Perparim Gjeka/
Ka një rregull të pashkruar midis fuqive atomike, ato nuk hapin luftë direkt me njëra tjetrën sepse i tremben përdorimit të bombës e cila bëhet kështu paqeruajtëse. Ky rregull u provua këtë vit në luftën e Ukrainës ku NATO nuk sulmon dot direkt Rusinë. I njëjti rregull ka funksionuar me krerët politikë shqiptare të caktuar si të tillë nga diktatori i fundit Alia; duke pasur në dorë materiale bombë për njëri tjetrin nuk sulmonin njëri-tjetrin deri në asgjësim të plotë duke ruajtur kështu statusquonë e tranzicionit dhe të interesave të tyre të kryqëzuara e duke varfëruar shqiptarët.
Me zhvillimet e këtij viti, duket se kësaj klase politike i ka ardhur fundi derisa në degradimin e gradës së fundit nuk po kursejnë as njëri-tjetrin me tre bomba politike të plasura rresht, nga një për secilin kapo: non-grata për Berishën, dosja korruptive e inceneratoreve etj. për Ramën dhe mazhorancën e tij si dhe e fundit Meta si bashkëpunetor i ish Sigurimit famëkeq të diktaturës. Me këto zhvillime ku asnjë prej kapove politikë të sotëm me këto damka nuk mund të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme, jo vetëm hapet loja politike, por në fakt kërkohet një opozitë e re që do të bënte kalimin në demokracinë e vërtetë të Shqipërisë, opozitë e cila kërkohet me kohë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtaret së fundmi me ndërhyrjet e tyre në bombat që po plasin.
Me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë filozofie, strategjie e narrative politike duhet të ndjekin forcat e reja politike që të mundin establishmentin.
Një tentim në këtë drejtim do ishte logjika e thjeshtë se opozita e re duhet të bëjë shumëçka ndryshe nga kjo politike e deritanishme për të thithur shumicën e votuesve dhe arritur pikën kritike të 50%+1 të votave. Por, përtej atyre që janë thënë shpesh në mendimin politik në rrafsh taktik, si antikorrupsioni, njerëz të rinj, program ekonomik për alternativë qeverisje etj., duket se ka rëndësi të madhe rrafshi ideologjik për të bërë të mundur bashkimin e sa më shumë shqiptarëve me bindje, prejardhje dhe interesa të ndryshme.
PER NJE REPUBLIKE JO TE NGRITUR MBI URREJTJEN
Për të mos folur për bazat e urrejtjes klasore mbi të cilën u ngrit Republika Popullore e Shqipërisë në 11 Janar 1946 dhe u forcua më shumë me ligj në vitin 1976 si diktaturë e proletariatit, demokracia e fituar me votë popullore në vitin 1992 gjithashtu nuk u zhvillua mbi baza parimesh të shëndosha si në Francë përshembull liri, barazi, vellazeri. Tek ne filloi një gjueti shtrigash kundër komunizmit, komunistëve, kripto-komunistëve e veprave publike të ndërtuar në kohën e komunizmit pa një praktikë të vërtetë e të shëndoshë administrative për të minimizuar ndikimin real të njerëzve me dëm real gjatë diktaturës komuniste e mendësi të rrënjosur diktatoriale me masa që do duhej të ishin marrë si hapja reale e dosjeve të Sigurimit të shtetit, lustracioni, ndjekja penale e abuzuesve me ligjet e diktaturës etj. Kjo bazë urrejtjeje e klasës politike që erdhi në pushtet kundër afer gjysmës së popullit dhe opozitës së ligjshme ndonëse ish-komuniste e shprehur në goditjen deri fizike në zgjedhjet e vitit 1996 krijoi kushtet për vazhdimin e urrejtjes dhe plasjen e saj pak muaj më vonë këtë radhe me protagonistë nga krahu tjetër, ku ish komunistë, ish sigurimsa ish kuadro e të privilegjuar në kohën e diktaturës udhëhoqën rebelimin dhe orkestruan trazirat e vitit 97 duke manipuluar një masë të madhe të popullit të intimiduar si komunistë, ose si të deklasuarit e rinj.
Republika me kushtetuten e vitit 1998 të cilën e kemi në përdorim edhe sot, e formuluar nga ajo klasë politike me prejardhje thuajse plotësisht ish-komuniste dhe e urryer përsëri nga gjysma tjetër e shoqërisë me bindje demokratike u votua në një atmosferë urrejtjeje e cila vazhdon edhe sot në luftën politike derisa dy liderët e po atyre forcave kryesore politike e quajnë njeri-tjetrin armik, jo kundërshtar politik. Ndërkohë shqiptarët tashmë vërtetojnë me fakte se votojnë kundër armiqve politike dhe jo sepse pëlqejnë aq shumë partitë politike dhe liderët e tyre. Në vitin 2019 për zgjedhje lokale ku PS nuk kishte armik qe do rrezikonte zgjedhjet, dolen per votim vetëm afer 10% (me shkresa pas mbushjes së kutive afër 16%). Nuk ka arsye të besohet se edhe për PD në rast të mosparaqitjes së armikut do të votonin më shumë se 10%.
Pra fusha e lirë politike reale shkon hipotetikisht deri në 80% të votuesve përfshirë Diasporën. Një fakt tjetër në këtë linjë tregon që megjithëse PD merr afër 600 mijë vota në zgjedhje, në tubime mezi arrin të mbledhë 6000 protestues. Kjo tregon se shumica e të tjerëve votojnë PD për inat të PS dhe ngaqë nuk kanë alternativë tjetër se sa sepse pëlqejnë vetë PD.
Ekuilibrat e mësipërm qartësojnë se një ofertë politike pa dallime të forta ideologjike majtas apo djathtas, pa anatemuar grupe të caktuara shoqerore, me gjuhë të moderuar politike me motiv patrotik, respektimi dhe mbrojtja e interesave të sa më shumë grupeve të interesit, reforma ekonomike as të majta e as të djathta për vetë faktin që ekonomia është në gropë, duhet ta nxjerrim njëherë nga gropa dhe pastaj të mendojmë ku do ta vendosim majtas apo djathtas, me një ndërhyrje të vendosur reformash dhe rol të shtuar të shtetit si rregullator ekonomik si fillim, etj. do të ishte një terren pjellor për ushqimin e masës më të madhe të votuesve. Shqiptarët kanë nevojë të ushqehen me dashuri e respekt dhe jo me urrejtje dhe denigrime shpesh pa fakte.
LARTESIMI I KOMBIT PER NGRITJEN E KRENARISE DHE NDERGJEGJJES KOMBETARE
Ndihet apati e një tulatje për të drejtat e tyre e popullsisë në Shqipëri. Përveç faktorëve politike si mosqarkullimi i elitave politike tash 30 vjet, shtypja me gaz e protestave, varfërimi ekonomik, emigracioni i detyruar etj. ka edhe një vektor socio-psikologjik që ndikon thekshëm në mosorganizimin e të shtypurve dhe ai është pikërisht investimi më i madh mediatik i klasës politike në ikje: trushpëlarja se ky vend nuk bëhet, se këta që janë nuk e lëshojnë, se nuk ka të tjerë më të mirë që mund t‘i dalin për zot vendit, se ky popull inferior pa gjak, këta horra meriton në pushtet etj. etj. të kësaj natyre, narrativë që shpesh për efekt deziluzionimi pas përpjekjesh të vazhdueshme për ndriçim e organizim, fatkeqësisht gjen vend edhe në ligjërimin publik të figurave të shquara e me vlera të shqiptarisë brenda dhe jashtë vendit. Shumë prej tyre, në të kundërt shumë të respektuar, në vorbullën e mjegullën e dëshpërimit janë bashkuar ose mbështesin mediatikisht dhe në rrjete sociale ndonjë nga bashkëfajtorët kryesorë të gjendjes pa shpresë ku kemi arritur si shtet. Dhe kjo sepse ata nuk shohin një shpresë tjetër dhe nuk kanë durimin të presin daljen e një alternative të pastër opozitare si imperativë e kohës si u shpjegua më lart.
Pra del detyrë e atyre që shohin qartazi të ardhmen pa këtë klasë politike të degraduar të bëjmë luftën ideologjike për lartësimin Kombit dhe fuqizimin ideor të sa më shumë shqiptarëve se kapot e sotëm nuk kanë më shpresë, shpresa besimi dhe e ardhmja na takon ne, më të mirëve të Kombit dhe jo më të fortëve që kanë zaptuar burimet tona të jetesës, e ardhmja i takon shumicës së ndershme dhe jo pakicës perverse, zullumi kur trashet keputet nga pesha e vet, ne jemi bijtë e bijat e popullit më të vjeter në Mesdhe dhe kemi mbijetuar perandori gjakatare, si nuk mund të prosperojmë me perandoritë demokratike aleate?
Ajo ide që zgjon shpirtin e fjetur të një kombi, që zgjon shpresën dhe vret frikën, që bashkon më së pari shumicën e elitës së kombit në shkencë, edukim, fe, biznes, art, shoqeri civile, ajo ide do të bashkojë edhe shumicën e popullit. Kemi nevojë për më shumë njerëz që përçojnë vlerat, traditat e mira të popullit tonë, virtutet, evokimin e trimërive dhe kujtimin e heronjve, sakrificat dhe mbijetesën në këto brigje të lakmuara të Mesdheut. T’u kujtojmë shqiptarëve se ne jemi në fakt si komb më të fortë se serbët përshembull. Pse? Sepse ata e kanë ëndërruar më shumë se çdo gjë kurdoherë daljen në detin Adriatik, por ja që asnjëherë nuk ia kanë arritur si rezultat i vitalitet të popullit tonë. Të jemi krenarë që jemi shqiptarë, por të kuptojmë që këto vite nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur në drejtim dhe kjo është e fundit punë që na mbetet të bëjmë për ngritjen e kombit dhe prosperitetin e familjeve tona.
BASHKEPUNIMI I DOMOSDOSHEM TRIUMVIRAT: ATMEMEDHE-TROJE SHQIPTARE NE BALLKAN-DIASPORE E RE DHE E VJETER
Ka një dakordësi të qartë tashmë në trojet tona të banuar ende nga shqiptarë se:
Tirana zyrtare nuk ka qenë asnjëherë në lartësinë e duhur si ndihmë për faktorin shqiptar në pesë shtetet ballkanike Kosovë, MV, Mali i Zi, Serbi, Greqi. Që nga thyerja e embargos së naftës me Jugosllavinë e Millosheviçit, mosndihma e organizuar për UCK dhe UCK në Maqedoni, lënia në mëshirë të fatit e komuniteteve shqiptare ne Preshevë, Malin e ZI, mosinteresimi për çeshtjen çame dhe arvanite në Greqi, e deri te hartat për copëtimin e Kosovës së fundmi. Nga ana tjetër, dobësia ekonomike, ushtarake, diplomatike e një vendi të varfër si Shqipëria londineze ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë në zhvillimine dobët ekonomik, krenarinë e dobësuar kombëtare dhe infiltrimin e lehtë të gjithfarë rrymash antishqiptare në këto troje. Për të kuptuar se çfarë është humbur në këtë drejtim mjafton të mendojmë e krahasojmë punën që ka bërë shteti i fortë serb për pakicat e tij të pakta në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi.
Nga ky konkluzion kuptojmë se sa i domosdoshëm është ndryshimi patriotik i kursit të qeverisë shqiptare për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe sa të interesuar do të jenë forcat progresiste atje për bashkëpunim dhe bashkerendim me forcat në atmëmedhe dhe Diasporë. Nga ana tjetër, forcat në trojet shqiptare janë jo vetëm të nevojshme, pjesë e një fuqie të përbashkët kombëtare, por edhe të sprovuara në luftëra e beteja për liri, barazi, prosperitet me atë vetëmohim e organizim që nuk e kemi parë asnjëherë në Shqipëri.
Pra janë forca që duhen jo vetëm ingranuar me seriozitetin e duhur por nga duhet marre shembull për veprime konkrete, si në grumbullime financiare për kauzën shqiptare, në lobime nderkombëtare e deri në luftë maleve e dhënie gjaku për liri.
Diaspora shqiptare nga ana tjetër me forcën e saj ekonomike, pavarësinë relative nga politika klanore e Tiranës dhe aftësitë lobuese në shtetet e fuqishme perëndimore është një pasuri tjetër e domosdoshme. Të mos harrojmë ndihmën e shembullit Dioguardi për Kosovën nga Diaspora e vjetër dhe të marrim parasysh forcën elektorale të Diasporës së re në ndryshimin e ekuilibrave politike në zgjedhjet e ardhshme me votën nga vendet ku jetojnë që pritet të ekzekutohet. Prandaj vlerat diasporake duhet të ingranohen në fuqi të plotë, për të arritur kështu aktivizimin e gjithë faktorit shqiptar dhe gjithë burimeve të ndryshimit me triumviratin; forcat antiestablishment (antitranzicion) në atdhe me faktorin e dalluar patriotik shqiptar në Ballkan e me gjerë si dhe me Diasporën aktive e cila duhet thënë se në masë të madhe mund të përkufizohet si e përndjekur politike si ajo e vjetër nga regjimet e kaluara edhe ajo e re nga politika e mbrapshtë e pas diktaturës.
ALEANCA E PATRAZUAR EUROATLANTIKE
Qoftë pozita aktuale që detyrohet të pohojë se po bëjmë këtë apo atë reformë, emërim, qëndrim diplomatik apo ekonomik ngaqë na detyrojnë ndërkombëtarët, qoftë opozita aktuale që fajëson ndërkombëtarët se pse mbajnë në këmbë një qeveri të korruptuar në thelb na thonë të njëjtën gjë; faktori euroatlantik është vendimtar në jetën politike të një shteti të vogël rrethuar me armiq historike kombëtarë si ne. Fakti që si opozita dhe pozita janë acaruar kohët e fundit më shumë me faktorin ndërkombëtar dhe po gjejnë strehë të fundit te sovranizmi dhe patriotizmi si maskarenj të provuar që janë na bëjnë të besojmë se ata janë në fakt aleatët tanë, të shqiptarëve të mirë që nuk pëlqejnë këtë klasë politike dhe që jemi shumica.
Edhe faktori nderkombëtar në këtë prizëm është në kërkim të aleatëve të rinj derisa nuk i gjen te kjo klasë politike. Narrativa që shkojnë bashkë me sovranizmin donkishotesk të liderëve të shplarë e me damkë të tranzicionit shkojnë ndesh me interesat e shqiptarëve. Si mund të dalim ne sovranistë që nuk pyesim për Amerikë kur na vjen serbi brenda ditës në Durres me shoqatën e gjuetarëve të vet pa NATOn? Si mund të guxojë një lider tjetër shqiptar të thotë Amelika Amelika kur Albin Kurti, lideri me mbështetje popullore të madhe, por njëkohesisht edhe lideri më i pakorruptuar ku Amerika nuk gjen ku ta kapë, shkoi me një kembë në Washington e firmosi ç’deshte Amerika? Nëse liderët shqiptarë janë Don Kishotë që luftojnë mullinjtë e erës, ata që i mbështesin nuk janë veçse Sanço Pança. Kush do qëndrojë sa më larg Don Kishoteve dhe sa me afër Servantesit të madh, do jetë edhe më afër pushtetit.
PERDORIMI I SISTEMEVE DIXHITALE BASHKEKOHORE DHE INNOVACIONIT NE POLITIKE
Patjetër që një ide e re politike kërkon kohë të piqet, patjetër që një grupim i ri me të njejtën ide ose ide të afërta politike kërkon kohë të formohet, këto ide duan kohë, energji, financa, media, struktura në bazë etj. që të vihen në veprim. Por asnjë ide që i ka ardhur koha nuk mund të ndalet. Kryesore pra është që të gjendet filozofia politike më e mirë dhe më e përshtatshme për gjendjen social-psikologjike të shumicës së votuesve, ajo filozofi që ngjit.
Në kushtet e sistemeve dixhitale, mediave sociale të lidhura LIVE me çdo person me vetëdije politike, është tepër e lehtë komunikimi virtual me njerëz me të njëjtën ide. Të gjithë i kanë të shprehura qartë idete e tyre. Këta njerëz po lidhen instiktivisht midis tyre, në kohë reale, për të shprehur të njëjtën ide me mënyrën e tyre si mesazhe kundrejt nje lajmi.
Mekanizmi i mbledhjeve online janë tashmë të provuara si efikase dhe me rezultate konkrete, jo si disa vjet më parë kur duhej të shkoje fshat më fshat të përhapje “lajmin e mirë”.
Lajmi tjetër i mirë është se kemi një brez të edukuar në epokën dixhitale, shumë projekte konkrete, platforma sociale, ekonomike, edukative etj. implentohen nga ne në një kohë rekord dhe me eficiencë maksimale. Kjo përvojë e fituar kalohet shpejt në sferën politike dhe ua merr në kthesë manovrave politike të politikës së vjetër të shekullit të kaluar. Na jemi t’birt e shekullit të ri në edukim, në eksperiencë, në gjallëri, por edhe në trimëri. Sepse kemi një armë që qëllon në shenjë, integritetin moral në radhë të parë dhe innovacionin.
Perparim Gjeka
27.07.2022