Artan Nati/
Nëse hartës së kontinentit Europian do të mund t’i bënim një ndarje imagjinare, pjesa e poshtme e kontinentit të vjetër do të kishte shumë karakteristika të përbashkëta. Italia, Spanja dhe Portugalia kanë nivel më të ulët ekonomik si dhe me standartet demokratike. Janë edhe vende katolike. Fqinjët e tyre kryesisht protestantë në veri, duke përfshirë Gjermaninë dhe Skandinavinë, janë në gjendje relativisht të mirë financiare, ekonomi më të zhvilluar si edhe demokraci me nivel më të lartë. A është kjo thjesht një rastësi, .apo teoria e Max Weber-it për etikën protestante që është e ndërthurur me frymën e kapitalizmit është ende e vlefshme, edhe mbi 100 vjet më pas? Ishte Martin Luteri ai që çliroi krishterimin nga dominimi i feudalizmit mesjetar dhe nga nënshtrimi i frikshëm ndaj Kishës katolike, duke e modernizuar atë. Ky mit vazhdon të mbetet i fuqishëm për ata që besojnë se termat kyç të modernitetit janë liria, vetëvendosja dhe të drejtat personale, gjithmonë nën hijen e Zotit. Ideja e individit, e cila është themelore për modernitetin, ishte aq e paimagjinueshme para Luterit sa mund të jetë si ngjyra në një botë bardh e zi. Idetë më të reja të pluralizmit, lirisë fetare, vetëqeverisjes dhe lirisë hynë në histori përmes derës që Luteri e hapi.
Ballkani gjithashtu është pjesë e pandarë e Europës, por kur flasim për kulturën, traditat dhe strukturat sociale dhe ekonomike, duket sikur kemi të bëjmë me një subkontinent. Ballkani, i parë shpesh si nën ndërgjegjia apo “i pavetëdijshmi” i Evropës, mishëron histori të ndrydhura, konflikte të lashta dhe kryqëzime kulturore komplekse që Evropa e zakonshme i anashkalon shpesh. Ky rajon pasqyron një psikikë më të thellë, të fshehur brenda kontinentit, duke zbuluar tensione të papërpunuara, identitete dhe plagë historike.
Shqipëria., mendoj unë, është vendi më unik në Ballkan, një enigmë, e mbështjellë në një mister, paraqet të gjitha realitetet ballkanike dhe zgjidhja e problemeve tona është një sfidë për vetë ne shqiptarët, por edhe krijimin e realiteteteve të reja perëndimore në Shqipëri, rajon si edhe në gjithë Europën. Harta e Shqipërisë ka gjithashtu një ngjashmëri me atë Europiane. Në veri kemi një shumicë katolike si edhe me tendenca të theksuara të ideve europiane si individualiteti, humanizmi si dhe një front solid antikomunist dhe proeuropian, sidomos në Shkodër dhe përreth saj. Jugu i Shqipërisë, kryesisht ortodoks, ishte një terren ku komunizmi dhe më vonë PS gjetën mbështetje dhe bashkëjetuan. Shqipëria qendrore, me një popullsi të përzierë, por sidoqoftë kryesisht myslimane, nuk i ka fshehur tendencat e saj pro Turqisë e më tej, sidomos me lëvizjen e Haxhi Qamilit, por edhe të Haxhiqamilistëve modernë, që e anëtarësuan vendin tonë në Konferncën Islamike, apo edhe të ndërtimit të xhamive kudo në vend, si edhe të festimit të inagurimit të Xhamisë së Namasgjasë.
Rrënjët e lashta dhe bazat fetare të një kulture mund të kenë vërtet një ndikim më të madh në rrugën që një vend ndjek sesa çdo konsideratë racionale, gjeopolitike ose ekonomike. Nëse është kështu, kombi ynë me prejardhje islamike, ortodokse dhe pjesërisht katolike, nuk mendoj se është vërtet rehat në një botë të dominuar nga perëndimi, një burim tensioni që mund të zbutet, por që kërkon ndërgjegjësim dhe aksion intelektual dhe politik për tu përshtatur me realitetet perëndimore.
Karakteri specifik i Islamizmit dhe i Ortodoksisë është se ato nuk e konsiderojnë thirrjen ose veprimtarinë profesionale si mjet shpëtimi, por bindjen dhe përulësinë në raport me një person (shpirtërisht) më me përvojë ose një person në një vend më të lartë në hierarki.
Unë mendoj se ka diçka në këtë, një gjë që perëndimorët shpesh e harrojnë, në radhë të parë, është se shumica e botës së krishterë ortodokse jetoi nën zgjedhën islamike për shekuj. Bizanti ra në vitin 1453. Shqipëria nuk ishte e lirë deri në shekullin e 20-të, pra në vitin 1912 dhe 1 shekull pas Greqisë. E njëjta gjë ndodhi me gjithë vendet e tjera të Ballkanit Ortodoks.Vendet ortodokse dhe islamike nuk e përjetuan Iluminizmin dhe përpjekjet e rilindasve tanë për të tërhequr Shqqërinë në Iluminizëm ishin të mëdha,por vetëm pjesërisht të suksesshme dhe ne nuk e përjetuan Revolucionin Industrial. Moderniteti erdhi në Shqipëri vetëm me ardhjen në pushtet të mbretit Zog, por edhe kjo për një periudhë të shkurtër dhe u pasua me traumën e komunizmit. Islami, ashtu si edhe kristianizmi ortodoks, në vendin tonë, por edhe në gjithë Ballkanin, nuk ka pasur kurrë versionin e tij të Reformimit dhe Iluminizmit, dy ngjarjet që duket se simbolizojnë kalimin nga barbarizmi në qytetërim. Shqipëria ka probleme të përshtatet me demokracinë, sepse nuk është rikuperuar ende nga shkatërrimi moral i shkaktuar nga komunizmi, njerëzit e kanë pothuajse të pamundur t’i besojnë njëri-tjetrit, sepse në komunizëm, nuk mund të përballosh t’i besosh askujt.
Dhe ja ku ndodhemi 34 vjet pas shembjes së komunizmit, me të njëtët aktorë politikë, që i drejtohen herë ortodoksisë greke dhe sllave dhe herë islamizmit turk ashtu si edhe diktatori komunist, herë nga Rusia e herë nga Kina, sipas interesit, vetëm për të mbijetuar dhe kurrë në interes të vendit.
Krishterimi ortodoks dhe islamizmi në Shqipëri, ka një marrëdhënie të dallueshme, por mund të jetë e pajtueshme me qytetërimin perëndimor. Shoqëria jonë i ka rrënjët në traditat bizantine dhe vlerat tona shpesh theksojnë komunalizmin, spiritualitetin dhe një strukturë fetare hierarkike, në kontrast me individualizmin dhe sekularizmin perëndimor. Megjithatë, ne kemi përqafuar idealet thelbësore perëndimore si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, veçanërisht ne jemi integruar pjesërisht në institucionet perëndimore si Bashkimi Evropian dhe jemi anëtar në NATO. Politikanët tanë bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: të shesin interesat e vendit në kurrizin tonë si edhe të mashtrojnë dhe vjedhin pasurinë kombëtare. Klasa intelektuale gjithashtu sipas traditës bizantino – komuniste serviloset dhe bëhet shërbëtore e klasës politike dhe e gjitha kjo në kurriz të popullit, i cili sipas të njëjtës traditë ose braktis vendin ose i serviloset pushtetarëve. Ka ardhur momenti që Shqipëria të gjejë derën e hapur nga Martin Luteri për individualitetin, shkatërrimin e hierarkisë dhe sekularizimin perëndimor. Ky diskutim i nisur midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes dikur, ka ardhur momenti që të diskutohet gjerësisht në ambientet intelektuale dhe studiot televizive. Shoqëria jonë të bëjë zgjedhjen e saj dhe të gjejë rrënjët e vërteta të kombit tonë. Shumë intelektualë, politikanë dhe njerëz të thjeshtë duhet të kuptojnë, se historia e popullit tonë, nuk fillon me pushtimin e vendit nga otomanët, por ndoshta ky është momenti më i errët në historinë tonë,dhe i rrëmbimit dhe i dhunimit të historisë , traditës dhe kulturës tonë europiane. Kombi ynë është shumë më i vjetër, më i kulturuar dhe ka kontribuar si në perandorinë romake, ashtu edhe në drejtimin e kishës katolike. Kombi ynë ka nxjerrë shumë perandor romak, papë të Romës etj. Duke ditur historinë e vërtetë të kombit tonë, të shprehur qartë e me fakte dhe nga kollosi i letrave shqipe, Ismail Kadare, ne do të njohim më mirë veten tonë, shoqërinë dhe kombin tonë dhe do të jetë një proçes natyral i transformimit të vendit në Shqipërinë natyrale europiane. Besnikëria jonë duhet të jetë vetëm ndaj vetes, shoqërisë dhe kombit dhe jo ndaj politikanëve dhe individëve të tjerë.