
Artan Nati/
Ndikimi kryesor në zhvillimin e jetës politike të vendeve perëndimore ishte Revolucioni Francez, i cili parashtroi idetë e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Ai sfidoi dominimin e “rendit të vjetër” në vendet e Evropës kontinentale, i cili bazohej në absolutizëm dhe forma të ndryshme të varësisë së subjekteve nga shteti. Gradualisht, në vendet perëndimore, themelet e shtetit ligjor bazohen në parimet e lirive politike dhe lirisë së sipërmarrjes. Formimi i themeleve të demokracisë u bë me zgjedhjen e organeve qeveritare, votimin e përgjithshëm dhe ndarjen e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo u pasua me ndryshimin e kulturës e cila nuk ndryshon sepse ne dëshirojmë ta ndryshojmë atë. Kultura ndryshon kur forma e organizimit të shtetit dhe institucionet transformohen. Ajo pasqyron realitetet e njerëzve që punojnë së bashku çdo ditë. Përse vallë në Shqipëri nuk kemi ndryshim të dukshëm të kulturës në marrëdhëniet midis njerëzve dhe midis institucioneve dhe njerëzve? Përse partitë politike operojnë sipas modelit komunist ku Partia është kryetari dhe kryetari është Partia? Përse institucionet nuk janë të pavarura dhe nuk sundon ligji, por sundon kryetarokracia dhe oligarkia. Në fakt Shqipëria nuk pati përmbysje të elitave, por emërim të tyre. Në krye të partive politike erdhën ish komunistët dhe klasat e përmbysura si edhe të persekutuarit politikë ishin të raskapitur dhe të paaftë për tu organizuar dhe si të tillë shpresuan se mund të merrnin drejtimin e vendit, por në fakt u shfrytëzuan dhe e shfrytëzuan situatën e krijuar. Në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe në Shqipërinë e dalë nga otomanizmi në fillim të shekullit të 20-të dhe direkt pas luftës së dytë botërore ra në kthetrat e komunizmit më të ashpër në Europë. Elitat e reja apo të emëruara të ardhura në pushtet nuk kishin vullnetin dhe vizionin, por as presionin e popullit të thjeshtë, si pasojë edhe të kulturës postkomuniste në vend, për të krijuar institucione të reja dhe të pavarura. Né fakt ata që kontrollojnë pushtetin politik përfundimisht do ta kenë më të dobishme të përdorin fuqinë e tyre për të kufizuar konkurrencën, për të rritur pjesën e tyre të byrekut, apo edhe për të vjedhur dhe plaçkitur nga të tjerët në vend që të mbështesin përparimin ekonomik.
Ndërsa institucionet ekonomike janë kritike për të përcaktuar nëse një vend është i varfër apo i begatë, është politika dhe institucionet politike ato që përcaktojnë se çfarë institucionesh ekonomike ka një vend. Prandaj në vend sundon ligji i hekurt i oligarkisë, aspekt i veçantë i të cilit është se liderët e rinj që përmbysin të vjetrit me premtime për ndryshime rrënjësore nuk sjellin asgjë tjetër veçse të njëjtën gjë, pra krijohet një rreth vicioz.
Shpesh fatet e kombeve janë vendosur nga vendet të cilat i kanë pushtuar ato, siç është rasti i SH.B.A , Australisë, Kanadasë e shumë vendeve të tjera që bëri të mundur transmetimin e kulturës demokratike britanike dhe si e tillë vendosi të ardhmen e lirisë dhe prosperitetit për këto vende, ndërsa e kundërta ndodhi në ballkan ku pushtimi otoman e më vonë influenca sllavo-komuniste solli vetëm diktaturë, mjerim dhe pasojat e kësaj kulture i vuajmë edhe sot. Në ditët e sotme Shqipëria ka fatin e madh të jetë aleat i fuqishëm i Amerikës dhe për herë të parë në historinë tonë ky aleat nuk na pushton, por pëkundrazi ishte faktori kryesor që i dha lirinë Kosovës dhe të drejat e lirinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe më gjerë ka rritur prezencën e saj në Ballkan si faktor stabiliteti dhe prosperiteti demokratik. Reforma institucionale si domosdoshmëri varet nga kultura dhe trashëgimia institucionale e një vendi. Vendi ynë fatkeqësisht trashëgon kulturë dhe institucione të kundërta me vlerat perëndimore dhe si e tillë faktori kryesor që pengon implementimin e institucioneve të reja është elita aktuale. Në këto kushte reforma në drejtësi garanton sundimin e ligjit, duke ndaluar paratë e pista si dhe paratë e korrupsionit që të financojë politikanët dhe elitën e korruptuar si përfaqësuese e kulturës bizantino komuniste dhe që pengon hapjen e dyerve për idetë perëndimore dhe riciklimin e elitave. Amerika ndërton institucione të luftoj terrorizmin promovon demokracinë si garanci për progres dhe ndërtimin e aleancave kundër Rusisë dhe organizatave të tjera terroriste. Si e tillë për të përshpejtuar proçeset demokratike në vend sistemi i ri i financuar dhe drejtuar kryesisht nga Amerika u dha një mundësi gjykatësve dhe politikanëve të korruptuar që ishin bërë pengesë serioze për implementimin e reformave në vend të largoheshin nga funksionet shtetërore apo publike. Shumë politikanë shqiptarë menduan se mund të qëndrojnë në pushtet me retorikë proamerikane, por duke vazhduar të minojnë institucionin e pavarur të drejtësisë dhe këtë e tregojnë qartë aferat korruptive të inceneratorëve, sterilizimit si dhe presionet e vazhdueshme ndaj SPAK-ut. Institucioni i pavarur i drejtësë po imponon një kulturë të re në vend dhe po imponon kulturë të re të komunikimit të njerëzve me njëri tjetrin si edhe në raport me shtetin. Ne nuk mund të kontrollojmë ose detyrojmë sistemin e ri të drejtësisë të ndryshojë . Ne mund të krijojmë vetëm hapësirë dhe burime për transformim. Në fund të fundit, sistemi dhe palët e tij të interesuara do të përcaktojnë nëse ai përshtatet ose refuzohet nga shoqëria jonë. Përvoja europiane ka treguar se në shoqëri të ngjashme me tonën ky sistem ka funksionuar dhe ka nisur një ortek ndryshimesh drejt perëndimit. Sundimi i ligjit është një faktor kyç për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe me bazë të gjerë. Ai inkurajon investimet, vendase dhe të huaja, së bashku me sipërmarrjen dhe zhvillimin e biznesit. Vjen një moment në jetën e çdo kombi kur ai qëndron në udhëkryqin e historisë dhe duhet të zgjedhë se cilën rrugë të shkojë. Por për ne nuk duhet të ketë vështirësi apo hezitim, asnjë shikim djathtas apo majtas. Rruga jonë është e drejtë dhe e qartë, rruga që kemi aspiruar në shekuj, por historia na e ka mohuar. Rruga e sundimit të ligjit dhe jo të elitave apo idhujve, sepse i vetmi idhull është sundimi i ligjit dhe institucioneve si rruga e vetme për tu bërë pjesë e kulturës perëndimore.