


Intervistoi: Sokol Paja/
1 – Z.Gurabardhi si ka nisur rrugëtimi juaj në Artin e Pikturës, frymëzimi artistik, pengesat dhe emocionet e para.
Jam rritur në një mjedis të qetë qytetar me nënë qëndistare dhe babain orëndreqës. Prirja mori rrugë natyrshëm, nga ku fillova të vizatoj që herët. Në klasën e pestë kjo prirje ra në sy të mësuesit të vizatimit, Artistit të merituar Agim Faja. Hyrja në Liceun Artistik “Jordan Misja” hapi një etapë të re në jetën dhe formimin tim. Tashmë kjo shkollë, me një staf të duhur pedagogjik, kishte hyrë në rrugën e konsolidimit.
2- Me ndryshimin e viteve, cilat tematika e motive kanë udhëhequr krijimtarinë artistike?
Filluar që në shkollë me bazat e realizmit, ishte gjini kryesore peizazhi dhe portreti. Kompozimi erdhi më vonë, që u bë dhe epiqendra e realizmit socialist. Në ato fillime ishte natyra shqiptare me veçoritë dhe variacionin e saj që inspironte vazhdimisht krijimtarinë. Kodra, lumi, fusha, ura, me prezencën e figurës së njeriut, ishin motivet.
3- Motivet kombëtare dhe cili është raporti i figurave të shquara të shtetformimit të kulturës shqiptare në krijimtarinë tuaj?
Gjatë formimit artistik e shumë pas kësaj periudhe, motivet kombëtare, si dhe figura të shquara (qofshin lokale), me krijimin e personalitetit dhe mëvetësisë morën rol të veçantë, jetuar në realitetin e atëhershëm. Sigurisht kisha shansin që lëvroja dhe gjininë e grafikës, që specifikisht lidhet me këto shprehje.
4- Krijimtaria në emigrim, zhvendosja në USA dhe cili është raporti i mallit, dashurisë dhe jetës larg atdheut në krijimtarinë tuaj?
Kur erdha në Amerikë kishte filluar periudha e pjekurisë. Me koncept të konsoliduar, realiteti i ri më ngjau krejt ndryshe. Edukata personale dhe formimi skrupuloz shërbeu për një ambientim normal. Bile dy vjet pasi arrita në USA, fare i panjohur për mjedisin atje, mora çmim në New York State Fair, me një kompozim modern-simbolik “KOHA”. Një numër i madh punësh të sjella nga Shqipëria krijuan dhe krijojnë atë klimë timen personale që më vlen sot e kësaj dite. Që nga viti 2018 jam i ftuar rregullisht në disa aktivitete “Plain Air” në Shqipëri.
5- Cili është raporti i dritës me errësirën, i jetës me vdekjen, i ferrit me lirinë në krijimtarinë tuaj?
Ndërsa dritën në pikturë e kam pasur dhe e kam preferencë personale timen që në fillimet e mia, ishte kontrasti grafik për të cilin edhe u diplomova në Institutin e Lartë të Arteve. Drita dhe kontrasti janë bashkë, ashtu ia kanë dalë mbi errësirën dhe zbehtësinë në pikturën time. Janë të dy elementë parësorë të pikturës. Në aspektin e jetës së përditshme ato shërbejnë vazhdimisht.
6- Cili është vlerësimi juaj për pikturën shqiptare në tërësi? Cilat janë tendencat?
Piktura shqiptare, arti në përgjithësi, është produkt shoqëror-historik, që lidhet ngushtë me të. Nëse përmendim Rilindjen tonë, edhe në artet figurative shqiptare ka një rilindje në kohë të caktuar që është fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shek. XX. Kapërcime fazash apo stanjacione periudhash tashmë janë objekt studimi akoma në proces, pasi për afro 45 vjet sundoi realizmi socialist.
Pikërisht pas ’90-ës, me ardhjen e kohëve të reja, në kaosin e krijuar, modernizmi hyri me ca “nxitim”, amalgam dhe me paqartësi, aq më tepër kur një numër i madh të rinjsh filluan të shkollohen jashtë. Sot në artin shqiptar globalizmi mbarëbotëror ka sjellë çoroditje. Në zhvillimin kombëtar sot arti ynë ka rol të kufizuar dhe s’ka se si, përderisa drejtime të tjera jo të vogla si urbanistika, arkitektura etj. (që nuk kanë plane afatmesme apo afatgjata), dominohen nga specialistë të huaj, por turistë ama, në aspektin e studimit në thellësi të problemeve qenësore të vendit tonë. Pavarësisht këtij kaosi në zhvillim, arti shqiptar ka një numër jo të vogël talentesh. Zhvillimi i madh botëror sot është aq i shpejtë, aq dhe i paparashikuar, aq më tepër shkolla shqiptare në përgjithësi dhe ajo e artit në veçanti, që ndodhet para plot sfidash.
7- Si pasqyrohen në krijimtarinë tuaj datat dhe ngjarjet e mëdha kombëtare? Arti si zhvillim, emancipim dhe frymëzim kombëtar?
Në realitetin e këtushëm (prej më se 28 vitesh), datat dhe ngjarjet kombëtare ndiqen brenda mundësive, ndërsa arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar është prezent dhe shfaqet në forma specifike. Konkretisht, kur në një muze (Nutley Museum Historical) prezantimi si artist shqiptar la një mbresë të paprovuar më parë tek një numër amerikanësh që morën pjesë në event, bile ata kanë kërkuar një tjetër aktivitet.
Kjo nuk është thjesht në aspektin patriotik, por i kalon caqet, pasi përcillet nëpërmjet emocionit.
8- Çfarë këshille ke për piktorët e rinj?
Duke qenë për 12 vjet mësues arti në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës, mendoj se formimi me vlera të plota është rruga më e mirë për të përballuar sfida të së ardhmes. Vite më parë, në një takim me piktorin e famshëm amerikan të tanishëm, profesor arti në Syracuse University për 45 vjet, kur i thashë se artist bëhesh pasi mbaron shkollën, ai tha: Është shumë e vërtetë.
9- Pas disa dekadave karrierë, arritje e vlerësime artistike, çfarë ju ka mbetur ende peng, dëshirë apo një amanet?
Në rrugën apo vorbullën e madhe të krijimtarisë ku zhytesh, konkluzione apo pengje përthithen dhe aq sa do të qartësohesh, aq edhe humbesh në to.
Por më shumë se pengje nxirren mësime nëse do realizohen…
10- Kush është artisti Dashamir Gurabardhi? Jetëshkrimi, ekspozitat, çmimet dhe vlerësimet ndër vite.
Lindur në Shijak më 1954, vazhduar studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1978. Që nga viti 1971 pjesëmarrës në ekspozitat në Durrës, deri në vitin 1989. Në vitin 1978 për herë të parë pjesëmarrës në Ekspozitën e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Që nga viti 1979 deri më 1989 pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kombëtare, organizuar nga GKA.
1996 Ekspozitë personale në GKA
1996 Në ekspozitën në Barletta, Itali
1999 Në ekspozitën “New York State Fair”
2000 Në ekspozitën “New York State Fair”
2003 Në ekspozitë “Everson Museum”
2009 Në “Everson Museum”
2010 Në ekspozitën “In honor Steve Jobs”
2014 Në “Everson Museum”
2019 Ekspozitë “Historical Nutley Museum”
2021 Ekspozitë në Hotel Adriatik, Durrës
2023 Ekspozitë në Galerinë e Vlorës
2025 Në ekspozitën e Galerisë Durrës
Në vitet 2017-2025 pjesëmarrës në aktivitetet e “Plain Air, Albania”
Fitues:
1984 Çmim kombëtar në konkursin e 40-vjetorit
1988 Medaljen “Naim Frashëri”
1996 Çmim në Barletta, Itali
2000 Çmim në “New York State Fair”
2002 Medalje “Honorable Mention”, New York State.