
Satirë nga Rafael Floqi/
Nëse e keni humbur, orientimin mos u shqetësoni – Venecia na ka ofruar një kurs të shpejtë mbi ligjin dhe politikat shqiptare, dhe ne jemi këtu për ta thjeshtuar këtë për ju. Historia fillon me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që kishte të bëjë me një nga personazhet më të njohura të politikës shqiptare, ish-ministren Olta Xhaçka, dhe kaq sa duket, kjo është vetëm pjesa më e vogël e dramës ligjore që po zhvillohet para syve tanë, kur mandate i saj ka veç disa muaj jetë.
Në një kohë kur çdo ditë kalon pa asnjë të re nga e “përhumbura” Gjykatë Kushtetuese, socialistët kanë gjetur një mënyrë brilante për të ndaluar çdo përpjekje që i kërkon të dërgojnë mandatin e Olta Xhaçkës për interpretim. Ata thonë: “Askush nuk na detyron”, duke shtuar me një entuziazëm të papërshkrueshëm që ata janë plotësisht të lirë të bëjnë ligjet sipas këndvështrimit të tyre – jo për të zbatuar ligjet sipas kushtetutës, por për t’i interpretuar ligjet siç u duhet.
Që prej dy vitesh, ky kalvar ligjor ka qenë një prej aktiviteteve më të këndshme për mazhorancën.
Çështja e Olta Xhaçkës është kthyer në një shfaqje të përhershme të zvarritjes së procedurave, me një “fjetje” të thellë të institucioneve që duken sikur kanë rënë në koma. Kur u botua opinioni i juristëve të Komisionit të Venecias, socialistët që nuk e kanë patur shumë merak që të ndiqnin ligjin, po i dhanë një përkufizim të ri shprehjes “interpretim”. Për ta, Komisioni i Venecias mund të ketë thënë gjithçka, por interpretimi është vetëm një sugjerim, jo një urdhër.
Venecia dhe kushtetuesja. Një flirt i pashpjegueshëm
Për ata që kanë humbur lidhjen me realitetin, Venecia ka dhënë mendimin e saj, dhe si gjithmonë, ky mendim është më shumë se një rekomandim – është një lëndë e fortë për diskutim, një dokument të cilin politika shqiptare e ka zgjedhur ta shfrytëzojë sipas dëshirës. Për ata që e kanë ndjekur ngjarjen nga afër, kjo histori ka bërë rreth një vit, që është shndërruar në një “telenovelë” kushtetuese, ku secila pale, mundohet të gjejë paragrafin që i përshtatet më së miri për ta pasur fitoren në dorë.
Nga njëra anë, Spiropali (përfaqësuesja më e shquar e qeverisë), e cilësoi opinionin e Venecias si një “përkrahje për qëndrimet e rilindjes” duke theksuar se deputetët socialistë nuk mund të urdhërohen nga Gjykata Kushtetuese. Dhe kush mund t’i thotë jo një mendimi të tillë, veçse asaj që njihet si Kushtetuta e Shqipërisë, një dokument që për ata që kanë humbur orientimin, është veçse një pengesë në rrugën për të “bërë politikë” sipas qejfit.
Nga ana tjetër, opozita, që në një moment të caktuar të historisë do të jetë gjithmonë e vendosur në anën e drejtësisë, nuk mund të kishte lënë këtë mundësi pa e shfrytëzuar. Gazmend Bardhi ka shpallur fitore, duke pohuar se Komisioni i Venecias e ka mbështetur qëndrimin e opozitës, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen pa ndonjë kompromis me shumicën parlamentare. A ka më ndonjë dyshim për këtë? Po ose jo…?
Gjithçka që duhet të dini për të kuptuar seç tha Venecia
Për ta pasur sa më të thjeshtë, socialistët kanë shpikur një metodë që mund të quhet: “Ne i bëjmë ligjet, ndaj ligjet nuk mund të na bëjnë ne”. Ky është një shqetësim i natyrshëm, sepse, kur ligjet e tjerë kërkojnë të japin një opinion, mazhoranca ka një përgjigje “përgjithmonë të papranueshme”: “Kuvendi është më i fuqishëm se Kushtetuesja”, duke mos lënë vend për ndonjë diskutim të mëtejshëm.
Në opinionin e Venecias është shprehur qartë se Kuvendi duhet t’i bindet Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë për interpretim mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Por socialisti i mençur i di më mirë, dhe ka shpallur se: “Kush na detyron ne?” – për të theksuar se nuk janë të detyruar të bëjnë asgjë që nuk e duan, pasi ligjet janë vetëm një sugjerim.
Për më tepër, socialistët mbajnë një interpretim të dyfishtë të çdo situate. Ata lexojnë një paragraf nga opinioni i Venecias që flet për “lirinë e votës së deputetëve” dhe menjëherë e përdorin si flamur. Në këtë mënyrë, ata e konsiderojnë si një mundësi që deputetët mund të votojnë si të duan, duke shmangur çdo përgjegjësi ligjore të detyrueshme për ta çuar çështjen përpara. Dhe kështu, “liberalizimi” i mendjes së deputetëve nuk ndalet kurrë, sepse gjithçka është në emër të lirisë individuale!
Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji që është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm?
Në këtë rast, Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion të qartë dhe konkret për rastin e Olta Xhaçkës, duke thënë se Kuvendi duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të çojë mandatin për interpretim. Por, siç mund të pritej, socialistët e lexojnë këtë thjesht si një sugjerim, dhe jo si një detyrim ligjor. Kjo ka qenë një mundësi për t’u mburrur me devizën e famshme: “Ne mund të injorojmë çdo gjë, dhe gjithçka është nën kontroll.”
Komisioni i Venecias është shprehur në mënyrë të pakundërshtueshme, duke thënë që Kuvendi është i detyruar t’i bindet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por, kujdes! Socialistët kanë një interpretim të veçantë të fjalëve “detyrim” dhe “zbatuar”, dhe siç duket, këto fjalë nuk janë pjesë e fjalorit të tyre të zakonshëm.
Venecia: Kush ka të drejtë?
Tani, për të kuptuar se kush ka të drejtë – Spiropali që do ta lexonte Venecian si një përkrahje për autoritetin e saj të pakontestueshëm, apo opozita që do të shfrytëzonte çdo mundësi për të shtuar pikë politike, mund të themi se çështja është e thjeshtë, por e turbullt. Nëse i referohemi paragrafit 22 të Venecias, komenti është më i thjeshtë se ç’duhet: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare”. Po, kjo mund të tingëllojë si një fitorja e opozitës, por në të njëjtën kohë është një thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës.
Kjo do të thotë se, ndonëse deputetët nuk mund të urdhërohen se si të votojnë, ata nuk mund të shkelin Kushtetutën dhe të bojkotojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo do të thotë që ata duhet të dërgojnë çështjen e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ashtu qoftë! E thënë ndryshe, përpjekjet e qeverisë për të vonuar këtë proces janë të pakuptimta dhe vetëm sa rrisin suspensën.
Pse Venecia është e rëndësishme?
Çfarë na mëson kjo? Po, politika është një art i madh i manipulimit, por ka disa rregulla që nuk mund të injorohen pa pasur pasoja. Venecia ka lënë një mesazh të qartë: Kuvendi duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe do të humbasë çdo kuptim të Kushtetutës dhe shtetit ligjor..
Në fund të ditës, edhe pse kemi mundësi të shohim politikën si një lojë ku fitorja vjen nga kush ka mundësinë të bëjë më shumë përpjekje për të interpretuar ligjin në favor të vet, ky verdikt i Venecias është një tërheqje e tërthortë vëmendje për të gjithë ata që duan të manipulojnë me Kushtetutën – sepse ligji nuk është për lojë, dhe as politikanët e Shqipërisë nuk mund ta bëjnë këtë.
Kështu që, ndërkohë që Venecia është duke rrotulluar kokën për të kuptuar ku shkojmë, ne shqiptarët socialistët e kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: “Kuvendi është ligji, dhe ligji është Kuvendi! Mbi të gjitha, kur një çështje është kaq e ngatërruar dhe e komplikuar, kush mund ta ndalë një grusht deputetësh që vendosin se ligji është aty për t’u përdorur, por nuk është i domosdoshëm për ta?