorit, fajin për çarjen e madhe mes Nolit dhe Konicës dhe qëndrimin e ashpër të Vatrës kundër Nolit, ia veshin karakterit e paqëndrueshmërisë të karakterit të Konicës, dhe faktit që ai pranoi dhe që u pajtua me Zogun dhe iu kundërvu mikut të tij dhe shokëve. Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ». 

Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj? 

A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre?  Ç’rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh? 

Por a është vërtet kështu? Në këtë sprovë do të tentojmë t’i analizojmë dukuritë për tej të vërtetës të secilit prej tyre, përtej mitizimit të figurave të tyre si dy korifej të kulturës shqiptare dhe dy figurat më të mëdha të diasporës së Amerikës. Në këtë studim ka fakte të njohura dhe të panjohura të cilat do t’i analizojmë nga këndvështrimi i biografive të  tyre, nga këndi i politikës dhe publicistikës së tyre dhe nga analiza psikologjike dhe psikoanlatike e personaliteteve të tyre. Por të gjitha këto ngjarje dhe përplasje janë bërë në mejdanin e Vartës dhe të organit të saj Diellit.

Është interesant se dhe punime madhore e kanë shmangur analizën e veprimeve dhe dukurive të divergjencave në mes tyre. 

Në libra të tillë si “Fan Noli në fushën politike dhe publicistike”, Pirro Tako, Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’, 1974 , me shumë informacione për Nolin, natyrisht, fajësohet Konica si “lake i Zogut” dhe glorifikohet Noli, si bir i revolucionit. Ndërsa disa libra pas ardhjes të demokracisë, si : Beqir Meta , “Federata Panshqiptare “Vatra””. Globus, Tiranë 2002 ”e shmang këtë periudhë, madje dhe profesori skrupuloz, Jup Kastrati në monografinë e tij “Faik Konica”, sado shteruese, nuk e analizon këtë dukuri, por jep vetëm disa fakte historike për ngjarjet e atyre viteve; pak a shumë, kjo ndodh edhe në studimin e profesorit kanadez, Robert C. Austin “Founding a Balkan State: Albania’s Experiment with Democracy”, Toronto: University of Toronto Press, 2012, i përkthyer dhe në shqip, që merret kryesisht me periudhën 6 mujore të qeverisjes së Nolit. Ndërsa një botim mjaft interesant që trajton dikotominë Noli- Konica, është libri i Anton Çefës , “Noli dhe Konica”, botimet, Lulupress , 2010, autor me të cilin ndaj disa opinione, por kam edhe kam objeksionet e mia, për disa nga konkluzionet e tij, siç kam edhe për disa artikuj të botuar vitet e fundit, ndër to dy punime që i kam shqyrtuar shkrimin e gazetarit veteran kosovar, Mehmet Kraja, “Noli dhe Konica, këta përçarës të mëdhenj të botës shqiptare” , Dalip Greca .”Dyluftimi Noli-Konica “Dielli”: Fan Noli, bolshevik republikan, 27 Prill, 2010  si edhe studimin historiko-letrar të profesoreshës prof. dr. Eleni Karamitri “Faik Konica e Fan Noli”  sidomos në biografitë e paçmuara të Ilir Ikonomit, Konica Qëndrimi në Uashington dhe monografitë mbi Nolin “Apostulli” dhe “Rebeli” dhe disa artikuj të tjerë të shtypit shqiptar e të huaj mbi këtë tematikë.

Konflikti midis Nolit dhe Konicës është trajtuar më shumë si konflikt qëndrimesh politike, por realiteti i divergjencave dhe i ndarjes të Nolit dhe Konicës, të Vatrës dhe Nolit, del përtej qëndrimeve të ndryshme antagoniste politike, del përtej para- gjykimeve individualiste, dhe ka si strumbullar qëndrimin, që duhet të mbante “Vatra” dhe diaspora e Amerikës, për Shqipërinë. Po në skenën e teatrit politik shqiptareve të ngjarjeve te qershorit 1924 – dhjetorit 1925 pozicioni i dy miqve ishte i ndryshëm, nëse Noli ishte sa aktor e drejtues i këtyre ngjarjeve, Konica ishte spektator i shqetësuar që kërkon të bëjë edhe regjisorin dhe dirigjentin e asaj që ndodhte në Shqipëri, por nga larg. 

Por, gjithsesi, gjakimi i Konicës dhe “Vatrës” pas tij, ishte fati i ardhshëm i Shqipërisë, dhe ruajtja e paqes sociale në të. Në të gjitha studimet e hulumtuara, prej meje nuk është vënë në dukje, ky element. Për të gjithë studiuesit, faji është i Zogut, apo i Konicës që i besonte Zogut, dhe të gjithë përgjithësisht shfajësojnë Nolin dhe fajësojnë, deri diku, pa të drejtë edhe Konicën. 

Me gjithë respektin për shqiptarin e patriotin e madh Fan Noli, parë në këndvështrimin e asaj që kërkohej për vendin nga koha, nga qëndrimet e tij politike të kohës, nga afrimiteti që Noli pati me ideologjinë politike, në modë në atë kohë, komunizmin, edhe pse vetë nuk qe i tillë, mund të ketë çuar në divergjencat mes tyre. 

Qëndrimet e Konicës sot, edhe pse brenda qerthullit të periudhës, kur jetoi, mund të dukeshin regresive, konservatore, monarkiste, si pajtimi i tij me një figurë jo aq përparimtare, por stabilizuese si Zogu, duke i parë, me sytë e sotëm, se ku e çoi komunizmi botën shqiptare, lypset ta vlerësojmë Konicën, edhe për largpamësinë e tij historike. 

Dikush nga studiuesit, biografët dhe analistët e sotëm, duke e dashuruar figurën e Nolit e minimizojnë ndikimin e ideve të komunizmit në lëvizjen e tij politike, kurse të tjerë studiues të periudhës dhe historiografisë komuniste shqiptare, kërkojnë me zor ta bëjnë Nolin, aktivist të saj, dhe t’i mohojnë Konicës vlerat progresive, kur këtë gjë s’ ja bënte as nemesis i tij përkohshëm, Fan Noli. 

Nga ana tjetër, ndërsa Konica nuk kishte përgjegjësi direkte për ngjarjet në Shqipëri, Noli u besonte idealeve dhe i duhej të mbronte dhe qëllimet e Revolucionit të Qershorit. Në fakt, këto qëndrime politike dhe divergjencat mes Nolit dhe Konicës, pushtuan dhe shkaktuan për më shumë se një dekadë përçarje edhe brenda Vatrës, duke zgjatur qysh nga viti 1924 deri në vitin 1937, kur Noli i sëmurë e “vari në mur këllëçin e tij politik” e tij të luftës kundër Zogut, dhe tha, se hiqte dorë nga politika. Dhe si pasojë vetëm në atë moment, kur ai gjen paqen tek letërsia  arrin dhe ripajtimin me mikun e tij të vjetër, Konicën. 

Në këtë mes, do të na duhet të ndajmë, deri diku, mendimin me gazetarin Mehmet Kraja, kur shkruan se “Në këtë kuadër, edhe zënkat e gjata dhe të vazhdueshme të Nolit me Konicën, kanë shkaktuar përçarje të mëdha në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe të shqiptarëve në Shqipëri. Grindjet e tyre nuk kanë qenë aspak parimore. Polemikat e tyre flasin për dy njerëz vetë-mburrës dhe egocentrikë, me mentalitet provincial tipik shqiptar, të cilët janë në gjendje të sakrifikojnë çdo parim për interesa meskine” . 

Ne pajtohemi me pjesën e parë të këtij citimi, por nuk është e vërtetë se “grindjet e tyre, nuk kanë qenë aspak parimore”.   Në fakt grindjet mes tyre ishin, jo vetëm për qëndrimet e tyre të ndryshme politike, për fatin e Shqipërisë dhe kryesisht për qëndrimin ndaj figurës së Ahmet Zogut. 

Por forma dhe shkalla e armiqësisë mes tyre, merrte konotacione karakteriale shqiptare dhe përtej zemërimit, që në nënvetëdije merrte shtysa nga një dëlir narcizist dhe një raport zilie dhe xhelozie, si ai i profesorit me nxënësin e anasjelltas, ku vlerësimit ndaj njeri-tjetrit ia zinte vendin, mllefi i shfaqur jashtë zënkshëm, duke përdorur të gjitha mallkimet e gjuhës shqipe, që ata të dy i zotëronin mjeshtërisht.

Vetëm atëherë kur Konica nuk jetonte më, Noli do ta vlerësonte atë në shkallën sipërore. “. Faik Konica ka qenë njëri prej bijëve më të shkëlqyer të Shqipërisë, një nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë; eshtë njeriu që na ka zbuluar  flamurin e Skënderbeut. Këta tituj nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët e tij më të egër. . .

”-Sidoqoftë nga lartësia e karakterit të tij edhe Konica pranon fajësi” “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndërgjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.” shkruan Anton Cefa. Është kjo “responsible”, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!” Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike.”  Nga ana tjetër, Fan Noli, si një atdhetar i lindur dhe i formuar në diasporë larg atdheut e si veprimtar politik që luftoi me penë në vijën e parë të luftës ideologjike për çlirimin kombëtar dhe shoqëror të Shqipërisë, ka raste që dhe ka gabuar, sepse si ka thënë vetë: ata që kanë luftuar në vijën e parë të zjarrit, dhe kanë çarë një udhë të re, kanë medeomos lajthime. Sepse – shton ai – nga lajthimet munt të shpëtojnë vetëm ata që rrijnë jashtë zjarrit dhe bëjnë sehir.

Në kohën që ai vendosi “këllëçin politik në muze” ishte 52 vjeç, pra afër pleqërisë. Dhe ai e kuptonte që lufta vetëm me fjalë dhe me shkrime nuk do ta shpëtonte kurrë popullin shqiptar  Historikisht Noli pati të drejtë. Ai u tërhoq nga beteja politike në një kohë që s’ishte më i zoti për  ta drejtuar dhe e shikonte të përfunduar misionin e tij i planin politik. Pas «imdatit», ose pak më parë, Noli fillon edhe korrespondencën me Faik Konicën.  

Nuk e dimë në çfarë rrethanash lindi, dhe kush dhe cili i shkroi i pari tjetrit. Por një gjë është e sigurt, se Noli nuk e mori asnjëherë mundimin t’i bënte një vizitë këtij. 

Përkundrazi, qe Faiku, ai që detyrua të vinte në Boston dhe të asistonte në një meshë peshkopale të Nolit dhe të bënte të parën deklaratë publike: “Me këtë rast u poqa me shokun e vjetër peshkop, Fan S. Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjetësh”, dhe këtu Faiku tha edhe ato fjalët e “mëdha”, sesi heronjtë e Homerit ne shkëmbejnë fjalë të ashpra e pastaj pajtohemi ”Mirëpo heshtja e gjatë disavjeçare, nuk ishte diçka e rastit. Ajo tregonte se mosmarrëveshjet e tyre politike kishin qenë të thella dhe, se ata kishin qëndruar në dy platforma politike krejt të kundërta.   

Filed Under: Vatra

Vatra Tampa Bay festoi 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

March 4, 2025 by s p

Vatra Tampa Bay organizoi tek Safety Harbor Resort & Spa një pasdite festive për të përkujtuar ditën e shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës. Presidenti i Vatrës në Tampa, z. Isuf Spahija, i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe shprehu rëndësinë e kësaj ngjarje historike. Fjala përshëndetëse u mbajt nga Dr. Kujtim Latifi, M.D. i cili theksoi se historia e Kosovës është një histori dhimbje, vuajtje, dhe suksesi që do iu mësohet brezave që do të vijnë.

Në fjalën e saj, znj. Meri Andrea Kodra, drejtoresha e shkollës shqipe Vatra, falenderoi të gjithë nxënësit dhe prindërit për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Ajo gjithashtu falënderoi stafin pedagogjik të shkollës të përbërë nga mësueset Ana Kullaj, Shega Hyka Mucaj, Resmie Sala, dhe Pranvera Xhafaj si edhe mësuesit e grupit të këngëve dhe valleve Lida Zaimi, Armand Zacelici, dhe Ariana Filipi Poloska. Për më shumë, ajo falenderoi Vatra Tampa Bay dhe Bordin Ekzekutiv të saj për ngritjen dhe administrimin e shkollës shqipe Vatra. Kjo festë u bë e mundur falë mbështetjes së sponsorëve të mëposhtëm:

1. Znj. FOTINI ALLTENI, Trustee dhe Drejtoresh Ekzekutive e The Kosloski Family Foundation

2. Albanian American Women Organization – MOTRAT QIRIAZI, Florida Chapter

3. Z. TASIM RUKO dhe Ruko’s General Construction Company

4. Dr. GENTI TAHIRAJ, M.D.

5. European Salon & Spa by Joana dhe Znj. ELENI PECA

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!

Zoti të Bekoftë!

Me respekte dhe nderime të larta

Vatra Tampa Bay

Filed Under: Vatra

Një takim domethënës i Vatrës Long Island – New York

February 24, 2025 by s p

Dr. Paulin Marku/

Një takim domethënës i patriotëve të Vatrës Long Island – New York. Shkëmbime idesh dhe sugjerime të vlefshme për të rritur aktivizmin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet patriotike, atdhetare, kulturore dhe edukative në shërbim të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës. Një degë e re e Vatrës që bashkon komunitetin dhe afron komunitetin tonë drejtë përpjekjeve për të zhvilluar më së miri vlerat tonë më të mira kulturore e kombëtare. Mirënjohje patriotëve shqiptarë fisnikë në Long Island për mbështetjen ndaj Vatrës dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”. Të gjithë bashkë bëjmë një forcë të madhe vlerash përfaqësuese. Zhvilluam një takim domethënës për vazhdimësinë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Është mbresëlënëse dëshira për të kontribuar dhe gatishmëria për ti shërbyer kauzës kombëtare. Zhvilluam diskutime konstruktive rreth: sukseseve dhe veprimtarive atdhetare, financave dhe transparencës, mirënjohja për kontributorët e veprimtarët e palodhur si dhe u përcaktua axhenda e aktiviteteve për vitin në vazhdim. Suksesi ynë sot do jetë frymëzim për atdhetarët e së nesërmes. Mbështetja e patriotëve të Vatrës Long Island për kalendarin e aktiviteteve patriotike të Vatrës është motivim, shpresë dhe përgjegjësi e lartë komunitare dhe atdhetare. Vlerësim e mirënjohje gjithësecilit që i është bashkuar projektit tonë patriotik. E ardhmja na përket neve. Kombi do jetë mirënjohës për çdo sakrificë e kontribut.

Filed Under: Vatra

Vatra dhe shqiptarët e Saint Louis-it

February 23, 2025 by s p

Besian Gjika/

Më 23 të shkurtit 1913, 112 vjet më parë u themelua në Saint Louis, Missouri, dega nr. 20 e Vatrës, më këtë pleqësi:

Kryetar Z. Vasil G. Marko, nënkryetar Z. Riza Voskopi, sekretar Z. Nick D. Katro, arkëtar Z. Xhafer Biranji, kontrollorë Z. Bilbil Mustafa, Z. Sotir Rehova, Z. Nuçi Anastas Voskopoja. (KALENDARI i VATRES i Motit 1918)

Ashtu siç edhe përshkruhet në numrat e gazetës Dielli të atij moti, dëshira dhe vullneti i shqiptarëve në Saint Louis, për t’u faktorizuar dhe ndihmuar tokën e të pareve, ka qenë e madhe por me kalimin e kohës gjërat morën rrjedha të ndryshme qoftë për arsye subjektive apo, për shkak, edhe të distancës me qendrën e Vatrës, në Boston. Largimet e para të drejtuesve ndodhin shpejt që në kapërcyell të vitit 1914. Kjo solli edhe përçarjet e para midis grupeve dhe, në vitin 1915 në Saint Louis, përveç Degës nr. 20 të Vatrës kemi edhe shoqata dhe klube atdhetare si “Bijtë e Shqiponjës”, “Mprojtja Shqipetare”, etj.

Një relacion mbi gjendjen e shqiptarëve ne Saint Louis na jep patrioti, Mihal Grameno i cili e vizitoi Saint Louis-in në 31 maj të vitit 1915. Në faqen e tretë të gazetës “Koha” në numrin e datës 17 qershor 1915, ai jep disa fakte interesante mbi shqiptarët e këtushëm. Sipas Gramenos numri i shqiptarëve të numëruar shkon deri në 2500 veta, duke e bërë një prej kolonive kryesore në Midwest. Po aty ai citon se është për të ardhur keq që shqiptarët e kësaj kolonie, të cilët kanë shumë individë të pasur, nuk e gjejnë dot gjuhën dhe njerëzia fajin ua vendos drejtuesve kokëfortë. Mirëpo, citon Grameno, nevoja e mëmëdheut për bijtë e saj është shumë e madhe, ndërkohë që në Saint Louis ekzistojnë dy klube me të njëjtin emër.

Në vitet në vazhdim gjërat ndryshojnë edhe sipas zhvillimeve që ndodhin në Shqipëri. Në vitin 1918 shqiptarët ortodoksë themelojnë kishën shqipe të Shën Mitrit (Saint Dimitri) në adresën, 1024 Mississippi Avenue dhe për të meshuar vjen në Saint Louis, at Naum Cere.

Pavarësisht debateve, mosmarrëveshjeve, skizmave, në artikujt e kohës të gazetës Dielli por edhe gazetave të ndryshme, arrin të dallosh qartë se tek shqiptarët e Saint Louisit e gjen nuklin e patriotizmit. Në mars të vitit 1919, shqiptarët e këtushëm i gjejmë bashkë duke i dërguar kabllogram presidentit Wilson të cilit i kërkojnë mbështetje për mos copëtimin e shtetit të brishtë shqiptar. (St. Louis Post-Dispatch 9 March 1919).

Dega e Vatrës nuk ekziston më por Gazeta dielli është rikthyer në Saint Louis. Gjithsesi shoqata Iliria e cila është themeluar në Saint Louis 5 vjet më pare ka marrëdhënie të ngrohta me Federatën Vatra dhe degët e saja, në bashkëpunime dhe programe të përbashkëta social-kulturore. 

Saint Louis, 23 shkurt 2025

No photo description available.

Titulli i fotografisë: “Albanian Immigrants English Class, Early Twentieth Century, Saint Louis (MO).” “Klasë e gjuhës angleze për emigrantët shqiptarë, fillimi i shekullit të njëzetë, Saint Louis (MO).” Kjo është fotografia e dytë që kam arritur të gjej për shqiptarët e hershëm të Saint Louis-it. Në foto dallohet në krah të flamurit amerikan, fotografia e mbretit të atëhershëm, “Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied” ose shqip Vilhelm Vidi, i cili mbreteroi ne Shqipëri nga 7 marsi i vitit 1914 deri në 3 shtator 1914. Një pjesë e personave në foto janë edhe në foton e themelimit të degës nr. 20 të Vatrës në Saint Louis. Vendi ku mesohej gjuha angleze dhe njëkohësisht ku kanë punuar shumë shqiptarë asokohe (Gazeta Mprojtja Shqiptare, 1916) është YMCA (Young Men’s Christian Association)

Fotografia gjendet në arkivën digjitale të: “The State Historical Society of Missouri”

A newspaper article about the death of a politician

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Vatra

“VATRA” LONG ISLAND DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” NË NEW YORK FESTUAN 17 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 17, 2025 by s p

Fabjola Gjinaj/

Long Island, New York, 16 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dega Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në New York festuan me madhështi 17 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kryetari i “Vatrës” Long Island, N.Y. Dr. Paulin Marku në fjalën e mirëseardhjes deklaroi se udhëtimi i shqiptareve për këtë ditë lirie ka qenë i gjatë, i mundimshëm dhe me sakrifica të mëdha në jetë njerëzish të moshave të ndryshme, fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar dhe me dëme kolosale ekonomike, sociale e kulturore. Kosova është vatra e shqiptarisë ku u organizuan shumë beteja luftarake, politike e diplomatike. Ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore, beteja për çlirimin e Kosovës dhe mposhtjen e Serbisë. Kosova luftoi për lirinë e pavarësinë, për çlirimin, për të drejtat e njeriut dhe për standarde jetese multi-etnike. Pikërisht këto janë bazat e konceptit te sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosovë të cilat ishin sfida te mëdha dhe në qarqet ndërkombëtare drejt Pavarësisë se Kosovës. Lufta në Kosove ishte shumë e ashpër, u humbën shumë jetë njerëzish, disa prej të cilëve nuk kanë as një varr ku të hidhet një grusht dhè për të kujtuar me mall dhe dhimbje të afërmit e tyre. Për shqiptarët e Kosovës, Pavarësia ishte një moment kyç që vendoste të ardhmen e tyre. Sot Kosova zhvillohet e përparon në rrugën euroatlantike duke qenë një histori frymëzimi e suksesi, theksoi ndër të tjera, studiuesi, Dr. Marku.

Imam Edin Gjoni në fjalën përshëndetëse të lexuar nga zonja Malvina Bilali theksoi se nuk mund të flasim për Pavarësinë e Kosovës pa shprehur falënderim të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qëndruar krah për krah me shqiptarët në ditët më të vështira. Me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, SHBA luajti një rol vendimtar jo vetëm për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve kudo. Thellësisht jemi mirënjohës SHBA për ndihmën, për besimin dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin shqiptar!

Prof. Dr. Luigj Gjoka në kumtesën e tij theksoi se procesi i pavarësimit të Kosovës kaloi nëpër disa etapa. E nisën intelektualët patriotë e idealistë, të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova e përshpejtuan brigadat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e vulosen shtetet e NATOS, të udhëhequra nga SHBA. Dr Rugova, për realizimin e pavarësisë së Kosovës, zgjodhi rrugën gandiste të rezistencës paqësore dhe krijimin e institucioneve të Kosovës, të pavarura nga Beogradi. Dr. Rugova ndërmori një varg vizitash diplomatike në vende të Bashkimit Evropian dhe ShBA për të shpalosur vizionin e tij për një Kosovë të pavarur e demokratike, si dhe të hapur si ndaj Shqipërisë ashtu dhe Serbisë. Rugova në çdo takim me shefa shtetesh, ndër të tjera, sillte para tyre argumente historike e politike se Kosova e sotme, ish Dardania e dikurshme, i plotësonte kushtet për të qenë shtet më vehte në bashkësinë e kombeve europiane. Më ngjajnë proverbiale fjalët e ish presidenti Italian Giorgio Napolitano: “Nëse Rugova do të ishte amerikan, do ta kishte pushtuar botën me diplomaci” deklaroi në kumtesën e tij Prof. Dr. Luigj Gjoka.

Ish drejtori i “Zërit të Amerikës” për Europën z. Fran Shkreli, në kumtesën e lexuar nga zonja Borana Coka, shprehet se në 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës le të kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para rilindësve të vërtetë të kombit duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Adem Jasharit, e i Ibrahim Rugovës, por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për liri e pavarësi të Kosovës. Shqiptarët janë ndër të parët e njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më shumë ajo histori është shkruar me gjak, theksonte Fran Shkreli.

Prof. Dr. Roland Gjini mbajti kumtesën “Federata “Vatra”, gazeta “Dielli” dhe liria e pavarësia e Kosovës”. Në të ai theksoi rolin e dukshëm që luajti kjo federatë me anë të gazetës së saj, “Dielli” jo thjesht në mbështetje të luftës së popullit të Kosovës për të fituar lirinë e pavarësinë nga pushtuesi serb, por edhe më gjerë. Veçanërisht në ngjarjet e viteve 1981, 1989-1991 dhe 1998-1999 Federata “Vatra” dhe shkrimet e gazetës “Dielli” sensibilizuan jo vetëm opinionin amerikan por edhe institucionet e këtij vendi për drejtësinë e kauzës kosovare, nga njëra anë, por edhe për dënimin e veprimeve të dhunshme deri në genocid të autoriteteve serbe ndaj protestave të ligjshme të popullit shqiptar të Kosovës. Një ndihmesë të veçantë “Vatra” e “Dielli” dhanë në ndërgjegjësimin e Presidentit dhe Kongresit amerikan në fillim të vitit 1999 për domosdoshmërinë e goditjes së regjimit serb dhe në marrjen e vendimit për bombardimin e Serbisë nga NATO, për ta detyruar Serbinë të ndërpresë reprezaljet ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për të tërhequr trupat ushtarake nga ky vend. Po kështu, theksoi kumtuesi, SHBA ishte përkrahësja kryesore e Kosovës në rrugën e saj drejt pavarësisë, pas fitores së lirisë, e kurorëzuar me sukses në 17 shkurt 2008, theksoi ndër të tjera Prof. Gjini.

Themeluesja e shkollës shqipe “Skenderbej”, mësuese Adelina Lacaj bashkë me mësuesen Gela Bulku në fjalën e tyre përgëzuan punën patriotike, edukative dhe kulturore të themeluesve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” Dr. Paulin Marku e mësuese Fabjola Gjinaj si një mundësi të shkëlqyer që fëmijët shqiptarë të ruajnë gjuhën, kulturën e traditat kombëtare në Amerikë. Shkrimtari z.Prend Ndoja në fjalën e tij kujtoi me dhimbje të madhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe sakrificat për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Përulemi me nder e respekt përpara çdo familje që humbi familjaret e tyre për çlirimin e Kosovës. I urojmë suksese dhe përparimin kombit shqiptar, tha ndër të tjera shkrimtari Ndoja.

Themeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” mësuese Fabjola Gjinaj deklaroi se kujtoj vitin 2008 kur festuam festën e parë të Pavarësisë se Kosovës në një shkollë në Shqipëri, ndërsa sot plot emocione si bashkëthemeluese e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” në New York po festojmë 17 vjetorin e Kosovës me këta fëmijë të mrekullueshëm që janë në gjendje të dalin në skenë për të performuar me kënge, valle e recitime në gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Gjatë fjalës së saj falënderoi prindërit për bashkëpunimin, përkushtimin e lidhjen shpirtërore pasi ne nuk jemi thjesht një shkollë shqipe por më shumë se aq, jemi një familje e madhe bashkatdhetarësh që kultivojmë gjuhën dhe traditën tonë kombëtare, tha ndër të tjera bashkëthemeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” Fabjola Gjinaj.

Aktiviteti muzikor me recitime, këngë e valle i prezantuar mjeshtërisht nga sekretari i degës “Vatra” Long Island, N.Y. Klaudio Turkaj vijoi si më poshtë:

“A vritet pafajësia”-Alisja Durra, “Jam Kosova e shqiptarisë” – Klea Bilali, “Kosova ime” – Wendy dhe Uarda Bilali, “Duaje atdheun tënd” – Ajla Durra, “Rrjedh ne këngë e ligjërime” – Wendy Bilali, “Këndoj shqip në Amerikë” – Emeli Marku, “Vallja e Rugovës” – nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Mora fjalën” – Bora dhe Barta’ poezia e poetit Prend Ndoja “Gëzuar Kosovë” – Alisja Durra, “Udhët e gjyshit” – vëllezërit Dritëro, Shqiptar e Albin Mulaj, “Për ty Kosovë” – Ajla Durra, “Shqipëri o nëna ime” – Kamila Marku dhe Uarda Bilali, “Pogonishte” – nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Urimet për Pavarësinë e Kosovës” përcollën edhe William e Adrienne Gega, Bojken Bajraktari dhe Aron Domi, “Unë jam shqipe nga Kosova” – Emeli Marku dhe Alex Qepuri, “Vallja e Pavarësisë” – nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, “E kam emrin kosovar” – Olivia Kokona, “Kosovë–Shqipëri jeni vllazni” – Arnisa dhe Arnis Muçaj. Programi artistik, kulturor dhe atdhetar kushtuar pavarësisë së Kosovës u përmbyll me vallen e “Pavarësinë” kërcyer me emocion e pasion nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”. Gëzuar Kosovë, në shekuj të shekujve nga “Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 150
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT