Nga Zeno Jahaj/
Në një përpjekje të minutës së fundit për të evituar Luftën e Dytë Botërore, Kryeministri i atëhershëm anglez Çamberlein propozoi një konferencë të katër fuqive në Mynih për të diskutuar e pranuar një marrëveshje sipas një plani të “propozuar” nga Musolini për të ardhmen e zonave të diskutueshme, siç ishin, midis të tjerash, edhe Sudetet Çeke të pretenduara nga Hitleri. Kur anglezi u kthye në Londër, i kumtoi opinionit publik britanik se kishte arritur “një paqe me nder,” gjë që u sfidua menjëherë nga pasardhësi i tij Çërçill: “Ju patët shansin të përzgjidhni midis luftës dhe turpërimit. Ju zgjodhët turpërimin, por do të keni luftë.”
Tashmë rolet janë përmbysur: Gjermania, e cila atëherë duhet të menaxhohej, sot duhet të menaxhojë. Gjermania e atëhershme ishte një fuqi në rritje dhe arti i parandalimit të luftërave qëndron pikërisht në menaxhimin e fuqive në rritje. Në të kundërtën, sot duhet të menaxhohet Rusia, por jo se është fuqi në rritje. Përkundrazi, thjeshtë sepse është një fuqi në rënie.
Vite më parë Presidenti i sotëm rus do të konkludonte se shpërbërja e ish BRSS ishte “katastrofa më e madhe gjeostrategjike e shekullit të njëzetë.” Ndërhyrja ushtarake ruse për të bërë zap Gjeorgjinë tregoi se ky nuk ishte një konkluzion akademik, por një platformë veprimi për të sjellë botën në modelin dypolar apo shumëpolar. Në kulmin e zhvillimeve në dhe për Ukrainën ai e shpalli akoma më hapur: “Ka një përpjekje për të përmbysur rendin egzistues botëror…” dhe se ky rend botëror “kurrë nuk do t’i përshtatet Rusisë.”
Natyrisht Rusia është një fuqi dhe kjo lidhet me sipërfaqen e paanë, popullsinë relativisht të madhe, armët bërthamore dhe gazin. Ndaj sipërfaqes dhe popullsisë ruse dështoi Bonaparti, dështoi edhe Hitleri – dy fuqi të mëdha të atyre kohëve. Veçse do thënë: në luftëra konvencionale, ashtu siç do thënë se në botën e sotme nuk është më në fuqi rregulli i sipërfaqes apo i popullsisë si rregull fuqie. Prandaj zor se do të kemi këtu e tutje një luftë botërore apo edhe rajonale ku mizëritë njerëzore të ushtrive të zvarriten e kacafyten për të pushtuar hapësira tokësore e detare.
Fuqia ruse është arma bërthamore. Por fuqi do të thotë që të jesh në gjëndje të neutralizosh fuqinë e një tjetri – një mision që fuqia bërthamore nuk e njeh, sepse i shuan të gjithë. Pastaj, si çdo armë, edhe arma bërthamore e ka një kundërarmë. Ndërkohë, armën bërthamore e zotërojnë të paktën dhjetë shtete. Dhe më në fund, armën bërthamore mund ta përftojnë apo ta prodhojnë edhe persona e grupe terroriste. Por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye, të gjithë këta këta duhet të përbëjnë klubin e të pyeturve për rendin e ri botëror.
Fuqia ruse është gazi rus. Por edhe kjo fuqi është me një efekt të dyanshëm: aq sa Rusia e mban atë si mjet presioni duke mos e shitur, po aq presion e nevojë ka edhe vetë për ta shitur. Siç dihet, sektori rus i energjisë përllogaritet të mbulojë afro dy të tretat e eksporteve dhe përbën rreth 30 përqind të GDP-së apo pothuajse gjysmën e të ardhurave të buxhetit federal.
Politika ruse e ka mbështetur kërcënimin pikërisht mbi faktorët e mësipërm të fuqisë. Po a janë të mjaftueshëm? Dihet se ka një marrëdhënie midis fuqisë dhe kërcënimit. Kërcënimi “pi ujë” vetëm kur mbështetet nga një fuqi proporcionale. Për më tepër që në kontekstin e rendit botëror të aspiruar nga Putini, kërcënimi duhet të jetë në koncert të paktën me një fuqi tjetër të botës. Kina do mund të ishte një fuqi e tillë, prandaj Rusia u kujdes aq shumë për të lidhur me Kinën një marrëveshje 30 vjeçare miliarda dollarëshe për furnizimin me gaz. Gjithsesi, zor se Pekini do të bëhej pjesë e një koncerti me Moskën. Nuk mund të harrohen mosbesimi dhe armiqësia historike midis Kinës e Rusisë. Në një reagim ndaj “referendumeve” të mbajtura kohë më parë në dy rajonet e Ukrainës Lindore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, deklaroi qartazi se “Kina respekton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës”.
Presidenti rus e ka “hapur lojën” duke akuzuar Perëndimin për “komplot ndaj Rusisë.” Në botën e komuniste të shekullit të kaluar shpikeshin patjetër komplote për të justifikuar dështimet që natyrshëm sillte ai rend social e ekonomik. “Komplot perëndimor” u quajtën revoltat e atëhershme në Hungari, Çekosllovaki e Poloni. Por çuditërisht kohët treguan se as Hungarinë, as Çekosllovakinë dhe as Poloninë nuk i tërhoqi askush me zor apo në mënyrë komplotuese të përzgjidhnin modelin perëndimor të zhvillimit. Ashtu si carët e dikurshëm të Perandorisë Ruse, as udhëheqësit e sotëm rusë nuk do të mund t’i ndalojnë as rusët, të cilët, me vullnetin e tyre të lirë priren të përzgjedhin shkollat perëndimore për të shkolluar fëmiijët, të përzgjedhin bankat perëndimore për të vendosur kursimet dhe vendet perëndimore për të emigruar.
Propaganda ruse thotë se lufta në Ukrainë bëhet për sigurinë e popullsisë ruse në këtë vend. Natyrisht që interesi dhe interesimi për popullsinë ruse në Ukrainë është një e drejtë legjitime ruse, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të përmbysë rendin e pranuar ndërkombëtar. Precedenti i Kosovës (që e ka aq shumë për zemër ta përmendë Presidenti rus) nuk është në të njëjtin plan të së drejtës ndërkombëtare me të ashtuquajturën Republikë e Donetsk-Krivoy-Rog. Kjo e fundit, historikisht është vetëm e vetëpohuar por jo e pranuar, as kombëtarisht, as ndërkombëtarisht dhe ndaj popullsisë ruse të saj nuk është ushtruar spastrim etnik sikurse u ushtrua nga regjimi i Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës. Përkundrazi, janë pikërisht formacionet hibride të orkestruara nga Moska që kryejnë spastrim etnik ndaj popullsisë ukrainase. Praktikisht, ushtria ukrainase është inegzistente, ndërkohë që ushtria ruse e ka kthyer Ukrainën në një poligon ku eksperimenton llojet e luftimit, të armëve e mjeteve sipas mësimeve të nxjerra nga operacionet e demoduara në Gjeorgji.
Për të arritur “misionin” e tij Presidenti rus ka përzgjedhur dhunën dhe jo garën paqësore të zhvillimit, duke injoruar kësisoj faktin se ndryshimin në Luftën e Ftohtë nuk e bëri dhuna e Perëndimit ndaj Lindjes por efektiviteti i demokracisë si vlerë politike dhe ai i tregut si vlerë ekonomike. Dhuna është thjeshtë një instrument, një gjëndje psikologjike, një përzgjedhje personale, jo fuqi, as forcë. Përkundrazi, fuqia, në radhë të parë, është legjitimitet dhe, mbi këtë bazë, kërkon edhe mbështetje. Zor se dikush që pretendon të ndryshojë rregullin ndërkombëtar t’ia dalë vetëm me dhunë apo pa aleatë. Nëse këtë e arriti me Krimenë, kohët do tregojnë pse u hesht e po heshtet ndaj saj.
Për arritjen e këtyre qëllimeve nga pikëpamja ushtarake Putini ka përzgjedhur formën hibride të luftës, domethënë luftën në bazë të së cilës qëndron kaosi i mbajtur nën kontroll nëpërmjet gërshetimit të formacioneve të fshehta me uniformë ushtarake, zbulimit, informacionit e terrorit, të gjitha të bashkërenduara nga një qendër e vetme për të arritur qëllime strategjike. Në rrafshin gjeopolitik synimi është shkatërrimi i shtetit viktimë, përkatësisht i Ukrainës, neutralizimi i peshës së saj gjeopolitike, sakatimi i përmasave të saj shtetërore, i territorit, popullsisë, ekonomisë, fuqisë luftarake, statusit të saj në botë, degradimi i prestigjit të saj, etj. Gjithsesi, luftërat hibride mund të sjellin, e shumta, rezultate hibride.
Përhapja gjeografike dykontinentale dhe kompozita shumëkombëshe e detyron Rusinë ose të përzgjedhë një qeverisje e ekonomi rreptësisht të centralizuar, ose të rrezikohet të shpërbëhet nga tendencat nacionaliste. Shteti pothuajse sundohet nga vetëm një parti politike ku udhëheqësi bën ligjin dhe jo politikat e programet, ku oligarkia shtetërore, ekonomike e financiare transferon pushtetin në dy-tre individë të përjetshëm. Ndërkohë, një ekonomi e padiversifikuar, e mbështetur kryesisht në eksportin e gazit, veçse fuqi nuk është. Për më tepër, gjysma e GDP së Rusisë bashkëshoqërohet si produkt i drejtëpërdrejtë i korrupsionit, prandaj edhe vlerësohet se korrupsioni në Rusi nuk është thjeshtë një problem, por një biznes.
Në këto kushte, ndërmarrja e një lufte në terma klasikë do mund të kishte pasoja të paparashikuara në radhë të parë për vetë Rusinë. Gjeopolitikisht Rusia ndihet gjithnjë e pasigurtë dhe e izoluar në pikëpamje tregëtare për shkak të mungesës së aksesit në oqeane. Për më tej, Rusia nuk i ka aleancat dhe as mundësitë për aleanca të qëndrueshme, si për nga vlerat, ashtu edhe për nga numrat. Si rrallë ndonjë shtet tjetër, Federata Ruse, në jo pak raste, ka qenë e detyruar të shtypë me luftë vetë pjestarët e saj. Kësisoj nuk është fuqia, por rënia e saj që e shtyn klasën politike ruse drejt autoritarizmit në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Prandaj kursi i Putinit nuk mund ta çojë Rusinë shumë larg. Prandaj ka pak gjasa që i dyti Minsk të dështojë me sukses si i pari.