
Prof. dr. Lush Culaj/
Dedë Gjo Luli i përkiste barkut Dedvukaj të fisit të Hotit. Në atë kohë Hoti mbahej i pari i bajrakëve të Malësisë të Madhe. Deda u lind në Traboin në vitin 1840. Ishte i vetmi djalë i Gjon Lulit. Iu dha emri i gjyshit, Dedë Broçit. Pa i mbushur ende dy vjet i vdes i ati. Në moshë të re ishte martuar me Prenda Gjeloshin nga Selishta e Grudës me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.
Sipas disa historianëve, në kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, Dedën e shohim së bashku me Çun Mulën si përfaqësues të Hotit dhe të Traboinit. Kur në gusht 1878 Kongresi i Berlinit vendosi kufirin midis Perandorisë Osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë, Dedë Gjo Luli bëri rezistencë kundër këtij vendimi gjatë viteve 1879-1880.
Në vitin 1906 Dedë Gjo Luli kishte kërkuar një flamur kombëtar, të cilin ia kishte sjellë Aladro Kastrioti përmes Preloç Prengës. Flamuri kishte qenë i gjatë dy metra. Në dekadën e parë të shekullit XX, personaliteti i Dedë Gjo Lulit u ngrit në rangun e personaliteteve më të shquara kombëtare.
Vitet 1910, 1911 dhe 1912 ishin për shqiptarët e natyrisht edhe për Dedën periudhë e provave të rënda. Ushtria e Perandorisë Osmane më 1910 e shtypi kryengritjen e Kosovës dhe bëri çarmatosjen e Shqipërisë së Veriut. Në rrethanat e krijuara Ded Gjo Luli, për arsye taktike, hyri në aleancë me Malin e Zi. Atë që nuk u arrit një vit më parë në Kosovë, u përpoqën ta vinin në vend malësorët e Mbishkodrës në vitin 1911. Ata filluan përgatitjet për luftë kundër Perandorisë Osmane.
Qeveria malazeze ishte e interesuar që kryengritja të mos merrte karakter kombëtar. Këtë e dëshmonte edhe gazeta “Cetinski glasnik”, me ç’rast tërheq vërejtjen se Mali i Zi duhej të vihej në krye të kësaj kryengritjeje që kishte qëllim autonominë e Shqipërisë. Pikërisht për këtë gjë, kral Nikolla përpiqej që ngjarjet të kishin vetëm karakter lokal, duke u kufizuar në viset e Malësisë.
Edhe gazeta tjetër malazeze “Glas Crnogorca” shkruante se “fitimi i autonomisë së Shqipërisë është fundi i testamentit tonë në Ballkan”.
Kryesisht të krishterët e Shkodrës kishin besim tek Austro-Hungaria si mbrojtëse e katolikëve kundër Perandorisë Osmane.
Pavarsisht interesit të saj për qetësimin e situatës në Shqipëri me rastin e kryengritjes të Malësisë të Madhe më 1911, Vjena synonte në projektet e saj për krijimin e në Shqipërie autonome.
Shpërthimi i kryengritjes së vitit 1911
Më 14 mars 1911 Mali i Zi ua ndaloi ndihmat të arratisurve shqiptarë në Mal të Zi, pasi shqiptarët nuk pranuan të luftonin nën flamurin malazez. Në këto rrethana, malësorët, nën kërcënimin e urisë, të armatosur dobët dhe ende të paorganizuar si duhet, u detyruan ta fillonin kryengritjen para afatit.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, e vitit 1911, përbën njërin ndër momentet kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Implikimi i Malit të Zi në kryengritje bënte që Fuqitë e tjera të Mëdha, siç ishin Italia dhe Austro-Hungaria, të cilat kishin interesat e tyre strategjike në Evropën Juglindore, të reagonin duke shtuar interesimin dhe gatishmërinë për atë që mund të ndodhte. Mali i Zi u përpoq që përpara Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane të dukej neutral. Nga ana tjetër Perandoria Osmane i ofroi Dedë Gjo Lulit edhe para për të ndaluar kryengritjen, por ai nuk pranoi.
Midis malësorëve të arratisur ishin 400 vetë nga Kastrati, të prirë nga Zenel Shabani, 400 të tjerë nga Hoti, të prirë nga Dedë Gjo Luli, 800 nga Shkreli, të prirë nga Prend Marashi, 400 nga Gruda me bajraktar Dedë Nikajn etj. Dedë Gjo Luli hodhi poshtë propozimet e Krajl Nikollës që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga trupat malazeze. Më 24 mars, një grup malësorësh, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, sulmuan karakollët kufitarë osmanë të rrafshit të Traboinit dhe i morën. Të nesërmen kryengritja u zgjerua dhe numri i kryengritësve u shtua në 3000 veta nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, Gjek Marash Gjeloshit, Nikë Gjelosh Lulit etj. Më 25 mars merren postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi merr armët e mbledhura në kishë më 1910. Kryengritja u shtri në gjithë Hotin, Grudën e Kelmendin. Lufta e malësorëve të Mbishkodrës tërhoqi vëmendjen e qarqeve atdhetare. Shumë përfaqësues të tyre u lidhën me kryengritësit apo edhe shkuan pranë malësorëve, si: Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Ismail Qemali, Themistokli Gërmenji etj. Fitoret bënë bujë shumë të madhe kurse Qeveria osmane këto veprime i quante kaçakllëk.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar nga Dedë Gjo Luli, nuk del si diçka e rastësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta. Dedë Gjo Luli dhe malësorët ishin edukuar me këtë ndjenjë dashurie për liri në shkollën e traditës.
Sipas studiuesit Ramiz Avdylit Dedë Gjo Luli ishte ndër anëtarët më të shquar të Komitetit të Podgoricës. Pavarësisht se kryengritja zhvillohej në një krahinë katolike të Shqipërisë kryengritësit dolën me kërkesa të rrafshit kombëtar. Mbreti Nikollë u deklarua se pas përfundimit të kryengritjes do të vendosej flamuri malazez. Reagoi Dedë Gjo Luli duke i thënë se e kishin konsideruar mik. “Të falënderojmë për mikpritjen por Shqipërinë as nuk e shesim as nuk e falim”. Ngritja e flamurit nga Dedë Gjo Luli dhe luftëtarët e tij, u përjetua me emocion të veçantë. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se luftëtarët shqiptarë po luftonin nën flamurin kombëtar.
Për kryengritjen e 1911 nuk mund të bëhet fjalë pa përmendur edhe përpjekjet e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit në pajisjen e saj me programin politik kombëtar dhe për mbështetjen që ata gjetën te Dedë Gjon Luli dhe krerët e tjerë malësorë. Kur u çlirua maja e Deiçit, Deda mbajti një fjalim, me ç’rast, ndër të tjera, tha: “Tani o vëllezër, do t’ju takoj të shihni atë që për 450 vjet më radhë nuk e pa kush”. Nxori flamurin shqiptar, e shpalosi e puthi dhe duke u dridhur nga emocioni e ngriti lart me të dyja duart. Të gjithë u afruan ta shikonin nga afër simbolin e tyre dhe të Shqipërisë, flamurin e Gjergj Kastriotit, të ngritur në Deiç më 6 prill 1911. Kjo histori tregon se Dedë Gjo Luli e ngriti flamurin në Malësi, më parë sesa të ngrihej në Vlorë. Qeveria e Stambollit përdori forca të mëdha ushtarake, nën komandën e gjeneral Shefqet Turgut Pashës për ta shtypur kryengritjen. Edhe Nikë Gjelosh Luli, sipas urdhrit të Dedë Gjo Lulit, e ngriti flamurin në maje të Bratilës, në vendin ku përpara valonte flamuri i Perandorisë Osmane. Në prill të vitit 1911 Shefqet Turgut Pasha shpall amnistinë dhe u jepte 5 ditë afat kryengritësve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i dorëzonin armët, ndryshe kërcënonte se do të merreshin masa të rrepta. Dedë Gjo Luli dhe malësorët nuk i dorëzuan armët.
Pas shumë luftimesh lokale, mësymjen në shkallë të gjerë Turgut Pasha e nisi në maj. Megjithatë nuk arriti rezultatin e parashikuar. Në fillim bënë efekt mitralozat e rëndë kundër të cilëve malësorët nuk kishin luftuar më parë, por shpejt ua morën anën! Përparimi i ushtrisë osmane qe mjaft i ngadaltë. Më 26 qershor 1911 Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Sokol Baci etj. në Cetinë ia paraqitën kopjet e memorandumit mbretit Nikollë dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Ky memorandum ishte pasqyrë e qartë për ecjen e lëvizjes në rrugën e duhur të realizimit të kërkesave të tyre, duke u ruajtur gjithashtu kurtheve të shteteve fqinje. Edhe argjipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Sereqi, kontribuoi shumë në sensibilizimin e kryengritjes në opinionin evropian.
Memorandumi i Greçës
Për të diskutuar me Dedë Gjo Lulin për kryengritjen, më 12 qershor 1911, nga Italia erdhi në Podgoricë, Ismail Qemali. Takimi u bë në Gerçë më 23 qershor 1911 dhe marrëveshja u quajt `Memorandumi i Gerçës` (apo `Libri i kuq` për shkak të ngjyrës së kapakëve). Nga ai dolën disa kërkesa bazë drejtuar Perandorisë Osmane dhe Evropës, veçanërisht Anglisë. Memorandumi u firmos nga 22 kapedanë shqiptarë prej trevave të Hotit, Grudës, dhe Shkrelit, pesë ishin nga Kastrati, tre ishin nga Kelmendi dhe dy nga Shala.
Memorandumi i Greçës, i paraqitur nga Luigj Gurakuqi, më 23 qershor 1911, parashtronte një program të plotë të autonomisë të Shqipërisë. Memorandumi përmbante 12 kërkesa dhe që iu paraqit Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha.
Dedë Gjo Luli
Ndonëse kryengritja u përhap kryesisht në Malësinë e Mbishkodrës, kërkesat e kuvendit të Greçës bëheshin në emër të kombit shqiptar dhe për të gjithë Shqipërinë. Kjo i dha fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat e tjera dhe ndikoi në zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Qeveria osmane ishte kundër autonomisë shqiptare, prandaj nuk e pranoi Memorandumin e Greçës.
Megjithatë, Perandoria Osmane u detyrua të hynte në bisedime me kryengritësit dhe me marrëveshjen e nënshkruar në Podgoricë në gusht 1911, ajo bënte disa lëshime që ndryshonin shumë nga kërkesat autonomiste dhe nuk i përfshinte të gjitha trevat e Shqipërisë, por vetëm Malësinë e Mbishkodrës. Në fakt, shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera dhe i çrregulloi planet për kryengritje të përgjithshme.
Dedë Gjo Luli pati me përfaqësuesin diplomatik të Perandorisë Osmane në Cetinë, ku Sadredin beu u përpoq t’i bindte malësorët të hiqnin dorë nga programi kombëtar dhe të kënaqeshin me plotësimin e kërkesave të karakterit lokal. Pyetjes provokuese të ministrit osman “në se pikat e Përkujtesës së Greçës i kërkonin vetëm për vete apo edhe për të tjerët”, Dedë Gjo Luli iu përgjigj në mënyrë të qartë dhe kategorike se “çka ishte parashtruar në “Librin e Kuq”, i donin jo vetëm për vete, por për ‘tanë Shqypninë’”. Këtë takim na e dëshmon dom Luigj Bumçi, i pranishëm si përkthyes. Dom Luigji ishte nipi i Pashko Vasë Shkodranit.
Memorandumi i Greçës, midis të tjerash, kishte dhe një pikë ku kërkohej bashkimi e katër vilajeteve në një dhe krijimi i një Shqipërie Autonome (pra jo të pavarur). Ky memorandum është dokumenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912. Gjithë këtyre veprimeve politike u priu Dedë Gjo Luli, me guximin, ndershmërinë dhe largpamësinë që e karakterizonte. Ndonëse kryengritja nuk u mbështet nga viset e tjera, u shprehën në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të të gjithë kombit. Ky program, për meritë, në radhë të parë, të udhëheqësit kryesor të saj, Dedë Gjon Luli, i cili i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, që në një formë i hapën rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.
Vrasja e Dedë Gjo Lulit dhe rivarrimi
Në fillim të shtatorit 1915, Dedë Gjo Lulin e ftojnë në një mbledhje të krerëve në Orosh. Ishte fundi i shtatorit kur ai me të birin dhe me disa shokë arrijnë në Orosh. Befasisht, aty u arrestua nga ushtria serbe. Edhe pse e paralajmëroi Nora, reja e tij, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Para pushkatimit të Dedës, nga ai e ndajnë të birin, të cilin serbët ua dorëzojnë esadistëve. Ata e lidhën me pranga në Malin e Shenjtë të Oroshit të Mirditës dhe e masakruan me bajoneta së bashku me disa mirditorë. Të vrarët i hodhën në shpellën që njihet me emrin Shpella e Akullit.
Serbët, në bashkëpunim me veglat e tyre forcat esadiste, më 1915 mundën të kapin në pabesi Dedën bashkë me të birin e shoqërues të tjerë në Orosh të Mirditës. Atë dhe grupin e tij e pushkatuan në Sheshez të Mirditës më 24 shtator 1915.
Kur u doli përpara kapiteni serb, Gjura, ai nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5. Preng Gjok Skana, 6. Bib Marlula dhe 7. Llesh Deda) nuk e lëshoi veten dhe dha jetën në Sheshëz t’ Oroshit në Mal të Shejtë, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë.
Dedë Gjo Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24-ti në listën e përbërë nga 159 heronj të popullit, dhënë nga Kuvendi Popullor.
Emri i tij është i lidhur aq ngushtë me Kryengritjen e vitit 1911 dhe është vështirë të flasësh për këtë kryengritje pa pasur parasysh udhëheqësin e saj. Po ashtu, njësoj është e vështirë të flasësh për personin e tij, pa iu referuar kësaj kryengritjeje të madhe, të cilën ai së bashku me Mehmet Shpendin me shokë e udhëhoqi.
Trupi i Dedë Gjo Lulit, i mbuluar me gjethe, u varros fshehurazi pas dy javësh, më 8 tetor 1915.
Me iniciativën e etërve françeskanë të Shkodrës, eshtrat e Dedë Gjo Lulit dhe të birit të tij, të bartura nga Oroshi, iu dorëzuan këtyre atdhetarëve. Më 29. V. 1923 më se tre mijë veta u bashkuan te kisha françeskane për t’i bërë nderime këtij atdhetari të shquar. Mbi jetën e tij foli Atë Anton Harapi. Qytetarët e prisnin në oborr arkivolin e mbuluar me flamur.
Me këtë rast, në emër të deputetëve shkodranë, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi dërguan këtë telegram: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo Lulit, tue krye detyrën e mirënjohësisë ndaj fatosit të pa vdekshëm, që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë të atdheut mbi shkrepat e përgjakun të Malësisë së Madhe.”
Te Hani i Hotit, buzë rrugës, qëndron një lapidar në kujtim të kryengritjes së vitit 1911. Këtë lapidar populli e quajnë “Lapidari i Dedë Gjo Lulit”. E në të vërtetë kryengritja e vitit 1911 është e pandarë nga emri i Dedës, udhëheqësit të saj. Ky lapidar është një dëshmi e heshtur që flet për një epokë të tërë, për pavdekësinë e veprës së malësorëve dhe të prijësit të tyre, Dedë Gjo Lulit.