
Alfons Grishaj/
Për mendimin tim, lufta e vlerës ndaj kundërvlerës afron një plus!
Termi mashkull, në kuptimin e përgjithshëm, i referohet seksit mashkullor. Megjithatë, në kulturën shqiptare dhe në traditat e shumë kombeve të tjera, të qenit burrë përfaqëson shumë më tepër sesa një përcaktim biologjik.
Për ne shqiptarët, qenësia e burrit lidhet me një sërë vlerash themelore si fuqia, kurajoja, nderi, përgjegjësia, mbajtja e fjalës, respekti, sjellja e mirë, vizioni dhe mbi të gjitha të qenit shtyllë e familjes. Një mashkull nuk quhet burrë vetëm për shkak të anatomisë apo fiziologjisë së tij, por për shkak të karakterit dhe mënyrës se si përballet me sfidat e jetës.
Në jetën publike dhe në shtet, një burrë quhet burrështetas kur ai shndërrohet në rregullator, udhëheqës dhe vizionar, duke u bërë një shembull që pasqyron zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e shoqërisë. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes burrështetasit dhe atij që nuk arrin të jetë kurrë i tillë.
Po a mund të quhen të gjithë meshkujt burra? Biologjikisht, po. Por nga ana mendore dhe shpirtërore, jo domosdoshmërisht.
Sipas mendimit tim, burrë është ai që di të bëjë zgjedhjen e drejtë. Ai është besnik ndaj vlerave humane dhe ndaj kodit të familjes e të shoqërisë. Ai ka kurajë, vendosmëri dhe integritet. Ai qëndron vigjilent dhe i fortë përballë problemeve, duke u përpjekur t’i përballojë ato me vendosmëri dhe me frymë pozitive. Dhe kur është e nevojshme, ai nuk heziton të marrë vendime të forta. Siç është thënë shpesh edhe nga Ronald Reagan, duke cituar një ide të vjetër që lidhet me Perandorin Hadrian: “Paqja ruhet përmes forcës.”
Karakteri dhe virtyti janë themeli i një burri të vërtetë. Një burrë i tillë di të ngrejë zërin kur rrethanat kërkojnë qëndresë dhe guxim, veçanërisht kur të tjerët heshtin nga dobësia ose plogështia. Heshtja, në shumë raste, nuk është shenjë mençurie, por shenjë inferioriteti. Filozofia e heshtjes së shtirë shpesh ushqen këtë inferioritet dhe e dobëson bazën e qëndrueshme të karakterit njerëzor.
Paburrëria i ngjan një balone që ngrihet në ajër vetëm për aq kohë sa ka brenda helium. Sapo ky të mbarojë, ajo bie përdhe ose zhduket në ujë. Nëse bie përdhe, gjithçka përfundon aty. Nëse bie në ujë, mbetet vetëm një mjegull e vakët shprese.
Sa larg mund të godasë një mashkull i paburrë? Ndoshta mund të konkurrojë me instinktin e kafshëve, madje edhe me shimpanzenë. Por ai kurrë nuk do të ketë goditjen e saktë dhe të fuqishme të Davidit kur përballi dhe rrëzoi Goliathin.
Burri i fortë di të godasë, por di edhe të falë. Ai di të pijë pa u bërë qesharak, di të këndojë me të tjerët, di të luftojë pa u dorëzuar dhe pa u ankuar për humbjet. Ai di të fitojë me dinjitet dhe të udhëheqë pa e poshtëruar të mundurin. Ai di të mbrojë fitoret dhe t’i zgjerojë ato pa rënë në vetëkënaqësi. Ai di të ndihmojë të tjerët dhe njëkohësisht të kërkojë ndihmë kur është e nevojshme.
Një burrë ndërton familje me ndihmën e një gruaje të virtytshme dhe krijon një traditë të qëndrueshme për brezat që vijnë. Por mbi të gjitha, ai njeh kufijtë e vet dhe respekton kodin e burrërisë. Ai nuk përpiqet të paraqitet si diçka që nuk është. Dhe kur gabon, ai ka guximin të kërkojë falje.
E kundërta është mashkulli i dobët, i cili nuk kërkon falje, por përpiqet të mburret me fitore imagjinare. Ai përpiqet të duket më i madh se ç’është në të vërtetë, ndërsa ankthi dhe pasiguria e tradhtojnë vazhdimisht. Sjellja e tij bëhet e lexueshme dhe shpesh qesharake, sepse kurajo civile mungon plotësisht.
Një mashkull i tillë ka vetëm një lloj kuraje: mohimin e çdo vlere që mund të vërë në pikëpyetje madhështinë e tij të rreme.
Frymëzimi i këtyre njerëzve i ngjan një shiu veror që, sapo prek tokën, avullon dhe zhduket pa lënë gjurmë.
Statistikat globale tregojnë se rreth 50.4 përqind e popullsisë janë meshkuj dhe 49.6 përqind femra. Por nëse do ta shihnim çështjen nga këndvështrimi i vlerave, mund të themi se jo të gjithë meshkujt janë burra. Nëse nga kjo përqindje do të hiqnim burrat e vërtetë, numri do të ishte ndoshta shumë më i vogël.
Shpesh hasim njerëz që përpiqen të fshehin inferioritetin e tyre duke krijuar iluzione madhështie. Por si mund t’u besohet njerëzve që janë të molepsur nga “mahnia e madhështisë”, mjerëz që humbin busullën, si mund të drejtojnë të tjerët në detin e hapur të përgjegjësive?
Këto figura i gjejmë shpesh në përditshmërinë tonë si një zhurmë e bezdisshme në vapën e verës, një zhurmë që ndonjëherë i tejkalon edhe vetë xhinkallat.
Zgjuarsia e një burri të ndershëm është të mos u japë shumë hapësirë këtyre figurave në komunikim, në media, në shtyp apo në jetën publike. Sa më shumë hapësirë u jepet, aq më shumë shtohen ata që bezdisin dhe turbullojnë rendin e vlerave.
Në fund, në një kohë paradoksesh dhe kontradiktash, shpesh duket sikur jetojmë në një epokë ku zërat më të fortë nuk janë gjithmonë ata më të mençurit.
Ndoshta është pikërisht kjo koha e paradokseve.
Koha e molusqeve.