Xhelal Zejneli/
Që nga viti 1991 e këndej, s’ka ditë që shqiptarët të mos e përsërisin refrenin: “aleatët tanë perëndimorë”; “miqtë tanë perëndimorë”; “partnerët tanë strategjikë”. Me kalimin e kohës, ky refren u shndërrua në klishe. Me aleatë, shqiptarët nënkuptojnë ShBA-në dhe fuqitë e tjera të Perëndimit. Refrenet e sipërthëna u përdorën dendur sidomos pas luftës së Kosovës të viteve 1998 dhe 1999.
Vitet e fundit po shihet se aleatët tanë perëndimorë nuk na dalin zot sa duhet, nuk na përfillin si dikur. Mbase janë të zhgënjyer me shqiptarët. Ata çdo vit hartojnë raporte për Shqipërinë dhe për Kosovën. Shqiptarët ndërkaq, raportet e tilla nuk i marrin me seriozitet.
Ka kohë që aleatët tanë perëndimorë janë bërë aletë të Serbisë. Ç’paradoks! Bota demokratike, në miqësi me një Serbi fashiste. Një gjë e tillë rrallë ka ndodhur në histori.
Në Konferencën e Ambasadorëve (1912-1913), gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia, me vendimet që morën, më tepër se gjysmën e shqiptarëve i lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare. Nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër – siç u shpreh shtypi i kohës – shkëputën krahinat më pjellore dhe që kishin qenë vatra të Lëvizjes Kombëtare”. Kundër shqiptarëve në këtë konferencë ishin: Rusia, Franca dhe Anglia. Gjermania fare nuk çau kokën për shqiptarët.
Fuqitë e Mëdha evropiane nuk e njohën qeverinë e Ismail Qemal Vlorës (1844-1919). Në tetor të vitit 1913 caktuan në krye të shtetit shqiptar princin gjerman nga një familje protestante – Vilhelm Vidin (Wilhelm Wied, 1876-1945). Ky erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914.
I bindur se e vetmja rrugë për t’u dhënë fund çrregullimeve dhe anarkisë në vend ishte krijimi i një qeverie të vetme për gjithë Shqipërinë, më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqje, duke ia kaluar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Me këtë akt u shënua edhe rënia e qeverisë së tij, që ishte krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 4 dhjetor 1912. Argumentet historike, politike dhe gjeografike të tij në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, Evropa nuk i përfilli. Megjithëkëtë, këtij burri të shtetit, historia i dha të drejtë. Paqja në Ballkan nuk mund të rivendosej duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste.
A po përsëritet sot historia në rastin e Kosovës?! A po e flijojnë sot Kosovën, miqtë tanë perëndimorë?!
* * *
Ka kohë që miqtë tanë perëndimorë e kanë shpërfillur çështjen e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës.
Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944- ) ka qenë kancelar në vitet 1998-2005. Është i pari kancelar gjerman që ka miratuar vendimin për ndërhyrjen e forcave ushtarake gjermane në operacionet luftarake jashtë vendit. Me fjalë të tjera, kur ky ishte kancelar, forcat ushtarake gjermane, në kuadër të NATO-s, morën pjesë në ndërhyrjen ushtarake kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Më pas ky u bë i afërt me Vladimir Putinin (1952- ). Në vitet 2016 dhe 2017 ka qenë katër herë Beograd ku është pritur nga kryeministri, përkatësisht kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Është ndër shtetarët e rrallë, në mos i vetëm që e viziton Beogradin, ndonëse ka marrë vendim për ndërhyrjen kundër makinerisë vrastare serbe. Kjo tregon se qëndrimi i tij ndaj Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht. Në kohën e tij, çështja e rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës nuk bëri asnjë hap para.
Pas Shrederit, në krye të Gjermanisë vjen kancelarja Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 1954- ). Kjo qëndroi në krye të Gjermanisë gjashtëmbëdhjetë vjet. Edhe kjo, mu si paraardhësi i saj, ishte e afërt me Moskën, me Putinin. Afrinë me Moskën e arsyetonte me çmimin e volitshëm të gazit natyror rus. Edhe gjatë qeverisjes së saj, çështja e rrumbullakimit të Kosovës fare nuk lëvizi nga vendi. Nën ndikimin e Putinit, Merkeli për Kosovën mbështeste një zgjidhje kompromisi me Serbinë.
Barak Obama (Barack Hussein Obama, 1961- ) në krye të ShBA-së ka qenë dy mandate. Edhe në kohën e tij, puna e Kosovës nuk u mbyll. Në kohën e presidencës së tij, sekretare e Shtetit ishte Hilari Klinton (Hillary Diane Rodham Clnton, 1954- ). Me një fjalë, Obama për Kosovën s’ndërmori dot gjë.
Zgjidhje përfundimtare s’i dha Kosovës as presidenti Donald Tramp (Donald John Tramp, 1946- ). Duhet thënë se në kohën e tij, Kosova e formoi shtrinë e vet.
Presidenti i përtashëm i ShBA-së Xho Bajden (Joseph Robinette Biden, Jr. 1942- ) njihej si mik i shqiptarëve. Por, gjatë mandatit të tij të deritashëm, punën e Kosovës mundohet ta zgjidhë me njëfarë kompromisi, thellësisht në dëm të shqiptarëve.
Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) ngul këmbë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që s’është gjë tjetër përpos shtet brenda shtetit. Përpos anglishtes, Eskobari flet edhe spanjisht, rusisht, serbisht, kroatisht, çekisht, portugalisht.
Nga sa më sipër rezulton se vitet e fundit Kosova fare s’ka qenë në agjendën e miqve perëndimorë. Përveç kësaj, duhet shtuar se vitet e fundit Fuqitë perëndimore si Gjermania, Franca, Austria, Italia, ShBA-ja etj. kanë investuar me të madhe në Serbi. Bëhet fjalë për miliarda euro, për hapjen e dhjetëra mijë vendeve pune.
Ç’paradoks?! Fuqitë perëndimore investojnë në një Serbi fashiste të udhëhequr nga kriminelët si Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi (1966- ).
* * *
Shumë analistë shqiptarë në shkrimet e veta e kanë demaskuar dhe e kanë stigmatizuar politikën destabilizuese, destruktive, luftënxitëse, antidemokratike, antihistorike, retrograde, anakronike, hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste dhe fashiste të Beogradit dhe të Vuçiqit në rajon, e në veçanti ndaj Kosovës. Është për t’u habitur sesi në qendrat perëndimore shkrimet e tilla kanë hasur në Vox clamantis in deserto.
* * *
Ka kohë që perëndimorët po e ledhatojnë Serbinë. A thua pse?! Mbase për arsye se në vitin 1999 ndërhynë ushtarakisht kundër makinerisë vrastare të saj dhe tani sikur duan të tregojnë se nuk janë kundër popullit serb. S’ka dyshim se perëndimorët duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e interesit dhe nga sfera ruse e ndikimit për ta futur në zonën perëndimore të interesit dhe në sferën perëndimore të ndikimit. Dhe ky kalkulim ka një çmim. Po del se ky çmim duhet të jetë Kosova. Për ta kënaqur Serbinë dhe Vuçiqin, duhet ta shkelim mbi interesat jetikë të Kosovës. Investimet në Serbi, mbase janë interes ekonomik i ndërmarrjeve perëndimore. Por, të njëjtin interes ndërmarrjet gjermane mund ta realizojnë duke investuar në Kosovë apo në ndonjë vend tjetër të rajonit. Perëndimorët duan ta bëjnë për vete Serbinë ndoshta edhe për shkak të pozitës gjeografike të saj.
Fuqitë perëndimore të cilat ngulin këmbë që Beogradi t’i vërë sanksione Rusisë, janë fuqi filoserbe. Edhe kjo e ka një çmim në dëm të Kosovës: “Ti Serbi, vëri sanksione Rusisë, ndërsa ne do të të shpërblejmë në raport me Kosovën”.
Kosova e dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe e mbështeti atë në forma të ndryshme. Megjithëkëtë, qendrat perëndimore fare s’e përfillin një përcaktim të tillë të shqiptarëve në shkallë kombi.
Në anën tjetër, Serbia edhe pse është i vetmi shtet në Evropë që nuk i vuri sanksione Rusisë, ajo favorizohet, përkëdhelet, ledhatohet, mbështetet, privilegjohet nga Fuqitë perëndimore.
Çfarë absurditeti?! E dhimbshme dhe e turpshme.
Në vend që ta mbështesin për muri Serbinë dhe Vuçiqin, ata ushtrojnë trysni mbi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin (1975- ) dhe tentojnë ta izolojnë atë, ta anashkalojnë apo ta shpërfillin. Ky veprim i aleatëve tanë perëndimorë është jodemokratik për arsye se ai e ka mandatin e shumicës së popullit të Kosovës. Diplomati perëndimor që thotë se do ta bëjmë asociacionin pa Kurtin, ai shkel parimet demokratike themelore mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian.
Evropë! Nuk ndërhyn Albin Kurti në punët e Serbisë. Është Vuçiqi ai që ndërhyn në punët e Kosovës. Kurti nuk e destabilizon Serbinë. Është Vuçiqi ai që synon ta destabilizojë Kosovën, madje edhe tërë rajonin. Nuk ka qenë Vuçiqi i burgosur në burgjet e Kosovës. Ka qenë Kurti i mbyllur në zandanët e xhandarëve serbë. Për qytetarët e saj, Kosova është një çështje jetike, për Serbinë ndërkaq, nuk është veçse interes kolonialist.
* * *
Ka kohë që në ShBA vepron lobi serb. Nuk dihet saktë përse kohët e fundit Uashingtoni e çon mirë me Beogradin dhe me Vuçiqin. Nuk mund të besohet se kjo ndërlidhet me zgjedhjet presidenciale të ardhshme. Kandidati demokrat, Xho Bajdeni apo ndonjë tjetër, duke e çuar mirë me Beogradin mbase dëshiron t’i sigurojë votat e serbëve të atjeshëm, ndonëse nuk kemi të bëjmë me ndonjë numër të madh serbësh në Amerikë.
Ambasadori amerikan në Beograd Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) është mjaft i angazhuar rreth “çështjes” së Kosovës. Sipas tij, së pari u dashka të formohet bashkësia e komunave serbe, pastaj të shqyrtohen çështjet e tjera. Ai shton se marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Serbisë do të forcohen akoma më shumë.
* * *
Fuqitë e mëdha kanë interesa perandorake. Ato nuk janë mik vetëm me ty. Ata synojnë të lidhin miqësi me tërë botën. Herë-herë, edhe me shtetet jodemokratike, për të mos thënë tiranike, despotike dhe autokratike.
Një Fuqi e Madhe mund t’i thotë Serbisë të inskenojë trazira në veri të Kosovës, për t’ia bërë me dije Kurit se pa ne nuk mund të përballesh me Serbinë. Ka të ngjarë që një skenar i tillë të ketë ndodhur edhe me rastin e bllokimit të rrugëve para do kohe.
Politika e sotme e Fuqive të Evropës s’ka sesi mos të ta përkujtojë politikën antishqiptare të tyre të kohës së Kongresit të Berlinit (1878) dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913). Atëherë, shqiptarët i quanin mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, duhet t’i lëmë pa shtet ose me një gjysmë shteti.
Për katër për qind serbë të Kosovës, është ngritur në këmbë i tërë Perëndimi, me gjithë atë Amerikë në krye. Atëherë shtrohet pyetja: Përse ndërhynë Fuqitë perëndimore në vitin 1999?! Për të krijuar brenda Kosovës shtet brenda shtetit?! Nuk duhet besuar se ka politikan në Kosovë që do ta nënshkruante njëfarë dokumenti që parashikon krijimin e shtetit brenda shtetit. Të tillat nënshkrime, historia nuk do t’i falte. Gjunjëzimin e Kosovës para synimeve të shfrenuara serbe historia nuk do t’ia falte as Tiranës, as inteligjencies së Shqipërisë, as të ashtuquajturës klasë politike të Shqipërisë.
Këto farë projektstatute që parashikohen për Kosovën janë katërçipërisht në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Një shtet brenda shtetit të formës së këtillë nuk e kanë pritur as serbët, as Vuçiqi. Këtë farë projekti për themelimin e shtetit brenda shtetit nuk do t’ia kishin bërë Kosovës as edhe armiqtë historikë të shqiptarëve. Me këtë farë projekti të shtetit brenda shtetit ngadhënjyes i shumëfishtë po del kryekrimineli Vuçiq dhe Serbia fashiste. Me shtetin brenda shtetit, fitues i padiskutueshëm po del Vladimir Vladimiroviç Putini.
Çfarë paradoksi?! Në një anë, ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Serbia ushtron gjenocid të heshtur, në anën tjetër për serbët e Kosovës parashikohet krijimi i shtetit brenda shtetit, përkundër faktit se i gëzojnë të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta të BE-së. Atëherë, nga kjo rezulton se BE-ja nuk u besuaka vlerave dhe parimeve të veta.
Ky brez i politikanëve të BE-së nuk e njeh sa duhet historinë e Ballkanit, sidomos ideologjinë dhe politikën serbomadhe të dyqind vjetëve të fundit.
Një ditë s’kanë për të qenë në skenën politike, as Gabriel Eskobari, as diplomati sllovak i cili vjen nga një shtet që s’e ka njohur Kosovën, Mirosllav Lajçak (1963- ), as politikani spanjoll, me kombësi argjentinase dhe spanjolle, i cili po ashtu vjen nga një shtet që s’e njeh Kosovën, Josep Borel (Josep Borrell, 1947- ). Kosova ndërkaq, kjo digë që mbron shqiptarinë, do të qëndrojë ndër shekuj.
Shqiptarët properëndimorë, përballë Serbisë bizantine dhe proruse. Fitues po na dalin, madje me ndihmën e perëndimorëve, serbët prorusë. Të mos pandehin Fuqitë perëndimore se Serbia do të heqë dorë nga vëllai i madh – Rusia. Ata i lidh përkatësia familjes sllave, i lidh edhe bolshevizmi.
Gjithë kjo zhurmë për një grusht serbësh. Në Maqedoni jetojnë mbi 30% shqiptarë. Po sikur këta të kërkojnë një entitet shqiptar?! Jo, Fuqitë perëndimore kërkojnë prej tyre të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. A s’e shohin BE-ja dhe Uashingtoni se mbartës i shtetësisë në Maqedoni është një popull me identitet të diskutueshëm, përballë shqiptarëve që s’kanë në dorë pothuajse asgjë konkrete.
* * *
Në një kohë kur vendoset për çështje historike që ndërlidhen me Kosovën, politikanët e Shqipërisë – Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama kacafyten ndër vete. Sikur në Kosovë nuk ndodh asgjë. Puna e Kosovës u intereson atyre vetëm kalimthi. E dhimbshme, e turpshme. Shqipëria duhet t’i japë Kosovës mbështetje morale, politike dhe diplomatike. Po këtë duhet ta bëjë edhe inteligjencia e Shqipërisë, institucionet shkencore më të larta të kombit. Një letargji e këtillë, një moskokëçarje si kjo, s’është parë askund në histori. Indolencë dhe indiferencë e pafalshme.
Është detyrë e Perëndimit të mbështesë Kosovën demokratike, ku ka rend dhe rregull si në asnjë vend tjetër të rajonit, ku luftohet korrupsioni, ku ndërtohet suksesshëm shteti ligjor, shteti i së drejtës. S’paskan mundur Fuqitë perëndimore t’i bindin pesë shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës!! Gjepura. S’paskan mundur Brukseli dhe Uashingtoni për ta pranuar Kosovën në BE dhe në NATO!!
Xhelal Zejneli