
Nder individët e dalluar në mërgatën shqiptare në SHBA, bën pjesë edhe Xh.Zeneli i cili veçohet me publikimin e artikujve, eseve, analizave e vështrimeve në media të shkruara e elektronike në një periudhë prej tri dekadave. Deri me tash opinionit i është prezantuar me tre botime të veçanta; Diaspora dhe vendlindja(2011), Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar(2019) dhe Diskursi politik dhe kombëtar(2023).
Nail Draga
Si librat e mëparshëm edhe ky i fundit preokupim kryesor ka pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, si popull autokton dhe numërikisht i vogël në krahasim me popullsinë e përgjithshme ne këtë mjedis. Por, pavarësisht rrethanave shoqërore e politike në Mal të Zi, shqiptarët arriten të sfidojnë politikën e pushtetit duke mbijetuar, çështje e cila trajtohet nga autori në shumë aspekte në këtë botim.
Koha e ndryshimeve
Një qasje e tillë nga autori nuk ka si të jetë ndryshe sepse ai në një kohë të shkurtër nga viti 1990/1991 ishte deputet në parlamentin e parë pluralist në Mal të Zi, duke qenë përfaqësues autentik i shqiptarëve përmes LDMZ. Kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore e politike pas dështimit të ideologjisë komuniste e sistemit socialist edhe në Mal të Zi, përkatësisht në ish Jugosllavi.
Ndonëse në Mal të Zi ligjërisht u miratu pluralizmi politik, por të pushtetarët vazhdonte mentaliteti i kohës së monizmit, sepse pushtetin e kishte ajo parti që ishte më parë, por kësaj here me emër të ndryshuar, nga LKJ në PDS. Në parlamentin e parë pluralist në Mal të Zi i dalë nga zgjedhjet e mbajtura me 9 dhjetor 1990, shqiptarët u përfaqësuan me katër deputet si përfaqësues autentik të tyre. Dhe nga ata për të parën herë në parlament u dëgjua për kërkesat e shqiptarëve për barazi qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare, e jo sipas klisheve të kohës së monizmit.
Tema autentike
Artikujt e prezantuar në këtë botim përfshijnë përiudhen kohore prej vitit 2017-2021, duke ofruar të dhëna me interes për shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike. Në këtë koncept është koncipuar edhe libri të cilin autori e ka ndarë në gjashtë pjesë. Një veprim i tillë është i logjikshëm, sepse sëcili kapitull ka tema të cilat janë autentike për mjedisin përktatës.
Përmes vështrimeve e analizave, autori ofron të dhëna duke demaskuar politikën e pushtetetëve si në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Ulqin,duke përfunduar me mërgatën shqiptare në SHBA dhe me reflektime, që janë dëshmi e diskursit në mbrojtje të të drejtave të shqiptareve në Mal të Zi.
Mërgata e preokupuar për vendlindjen
Ndonëse i angazhuar në punën e përditshme, Xh.Zeneli nuk ka qenë statik, por ka përcjellur me kujdes rrethanat shoqërore e politike jo vetëm në vendlindje por edhe me gjerë në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështjet e trajtuara nuk janë vetëm të dimensionit lokal por me gjerë, ku pozita dhe statusi i shqiptarëve janë çështje preokupuese edhe për mërgatën shqiptare, sepse me të drejtë është pritur që në pluralizëm të ndodhin ndryshime pozitive sipas standardëve ndërkombëtare.
Por, të gjithë jemi dëshmitarë se mentaliteti i kohës së monizmit ka infektuar skenën politike ku pasojat janë të pranishme edhe në pluralizëm. Edhe pse nuk mund të mohohen disa ndryshime, por ato ma së shumti janë kozmetike, sepse shqiptarët në Mal të Zi, kërkojnë barazi qytetare e kombëtare si kudo në vendet demokratike.
Pikërisht në lidhje mbi këtë çështje autori na ofron të dhëna me interes në lidhje me mërgatën shqiptare duke propozuar një program të veprimit të tyre në raport me trojet etnike shqiptare në Mal të Zi, si dhe t´iu mundësohet diasporës shqiptare votimi nga vendi i tyre i qendrimit dhe përfaqësimin e tyre jopolitik në kuvendet përkatëse në vendlindje. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do ta afronte mërgatën me vendlindjen, me mundësi reale të investimit dhe rikthimit të tyre në vendlindje.
Çështja shqiptare në Kongresin amerikan
Në lidhje mbi këtë çështje me interes janë të dhënat për Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane(LQSHA) lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi drejtuar nga presidenti i saj z.Joseph Dioguardi dhe znj.Shirley Dioguardi, këshilltare për çështje të Ballkanit. Ishte meritë e mërgimtarëve tanë në SHBA dhe LQSHA, së bashku më kongresmenin Tom Lantosh, që vizituan viset shqiptare në Mal të Zi në fillim të muajit gusht 2003, për tu njoftuar në mënyrë të drejtpërdrejt me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis. Po ashtu në sajë të angazhimit të LQSHA, në Kongresin Amerikan(Komisioni për të drejtat e njeriut, drejtuar nga Tom Lantosh, në Washington DC me 30 tetor 2003, është organizuar një seancë dëgjimore me temën “E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”,ku kanë kumtuar Sh.Dioguardi, Xh.Zeneli, N.Draga dhe A.Lajçaj.
Një organizim i tillë ishte i arsyeshëm, sepse pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, edhe ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, duhej ngritur zërin për të njoftuar opinionin politik në SHBA, se shqiptarët kërkojnë të realizohet barazia qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare, ku roli i mërgatës sonë atje si më parë edhe tash ka një rol të veçantë.
Përfundim
Duke lexuar këtë libër del qartë se çështjet e trajtuara kërkojnë zgjidhje të drejt, por për diçka të tillë duhet të egzistojë vullneti politik i pushtetit. Në këtë aspekt përgjegjësi kanë edhe subjektet politike të shqiptarëve në Mal të Zi, që janë pjesë e qeverisë nga viti 1998, të cilët duhet të jenë këmbëngulës në kërkesat e ligjshme në lidhje me avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.
Çdo hezitim në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse ata aty janë votuar e zgjedhur për të mbrojtur interesat e shqiptarëve e jo ato personale. Por, derisa pushteti heziton të ballafaqohet me kërkesat legale dhe të ligjshme të shqiptarëve, për barazi qytetare e kombëtare çështja shqiptare në Mal të Zi mbetet e hapur.
Pikërisht duke marrë parasysh këtë diskurs politik e kombëtar, nuk ka dilemë së autori do të vazhdojë me publikimin e artikujve të ndryshëm, që pa dilemë do të jenë pjesë e librit të radhës.
(Janar 2026)