Prof.Elez Osmani/
(Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, më 12. 6. 1999)
Përkufizimi
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vetëm shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, është ngjarje që ka përmasën historike të çlirimit të Kosovës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me krahun ushtarak të saj, kishte mbrojtur me luftë të gjitha territoret që qendrat e vendosjes evropiane ju kishin dhënë shteteve fqinje t shqiptarëve, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Prandaj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e Aleancës së Atlantikut, pra NATO-n, pas më shumë se një shekulli, solli çlirimin e Kosovës, duke e shpëtuar popullin shqiptar të kësaj pjese të atdheut nga shfarosja.
Hyrje
Në jetën e popujve ka ngjarje historike që kanë peshë të veçantë. E tillë është edhe ngjarja e çlirimit të Kosovës, e cila as nuk kishte pikur nga qielli, as nuk kishte dalë nga toka. Ajo ishte përgatitur nga breza të tërë të atdhetarëve shqiptarë, në mënyrë që në vitin 1997, kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të fillonte realizimi konkret i kërkesave të shqiptarëve për të mos jetuar në robëri. Do të thotë, çlirimi i Kosovës nuk është vetëm ngjarje për jetën e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve që kishin mbetur jashtë shtetit amë, Shqipërisë. Çlirimi i Kosovë është ngjarje me përmasë kombëtare, sepse më Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është hapur procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. Prandaj, mund të thuhet, se vetëm me luftë çlirimtare, jo vetëm fitohet liria, por edhe ndryshojnë rrethanat historike në jetën e një kombi, në këtë rast të Kombit shqiptar.
Lufta për liri dhe çlirimi i Kosovës
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte bijë e të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me pushtimin sllav, asnjëherë nuk kishin pushuar së kërkuari liri dhe mëvetësi. Por, të gjitha ato përpjekje ishin shuar me gjak. Pushtuesi ynë, kishte hartuar programe pafund për zhdukjen e shqiptarëve. Ndonjëherë, as historia nuk mund ta shpjegojë, si nuk kishin arritur të realizohen ato programe shfarosëse, dhe si kishin ardhur shqiptarët kështu sa janë deri në këtë kohë. Pas kryengritjeve dhe qëndresës më shumë se 25 vjeçare të Skënderbeut e deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin zhvilluar më shumë se 228 kryengritje, andaj përgjakja dhe luftërat jo vetëm e kishin dëmtuar ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe e kishin përgjysmuar shtimin biologjik të tij. Andaj, nuk është e rastit, që mbi këtë shkollë kombëtare të mbështetej edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli lirinë e kësaj pjese të atdheut. Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, shqiptarët e kanë më lehtë të të merren me rrugën e gjatë të historisë deri të ardhja e luftës për liri dhe çlirimi i Kosovës. Shqiptarët, mbi shkollën e madhe të historisë, kthyen kokën nga aleatët shekullor, siç ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ju bën krahë kësaj lufte, duke u bërë pjesë edhe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Do të thotë, çlirimi i Kosovës është përmbyllje e një pjese të procesit historik të bashkimit kombëtar, i cili do të bëhet një ditë, deshën apo nuk deshën qendra të caktuara të Evropës, deshën apo nuk deshën politikat e qeverive shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për faktin se korrigjimi i padrejtësive historike, bëhet vetëm me luftë çlirimtare, të cilën e ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe më mbështetjen e aleatëve tanë historik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.
Vlera historike kombëtare e çlirimit të Kosovës
Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, mund të thuhet, se edhe kjo pjesë e kombit shqiptar, është pjesë e një populli historik, qoftë edhe vetëm për faktin se në shekuj ka luftuar për lirinë e tij. Është çështje tjetër, pastaj se cilat politika janë zbatuar, qoftë në Shqipërinë londineze, qoftë në pjesët e pushtuara të tokave shqiptare, pra edhe në Kosovë. Prandaj, sot, kur flasim për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kur mundësinë e hapjes së procesit të madhe historik, të bashkimit kombëtar, mund të themi se çlirimi i Kosovës ka vlerë me përmasë kombëtare historike. Pra, nuk është çliruar vetëm Kosova, por të gjitha pjesët e gjeografisë kombëtare, edhe ajo e Shqipërisë londineze. Në këtë 25-vjetor të çlirimit të Kosovës, shqiptarët kanë hapur rrugën e ardhmërisë historike, qoftë edhe vetëm për faktin se tashti janë faktor historik, gjë që nuk ishin para 25 vjetësh. Këto dhe çështje të tjera të shtruar në këtë kumtesë, edhe mund të diskutohen, por faktet historike janë shumë kokëforta. Këto fakte, thonë, se nuk mund të mbyllet rruga e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar, që e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa marrë parasysh politikat aktuale të qendrave të vendosjes evropiane, sepse historia ndonjëherë nuk përfill politikat e ditës, pa marrë parasysh a zbatohen në Bruksel, apo në ndonjë qendër tjetër.
Përfundim
25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, përmasën e tij historike shekullore, nuk mund ta stërkeq, as politika e ditës në Prishtinë, as ajo në Tiranë, as ajo në Shkup. Pa marrë parasysh se çka thonë politikat e ditës dhe qeveritë shqiptare, kudo që janë, se a i lejon Kushtetuta, apo nuk i lejon, se a hidhërohen, apo mërziten fqinjët tanë, se janë kundër, apo heshtin qendra të caktuara të Evropës, hapjen e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar, e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandanti i së cilës Adem Jashari, nuk pyeti se a lejonte kushtetuta e Jugosllavisë dhe ajo e Serbisë fashiste të pavarësohej Kosova, apo nuk lejonte. Prandaj, ky 25-vjetor i çlirimit të Kosovës, është ngjarje me peshë shekullore historike në jetën e kombit shqiptar.
Prishtinë, më 12 qershor 2024