
Përktheu Rafael Floqi/
Punëtorët me pagë minimale në 22 shtete do të shohin më shumë para në pagat e tyre në vitin e ri.
Këto rritje do të prekin rreth 9.9 milionë punëtorë, sipas Institutit të Politikave Ekonomike (EPI), i cili vlerëson se këto paga të rritura do të shtojnë një pagë shtesë prej 6.95 miliardë dollarësh.
Përveç këtyre 22 shteteve, 38 qytete dhe qarqe do të rrisin gjithashtu pagat e tyre minimale mbi minimumet shtetërore më 1 janar.
Sipas Departamentit të Punës, 20 shtete do të ruajnë pagën minimale federale prej 7,25 dollarësh në orë.
Dhe sipas EPI, nga 17.6 milionë punëtorë që fitojnë më pak se 15 dollarë në orë, gati gjysma jetojnë në ato 20 shtete që vazhdojnë t’i përmbahen pagës minimale federale – e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 2009.
Megjithatë, kostoja e jetesës është rritur shumë.
Sipas indeksit të çmimeve të konsumit të Byrosë së Statistikave të Punës, një dollar në vitin 2023 mund të blejë afërsisht 70% të asaj që mund të blinte në vitin 2009.
Dhe gjatë vitit të kaluar, inflacioni dhe kostoja në rritje e pothuajse çdo gjëje – nga banesat te sendet ushqimore – ka detyruar shumë amerikanë të shterojnë kursimet e tyre dhe të shkojnë më thellë në borxhe.
Ndërsa ekonomia e SHBA-së po provon të jetë e fuqishme për sa i përket shitjeve me pakicë, numrit të lartë të vendeve të punës dhe një norme të ngadalësuar të inflacionit, ata që fitojnë pagë minimale e kanë pasur më të vështirë të paguajnë qiranë dhe të blejnë mallra shtëpiake thelbësore, duke përfshirë sende ushqimore.
Sipas të dhënave të EPI, afro 58% e punëtorëve që do të përfitojnë nga rritja e ardhshme e pagave janë gra. Nëntë për qind janë me ngjyrë dhe gati 38 për qind janë hispanikë.
Mbi një e katërta e atyre që do të përfitojnë nga rritja e pagave janë prindër, gjë që mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në standardet e tyre të jetesës, duke qenë se gati 20% e punëtorëve që përfitojnë pagë minimale kanë aktualisht të ardhura nën kufirin e varfërisë.
Së fundmi, demokratët e Senatit prezantuan Aktin e Rritjes së Pagave të vitit 2023 në korrik. Nëse miratohet, do të rriste gradualisht pagën minimale federale në 17 dollarë në orë deri në vitin 2028.