Ish-kryeministri Berisha, duke folur për reformën në drejtësi në seancën e sotme plenare, akuzoi kryeministrin Rama se përjashtoi opozitën nga procesi.
“Fjala konsensus nuk ekziston për Edi Ramën, që udhëhiqet nga urrejtja më e madhe njerëzore, që celebronte fitoren me 1 milion grushta ndaj opozitës. Mbi këtë bazë Rama ngriti të famshmin komision të ekspertëve të nivelit të lartë”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, këta ekspertë ishin njerëz të afërt me kryeministrin dhe figura politike të lidhura me krimin. “Po kush ishin këta ekspertë me në krye kryetarin e partisë komuniste të drejtësisë, mbrojtësin e klaneve të trafikut, Fatmir Xhafaj? Cilët ishin këta ekspertë?”, është shprehur Berisha, i cili ka renditur ekspertët në fjalë.
“Arben Rakipi, njeriu që akuzoi Sali Berishën, që ka poshtëruar institutin e akuzës sepse paraqiti si provë një shishe “Pepsi-Cola”. Ky ishte eksperti i nivelit të lartë. Tjetri ishte Kristaq Kraja, një njeri i shpërfytyruar nga bixhozi dhe rakia”, ka thënë Berisha.
Por sipas tij, ajo që bëri ky grup është edhe më keq. “Pasi mori një valixhe me para, ky grup hartoi një projekt me 70 nene kushtetuese në të cilat u garantua: më i vjetri i gjykatës së lartë do të emërohej në forumin e kontrollit të drejtësisë me 6 milionë lekë rrogë. Opozita shqyrtoi materialin dhe ia dërgoi Venecias, komisioni që kryetari i partisë komuniste të drejtësisë e bllokoi për 1 muaj. E bëri këtë sepse Venecia ua nxorri se çfarë drejtësie donin, që Rama të ishte kryeprokuror dhe gjykatës. Venecia ua rrëzoi variantin këtyre në 88 nene. Në 6 nene, u tha Venecia, ju shkelni konventat e të drejtave të njeriut”, ka thënë Berisha.
Më tej, ai ka sqaruar edhe pozicionin e PD në këtë proces. “Jemi për një rol të rëndësishëm të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, por emërimin e gjykatësve nga ndërkombëtarët nuk e pranojmë. Nuk mund t’i japësh sovranitetin ndërkombëtarëve”, ka sqaruar Berisha.
Ish-kryeministri është shprehur se propozimi i fundit i opozitës, që lejon vetingun por përjashton ndërkombëtarët nga ky proces, në gjykimin e tij është “i shkëlqyer”. “Propozimi i ri i opozitës është i shkëlqyer, por i negociueshëm”, ka thënë ai.
Xhafaj: Ndërkombëtarët, rol procedurial. Opozita, frikë nga reforma
Duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, kryetari i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka mbrojtur punën e ekspertëve të nivelit të lartë.
“Jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Por nuk jam vetëm unë i nderuar, është edhe Komisioni i Venecias, edhe partnerët ndërkombëtarë. Ju harroni që ata ekspertë janë profesorë në këtë vend, që përgatisin brezat e ardhshëm të juristëve. Komisioni i Venecias i përgëzon anëtarët e komisionit ad hoc për punën në reformimin e gjyqësorit. Nuk ka vlerë ç’thotë Berisha, vlerë ka ç’thotë KV”, ka thënë Xhafaj.
Sipas tij, veç kësaj “Komisioni i Venecias beson se projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë”, por opozita ka probleme të tjera.
“Problemin e parë ju e keni me vetingun, me pastrimin e drejtësisë nga elementët e korruptuar e të lidhur me botën e krimit. Problemin e dytë e keni me prokurorinë speciale, me BKH-në, që thoni se i ka ndryshuar Venecia. Jo, nuk i ka ndryshuar. Shumë njerëz nga ju tremben nga këto. Kjo është e vërteta, një e vërtetë e hidhur”, ka thënë Xhafaj.
Më tej deputeti socialist ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët.
“Që ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët, gënjeshtër më të madhe nuk ka. Ata do të vlerësojnë vetëm 21 vetët që do të bëjnë vetingun dhe nuk do të kenë rol vendimmarrës, por rol procedurial”, ka shtuar Xhafaj.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i komisionit ka sqaruar edhe krahasimin e reformës në vendin tonë me ato analoge në Kroaci e Rumani, ku vetingu nuk është kryer. “Nuk e kanë Rumania e Kroacia? Nuk e kanë sepse nuk u është dashur të bëjnë veting”, ka sqaruar Xhafaj.
Blushi: Pasojat e dështimit të reformës i paguajnë qytetarët/
Deputeti Ben Blushi, duke folur në seancë plenare ka deklaruar se reforma në drejtësi është shumë afër dështimit.
Blushi ka theksuar se, situata konfliktuale për këtë proces ka bërë që të krijohet një përçmim nga ndërkombëtarët për klasën politike shqiptare. Por, më e rëndësishme në këtë aspekt, ka vijuar Blushi, është pasoja që do të ketë një dështim eventual.
“Nëse reforma në drejtësi nuk kalon nuk do të ndodhë asgjë. Jemi prapë ne që jemi pas një jave, pas 10 ditësh apo pas një vit. Çështja është kush paguan koston e mungesës së drejtësisë në Shqipëri”, ka thënë Blushi. Dhe këtë kosto, sipas tij e paguajnë qytetarët.
“Një grua dje po ecte në mes të Tiranës me dy fëmijë, del një i çmendur, e përplas me makinë dhe i merr jetën. A ka kjo lidhje me reformën në drejtësi? Ka. Sepse gjykatësi e liroi autorin për bakshish thonë dhe tani ai i mori jetën”, ka thënë Blushi.
Ai ka thënë më tej se, qeveria aktuale u ka marrë qytetarëve të gjitha të drejtat e zgjedhjes, duke vendosur njerëzit e saj në pikat kyçe të qeverisjes.
“Shkojmë në Kavajë. Kush e qeveris Kavajën sot? Një njeri që ka dalë nga burgu dhe qeveris nga shtëpia. Dhe ky njeri do lirohet, të jeni të bindur. Kjo është drejtësia? Po Dibrën kush e qeveris? Një deputet këtu përdori armën për punë personale dhe do të kthehet këtu që të votojë reformën në drejtësi. Ky është standardi se si veprohet në Shqipëri”, ka thënë Blushi dhe kjo sipas tij, “është pasojë e paaftësisë së Lulit dhe Edit për t’u marrë vesh”.
Situata e bën të nevojshme sipas Blushit zgjedhjen e presidentit nga populli dhe peticioni i tij, siç ka thënë ai, po gjen mbështetje. “Peticioni online është firmosur nga 10 mijë vetë”, ka shtuar Blushi.
/ Top Channel