Përsëri me David Gjeçaj, prifti katolik nga Thethi, që punoi 30 vjet në Radio Vatikani (seksioni shqip), i cili ka lënë pas diamante për kurorë. Ja një ese e mrekullueshme e shkruar jo në shqipen zyrtare, por në gegnisht. Megjithatë kushdo mund të gjejë aty ujin kristal të fjalëve, si në Thethin e tij të mrekullueshëm…
Atë republikë kisha, fillikate, siç më shprehej zemërndrydhëse nji za prej qielli. Ma tha edhe nji herë tjetër që t’i pastronim kokën se do të vinin vizitorë nga hapsina. Ç’me pastrue! E kishin pastrue ushtarë e oficerë, punëtorë e fshatarë, të rinj e pleq, po veç sa me e përkëdhelë: e kanë ndërru pastaj – nji kostum dopiopetë ceremonial, kravata e kuqe, thile e kuqe prej mëndafshi që të turbullonte… një palë këpucë të reja pa veshë kurrë nji herë, e ç’me kujtue tjetër… Republika ime e vogël, e vogël, e pastër, e pastër, si me hy në nji skenë ku luhet tragjedi… E vrej: ulet te karriga e vetme dhe sheh veten n’pasqyrë… ku ku, thashë paska ranë në dashni me vedin kjo zojë e plakun po me zemerek të ri dhe më erdhi me qeshë… ishte marre! Po unë shifsha krejt ndryshe, veshun ashtu tan’ zhele prej doku kinez… e hoqa sytë ka skena. Zdralja ime hallemadhe si thotë poeti, pothuaj e ngrehun përmi male, e bukur si ka kenë motit… e them dhe s’di në më kuptojnë krenat… Në atë kohë spektatori donte me e ditë në ishte e bukur republika jeme se mos nga syni e hajshin dreqnit! Pse me e mohue, e kam dashtë me loçkë të zemrës vendin tem dhe e due pa masë. E pse me e mshef? Republikën e kuqe, rrobën e hidhun të marrë hue, s’e simpatizoj, ashtu me goje plot edhe pse herë-herë po m’falënderon… anipse e dijsha se po turbullohej fort edhe nga fjalët e mia… Kisha kureshtje me ditë për intimitetet e republikës seme… Të brendshmet, ia pashë, të kuqe, tutlue me parfum, nji cen s’i dallojshe… M’lëndon kjo pamje, se republika asht’ femën… Asgjë të shkoklueme, as hidh e prit andej e këndej… Pastaj me dorën me gunga shkruan me fjalë florini, kështu me m’u duk… Ishte thjesht për mue. Po unë dijsha me i lexue ndryshe fjalët e saj: parullat i ktheja në lutje, horrjen në frikë, fërkimin e gishtave kërkesë të fshehun. Mos më prek… A ishte vërtet kjo? E marume asht’ e mjera, e lanme krejt… uf!… Tash po i them: mos u shih ma n’pasqyrë, po lun mendsh krejet… E kadalë tu ia prekë telat e zemres… Kush e di se mos shkrute ndonji fjalë ma hapun për ndonji send, nevojë a hall. Pasha Zotin e madh do ta shpërblej… Kjo m’vrau… s’kërkojsha kurrgjë nga republika eme e vorfën e me halle të pa përshkrueme, po veç një vështrim e aq zemra jeme bahej zog. Erdhe? më thoshte buzagaz me dhambët çataj e të krimbun nga pangranësia, por edhe, dreq o punë, edhe gjoksin drras’ e me synin zjarrm. Donte me u çue e me m’dhanë dorën e unë s’e lajshe. I qeshsha dhe unë me nji gaz që atë e ka habitë… Prita ma vonë mos e bante ma, mos më jepte shenj qysh atëherë kur i lajsha sytë me ujë burimi nga Alpet e nga Tomori, nga Korça e Prishtina, nga Arta e Durrsi e Shkodra loce dhe më tkurrej zemra nga gjaku… vuente e shkreta jeme… ishte sëmundë nga të pangranët… Përherë e lusja për diçka, edhe pare me i dhanë i jepja, edhe bukën teme, po asaj të mjerës kurrgja s’i hynte në sy… S’ka lanë asnji borxh republika e vendit tem (!), e kuqja flakëruese që shihet në pasqyrë, e dashnuar me veten, mos më keq… Ishte për t’u dashtë! Ia kam rujtë atë nur për nji kohë, por menjëherë u ba krejt ndryshe, nuk i hyjshin në sy hollësina të tilla. Po më frikësonte se mos vijshin dorë mbi skeletin e saj të marum, i futa në nji bohçë gjithë ç’kisha, dhe ia kam ngarkue me nji dorë në ajër… E kisha nji të dashtun aq të bukur e aq… e shikojsha kaiherë, e shikojsha e thojsha se shkojshim bashkë… e kur mora vesh se ishte po ajo, republika e vendit tem që lufton me perënditë dhe me superfuqitë. Sido – sido më pëlqen fort kjo sfidë, më këputet pastaj shpirti se çfarë desha. O Zot i madh, seç ndiej këtu mrena, kam qeshë e jam mahitë me veten… Në ndjesina të mshefta nuk u futa dot kurrë… Po republikën e vogël, të kuqen sa një gogël, që e donte aq shumë veten, nuk e dhashë… e kam respektue, ishte andrra e madhe… për çdo shqiptar! Dhe andrrat si andrrat ma!
1977